VOAL

VOAL

Agim Toro: Qeveria të tërhiqet nga projektligji për pronat – Intervistoi Rezarta Delisula

December 7, 2015

Komentet

Intervista- Ahmeti: E pranojmë sfidën, Mickoski ta mbajë fjalën për zgjedhje të parakohshme

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, Shkup 1 nëntor 2024.

 

Enis Shaqiri

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duhet ta mbajë fjalën për zgjedhje të parakohshme, që do të mbaheshin vjeshtën e ardhshme bashkë me ato lokale, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Ndërkaq në lidhje me përdorimin ose jo të gjuhës shqipe ka deklaruar se “prekja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ka për të qenë ‘fuçi baruti’”.

Si lider i opozitës ai, ka paralajmëruar zgjidhje ligjore për tejkalimin e mospajtimit të Frontit opozitar Evropian me vendimin e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, për të marrë në Qeveri grupimin politik VLEN. Ai ka pohuar se po punohet në një material, nga i cili “do të dalë një ligj, dukshëm në mbrojtje të legjitimitetit”.

Duke ritheksuar angazhimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulën e saj, Ahmeti ka nënvizuar se me këtë ndryshim, maqedonasit nuk humbin asgjë.

“Përkundrazi, bëhet dallimi mes komunitetit bullgar dhe atij maqedonas”, është shprehur kreu i BDI-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë intervistës me korrespondentin e REL-it, Enis Shaqiri.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë intervistës me korrespondentin e REL-it, Enis Shaqiri.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, këtë javë Komisioni Evropian (KE) ka publikuar Raportin e vet të Progresit edhe për Maqedoninë e Veriut. Gjetjet janë se Shkupi ka ngecje në realizimin e reformave të kërkuara. Veçmas kur është fjala për ndryshimin e Kushtetutës dhe vendosjen e shtetit të së drejtës, luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. Si e keni lexuar ju këtë Raport?

Ali Ahmeti: Më 5 nëntor unë pres ambasadorin e Bashkimit Evropian në takim, për të dëgjuar drejtpërdrejt lidhur me Raportin. Por, kjo nuk do të thotë se unë nuk kam informacion, si dhe e di përmbajtjen e tij. Është një e vërtetë e madhe që Republika e Maqedonisë së Veriut ka ngecje në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me palën bullgare, si kusht i domosdoshëm që ky moment të ndodhë: që minoriteti bullgar të përfshihet në kategorinë kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Ne, në vazhdimësi kemi apeluar që ndryshimi i Kushtetutës duhet bërë, sepse nuk humbin asgjë bashkëqytetarët tanë maqedonas, përkundrazi bëhet dallimi mes komunitetit bullgar dhe atij maqedonas.

Kjo është një histori e gjatë, sepse ne kemi qenë të interesuar të mos jemi palë e konfliktit, palë e përçarjes, por e unifikimit të qëndrimeve me bashkëqytetarët tanë maqedonas. Ne asnjëherë nuk e kemi kontestuar as historinë, as gjuhën, as kulturën, dhe komuniteti maqedonas ka pasur përkrahje të plotë për problemet që kërkonin një zgjidhje, si me palën greke ashtu edhe me palën bullgare. Por, si duket, kjo përkrahje që u është dhënë nga komuniteti shqiptar bashkëqytetarëve maqedonas, nga një pjesë e partive politike është keqpërdorur.

Nuk mund të them se është keqkuptuar kjo përkrahje, sepse në mënyrë të organizuar dhe mjaft të sofistikuar është bërë një propagandë antishqiptare, se “ja, shqiptarët na mbështesin në zgjidhjen e këtij problemi” me prapavijë se duan të ndërtojnë “Shqipërinë e madhe” ose “Bullgarinë e madhe”. Këto janë shpifje, mund t’i quaj lirisht lajme të rrejshme me qëllim që të ketë një ftohje dhe përplasje midis dy komuniteteve më të mëdha – shqiptar dhe maqedonas.

Stabiliteti, paqja, dhe ardhmëria e këtij shteti varen nga harmonia, nga komunikimi dhe bashkëpunimi që mund të ndërtojnë politikat e përbashkëta progresive të dy komunitetet më të mëdha: maqedonasit dhe shqiptarët. Mendoj se partitë politike duhet të reflektojnë në këtë drejtim dhe të mos nxisin urrejtje etnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, ashtu siç ndodhi me politikat e VMRO-së këto shtatë-tetë vjet sa ishim në koalicion me LSDM-në, se gjoja shtetin po e marrin shqiptarët, e uzurpuan shqiptarët… E, në fakt, shqiptarët nuk kanë marrë asgjë të huaj, kanë marrë hisen e vet që u takon. Ashtu siç bënte propagandë edhe Lidhja Socialdemokrate (LSDM) kur ne ishim në koalicion me VMRO DPMNE-në.

Atëherë, nëse ju kujtohet, pati kriza të jashtëzakonshme brenda shtetit, si përgjimet dhe marrëveshja e Përzhinës, ku LSDM-ja gjithmonë thoshte që BDI-ja është patericë e VMRO-së. Ne, prioritet kishim vënë të ruanim interesat shtetërore dhe jo ato parciale e politike.

Ne nuk mund të binim në grackën e propagandës fyese që bënte LSDM-ja, se ne ishim patericë e VMRO-së. Kështu, e çuam vendin drejt komunikimit mes partive, si VMRO-së, ashtu edhe LSDM-së, BDI-së dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), si parti opozitare e kohës që ishte, dhe arritëm deri te Marrëveshja e Përzhinës, duke siguruar stabilitet për shtetin dhe vazhdimësi të proceseve.

“Heqja e gjuhës shqipe nga përdorimi zyrtar, e rrezikshme”

Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar keni nisur dy letra – në adresa të qendrave të vendosjes jashtë vendit dhe me një i jeni drejtuar kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski. Në to pohoni se po vihet në pikëpyetje Marrëveshja e Ohrit. Ku e mbështesni një vlerësim të këtillë?

Ali Ahmeti: Kjo është më se e dukshme. Këtë e shohin edhe zogjtë mbi çati. Është hequr etnia. Asgjë nuk është balancuesi; çfarë do të thotë të heqësh përfaqësimin etnik në institucione tash e tutje. Partia politike më e madhe maqedonase (VMRO-DPMNE), në emër të cilësisë, do të bëjë përzgjedhjen e maqedonasve, pasi gjoja shqiptarët nuk i plotësojnë standardet, nuk i plotësojnë kriteret. Kjo është bërë me një prapavijë të sofistikuar, që shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar në organet e shtetit, në administratën publike, në gjyqësor, prokurori, polici, sepse ata janë të ‘paaftë’, shkollohen nëpër universitete ku diplomat i marrin pa shkuar ‘asnjë ditë në shkollë’.

Kjo dëgjohet çdo ditë nga përfaqësues të partive politike maqedonase, të cilët i ofendojnë shqiptarët si ‘të paditur’, duke fyer universitetet shqiptare si [gjoja] institucione të hapura vetëm për të grumbulluar mjete financiare dhe për të mbajtur në punë njerëz të pamerituar, të cilët diplomat e tyre i kanë marrë me të holla, nëpër universitete të ndryshme të rajonit.

Tjetra, vetë z. Mickoski e pohoi se asgjë nuk ndodh nëse largohen dy-tri dispozita në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Këto dy-tri dispozitat që përmend z. Mickoski janë sigurisht fuçi baruti, po i preke. Po u hoq gjuha shqipe nga përdorimi në gjyqësor, prokurori, apo në institucionet e larta të shtetit, do të thotë se gjuha shqipe nuk do të ketë statusin e gjuhës zyrtare. Këto janë gjëra tepër të rrezikshme. Unë kam pasur shqetësim, dhe këtë shqetësim e kam ndarë me nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimin Evropian, dhe SHBA-në, pasi lehtësues dhe ndërmjetësues të kësaj marrëveshjeje janë këto dy shtete.

Në aspektin e ushtrisë, garantues për amnisti është NATO-ja. Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) ka nënshkruar marrëveshje për amnisti me NATO-n, ku nga pala e UÇK-së e kam nënshkruar unë si Komandant i Përgjithshëm, ndërsa nga pala e shtetit e ka nënshkruar ish-presidenti Boris Trajkovski.

“Përgjegjësia për zbatim të marrëveshjeve, te përfaqësuesit e zgjedhur”

Radio Evropa e Lirë: Reagimi i parë ndaj letrës suaj ishte ai i ish-diplomatit amerikan Daniel Server: “Po për Ali Ahmetin për çështjen e gjuhës; Jo për Qeverinë për çështjen e identifikimit etnik të administratës. Dhe, zgjedhësit le të vendosin për çështjen e përfaqësimit të drejtë”. Si e shihni një qasje të këtillë të Serverit, që është njohës i mirë i rrethanave në Ballkan?

Ali Ahmeti: Z.Daniel Server ka një vlerësim të drejtë. Mirëpo, te çështja e përfaqësimit të drejtë të etnive, zgjedhësit nuk bëjnë përzgjedhjen e administratorëve, gjykatësve apo prokurorëve.

Zgjedhësit bëjnë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre politikë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve e kanë përfaqësuesit e zgjedhur. Pra, ata duhet t’i jetësojnë ato, t’i materializojnë.

Radio Evropa e Lirë: Keni marrë reagime të tjera për letrën e drejtuar edhe në adresë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken?

Ali Ahmeti: Zakonisht, shtetet nuk komunikojnë me letra ndaj reagimeve që unë kam bërë. Dhe, kjo nuk është hera e parë. Në disa momente kyç të shtetit, unë jam drejtuar me letra, ku ata organizojnë takime për t’i parë zhvillimet dhe situatat drejtpërdrejt. Nëpërmjet komunikimeve ndërmerren masa që fenomene të tilla të mos ndodhin.

“Të gjithë duhet ta ngrenë zërin për çështjen e gjuhës dhe përfaqësimit etnik”

Radio Evropa e Lirë: Po çfarë prisni nga Tirana e Prishtina zyrtare, kur e para – thuhet se është në mbështetjen tuaj, ndërsa e dyta – pro grupimit politik VLEN?

Ali Ahmeti: Për çështjen e gjuhës, çështjen e përfaqësimit etnik, mospranimin autentik të Marrëveshjes së Ohrit, duhet të gjithë të ngrenë zërin. Këto çështje janë të ndjeshme dhe nuk është vetëm punë e BDI-së që t’i dalë zot dhe ta ngritë zërin e shqetësimit.

Të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta ngrenë zërin, që gjuha shqipe mos t’u rrezikohet dhe përfaqësimi etnik të mos cenohet. Kjo nuk është çështje partiake, por një çështje që u takon të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por u takon edhe shqiptarëve të Shqipërisë. Institucionet në Shqipëri, i obligon dhe detyron Kushtetuta që të ngrenë zërin kundër padrejtësive që mund t’u shkaktohen bashkëkombësve të tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo në Serbi, apo në Mal të Zi.

Edhe Kosova ka një obligim moral dhe kombëtar që ta ngrejë zërin dhe të mos pajtohet me rrezikimin apo cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Shihni çfarë pasojash ka. Nuk është mirë të bëhet ndërhyrje, as nga Shqipëria, as nga Kosova, po as ne nga Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërhyjmë në procese, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Rrethanat i njohin më së miri ata që jetojnë dhe organizohen politikisht, si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë. Ata e dinë se si duhen zgjidhur problemet. Populli që jeton andej e di më së miri se kush mund t’i përfaqësojë më së miri qytetarët, shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

Çdo ndërhyrje e mundshme mund të sjellë, fërkime, mospajtime apo hidhërime ndaj politikanëve, qofshin në Shqipëri apo Kosovë. Ja një shembull: Artan Grubi është zëvendësuar me Ivan Stoilkoviqin, i cili është ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për Komunitetet, pra është përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit.

Stoilkoviqi është mik i [Vladimir ] Putinit dhe i [Aleksandër] Vuçiqit, gjë që ai e pranon dhe madje krenohet me të. Ky është rezultat i mosnjohjes së rrethanave në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo ndërhyrje që është bërë nga autoritete, jo të gjithë, nga Kosova, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Platforma për legjitimitetin”

Radio Evropa e Lirë: Përtej polemikave e përplasjeve politike, ju këto ditë jeni në terren me anëtarë e simpatizantë të partisë suaj. Më herët angazhuat edhe një ekspert ndërkombëtar, Paul Williams, për hartimin e asaj që e keni quajtur platformë për legjitimitetin. Si mendoni ta operacionalizoni këtë kur edhe nga kryeministri Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE, por edhe nga grupimi politik VLEN, që është pjesë e Qeverisë, janë duke i hedhur poshtë pretendimet tuaja për këtë çështje?

Ali Ahmeti:Atyre u takon që t’i hedhin poshtë këto pretendime. Por, këto nuk janë thjesht pretendime; janë një realitet që do të ndodhë. Është përgatitur një material voluminoz lidhur me legjitimitetin nga eksperti dhe hartuesi i Marrëveshjes paqësore të Ohrit, z.Paul Williams. Jemi duke përpunuar të gjithë këtë material së bashku me Frontin Evropian dhe me ekspertë vendorë. Nga ky material do të dalë një ligj, dukshëm në mbrojtje të legjitimitetit.

Kjo çështje është rregulluar me Marrëveshjen e 29 majit, të vitit 2007, e cila u arrit midis BDI-së dhe kryeministrit të atëhershëm, si dhe kryetarit të VMRO DPMNE-së, z. Nikola Gruevski. Sipas kësaj marrëveshjeje, mandatari obligohet që negociatat t’i bëjë me partinë fituese të komunitetit të dytë më të madh në vend.

Megjithëse kjo çështje është keqinterpretuar, se marrëveshja e definon “fituesi me fituesin”. Nuk është kështu. Marrëveshja e obligon mandatarin, sepse komuniteti i dytë nuk mund të ketë rolin e mandatarit, sepse është komunitet i dytë. Partia më e madhe në vend, është e komunitetit të parë. Praktikisht, mandatari është nga komuniteti maqedonas nga ku obligohet që negociatat për formimin e Qeverisë, t’i bëjë me partinë e parë fituese të komunitetit të dytë më të madh në vend.

Edhe pse kjo anashkalohet, ne kemi hyrë më hollësisht për ta përpunuar dhe për ta sanksionuar me ligj përfaqësimin e partisë fituese në komunitetin e dytë më të madh në vend, siç janë shqiptarët.

Radio Evropa e Lirë: Në fakt, pushteti i ri thuajse çdo ditë ju dërgon mesazhe që të mësoheni me rolin e ri të opozitarit, dhe sikurse është thënë, të përgatiteni për t’u përballur me drejtësinë?

Ali Ahmeti: Këto janë “ilahie” që i dëgjoj çdo ditë. Por, nuk kam dëgjuar t’ju përgjigjen kërkesave të BDI-së dhe Frontit Evropian për çështje parimore që garantojnë paqe, stabilitet, siguri dhe një të ardhme për vendin.

E para, anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian. E dyta, hajde të biem dakord. Të bëjmë vetting për të gjitha institucionet e shtetit: për përfaqësuesit e partive politike, deputetët, ministrat, kryetarët e komunave, prokurorët, gjykatësit. Të bëjmë një skaner për të gjithë këta, sepse gjyqësia është në nivelin më të ulët të besueshmërisë. Të bëjmë gjyqësi të besueshme, kredibile, për qytetarët.

…çdo prekje, që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit etnik, ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka pasoja të rënda dhe na kthen prapa”.

Pika e tretë është hapja e hetimeve për të gjitha partitë politike. Së katërti, pse të mos hapen hetime për prejardhjen e pasurisë së të gjithë politikanëve në vend? Hetime mbi privatizimin e viteve 1991-1992. Dy miliardë euro ka qenë kostoja e privatizimit. Ku përfundoi pasuria shoqërore?

Dhe e fundit, legjitimiteti. Pse shqiptarët të dalin në zgjedhje kur dikush tjetër zgjedh përfaqësuesit e tyre? Kjo ishte teoria e Sllobodan Millosheviqit: të zgjedhim dhe të mbajmë afër “shqiptarët e ndershëm”. Dhe unë, në kohën e tij e kam luftuar regjimin, nga ku isha “shqiptari i keq”. Sinan Hasani, Rahman Morina ishin “shqiptarët e mirë”. Tani, në vitin 2024, këtu, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, unë sërish jam “shqiptari i keq”.

Çdo grithje, çdo prekje, që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit etnik, ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka pasoja të rënda dhe na kthen prapa. Kështu veproi sistemi i kaluar.

Në fund të viteve ’50, në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së atëhershme i hoqën shqiptarët nga emërtimin “albanci” dhe i zëvendësuan me “shiptari”. Kjo çështje u rregullua në vitin 1974, nga ku e hoqën“shiptari”, dhe e vendosën “albanci”.

Më ‘89, ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë për shqiptarët si element konstituiv. Hiqen nga Kushtetuta shqiptarët dhe të gjitha etnitë tjera, dhe vendi shndërrohet në Republikë vetëm të kombit maqedonas. Ky është gjeneratori i krizës, se u mbetëm në qafë shqiptarëve.

Shqiptarëve ua morën të gjitha të drejtat, i burgosën, i shantazhonin. Ky është gjeneratori që shkaktoi krizën, dhe shpërtheu në kryengritje të armatosur, pasi shqiptarëve u erdhi te hunda keqtrajtimi, diskriminimi, nënçmimi, poshtërimi.

Kështu si kanë filluar tani t’ua bëjnë këto poshtërime shqiptarëve, nuk është mirë për komunitetin maqedonas, dhe zërin larg duhet ta ngrenë edhe qytetarët maqedonas, për këto tentativa për të na kthyer mbrapa, në…. gërvishtje, nënçmime të komunitetit shqiptar.

Duhet të angazhohemi bashkë, krah për krah, të dyja komunitetet më të mëdha, maqedonas dhe shqiptarë, t’i zgjidhim problemet, ta forcojmë ekonominë e shtetit. Hajde le të urdhërojnë të bëjnë vetting. Para tetë vjetësh e kam propozuar, që të hapet vettingu për partitë politike. E kam propozuar si në prokurorinë e atëhershme që u formulua, ashtu edhe te prokurori i Përgjithshëm i Shtetit. Ndonëse prokurorin e kam kushtëzuar që të votojë nëse hap vetting për BDI-në. Le të urdhërojnë.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Mickoski, të enjten, nga foltorja e Kuvendit, e sfidoi opozitën me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Cila është përgjigjja juaj?

Ali Ahmeti: Unë mendoj që Hristijan Mickoski duhet ta mbajë fjalën. T’i qëndrojë fjalës së dhënë. Ne, si BDI, si Front Evropian e përshëndesim këtë deklaratë dhe presim që zgjedhjet e ardhshme komunale që janë në tetor të vitit të ardhshëm, të jenë bashkë me ato parlamentaret.

“Evropa, më e fortë me Ballkanin Perëndimor të integruar”

Radio Evropa e Lirë: Dhe, së fundi, çfarë zhvillimesh parashikoni deri në zgjedhjet e ardhshme lokale. A mendoni se Maqedonia e Veriut, kjo mazhorancë, do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese?

Ali Ahmeti: Në qoftë se shteti do progres, ky moment duhet të ndodhë. Pra, të bëhen ndryshimet kushtetuese. Këtë e kërkon edhe rajoni, por edhe Evropa e Uashingtoni. Na duhet një Ballkan Perëndimor i qetë, pa probleme, tërësisht i pajtuar me fqinjët.

Ky Ballkan ka pasur shumë tragjedi brenda këtij çerekshekulli, dhe kjo periudhë nuk është e gjatë. Akoma ka njerëz të pagjetur, ka njerëz që vuajnë. Kështu që, këtij rajoni i duhet pajtim, i duhet të ndërtojë të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme. Rreziqe të mëdha ka. Evropa është në luftë. Okupimi i Ukrainës na ka vënë në situatë goxha shqetësuese. Lufta në Lindje të Mesme është me pasoja dhe rreziqe të mëdha.

Mendoj se jo vetëm Ballkanit i duhet pajtimi, por një unitet i duhet edhe tërë Evropës. Evropa bëhet më e fortë me Ballkanin Perëndimor duke e integruar në hapësirën e vet, si në fushën politike dhe atë ekonomike.

E ardhmja nuk është te luftërat. E ardhmja është një Ballkan i pajtuar, në zhvillim, si në ekonomi ashtu edhe në ngritje të institucioneve të sundimit të ligjit, në luftë kundër krimit e korrupsionit. Kjo luftë nuk bëhet e vetmuar, por në bashkëpunim me të gjitha shtetet e Evropës.

“Nuk negociojmë me Iranin. Është koka e gjarprit në rajonin tonë”, intervista e plotë në Log e ambasadores izraelite Peleg

Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, në emisionin ‘Log.’ të gazetarit Endri Xhafo në News24 ka folur për situatën në Lindjen e Mesme, përballjet ushtarake, raportet me Shqipërinë, shtetin Bektashi dhe qëndrimet e vendeve më të mëdha në raport me Izraelin.

Peleg u shpreh në intervistën e saj se Izraeli nuk kërkon luftë me Iranin. “Ne nuk duam luftë në rajonin tonë. Ne përfundimisht nuk duam të shkaktojmë një luftë rajonale dhe akoma më pak, siç disa njerëz po flasin, një luftë botërore. Kjo nuk është dëshira jonë. Objektivi i qeverisë izraelite është të garantojë siguri për civilët e Izraelit, për qytetarët e Izraelit. Dhe ne e dimë me siguri… dua të them, nuk shtrohet fare si çështje që Irani është koka e gjarprit në rajonin tonë. Ata po përpiqen prej kohësh të krijojnë paqëndrueshmëri. Regjimi radikal i Iranit po e thotë me zë të lartë se ata duan të eksportojnë revolucionin e tyre”, thekson ajo.

Peleg u pyet lidhur me shtetin Bektashi, një ide e hedhur pak javë më parë nga Kryeministri Edi Rama, por që ka pasur shumë aludime mbi modelin se si mund të ndërtohet dhe kush e mbështet.

Ambasadorja izraelite tha se kjo është një çështjes në të cilën ne nuk ndërhyjmë.

“Nuk e di nëse duhet thënë që është një çështje e brendshme e Shqipërisë, por ne nuk ndërhyjmë, as në Vatikan, as në komunitetin bektashi, as në Kishën Ortodokse, as në komunitetin mysliman. Ne nuk ndërhyjmë në këto çështje. Nuk është puna jonë”, tha Peleg.

Ambasadorja izraelite duke folur për deklaratat e Presidentit turk në Tiranë, tha se është shumë e trishtueshme për Turqinë që presidenti po bëhet gjithmonë e më radikal. “Vetëm në shkurt 2023 pamë sesi Izraeli u vlerësua nga Presidenti Erdogan për ndihmën e dhënë për viktimat e katastrofës së tërmetit, nëse ju kujtohet. Presidenti Erdogan vlerësoi Izraelin si një vend që ndihmoi shumë”, tha Peleg.

Ambasadorja izraelite ka vlerësuar rolin dhe qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria.

“Vërtet admiroj guximin e udhëheqësve shqiptarë, të Kryeministrit Rama dhe të udhëheqësve të tjerë të Shqipërisë. Sepse mendoj se Shqipëria është një vend i vogël, dhe e di që ka shumë ambicie për t’u integruar në BE dhe për t’u përshtatur me qasjen e BE-së. Por ju keni vlera dhe ju i mbroni vlerat tuaja. Madje edhe pas kësaj deklarate të Presidentit Erdogan, kur Kryeministri Rama tha se “Hamasi është një organizatë terroriste dhe Shqipëria është kundër terrorit”, mendoj se kjo kërkon guxim dhe e vlerësoj shumë”, tha Peleg.

Zonja ambasadore përshëndetje, mirësevini në studio. 

Ambasadorja- Faleminderit për ftesën.

Izraeli ndërmori sulme të drejtpërdrejta kundër Iranit të shtunën e kaluar, si një hakmarrje e një rëndësie të veçantë ndaj breshërisë së raketave balistike që Teherani lëshoi ndaj Izralit në fillim të tetorit. Katër anëtarë të ushtrisë iraniane u vranë në këtë sulm, sipas raportimeve të mediave shtetërore, kurse Teherani deklaroi më pas se rezervon “të drejtën” të mbrohet. Megjithatë, Irani e minimizoi sulmin në përgjithësi, duke raportuar dëme të kufizuara në baza ushtarake. Udhëheqësit botërorë po i bëjnë tani thirrje të dyja palëve që të shmangin një luftë më të gjerë rajonale. Cilat janë opsionet ushtarake kundër Iranit?

Ambasadorja – Faleminderit për këtë pyetje. Para së gjithash, kjo nuk ishte një hakmarrje. Më lejoni t’i vendos gjërat në perspektivë. Kjo është hera e dytë që Irani po sulmon drejtpërdrejt Izraelin, qytetarët e Izraelit. Kishim një sulm me raketa në prill, dhe tani kishim një sulm të dytë me raketa në Izrael, pa dallim. Izraeli duhet të reagonte. Tani, ne i dërguam mesazh Iranit që të frenohet në sulmet e tij ndaj Izraelit. Nuk është kjo mënyra e vetme që ata po sulmojnë Izraelin. Ne e dimë që ata kanë aleanca me organizata terroriste përreth Izraelit. Por kjo ishte hera e dytë që Irani e sulmoi Izraelin drejtpërdrejt, dhe Izraeli duhej të përgjigjej për të dërguar një mesazh. Sigurisht, sulmi ndaj Iranit nuk reflekton të gjitha kapacitetet e Izraelit. Ne mund të shkaktojmë shumë më tepër dëme. Por ishte sa për të dërguar një mesazh, pikësëpari. Së dyti, ne shënjestruam disa nga objektivat strategjikë në Iran. Pra ideja me të vërtetë ishte të godisnim disa site strategjikisht të rëndësishme për të dëmtuar kapacitetet raketore, të raketave balistike të Iranit, dhe kryesisht për të dërguar një mesazh. Dhe mendoj se mesazhi ishte shumë i qartë. Tani, sa i përket qëllimeve të Izraelit, ne nuk kemi dëshirë të fillojmë një luftë me Iranin. Por mendoj se ata duhet ta kuptojnë se Izraeli është në gjendje të reagojë. Dhe mendoj se përderisa ishte e qartë që ky sulm ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara, mesazhi nuk vjen vetëm nga Izraeli. Pra që Irani të frenojë agresivitetin e sulmit të tij në rajonin tonë dhe të mos e sulmojë më Izraelin.

