Agimit, – Kosova djep lirie!
E kuptova se nuk do ngulësh këmbë kësaj rradhe, n’akull as n’rërë! E mora vesh atë ditë kur erdhe paksa i “dredhuem”, t’me takosh të stoli i gurit, n’sheshin e Lalit Eri, me ato pak libra që kisha e me një sharki kokëmadhe!
Atë ditë humorin e pate me kryet tim siduket, por ti e lidhe me sharkinë; – ç’të duhet sharkia kryet sa nji shinik n’qytetin e tallavishtes! Kape defin n’do t’shesesh libra!
– Jam lodhur me pavlerat u ankove atë ditë, kur e palove nën sqetull librin tim me një dedikim të varfër, – njeriut që tërë jetën thuri vargje për Kosovën dhe u bë fushë e përgjakur luftërash e varresh n’këngët që s’heshtin”!
– Na ka marrë dreqi lum vllau; – jo nëpër kamë, po nëpër ko*e dhe po na rruen qyshë po don e ku po don! T’pa lamit po lahen me dien e tjetrit dhe vlera ka kalua n’xhepat e kokëboshit!
Jam lodhë me ket “mullinin” tim, u ankove duke e fërkuar kokën, sikur ajo kishte luajtur pak terezie!
Atë ditë nuk pive kafe me mua!
– S’dua t’ia prishi shijën asaj kafës së fundit me Bubulinën tënde n’Rogner, – kështu the, dhe ike me “Bekimin e plisit t’Moisiut” nën sqetull!
Mua s’ma këpute vetëm telin e zemrës me ato fjalë, por edhe telin e trashë të sharkisë ma këpute dhe mbeta heshtak n’Tiranën e xhurulltive, pa këngë e pa shitje!
E dija se nuk do ngulësh këmbë më, do ikje me rrëshqitjen e parë! Por; – pse n’Pogradec e jo n’Pukë? Ishe a s’ishe mirditor?
Nejse!
Aty e kemi fundin të gjithë, sa do që ngulim këmbë si thiu n’akull!
Lamtumirë mjeshtër që s’u pajtove kurrë me budallakitë e shqiptarit! Do mbahesh mend si njeri me zemër t’bardhë, atdhedashës i djegur dhe poet i kangës që s’shuhet!
Pusho të të tjerët, se një grusht dhe do e hudhi mbi trupin tënd, bashkë me Remzi Ejupin, llapjanin, që e deshte e të deshti, e kurrë s’të harroi!
Kështu e paska jeta; – prit e përcjell!
Prishtinë, 24.06.2024