Skema e inceneratorëve ka filluar të bëhet edhe më e qartë, të dalin më shumë detaje dhe të zbulohen individë dhe lidhje që shkojnë deri në përfaqësues apo menaxherë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë me kompani ruse, të cilat kanë ushtruar aktivitetin në Tiranë.
Pas publikimit të lajmit nga CNA dje se çështja e inceneratorëve shkonte deri tek oligarkët e naftës, ne iu drejtuam sot grupit të ekspertëve të opozitës, të cilët prej disa muajsh janë duke përpunuar materiale voluminoze në lidhje me aferën e inceneratorëve, që ditë pas dite apo javë pas jave pas sigurimit të dokumenteve i çohen SPAK-ut.
Janë një grup ekspertësh, juristë, ekonomistë, të cilët kanë mbledhur dhe përpunuar disa mijëra faqe materiale ekskluzive, “email”-e, dokumente, komunikime, në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Shumë prej tyre janë çuar në SPAK, priten të tjera të çohen ende deri në përfundimin e një hetimi të plotë për të zbardhur në çdo detaj çështjen e aferës së inceneratorëve.
Ekspertët e opozitës i thanë CNA se skema tashmë është e qartë. Klodian Zoto ndërtoi një kompani në Holandë duke përdorur dy brande ndërkombëtare, erdhi në Shqipëri, firmosi kontratën, më pas i largoi dy kompanitë të cilat i përdori thjesht dhe vetëm si mbulim për emra dhe mori në menaxhim inceneratorin e Tiranës duke fshehur emrin e tij te një kompani guaskë në Holandë.
Në fakt njeriu kryesor i menaxhimit të saj ka ngelur Mirel Mërtiri, i cili mban kontaktet kryesore me njerëzit e tij si administrator në Holandë, apo atë që kishte në Tiranë apo dhe me kontratën tjetër që zhvillohet në Zimbabve apo me investime të ndryshme që ka tentuar të zhvillojë anembanë botës deri në Bagdad apo gjetkë. Mërtiri gjithashtu sipas ekspertëve ka lidhje të forta mediatike dhe ka paguar miliona euro për mbështetjen e tyre, gjithashtu paguan ende disa media dhe gazetarë në Tiranë, duke i përdorur për sulme dhe shantazhe ndaj SPAK dhe gjyqtarëve që kanë çështjen e inceneratorëve në hetim apo gjykim.
Sipas ekspertëve të opozitës, tashmë skema është e qartë, kompania nuk ka pasur lekët për të kryer investimin 128 milionë euro. “Geogenix” nuk i ka pasur në atë kohë këto shuma. Emrat e kompanive të huaja u përdorën thjesht dhe vetëm për të plotësuar disa kritere që kërkoheshin për të firmosur kontratën me qeverinë shqiptare, janë plotësuar dokumentet, para nuk ka pasur.
Është tentuar të përdoret e njëjta skemë si tek inceneratori i Elbasanit apo Fierit ku u firmos një kontratë, por kishte një ndryshim, në këtë rast kemi një koncesion për 30 vjet kurse në Elbasan dhe në Fier ishin 2 investime publike që bëheshin me paratë e shtetit që fillonin e lëvroheshin 6 muaj pasi firmosej kontrata, thanë ekspertët për CNA.
Në rastin e Tiranës, kontrata për 30 vjet shkon rreth 1 miliard euro dhe kjo tashmë është vlerësuar nga ekspertët, nuk janë vetëm përllogaritjet 300 milionë euro që jep shteti në 30 vjet nga buxheti i shtetit dhe rreth 130 milionë euro që do t’i investonte kompania nga të ardhurat e saj apo fonde që deklaronte në kontratë. Shuma është shumë e madhe, kjo me një llogaritje të thjeshtë.