Zonja ambasadore, meqë po flisni për mesazhe, vrasjet e shënjestruara të Ismail Haniyeh në Teheran, – dhe kjo ishte arsyeja e parë pse Irani sulmoi Izraelin, kujtoj që Ismail Haniyeh ishte lider i politik i Hamas, Yahya Sinwar në Rripin e Gazës, Hasan Nasrallah i Hezbollah në Liban, shpërthimet në distancë të pagers-ve dhe radiomarrëseve të militantëve të Hezbollah, të gjitha këto kanë dëshmuar aftësi operacionale të shërbimeve të inteligjencës izraelite për të gjurmuar, zbuluar dhe eliminuar kundërshtarë të rrezikshëm në operacione të komplikuara. Cili është mesazhi që dëshironi të jepni?

Ambasadorja – Të gjithë emrat që ju përmendët, Haniyeh, Sinwar, Nasrallah, këta janë vrasës në masë. Këta janë njerëzit që qëndrojnë pas masakrës së tmerrshme që ndodhi në Izrael më 7 tetor 2023. Këta janë njerëzit që vrisnin civilë pa hezitim. Dhe ata ishin udhëheqësit e disa organizatave shumë të forta terroriste në rajonin tonë. Dhe mesazhi është se nëse Izraeli dëshiron t’ju eliminojë, mund t’ju gjejë. Pra, mos u ngatërroni me ne. Fakti që këto organizata po sulmojnë civilët në Izrael është diçka që duhet të jetë shumë, shumë e qartë, jo vetëm për ta, por për të gjithë botën, se ne nuk po përpiqemi të sulmojmë civilët. Ne po përpiqemi të arrijmë tek ata që qëndrojnë pas këtyre sulmeve terroriste, ata që qëndrojnë pas masakrës dhe ata duhet të paguajnë. Dhe gjithashtu është një mesazh i fortë për organizatën e tyre dhe për ata që i dërgojnë, se ne mund t’i gjejmë dhe mund t’i eliminojmë.

Ju e keni bërë, – kur them “ju”, kam parasysh shtetin e Izraelit, – që e ka bërë këtë gjë me organizatën e “Shtatorit të Zi” pas masakrës së Mynihut në vitin 1972, ku humbën jetën 11 anëtarë të ekipit olimpik izraelit, e keni bërë në 2008 në bashkëpunim Mossad-CIA me Imad Mughniyeh, i ashtuquajturi “Fantzma e Bejrutit”. Pyetja që kam është, çfarë fati e prej liderin e ri të Hebollah, Naim Qassem?

Ambasadorja – Nuk e di. Personalisht, shpresoj t’i bashkohet paraardhësve të vet. Por nuk mund ta them. E vetmja gjë që unë mendoj se ai duhet të dijë, është që ne po e vëzhgojmë. Pra, nëse planifikon të sulmojë Izraelin, ka për ta paguar!

Ok. Rikthehemi te objektivat strategjike afatgjata ndaj Iranit, duke marrë parasysh marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe Kinën, apo edhe Korenë e Veriut, po të doni. Po lexoja në britaniken “The Telegraph” se Izraeli ndoshta me sulmin ndaj Iranit mund të ketë dëmtuar aftësitë e Iranit për t’i dhënë raketa balistike Rusisë. Pra gjërat janë të ndërlidhura. Ndaj ju pyes për objektivin strategjik kundër Iranit. Ju thatë “ne nuk duam luftë”.

Ambasadorja – Është e vërtetë që ne nuk duam luftë. Ne nuk duam luftë në rajonin tonë. Ne përfundimisht nuk duam të shkaktojmë një luftë rajonale dhe akoma më pak, siç disa njerëz po flasin, një luftë botërore. Kjo nuk është dëshira jonë. Objektivi i qeverisë izraelite është të garantojë siguri për civilët e Izraelit, për qytetarët e Izraelit. Dhe ne e dimë me siguri… dua të them, nuk shtrohet fare si çështje që Irani është koka e gjarprit në rajonin tonë. Ata po përpiqen prej kohësh të krijojnë paqëndrueshmëri. Regjimi radikal i Iranit po e thotë me zë të lartë se ata duan të eksportojnë revolucionin e tyre. E kanë thënë për shumë vite, për dekada. Dhe një nga mënyrat është mbështetja e organizatave terroriste në rajonin e Izraelit. Po flasim për Hamasin në Gaza. Po flasim për Hezbollahun në Liban. Pamë vitin e fundit mbështetjen e tyre për houthis në Jemen. Pamë papritmas raketa që vinin nga Jemeni në Izrael. Çfarë lloj konflikti ka Izraeli me Jemenin? Sigurisht që nuk kemi. Por ne jemi të sigurt se pas kësaj qëndron Irani. Ata po i furnizojmë me materiale dhe po i inkurajojnë të përfshihen në këtë rajon. Qëllimi ynë nuk është të krijojmë një konflikt tjetër me Iranin dhe as me aleatët e tij. Qëllimi ynë është të krijojmë një situatë sigurie. Nëse për këtë qëllim do të na duhet të sulmojmë aftësitë e Iranit, – dhe kjo është ajo që bëjmë, – nëse prek rajone të tjera të botës, atëherë ka për të qenë e vështirë.

 Ju përmendët houthis në Jemen, është ajo që quhet luftë by proxy. Por kam një pyetje për kuriozitet: Çfarë mendon Izraeli për muxhahidinët iranianë në kampin e Manzës në Durrës? A i konsideroni ju ata, siç ata vetë pretendojnë, si një alternativë ndaj pushtetit të ajatollahëve?

Ambasadorja – Nuk po hyj në vendimet e brendshme të Shqipërisë lidhur me muxhahedinët. Ne nuk kemi lidhje me muxhahedinët. Ata janë në opozitë me regjimin radikal në Iran. Por mendoj se populli iranian meriton diçka më të mirë se sa ajo që kanë tani. Ata do të meritonin një alternativë që t’u lejojë të jetojnë si të dëshirojnë. Shohim njerëz shumë të guximshëm në Iran që po protestojnë pavarësisht se e dinë se cili është fati i atyre që arrestohen. Ne po marrim shumë sinjale nga njerëzit në Iran dhe gjithashtu nga opozita iraniane në mbarë botën në drejtim të Izraelit. Ata nuk kanë pse e mbështesin Izraelin. Por ata duan një të ardhme tjetër për popullin e tyre. Dhe këtë ne e mbështesim! Çfarëdo që të jetë… çfarëdo që ata do të zgjedhin. Mendoj se do të donim të shihnim një Iran demokratik, ku njerëzit e tyre ta shijojnë jetën siç bëjmë ne.

Nuk dua të jem cinik, por nga përgjigjja juaj po mendoj se fakti që keni njerëz që i dërgojnë nga Irani mesazhe Izraelit, kjo jua bën më të lehtë punën për të gjetur njerëz për të punuar për shërbimet tuaja të inteligjencës?

Ambasadorja – Po flas për mesazhe të hapura, po flas për mediat sociale, po flas për mediat. Ne shohim mesazhe që vijnë nga shumë shumë vullnetarë.

E bëra këtë pyetje sepse historia e Ismail Haniyeh, i cili u eliminua në Teheran, ishte “inside job” nga shërbimet tuaja me njerëz brenda në Iran. Por rikthehemi të çështja. Në kohën e ndërhyrjes së policisë shqiptare brenda kampit në qershor 2023, mediat amerikane raportuan për negociata sekrete mes Amerikës dhe Iranit, që përfunduan në shtator me një shkëmbim të burgosurish, ndërsa Iranit iu dha gjithashtu akses në rreth 6 miliardë dollarë amerikanë, fonde që më parë ishin bllokuar në Korenë e Jugut. A është e mundur të bisedohet me Iranin, siç u bë gjatë negociatave të marrëveshjes bërthamore? Ndërkohë, dua të kujtoj se Shqipëria i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas sulmit kibernetik.

Ambasadorja – Mendoj se Kryeministri e bëri shumë të qartë në bisedat e tij si në Kongresin Amerikan, edhe në Kombet e Bashkuara, se pozita jonë ndaj regjimit radikal të Iranit tani është shumë e qartë. Ne nuk shohim negociata me këtë regjimin radikal. Ajo që do të donim të shihnim është që ky regjimi të ndalë agresionin e tij në rajonin tonë. Ky është shqetësimi kryesor i Izraelit. Ne nuk po futemi në vlerësimet e qeverisë amerikane. Ajo që do të donim të shihnim është që ky regjim të ndalet. Së pari, agresioni. Së dyti, zhvillimi i bombave bërthamore. Sepse ky lloj regjimi radikal me kapacitete bërthamore kërcënon jo vetëm Izraelin. Flasim për një kërcënim për të gjithë botën perëndimore. Shumë herë kemi ngritur këtë çështje të kombinimit të kapaciteteve bërthamore me raketat balistike me rreze të gjatë veprimi. Dhe nëse e bëni këtë kombinim, do të shihni se ata nuk po zhvillojnë raketa që të arrijnë Izraelin. Ata po zhvillojnë raketa që të mund të arrijnë Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Pa përmendur Shqipërinë, Brukselin, Londrën, që janë brenda kësaj rrezeje veprimi. Pra, kjo nuk është një çështje izraelite, kjo është një çështje botërore. Dhe regjimi në Iran duhet të frenohet dhe të ndalet.

Duke ju dëgjuar juve, më duket sikur dëgjoj përsëri kryeministrin tuaj, siç ju e përmendët, në Kongresin amerikan, kur u tha kongresmenëve amerikanë: Ne, po bëjmë luftën tuaj! Duke qenë që ju pak më parë e konsideruat Iranin si “koka e gjarpërit”, thatë “jo negociata me atë regjim radikal”, pyetja është shumë e drejtëpërdrejtë: A jeni ju në favor të një ndryshimi të regjimit në Iran? A është e mundur kjo?

Ambasadorja – Së pari, po! Përgjigjja është po. Ne do të donim të shihnim një ndryshim regjimi në Iran. Ajo që kemi tani është një regjim terrorist radikal. Irani është një vend shumë i rëndësishëm. Është një vend që ka potencialin të jetë partner me Perëndimin në energji, në ekonomi. Por ajo që shohim që nga koha e revolucionit në Iran, është radikalizimi dhe agresioni. Dhe jo vetëm në rajonin e tyre, por, siç thashë, edhe me aleatët e tyre, duke u përpjekur të krijojnë destabilotet në rajone të tjera të botës. Tani, nëse regjimi ndryshon dhe do të jetë në gjendje të krijojë një lloj bashkëpunimi me botën demokratike, sigurisht që ne do të donim ta shihnim atë.

Përgjigje shumë e sinqertë. Por nëse ju jeni për një ndryshim regjimi në Iran, sa larg mund të shkojë Izraeli në konfliktin në Lindjen e Afërt pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, të cilat e kanë bërë të qartë se nuk do të marrin pjesë në sulme ajrore kundër Iranit? Dhe se, edhe në rast të sulmeve të ardhshme, Presidenti Biden ka inkurajuar Izraelin që t’i përcaktojë objektivat në mënyrë të atillë që të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm.

Ambasadorja – Së pari, duhet të kujtojmë disa gjëra. Njëra është që çdo vend ka interesat e veta. Duhet të jemi realistë, por edhe duhet të punojmë bashkarisht. Pa dyshim që Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i mirë, aleati ynë më i afërt, dhe ata janë shumë më të fuqishëm se Izraeli. Sulmi i fundit ndaj Iranit ishte i koordinuar me amerikanët. Sigurisht, duhet të marrim parasysh atë që amerikanët po kërkojnë në këmbim. Por gjithashtu, pamë se në mbrojtjen nga sulmet iraniane, kishim bashkëpunim me amerikanët. Mendoj se e dimë që një shumicë e raketave u kapën përpara se të binin në tokë, nga Kupola e Hekurt, nga sisteme të tjera, dhe jo vetëm nga Izraeli për më tepër, por edhe nga Jordania, nga Iraku. Rrugës për në Izrael disa nga këto raketat u interceptuan, jo vetëm në këtë sulm në tetor, por edhe në prill. Dhe ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë, pa aleatët tanë. Pra, është çështje e gjetjes së një terreni të përbashkët, kur synon të arrish një qëllim më të madh.

Pra, që ta kuptojmë, sa i varur është Izraeli nga Shtetet e Bashkuara për furnizimin me armë? Lexova këto ditë që edhe Serbia po i shet armë Izraelit.

Ambasadorja – Bashkëpunimi i Izraelit me Shtetet e Bashkuara, edhe në këtë fushë, nuk filloi sot, nuk filloi gjatë kësaj lufte. Të gjithë e dinë që ne kemi një histori të gjatë, shumë të gjatë të bashkëpunimit me mbështetje amerikane. Gjithashtu, jo vetëm në aspektin e blerjeve, por edhe të kërkim-zhvillimit, kërkimit mbi armët, edhe Kupola e Hekurt ishte në bashkëpunim me… ok, ndoshta ishte një shpikje izraelite, por zhvillimi i këtij sistemi mbrojtës u bë me investimin dhe me ndihmën amerikane. Kështu që nuk është sekret që ne kemi një marrëdhënie afatgjatë me amerikanët edhe në këtë drejtim. Izraeli ka kapacitetet e tij, por kini parasysh që kjo është një luftë shumë e gjatë. Nuk mendoj se kemi pasur ndonjëherë një luftë që ka zgjatur më shumë se një vit. Dhe madje edhe kapacitetet e Izraelit në këtë drejtim dhe në këtë në këtë fushë, që janë mjaft mbresëlënëse për një vend të vogël, ne prapëseprapë kemi nevojë për bashkëpunimin me vendet e tjera. Dhe nuk mendoj se është një sekret që ne punojmë me amerikanët. Ne marrim mbështetje prej amerikanëve. Në Shtetet e Bashkuara ka zëra të ndryshëm, ky është vit zgjedhor, por nuk mendoj se ndihma ndaj Izraelit është një çështje që shtrohet për diskutim për administratën amerikane. Nuk është fare çështje.

Ju thatë që është vit zgjedhor dhe javën tjetër kemi zgjedhjet. Situata në Lindjen e Mesme dhe mbështetja për Izraelin është një temë e ndjeshme në fushatën zgjedhore të SHBA-së. Kush do të ishte një President i mirë amerikan për Izraelin?

Ambasadorja – Shikoni, mendoj se ne gjithmonë në marrëdhëniet tona kemi ruajtur një mbështetje bipartizane për Izraelin. Edhe sot, nëse shkoni në Kongresin Amerikan, shihni anëtarë të Kongresit si nga Partia Demokrate ashtu edhe nga Partia Republikane që mbështesin Izraelin. Çdo kandidat ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, por nuk vendosim ne se për kë të votojnë qytetarët amerikanë. Mendoj se me këdo që të zgjidhet, ne do të duhet të analizojmë dhe të ndërtojmë marrëdhënie më të forta dhe të vazhdojmë të punojmë me amerikanët sepse, siç e thashë, ata janë aleatët tanë më të mirë dhe aleatët tanë më të mëdhenj, dhe nuk vendosim ne për amerikanët se për kë të votojnë, siç presim të njëjtën gjë nga vendet e tjera që të mos vendosin për ne se për kë të votojmë. Mendoj se çdo demokraci duhet ta shohë në këtë mënyrë.

Pra ju nuk keni preferenca?

Ambasadorja – Preferenca duhet të jetë nga ata që mund të votojnë. Unë nuk jam qytetare amerikane.

Shkojmë në Europë. Çfarë mund të na thoni për përkeqësimin e marrëdhënieve me Kryeministrin Pedro Sanchez të Spanjës dhe Presidentin Macron të Francës? Përse kemi arritur në këtë pikë? Kujtoj që Presidenti Macron ka thënë, po e citoj: “Zoti Netanyahu nuk duhet të harrojë se vendi i tij u krijua nga një vendim i OKB-së”. Frazë ndaj së cilës kryeministri juaj u kundërpërgjigj, po citoj: “Një kujtesë për Presidentin e Francës: nuk ishte rezoluta e OKB-së që themeloi shtetin e Izraelit, por fitorja e arritur në Luftën e Pavarësisë me gjakun e luftëtarëve heroikë, shumë prej të cilëve ishin të mbijetuar të Holokaustit, veçanërisht të regjimit të Vichy-s në Francë”.

Ambasadorja  – Do të shtoja për këtë, gjithashtu edhe për atë që tha Kryeministri ynë, se populli hebre ka ekzistuar për 3,000 vjet dhe themelimi i Shtetit të Izraelit është mishërimi modern, do të thoja, i pavarësisë së popullit hebre. Shteti i Izraelit u krijua pas një pune që lëvizja sioniste bënte për, ndoshta, afër 100 vjet për të krijuar situatën që u krijua me atë mundësi në 1948. Pra, në të vërtetë, rezoluta e Kombeve të Bashkuara nuk krijoi Shtetin e Izraelit, ishin njerëzit e Izraelit që krijuan Shtetin e Izraelit. Por sa i përket vazhdimit, ose kuptimit, ose kontekstit të fjalimit të Macronit, dua të them këtë: Ne i kuptojmë marrëdhëniet speciale, – se ai po fliste për Libanin në të vërtetë, jo për Gazën, – ne i kuptojmë marrëdhëniet speciale, marrëdhëniet historike mes Francës dhe Libanit. Më kujtohet kur isha fëmijë, Beirutin e quanin Parisi i Lindjes së Mesme dhe kishte goxha pritshmëri që Libani do të lulëzonte. Ne gjithmonë mendonim kur isha fëmijë se Libani do të ishte vendi i parë arab me të cilin do të bënim paqe. Në vitet ’70 e quanim kufirin mes Izraelit dhe Libanit “Kufiri i Mirë”. Edhe pse nuk kishim marrëdhënie diplomatike, fshatarët nga jugu i Libanit e kishin bërë zakon që vinin në Izrael për të punuar. Ne vërtet kishim marrëdhënie shumë të mira me libanezët. Por, thënë kjo, dhe i kuptoj ndjenjat që një president francez ka ndaj një vendi si Libani, do të doja ta pyesja zotin Macron pse nuk e ngriti zërin kur Hezbollah ose Irani, që është sponsori i Hezbollah, mori kontrollin e Libanit? Pse nuk u ngrit për popullin libanez kur ata u vunë nën kontroll nga kjo organizatë terroriste që ua bëri jetën skëterrë, kur ata shkatërruan Libanin? Pra, kur ne sulmuam në Liban, – se në të fakt është edhe një çështje tjetër, – që nga 8 tetori 2023, një ditë pas masakrës që erdhi nga Gaza, Hezbollah filloi të lëshojë raketa drejt Izraelit. 9,000 raketa, a mund ta imagjinoni? Familja ime, mund t’ju them prindërit e mi janë 88 vjeç, po vrapojnë tani në strehim tre here natën për shkak të raketave. Isha në Izrael përpara dy javësh. Shkova të shihja vëllain dhe ishim ulur në dhomën e sigurisë, duke dëgjuar ndoshta 30 shpërthime rreth nesh. Nuk e dëgjova Presidentin Macron të thotë një fjalë përgjatë një viti për të ndaluar lëshimin e raketave nga Libani drejt Izraelit. Tani, kur Izraeli vendos të ndalojë këto sulme, papritmas ai zgjohet dhe papritmas qëndron me Libanin kundër Izraelit. Nëse ai e ka për zemër Libanin, ai duhet të bashkohet me Izraelin dhe të mbrojë Libanin nga Hezbollahu dhe nga Irani.

Dy ndërhyrje të vogla: E para, Hezbollahu është e njohur si organizatë terroriste nga Bashkimi europina, ku Franca është vend anëtar. E dyta, ju thatë që presidenti Macron e ka për shkak të lidhjeve historike me Libanin. Por a ka edhe arsye të brendshme për shkak të presionit të një popullsie migratore, të brezit të dytë dhe të tretë të një emigracioni nga Afrika e veriut, Magrebi dhe Mashreku?

Ambasadorja – Ajo që përmendni këtu, është diçka shumë e rëndësishme. Sepse ne…

Thjesht po pyes…

Ambasadorja – Padyshim! Jam plotësisht dakord me ju. Mendoj se ka shumë presion, presion të brendshëm mbi presidentin e Francës për shkak të popullsisë, për shkak të një numri të madh votuesish që vijnë nga vendet arabe dhe janë bërë qytetarë të Francës. Me një popullsi të madhe banorësh myslimanë në Francë, mund t’i shihni ata në rrugë duke protestuar dhe ata ushtrojnë shumë presion mbi presidentin. Thënë kjo, unë mendoj se ai ka përgjegjësi sepse… e dini, fatkeqësisht duhet të them diçka që ndoshta nuk duhet ta them, por kam qenë diplomate për shumë vite…

Thuajeni, thuajeni ju lutem… 

 Ambasadorja – Mendoj se në diplomaci ti sheh shumë hipokrizi. Gjëra që ti i dëgjon nëpër korridore, nuk i gjen në deklarata zyrtare. Dhe mendoj… unë nuk besoj se udhëheqja në Francë po mbështet terrorizmin. Nuk besoj se ata do të donin të shihnin se ajo që ndodhi në Liban, të vazhdojë. Por deklaratat zyrtare janë shumë pavend, sepse mesazhi që përcjellin këto lloj deklaratash është… E dini, në këtë kuptim duhet të them se vërtetë e vlerësoj Shqipërinë. Gjithmonë u them kolegëve të mi në Jeruzalem se Shqipëria është një vend i vogël, por shumë guximtar. Dhe kur ti ke vlera, ti i mbron ato.

Do të flasim për Shqipërinë. Do t’ju pyes për politikën e Shqipërisë ndaj Izraelit…

Ambasadorja – Por ju mund të shihni gjithashtu, duke e krahasuar edhe me vendet kryesore në Europë, se ndonjëherë Shqipëria është shumë më guximtare se vendet e mëdha në Europë.

Një pyetje e drejtpërdrejtë: Qeveria Netanyahu duket se ka shpallur luftë jo vetëm kundër terroristëve, por edhe kundër OKB-së me ndalimin e hyrjes në territor për Sekretarin e Përgjithshëm Guterres; akuzat dhe, së fundmi, edhe një projektligj për mbylljen e UNRWA-s (agjencia e OKB-së për ndihmën e refugjatëve palestinezë në Lindjen e Afërt); akuzat ndaj UNIFIL (Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban); prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, etj. A e keni humbur ju betejën e imazhit, perceptimin e publikut perëndimor? E them këtë zonja Ambasadore, sepse edhe mbështetës të fortë të Izraelit si filozofi hebre francez Alain Finkielkraut ka thënë: “Tsahali/IDF përdor armët e veta për të mbrojtur popullsinë e vet, kurse Hamasi përdor popullsinë e vet për të mbrojtur armët e tij. Megjithatë, për të mbajtur gjallë koalicionin, Netanyahu me kokëfortësi refuzon të marrë në konsideratë të nesermen, çfarë vjen më pas”.

