Në konferencën për shtyp të së premtes, presidenti Ilir Meta u ndal te çështja e borxhit, duke thënë se vendi rrezikohet seriozisht nga niveli i lartë i tij.
“Ulja e borxhit kërkon strategji, do të kërkonte mosmiratimin e PPP-ve të reja, që e kanë kërkuar dhe institucionet e mëdha financare si dhe moskrijimin e detyrimeve të tjera, përmirësimin e treguesve të ndërmarrjeve publike, sidomos të sektorit të energjisë. Duke vlerësuar situatën kritike ku ka arritur borxhi publik, për të parandaluar një humnerë, kërkoj nga Kuvendi një vlerësim sa më real dhe transparent të borxhit publik duke përfshirë të gjitha detyrimet e pritshme dhe të ardhshme të Shqipërisë,” tha Meta.
Ai nuk pranoi të komentonte gjerësisht çështjet politike të ditës, duke thënë se fokusi duhet mbetur te borxhi.
“Duhet të marrin seriozisht çështjen e borxhit, edhe faktorët që janë në opozitë, është një grup i caktuar në shtet që fsheh të vërtetat. Është dhe interes i një grupi oligarkësh që fitojnë shumë nga kjo situatë, por është një dramë në rritje për shumicën e shqiptarëve ndaj shikojini këta tregues me shumë qetësi ku jemi ne, ku janë të tjerët, rreth nesh, jo më larg. Është borxhi i qytetarëve të shqiptarëve dhe të mos përfundojmë pastaj të dalim në falimentim dhe të thoni pastaj e kishte fajin Meta”.
“Ka një spekulim për të shmangur vëmendjen nga gjithë këto çështje, nga afera e inceneratorëve, ku dhe një jurist i vitit të parë po t’i hetonte, do i kishte dhënë një goditje fatale korrupsionit për 50 vitet e ardhshme, që të mos guxonte njeri të bënte afera të tilla kaq të papërgjegjshme”. syri.net
Komentet