Nuk e ndjek më A Krasta Show, sepse nuk dua të dëgjoj të vërtetat e thëna përgjysmë. Si metoda më perfide e manipulimit të fakteve. “Një gjysmë e vërtetë është për të fshehur një mashtrim të madh.” Kështu thosh Benjamin Franklin. Dhe mashtrimet më të mëdha, trushplarjet më klasike bëhen kur miksohen rrenat me të vërtetat. Metodologji e opinionbërësve të televizioneve të Tiranës, aty ku ngrihen kështjella me tulla rrenash.
Mbrëmë duke bërë zapping nga një lavatriçe tek tjetra, u shfaq Ylli Manjani që po fliste përballë Krastës i alarmuar për masakrën e vulave . Masakër e vërtetë, që mund të shmangej nëse në Tiranë do të mblidhej një komision ad hoc me personalitete me integritet për të bërë numërimin e të pranishëmve në dy Kuvendet e Jashtëzakonshme të PD, të 11 Dhjetorit 2021 dhe të 18 Dhjetorit 2021, njëri në Stadium dhe tjetri në Pallatin e Kongreseve.
Sapo Manjani mbaroi së foluri për vulat dhe strategjinë e fushatës të opozitës që kjo të jetë sa më efikase, tashmë kandidatët e PD do të garojnë nën siglën e LSI/PL, pra PD de jure nuk ekziston, kërceu menjëherë tek kandidati Belind Këlliçi, sipas atij proverbit, se gjuha shkon atje ku dhëmb dhembi. Lavdëro Manjani Belindin e mos pusho. Por ajo çka shquhej qartë në lavdërimet ishte se oferta e tij nuk bëhej për elektoratin e PD, por për atë të PS. “Po ja, tha Manjani, “Belindi është çun i ri, çun Tirone, ai nuk është Berisha non grata,” (siç dihet elektorati i PD nuk pyet fare se Berisha është non grata – sepse me akuzën “Berisha non grata” Edi Rama ka ushqyer elektoratin e majtë). Dhe Manjani vazhdoi “edhe vajza me të cilën Belindi bashkëjeton vjen nga dy prindër që gjithë jetën kanë jetuar me djersën e tyre, unë i njoh shumë mirë ata dhe më vjen mirë që më jepet rasti ta shpreh këtë konsideratë!” Këtu Ylli Manjani u ndal dhe nuk shkoi më tutje për të bërë ndonjë sqarim për publikun, se ju duk e tepërt. Ai vetë ka qenë ministër i LSI nën qeverisjen e Edi Ramës dhe me prindërit e vajzës, si zyrtarë publikë të PS, i mban të lidhur emëruesi i përbashkët i të njëjtit krah të politikës, i së majtës.
Ndërsa Manjani po e mbyllte seancën e hiponozës apatike për audiencën, Krasta lajmëroi se të ftuarit e rradhës ishin Anna Shkreli dhe Belind Këlliçi.
Prania e Anna Shkrelit ishte arsye për të hequr dorë nga zapping. Anna ishte elokuente, sidomos kur foli për fenomenin e tëhuajzimit, kur humbasim pikat e referimit në qytetin ku kemi lindur, aty ku duhet të gërshetohet e shkuara, e sotshmja dhe e ardhmja e qytetit, i cili bëhet eternel dhe ky fenomen ndodh kur është në zhdukje trashëgimia kulturore dhe shpirtërore, pra edhe qyteti edhe ne ndihemi edhe pa identitet, edhe të huaj.
Natyrisht, shkëlqimi i Anna Shkrelit nuk i neutralizon faktet.