Kompania 3 a 4 vitet e fundit kompania deklaronte një xhiro të paktën 25 milionë euro në vit pa shkuar më tej te të ardhurat në rritje që kishte, të cilat vinin kryesisht dhe nga menaxhimi i landfillit të Tiranës, jo vetëm nga burimet e qeverisë, por dhe nga të ardhurat e privatit. Këtu shtohet dhe shuma e bashkive si Durrësi, Kavaja, Kamza apo dhe bashki të tjera që do t’i bashkohen landfillit të Tiranës dhe jo të krijonte një vlerë të madhe parash.
Sipas ekspertëve të opozitës, përveçse skema shkonte 1 miliard dollarë, në 30 vjet qëndron një aferë korruptive që i shtrin tentakulat e saj si një oktapod dhe ka bërë që Mirel Mërtiri në pamundësi financiare për investimin e inceneratorit të Tiranës, shet aksionet e kompanisë, pavarësisht se kanë pasur të ardhura të mëdha sepse nuk kanë mundur dot të sigurojnë financimin.
Qeveria ka qenë në lojë pothuajse totalisht e sinkronizuar me njerëzit e inceneratorëve, kjo për një fakt. I është dhënë një leje provizore dhe leja finale është shtyrë 2 apo 3 vjet, kjo për t’i dhënë kompanisë kohën që të gjente financimin.
Kompania mori disa kredi të vogla nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, por nuk mundi kurrë të siguronte financimin e madh dhe atëherë gjendet zgjidhja. Bëhet me kushtin e aksioneve duke gjetur aksionerë të fjetur, të cilët sigurojnë investimin, e përdorin landfillin e Tiranës për një periudhë 9-vjeçare dhe më pas ia kthejnë aksionet sërish shtetasit Mirel Mërtiri, i cili i kishte kaluar ato në emër të shtetasit Giuseppe Ciaffaglione.
Në fakt kompania në Holandë nuk qarkullonte para apo shuma të mëdha që hynin apo dilnin nga inceneratorët, pasi gjithçka bëhej nga administratorët e vendosur nga Mirel Mërtiri në Tiranë apo kompani në Bullgari dhe Maltë. Ciaffaglione ishte thjesht emër në regjistër.
Giuseppe Ciaffaglione, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri te landfilli i Tiranës
Gjetja e aksionerëve të fjetur siguronte 100 milionë euro për investimin nga të cilat rreth 25 milionë do të merreshin si “fee”, pra si shpërblim nga ata që do të siguronin këtë kredi. CNA këtë e ka publikuar dje në një dokument ekskluziv.
Gjithashtu shitja e aksioneve ka bërë që të hyjnë në lojë dy kompani, një zvicerane dhe një italiane. Sipas ekspertëve të opozitës nga dokumenti që është publikuar dje prej CNA, sigurohet dhe një herë se dy personat që ishin në takimin e zhvilluar në shtator të vitit 2020 kanë qenë Christophe Darbord dhe Blerim Hoxha, këta dy persona sipas ekspertëve të opozitës kanë qenë edhe më parë prezentë në Shqipëri, kanë hapur kompani të ndryshme dhe kanë ushtruar aktivitet më Armo-n.
Në atë kohë kanë marrë ARMO në përdorim është thënë se ka pasur lidhje dhe me oligarkë rus, por edhe me bosët shqiptarë të naftës, të cilët ishin njerëzit, që bashkëpunonin me këta persona, të cilët morën në përdorim ARMO-n rreth 7 apo 8 vite më parë.
Ekspertët e opozitës theksojnë se tashmë është e qartë skema ashtu siç u tregua më lart, por po shikohen të gjitha detajet se kush kanë qenë personat që kanë orientuar Mirel Mërtirin, drejt kompanisë zvicerane dhe asaj italiane, kush janë zyrtarët e shtetit të përfshirë në këto negociata që kanë bërë shfaqjen e disa individëve të dyshimtë për lidhjet e tyre financiare dhe bashkëpunimet që kanë pasur me rusë apo dhe aktivitetin e tyre që kanë ushtruar në Tiranë./ CNA