Ish-e dashura e agjentit të diskredituar të FBI, Charles McGonigal, ka denoncuar në gazetën Daily Mail se gruaja e tij nisi të ekspozonte jetën luksoze në median sociale pas arrestimit të të shoqit.
Allison Guerriero tha se Pamela McGonigal nisi të postonte foto nga pushimet dhe vizitat e shtrenjta që nga Florida e deri në Nju Jork disa javë pasi i shoqi u paraqit në një gjykatë në Manhatan.
McGonigal u arrestua më 21 janar dhe u lirua me kusht dy ditë më vonë pasi pagoi 500 mijë dollarë si garanci.
Gazeta shkruan se McGonigal është nën akuzë për dy dosje. E para, që e lidh atë me një oligark rus dhe e dyta që e lidh me një aferë shqiptare.
“Nëse bashkëshorti im do të paditej për pastrim parash dhe shkelje të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara në lidhje me oligarkët rusë, gjëja e fundit që do të bëja është të kem një llogari publike në Instagram që tregon të gjithë gjërat e mia,” tha Guerriero për Daily Mail.
“Mendoj se është jashtëzakonisht marrëzi të publikosh në domen publik dhe t’i lejosh njerëzit të shohin akoma. Në postimet e saj të fundit, kjo grua thjesht po e kompenson poshtërimin publik duke përforcuar idenë se ajo është ende e martuar me të, se ai është burri i saj dhe se ata i kanë të gjithë këto gjëra materialiste”.
“Është sikur po na tregojnë gishtin e mesit ne të tjerëve, sikur po na thonë: Ne i kemi bërë të gjitha këto, ne shkojmë në të gjitha këto restorante të bukura dhe të tjerët të thonë çfarë të duan”.
Në fillim të prillit, 54-vjeçarja Pamela nisi të postonte një seri fotosh nga resorti i miliarderëve Palm Beach, teksa pozonte me një bikini leopard dhe duke pirë verë pranë një pishine.
Dy ditë më vonë, ajo postonte foto teksa drekonte në hotelin ‘Breakers’, ku shkojnë personazhe të famshëm dhe ku një hamburger kushton të paktën 35 dollarë.
Një ditë më vonë, ajo postoi një foto nga restoranti ‘Saint Ambroeus’, ku picat nisin nga 31 dollarë- teksa tregonte në sfond tenisten e famshme Serena Williams. Në të njëjtën ditë postoi foto nga një pishinë e madhe.
Dy ditë më vonë u kthye në Nju Jork prej nga postoi foto me çantë Chanel dhe dy kokteje në hotelin Chelsea në Manhattan.
Dhe më 22 prill, postoi foto me sandale, duke shkruar: Gucci dhe Hermes.
Guerriero tha për Daily Mail se ajo dhe McGonigal jetonin në një apartament me qira në Nju Jork dhe se u lidhën në pranverën e vitit 2017 dhe qëndruan së bashku deri në dhjetor të vitit 2018.
Ish-edukatorja, e cila luftoi edhe me kancerin, tha: “Isha me të sepse mendova se po kalonte një divorc, se po e finalizonte atë. Ne jetuam së bashku dhe bënim gjëra normale siç bëjnë çiftet”.
“Ai bëri edhe një shaka se do përfundonte letrat e divorcit për Krishtlindje. E dija se gruaja e tij ekzistonte. Ai fliste për fëmijët e tij gjithë kohës, fliste me ta para meje.
Por një ditë mora një shënim anonim në email ku thuhej: Më vjen mirë që ke kancer dhe shpresoj të vdesësh. U deshën javë që ta klikoja për të parë se nga vinte. Besoja se ishte Pamela. Në atë moment i dhashë fund marrëdhënies”.
Në atë kohë, familja e McGonigal jetonte në një shtëpi me tre dhoma gjumi në Maryland, të cilën e shitën për 799 mijë dollarë në dhjetor të vitit 2021.
“Ai shpenzonte shumë para për mua. Ai donte të më ofronte, por unë i thosha se nuk kam nevojë për asgjë- dhe tani që e mendoj, them shyqyr”, thotë Guerriero.
“Por ai vetë ishte gjithmonë materialist dhe sipërfaqësor. Gjithçka duhej të dukej perfekte. Që nga prerja perfekte e flokëve deri te kostumi i shtrenjtë, ai gjithmonë kishte një kostum të shtrenjtë dhe i pëlqente Armani. Edhe këpucët e shtrenjta”.
Kur Guerriero kishte nevojë për kohë që të ishte me babanë e saj në New Jersey, McGonigal e vizitonte dhe çifti bënte seks në një automjet të FBI.
“Kjo ndodhi dy herë në një Ford Explorer të FBI,” tha ajo për Daily Mail. “Ishte afër shtëpisë së babait tim, në parkingun e një shkolle fillore”.
“Ai u miqësua me babanë tim, i jepte puro, mansheta, shishe të shtrenjta vere. Dhe babait im i pëlqente shumë dhe u bënë miq të mirë”.