Ambasadorja  – Unë nuk mendoj se ai refuzon të marrë parasysh të nesërmen. Unë mendoj se ai është shumë i shqetësuar për të nesërmen. Por dua ta lidh së pari me atë që thatë për komunitetin ndërkombëtar dhe OKB-në. Para së gjithash, Izraeli është anëtar i OKB-së dhe ne respektojmë Kombet e Bashkuara, respektojmë arenën ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare dhe respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Thënë kjo, OKB-ja nuk është një laborator, është një organizatë politike. Në shumë raste, veçanërisht në Asamblenë e Përgjithshme, kemi një shumicë automatike kundër Izraelit për shkak të numrit të lartë të vendeve arabe dhe vendeve myslimane. E sheh këtë edhe kur Izraeli vjen me tema si teknologjia dhe inovacioni, ku është shumë e rrallë që ne të arrijmë të miratojmë një rezolutë që do të kontribuojë sadopak për njerëzimin, sepse automatikisht disa vende kur dëgjojnë fjalën “Izrael”, emrin “Izrael”, votojnë kundër. Nuk ka rëndësi nëse nxjerrin ndonjë përfitim nga kjo, apo jo. Dhe ky është fakt. Tani, çfarë ndodhi së fundi? Para së gjithash, në dekadat e fundit, ne patëm disa ndodhi me Kombet e Bashkuara. Nëse ju kujtohet, në vitet ’70, kishte një rezolutë në Kombet e Bashkuara që e konsideronte sionizmin si racizëm. U zhbë, sigurisht, por për ne ishte diçka e madhe që kaloi në Asamblenë e Përgjithshme. Por kjo ishte në vitet ’70. Që atëherë marrëdhëniet tona në Kombet e Bashkuara u përmirësuan shumë. Gjërat ndryshuan edhe në arenën ndërkombëtare dhe gjithashtu në Kombet e Bashkuara. Ajo që ndodhi vitin e fundit, Izraeli është ankuar për disa agjenci të Kombeve të Bashkuara për një kohë të gjatë dhe është injoruar. Nëse marrim UNRWA-n, për shembull, UNRWA ishte një agjenci e Kombeve të Bashkuara që u krijua për të ndihmuar refugjatët palestinezë. Dhe, çfarë zbuluam vitin e fundit, që e kemi ditur edhe me herët, por shumë qartas vitin e fundit, ishte që Hamasi ia doli, – e kam fjalën për UNRWA-n në Gaza, – Hamasi ia doli të depërtonte brenda kësaj agjencie në mënyrë të atillë që jo vetëm ne gjetëm prova se anëtarët që janë punonjës të këtyre agjencive të OKB-së ishin terroristë natën dhe punonjës ndihmash ditën, por kishte edhe njerëz që ishin mësues. I pamë në pamjet e vetë Hamasit më 7 tetor, duke marrë pjesë në vrasjen e izraelitëve. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për opinione, “ky tha/ai tha”, këto janë pamje të mirëdokumentuara nga vetë Hamasi. Ne gjetëm në selinë e Hamasit, – konfiskuar nga ushtria jonë kur hyri në Gaza dhe morën kontrollin e selisë së Hamasit, – gjetëm në kompjuterat e tyre listat e punonjësve të UNRWA-s që ishin të regjistruar si terroristë të Hamasit në organizatë, duke marrë nga dy rroga, nga UNRWA dhe nga Hamasi. Ne i morëm të gjitha këto dokumente dhe ia dorëzuam OKB-së. U injoruam. Ne folëm për vendet e UNRWA-s, vendet në Gaza ku pamë tunele, tunele terrori, të vdekur nga zyrat e UNRWA-s në vende të tjera ku fshihnin armë, eksplozivë. Nuk u morën parasysh. Dhe në të njëjtën kohë, mijëra apo dhjetëra mijëra të rinj në Gaza po shkollohen në shkollat ​​e UNRWA-s, ku ne kemi prova se njerëzit që po i mësojnë ata, kanë të bëjnë gjithashtu me organizatat terroriste. Dhe po ashtu kemi gjetur në rrjetet e tyre sociale se si shpalosën gëzimin dhe lumturinë e tyre në 7 tetor. Të gjitha këto ia dorëzuam Kombeve të Bashkuara. Na injoruan. Nëse kjo nuk mjafton, javën e kaluar kur një nga terroristët që u kap në kamera më 7 tetor duke vrarë izraelitë, u vra nga IDF, kishte një deklaratë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara që thoshte: “Një nga kolegët tanë, ne po vajtojmë një nga kolegët tanë”. Nëse ju quani një terrorist koleg… Pra, kjo është njëra nga gjërat. Kjo ka të bëjë me UNRWA-n. Ne thjesht u injoruam, ose ankesat tona nuk u morën parasysh, kështu që kjo çoi në atë rezolutë të re që u miratua në Knesset javën e kaluar. Tani, në lidhje me agjencitë e tjera, ju përmendët UNIFIL në Liban. Ishin dy…

Pati ankesa nga Italia…

Ambasadorja – Po, por ka pasur ankesa nga Izraeli për dekada me radhë. E di këtë, sepse kam marrë personalisht udhëzime nga eprorët e mi për të paraqitur disa prej këtyre ankesave. Pra, e di për shkak të punës sime. Ne jemi ankuar për dekada me radhë në Kombet e Bashkuara se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk po zbatohen në Liban. Dhe ata që ishin caktuar për të mbikëqyrur zbatimin e këtyre rezolutave, siç është 1701, që vendosi që Hezbollah duhet të qëndrojë 40 kilometra larg kufirit të Izraelit, u injoruan nga UNIFIL. Tani kemi poste të UNIFIL-it pranë kufirit me Izraelin dhe përreth tyre sheh lëshues raketash të Hezbollahut. Tani, ushtarët e UNIFIL-it pranojnë se e dinin për këtë aktivitet të Hezbollahut, por nuk mund të raportonin, sepse ato janë toka private. Por ti e sheh që ka aktivitet të Hezbollahut, ti e di që po shkelin rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe as nuk e përfshin në raportet e tua? Kjo është diçka që… Pra, kur Izraeli hyri në Liban dhe filluam të pastrojmë jugun e Libanit nga pozicionet e Hezbollahut, arritëm afër postit të OKB-së. U kërkuam atyre të evakuoheshin dhe ata papritur vendosën se tani po mbronin zonën. Dhe më pas u bë sikur Izraeli ka ndonjë konflikt me OKB-në. Ne nuk kemi konflikt me OKB-në!

Atëherë e kuptoj këtë, po pse qindra mijëra njerëz në Perëndim kërkojnë në demonstrata në rrugë, në universitete, madje edhe në Parlamentet kombëtare dhe atë Europian po të doni, një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të Izraelit nga Gaza?

Ambasadorja – Nuk duam asgjë më shumë sesa ta ndalim, t’i japim fund kësaj lufte. Po humbasim çdo ditë jetë të çmuara të ushtarëve tanë. Kemi pengje për të cilët nuk dimë në çfarë gjendje janë. Dhe duam ta përfundojmë këtë luftë në të dy frontet, si në Gaza ashtu edhe në Liban. Por çështja është te përgjegjësia e qeverisë sonë. Le të themi se e përfundojmë tani. Armëpushim? Mirë, armëpushim! Çfarë na jep kjo? Hamasi mund të riorganizojë forcat e veta tani. Ata ishin të gatshëm t’i lironin të gjitha pengjet. Ne e thamë qysh në krye të herës. E dini çfarë, mund ta kishim përfunduar këtë luftë më 8 tetor të vitit të kaluar. Kërkesa e vetme ishte: Lironi të gjitha pengjet! Kjo është gjëja kryesore. Ne kemi ende 101. Më lejoni t’ju kujtoj, 251 pengje u morën më 7 tetor, përfshirë foshnja dhe njerëz të moshuar, 86 vjeç, tani janë 87. Nuk e dimë sa prej tyre janë ende gjallë…

Vetëm një sekondë. Ne ende kemi 101 pengje në Gaza. Askush nuk di gjë për gjendjen e tyre. Ata kurrë nuk i vizitoi as Kryqi i Kuq apo çfarëdo organizate ndërkombëtare. Nuk e dimë sa prej tyre janë ende gjallë. Ne e themi gjatë gjithë kohës, nëse i lironi sot të gjitha pengjet, ne nuk kemi punë në Gaza.

Pra është cili është objektivi strategjik i ndërhyrjes në Gaza dhe Liban? Kthimi i të gjithë pengjeve? Apo edhe shkatërrimi i Hamasit në Gaza dhe i Hezbollahut në Liban? Çili është objektivi strategjik?

Ambasadorja – Objektivat janë dy. I pari dhe më i rëndësishmi është të kthejmë në shtëpi të gjithë pengjet. Qofshin gjallë apo të vdekur. Sepse disa prej tyre u vranë në robëri. Disa u morën të vdekur. Sepse ata rrëmbyen edhe trupat e njerëzve të vdekur. Pra, gjëja e parë është të kthehen 101 pengjet, të vdekur ose të gjallë menjëherë në Izrael! Ky është njëri objektiv. Objektivi i dytë është të krijojmë siguri për popullin e Izraelit. Ç’vlerë ka të përfundojmë luftën dhe për gjashtë muaj të kemi një tjetër sulm si ai i 7 tetorit? Kush mund t’i sigurojë njerëzit që jetojnë në jug të Izraelit se shtëpitë e tyre janë të sigurta? Që terroristët nuk do të hyjnë sërish në shtëpitë e tyre kur ata të jenë në gjumë, për t’i masakruar, përdhunuar, vrarë dhe rrëmbyer?

Këto janë dy objektivat. Nuk na intereson Hamasi ose Hezbollahu. Unë mendoj se ata janë shumë të dobët tani. Sidomos Hamasi është goditur shumë, shumë fort. Besojmë se komuniteti ndërkombëtar gjithashtu ka përgjegjësinë të sigurohet që Hamasi të mos bëhet sërish i fortë, që Hamasi të mos e kontrollojë Gazën. Shikoni, edhe për njerëzit në Gaza, për palestinezët civilë në Gaza, çfarë përfitimi kanë ata që të kontrollohen nga një organizatë terroriste? Ata nuk i mbrojnë. Ata nuk u dalin për zot. E vetmja gjë që ata krijuan ishte lufta. Sepse kur Hamasi sulmoi Izraelin, ata e dinin që Izraeli do të kundërpërgjigjej. Dua të them, as nuk e fshehën. A bënë diçka për të mbrojtur civilët e tyre nga sulmi i Izraelit? Jo, asgjë! Sepse nuk kujdesen për civilët e tyre. Pra, për të mirën e vetë palestinezëve në Gaza, komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë dhe të krijojë diçka të qëndrueshme për palestinezët. Dhe e dini çfarë? Nëse palestinezët do të kenë një jetë të mirë në Gaza, Izraeli do të ketë një jetë të mirë në Izrael. Nuk ka kontradiktë këtu.

Si ndiheni ju, izraelitët, një popull që u përball me një shfarosje metodike dhe skrupulozisht djallëzore gjatë Holokaustit, kur akuzoheni për spastrim etnik ndaj palestinezëve përmes një politike aparteidi, – p.sh. rrugë të ndryshme për palestinezët, trajtim ligjor i ndryshëm, – dhe një politike kolonializimi në tokat palestineze?

Ambasadorja  – Mendoj se përdorimi i fjalëve të mëdha si “apartheid” e të tjera është për të ardhur keq, sepse kur kjo vërtet ndodh në rajone ku ndodh me të vërtetë, nënvlerësohet vuajtja e njerëzve aty ku me të vërtetë ndodh. Në Izrael nuk ka apartheid. Ne kemi më shumë se 20% të izraelitëve të cilët nuk janë hebrenj. Shumica e tyre janë arabë myslimanë. Ata kanë të njëjtat të drejta si unë. Dhe shumë njerëz nuk e dinë se arabishtja është një gjuhë zyrtare në Izrael. Pra, kemi dy gjuhë zyrtare në Izrael, hebraishten dhe arabishten. Nuk është as argument i vlefshëm. Mendoj se ka shumë padituri. Shumë njerëz që vijnë për të vizituar Izraelin… Më lejoni t’ju them këtë: Shumë vite më parë isha zëvendës-ambasadore e Izraelit në Marok. Dhe dërgova dikë në Izrael për një seminar, një për agjencitë tona të zhvillimit. U kthye mbrapsht, – dhe vizitoi Haifan, që është qyteti im i lindjes, – dhe më tha: E di çfarë? Dje sapo u ktheva nga Izraeli dhe pashë arabë të ulur në një kafe. Dhe unë që i them, OKAY. Dhe ai thotë: Jo, ata ishin të ulur në një kafe. Dhe unë që ia kthej: Çfarë po përpiqesh të thuash? Ai ishte i bindur se arabët në Izrael nuk lejoheshin të shkonin në dyqane dhe të uleshin në kafene. Ka shumë mungesë informacioni për Izraelin.

Por ju po flisni për qytetarët izraelitë me kombësi arabe. Unë po pyes për palestinezët e Gazës dhe të Bregut Perëndimor…

Ambasadorja – Izraeli e la Gazën në vitin 2005. Pra, çfarëdo që po ndodh në Gaza është nën përgjegjësinë e qeverisë së zgjedhur atje, që është Hamasi. Që nga viti 2005, kjo është ajo që po përjetojnë palestinezët. Kjo është çështje e tyre. Ata e zgjodhën këtë qeveri dhe që atëherë nuk kanë mbajtur zgjedhje. Kjo është mënyra si funksionon atje. Në Bregun Perëndimor, në territoret palestineze, ata kanë Autoritetin Palestinez. Ata jetojnë nën Autoritetin Palestinez. Izraeli nuk e kontrollon këtë zonë.

Dua t’ju them qysh në krye të herës se unë besoj fuqimisht në të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur! Dhe dua ta theksoj këtë. Ndërkohë terrorizmi përkufizohet si “përdorimi i paligjshëm i dhunës dhe i frikësimit, veçanërisht ndaj civilëve, për arritjen e qëllimeve politike”. Pra, kur një palestinez që shpërthen një bombë në një pikë kontrolli ose stacion autobusi, duke shkaktuar viktima civile, ky është një akt i pastër terrorizmi. 7 tetori është edhe më keq, është një akt i pastër djallëzor dhe mendoj se jemi të gjithë dakord për këtë. Megjithatë, nëse zbatojmë të njëjtat standarde, pse vdekja e 42 mijë njerëzve civilë palestineze, gra dhe fëmijë, dhe plagosja e mbi 100 mijë prej tyre, të gjithë pjesë e 2.1 milionë banorëve të Rripit të Gazës, duhet të konsiderohet ndryshe?

Ambasadorja – E dini, kjo më kujton historinë e dikujt që vrau prindërit dhe pastaj i tha gjykatësit: “Ju lutem, merrni parasysh që jam jetim”. E kuptoni pra? Ju vini në Izrael, shkoni në shtëpitë e civilëve, kryeni një masakër të tmerrshme, vrisni, masakroni, burra, gra, fëmijë, përdhunoni, i digjni të gjallë, – familje të tëra u dogjën të gjallë, – shkatërroni pronat, plaçkitni, rrëmbeni njerëz, pastaj ktheheni në territorin tuaj. Fshiheni pas civilëve dhe pastaj thoni, oh, prit, prit, pse po vrisni civilë? Ne nuk po luftojmë popullin palestinez. Ne po luftojmë Hamasin. Nëse Hamasi fshihet në spitale, në shkolla, në xhami, fatkeqësisht ka civilë që lëndohen. Ne nuk i shënjestrojmë ata. Dhe më lejoni t’ju them edhe diçka tjetër. Ne ndjejmë keqardhje për çdo civil të pafajshëm, veçanërisht për fëmijët që vriten. Por, thënë kjo, le të shohim shifrat. Nëse objektivi ynë do të ishte të vrisnim palestinezë, nuk do të kishim këto shifra. Nga 40,000 personat që ju përmendët, vetë Hamasi pranon se rreth 60 deri 80% e viktimave janë njerëzit e tyre. Pra, nëse merrni këto shifra dhe flisni për 10,000 veta… por le të themi për hir të argumentit edhe 50%, pra 20,000 njerëz janë vrarë në Gaza. Le të themi se ata nuk ishin të përfshirë, megjithëse unë mendoj se nuk janë këto shifrat reale, por le të themi se janë. Kjo është një luftë që po ndodh prej një vit tashmë. Nëse objektivi ynë do të ishte të vrisnim civilë, nuk do të kishin vetëm 20,000. Më tregoni një luftë në histori që ka zgjatur një vit dhe ku janë vrarë vetëm 20,000 njerëz? Këto shifra tregojnë se ne nuk i shënjestrojmë civilët. Thënë kjo, duhet të them se, përpara kamerave, disa herë gjatë kësaj lufte, udhëheqësit e Hamasit në BBC, në CNN, pra në media ndërkombëtare, janë pyetur “pse nuk i mbroni civilët tuaj”, “e dinit që Izraeli do të sulmonte”, “ju keni 500 kilometra tunele në Gaza”, “e dinit që Izraeli po ju bombardon”, “pse nuk i vendosët civilët në tunele”? Dhe çfarë thanë ata? Ata thanë, jo, jo, jo! Këto tunele janë për lufë. Nuk është detyra jonë të mbrojmë civilët.

Detyra juaj si qeveri është të mbroni civilët tuaj. Kjo është detyra e qeverisë izraelite, të mbrojë civilët izraelitë. Detyra e qeverisë së zgjedhur palestineze është të mbrojë civilët e saj, jo të krijojë një luftë. Me gjithë keqardhjen për jetët e humbura të civilëve, – dhe nuk jemi të lumtur të dëgjojmë për këtë dhe ndjejmë keqardhje për këtë, – por kjo është luftë. Dhe lufta është e shëmtuar dhe njerëzit vriten. Nuk po kryejmë ne sulme terroriste ndaj civilëve palestinezë. Kjo është një luftë dhe, për shkak se ata fshihen… ju përmendët citimin se po përdorin civilët për të mbrojtur armët e tyre. Ky është pikërisht rasti.

Ky është pikërisht rasti dhe kur pyesni pse po lëndohen civilët, duhet t’i pyesni ata që janë përgjegjës për ta, dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë palestineze në Gaza, që është Hamasi. Kur ke një organizatë terroriste që ti e zgjedh të të qeverisë, ky është rezultati që merr.

Ju thatë pak më parë që komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë diçka “sustainable” (të qëndrueshme) për popullin palestinez. A është ende e mundur zgjidhja me dy shtete?

Ambasadorja – E dini, kur shikoni kohështrirjen e këtij procesi që filloi në vitet ’90 pas marrëveshjes së Oslos, unë mendoj se kemi arritur në një pikë tani ku kemi një problem të madh besimi. Sepse kur udhëheqësit tanë, të dy palët, liderët tanët dhe liderët palestinezë, amerikanët, Bill Clinton në mes, flisnin për të ndërtuar këtë koncept të ri, ideja ishte se ka një të ardhme, ka një vullnet të sinqertë nga të dyja palët. Nuk po flas për radikalët. Se nga çdo anë ka radikalë. Por që kishte një vullnet të sinqertë dhe, edhe me pak mbështetje dhe shtysë nga komuniteti ndërkombëtar, mund të arrihej një zgjidhje me dy shtete. Sot, do të thoja, ka një krizë në Izrael. Duhet të them se, komuniteti që u sulmua më 7 tetor, shumica prej tyre janë nga kibucët (Kibbutz). Kibucët në Izrael konsiderohen si majtas, ato që ne i quajmë komunitete. Dhe shumë prej tyre besonin se ata ishin ura për paqen. Disa nga viktimat që u masakruan më 7 tetor, ishin njerëz që vullnetarisht shkonin çdo javë në pikëkalimet kufitare me Gazën për të marrë fëmijë të sëmurë dhe për t’i çuar në spitale në Tel Aviv, për t’u trajtuar. Dhe ata u masakruan nga këta terroristë. Dhe tani, pas 7 tetorit, dëgjon anëtarë të këtyre komuniteteve që për shumë vite thonin se do të ketë paqe, ne do të sjellim paqe, që papritur thonë se tani kemi probleme me besimin. Ne nuk besojmë se fqinjët tanë duan paqe. Pra, nëse më pyesni mua tani në këtë moment nëse zgjidhja me dy shtete është ende e vlefshme, mendoj se do të duhet të jetë, sepse duhet të besojmë se diçka e mirë do të vijë.

“Duhet të jetë”, por kryeministri juaj tha “jo”…

Ambasadorja – Këtë po them. Po vij tek kjo. I njëjti kryeministër vite më parë, tha “po, ne e duam zgjidhjen me dy shtete”. Tani, në këtë kohë, ai po thotë diçka tjetër. Sepse ka një thyerje të madhe, ose krizë të madhe në konceptin se kemi partnerë nga krahu tjetër. Është shumë e vështirë pas 7 tetorit dhe deklaratave që u bënë. Ah, nuk ishte OÇP-ja që na sulmoi, ishte Hamasi, por ju nuk dëgjuat ndonjë dënim nga udhëheqësit e moderuar palestinezë. Kjo ishte ajo që ne prisnim të dëgjonim. Ne prisnim të dëgjonim udhëheqës që të thonin “kjo nuk është çka ne jemi “. Madje edhe ambasadorja palestineze këtu në Tiranë, e mbaj mend intervistën e saj tre-katër ditë pas 7 tetorit kur u pyet nga gazetarët, ajo u pyet: A mund të thoni diçka për Hamasin? Ajo tha: “Hamasi dhe ne jemi e njëjtë gjë”. Pra, nëse është kjo qasja, kemi një problem të madh me besimin. Mendoj se duhet të besojmë që diçka mund të ndodhë, por duhet të fillojmë ta ndërtojmë këtë besim sërish. Duhet të gjejmë partnerë në anën palestineze që të thonë: Dënojmë atë që ndodhi, nuk mbështesim Hamasin. Nuk duam që Hamasi të jetë pjesë e këtij procesi. Dhe pastaj të fillojmë të ndërtojmë. Shikoni, kur keni një krizë të madhe, ju rrëzoheni dhe duhet ta filloni prapë nga e para. Njerëz jemi. Ne gjithmonë duhet të shohim nga e ardhmja.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë me rastin e përurimit të Xhamisë së Madhe të Namazgjasë, Presidenti turk Erdogan bëri, si gjithmonë, akuza të forta kundër Izraelit në prani të Kryeministrit Edi Rama. Mendoni se Turqia po ndikon në politikën e Shqipërisë ndaj Izraelit?

Ambasadorja – Sa për Turqinë, është shumë e trishtueshme që presidenti po bëhet gjithmonë e më radikal. Vetëm në shkurt 2023 pamë sesi Izraeli u vlerësua nga Presidenti Erdogan për ndihmën e dhënë për viktimat e katastrofës së tërmetit, nëse ju kujtohet. Presidenti Erdogan vlerësoi Izraelin si një vend që ndihmoi shumë. Dhe pas 7 tetorit (2023), ai ndryshoi deklaratat e tij dhe u bë shumë radikal. Nuk dua t’i përsëris deklaratat e tij, sepse mendoj se nuk ia vlen. Tani, sa për Shqipërinë, e kam përmendur më parë dhe e përmend sa herë kam mundësi: Vërtet admiroj guximin e udhëheqësve shqiptarë, të Kryeministrit Rama dhe të udhëheqësve të tjerë të Shqipërisë. Sepse mendoj se Shqipëria është një vend i vogël, dhe e di që ka shumë ambicie për t’u integruar në BE dhe për t’u përshtatur me qasjen e BE-së. Por ju keni vlera dhe ju i mbroni vlerat tuaja. Madje edhe pas kësaj deklarate të Presidentit Erdogan, kur Kryeministri Rama tha se “Hamasi është një organizatë terroriste dhe Shqipëria është kundër terrorit”, mendoj se kjo kërkon guxim dhe e vlerësoj shumë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të veçanta. Nuk ka filluar sot. Ka filluar tetëdhjetë vite më parë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por nuk është vetëm kujtimi i shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mendoj se vazhdon çdo herë në të qëndruarin pranë njëri-tjetrit në kriza, por edhe në kohë të mira. Dhe jam e lumtur që kam mundësinë për të falënderuar Shqipërinë për qëndrimin e saj të fortë kundër terrorit.

Jo gjithmonë ka votuar në OKB sipas qëndrimeve amerikane dhe izraelite…

 Ambasadorja – E di, dhe kemi pasur shumë biseda për këtë, por e kuptoj. Dhe, siç thashë edhe në fillim të kësaj interviste që vendet udhëhiqen nga interesat e tyre, nuk pres që Shqipëria të veprojë sipas interesave izraelite. Pres që Shqipëria të veprojë sipas interesave shqiptare. Por, duke treguar miqësinë dhe qëndrimin e fortë të vlerave dhe duke u ngritur kundër terrorizmit, – Shqipëria ishte një nga vendet e para që iu bashkua përcaktimit të Hamasit dhe Hezbollahut si organizata terroriste, iu bashkua deklaratës kundër antisemitizmit, – mendoj se vlerat janë të forta. Dhe kur vlerat tuaja janë në vendin e duhur, atëherë kemi shumë vlera të përbashkëta për të cilat mund të luftojmë.

A qëndrojnë izraelitët, qeveria izraelite, apo lobet hebreje brenda OKB-së, pas idesë së krijimit të një shteti bektashi?

Ambasadorja  – Shikoni, me Bektashinjtë kemi marrëdhënie shumë të mira me ta. Kam marrëdhënie shumë të mira me Baba Mondin. E vlerësoj shumë dhe e di që ai gjithashtu mbështet Izraelin. Por kjo është një çështje në të cilën ne nuk ndërhyjmë. Nuk e di nëse duhet thënë që është një çështje e brendshme e Shqipërisë, por ne nuk ndërhyjmë, as në Vatikan, as në komunitetin bektashi, as në Kishën Ortodokse, as në komunitetin mysliman. Ne nuk ndërhyjmë në këto çështje. Nuk është puna jonë.

Pra ju e mohoni që të ketë lobe hebreje në OKB që mund të jenë pas kësaj ideje?

Ambasadorja – Nuk mendoj, nuk di për këtë.

A do ta mbështeste Izraeli një shtet të tillë në rast se do të krijohej?

Ambasadorja – Nuk mendoj se është puna jonë. Jam shumë e lumtur për ta, por nuk mendoj se është puna jonë.

Pyetja e fundit: Më thatë se keni një vlerësim për të, por çfarë mendoni për kryegjyshin Edmond Brahimaj, i njohur edhe si Baba Mondi? Përse ai ka marrëdhënie të veçanta me izraelitët deri në atë pikë sa edhe Presidenti Herzog u takua me të?

Ambasadorja – Meqë bëra programin e presidentit Herzog dhe e shoqërova nga çasti që zbriti nga avioni deri sa u nis, mund t’ju them se Presidenti Herzog u takua me Baba Mondin te monumenti për përkujtimin e Holokaustit, së bashku me përfaqësuesit e të gjithë udhëheqësve fetarë. Kishim një ceremoni atje, ftuam Presidentin të vendoste kurorë te monumenti së bashku me Kryetarin e Bashkisë Veliaj, dhe ftuam përfaqësuesit e të gjitha bashkësive fetare, të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri për t’u bashkuar me ne. Dhe ky ishte i vetmi moment kur ai u takua me të. I dha dorën, kaq, nuk pati takim. Është një mit. Dhe besomëni, sepse isha me Presidentin, për çdo sekondë të vizitës së tij isha me të.

Me këtë zonjë ambasadore kemi mbërritur në fund. Unë dua që ta mbyll me nota paksa personale. Do doja shumë që herën e ardhshme në këtë studio të vini të flisni për mundësinë e paqes në rajon. Miq të mi kanë vizituar Izraelin; ta vizitoj Izraelin është në listën time të dëshirave. Do të doja shumë që herën e ardhshme të flasim për paqe.

Ambasadorja – Shpresoj që herën tjetër që të takohemi të mund të flasim për pengjet që u kthyen në shtëpi, për ta mbyllur këtë çështje. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme, dhe prandaj po e mbaj edhe këtë stemë, për t’ua kujtuar të gjithëve rëndësinë e kthimit të pengjeve. Dhe pasi të flasim për këtë, jeni të mirëpritur të vizitoni Izraelin dhe do të jemi të lumtur t’ju mirëpresim. Ju faleminderit shumë që më pritët këtu.

(BalkanWeb)

Intervista- Walesa: Rusia do ta sulmonte Poloninë, e jo Ukrainën, po të mos ishte në NATO

Dragan Shtavlanin

Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta kishte sulmuar Poloninë dhe jo Ukrainën, nëse ajo nuk do të ishte anëtare e NATO-s, thotë për Radion Evropa e Lirë Lech Walesa, themeluesi dhe udhëheqësi i sindikatës “Solidariteti” në vitet 1980 dhe presidenti i parë post-komunist i Polonisë.

Bashkë me ish-presidentin çek, Vaclav Havel, ai luajti rol kyç në bindjen e SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore – prioritet i të cilave ishte ruajtja e marrëdhënieve të mira me Rusinë e Boris Yeltsinit në fillim të viteve 1990 – për t’i pranuar vendet e atëhershme post-socialiste në NATO.

Walesa kujton një takim në Pragë – në gjysmën e parë të viteve 1990 – të politikanëve kryesorë botërorë, mes të cilëve ishte edhe Mikhail Gorbachev, i cili, atëkohë, nuk ishte më në krye të Bashkimit Sovjetik.

“Ju, zoti Gorbachev, a donit ta reformonit komunizmin apo ta shkatërronit, e pyeta para të gjithëve. Ai m’u përgjigj: Jo, doja ta reformoja. U thashë: A e dëgjuat? Çfarë do të kishte ndodhur sikur të kishte pasur sukses? Nuk do të ishim takuar këtu”.

“Dhe, kjo e ka bindur [presidentin e atëhershëm amerikan, Bill] Clinton. Që nga ai moment, Clinton ka punuar për pranimin e Polonisë në NATO”, thotë Walesa, duke shtuar se pyetja është se çfarë do të kishte ndodhur, nëse nuk do të kishte arritur t’i bindte ata që Polonia dhe vendet e tjera të anëtarësoheshin në NATO?

“Do të isha në front dhe do të luftoja”, thotë ish-presidenti polak.

Ai, gjithashtu, shpjegon se pse ishte kundër negociatave perëndimore me Gorbachevin, kur ai nisi reformat e njohura si perestrojka dhe glasnost.

“Kam qenë mik i Gorbachevit dhe e kam lutur – perestrojka, glasnosti nuk janë gjë – ndërroje sistemin, por ai nuk më dëgjoi. Prandaj, u thashë amerikanëve: Gorbachevi po ju mashtron. Ai do ta rikthejë Bashkimin Sovjetik, do t’ju bëjë të varur prej tij, dhe në atë sistem politik nuk do të prisnit gjatë që të shfaqej dikush i ngjashëm me [ish-liderin sovjetik, Joseph] Stalin ose Putinin, i cili do të përpiqej ta rindërtonte Bashkimin Sovjetik”, thotë Walesa.

Rritjen e populizmit, përfshirë edhe në Poloni, ku partia e Jaroslaw Kaczynskit, ish-anëtar i “Solidaritetit”, ishte në pushtet në dy raste, e shpjegon me krizën në demokraci.

“Fakti që dalim në zgjedhje, që kemi pak media të lira, ju lutem, a është demokraci? Ajo demokraci ishte e mirë deri në fund të shekullit të 20-të. Ishte demokracia e [ish-udhëheqësit britanik, Winston] Churchill. Por, kjo nuk mjafton më. Duhet një demokraci 2.0, e përshtatshme për kohët e reja”.

“Pa të, populizmi dhe demagogjia do t’i vënë flakën botës. Dhe kjo tashmë po ndodh”, thotë Walesa.

Lech Walesa.

Lech Walesa.

Personaliteti i vitit në botë dhe Çmimi Nobel për Paqen

Pas grevave të shpeshta të punëtorëve në Poloni, autoritetet komuniste ranë dakord për një marrëveshje që çoi në formimin e “Solidaritetit” në vitin 1980, si sindikata e parë e pavarur në bllokun e atëhershëm sovjetik.

Themelues dhe udhëheqës i saj ishte Lech Walesa, me profesion elektricist, i cili shpejt u gjend në burg, pasi kreu i regjimit polak, gjenerali Wojciech Jaruzelski, vendosi ligjin ushtarak në vitin 1981.

Atë vit, revista Time e shpalli Walesën personalitet të vitit në botë.

Pavarësisht represionit, “Solidariteti” u rrit shpejt në dhjetë milionë anëtarë – që ishin rreth një e katërta e popullsisë së vendit – që luftonin për të drejtat dhe liritë e punëtorëve.

Walesa fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1983, por nuk shkoi ta merrte, sepse kishte frikë se autoritetet nuk do ta lejonin të kthehej në vend.

Presidenti i parë post-komunist polak

“Solidariteti” vazhdoi të funksiononte ilegalisht, derisa ndryshimi i klimës në Bashkimin Sovjetik me perestrojkën e Gorbachevit, i kombinuar me përkeqësimin e situatës së brendshme ekonomike, i detyroi autoritetet polake të organizonin një tryezë të rrumbullakët bisedimesh me përfaqësuesit e kësaj sindikate, në pranverë të vitit 1989.

Kjo rezultoi me zgjedhje dhe me formimin e Qeverisë së parë post-socialiste në bllokun sovjetik, në vjeshtën e atij viti.

Një vit më pas, Walesa u bë presidenti i parë post-komunist i Polonisë.

Polemikat

Walesa ishte një politikan karizmatik, që pritej me duartrokitje në botë. Megjithatë, brenda Polonisë kishte polemika për të.

Kundërshtarët e kritikonin se ishte i paarsimuar dhe se deklaratat e tij ishin jodiplomatike. Jaroslaw Kaczynski e akuzoi atë se ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret polak, gjatë socializmit.

Walesa e mohoi këtë. Ai humbi në zgjedhjet e vitit 1995, ndërsa në të radhës, në vitin 2000, mori vetëm një për qind të votave.

Kam frikë se Ukraina do të detyrohet të bëjë paqe me Rusinë

Radio Evropa e Lirë: Për më shumë se dy vjet e gjysmë, Ukraina është në luftë. Sa do të zgjasë dhe si do të përfundojë? Me paqe të përkohshme? Si konflikt i ngrirë – me Rusinë që mban kontrollin mbi territoret që ka pushtuar? Apo, Ukraina ka shanse për të fituar?

Lech Walesa: Kam frikë se Ukraina do të detyrohet të bëjë paqe me Rusinë. Disa kanë përfituar nga shkatërrimi i Rusisë dhe Ukrainës dhe do të përfitojnë më shumë nga rindërtimi. E, bota dhe fqinjët do të qëndrojnë në të njëjtin vend.

Pas paqes, më së voni pas 15 vjetësh, Rusia do të ngrihet dhe do të sulmojë sërish. Pra, nuk do të zgjidhim asgjë me një fitore të tillë. Sindikata e “Solidaritetit” e ka shpërbërë Rusinë, domethënë Bashkimin Sovjetik, dhe është bërë mike me të. Sepse, ne kemi luftuar me metoda të tjera. Prandaj, duhet të zbatohen metodat e “Solidaritetit” në luftën me Rusinë. Janë metoda shumë të thjeshta.

Nëse do të hyja në luftë me Rusinë, do të bëja një listë të të gjithë njerëzve në Rusi që vdesin në konfliktin në Ukrainë dhe do ta tregoja në çdo qytet, përmes mjeteve të informimit.

Dhe aty do të shkruaja: Dëgjo, i dashur rus, nuk dua të hyj në luftë me ty. Shiko se sa njerëz nga qyteti yt kanë vdekur. Ja, edhe kolegu juaj, me të cilin keni dalë për të pirë birra, tani është nën dhe.

Edhe fqinji yt ka humbur dy djem përnjëherë. Shiko, fol me të! Dhe, a e di se edhe ti brenda pak orësh do të marrësh ftesë për të shkuar në luftë? Do të vdesësh edhe ti. Unë dua të të shpëtoj.

Duhet të kuptosh se sistemi është i keq. Sistemi, jo Putini, jo Stalini, sistemi është shkaku i atij banditizmi. Dua t’ju ndihmoj që ta ndryshoni sistemin.

Udhëheqësi yt nuk mund të ketë më shumë se dy mandate, më të gjata se pesë vjet. Ne duhet ta arrijmë këtë së bashku. Do të më falënderosh nëse ia dalim. Ju do të jetoni të qetë dhe ne do të jetojmë të qetë.

Lufta duhet të zhvendoset në premisa të thjeshtë. Nëse fitojmë kështu, do të kemi paqe.

Por, bota u është kthyer metodave të vjetra të luftës. Raketat, armët bërthamore… Ato nuk zgjidhin gjë.

Demokracia e Churchillit u zhduk në fund të shekullit të 20-të

Radio Evropa e Lirë: A do të funksiononte kjo metodë e juaja, sepse qytetarët rusë – së paku në shikim të parë – e mbështesin Putinin, qoftë nga frika, qoftë nga bindja?

Lech Walesa: Kjo është e vërtetë, por kur rusi që e mbështet atë, ta kuptojë se nesër do të vdesë, ai do të ndryshojë mendje. Le t’i japim shembuj se mund të vdesë. Kjo duhet ta bindë atë.

Rusët nuk besojnë në demokraci. E amerikanët? Ata besojnë në demokraci? Së shpejti, ata do ta zgjedhin Donald Trumpin [president]. Ajo që shohim se po ndodh në Francë, është një ndryshim i epokës.

Dikush më tha se kjo është demokraci. Unë udhëtoj nëpër botë dhe demokracinë nuk e kam parë askund. Fakti që dalim në zgjedhje, që kemi pak media të lira, ju lutem, a është demokraci? Ajo demokraci ishte e mirë deri në fund të shekullit të 20-të. Ishte demokracia e Churchillit. Por, kjo nuk mjafton më. Duhet një demokraci 2.0, e përshtatshme për kohët e reja.

Pa të, populizmi dhe demagogjia do t’i vënë flakën botës. Dhe kjo tashmë po ndodh.

I paralajmërova amerikanët se Gorbachevi po i mashtronte

Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë se kur Mikhail Gorbachevi ka ardhur në krye të Bashkimit Sovjetik, Perëndimi është dashur të jetë i kujdesshëm në negociatat me sovjetikët. Pse?

Lech Walesa: Ne, veçanërisht, i paralajmëruam amerikanët. Unë isha mik i Gorbachevit. Ne e donim njëri-tjetrin. E kam lutur – perestrojka, glasnosti nuk janë gjë – ndërroje sistemin, por ai nuk më dëgjoi.

Prandaj, u thashë amerikanëve: Gorbachevi po ju mashtron. Ai do ta rikthejë Bashkimin Sovjetik, do t’ju bëjë të varur prej tij, dhe në atë sistem politik nuk do të prisnit gjatë që të shfaqej dikush i ngjashëm me Stalinin ose Putinin, i cili do të përpiqej ta rindërtonte Bashkimin Sovjetik.

Amerikanët m’u përgjigjën: zoti Walesa, ishte Stalini, ishte [Leonid] Brezhnev, lëreni të qetë Gorbachevin. Ata nuk më dëgjuan dhe tani kemi atë që kam parashikuar dhe paralajmëruar.

Dhe, kështu do të jetë në vitet e ardhshme. Kam frikë se Ukraina do të detyrohet të bëjë paqe të keqe dhe të pafavorshme. Dhe, nipërit e mi do të duhet të shkojnë sërish në luftë me Rusinë.

Rreziku i një sulmi rus në Poloni

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që Rusia ta zgjerojë këtë luftë përtej Ukrainës – në vendet baltike, në Poloni?

Lech Walesa: Sigurisht. Është një sistem i tillë. Dhe, në atë sistem, kur kryhen krime, ti bëhesh i burgosur i tij. Nuk ka zgjidhje, duhet të ecësh përpara.

Radio Evropa e Lirë: A është Polonia gati për të luftuar?

Lech Walesa: Sigurisht që do të luftojë. Unë do të shkoj i pari në luftë. Por, çfarë mundësish kemi? Asnjë. Të zhdukemi bukur.

Radio Evropa e Lirë: Putin përmend synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO si një nga arsyet e pushtimit të saj – pra për ta penguar atë. Cili është mendimi juaj, a do të kishte luftë në Ukrainë nëse Polonia dhe vendet e tjera të atij rajoni nuk do të ishin anëtarësuar në NATO?

Lech Walesa: Në atë rast, Putin do ta sulmonte Poloninë dhe jo Ukrainën – në atë situatë hipotetike që përmendët. Polonia do të ishte caku i tij i parë.

Megjithatë, Polonia gjeti strehim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Një pyetje tjetër hipotetike që lind, është se si do të sillej Ukraina nëse Polonia, si një vend joanëtar i NATO-s, do të sulmohej?!

E binda Clintonin ta pranonte Poloninë në NATO

Radio Evropa e Lirë: Rusia po përpiqet, gjithashtu, të krijojë një imazh se Perëndimi u ka bërë presion vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore që t’i bashkohen NATO-s, si parakusht për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, dhe se ky nuk ka qenë vullneti i tyre. Megjithatë, mesa di unë, administrata e Bill Clintonit dhe Perëndimi në tërësi kanë qenë të rezervuar sa i përket asaj ideje, sepse kanë dashur të ndërtojnë marrëdhënie të mira me Rusinë e Boris Yeltsinit.

Ju dhe presidenti i atëhershëm çekosllovak dhe më vonë çek, Vaclav Havel, keni bërë përpjekje ta bindni Perëndimin për rëndësinë e anëtarësimit tuaj dhe të vendeve të tjera në rajon në NATO. Cilat kanë qenë argumentet tuaja?

Lech Walesa: Në fakt, vendimi u mor këtu në Pragë [në fillim të viteve 1990]. Ishte një takim me Clintonin, me Gorbachevin, me [kancelarin gjerman, Helmut] Kohl, me të gjithë politikanët më të rëndësishëm.

Unë i binda në një mënyrë brutale. E dija që amerikanët nuk donin të na pranonin në NATO dhe dola vullnetarisht të flisja.

Ju, zoti Gorbachev, a donit ta reformonit komunizmin apo ta shkatërronit, e pyeta para të gjithëve. Ai m’u përgjigj: Jo, doja ta reformoja. U thashë: A e dëgjuat? Çfarë do të kishte ndodhur sikur të kishte pasur sukses? Nuk do të ishim takuar këtu.

Dhe, kjo e ka bindur Clintonin. Që nga ai moment, Clinton ka punuar për pranimin e Polonisë në NATO.

Ishte brutale nga ana ime, por e pashë se ishte e vetmja mënyrë, duke marrë parasysh se çfarë mund të ndodhte nëse nuk do ta bëja.

Pyetja është se çfarë do të kishte ndodhur, nëse nuk do të kisha arritur t’i bindja ata që Polonia dhe vendet e tjera të anëtarësoheshin në NATO? Do të isha në front dhe do të luftoja.

Përgatiti: Valona Tela

Intervista- Haradinaj: Kosova të procedojë me Asociacionin në këmbim të garancive për anëtarësim të përshpejtuar në NATO

VOA/Menada Zaimi

Prishtina dhe Beogradi ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër mbi hapat që do të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve e që potencialisht do të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Por, në këtë drejtim nuk është shënuar asnjë përparim. Çështja e Asociacionit të komunave serbe duket se mbetet një nga pikat e nxehta të debatit dhe Prishtina e Beogradi fajësojnë njëra tjetrën për mungesën e përparimit.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, i cili vizitoi së fundmi Kosovën dhe Serbinë tha se pret nga Kosova që ta dërgojë projekt-statutin mbi Asociacionin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ndërsa theksoi se ky mekanizëm nuk krijon një shtresë tjetër pushteti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, bie dakord se projekt-statuti duhet dërguar në gjykatë, por ai tha se situata aktuale, nuk është e lehtë për Kosovën, për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet, si garanci për zbatim të tyre.

Zoti Haradinaj propozon që Kosova të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si kundërvlerë për procedimin me Asociacionin, garanci për anëtarësimin e përshpejtuar të vendit në NATO.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj pyetje të drejtpërdrejtë, a duhet qeveria e Kosovës të çojë projekt-statutin në Gjykatën Kushtetuese?

Ramush Haradinaj: Po duhet, por Asociacioni është diskutuar gjatë dhe dikur ka qenë kundërvlerë e njohjes nga Serbia, pra kundërvlerë, Kosova procedon me Asociacionin, Serbia e njeh Kosovën. Tani kemi një situatë jo të lehtë për Kosovën për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet që ka ra dakord ashtu siç ka kërkuar qeveria e Kosovës dhe kryetari i qeverisë. Por edhe pse është kështu kjo situatë, unë do të kisha vepruar si vijon; kisha kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundërvlerën e veprimit me Asociacionin me anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Pra procesin deri në NATO edhe si mundësi, sepse askush nuk mund ta garantojë që në një periudhë kohore të tillë deri kur do të ndodhë kjo për shkak të katërshes jonjohëse. Unë do të kisha vepruar në kontratë bilaterale me SHBA-në e do të kisha vepruar me të gjitha obligimet e dialogut në mënyrë që të arrijmë NATO-n.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët edhe çështjet e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, a ka të drejtë qeveria që kërkon që këto marrëveshje të nënshkruhen si garanci për zbatimin?

Ramush Haradinaj: Ka të drejtë, por nuk duhet ta bllokojnë në tërësi. Është e logjikshme të kërkosh nënshkrimin e një marrëveshjeje mes palëve sepse edhe ashtu është një lloj garancie më e avancuar. Mirëpo, nëse pala, në këtë rast Serbia ka qëndrim se nuk dëshiron të marrë përgjegjësi me nënshkrim, atëherë si kundërvlerë qoftë e nënshkrimit sepse është më pak nënshkrimi i (Aleksandar) Vuçiçit si kundërvlerë me dërgu Asociacionin në Gjykatë Kushtetuese, sesa një premtim i Shteteve të Bashkuara se po vepruat me Asociacionin ju hapet mundësia, nuk po them që ju garantohet, por ju hapet mundësia e anëtarësimit të përshpejtuar në NATO. Unë do të kisha vepruar pa e pritur Serbinë dhe (Aleksandar) Vuçiçin, pa e kushtëzuar me nënshkrimin e Serbisë dhe Vuçiçit. Kisha vepruar në një marrëveshje, marrëdhënie kontraktuale ose një plan disa pikësh ku do të ishte edhe Asociacioni, si të mbërrijmë tek anëtarësimi në NATO.

Zëri i Amerikës: Ju e keni përmendur vazhdimisht rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Por, javën e kaluar ambasadorja amerikane në NATO Julianne Smith, duke folur mbi dëshirën Kosovës për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe, tha se përparimi në procesin e bisedimeve me Serbinë është thelbësor për proceset integruese të Kosovës. Si mund të arrihet përparim në këtë drejtim? Ju duket sikur po shtoni edhe kërkesa të tjera, ndërkohë që ka dy marrëveshje që kanë parashikuar se cfarë duhet të bëjnë palët.

Ramush Haradinaj: Kam një pajtim me ambasadoren, por edhe një dallim. Pajtimi është se po, dialogu është rruga përpara. Dallimi është ky: Partneriteti për Paqe u është ofruar vendeve ish-komuniste, armiqve të NATO-s dhe të Amerikës, si lloj transformimi i doktrinës, i strukturës, ç’armatosje, zhdukje e armatimit të lindjes ose rus, e kështu me radhë. Kosova nuk ka nevojë për Partneritet për Paqe, sepse nuk ka të bëjë fare me Lindjen. Është ushtri e re e krijuar nga NATO-ja dhe Amerika. Është vend i ri me Kushtetutë e ligje euro-atlantike. Kosova e ka situatën shumë të pastër për anëtarësim direkt në NATO, në rast të vullnetit politik të anëtarëve të NATO-s, në këtë rast edhe të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë dhe Greqisë. Unë nuk kërkoj të na lënë në radhë në Partneritet për Paqe. Unë kërkoj anëtarësim direkt në NATO, si në rastin e Finlandës dhe Suedisë. Po, duke i kryer të gjitha detyrat edhe nga dialogu. Pra, çdo detyrë të dialogut, çdo obligim që i ka dalë Kosovës edhe Asociacionin. Por, jo vetëm kaq, por duke kryer detyra tjera që janë kushte e standarde për t’u anëtarësuar në NATO. Këtë e kam shprehur në vazhdimësi. Unë nuk besoj që Kosova duhet të kërkojë Partneritet për Paqe. Kanë ikur shumë vite, kanë ndodhur shumë procese, ka ndryshuar bota. Nuk kemi kohë të qëndrojmë në radhë të Partneritetit për Paqe. Është urgjent anëtarësimi në NATO.

Zëri i Amerikës: Me siguri e keni diskutuar me aleatët amerikanë këtë çështje. Çfarë reagimi keni marrë prej tyre?

Ramush Haradinaj: Në rast se Kosova përmbush përgjegjësitë e veta mundësia ekziston. Ekziston mundësia e anëtarësimit direkt në NATO.

Zëri i Amerikës: Por a është ky momenti duke pasur parasysh se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë të acaruara, marrëdhëniet e Kosovës me aleatët janë të ftohura, ndërkohë Shtetet e Bashkuara janë para zgjedhjeve dhe Kosova është para zgjedhjeve?

Ramush Haradinaj: Për shembull diçka që është mrekulli edhe që nuk ka ndodhur është se marrëdhëniet ushtri – ushtri nuk janë rrezikuar nga këto që kanë ndodhur, nga këto zhvillimet politike, nga sjellja e kryeministrit tonë që nuk ka qenë në rregull, pra edhe unë i kam kritikat e mia. Nuk janë rrezikuar edhe disa marrëdhënie të tjera thelbësore dhe vlerësimi për planin dhjetë vjeçar për ushtrinë tonë megjithatë ekziston. Pra, Kosova është e gatshme të hyjë në NATO. Por, çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërrojë kursin politik. Ky kurs politik nuk mund të ndryshojë pa e ndryshuar qeverinë, pa e ndryshuar (Albin) Kurtin i cili është shkaktar i një marrëdhënieje humbëse. Ne po humbim nga marrëdhëniet me Amerikën, është pritur me shpresë ardhja e presidentit (Joe) Biden si njohës i çështjes shqiptare, si senator i angazhuar dikur për çështjen shqiptare dhe nuk kemi nxjerrë asnjë përfitim nga presidenti Biden për katër vite. Faji është tek ne, faji është tek Kurti, tek qeveria e tij. Mirëpo Kosova nuk do të jetë çdo herë në status quo, unë besoj në ndryshimet edhe politike, por unë besoj edhe në kornizën edhe në marrëveshjen që duhet të arrijë Kosova me SHBA-në jo vetëm më si dialog, por si anëtarësim në NATO. Edhe një herë e përsëris, pra pa dashur t’i ikim detyrimit, asociacioni ka qenë çështja kryesore si kundërvlerë e njohjes. Nuk e marrim njohjen, pra nuk na e jep Serbia njohjen, Serbia jo vetëm njohjen, por nuk e jep as nënshkrimin për këto marrëveshje, atëherë ju lutem, ne duhet të kthehemi nga partnerët tonë, që të mos i zhgënjejmë pra me zbatim, por të kërkojmë gjithashtu kundërvlerën e Asociacionit, mos ta quaj të tërën tregti, por kundërvlera e ecjes përpara duhet të jetë NATO-ja.

Zëri i Amerikës: A mendoni që rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë një ndikim tek vendi juaj, tek zhvillimet në vendin tuaj?

Ramush Haradinaj: Kosova, populli i Kosovës dhe shqiptarët e duan Amerikën, e duan flamurin, nuk e kanë lidhur me administrata asnjëherë. Kuptohet në vitin 1999 Presidenti Clinton, Sekretarja Albright, Gjenerali Clark ishin vendimtarë për ne të asaj kohe, por ne e duam Amerikën dhe sido që voton Amerika ne jemi për bashkëpunim me të. Ka të tillë që përhapin edhe agjenda të tjera, por unë besoj që shqiptarët, të qenit pro amerikan e kanë pasurinë më të madhe dhe duhet ta kultivojnë me fanatizëm.

Zëri i Amerikës: Një pyetje të fundit, me 9 shkurt të vitit që vjen Kosova do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme. Çfarë strategjie po ndjek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për këto zgjedhje, cili është synimi juaj?

Ramush Haradinaj: Ne kemi bashkuar rreth vetes edhe disa forca të tjera politike, Nismën, Konservatorët, Intelektualët. Synojmë t’i fitojmë zgjedhjet, synojmë të udhëheqim qeverinë e vendit, pra ofrohem si kandidat për kryetar të qeverisë. Agjenda është e qartë pra, pastrimi i tavolinës në gjithë çfarë ka mbetur në marrëdhënie dhe rikthimi në marrëdhënie kontraktuale me Amerikën. Nëse nuk arrij ta udhëheq unë qeverinë, do të mbështes qeverinë e udhëhequr nga njëri prej ne opozitarëve dhe ofrohem për bashkëpunim për një shumicë me opozitën në Kosovë.

Intervista- Niç: Me tërheqjen e SHBA-së, Gjermania duhet të angazhohet më seriozisht në konfliktet në Ballkan

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri britanik, Keir Starmer (majtas), presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron (djathtas), para takimit të tyre në Berlin, Gjermani, më 18 tetor 2024 .

 

Valona Tela

Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të zvogëlohet, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet atje – qoftë Kamala Harris, qoftë Donald Trump.

Niç thotë se ndryshimi i politikës amerikane ka nisur prej se Rusia ka filluar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Që atëherë, “politika e SHBA-së në Evropë i ka dhënë përparësi mbështetjes për Ukrainën dhe gjithçka tjetër është strukturuar rreth saj”, sipas tij.

