Një burrë është në burg nga 31 janari i sivjetëm nën akuzën se kishte planifikuar, më 2002, një atentat me anë të një bombe dore kundër gazetës shqiptare “Bota Sot”
VOAL – Një burrë është në burg nga 31 janari i sivjetëm nën akuzën se kishte planifikuar, më 2002, një atentat me anë të një bombe dore kundër gazetës shqiptare “Bota Sot” të Zyrihut (ZH).
Kështu bën të ditur sot Gjykata Penale Federale, e cila i kërkon Prokurorisë Publike të Konfederatës ta kompletojë aktakuzën. Procesi mund të mbahet mbas disa muajsh.
Autori kishte pasur qëllim të vriste anëtarët e redaksisë së gazetës, shkruan Gjykata. Granata e shpërthyer mund të kishte plagosur, edhe për vdekje, edhe të të pranishmit e tjerë që gjendeshin mbi taracën e banesës ku ndodhej redaksia në momentin e shpërthimit.
Granata ishte fshehur në një pajisje me verë. Shpërthimi nuk ka ndodhur thjesht për fat: mekanizmi i ndezjes së bombës në fakt nuk ka funksionuar në momentin e hapjes së pakos. Të thirrur në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë kanë arritur ta çaktivizojnë granatën. Komunikata e Gjykatës Penale Federale nuk e japin identitetin e autorit as motivet që e kanë shtyrë për ta sulmuar gazetën shqiptare.
Në përfundim të hetimit, Prokuroria Publike e Konfederatës, ia ka dërguar aktakuzën e saj Gjykatës Penale Federla në majin e sivjetëm, duke e akuzuar autorin e dyshuar se ka dashur të vrasë, të rrezikojë me anë të eksplozivit dhe të gazeve helmues e për shkelje të ligjit për armët.
Në vendimin e saj të rikthimit të aktakuzës Gjykata iu kërkon hetuesve ta kompletojnë dosjen. Sipas gjykatësve të Belinconës, në fakt, mungojnë saktësimet sa i përket numrit të njerëzve të vënë në shenjestër nga autori.
Në vendimin e saj, Gjykata shënon se është dakord që atentatori të fillojë ta vuajë dënimin e tij paraprakisht. I burgosur, fillimisht ishte në burgun rajonal të Bernës, por tani gjendet në burgun e sigurisë së lartë në jug të aerportit Zyrih/Kloten.
Nuk është hera e parë që “Bota Sot” përmendet në Zvicër. Më 2008, një bashkëpunëtor i saj ishte dënuar për shpifje, sepse kishte akuzuar një deputet kosovar se kishte urdhëruar vrasje politike në cilësinë e tij si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës.
Më 2002, Prokuroria Publike e Zyrihut kishte nisur një procedim kundër gazetës duke ia tërhequr vërejtjen për thënie raciste kundër qeverisë së Maqedonisë.
SDA-ATS
Komentet