VOAL- Lumturi, për ty ne ecim në një teh thike. Për sytë je një dritë vezulluese, për këmbët akull i hollë që çahet; dhe kështu të mos të të prekë askush që të do.
Njeriu nuk mund të prodhojë një vepër të vetme pa ndihmën e krimbit të ngadalshëm, të zellshëm, gërryes të mendimit.
Poezia është arti që teknikisht është në dorën e të gjithëve: një copë letër e një laps dhe njeriu është gati.
Arti është prodhimi i objekteve për konsum, për t’u përdorur dhe hedhur duke pritur për një botë të re në të cilën njeriu do të ketë arritur të çlirohet nga gjithçka, madje edhe nga vetëdija e tij.
Megjithatë, poezia nuk jeton vetëm në libra apo në antologji shkollore.
Shumë nga vargjet e sotme janë prozë dhe prozë e keqe.
Poeti nuk e di – shpesh nuk do ta dijë kurrë – për kë shkruan vërtet.
Sot as një zjarr universal nuk mund ta zhdukte prodhimin e rrëmbyeshëm poetik të kohës sonë. Por bëhet fjalë pikërisht për prodhimin, pra për produktet e bëra me dorë, të cilat i nënshtrohen ligjeve të shijes dhe modës.
Ka poezi edhe në prozë, në të gjithë prozën e madhe që nuk është thjesht utilitare apo didaktike: ka poetë që shkruajnë në prozë ose të paktën në prozë pak a shumë të dukshme; miliona poetë shkruajnë vargje që nuk kanë asnjë lidhje me poezinë.
Në realitet arti është gjithmonë për të gjithë dhe për askënd.
Në sfondin e errët të këtij qytetërimi bashkëkohor të mirëqenies, edhe artet priren të përzihen, të humbasin identitetin e tyre.
Por poetët nuk konsideroheshin të rrezikshëm dhe ata këshilloheshin të ushtronin autocensurë. Më së shumti, poetëve iu kërkua të mos shkruanin fare. Përfitova nga kjo liri negative.
Arti narrativ, romani, nga Murasaki te Prusti, ka prodhuar vepra të mëdha poetike.
Ngadalë poezia bëhet vizuale sepse pikturon imazhe, por është edhe muzikore: bashkon dy arte në një.
Unë nuk shkoj në kërkim të poezisë. Pres të më vizitojë poezia.
Nga ana ime, nëse e konsideroj poezinë si objekt, pohoj se ajo ka lindur nga domosdoshmëria e shtimit të një tingulli vokal (të folurit) në goditjen me çekan të muzikës së parë fisnore.
Shpesh është vërejtur se pasojat e gjuhës poetike në gjuhën e prozës mund të konsiderohen si një prerje vendimtare e një kamxhiku.
Çuditërisht, Komedia Hyjnore e Dantes nuk prodhoi një prozë të asaj lartësie krijuese ose e bëri këtë pas shekujsh.
Kjo dëshmon se poezia e madhe lirike mund të vdesë, të rilindë, të vdesë sërish, por do të mbetet gjithmonë një nga krijimet më të shquara të shpirtit njerëzor.
Ka edhe poezi të shkruara për t’u bërtitur në një shesh para një turme entuziaste. Kjo ndodh veçanërisht në vendet ku regjimet autoritare janë në pushtet./Elida Buçpapaj