VOAL – Një fije floku e ndan të rremen nga e vërteta.
Një fetë buk, një hurbë verë, dhe ti.
Gëzoje këtë çast. Ky çast është jeta jote.
Pi! Sepse ti nuk e di nga erdhe dhe pse: pi! Sepse ti nuk e di pse po shkon as ku po shkon.
Shpirti i menduar prehet në vetmi.
Ishte një derë së cilës nuk ia gjeta çelësin: Ishte një perde përmes së cilës nuk munda të shikoj.
Kur dua të kuptoj se çfarë po ndodh sot apo të përcaktoj se çfarë do të ndodhë nesër, atëherë shikoj prapa.
Kur isha i ri plot etje shkova tek doktorë e shenjtër, dhe dëgjova këshilla për këtë e atë: por gjithnjë dola nga dera e tyre ashtu siç hyra.
Ta dini miq, me çfarë trimërie mora unë një Nuse të Dytë; i hoqa të gjitha vjetërsirat nga shtrati im dhe mora nuse të bijën e verës.
Dora shkruan dhe vazhdon të shkruajë. Dhe nuk ka mëshirë apo mirësi në botë që të fshijë qoftë një gjysmë rreshti të vetëm.
Mos e kalo të sotmen kot, sepse ajo nuk do të kthehet kurrë më.
Të djeshmet janë të vdekura, të nesërmet janë të palindura, pse të ngutemi për këtë, nëse e sotmja është e ëmbël.
Pse vret mendjen ta parashikosh të ardhmen, dhe e lodh trurin me gjëra të kota? Mos ki merak, lere Zotin të bëjë plane – ai merret me to pa u këshilluar me ne.
Sot është koha e rinisë sime, unë pi verë, sepse ajo është ngushëllimi im. Mos më fajësoni mua, edhe pse e hidhur ajo është e shijshme, e hidhur është, sepse është jeta ime.
E nisa Shpirtin tim përmes së Padukshmes, një letër Jetës së Përtejme t’ia dërgonte: Dhe pas pak Shpirti im u kthye tek unë e m’u përgjigj: ‘Unë vetë jam Parajsa dhe Ferri”
Oh, kërcënimet e Ferrit dhe Shpresa e Parajsës! Një gjë fundja është e qartë – Kjo Jetë ikën; një gjë është e qartë e gjithçka tjetër Rrenë – Lulja që një herë ka lulëzuar, vdesë përjetë.
Ishte një pikë uji, iu bashkua detit, një grimcë pluhur, u përzie me dheun; e çfarë për ardhjen dhe ikjen tonë nga kjo botë? Një mizë u duk dhe u zhduk.
Takimi ynë është fshehur nga një perde: Kur perdja të bjerë, nuk do të jemi më as unë, as ti.
Kur unë nuk do të jem më në jetë, pjesët e trupit tim do të shpërndahen kuturu. Nëse nga balta do të bëjnë një gotë, mbusheni plot me verë dhe unë do të kthehem prapë në jetë.
Nuk mund ta fsheh diellin me një grusht pluhur, nuk mund ta shpalosësh sekretin e Fatit nga fshehtësia, dija ka peshkuar për mua në Detin e Mendimeve një perlë të cilën unë kam frikë ta hap.
E ke thyer poçen time të verës, Zot, ma ke mbyllurderën e kësaj kënaqësie, Zot. Unë pi, por ti dukesh i dehjur, pluhur mbi buzët e mia! A je esëll, o Zot?
Ne nuk jemi gjë tjetër veçse gur shahu, të cilët është i lehtë t’i luash bash si urdhëron Lojtari i Madh i shahut. Ai na lëviz ne para dhe prapa në fushën e shahut të jetës dhe pastaj na mbyll në arkën e Vdekjes sërish.
Prej kur Hëna dhe Planetet u shfaqen në qiell, askush nuk pa një gjë më të ëmbël dhe më të kulluar se Verën. Habitem pa masë me shitësit e verës, a mund të blejnë ata ndonjëherë diçka më të mirë se atë që kanë shitur?
Jeta është një udhëtim, të udhëtosh do të thotë të jetosh dy herë.
Mbi një gur e kam dje copë në poçe porcelani: Isha esëll kur e bëra këtë akt të ndyrë. Atëherë poçja m’u kthye e më tha, në gjuhën e saj të belbët. “Unë isha si ti, ndërsa ti si unë do të jesh.”
Qoftë dyqind, treqind apo një mijë vjet jeta jote, nga ky saraj i ndritshëm do të të përzënë. Sulltani dhe lypësi në pazar, të dy të njëjtën vlerë do ta kenë në fund të mbramë.
Asnjëherë mendja ime nuk iu nda shkencës, pak sekrete kanë mbetur pa m’u shpalosur dhe natën e ditën kam menduar për plot shtatëdhjetë e dy vjet, dhe e vetmja që dita ishte se kurrë nuk kam ditur asgjë.
Na sill verë rubin ngjyrë tulipani, o mejhanexhi, hape gojën e gjakut të gotës, o mejhanexhi, se sot përveç kupës së verës nuk më ka mbetur mik tjetër, o mejhanexhi…/ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet