Edi Rama zgjodhi sërish të njëjtën taktikë, si para dy javësh, për t’i mbivendosur parlamentit studiot televizive. Ndonëse nuk shkon të përballet me opozitën në kuvend, ai u shfaq tek Fevziu për të dhënë shpjegime për aferën McGonigal dhe menaxhimin personal që po i bën asaj duke krijuar konflikte me kundërshtarët e tij politikë.
Ndonëse dha shpjegime më shumë se çdo herë tjetër më parë, kryeministri pati disa shkarje, shmangie nga pyetjete dhe dredhi në përgjigje që Lapsi.al i ka mbajtur shënim gjatë gjithë bashkëbisedimit në “Opinion”.
Si u takua me McGonigal
Në përgjigjen e tij, shefi i qeverisë mbajti versionin se ka qenë Mc Gonigal që e ka i ka kërkuar fillimisht takim. Ai nuk përmendi më faktin se kjo u bë me anë të një komunikimi me SMS, por këmbënguli në këtë version që mban në këmbë alibinë e një kërkese të ardhur nga FBI-a amerikane, ndërkohë që ish shefi i kundërzbulimit të këtij institucioni e kishte mbajtur të fshehur për eprotët e tij udhëtimin në Tiranë. Ky version tenton të hedhë poshtë hipotezën se ka qenë Rama ai që ka dashur ta fusi në rrjetë Charles McGonigal për ta përdorur për qëllimet e tij.
Por versioni që gazeta e madhe New York Times jep për këtë ngjarje, e përgënjeshtron kryeministrin tonë. Sipas të pëeditshmes njujorkeze ishte këshllltari informal i Ramës, Dorian Duçka ai që e shpuri zyrtarin e FBI-së dhe Agron Nezën në zyrën e kryeministrit. “Në shtator 2017, burrat udhëtuan për në Shqipëri, thanë prokurorët, ku z. Neza e prezantoi zotin McGonigal me Dorian Duçkën, një ish zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit, zotit Rama. Z. Duçka, i përshkruar në akt- akuzën e Uashingtonit si Personi B, e solli zotin McGonigal të takohej me zotin Rama.”, shkruan “New York Times”.
Kompleksi Duçka
Dorian Duçka, këshilltari i tij informal, të cilin shefi i qeverisë e kishte pajisur me pasaportë diplomatike dhe email zyrtar nga kryeministria, ishte subjekti për të cilin Rama donte të fliste më pak. Kur Fevziu tentoi ta hapte këtë temë, ai u shmang duke i thënë ftojeni për intervistë dhe pyeteni vetë. Dhe kjo ka një shpjegim. Sepse Dorian Duçka është pika lidhëse që vërteton se McGonigal u pagua për të lobuar kundër opozitës. Ja seç shkruan New York Times: “Në nëntor, pasi z. McGonigal u takua përsëri me kryeministrin dhe z. Duçka, në Shqipëri, ai kontaktoi një prokuror që e kishte marrë me vete në Austri (për llogari të Tom Doshit-shënimi i Lapsi.al), për të nisur një hetim të mundshëm ndaj një lobisti, që kundërshtari politik i zotit Rama kishte punësuar për të pasur akses dhe mbështetje tek Presidenti Donald J. Trump”.
Pra, sipas drejtësisë amerikane Duçka ka qenë person kyç në nisjen e hetimit kundër opozitës, madje ai ka paguar me paratë e tij edhe dëshmitarët që do depononin për këtë çështje. “Z. Neza ishte ndër burimet konfidenciale që dhanë informacione të mara nga zyra e kryeministrit gjatë hetimit dhe z. Duçka pagoi dëshmitarët në Evropë për të udhëtuar në një takim me FBI”, thuhet në aktakuzë. Prandaj Rama pothuajse nuk pranoi të flasë për Duçkën në dy orë bisedë.
Nga erdhën dokumentat kundër opozitës
I pyetur nga Fevziu se pse në aktakuzë thuhet se materialet për hetimin kundër opozitës erdhën nga zyra e kryeministrit, Rama u përgjigj me një arrogancë boshe: “Puna e tyre se përse bëhen këto komente në këtë aktakuzë”.
Në fakt se përse bëhen, e shpjegojnë shumë mirë dy media të mëdha amerikane. Washington Post shkruan se “McGonigal u zhyt deri në fyt në një marrëdhënie sekrete me Ramën“, kurse New York Times përforcon: “Ndërsa ishte ende në FBI, ai krijoi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe sipas prokurorëve të Uashingtonit ndërmori hapa që ishin në dobi të këtij politikani”.
Alibitë qesharake
Ndonëse këto dy konkluzione, të dy prej pikave të referencës të shtypit botëror nuk u përmendën as shkarazi në intervistë, duke u hequr sikur nuk ekzistojnë, ato qëndrojnë si një verdikt mbi këtë aferë. Dhe kryeministri nuk e shuan dot gjurmën e tyre, as me idiotësi të tipit: “Përmendem 14 herë në aktakuzë se jam i gjatë“, as me akuzat se edhe Amerika ka media kazan dhe as me profecitë, të presim se si do dali e vërteta, pasi ai është i vetmi shqiptar që sheh tre hapa larg. Shkurt edhe me intervistën në Opinion, ai përforcoi sjelljen e shmangies nga parlamenti ku nuk pranon interpelancë apo mocion për debat. Rama nuk ka interes të bëjë transparencë për këtë çështje.
©Lapsi.al