Niç është bashkautor i një artikulli që publikoi javën e kaluar Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, me titull “Si mund ta tronditin Ballkanin Perëndimor zgjedhjet në SHBA”?

Milan Nic.

Milan Nic.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se është koha që Bashkimi Evropian, e sidomos Gjermania të angazhohen më seriozisht në zgjidhjen e konflikteve të mbetura në Ballkanin Perëndimor.

Veriun e Kosovës e përshkruan si konfliktin më urgjent të pazgjidhur.

“Jemi vetëm disa hapa nga përshkallëzimi serioz i situatës në veri të Kosovës. Deri më tani, nuk ka ndodhur… por janë disa situata të vogla në terren që mund të përshkallëzohen”, thotë Niç.

Uashingtoni llogarit në mbështetjen e Vuçiqit për Ukrainën

Radio Evropa e Lirë: Zoti Niç, marrë parasysh ndryshimin e peizazhit gjeopolitik, veçanërisht me agresionin e Rusisë në Ukrainë, cila mendoni se është sfida më kritike me të cilën përballet sot Ballkani Perëndimor?

Milan Niç: Mendoj se nuk është e re. Bëhet fjalë për një stagnim të gjatë – si në aspektin e qeverisjes së rajonit, ashtu edhe në aspektin e përparimit të pamjaftueshëm ekonomik, apo përmirësimit të jetesës së njerëzve.

Kjo, pastaj, shoqërohet me eksodin e vazhdueshëm të njerëzve në moshë produktive dhe mungesën e shpresës për një të ardhme më të mirë, si dhe me integrimin shumë të ngadaltë në Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Në një artikull të publikuar javën e kaluar – bashkautor i të cilit jeni edhe ju – përmendet një “kthesë realiste” në diplomacinë amerikane në rajon. A mund ta shpjegoni këtë?

Milan Niç: Prej se Rusia ka pushtuar Ukrainën, politika e SHBA-së në Evropë i ka dhënë përparësi mbështetjes për Ukrainën dhe gjithçka tjetër është strukturuar rreth saj.

Politika realiste në Ballkanin Perëndimor nënkupton mbështetjen e Uashingtonit në marrëdhënie të mira me vendet kyçe, përfshirë Serbinë, e cila, në heshtje, e furnizon Ukrainën me municion dhe armatim dhe mban marrëdhënie të mira me Kievin pa e thënë në publik.

Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është në kontakte të rregullta me presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky. SHBA-ja i jep përparësi kësaj mbështetjeje që ofron Serbia dhe jo politikës së Vuçiqit në rajon. Në të njëjtën mënyrë mbështetet edhe në vendet apo udhëheqësit e tjerë në Ballkan që e përkrahin SHBA-në në këtë prioritet.

Për të dalë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë… Qeveria e Kosovës ose kryeministri [Albin Kurti] nuk mund të bëjnë shumë në këto përpjekje [rreth Ukrainës], përveç retorikës. Dhe, kthesa realiste e politikës së jashtme amerikane në këtë proces ekziston prej kohësh.

Është naive të pritet që SHBA-ja do të ngrihet kundër agjendave revizioniste në rajon.

Angazhimi i SHBA-së do të reduktohet si me Harrisin, ashtu edhe me Trumpin

Radio Evropa e Lirë: E përmendët Kosovën. Së voni, disa diplomatë amerikanë e kanë paralajmëruar kryeministrin Kurti për përkeqësimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Qeverisë së tij, për shkak të disa veprimeve që janë konsideruar si të njëanshme. A është e rrezikshme kjo në këtë kohë?

Milan Niç: Mendoj se Qeveria e Kosovës, nën Albin Kurtin, ka mësuar nga Beogradi t’i bëjë gjërat në mënyrë të njëanshme dhe ka vendosur të krijojë disa fakte në veri. Në këtë mënyrë, ajo është fokusuar edhe në ruajtjen e popullaritetit dhe të pushtetit të saj në Kosovë.

Deri më tash, kjo i ka ecur, edhe me çmimin e izolimit të caktuar diplomatik nga partnerët e saj kryesorë – siç ka ndodhur përpara samitit të Procesit të Berlinit.

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja është vetëm dy javë larg zgjedhjeve presidenciale. Pse mendoni se ky proces mund ta tronditë Ballkanin Perëndimor dhe në çfarë mënyrash – siç jeni shprehur në shkrimin tuaj?

Milan Niç: Pavarësisht se kush fiton apo kush do ta marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë për katër vjetët e ardhshëm, roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të zvogëlohet dhe do të ndryshojë.

Konfliktet që mbeten të pazgjidhura, si ai mes Kosovës dhe Serbisë, në Bosnje e Hercegovinë dhe të tjerat, përfshirë tensionet etnike mes shoqërive, do të kenë nevojë për një angazhim më serioz nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.

Radio Evropa e Lirë: Por, a e ka SHBA-ja luksin për ta reduktuar përfshirjen e saj në Ballkanin Perëndimor, marrë parasysh situatën e paqëndrueshme në rajon?

Milan Niç: Ne nuk po e pranojmë se ka një shkëputje graduale të SHBA-së nga fqinjët e Evropës ose periferitë e Evropës, sepse prioritetet e saj janë gjetiu. Jo vetëm në Azi e në Indo-Paqësor. SHBA-ja po fokusohet edhe në konkurrencën strategjike me Kinën. Pastaj është edhe lufta në Lindjen e Mesme, që është shumë më e rëndësishme për interesat amerikane, e po ashtu për politikën e brendshme. Ju nuk mund të krahasoheni.

Kushdo që të fitojë, do të krijojë një administratë shumë më të fokusuar brenda vendit. Angazhimi në Lindjen e Mesme – për arsye energjetike dhe strategjike – do të jetë shumë më i rëndësishëm se në Ballkanin Perëndimor.

Nëse Trump fiton, do të ketë më shumë angazhim të nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor, por fokusi do të jetë tek interesat e biznesit. Nëse Harris fiton, do të ketë një vazhdimësi, një shkëputje të vazhdueshme nga rajoni dhe më shumë dorëzim të tij tek evropianët.

Pyetja është se sa janë të gatshëm ata për të marrë rol më të madh, për të kompensuar SHBA-në?! Sepse, SHBA-ja është partnerja kryesore në trajtimin e konfliktit të pazgjidhur [në Ballkanin Perëndimor], që nga vitet ’90. Por, tani, interesi i saj ka ndryshuar.

Epoka e intervencionimit liberal, ose e SHBA-së si police e botës, është duke u sfiduar brenda vetë SHBA-së dhe ajo do ta reduktojë rolin e saj në Ballkan.

[Joe] Biden ka qenë presidenti i fundit që është angazhuar personalisht në politikën në Ballkan, ai i ka njohur udhëheqësit.

Tash do të kemi më pak përfshirje të SHBA-së dhe ne nuk jemi gati për këtë. Kjo do të thotë se do të kemi më shumë rreziqe sigurie, sidomos nëse NATO-ja sfidohet.

Rëndësia e angazhimit të Gjermanisë

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, çfarë duhet të bëjë BE-ja dhe veçanërisht Gjermania?

Milan Niç: Mendoj se Brukseli, nën Kaja Kallasin si përfaqësuese e lartë, duhet të bëjë më shumë. Ajo dhe ekipi i saj do të duhej t’u kushtonin më shumë vëmendje zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, me një lloj diplomacie fluturuese dhe përfshirje të drejtpërdrejtë.

Varet, po ashtu, nga Berlini dhe Parisi se si do të bashkëpunojnë me Londrën, për të kompensuar përfshirjen e reduktuar të Uashingtonit.

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj, ju përmendni në mënyrë të veçantë Gjermaninë. Sa e rëndësishme është që Gjermania të tregojë se e merr seriozisht ‘zeitenwende’-n në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe cilat veprime do të ishin më me ndikim?

Milan Niç: Mendoj se ajo që ndodhi në samitin e Procesit të Berlinit javën e kaluar, ishte një sukses dhe shembull i mirë. Gjermania duhet të përfshihet më shumë politikisht, të ngrihet kundër disa lëvizjeve të njëanshme, të merret me qeveritë dhe udhëheqësit një nga një, dhe t’i japë përparësi asaj që është e rëndësishme për ta mbajtur të gjithë rajonin nën kontroll dhe në rrugë drejt një lloj përmirësimi dhe integrimi.

Rreziku nga situata e brishtë në veri të Kosovës

Radio Evropa e Lirë: Cili mendoni se është konflikti më urgjent i pazgjidhur në Ballkanin Perëndimor?

Milan Niç: Veriu i Kosovës. Është edhe situata e brendshme në Bosnje e Hercegovinë, por atje ekziston një infrastrukturë diplomatike ndërkombëtare, e cila mendoj se është mjaft e qëndrueshme. Ndaj, Millorad Dodik [udhëheqësi i Republikës Sërpska], sa herë përpiqet t’i tejkalojë kufijtë, e kupton se do të humbasë.

Në veri të Kosovës, situata është më e brishtë. Unë mendoj se ka një lojë pritjeje jo vetëm për zgjedhjet në SHBA, por edhe për përfundimin e luftës ose për një lloj zhvillimi në luftën në Ukrainë, që do të ketë ndikim në situatën e përgjithshme të sigurisë evropiane dhe që do të krijojë një lloj të ri precedentësh, edhe për Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Cila mendoni se është rrugëdalja për veriun e Kosovës?

Milan Niç: Në veriun e Kosovës, më shumë gjëra kanë ndodhur në një ose dy vjetët e fundit sesa në disa vitet e fundit. Është një situatë krejtësisht e re. Tani është policia speciale e Kosovës që kontrollon situatën në terren. Beogradi është duke humbur, sepse serbët janë tërhequr nga institucionet. Ata kanë gabuar dhe nuk e dinë se si të kthehen.

Mendoj se jemi vetëm disa hapa nga përshkallëzimi serioz i situatës në veri të Kosovës. Deri më tani, nuk ka ndodhur. Mendoj se ka një qasje të kujdesshme nga të dyja palët që të mos ndodhë, por janë disa situata të vogla në terren që mund të përshkallëzohen.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Gjermania mund t’i lëvizë gjërat, sa i përket Kosovës? Kujtoj se, para pak javësh, e ka bindur Kurtin për të rikthyer importin e mallrave nga Serbia.

Milan Niç: Po, e ka bindur Kurtin për të hequr bllokadën dhe ka gjetur një zgjidhje praktike për problemin e tij. Natyrisht, në Kosovë po vijnë zgjedhjet dhe ky konfrontim me Beogradin është i rëndësishëm për Kurtin.

Por, nëse nesër ka një krizë të re, kush do të përpiqet ta zgjidhë atë? Kush do të nxitojë në Beograd dhe Prishtinë? Komisioni Evropian? Përfaqësuesi i lartë në largim [i BE-së, Josep] Borrell? Amerikanët jo.

Mendoj se Gjermania – mes fuqive të Quint-it – është ajo që ka ende kapacitete, ndonëse edhe ajo është duke shkuar kah zgjedhjet e veta federale.

Kara-Murza: Putini duhet të humbasë në Ukrainë (Intervista e plotë)

VOA/Tatiana Vorozhko

Politikani opozitar dhe gazetari rus Vladimir Kara-Murza u lirua nga një burg rus më 1 gusht si pjesë e një shkëmbimi të gjerë të të burgosurve ndërmjet Rusisë dhe disa vendeve perëndimore. Ai ishte burgosur në prill 2022 me akuzën e tradhtisë, për shkak të kritikave ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai u helmua pothuajse për vdekje dy herë, në vitin 2015 dhe 2017.

Që nga lirimi i tij, zoti Kara-Murza është përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet diplomatike të opozitës ruse, duke u takuar me presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Francës, si dhe kancelarin gjerman. Gjatë një vizite të fundit në Uashington, ai u intervistua nga gazetarët e Zërit të Amerikës. Duke folur për Shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, ai diskutoi axhendën që opozita ruse po mbështet në Perëndim.

Intervista në vazhdim është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.

Zëri i Amerikës: Pas lirimit, ju u takuat me Presidentin Biden, Presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz. Cili ishte mesazhi juaj kryesor për ta, në lidhje me politikën ndaj Rusisë?

Vladimir Kara-Murza: Ka dy mesazhe kryesore. Mesazhi i parë është se Vladimir Putini duhet ta humbasë luftën në Ukrainë, sepse nëse ai fiton, kjo do të thotë se në një vit apo një vit e gjysmë, ne do të flasim për një luftë tjetër ose një pushtim tjetër rus, sepse kjo është çfarë bën ky njeri.

Mesazhi i dytë është se kombet demokratike të botës së lirë duhet të kenë një strategji. Ne e dimë nga dy shekujt e fundit të historisë ruse se luftërat e dështuara të agresionit çojnë gjithmonë në ndryshime politike në vend. Sapo Putini të mposhtet në Ukrainë, duhet të ketë një strategji të përgatitur për ri-integrimin e një Rusie të re, të ndryshuar, demokratike, të periudhës pas-Putinit, sërish në Evropë, në botën e qytetëruar dhe në atë që ne e quajmë rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla.

Zëri i Amerikës: Nëse Putini humbet pushtetin, si mund të ndodhë demokratizimi? Dikush nga rrethi i tij i brendshëm ka shumë të ngjarë ta rrëmbejë pushtetin.

Vladimir Kara-Murza: Shpresoj të mos vdesë në detyrë dhe të përfundojë në këtë mënyrë. Unë jam i krishterë dhe e di që të gjithë do të përballen me një gjyq atje lart, dhe po ashtu edhe ai. Por unë vërtet dua që ai njeri të ketë një gjyq edhe në këtë jetë.

Për çështjen e ndryshimit, kjo është një diktaturë personale. Nuk është një diktaturë ideologjike si në kohën sovjetike, me Byronë Politike kolektive, kur mund të zëvendësohej personi në krye pa zëvendësuar regjimin. Ky sistem do të shembet shumë shpejt, siç e pamë në vitin 1953 pas vdekjes së Stalinit.

Zëri i Amerikës: Por Hrushovi, i cili zëvendësoi Stalinin, ishte nga rrethi i tij i ngushtë; ai nuk ishte një i panjohur.

Vladimir Kara-Murza: Edhe nëse udhëheqësi tjetër vjen nga i njëjti rreth, ata gjithmonë e bazojnë sundimin e tyre në një mohim të plotë të gjithçkaje që ka ndodhur më parë. Hrushovi ishte një nga njerëzit më të afërt të Stalinit. Ishte ai që liroi miliona njerëz nga gulagët dhe u angazhua në një proces shumë të paplotë, shumë të papërsosur, por që ishte gjithsesi de-stalinizimi që patëm në fund të viteve 1950 dhe fillimin e viteve 1960 – e ashtuquajtura “Shkrirje”.

Zëri i Amerikës: Çfarë përgatitjesh duhen bërë? Si mund ta merrnin pushtetin forcat demokratike?

Vladimir Kara-Murza: Aspekti i brendshëm ka të bëjë me reflektimin dhe llogaridhënien, që unë e quaj një proces të së vërtetës dhe pajtimit. Kjo është e nevojshme për çdo shoqëri që ka pësuar traumën e sundimit totalitar. Të gjithë personat që janë përgjegjës për krimet ndaj qytetarëve rusë, si vrasja e Boris Nemtsovit, vrasja e Alexei Navalnit dhe persekutimin e qindra e qindra të burgosurve politikë, duhet të sillen para drejtësisë. Të gjitha arkivat dhe dokumentet e të gjitha krimeve të kryera duhet të bëhen publike.

Zëri i Amerikës: Po përballja me mentalitetin imperialist rus? A duhet që Rusia të përballet gjithashtu me të gjitha krimet që ka bërë ndaj popujve të tjerë gjatë historisë së saj?

Vladimir Kara-Murza: Është pjesë e së kaluarës totalitare, sepse për vite e vite me radhë, për dekada, regjimi në Kremlin ka kryer krime kundër popullit tonë në Rusi dhe kundër vendeve të tjera, popujve të tjerë dhe kombeve të tjera. Shikoni agresionin dhe luftërat që ky regjim ka bërë ndaj çeçenëve, gjeorgjianëve, Ukrainës – të mos e harrojmë, duke filluar nga viti 2014. Pastaj, në Siri, sigurisht, le të mos harrojmë Shoigun, ministrin e Putinit, që u mburr me armatimet e reja që kishin testuar – testuar! – tek njerëzit, tek civilët në zonat e banuara.

Zëri i Amerikës: Dua të trajtoj argumentin tuaj kryesor për integrimin e Rusisë në Perëndim pas demokratizimit dhe liberalizimit. Argumenti kryesor kundër kësaj do të ishte se Perëndimi e pati provuar tashmë këtë në vitet 1990. Rusia ishte pjesë e G-8ës. NATO-ja dhe BE-ja u angazhuan me Rusinë. Ka marrë ndihma. Megjithatë, ndërsa Rusia u bë më e pasur, ajo u bë më agresive. Sa më shumë të integrohej me Perëndimin, aq më efikase bëheshin aktivitetet e saj keqdashëse ndaj Perëndimit.

Vladimir Kara-Murza: Këtu nuk pajtohem në thelb, sepse i gjithë problemi është se Perëndimi nuk e bëri këtë në vitet 1990. Po, pati disa hapa simbolikë, si G-8, që është vetëm një takim i nivelit të lartë. Por, ndryshe nga vendet e tjera të ish-Traktatit të Varshavës, Rusisë në vitet 1990 nuk iu ofrua kurrë një perspektivë e asaj që unë do ta quaja integrim të nivelit të parë evropian, ose atlantik, me përfitime të prekshme, si tregtia e lirë, udhëtimi pa viza dhe garancitë e përbashkëta të sigurisë.

Zëri i Amerikës: Por këto duan kohë. Ukrainës ende nuk i është ofruar anëtarësimi në NATO…

Vladimir Kara-Murza: Por problemi është se këto hapësira që shfaqen janë vetëm të shkurtra. Ato zgjasin disa muaj në rastin më të mirë dhe Perëndimi e humbi atë mundësi në Rusi në fillim të viteve 1990. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri.

Në vitin 1943, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po vazhdonte, qeveria e Shteteve të Bashkuara hartoi Planin Morgenthau për Gjermaninë e pasluftës. Bëhej fjalë për copëtimin, de-industrializimin, poshtërimin dhe në thelb shkatërrimin e Gjermanisë si një shtet funksional. Duke patur parasysh tmerret e bëra në kohën e luftës, emocionalisht ishte shumë e kuptueshme. Megjithatë, udhëheqësit e vendeve aleate perëndimore e kuptuan se nuk mund ta bazonin politikën strategjike afatgjatë mbi emocionet. Pra, Plani Morgenthau u braktis në favor të Planit Marshall, i cili ishte pikërisht e kundërta: të rindërtohej dhe vetëm rindërtohej Gjermania e pas luftës, për ta bërë atë një ekonomi tregu të suksesshme dhe një demokraci funksionale liberale.

Zëri i Amerikës: A duhet të ndodhë kjo përpara apo pasi Rusia të paguajë dëmshpërblimet për shkatërrimin e Ukrainës?

Vladimir Kara-Murza: Duhet të ndodhë njëkohësisht. E vetmja mënyrë për të siguruar paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë afatgjatë në kontinentin evropian është me një Rusi demokratike. Nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë tjetër.

Intervista- Corn: Putini mund të përdorë Dodikun dhe aleatët për të destabilizuar Ballkanin

Glenn Corn, Institute for World Politics, USA

 

Predrag Zvijerac

Mendoj se duhet të pranojmë, nëse asgjë tjetër, ne në Amerikë, që rusët tashmë u kanë shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shumë mënyra që konsiderohen akte lufte. Konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, konflikti është edhe këtu në Ballkan, në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, në mbarë botën.

Uashingtonit do t’i duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe burime kësaj. Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj ukrainasve, por edhe aleatëve tanë në Ballkan.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë (REL) Glenn Corn, profesor në Institutin amerikan për Politika Botërore (IWP) në Uashington, i cili mori pjesë në Konferencën e sigurisë në Sarajevë, e organizuar nga Instituti New Lines për Strategji dhe Politika.

Corn, ish-drejtues i lartë në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), i cili kaloi 34 vjet në komunitetin e inteligjencës dhe atë diplomatik, duke punuar në Rusi, Turqi, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, konsideron se rajoni i Ballkanit Perëndimor “është ende një fuçi baruti”.

“Mendoj se Putini mund të përdorë zotin (presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad) Dodik dhe aleatët e tij, bashkëpunëtorët e tij ose bashkëpunëtorët e mundshëm për të destabilizuar situatën këtu dhe për të larguar vëmendjen nga rajonet e tjera”, vlerëson Corn.

Duke folur për politikën drejtpeshuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mes Lindjes – përfshirë Rusinë – dhe Perëndimit, Corn thotë se në Perëndim shpesh harrojnë se duhet të ofrojnë një alternativë.

“Nuk mund vetëm t’u thuash njerëzve të mos punojnë me rusët, kinezët apo ndonjë vend tjetër”, tha Corn në intervistën për REL-in.

Ai thotë se Moska po bën luftëra hibride, duke përdorur ato që ai i quan “masa aktive” që përfshijnë propagandën, ndikimin politik, likuidimet, sabotimet, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe SHBA.

“Moska i ka bërë të gjitha këto në Ukrainë përpara se të fillonte pushtimin”, thotë Corn, i cili shërbeu si i dërguar i lartë i presidentit të SHBA-së për çështje të inteligjencës dhe sigurisë.

Glenn Corn

Glenn Corn

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, sa efektive është përgjigja e deritashme e Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës?

Glenn Corn: Sapo jam kthyer nga Ukraina ku kalova dhjetë ditë. Vullneti i popullit ukrainas për të vazhduar t’i rezistojë përpjekjeve të Rusisë për t’i vënë nën vullnetin e Moskës, është shumë mbresëlënës. Mendoj se ukrainasit do të vazhdojnë rezistencën e tyre për të mos iu nënshtruar vullnetit të Moskës. Kjo është shumë mbresëlënëse.

Ukrainasit kanë shumë merita, jo vetëm për mbrojtjen e Ukrainës, por edhe Perëndimin – duke përfshirë këtë rajon dhe këtë vend (Bosnje dhe Hercegovinën), i cili është objektivi i radhës në linjën e sjelljes dashakeq ruse, nëse kanë sukses në Ukrainë. Ne, gjithashtu, duhet të shohim se çfarë do të bëjnë rusët më pas këtu në Evropë, cili është qëllimi i tyre i ardhshëm nëse ata do jenë të suksesshëm në Ukrainë.

Sa i përket ndihmës perëndimore për Ukrainën, mendoj se është efektive në shumë fusha.

Ukrainasit përballen edhe më tej me kufizime se si mund ta përdorin këtë ndihmë. Mendoj se kjo i pengon ata në arritjen e një varg qëllimesh të tjera. E di që ka diskutime të shumta në Uashington dhe Bruksel se si të kapërcehen këto dallime, veçanërisht për faktin se ukrainasit duan të punojnë me ndihmën ushtarake nga Perëndimi.

Shpresoj që këto dallime të kapërcehen së shpejti, deri në fund të këtij muaji. Mendoj se për këtë do të diskutohet në takimin mes presidentit (të SHBA-së Joseph) Biden dhe presidentit (të Ukrainës, Volodymyr) Zelensky, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Shpresoj se kufizimet (për përdorimin e armëve me rreze të gjatë) do të hiqen dhe se ukrainasve do t’u jepet më shumë hapësirë për të bërë më shumë nga ato që duhet të bëjnë ushtarakisht, në mënyrë që të ndalojnë agresionin rus.

Përveç ndihmës ushtarake, Perëndimi duhet të fokusohet më shumë në ndihmën në sektorin e energjisë. Infrastruktura energjetike e Ukrainës është rrënuar nga sulmet ruse. Ukraina ka nevojë për marrëveshje për rindërtimin e infrastrukturës. Kjo ndihmë është duke ardhur edhe tash, por ukrainasit kanë nevojë për më shumë dhe ata kanë nevojë për atë ndihmë sa më shpejt të jetë e mundur.

Në Perëndim përballemi me shumë burokraci dhe hezitime. Kur flasim për ndihmën financiare, kompanitë amerikane dhe evropiane duhet qysh sot ta ndihmojnë Ukrainën. Ky është çelësi për të ardhmen afatgjatë të Ukrainës – investimet private, jo që qeveritë të ndihmojnë qeverinë, por bizneset t’i ndihmojnë bizneset.

Radio Evropa e Lirë: A do të përpiqet Kremlini ta zgjerojë këtë konflikt përtej kufijve të Ukrainës?

Glenn Corn: Duhet të pranojmë se Rusia tashmë e ka përhapur këtë konflikt përtej kufijve të Ukrainës. Kjo nisi edhe para Ukrainës, në Gjeorgji dhe Moldavi.

Mendoj se pikëpamja ruse është se ata kanë qenë në luftë me Perëndimin për të paktën dhjetë vjet, nëse jo më gjatë, që nga vitet 1990. Në ato vite, mbase ka ekzistuar shansi që njerëzit që udhëhoqën Rusinë në vitet 1990 të mos kenë menduar se ishin në konflikt me Perëndimin. Kjo ndryshoi kur (Vladimir) Putin erdhi në pushtet.

Në thelb, ne jemi në luftë në shumë nivele. A do të përhapet lufta? Shumë njerëz sot janë të shqetësuar nëse do të përdoren armë bërthamore. Ata pyesin se cili është niveli tjetër i luftës.

Mendoj se duhet të pranojmë, nëse askund tjetër, ne në Amerikë, që rusët tashmë i kanë shpallur luftë SHBA-së në shumë mënyra që konsiderohen veprime lufte.

Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këtë, çfarë roli luan siguria energjetike në Evropë? Vendet e Ballkanit Perëndimor varen nga energjia ruse, Bosnja dhe Hercegovina blen gaz ekskluzivisht nga Gazpromi?

