VOA
Muaji i ardhshëm shënon një hap të rëndësishëm në rindërtimin e Katedrales Notre Dame të Parisit, e cila u dëmtua rëndë nga një zjarr katër vjet më parë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant njofton nga qyteti Brie i Francës, ku po punohet për ndërtimin e majës së re të katedrales, se zyrtarët shpresojnë që ajo të hapet nga fundi i vitit.
Mbi 20 mjeshtra, qindra orë punë dhe mijëra pemë, për të ndërtuar vetëm bazën ku do të mbështetet maja e re katedrales. Baza duhet të përfundojë deri më 15 prill, me rastin e 4-vjetorit të zjarrit shkatërrues. Deri nga fundi i vitit pritet që të vihet në vend edhe maja e katedrales. Zëri i Amerikës bisedoi me Eric Van Berkel, një prej marangozëve.
“Kjo është një pjesë e madhe e strukturës që mban peshën e punimeve me dru. Është baza ku vëndoset maja”.
Ashtu si marangozët e tjerë këtu, Van Berkel ka punuar më parë në monumente historike. Por ky projekt është ndryshe.
“Jam mirënjohës për këtë mundësi vërtet të jashtëzakonshme. Është një mundësi që të jepet një herë në jetë”.
Zjarri në katedralen mesjetare katolike tronditi botën. Për shumë besimtarë të të gjitha feve, ishte një tragjedi. Rindërtimi është gjithashtu shumë simbolik, thotë për Zërin e Amerikës Gjenerali Jean-Luis Georfelin i cili drejton përpjekjet e rindërtimit të katedrales.
“Në vitin 2024 do të kemi dy ngjarje të mëdha në Francë. Organizimi i Lojërave Olimpike në verë, dhe rihapja e katedrales pesë vjet pas zjarrit. Unë thellësisht mendoj se reputacioni i Francës është në provë”.
Zejtarë në Francë dhe madje edhe Gjermani po punojnë për të realizuar këtë mision. Tani për tani, vizitorët mund ta shohin katedralen nga jashtë dhe artefaktet e saj në ekspozita të veçanta.
Rindërtimi i majës së katedrales kaloi përmes një debati të nxehtë. A duhet të zgjedhë Franca të kopjojë vepren elegante të shekullit të 19 nga arkitekti francez Eugene Viollet-le-Duc? Apo duhet të ndërtojë diçka krejtësisht të re? Autoritetet zgjodhën variantin e parë.
Ish-arkitekti kryesor i Katredales Notre Dame, Benjamin Mouton, shpjegon arsyen.
“Nëse nuk e rindërtojmë siç ishte, do të prishnim unitetin arkitektural të monumentit dhe autenticitetin e katredales. Sepse autenticiteti nuk është vetëm material por edhe shpirtëror. Këtu i kemi të dyja”.
Rihapja e Katredales së Notre Damit po pritet nga mbarë bota. Por për këta marangozë do të shënojë fundin e një aventure disa-vjeçare tejet të pazakontë.