TRAJEKTORJA E ENERGJIVE
Fillojnë nga 11 marsi
nuk e di në cilin vit,
e gjurmët e dritës na përcjellin,
forca më të mëdha na përfshijnë
prej kosmosit
u ruhemi atyre që na godasin
e na plandosin përdhé
me zhdarravitjet në çdo drejtim,
nëpër hapësirë
i ruajmë trajektoret e padukshme
të mos vinë kur nuk e dijmë,
jemi qenie në formë të njeriut
me ndjenja në çdo lëvizje
themi se po i bëjmë hapat tonë
e për galaktikën janë shumë të vogla,
për shembull
hapi ynë i njëmbëdhjetë marsit
është një pikë e veçantë,
të zonuar kemi qenë nga të zezat
e hapi ynë është një grimcë në univers…
Tani, nuk e di se ku jemi
në hapësirën e pamatur
as ku kemi qenë e as ku do të shkojmë,
dikur, shkarkohet energjia e jonë
e pastaj
dalim përtej botës!…
(Ristorante Pizzeria Seeterasse,
D-Kahl am Mein, 11 mars 2017.)
ZOGU QË PRORE DIGJET
Fluturon nëpër kohëra
shekujt i parakalon
flakë që digjet e nuk shterron
plot me dritë
me dhembjen e kalljeve të veta
sikur është mësuar
ku ndalet e pushon
flakën e merr me vete
pa lënë gjurmë
vetëtimë pa zë
të tmerron kur e sheh
qenie e gjallë shkrepëtin nëpër këngë
e shkrumin e fjalëve të veta
e derdhë prore
nëpër valavitje
cili mundet nëpër kalljet e flakta
të oshëtinë nëpër këngë
në vend se të qajë
duron prushin e dhembjeve të veta…
A jam unë feniksi i quditshëm
e pyes veten nëpër dallgë,
kur ndalet pushi i kalljeve
është koha e hirit të fjalëve…
(Fushë-Kosovë, 31.08.2017)
A QANË PIRRO BURRI DHE UNË
A qanë Pirro Burri
nëpër shekujt e largët
apo pandarë lotoj, deri në mbrëmje-
unë dhe ai u biem kryq e tërthor
tokave të shenjta iliro-pellazge…
Hyp mbi shpatën e tij
nëpër tehun të viteve
lak e gjak më rrjedhin pa pushim
pa aspak zë,
jemi më të fortë se graniti
më të mprehtë se era
më të butë se ajri
e zemra jonë
shtrydhet nëpër këngë plotë vaj
kënga është lot, por nuk dëgjohet-
lart në qiel ndëgjohet tupani magjik.
I pyes shekujt
a bashkohet toka jonë
kur dhe gjurmët na i pështjellojnë!…
(Fushë-Kosovë, 10.09.2017)
ANTIRRUGËT E BEBZAVE
1.
Me dhembje të valë
nëpër qenie
u dalldis gushti nga temperatura
gjatë tërë rrugëdijes
sëmundjen time e bartja me vete
hapësirave të fluturimit.
2.
Nuk e di a kam mbetur gjallë
nëpër vjedhjen e kohës së lashtë
majtas e djathtas
fishkëllonin jeremitë
nëpër Malet Dinarike
sa nuk më mbylleshin sytë
si hije e befasishme ia behu Nikolla Teslla
nën qerpikët e dhembjes
e me mustaqet e këndshme
në eter më buzëqeshte
si me dorë
jeremitë e paravdekjes
mi largoi.
3.
Në karrikën e viteve
e kishte bërë vendin e padukshëm
arbërisht pikonte
zemra e tij
në të gjitha kohët
edhe pse jeremitë
sllavisht donin t`a përpijnë
bashkë me jetën time të çakërdisur,
kamxhikët e energjisë së tij
nëpër vapë i goditen
dhe ikën me ulurime
përtej kodrave të dijes…
4.
Tani e shoh
plafin e kuqrremtë të mbremjes
të na mbulojë
nëpër trishtimin e papritur
ato ikën prej Nikolla Tesllës
nëpër poret e rrymës,
ç`mu desh të mbyll sytë
për dy sekunda
e t`më hidhen papritmas
jeremitë!…
5.
Atëherë
jam ndalur pranë plakatit
me zemrën që do të plaste,
e shikoj plot adhurim
dhe prore leximet i kujtoj,
syë e tij thonë
se koha e ka vjedhur,
çuditërisht
secili dëshironte
t`a ngreh nga vetja!…
6.
