Në Tiranë, Partia e Lirisë publikoi sot dokumente të tjerë lidhur me aferën korruptive të incineratorëve.
Ekspertë dhe përfaqësues të saj shpjeguan një skemë të re mbi formimin e kompanive fantazma, përmes të cilave është abuzuar, sipas tyre, me fondet e incineratorëve.
Qeveria Rama i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për korrupsion masiv gjatë ndërtimit të incineratoërve, duke theksuar se tashmë kjo çështje është në duart e drejtësisë.
Ekspertë dhe përfaqësues të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim, tashmë nën emrin e ri Partia e Lirisë, publikuan sot sërish dokumente të rinj mbi aferën korruptive të incineratorëve, për të cilat ka dorëzuar disa padi në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit SPAK.
Ish drejtuesja e drejtorisë së tatimeve, Brisida Shehaj, tashmë politikane e partisë së Lirisë shfaqi dokumente, sipas të cilës, punonjës të thjeshtë të kompanive të incineratorëve dhe familjarë të të arrestuarve për këtë aferë korruptive kanë arritur, në kulmin e pandemisë dhe të mbylljes së përgjithshme të popullatës, që të regjistrojnë kompani të Mal të Zi, duke kryer veprime financiare të parregullta.
“Këto dokumente ne do t’ia dorëzojmë SPAK, e natyrisht do t’u dërgojmë edhe kryeministrit Rama dhe zëvendëskryeministres Balluku. Kjo e fundit e kishte për detyrë t’i ndalonte këto kompani gjatë inspekimeve të ministrisë së saj” – thotë zonja Shehaj.
Dokumentet e sotme iu bashkuan disa qindra faturave false që LSI denoncoi në fillim të korrikut, me të cilave, sipas saj, është kryer evazion fiskal masiv deri në afro 189 milionë euro nga fondet publike.
Përfaqësuesit e kësaj partie pohuan se nga krijimi i kompanive fantazma janë vjedhur shuma të jashtëzakonshme parash publike, ndaj dorëzimi i dokumenteve në SPAK dhe denoncimi publik i tyre është minimumi i veprimeve që nevojiten, ndërsa SPAK i takon detyra që të zbardhë këto akte korruptive masive nën drejtimin dhe tolerimin e vet qeverisë Rama.
“Kjo është një skemë e qartë e korrupsionit përmes kompanive fantazma, që kanë vepruar pa u kujdesur të fshihen, se janë nisur nga mosndëshkimi. Por ky është një iluzion i kotë i tyre, sepse kësaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund” – thotë Petrit Vasili, një përfaqësues i Partisë së Lirisë.
Përfaqësuesit socialistë në qeveri dhe në Kuvend dëshmuan në radhë para një komisioni hetimor parlamentar lidhur me përgjegjësitë e tyre mbi zbatimin apo jo të ligjeve mbi lejet për ndërtimin e 3 incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
SPAK ka arrestuar nga dhjetori ish ministrin e mjedisit, Lefter Koka, për korrupsion, rryshfete dhe shpërdorim detyre, e më pas arrestoi nën akuza të ngjashme ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe ka shpallur në kërkim administratorët e dy kompanive të incineratorëve Klodian Zoto dhe Stela Gugallia.
Opozita pretendon prej afro 7 vjetësh se bëhet fjalë për një aferë korruptive deri 380 milionë euro.
Por kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka deklaruar se tashmë kjo është një çështje e drejtësisë, përballë së cilës, çdo zyrtar që ka shkelur ligjet duhet të japë llogari personalisht dhe se PS nuk është zyrë avokatie e askujt.
Komentet