Glenn Corn: Siguria energjetike është absolutisht kritike. Këtë e dinim edhe para shkurtit të vitit 2022. Në Uashington kishte shqetësime se si Rusia do të përdorte varësinë e vendeve të tjera nga nafta, gazi dhe energjia ruse, si do ta manipulonte atë dhe do t’u diktonte vendeve se si të pozicionoheshin.

Turqia u përball me këtë problem dhe ai është ende sfidë për atë vend. Moldavia përballet me të njëjtin problem. Kjo është sfidë edhe për vendet e Ballkanit.

Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për varësinë nga energjia ruse.

Nëse Rusia do t’i trajtonte fqinjët e saj si një vend normal, biznesi do të vazhdonte dhe nuk mendoj se do të ishte një kërcënim.

Për sa kohë që Rusia përpiqet të manipulojë dhe të përcaktojë se si duhet të jetojnë vendet e tjera, është e rrezikshme si për Perëndimin ashtu edhe për ato vende.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë hapash duhet të ndërmarrin SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja, Perëndimi në përgjithësi, për të forcuar lidhjet me Ballkanin Perëndimor në dritën e veprimeve që vijnë nga Moska? Si munden aleatët perëndimorë t’i kundërshtojnë ndikimet indirekte të ashtuquajtura “proxy” [luftërat mes shteteve më të forta që zhvillohen në shtete tjera} në këtë rajon?

Glenn Corn: Unë mendoj se SHBA-ja duhet të pranojë se mbase jemi në luftën e tretë botërore. Ne duhet t’i dedikojmë burimet tona për ta menaxhuar atë konflikt. Kjo do të thotë se duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje dhe të investojmë më shumë.

Konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, është edhe këtu në Ballkan, është edhe në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, në mbarë botën. Madje edhe në Amerikën e Jugut.

SHBA-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje gjithë asaj që po ndodh dhe të investojë më shumë në luftën kundër ndikimit malinj të Rusisë dhe aleatëve të saj.

Nëse flasim veçmas për Ballkanin, duhen më shumë investime dhe më shumë përfshirje në proceset në këtë rajon.

Mendoj se SHBA-ja po përpiqet të bëjë gjithçka që mundet, ashtu si Bashkimi Evropian, por shumë burime janë shpërndarë, prej vitesh, në shumë drejtime.

Këtu kemi pasur luftëra në vitet 1990. Kemi Lindjen e Mesme, Irakun, Afganistanin, kemi pasur atë që quhej luftë globale kundër terrorizmit dhe tani kemi një pushtim të plotë rus të Ukrainës.

Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj ukrainasve, por edhe aleatëve tanë në Ballkan. Për këtë do të nevojitet shumë më tepër vëmendje në Uashington, angazhim më të mirë dhe më shumë resurse.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, është takuar me liderin rus, Putin, pesë herë që nga shkurti i vitit 2022, dhjetë herë që nga aneksimi rus i Krimesë më 2014. Çfarë përfaqëson Dodik për Putinin dhe çfarë mund të bëjë Putin përmes Dodikut për të dëmtuar Perëndimin?

Glenn Corn: Unë nuk jam ekspert për Ballkanin, por mendimi im është se ky rajon është ende një “fuçi baruti”.

Falë Zotit, sot jemi ulur në një hotel në një qytet që në vitet 1990 u përball me tmerrin, me të cilin po përballen sot ukrainasit. Ju u granatuat nga kodrat. Të gjithë jemi mjaft të vjetër për të kujtuar imazhet e masakrës së njerëzve në rrugë (të Sarajevës). Falë Zotit, u ndalua!

Megjithatë, të gjithë e dimë se situata këtu është shumë e ndjeshme.

Mendoj se Rusia mund të përdorë z.Dodik dhe aleatët e vet, bashkëpunëtorët e vet ose bashkëpunëtorët potencialë për të destabilizuar situatën këtu dhe për të larguar vëmendjen nga rajonet e tjera.

Kur i kthehemi 7 tetorit të vitit të kaluar, që ishte një ditë e tmerrshme për të gjithë botën, mendoj se Rusia është i vetmi vend që kishte përfitim nga ajo që bëri Hamasi (të cilin SHBA-ja dhe BE-ja, ndër të tjera, e konsiderojnë organizatë terroriste) – sulmi masiv terrorist në Izrael.

Ai largoi vëmendjen nga ajo që po ndodhte në Ukrainë.

Mendoj se ne, si SHBA, duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për vende të tjera ku Putini mund të kërkojë një shans për të krijuar kaos, shkatërrim, në mënyrë që të largojë presionin nga Moska dhe lufta konvencionale që po bën në Ukrainë.

Putini mund të përdorë aleatët e tij, bashkëpunëtorët e tij, për të destabilizuar këtë rajon.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili drejtpeshon ndërmjet Lindjes – Kinës dhe Rusisë, dhe Perëndimit – BE-së dhe SHBA-së? Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, mbështet sovranitetin e Ukrainës, blen avionë ushtarakë francezë, dakordon shitjen e litiumit në Gjermani, shet miniera dhe fabrika te kinezët, arabët ndërtojnë “Beogradin mbi ujë”, dakordon me dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, ndërtimin e një kompleksi banesor-afarist dhe të ngjashme.

Glenn Corn: Nuk do të doja të gjendesha në një situatë të tillë. Besoj se serbët e dinë mirë se rusët nuk janë partnerë të besueshëm, se Rusia është një vend me të cilin ata mund të ecin në shtigje të gjata. Është një drejtpeshim ndërmjet interesave të shumta në atë vend. Rusia ka ndikimin e saj në Serbi dhe mendoj se ne të gjithë e dimë shumë mirë këtë.

Mendoj se Qeveria e Serbisë po përpiqet me të gjitha forcat të ecë në këtë tel të hollë. Mendoj se pyetja e vërtetë është se si ne, si SHBA dhe BE, do të përfshihemi dhe çfarë alternativë do të ofrojmë.

Ajo që ne shpesh harrojmë në Perëndim është se duhet të ofrojmë një alternativë. Nuk mundeni vetëm t’u thoni njerëzve që të mos punojnë me rusët, kinezët apo ndonjë vend tjetër dhe të mos u ofrosh atyre një alternativë.

Secila qeveri duhet të kujdeset për njerëzit e saj, mirëqenien dhe ekonominë e tyre. Nëse keni vende që vijnë dhe ofrojnë ndihmë, ndërkaq ju nuk mund të ofroni diçka konkrete për ta kundërshtuar këtë, nuk do të arrini asgjë dhe nuk do të jeni në gjendje të drejtoni politikën e jashtme në mënyrë efektive.

Çështja është se sa mund të jemi ne më gjithëpërfshirës dhe më të vëmendshëm, dhe shpresoj se mund ta bëjmë këtë për një periudhë më të gjatë kohore sesa oponentët tanë.

Radio Evropa e Lirë: Shpesh flitet për luftën hibride. Çfarë taktikash hibride të luftës përdor Rusia në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor?

Glenn Corn: Rusët i quajnë “masa aktive”. Propaganda, ndikimi politik, likuidimet, sabotimet përdoren jo vetëm këtu në Ballkan, por edhe në Evropë dhe SHBA. Fushatat e dezinformimit ishin shumë të fuqishme, duke nisur në fillim të viteve 2000, si vazhdimësi e asaj që pamë në kohët sovjetike.

Moska e ka bërë dhe e bën këtë kryesisht në vendet që i konsideron brenda të ashtuquajturës sferë e influencës ruse, kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj. Pas vitit 2012 u përhap në të gjithë botën, duke përfshirë SHBA-në dhe Evropën. Ne kemi parë përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Në Mal të Zi pamë përpjekjen për të rrëzuar Qeverinë. Kemi parë likuidime dhe tentativa likuidimi. Ne kemi parë prova të besueshme të tentativave për sulme ndaj depove të armëve në Evropë. Shembulli i fundit ishte gjatë Lojërave Olimpike në Paris. Dikush u përpoq të sabotonte hekurudhën.

Në Ukrainë e bënë këtë përpara se të fillonin pushtimin. Fillimisht nisën me fushata dezinformuese, pastaj kaluan në ndikimin politik brenda shoqërisë ukrainase, brenda Qeverisë dhe duke përdorur kishën, duke shfrytëzuar korrupsionin.

Kemi pasur likuidime dhe tentativa për likuidime të zyrtarëve ukrainas që i konsideronin antirusë. Kemi pasur tentativë për të helmuar kandidatin për president. Ishim dëshmitarë të sulmeve kibernetike.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët zgjedhjet presidenciale. Në nëntor janë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Shumë analistë besojnë se – kushdo që fiton – fokusi i SHBA-së do të zhvendoset edhe më shumë në Paqësor dhe veçanërisht në Kinë. A mund të bashkëpunojnë Kina dhe SHBA-ja apo do të shohim ndonjë konflikt, veçanërisht rreth Tajvanit?

Glenn Corn: Mendoj se kinezët nuk duan një luftë me Tajvanin dhe më me qejf do të dëshironin të shihnin skenarin e Hong Kongut.

Sa i përket fokusit të Amerikës në Azi, SHBA-ja është një shtet që përmes bregut perëndimor del në Oqeanin Paqësor. Ekonomia jonë është e integruar në atë kineze po aq sa ajo kineze është e integruar në atë amerikane.

Ne kemi lidhje të forta tregtare, pavarësisht rivalitetit politik dhe diplomatik. Sa i përket Kinës, nuk jam veçanërisht i shqetësuar, por nëse do të konkurrojmë me Kinën, duhet ta bëjmë në të gjithë botën.

Le të kujtojmë se çfarë ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë dhe se si presidenti Ronald Reagan zgjidhte çështjet me Bashkimin Sovjetik.

Politika e tij ishte se ne nuk mund të fokusoheshim vetëm te Bashkimi Sovjetik. Aleanca ishte një sfidë për Perëndimin dhe për vlerat dhe idealet perëndimore. Reagani konsideronte se SHBA-ja duhet t’i përgjigjet sfidave në çdo pjesë të botës, qoftë nëse bëhej fjalë për Afrikën, Amerikën e Jugut apo Azinë.

Këtë duhet ta bëjmë edhe sot. Kinezët janë sfiduesit dhe ne duhet të jemi gati të konkurrojmë me ta me produkte dhe shërbime më të mira. Unë mendoj se kompanitë perëndimore mund ta bëjnë këtë, por ne duhet të punojmë më shumë, sepse kinezët kanë treguar se mund të jenë efektivë.

Rusia është më shumë një kërcënim momental. Moska është e gatshme të përdorë forcën vdekjeprurëse për t’u diktuar vendeve të tjera dëshirat e saj dhe ajo po kërcënon aleatët tanë.

Nuk mund ta injorojmë këtë. Ne duhet të shohim se cilët janë aleatët tanë dhe cilët janë aleatët tanë potencialë, si kë do të mund të tërheqim në anën tonë për të qenë partnerët tanë.

Nuk është më 1991 dhe SHBA-ja duhet ta trajtojë luftën botërore. Dhe, ne kemi nevojë për aleatë të fortë. Kjo ndonjëherë nënkupton aleatë që marrin vendime të pavarura nga Uashingtoni.

Unë gjithmonë jap shembullin e Turqisë, e cila është një vend i rëndësishëm, shumë i fuqishëm në shumë sfera. Por, turqit marrin vendime si komb sovran dhe për të mirën e tyre, dhe ato vendime nuk janë gjithmonë në përputhje me interesat e SHBA-së. Por, ne duhet të jemi të durueshëm dhe të kujtojmë vlerën e përgjithshme të aleancës sonë. Mendoj se Turqia është aleatja jonë.

Radio Evropa e Lirë: Turqia dëshiron të anëtarësohet në BRICS. A është e mundur të jesh në një aleancë me Rusinë dhe në të njëjtën kohë të jesh anëtar i NATO-s?

Glenn Corn: Nuk mendoj se kjo nuk është zgjedhje ekskluzive. Ne duhet t’i ofrojmë Turqisë më shumë dhe t’i tregojmë asaj ku janë përfitimet e të qenët aleati ynë.

Mendoj se ata e dinë këtë, por duhet t’ua përkujtojmë ndonjëherë. Ju përmendët se sa herë është takuar Dodik me Putinin. Mendoj se ndaj çështjeve të tilla duhet të tregojmë më shumë vëmendje, në një nivel më të madh.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Intervista- Mëniku: Gjuha dhe kultura shqipe të jenë përparësi kombëtare

VOA/Klementina Cenkollari

Pedagogia dhe autorja e librave të gjuhës shqipe Linda Mëniku thotë se gjuha dhe kultura shqipe duhet të jenë përparësi kombëtare, pasi po përballen me sfida të shumta. Ajo thotë se një pjesë e gjuhës shqipe rrezikon të zhduket dhe njëkohësisht zhvillimi I teknologjisë dhe përdorimi i gjerë i anglishtes po ndikon në mënyrë të pashmangshme shqipen. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo vë në dukje se për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe duhet vepruar si në rrugë institucionale nga autoritetet shtetërore, por edhe nga gjuhëtarët, duke mobilizuar forcat arsimore dhe shkencore, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Zëri Amerikës: Faleminderit për ketë bisedë në Zërin e Amerikës

Linda Mëniku: Shumë faleminderit juve për ftesën. Nëse më lejoni do doja t’ju shprehja falenderimet e mia për mundësinë që më dhatë, përtej të imagjinueshmes që të jap një intervistë në Zërin e Amerikës. Unë jam rritur me familje dhe me njerëz që e kanë dëgjuar në fshehtësi Zërin e Amerikës, kështu që është emocion krejtësisht iveçantë të jem këtu. Falemiderit juve dhe për drejtorin Arben Xhixho për këtë mundësi krejtësisht të veçantë.

Zëri i Amerikës: Gjuha shqipe përballet sot me sfidën e ndikimit nga gjuhët e huaja nga njëra anë dhe nevojës për t’iu përshtatur një realiteti të ri të zhvillimit me shpejtësi të shoqërisë, që dikton gjithashtu mes të tjerash edhe pasurimin e gjuhës shqipe. Si po e përballon gjiha sfide këtë sfidë?

Linda Mëniku: Situata botërore në të cilën ndodhen jo vetëm gjuha shqipe, por edhe gjuhë të tjera është e vështirë, në kuptimin që një pjesë e mirë e gjuhëve, rrezikojnë të zhduken. Nga 7 mijë gjuhë që ka sot bota mendohet se deri në vitin 2100, 3 mijë prej tyre do të zhduken. Dhe në këtë kuadër gjuhësh ka dhe gjuhë të tjera që janë të rrezikuara siç janë arbërishtja apo arvenitishtja, unë nuk po i hy diskutimeve nëse janë gjuhë apo dialekte, pra ne kemi një pjesë të gjuhës sonë e cila rrezikon të zhduket. Kështu që është një nga problemet. Problemi i dytë që ka lidhje me zhvillimin e teknologjisë në nivel botëror është përballja me një mori idesh, konceptesh, objektesh të reja, të cilat hyjnë në mënyrë shumë të shpejtë në gjuhë dhe me këtë situatë përballen të gjitha gjuhët. Si po përballet gjuha shqipe? Unë mendoj se kemi dy marrëdhënie me shqipen, një marrëdhënie të institucioneve shtetërore për të patur një vëmendje më të shtuar ndaj gjuhës shqipe dhe një situatë e cila lidhet me punën që bëjnë gjuhëtarët, studiuesit, në lidhje me identifikimin e problemeve dhe dhënien e propozimeve për të gjetur zgjidhje. Cila është situata konkrete? Shqipja ndodhet në trysninë e fjalëve të huaja, sidomos nga gjuha angleze. E kemi thënë shumë herë që gjuha angleze është sot “lingua franca” e botës moderne dhe ndikimi i saj në të gjitha gjuhët, është krejtësisht i pashmangshëm. Por ajo që duhet të bëjë Shqipëria, është që të ndjekë modelet e shteteve të vogla si ne të cilat kanë gjetur një zgjidhje për të pasur përparësi kombëtare gjuhën e tyre amtare.

Do të përmendja këtu një vendim që ka marrë qeveria sllovene, ata kanë 20 vitet e fundit një akt publik të përdorimit të gjuhës së tyre në të gjitha institucionet publike dhe në të gjitha faqet e internetit dhe se fundmi e kanë çuar edhe më tej këtë vendim duke përcaktuar që të gjitha sistemet operacionale të pajisjeve elektronike që do të përdoren në Slloveni do të jenë në gjuhën sllovene.

E përmenda këtë për të thënë që qeveria shqiptare mund të ketë një ndikim shumë më të madh për t’i dhënë gjuhës shqipe rëndësi dhe për të ndihmuar shtetasit shqiptarë që të kenë mundësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, pasi ne duhet të jemi realist se nëse teknologjia vjen, pajisjet vijnë dhe të gjitha sistemet janë në gjuhë të huaj, njerëzit do të duhet të mësojnë gjuhë të huaja apo të përdorin një terminologji të huaj. Kjo është një çështje të cilën e kemi diskutuar shpesh, ka fjalor të huazimeve që janë futur në gjuhën shqipe, shpesh herë është diskutuar për një ligj për gjuhën shqipe, gjërat nuk zgjidhen me ligje gjuhësore, por zgjidhen me një vëmendje të shtuar. Sllovenët po parashikojnë ndëshkime me gjobë për ata që realizojnë këtë gjë deri në shifra shumë të mëdha dhe nga ana tjetër edhe progamet “Siri” apo “Alexa” që janë sot programet më të njohura, i kanë propozuar që të jenë në gjuhën sllovene. E njëjta gjë mund të bëhet me gjuhën shqipe, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të kenë në përdorim gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e përdorimit të saj, si në familje, si në institucione, apo edhe në marrëdhënie me teknologjinë.

Zëri i Amerikës: Me përdorimin e gjerë të rrjeteve sociale është vënë re se gjuha shqipe shkruhet dhe flitet keq. Çfarë mund të bëhet në këtë drejtim?

Linda Mëniku: Gjuhëtarët thonë që kjo është një periudhe ku problemin nuk e kanë gjuhët, por e ka mungesa e kulturës. Rritja e nivelit kulturor të njerëzve, rritja e përmirësimit të të folurit publik, të politikanëve shqiptarë, të drejtuesve të shtetit, të të gjitha institucioneve të cilat krijojnë në fakt formimin gjuhësor të shqiptarëve do të ishtë një gjë me rëndësi. Unë gjej rastin këtu të falenderoj Zërin e Amerikës, për dy gjëra të mëdha. E para sepse përgjatë viteve të errëta të komunizmit ka qenë një burim shprese, ka qenë drita në fund të tunelit dhe ka qenë jo vetëm përçuesi i vlerave demokratike të shtetit amerikan, por edhe ka ndikuar në formimin gjuhësor të shqiptarëve. Si ka ndikuar? Shqiptarët ishin mësuar me një terminologji gjuhësore të ngurtësuar, të lidhur vetëm me sistemin e kohës dhe e gjithë terminologjia që Zëri i Amerikës përçonte, formimi gjuhësor i shqiptarëve ishte mbi një gjë krejtësisht të re, gjë që ndihmoi një pjesë të mirë të atyre shqiptarëve që ndiqnin Zërin e Amerikës që të ishin të njohur me këto terma dhe t’i përdornin lehtësisht me pas në vitet e demokracisë, në vitet e para të tranzicionit.

Nga ana tjetër, ruajtja dhe përdorimi i gjuhës në mënyrë të saktë dhe duke përdorur pasurinë leksikore të gjuhës shqipe është shumë i rëndësishëm. Ajo që vihet re sot është një mosnjohje e leksikut të shqipes. Shqipja nuk është gjuhë e varfër, sikurse shpesh herë përpiqen ta paraqesin, por mos njohja, pra padija, bën që njerëzit të përdorin një fjalor të kufizuar. Media, si pushtet i katërt do të duhet që të ndikonte në këtë. Ajo që unë vë re me shumë keqardhje është që në periudhën e fundit, me gjithë ndryshimin e teknologjisë, një pjesë e mirë e lajmeve të huaja po përkthehen nga gjuhët nëpërmjet përkthimeve që janë tashmë me sistemet e reja të përkthimit. Është e dukshme mungesa e një përkthyesi njerëzor. Njeriu nuk mund të zëvendësojë dot kurrë programet. Prandaj shteti këtu ndërhyn me ndikimin e madh në përmirësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në administratë, mund të ndikojë nëpërmjet Autoritetit të Mediave Audiovizive, që e bëjnë, por mund ta bëjnë në mënyë më të shtuar, që mediat të kenë një vëmendje shumë të të theksuar te gjuha shqipe.

Zëri i Amerikës: Ju thatë pak më parë se gjuha shqipe nuk është e varfër, megjithatë ajo ka nevojë të pasurohet. Si mund të bëhet kjo?

Linda Mëniku: Këtu është ndikimi i institucioneve gjuhësore, pra duhet të gjitha forcat arsimore, të gjitha forcat shkencore të cilat merren me gjuhën dhe kulturën shqiptare të ndërveprojnë. Ne nuk mund të punojmë mirë nëse jemi qendra të izoluara, sigurisht ka një ndërvperim shumë të madh mes Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, mes shqiptarëve që janë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sigurisht dhe shqiptarëve në Mal të Zi, por do të ishte mirë që për punë të mëdha të nivelit kombëtar të përfshiheshin të gjitha forcat shkencore. Dikur kanë qenë shumë të zhvilluara departamentet që merreshin me pasurimin e fjalëve të reja. Unë mendoj që duhet të punësohen më shumë njerëz që të merren me pasurimin e fjalëve të reja pasi duhet të ketë institucione shtetërore të cilat të njoftojnë publikun për hyrjen e fjalëve të reja, për mënyrën se si shkruhen, për mënyrën si përdoren, për kuptimet e tyre, gjë e e bëjnë insitucionet të caktuara në shtete më të zhvilluara, ku rasti më esktrem është akademia franceze me ata që njihen si të pavdekshmit apo mbrojtësit e gjuhës frënge.

Zëri i Amerikës: Përveçse pedagoge e gjuhës shqipe dhe mjaft e angazhuar në fushën e veprimtarisë gjuhësore, ju prej vitesh jepni mësim të gjuhës shqipe edhe në Universitetin e Arizonës. Këtë vit Instituti i Gjuhëve Kritike në Universitetit e Arizonës shënoi 20 vjetorin e mësimdhënies në shqip. Vazhdon të ketë iteres për gjuhën shqipe dhe cilave fusha u përkasin më së tepërmi studentët tuaj?

Linda Mëniku: Vëmendja është e ndryshme ne vite të ndryshme. Unë do të thosha që gjatë periudhës së pandemisë kishim një numër më të madh njerëzish të interesuar që ishin profesionistë të fushave të ndryshme, profesore universiteti, fitues të bursës Fulbright, familjarë që kanë lidhje me Shqipërinë. Vitin tjetër kursi do të jetë online, do të kthehet sërish në një format ndryshe dhe ndoshta do të tërheqë edhe më shumë njerëz të cilët janë të interesuar për gjuhën shqipe për arsye nga më të ndryshmet. Mua më vjen shumë mirë që kurset e gjuhës shqipe i kanë dhënë mundësi dhe specialistëve shqiptare, me origjinë shqiptare, por që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të përdorin aq njohuri sa mund të marrin nga kurse të tilla për studimet e tyre të mëtejshme. Ka shqiptaro-amerikanë që sot janë në pozicione shumë të rëndësishme në universitetet amerikane dhe puna e tyre kërkimore lidhet ngushtë me Kosovën, me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut, prandaj këto kurse kanë ndihmuar këtë kategori për të bërë studimet e tyre dhe për të sjellë risi. Ka patur studiues të cilët janë marrë me sistemin komunist, situatën traumatike të shqiptarëve dhe të tjerë. Interesi vazhdon, sa kohë që kursi vazhdon që të ofrohet, kështu që nëse shqiptarët na dëgjojnë, vitin tjetër do të jetë online dhe unë uroj shumë që të ketë edhe më shumë të interesuar.

Zëri Amerikës: Ju gjendeni në Shtetet e Bashkuara në kuadër të një programi i cili u mundëson të rinjve nga Shqipëria, të jetojnë dhe studiojnë në Shtetet e Bashkuara. Si ka ndikuar ky program tek të rinjtë?

Linda Mëniku: Ky është programi ‘Kennedy-Lugar Youth Exchange & Study’ i njohur si programi YES, program i themeluar dhe i financuar krejtësisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, Zyra për Arsim dhe Kulturë, një program i cili u krijua pas rënies së kullave binjake për të krijuar një marrëdhënie të re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shtete të tjera me popullsi të ndryshme për sa i përket përkatësisë fetare. Në Shqipëri është hapur në vitin 2009, ka me qindra shqiptarë që kanë konkuruar për të fituar një bursë të plotë studimi, për të studiuar 10 muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programe të tilla arsimore, me synimin për të krijuar drejtuesit e së ardhmes në vendin tonë janë shumë të rëndësishëm dhe ata që kthehen nga programi YES kanë dhënë kontrubutin e tyre duke jetuar edhe në Shqipëri, por edhe duke sjellë një mendësi të re. Në këtë kuadër do të doja të theksoja diçka që ka lidhje me gjuhën shqipe. Rinia shqiptare ka nevojë që të movitohet, ka nevojë që të ndihet e përfshirë. Ne folëm për teknologjinë dhe se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe do doja të theksoja një gjë, që të rinjtë shqiptarë mund të përfshihen në proceset e e reja të pasurimit të gjuhës shqipe nëpëmjet teknologjisë. Ata janë shumë të përparuar në këtë fushë. Do të doja të permendja këtu një konkurs kombëtar që ministria e Arsimit organizon tashmë për disa vitesh për nxënësit e klasave të nënta, ‘Gjuha shqipe në kohën e teknologjisë’, ku të rinjtë realisht kanë sjellë projekte shumë interesante duke I shtuar jo vetëm dashurinë për gjuhën, por duke dhënë dhe një kontribut real.

Motivimi i këtyre njerëzve për të qenë drejtuesit e së ardhmes, për të dhënë kontrubut në shtetin e tyre i bën programet e shkëmbimit shumë të rëndësishëm, por dhe programe të tilla simotra në Shqipëri, shumë të rëndësishëm.

Do doja të falenderoja në mënyrë të veçantë për rolin e ish drejtuesit të Zërit të Amerikës, zotit Elez Biberaj për formimin, për arsimin e të rinjve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi programe të tilla formimi ka dhe në forma të ndryshme dhe në nivele të ndryshme.

Intervista- Sveçla: Aktakuza për Banjskën e anashkalon përgjegjësinë e institucioneve të Serbisë

Sveçla për REL-in: Dora e Serbisë në Kosovë po dobësohet

 

Valona Tela

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.

Ajo, sipas tij, nuk përfshin disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë, “e kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë”.

“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, thotë Sveçla për Radion Evropa e Lirë.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Udhëheqësit e Kosovës kanë fajësuar vazhdimisht udhëheqjen e Serbisë për këtë sulm, edhe pse ajo e ka mohuar përgjegjësinë.

Pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë për rastin, që implikon 45 persona.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Radio Evropa e Lirë: Një vit nga sulmi në Banjskë, si është sot situata e sigurisë në Kosovë?

Xhelal Sveçla: Një vit pas atij sulmi të tmerrshëm terrorist, situata në Kosovë është shumë, shumë më e mirë. Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë – qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe.

Radio Evropa e Lirë: Dëgjojmë vazhdimisht deklarata, përfshirë edhe nga kryeministri Albin Kurti, për kërcënime nga Serbia. Ju, a mund të ndani diçka më shumë me ne?

Xhelal Sveçla: Në vazhdimësi ka informata inteligjente, jo vetëm tonat, por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, se grupe të njëjta – apo për nga numri edhe më të mëdha – vazhdojnë të trajnohen në territorin e Serbisë, përreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më në thellësi.

Kjo patjetër që është një brengë e shtuar për institucionet tona të sigurisë, në kuptimin që jemi të obliguar të parashikojmë e pastaj të parandalojmë çfarëdo tendence për sulme, të cilat do të cenonin integritetin, sovranitetin, sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë.

Në të njëjtën kohë, kemi në vazhdimësi armatosje të Serbisë, qoftë të ushtrisë apo edhe të njësiteve speciale të policisë së Serbisë, të cilat në të kaluarën kanë provokuar Kosovën dhe e kanë sulmuar Kosovën në një apo mënyrë tjetër.

Armatosja e një vendi, i cili nuk të njeh dhe në aspektin diplomatik dhe retorik të sulmon, është arsye për t’u brengosur, por nuk është arsye as për t’u frikësuar, e as për të hequr dorë nga aspiratat legjitime të popullit tonë, të vendit tonë për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mund të thoni se institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën…

Xhelal Sveçla: Po, institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën dhe mund të them se janë edhe më të përgatitura se më herët, për t’u përballur me çfarëdo skenarësh.

“Kemi dëshmi” që ushtarakët serbë i kanë trajnuar dhe financuar sulmuesit në Banjskë

Radio Evropa e Lirë: Një vit pas sulmit në Banjskë kemi një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila implikon mbi dyzet persona, por vetëm tre prej tyre janë në paraburgim në Kosovë. A prisni ekstradimin e Radoçiqit dhe të tjerëve nga Serbia?

Xhelal Sveçla: Më në fund kemi një aktakuzë që për mua është e vonshme, por edhe e paplotë, duke qenë se ne e dimë që kanë qenë diku rreth njëqind terroristë të kyçur drejtpërdrejt në këtë sulm. Po ashtu, ka qenë evidente organizimi dhe përkrahja nga ana e institucioneve të Serbisë.

Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë.

E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm. Por, për këta tre të parët që i përmenda, tashmë kemi dëshmi që jo vetëm e kanë mundësuar trajnimin e këtij grupi terrorist, por edhe e kanë furnizuar këtë grup terrorist me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë.

Prandaj, po them që kjo aktakuzë është pak e vonshme, por edhe e paplotë.

Megjithatë, unë jam i bindur se duke punuar më shumë, duke u fuqizuar më shumë, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar që ta rrisë presionin ndaj Serbisë, Serbia, herët a vonë, do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët.

Fundi i fundit, sipas ligjeve të Kosovës, gjykimi në mungesë mund të ndodhë dhe pastaj, pas aktgjykimit, këta terroristë do të mund të kërkohen edhe përmes Interpol-it dhe lëvizja e tyre do të kufizohej jashtëzakonisht shumë.

Në të njëjtën kohë, ne duhet të bëjmë që Serbia të paguajë një çmim të shtrenjtë për mosakomodimin e kërkesave legjitime të drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni që nuk janë përfshirë këto dëshmi që ju i përmendët në aktakuzë?

Xhelal Sveçla: Unë besoj se kjo është pyetje për Prokurorinë Speciale. Unë, duke qenë se i kam parë dëshmitë, jam i bindur… por edhe profesionistë të fushave juridike e të sigurisë e ngrenë të njëjtën çështje: pse me këtë aktakuzë, në njëfarë mënyre apo tjetër, anashkalohet përgjegjësia e individëve dhe institucioneve të Serbisë në këtë sulm terrorist?!

“Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar”

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se bashkësia ndërkombëtare po i bën mjaftueshëm thirrje Serbisë për ekstradimin e të pandehurve?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk shoh ndonjë presion të veçantë. Thirrje ka, por përderisa këto thirrje mbesin deklarative, ato nuk do të përmbushen nga Vuçiqi. Mendoj se Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar, ta ndiejnë personalisht presionin ndërkombëtar, në mënyrë që ata t’i nënshtrohen kësaj kërkese legale.

Megjithatë, unë jam pak skeptik, sepse jam i bindur se ky sulm ka ndodhur nën tutelën e Vuçiqit, që të mos them nën organizimin e drejtpërdrejtë të tij.

Radio Evropa e Lirë: Që nga sulmi në Banjskë, policia e Kosovës ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës, por ajo që dëgjojmë janë ankesat e pjesëtarëve të komunitetit serb për, siç thonë ata, diskriminim. Nga disa anketa që kemi zhvilluar ne në atë zonë të Kosovës, kemi kuptuar po ashtu se besimi i tyre në policinë e Kosovës mungon. A e keni diskutuar këtë çështje brenda institucionit tuaj dhe a jeni duke bërë diçka për ta ndryshuar këtë situatë?

Xhelal Sveçla: Patjetër se një situatë, ku siguria është e brishtë, nuk është e dëshirueshme për asnjë qytetar. Megjithatë, shumica e qytetarëve, me të cilët ne bashkëbisedojmë, e pranojnë faktin se ndihen shumë më të sigurt tash, kur ka rend dhe ligj, sesa në kohën kur në atë zonë mbretëronin bandat.

Në asnjë shoqëri, në asnjë vend nuk besoj se qytetarët e zakonshëm do të dëshironin të jetonin nën shtypjen e bandave të ndryshme, të cilat qëllim primar dhe të vetëm kanë interesat e tyre, qoftë personale, qoftë klanore.

Tash, për sa i takon besueshmërisë në polici, shifrat që i kemi ne – në raport apo në krahasim me bashkëveprimin me policinë e Kosovës përpara dorëheqjes së ish-policëve – flasin ndryshe. Paraqitjet e rasteve të veprave të ndryshme kriminale nga qytetarët serbë atje, drejtuar policisë së Kosovës për asistencë dhe për të siguruar drejtësi e barazi, janë shumë më të larta sesa më herët.

Unë besoj se ka ende hapësirë për të biseduar me qytetarët atje, qoftë kabineti im, qoftë policia, qoftë ministritë tjera apo edhe organizatat tjera, vendore e ndërkombëtare. Po punojmë në këtë drejtim.

Pengesë në vazhdimësi është Serbia dhe elementet e saj në atë zonë, të cilat i kërcënojnë qytetarët që bashkëveprojnë dhe punojnë me institucionet e Republikës së Kosovës. Do të thotë, në njërën anë, eksponentë të Serbisë ankohen sesi qytetarët atje nuk i marrin shërbimet e nevojshme, e, në anën tjetër, i kërcënojnë ata qytetarë që ndërveprojnë me institucionet e Kosovës.

Kjo po zbutet tashmë. Dora e zgjatur e Serbisë është duke u dobësuar. Një pjesë e kriminelëve janë në burg, një pjesë janë në arrati.

Patjetër, duhet ende angazhim e ndoshta duhet ende kohë që të ketë një besim të ndërsjellë mes qytetarëve dhe policisë sa i takon përditshmërisë, sigurisë, paraqitjes së rasteve të shkeljeve të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ka pjesëtarë të komunitetit serb që besojnë se Qeveria e Kosovës po përdor policinë për t’i integruar “me dhunë”… Për këtë ka tërhequr vërejtjen edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, duke thënë se “policia po instrumentalizohet” për hir të veprimeve të pakoordinuara. Cili është komenti juaj?

Xhelal Sveçla: Unë besoj se duhet t’i integrojmë të gjithë pjesëtarët e shoqërisë në Kosovë, pavarësisht se cilit grupacion i takojnë apo cilës etni i takojnë. Por, po ashtu, duhet t’i minimizojmë ndikimet negative apo presionin që qytetarët kanë nga ata që janë kundër integrimit.

Nuk mund të kesh integrim të qytetarëve kur ata ndihen të kërcënuar nga tjetërkush.

Ne kemi punuar shumë që sa më shumë të rinj e të reja nga komuniteti serb të inkuadrohen në radhët e policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, jo vetëm ne, por edhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë e jashtë kanë shumë dëshmi të presionit të jashtëzakonshëm kriminal të Serbisë, drejtuar këtyre individëve, për të parandaluar dhe për të pamundësuar hyrjen e tyre në polici. Kjo është e dëmshme, por tashmë, deri diku, edhe e pasuksesshme, sepse radhët e serbëve në policinë e Kosovës po shtohen çdo ditë. Megjithatë, do të duhet kohë që numri i tyre të jetë në kapacitetet e nevojshme.

Në të njëjtën kohë, ne, me çdo mjet, me çdo kusht, mundohemi të parandalojmë çfarëdo keqpërdorimi të autoritetit të policit.

Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje. Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës. Ne bashkëpunojmë ngushtë edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, që bëjnë një lloj monitorimi të situatës atje, por edhe të sjelljes së policëve tanë.

Dhe, po, e di që ka ankesa, por një pjesë e madhe e tyre janë propagandë e nxitur nga Beogradi.

Policët që kanë dhënë dorëheqje, nuk mund të kthehen

Radio Evropa e Lirë: Si i komentoni thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës? Konkretisht, a do t’i pranoni policët e dorëhequr?

Xhelal Sveçla: Ajo është histori e shkuar. Absolutisht, kjo nuk mund të ndodhë, as nuk do të ndodhë. Sipas ligjeve të Kosovës, në qoftë se dikush jap dorëheqje nga policia, pavarësisht se kush është ai, ekzistojnë procedurat e duhura për ta pranuar atë dorëheqje.

Ne i kemi pritur ata zyrtarë rreth 30 ditë për t’i rishikuar potencialisht vendimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi vazhduar me punën tonë të përditshme. Kemi vazhduar me proceset e rekrutimit të pjesëtarëve të komunitetit serb. Shumë shpejt do ta përmbyllim këtë proces, ku komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në Policinë e Kosovës mjaftueshëm përtej numrave minimalë që i parashohin Kushtetuta dhe ligjet tona.

Radio Evropa e Lirë: E nëse hapni konkurs për rekrutime të reja, a do të mund të kandidojnë ata që kanë dhënë dorëheqje?

Xhelal Sveçla: Po, me kusht që janë nën 30 vjeç dhe nuk kanë të kaluar kriminale.

Sipas ligjeve të Kosovës, çdo i ri apo e re, shtetas i Republikës së Kosovës, mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës nëse është nën moshën 30-vjeçare dhe nëse i plotëson kushtet tjera të parapara, si aftësia fizike, aftësia psikologjike, edukimi i duhur, verifikimi i pastërtisë dhe i së kaluarës kriminale. Kur këto plotësohen, atëherë është e mundshme që dikush të pranohet në Policinë e Kosovës.

“Të gjitha institucionet ilegale do të mbyllen”

Radio Evropa e Lirë: Në fund të muajit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione paralele serbe në veri. A planifikohet mbyllja e tyre në të gjithë Kosovën?

Xhelal Sveçla: Absolutisht është e papranueshme që në Republikën e Kosovës, në territorin e saj të ketë veprimtari që janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Një praktikë e tillë është toleruar tashmë jashtëzakonisht gjatë. Të gjitha institucionet ilegale që operojnë në Kosovë, në një kohë apo tjetër, do ta kenë fatin e njëjtë, sikur ato që tashmë janë mbyllur. Është çështje e përgatitjeve operacionale të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kolegu juaj, ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka thënë se mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore është çështje kohe. A ka ndonjë plan të afërt në këtë drejtim?

Xhelal Sveçla: Sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb në këto dy sfera, përmes qeverisjeve komunale, ka një autonomi më të gjerë. Do të thotë, shëndetësia dhe arsimi kanë disa të drejta shtesë, disa privilegje, të cilat ne nuk jemi të interesuar që t’i prekim, sepse janë edhe në ligj.

Andaj, në këto fusha do të jemi më të kujdesshëm, në kuptimin e përcaktimit të saktë të veprimtarisë së tyre brendapërbrenda ligjeve të Kosovës.

Më herët, unë po flisja për komuna paralele, për shërbime, që nuk parashihet të ofrohen nga askush tjetër, përveç institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Domethënë, spitalet, shkollat nën sistemin e Serbisë do të vazhdojnë të funksionojnë?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk po them nën sistemin e Serbisë. Po them që këto dy shërbime apo këto dy fusha kanë situatë specifike dhe do të trajtohen në mënyrë specifike, ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera, të cilat janë tashmë në proces.

Radio Evropa e Lirë: Tash për tash, a mund të ndani ndonjë detaj se si do të operojnë, si do të koordinohet puna e tyre?

Xhelal Sveçla: Të gjitha këto gjëra janë të parapara me ligj. Krejt çfarë do të bëjmë, është të kërkojmë që ligjet e Kosovës të zbatohen me përpikëri.

Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor, i cili punon në këto komuna. Unë besoj se krejt çfarë nevojitet, është një koordinim i shtuar mes të dyja palëve, në mënyrë që çdo gjë të futet në bazën e ligjshmërisë. E njëjta gjë do të duhej të ishte edhe me sistemin arsimor.

“Nuk ka rrezik” nga hapja e urës

Radio Evropa e Lirë: Aktuale vazhdon të mbetet edhe çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e makinave. A ka ndonjë plan konkret për këtë?

Xhelal Sveçla: Nuk ka asnjë arsye konkrete që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave. Për këtë jemi në dakordancë të plotë edhe me aleatët tanë. E vetmja dilemë është aspekti i sigurisë, domethënë vlerësimi i impaktit të sigurisë në procesin e hapjes së urës.

Mund t’ju them se unë kam një vlerësim bazuar në vlerësimet e institucioneve tona të sigurisë, që është pak më ndryshe se i faktorit ndërkombëtar, sa i takon impaktit të sigurisë në Kosovë.

Për ne, çështja është e kryer, sa i përket asaj se a duhet a nuk duhet të hapet ura. Po bisedojmë. Jemi duke biseduar me të gjithë aktorët legjitimë, që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se do të mund të garantohet siguria e të gjithëve nëse hapet ura?

Xhelal Sveçla: Absolutisht. Unë do të isha kundër hapjes së urës, në qoftë se ne nuk mund ta garantojmë sigurinë e të gjithëve.

Por, unë jam i bindur se institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë mjaftueshëm të pjekura, të fuqishme, të përgatitura e profesionale… Edhe ndihma e misioneve ndërkombëtare, siç janë EULEX-i dhe KFOR-i, garanton që hapja e urës është një hap më se normal, asgjë e jashtëzakonshme apo e rrezikshme. Me këtë, ne nuk rrezikojmë, por patjetër që i mbrojmë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ambasadori amerikan ka paralajmëruar se mund të vihet në rrezik jeta e ushtarëve të KFOR-it…

Xhelal Sveçla: Kjo është një brengë që ai e ka shfaqur publikisht. Ne nuk jemi të interesuar të rrezikojmë as jetën e qytetarëve, as të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, as të pjesëtarëve të EULEX-it, as të pjesëtarëve të KFOR-it e aq më pak të KFOR-it amerikan.

Besojmë se me qasje të duhur dhe me përgatitje të duhur, parandalohet çfarëdo rreziku për të gjithë, përfshirë edhe ushtarët e KFOR-it amerikan, për të cilët kemi një vlerësim të jashtëzakonshëm, qoftë për atë çfarë kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e vazhdueshëm që japin në siguri dhe në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Intervista e rrallë e gazetarit të “New York Times”: Enveri ishte po aq mizor sa Hitleri e Stalini

“Kam pritur 28 vjet, për të marrë një vizë që të prek Shqipërinë”, – ky ka qenë fati i David Binder, gazetarit të njohur të “The New York Times”, i cili, përmes një interviste ekskluzive për “Albania”-n, flet për periudhën 33-vjeçare të karrierës së tij profesionale, si raportues i Shqipërisë dhe i bllokut komunist lindor, në një ndër mediat më prestigjioze të botës. Gazetari që pa me sytë e tij ndërtimin e Murit të Berlinit, në vitin 1961, por që sërish ishte dëshmitar në shembjen e tij dhe përmbysjen e komunizmit, rrëfen se informacionet e para për Shqipërinë, i mori në auditorët e Universitetit të Harvardit.

Në këtë intervistë, Binder tregon për herë të parë se si u njoh me Shqipërinë; raportimet e vazhdueshme të tij për shtetin e izoluar komunist, refuzimin e misionit tonë në OKB, për t’u takuar me të gjatë vitit 1984 dhe, së fundi, takimin me ambasadorin tonë në Beograd, Kujtim Hysenaj, i cili pas më pak se një dekadë, do të bëhej shef i Shërbimit Informativ Kombëtar.

Në pjesën e parë të kësaj interviste që po botojmë, Binder flet për shkaqet që çuan në dështimin e bisedimeve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, në vitin 1973. “Ndoshta ajo kishte të bënte me atakun në zemër që pësoi Enver Hoxha”, – thotë gazetari i njohur i “Times”, disa herë pretendent për “Pulitzer”, një ndër çmimet më të njohur në fushën e gazetarisë në mbarë botën.

Z. Binder, kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë? Kur keni nisur të shkruani për këtë vend?

Unë kam mësuar për herë të parë rreth Shqipërisë, teksa po studioja historinë e Ballkanit, me profesor Robert Lee Wolff, në Universitetin e Harvard-it. Ndërsa nisa të shkruaja rreth këtij vendi, në vitin 1963, kur u vendosa në Beograd, për të punuar si gazetar i “The New York Times”.

Në atë kohë, ishte shumë e vështirë të gjeje informacione për Shqipërinë? Cilat ishin rrugët që keni përdorur, për të marrë të dhëna për shtetin e izoluar komunist? Çfarë kontaktesh keni patur me institucionet shqiptare, misionin diplomatik shqiptar nëpër botë dhe diplomatët e huaj në Tiranë?

Teksa qëndroja në Beograd, unë dëgjoja edicionin anglisht në “Radio Tirana”. Po ashtu, lexoja përkthimet e shtypit shqiptar dhe komentet rreth Shqipërisë, në shtypin jugosllav. Por, pak kohë përpara vitit 1984, kur i bëra një kërkesë telefonike misionit shqiptar në Kombet e Bashkuara, për një takim me përfaqësuesin diplomatik, mora një përgjigje të prerë: “Ju nuk mund të bisedoni me askënd, në çdo lloj kohe”.

Unë e vizitova Ambasadën shqiptare në Beograd, duke filluar që në verën e vitit 1963, ku aplikova për një vizë dhe vazhdova këmbënguljen për 28 vjet. Përfundimisht, e mora në vitin 1990, nga ambasadori Kujtim Hysenaj, i cili ishte shumë inteligjent dhe një njeri i këndshëm.

U përpoqa që ta kompensoja pamjaftueshmërinë e njohjes së shqiptarëve në atdheun e tyre, duke gjetur shqiptarë në diasporë; si Steven Peters, i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe profesor Arshi Pipa, veprat e të cilit i lexova në anglisht.

Unë lexova letërsinë shqiptare, duke e gjetur të përkthyer, përfshirë prozën dhe poezinë e Ismail Kadaresë. Madje, unë u përpoqa të mësoj pak, edhe gjuhën shqipe.

Nuk e di nëse e keni takuar ndonjëherë Enver Hoxhën?! Si do ta paraqisnit atë si udhëheqës? Po nëse do ta krahasonit atë, me diktatorët e tjerë në Lindje?

Unë nuk e kam takuar kurrë Enver Hoxhën. Por unë mendoj se ai ishte një nga tiranët më të ligj, në historinë bashkëkohore; po aq mizor sa Hitleri, Stalini, Mao. Ai ishte po aq i keq, sa edhe Çaushesku, Rakoshi dhe Zhivkovi; dhe në disa aspekte, më i keq se të gjithë ata. Ai kishte bërë një punë domethënëse, duke unifikuar gjuhën shqipe (megjithëse me një çmim të rëndë, për gegët).

Ju keni shkruar disa artikuj se Shtetet e Bashkuara kanë ftuar Shqipërinë, për të vendosur marrëdhënie diplomatike që në vitin 1973. Përse dështuan negociatat?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje, ekziston në Tiranë, jo në Uashington. Ndoshta ajo kishte të bënte me atakun në zemër që pësoi Enver Hoxha, në vitin 1973. Por, unë dyshoj se ajo kishte të bënte më shumë me marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën, të cilat pastaj, kishin nisur të ftoheshin.

Si e keni imagjinuar Shqipërinë dhe si e patë atë, kur mbërritët për herë të parë këtu?

Unë e dija se ishte e varfër, e izoluar dhe e prapambetur ekonomikisht, por, në të vërtetë, realiteti ishte më shokues, duke përfshirë edhe maninë e bunkerëve të Enver Hoxhës, e ngjashme kjo me vijën mbrojtëse të frontit të luftës së Maginot-it. (front mbrojtës i Francës, kundër Gjermanisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, – shën. red.).

Surpriza më e madhe e nivelit njerëzor, ishte se zbulova se shumica e shqiptarëve që takova, ishin njerëz me edukim të lartë, që ishin të mirinformuar rreth botës, për atë që ndodhte përtej kufijve të tyre të ngushtë, kryesisht përmes radio-televizioneve të huaja.

            Kush është David Binder?

David Binder, ka lindur nga prindër amerikanë, me 22 shkurt 1931, në Londër. Ai është diplomuar në Universitetin e Harvard-it dhe më pas bëri një kurs, ku mori gradë shkencore për arte, në Historinë dhe Letërsinë Europiane, në vitin 1953. Binder ishte studiues i Fulbright, në Universitetin e Cologne-s në vitet 1953-‘54. Ai bëri një kualifikim në Seminarin e Salsburgut.

Binder është autor i librave; “Berlin East and West”, i botuar në vitin 1962 dhe “The Other German – The Life and Times of Willy Brandt” në vitin 1976. Po ashtu, ai është bashkautor i botimeve të “New York Times”, të “Project Apollo”, për rënien e komunizmit. Ai ka punuar deri në vitin 1996 dhe prej asaj periudhe, është në pension.

         Karriera profesionale e David Binder

David Binder, ishte një nga gazetarët e Zyrës së Uashingtonit të “New York Times”, që nga viti 1973 dhe deri në kohën kur doli në pension, në vitin 1996. Ishte i pari si korrespondent diplomatik dhe pastaj si redaktor lajmesh e, sërish si një korrespondent. Ai vazhdoi të punojë duke u specializuar në mbulimin e çështjeve të Europës Lindore dhe Qëndrore. Binder, udhëtoi shpesh në këto shtete.

Detyrat e mëparshme të tij për “Times”, ishin: korrespondent në Gjermani, në vitet 1967-1973 dhe korrespondent për Europën Lindore, i vendosur në Beograd, në vitet 1963-1967. Më herët, ai punoi në Uashington, si një korrespondent diplomatik dhe në Berlin, mbuloi raportimet për ndërtimin e Murit të Berlinit në vitin 1961.

Edhe në vitet 1989 dhe 1990, ai raportoi rënien e Murit dhe përmbysjen e sistemit komunist në Gjermaninë Lindore, Rumani, Bullgari, Shqipëri dhe Jugosllavi. David Binder, raportoi edhe për luftërat civile në Kroaci, Bosnje dhe për konfliktin në Kosovë. Përveç “New York Times”, që nga viti 1991, ai ka bashkëpunuar edhe me shumë gazeta të tjera amerikane dhe britanike. Memorie.al

Intervista- Lajçak: Shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, 30 gusht 2024.

 

Krenare Cubolli

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar, por marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihet dhe se palët duhet ta kuptojnë që përparimi në dialog është thellësisht i lidhur me rrugën e tyre drejt BE-së.

“Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, ka theksuar ai.

I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt. Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë dhe akuzat që i janë bërë nga zyrtarë të Kosovës për qasje të padrejtë ndaj vendit.

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, ju jeni afër fundit të mandatit si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shumica, përfshirë edhe vetë BE-në, thonë se është bërë pak dhe disa thonë edhe se dialogu ka dështuar, ka vdekur. Çfarë shkoi keq?

Mirosllav Lajçak: Dialogu është vendimtar për Kosovën dhe Serbinë, nëse e kanë seriozisht për aspiratat e tyre evropiane, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që para se të shqyrtohen seriozisht për pranim [në BE], ata duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kështu që nuk ka asnjë rrugë përreth kësaj. Kjo është një gjë.