Nuk do ta kisha shkruar këtë narrativë, sepse ishte një temë me të cilën isha marrë, por ma frymëzoi provokimi i Adi Krastës, i cili gjatë një paranteze në bisedën me Annën hapi temën e “njerëzve të botës së propagandës, të portaleve, të titujve si Barrakuda, për ato të shkreta klikime, botë globale që është bërë e shëmtuar”. “Të shëmtuarit, Barrakuda” sipas Adi Krastës, janë ata që shkruajnë se prindërit e Anna Shkrelit janë zyrtarë publikë të PS! Ndërsa të bukurit janë Adi Krasta, Ylli Manjani me gjithë lavatriçe, atje ku fusin për të larë kostume dhe i nxjerrin fustane. Në gazetari ka një rregull fix, çdo gazetar i ndershëm duhet t’i shqiptojë të vërtetat sikur janë- të tharta apo të hidhura. Por Krastës aq i bën, ai si “desert”, së bashku me Annën, përdorën për këtë kontigjentin Barrakuda edhe cilësorin “gazetarë të poshtër”, megjithëse Anna bëri ç’është e mundur që ky cilësor të kishte një tigëllim sa më ëmbël, por pa i humbur kuptimi aspak.
Adi Krasta i krahasoi titujt e lajmeve të gazetarëve të portaleve me Barracuda, që është një peshk i madh, grabitqar, i njohur për pamjen e tij të frikshme dhe sjelljen e egër. Nuk e di se me çfarë peshku do t’i krahasonte këto prodhimet derogatore e përçmuese të gjuhës së tij dhe veten Adi Krasta.
Por fakti që flet për degradën që ka sot Shqipëria, është kur të rinjtë bëhen pjesë e lojës së ujqve të politikës shqiptare.
Kopeja me ujq e politikës shqiptare përbën establishmentin, kastën me të njëjtët emra që kanë të gjitha pushtetet në mënyrë ciklike, me rotacion, ata përfitojnë gjithçka, privilegje, ofiqe, projekte, poste etj etj pa garë, pa meritokraci, me një sistem zgjedhor që prodhon veç diktaturë mafioze. Natyrisht që Shqipëria nuk ka parë ujk më të zi se Edvin Rama dhe keqqeverisje më tragjike se këta dhjetë vite, të shoqëruar me shpopullim, shkombëtarizim dhe zhdukje të trashëgimisë identifikuese!
E, megjithatë, largimi i Edvin Ramës apo i Erion Veliajt nga pushteti bëhet nga emra që nuk kanë asnjë hije kontraverse, sikur është konflikti i interesit apo favoritizmi. Favoritizmi është paradhoma e korrupsionit dhe armiku i besueshmërisë të elektoratit.
Për Belind Këlliçin nuk do të shtoj asgjë, aq më tepër për Anna Shkrelin, veç do të risjell pjesë nga CV e arkitektit Artan Shkreli, i cili prej vitit 2000 është zyrtar i lartë publik pranë Edi Ramës, që nga bashkia e Tiranës deri tek qeveria e tij si më poshtë:
2001-2011 Artan Shkreli është anetar i KRRT-se (Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës) pranë Bashkise Tirane, periudhë kur Edi Rama ishte kryetar Bashkie.
– 2003 ai është këshilltar për Urbanistiken dhe Trashegiminë pranë kryeministrit Fatos Nano.
– 2008 ai kryetar i Shoqates se Arkitekteve te Shqipërise (SHASH).
– 2013 ai keshilltar per territorin prane kryeministrit Edi Rama.
– 2017 ai është zvendesminister ne Ministrine e Infrastruktures dhe Energjise.
– 2019 Anëtar i Komisionit të Përhershëm të Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave.
-2021 ai është drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Ndërtimeve.
—
Dhe këtu po e mbyll me pyetjen retorike për Krastën dhe Manjanin: a ka konflikt interesi apo favoritizëm eksplicit në rastin e Belind Këlliçit?!
Sepse demokracia ndërtohet mbi parime të pacënueshme.
Ndërsa si kandidat, është e qartë se Belind Këlliçi nuk ngjan fare si përfaqësues i PD-së, por si një favorit i katapultuar i së majtës përmes aleancës PD-LSI, thënë ndryshe i PL se tani PD mbeti pa vulë, pa regjistër dhe në Tiranë e papërfaqësuar!