Së dyti, Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi, por procesi është nën pronësi të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Ne po e bëjmë më të mirën tonë për t’i ndihmuar ato në normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të them që shpejtësia e procesit dhe rezultati i procesit nuk varen nga Bashkimi Evropian, por nga palët.

Kur shikoj prapa te mandati im, ka pasur rezultate konkrete, si: njohja e dokumenteve të identifikimit, njohja e targave, marrëveshja shumë e rëndësishme multimilionëshe për energji. Që nga fillimi i këtij viti, ne e kemi një situatë standarde ku njerëzit janë të regjistruar dhe ata paguajnë për energjinë, energjinë elektrike që konsumojnë.

Por, natyrisht, arritja më e rëndësishme është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, që u arrit dhe për të cilën u arrit pajtim vitin e kaluar në Ohër. Me këtë marrëveshje, nuk ka më nevojë për negociata, por për zbatim.

Dhe, po, fatkeqësisht, zbatimi nuk ka nisur seriozisht. Janë bërë disa gjëra, por natyrisht që marsin e vitit të kaluar në Ohër unë prisja që do të kishim më shumë sukses. Pse nuk po ndodh kjo? Mos e pyesni ndërmjetësuesin, pyetini palët.

Por, natyrisht, ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre. Dhe, nëse nuk dëshiron ta bësh pjesën tënde, atëherë kërkon justifikime. Por, asgjë nuk i pengon as Kosovën e as Serbinë që ta bëjnë atë për të cilën janë zotuar në Ohër. Dhe, është e shkruar qartësisht… ky dokument është publik.

Përsëri, nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim. Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime. Udhëheqësit nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit.

Pra, duhet të punojmë për ta ndryshuar mendësinë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi nënkupton kompromis. Normalizimi nënkupton fitim të ndërsjellë. Normalizimi nënkupton që marrëveshja të mund t’i prezantohet publikut dhe parlamenteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Për aq kohë sa jetoni në iluzione se kjo është një fitore për njërën dhe një humbje për tjetrën, nuk do të ketë përparim. Por, nëse nuk do të ketë përparim drejt normalizimit, nuk do të ketë përparim drejt integrimit evropian. Gjithçka tjetër është një iluzion dhe lajthitje.

Radio Evropa e Lirë: Por, ju thatë se të dyja palët nuk janë gati dhe nuk janë të gatshme për ta arritur normalizimin. Pra, duket se e dimë problemin. Atëherë, çfarë duhet të bëjë udhëheqësia e re e BE-së? A duhet t’i ndryshojnë taktikat, prioritetet, pasi që ju jeni ndërmjetësuesi? A mund të bëni më shumë për t’i bindur ata?

Mirosllav Lajçak: Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve.

Kështu që, kjo nuk mund të ndryshojë. Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se për sa u përket serbëve të Kosovës, të drejtat e tyre duhet të respektohen. Çfarë prisni si prioritet nga ana tjetër? Gjithashtu përmendët kompromise. Cilat janë dy kompromiset më të mëdha që secila palë duhet t’i bëjë?

Mirosllav Lajçak: Shiko, gjithçka është në marrëveshje. Kjo do të thotë se Serbia zotohet t’i njohë simbolet, dokumentet, institucionet e Kosovës. Ka një marrëveshje për shkëmbimin e misioneve. Ka një marrëveshje për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra, lexoni marrëveshjen dhe gjithçka është aty.

Dhe, siç thashë, asgjë nuk i pengon palët ta bëjnë pjesën e tyre, përveç që ka shumë pak besim midis tyre. Fatkeqësisht, mandati im ka qenë ndoshta më shumë i përkushtuar ndaj menaxhimit të krizave sesa promovimit të normalizimit.

Por, një element i rëndësishëm që do ta theksoj, natyrisht, edhe për pasardhësin tim dhe për përfaqësuesin e ri të Lartë, është që ky proces duhet të jetë i lidhur dukshëm dhe drejtpërdrejt me integrimin evropian. Sepse në të kaluarën, kur palët e dinin se një përparim drejt normalizimit do të sillte gjithashtu përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së, ky ishte një motivim shumë i fortë.

“Palët vendosin vetë si duhet të përfundojë dialogu”

Radio Evropa e Lirë: A po punoni për një takim të ri të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Mirosllav Lajçak: Aktualisht, jemi duke përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh. Dhe, ne jemi gjithmonë të gatshëm për këtë. Duhet të ketë agjendë, duhet të ketë gatishmëri. Tani për tani, hapi i radhës është takimi i kryenegociatorëve.

Radio Evropa e Lirë: Si duhet të përfundojë dialogu? Cila duhet të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet dy palëve?

Mirosllav Lajçak: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në rolin tim aktual, mundem vetëm të përdor gjuhën zyrtare të Bashkimit Evropian, që dialogu duhet të përfundojë me marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e mbetura dhe do t’i hapte rrugë të ardhmes evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Ju pyeta, sepse në fillim thuhej gjerësisht se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por, me kalimin e kohës, kjo disi u la në hije. A duhet të përfundojë dialogu me njohje reciproke?

Mirosllav Lajçak: Qëndrimi i Bashkimit Evropian nuk ka ndryshuar. Dhe, po ashtu, Bashkimi Evropian thotë se u takon dy palëve të vendosin se cili do të jetë fundi. Ne nuk po imponojmë, nuk po diktojmë. Por, sigurisht, i kemi pritjet tona. Dhe, kur unë përmend marrëveshjen ligjërisht obliguese, kjo flet shumë, po ashtu. Por, nuk jemi aty dhe sigurisht se do të ishte gabim diplomatik imi të thosha se si e shoh fundin e procesit. Jam këtu t’u ndihmoj palëve të arrijnë marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Sulmet personale nuk ndihmojnë”

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, Bashkimi Evropian dhe ju vetë jeni akuzuar nga udhëheqësit e Kosovës për qëndrim jo fer ndaj vendit. Si e komentoni këtë?

Mirosllav Lajçak: Unë jam mjaftueshëm gjatë në këtë punë për t’i ditur të gjitha këto lojëra. Pikë së pari, sulmet personale nuk janë mënyrë evropiane. Ne nuk e bëjmë këtë në Evropë. Duhet t’i shohësh çështjet.

E dyta, ajo që kërkohet nga Kosova, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është diçka për të cilën Kosova tashmë është zotuar ta bëjë më 2013, dhe madje e ka ratifikuar në Parlament. Më tregoni, pra, se si një gjë e tillë është jo fer.

Nëse mendoni se mund të merrni gjithçka falas, atëherë sigurisht se kur ju kërkohet ta kryeni pjesën tuaj, mund t’ju duket e padrejtë. Por, në jetën reale, mes të rriturve, duhet të japësh që të marrësh. Të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të arrish marrëveshje. Dhe, sulmet personale nuk do të ndihmojnë, sepse ato, në fakt, diskreditojnë njerëzit që sulmojnë.

Radio Evropa e Lirë: A shihni ndonjë rrezik të destabilizimit në Ballkan, nëse dialogu vazhdon me ritmin aktual dhe të dyja palët vazhdojnë të bëjnë ata që ju i konsideroni hapa të njëanshëm?

Mirosllav Lajçak: Po. Sepse, ose do të kemi normalizim, që do të sillte stabilitet, do t’i hapte rrugën bashkëpunimit rajonal, i cili po ngec aktualisht, ose do të vazhdojmë me veprime të pakoordinuara, me veprime të ngutshme, të cilat prapë s’janë të koordinuara, dhe mund të bëhen armiqësore apo edhe të dhunshme. Dhe, mund të ngelemi të zënë për shumë vite me këtë përsëritje, do të thosha unë, të shpërthimeve [të situatave] destabilizuese.

Kjo, sigurisht, ia pamundëson rajonit të përparojë në rrugën evropiane. Prandaj, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është vetëm çështje e tyre. Është çështje rajonale dhe evropiane, madje.

“Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit”

Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se konsideron se Serbia tashmë është tërhequr nga Marrëveshja Bazë. Prandaj, nëse Kosovës i kërkohet prapë ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo duhet të ulet dhe të flasë me aleatët e saj për të kërkuar garanci të sigurisë. Sa realiste është kjo?

Mirosllav Lajçak: Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja. Ajo vazhdon të jetë ligjërisht obliguese dhe e vlefshme në tërësinë e saj. Bashkimi Evropian e ka thënë këtë shumë herë. Dhe, po ashtu, të gjitha obligimet e Serbisë sipas Marrëveshjes tashmë janë inkorporuar në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Pra, ato janë, po ashtu, ligjërisht obliguese ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kësisoj, nuk ka nevojë për qasje alternative. Unë mendoj se presidenti [francez, Emmanuel] Macron e tha shumë qartë dje [në Beograd]. Rruga është e shtruar. Dhe, rruga është Marrëveshja e Ohrit. Ai tha se Serbia ka një vend në Evropë. Por, ai, po ashtu, kritikoi Kosovën për… Po i referohem pjesës që lidhet me dialogun. Ai e bëri shumë të qartë se e mbështet plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. Franca ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv. Dhe, e dyta, nuk ka alternativë ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo ishte, mendoj unë, shumë e qartë nga ajo që tha ai. Dhe, pjesën tjetër po ua lë të tjerëve ta komentojnë.

“Nuk është bërë mjaftueshëm për gjykim të përgjegjësve për sulmin në Banjskë”

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i ri amerikan për Ballkanin, Alexander “Sasha” Kasanof do të marrë pjesë në forumin Globsec. A do ta takoni? A e keni kontaktuar?

Mirosllav Lajçak: Natyrisht. E kemi kontaktuar nëpërmjet telefonit. Por, do të takohemi për herë të parë këtu personalisht në Pragë, në Globsec.

Radio Evropa e Lirë: Edhe disa liderë të Ballkanit Perëndimor pritet të vijnë këtu. A do të takoheni me ta? A keni diçka të planifikuar?

Mirosllav Lajçak: Unë gjithmonë takohem me ta. Për mua Globsec-u është konferenca e dytë prej tri të tillave që po organizohen në këtë kohë. Isha në Alpbach. Tani jam në Globsec. Do të jem në Bled javën tjetër. Në secilën prej këtyre konferencave kam shumë takime me liderë të Ballkanit, dhe këtë e kam bërë përgjatë viteve. Është gjithmonë mundësi e mirë për t’u takuar dhe të biseduar për çështjet aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ndryshojmë pak temën. Kosova thotë vazhdimisht që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është prapa sulmit në Banjskë. Si e komentoni?

Mirosllav Lajçak: Agjencitë e sigurisë tashmë i kanë bërë deklaratat e tyre dhe unë vetëm mund të përsëris atë që kanë thënë. Natyrisht që ka qenë diçka shumë e tmerrshme dhe shumë e rrezikshme. Dhe, ka ndryshuar shumë gjëra në dinamikat rajonale. Pozicioni i Bashkimit Evropian është që gjithçka duhet të hetohet siç duhet dhe personat që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.

Radio Evropa e Lirë: A ka bërë mjaftueshëm Serbia për t’i gjykuar ata që kanë qenë përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili është i lirë dhe besohet se është në Serbi?

Mirosllav Lajçak: Qartazi nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm kur njerëzit që janë përgjegjës, duke nisur me Millan Radoiçiqin, që e ka pranuar përgjegjësinë, nuk është përballur ende me drejtësinë. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se është bërë mjaftueshëm. E përsërisim që ai duhet të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë.

“Po bëhet më e vështirë heqja e masave”

Radio Evropa e Lirë: Pse BE-ja nuk i ka larguar ende masat ndaj Kosovës?

Mirosllav Lajçak: Kjo është në dorë të vendeve anëtare. Vendet anëtare e kanë marrë vendimin për t’i vendosur masat dhe vendet anëtare tani janë duke diskutuar çfarë të bëjnë me masat. Kjo nuk është çështje e dialogut. Dinamika e vendeve anëtare është që duhet pasur konsensus të 27 vendeve anëtare.

Radio Evropa e Lirë: E kuptoj, por ne kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që disa vende janë duke hezituar. A keni mundur të bisedoni me këto vende? Cilat janë dilemat e tyre? Pse nuk po i tërheqin masat?

Mirosllav Lajçak: Pozicionin tim e kam bërë shumë të qartë publikisht. Menjëherë pas Banjskës kam bërë thirrje publike për heqje të masave kundër Kosovës, si gjest i mbështetjes dhe solidaritetit në këtë periudhë të vështirë. Mendoj që e kemi humbur një mundësi të mirë për t’i hequr. Më vonë, siç po e shohim, po bëhet më e komplikuar dhe më e vështirë. Por, është në agjendë të Këshillit dhe vendet anëtare po vazhdojnë të diskutojnë për to.

“Me të dërguarin e ri nuk do të ketë proces të ri dialogu”

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë të dërguar të ri të BE-së për dialogun pasi ta përfundoni mandatin? Kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që kjo pozitë nuk do të ekzistojë më dhe që përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme do të merret me dialogun, që do të thotë Kaja Kallas në legjislaturën e ardhshme.

Mirosllav Lajçak: Do të takohem me të dërguarin e ri të BE-së në ditët në vijim dhe do të diskutojmë, natyrisht, për të gjitha në hollësi. E kemi një takim të caktuar. Por, nuk dua të parashikoj rezultatin, porse mund të jem i sigurt që do të ketë të dërguar të BE-së dhe ekipi do të vazhdojë, sepse është vërtetuar se është i rëndësishëm, sidomos për përfaqësuesin e Lartë, sepse përfaqësuesi i Lartë ka shumë punë para vetes. Ballkani dhe procesi i normalizimit kanë nevojë për dikë që është i fokusuar në të dhe e vëzhgon 24/7. Kjo është saktësisht ajo që bëjmë. Puna nuk është kryer ende dhe prandaj duhet të vazhdojë. Unë besoj që duhet të ketë të dërguar të BE-së që e asiston përfaqësuesin e Lartë, derisa të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo është pozitë shumë e qartë.

“Momentum i ri i BE-së për zgjerim”

Radio Evropa e Lirë: Në fund, zgjerimi i BE-së ka ngecur më 2013, dhe Kroacia është e fundit që është anëtarësuar. A do të ndryshojnë dinamikat, apo a duhet të ndryshojnë nën udhëheqësinë e re të BE-së?

Mirosllav Lajçak: Dinamikat kanë ndryshuar tashmë. Fakti që procesi i zgjerimit është ndaluar, është për keqardhje, dhe është gabim i madh që ka kontribuuar në shumë zhvillime negative në rajon.

Bashkimi Evropian e ka kuptuar që ka qenë gabim dhe duhet të jemi më seriozë sa i përket zgjerimit. Paradoksalisht, ky zgjim ndodhi si pasojë e agresionit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit kundër Ukrainës, dhe kur BE-ja vendosi të ftojë Ukrainën dhe Moldavinë që t’i bashkohen BE-së. Kjo është mundësi e madhe për Ballkanin. Dera që ka qenë e mbyllur për 10 vjet dhe tani është e hapur. Derën e ka hapur gjeopolitika, por ajo nuk do të garantojë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, i përket secilit shtet të Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojë këtë mundësi, sa më gjatë që mundet, për ta mbajtur derën të hapur. Ekziston momentum i ri, mirëpo duhet kryer detyrat e shtëpisë, duhet bërë reforma. Është e rëndësishme, sepse në të kaluarën, mund të keni qenë të gatshëm, por dera ka qenë e mbyllur. Tani dera është e hapur. Kjo nënkupton se ata që janë gati dhe të përkushtuar, e kanë këtë mundësi historike.

Kthimi i Trumpit apo fitorja e Harrisit? Ballkanin mund ta presin ndryshime, thotë Joseph (Intervista e plotë)

Valona Tela

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, flet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë për ndikimin që mund ta ketë rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Joseph thotë se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së. Në atë rast, ai nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën, që, siç thotë, do të ndikonte drejtpërdrejt në Ballkan.

Për fitoren e mundshme të Kamala Harrisit nuk është i sigurt se çfarë do të sillte, por, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që Harris ta adresonte “paradoksin ballkanik”.

“Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, thotë Joseph.

Ai flet edhe për vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, javën e kaluar në disa vende të Ballkanit.

Radio Evropa e Lirë: Fushata zgjedhore në SHBA po merr hov, ndërkohë që gara mes dy kandidatëve është tejet e ngushtë. Ka shumë pasiguri – sondazhet nxjerrin në epërsi herë Harrisin, herë Trumpin. Sa ndihet kjo pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor?

Edward P. Joseph: Fakti që gara është e ngushtë, nuk e ndikon Ballkanin, por e ndikon perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit në presidencë. Cilido kandidat tjetër republikan të ishte – qoftë të kaluarit si Mitt Romney apo George Bush, apo të mëvonshmit si Marco Rubio apo Nikki Haley – ju nuk do të më pyesnit nëse kjo zgjedhje do ta ndikonte Ballkanin. Do të ishte me interes për Ballkanin, por nuk do të ndikonte në Ballkan.

Ajo që e prek rajonin, është perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit dhe qasja thelbësisht tjetër ndaj politikës së jashtme dhe ndaj rolit të Amerikës në botë. Kjo, padyshim, do të ndikonte në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës. Sepse, [në atë rast] ekziston perspektiva e një aleance krejt tjetër – e një aleance me autokratë – që do të vinte në pikëpyetje vazhdimin e qasjes së njëjtë ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ndaj Ukrainës. Njëjtë do të ishte edhe me Ballkanin: do të vazhdohej apo do të lihej mënjanë përkushtimi ndaj disa parimeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Konkretisht, si do ta ndikonte Ballkanin rikthimi i mundshëm i Trumpit?

Edward P. Joseph: Një ndër çështjet kryesore me efekt në Ballkan, është Ukraina, lufta në Ukrainë. Ai [Trump] mund të përpiqet të arrijë marrëveshje me Rusinë për Ukrainën dhe ta shtyjë Ukrainën drejt një zgjidhjeje territoriale. Nëse e bën këtë, duke treguar një lloj marrëdhënieje miqësore me Putinin, kjo ndikon menjëherë në Ballkan. Sepse, aleanca me autokratë si Putini nënkupton qasje më të butë ndaj [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Për mendimin tim, edhe administrata e Bidenit ka qenë tejet e butë ndaj tij.

Duhet theksuar se Harris, kur e ka pranuar nominimin e Partisë Demokratike në Çikago, ka thënë se nuk do të miqësohet me autokratë.

Radio Evropa e Lirë: Në politikën e jashtme, amerikanët kanë çështje të mëdha në agjendë – ju e përmendet luftën në Ukrainë, pastaj është lufta në Gazë. Në krejt këtë vorbull ngjarjesh, ata kanë kthyer vëmendjen edhe kah Ballkani – gjë të cilën mund të themi se e dëshmon edhe vizita e shefit të CIA-s, javën e kaluar…

Edward P. Joseph: Ajo që mund të nxjerrim nga kjo vizitë, është shqetësimi i vazhdueshëm i administratës Biden për Ballkanin. Duhet kujtuar se në fillim të kësaj administrate, ka pasur zyrtarë që e kanë thënë publikisht në seanca dëgjimore të Kongresit se nuk ka ndonjë arsye për t’u shqetësuar për konflikte në Ballkan. Tani, në gusht të vitit 2024, keni drejtorin e CIA-s, i cili është i përfshirë në negociatat jashtëzakonisht komplekse për armëpushimin [në Gazë], që shkon në së paku tri kryeqytete të Ballkanit.

Arsyeja që ka shkuar nuk ka të bëjë me mbajtjen e interesimit në rajon, por ka të bëjë me brengat dhe shqetësimet për të. Dhe kjo dallon nga ajo që kemi dëgjuar në fillim të administratës Biden.

Radio Evropa e Lirë: A po përpiqet SHBA-ja të përfundojë ndonjë gjë në Ballkan përpara zgjedhjeve?

Edward P. Joseph.

Edward P. Joseph.

Edward P. Joseph: Unë nuk e shoh kështu. Do të ishte mirë sikur të ishte dhe sikur të kishte ndonjë iniciativë, por unë nuk e shoh vizitën e Burnsit në këtë kontekst. Ajo ishte një vizitë për frenim, për t’i paralajmëruar aktorët si [presidenti i Republikës Sërpska, Millorad] Dodik dhe të tjerët që do të mund të merrnin hapa destabilizues. Dhe, Burns është një përçues shumë i mirë i mesazheve.

Dërgimi i tij ka qenë një veprim i mirë, por unë nuk e shoh atë si pjesë të ndonjë misioni të shpëtimit, apo të ndonjë zgjidhjeje.

Nëse ka nisma të fshehta, do të ishte mirë, por nuk i shoh ato si qëllim të vizitës së tij. Për mua, ajo ishte një paralajmërim i ashpër për ata që do t’i përkeqësonin gjërat, dhe jo për t’i përmirësuar gjërat ose për të mbyllur çështje të hapura.

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë mendoni se mund të ketë diskutuar Burns në Kosovë?

Edward P. Joseph: Shikojeni fotografinë që është publikuar. Keni parë Burnsin të ulur pranë kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti. Në të djathtë të Burnsit ka qenë ambasadori [i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey] Hovenier, duke marrë shënime.

Unë mendoj se ajo që Burns i ka thënë Kurtit, është mesazhi që ka dhënë edhe ambasadori Hovenier për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe për të mos destabilizuar rajonin.

Si drejtor i CIA-s, Burns mund të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon.

Në anën tjetër, Kurti mund t’i ketë bërë presion Burnsit për pozicionin e SHBA-së ndaj Vuçiqit dhe për rastin e sulmit në Banjskë. Sepse, Burns është personi ideal për t’u pyetur në lidhje me Banjskën, çfarë ka ditur Vuçiq dhe cili ka qenë roli i tij. Ky mund të ketë qenë një moment ideal për ta ngritur këtë çështje. Nuk e di nëse Kurti e ka bërë këtë, por shefi i CIA-s është personi ideal.

Unë besoj që edhe në Beograd, Burns ka pasur një takim të hapur me Vuçiqin, ku me terma të qartë ia ka bërë të ditur se ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Banjskë, e dimë se cili ka qenë roli juaj president Vuçiq dhe i dimë aktivitetet e figurave të tjera në Qeverinë tuaj. Pra, e dimë se çfarë ka bërë Qeveria juaj për të destabilizuar situatën dhe ne presim që t’i ndaloni ato veprime.

Unë shpresoj që Burns ta ketë thënë këtë në Beograd, por, sigurisht, ato janë takime konfidenciale dhe nuk e di.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kjo vizitë do të ndryshojë ndonjë gjë në raportet Kosovë-Serbi?

Edward P. Joseph: Ndoshta jo në mënyrë drastike menjëherë, por ka potencial. Sepse, nëse Kurti dhe Vuçiq e kuptojnë qartazi se Shtetet e Bashkuara e dinë – dhe normalisht e dinë sepse Burns është shef i inteligjencës – se cilat veprime e destabilizojnë situatën dhe se SHBA-ja nuk do t’i tolerojë ato, atëherë një gjë e tillë mund t’i largojë disa tundime nga tryeza dhe ndoshta ta ripërqendrojë vëmendjen te bashkëpunimi. Mendoj kështu potencialisht, por nuk shoh diçka të menjëhershme apo dramatike.

Radio Evropa e Lirë: Në Bosnje, njëri entitet udhëhiqet nga njerëz që janë në listën e zezë të SHBA-së, por edhe në Qeverinë e Serbisë ka persona të tillë. A mund të arrihet diçka me këta njerëz?

Edward P. Joseph: Unë shpresoj. Kemi indikacione se vizita e Burnsit i ka pasur disa efekte, sepse Dodik ka deklaruar më pas se qëllim i Republikës Sërpska nuk ka qenë kurrë ndarja nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës. Kjo më sugjeron të mendoj se mesazhi i Burnsit në Banja Llukë ka pasur ndikim.

Në Beograd, nuk jam i sigurt se është marrë mesazhi, sepse administrata Biden ka qasje konfliktuale ndaj Beogradit, ndryshe prej Banja Llukës. Zyrtarë të caktuar amerikanë e lavdërojnë vazhdimisht Qeverinë e Serbisë për atë që bën, për shembull, në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Folët më herët për ndikimin e fitores së mundshme të Trumpit në Ballkan. Dua t’ju pyes për fitoren e mundshme të Harrisit. Si do ta ndikonte ajo Ballkanin dhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë konkretisht?

Edward P. Joseph: Nuk e di përgjigjen në këtë pyetje dhe nuk e di nëse do të jetë një vazhdimësi e qasjes së Bidenit, e cila në disa aspekte ka qenë vazhdimësi e qasjes së Trumpit. Trump ka shtyrë përpara mini-Schengenin, Biden ka shtyrë përpara Ballkanin e Hapur.

Situata në Ballkan është përkeqësuar dhe nëse Harris do t’i marrë parasysh vështirësitë që Biden ka hasur në Ballkan që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe do të provojë diçka ndryshe, nuk e di.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se SHBA-ja duhet të angazhohet më shumë në Ballkan?

Edward P. Joseph: Nëse më pyesni se çfarë do të duhej të bënte Harris… ajo duhet t’i shqyrtojë me kujdes vështirësitë që ka pasur administrata Biden dhe të përballet me – siç e kam quajtur unë në shkrimet e mia – paradoksin ballkanik. Ajo duhet të përballet me paradoksin ballkanik.

E, çka është paradoksi ballkanik? Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik. Pse situata në Ballkan është përkeqësuar kur Perëndimi është më i fortë dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar? Pse raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më të përkeqësuara? Pse situata e brendshme në Serbi është përkeqësuar? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Kroacisë?… Kamala Harris dhe këshilltarët e saj do të duhej të përballeshin me paradoksin ballkanik. Dhe, ndryshe nga zyrtarë të lartë të administratës Biden, ata duhet të ndalojnë së pretenduari se ai nuk ekziston.


Send this to a friend