Ah, t`a kisha përqafuar
sikur vëllain tim
deri sa po zhytesha
vdekjeve të fjalëve
nën ethet e kësaj mbrëmje
me bebëzat e kredhura nëpër gjysmë errësirë,
po të mos ishe ti, vëlla i shtrenjtë
do t`më merrnin përplasjet e lëvizjes
frymën e fundit
e nuk e di a do të kishin mbetur
copat e antirrugëve
në bebëzat e ngrira!…
SI S’TË NJOHA KOSTANCË
1.
Qindra herë vi dhe shkoj prej teje
të gjëj fillet e tua nëpër shqiponjën e hershme
shpeshherë të shikoj e luaj me veten time
duke numruar çuditë që kalojnë pranë meje-
i mas vitet e mia që rodhën nëpër heshtjen pa gojë!…
2.
A mos ka ndonjë bukuri të rrallë e të veçantë
që zë vendin e parë pranë Bodensee,
kjo vashë gjysmë e zhveshur
e mbanë kokën lartë
sillet rrotull
me demonët e ngrehura në të dy duart,
gjoksi i ngrehur e shpërthen hapësirën!…
3.
Unë nuk e njoh asnjë njeri në truallin tënd
sa herë m’u kanë lodhur këmbët nëpër ty
duke kërkuar varrezat ilire deri në Kreuzlingen-
prore ndalem te muri i „spätrömisches Kastel“
më duket se jam rreth treqind vjet pas Krishtit
e shoh veten së bashku me romakët
edhe pse ilirët ishin në kokë të tyre,
atëherë, nuk e mbaj mend se ka qenë këtu
restoranti „De Medici“
por kishën katolike
me kokat e shqiponjave
që zënë gjarpinj në Münster-
jam një ilirian i hershëm në Kostancë!…
4.
Prap dëgjoj fëmijë në Münsterplatz që qajnë
një sicilian të shkurtër e të përkulur
që prap nuk flet
por më shikon,
e as ti nuk më njeh dhe prore nuk ke fjalë!…
5.
Ç`më mbetet tjetër
pos të derdhë dhembjet e mia në liqenin tënd
do të më bëhen aq shumë
sa që mezi i sjellë
e njoh kalldrëmin tënd, zallin, gurët e dheun,
kaluan tridhjetë vjet pa këmbyer dy fjalë
me heshtjen tënde të dhimbshme
e memece!…
VALËMADHJA STINË E KËNGËS
1.
Sërish
kur erdha brenda teje
më pushtuan dhembjet
mbasi mbeta gjallë
nëpër stuhitë e jetës,
e kuptova se isha në ishullin e vetmuar
kur të gjitha këngët provoheshin
e zonoheshin…
2.
Bota magjike ishte
këngë e përzier
tingujsh e ngjyrash,
e nuk e di se nga cila anë
më mirrte malli i egër
më shtrëngonte ashtu padurueshëm
sado që më vinte
të shtrihesha e ta puthja tokën
edhe pse nuk puthej dheu
me etjen e pashuar
të një dashurie peng…
3.
E ndjeja fuqishëm
aromën e Alpeve tua
dikund fillonte pranvera
e kthehej
në ndonjë stinë tjetër,
për shembull
i shkunde flokët e gjata një pulëbardhë
e nuk mund të gjendeshin të gjitha lulet
që shndërrohen papritmas
në sheqerka Ricola…
4.
Kështu
fillon një reklamë
duke e ndërprerë
filmin e kujtimeve të mia
përsëritej vazhdimisht
në ndonjë stacion televisiv
e vetëdija ç`rregulohet
e nuk dihet
cila është reklamë
e cila realitet…
5.
Aspak nuk e kuptoja
në cilën kohë po luaja
me këngët e merzitura-
askush nuk i dëgjonte
askush nuk i këndonte!
6.
Më dukej si përsëritje
derisa njerëzia vraponte
nëpër diskoteka
përpinte marihuanën
apo drogën e përpunuar në pije…
Nganjëherë
në zemër
rrahjet i ndalonte
e frymëmarrjet,
vdekja shkon e vjen pa u diktuar
edhe nëpër autorrugët e shumta
që dalin përtej vetes
kur jeta trasformohet
në një trajtë tjetër…
7.
U bie trup e tërthor
rrugëve të këngëve
pa e ditur cila stinë
është mbi vargje
zgjohem dhe bie prapë mbi shtojë
kthesave të shqetësuara
apo një skute të mbyllur
e përpiqem që të shënoj
përherë një këngë
me notat e dhembjes së pamatur.
8.
Ashtu duken
qenie e këngëve plot shkumbëtirë
përplasen nëpër gurë fjalësh
shpresoj se do të vinë
një ditë mjellmat
e të kërkojnë një jetë të pakryer,
ndoshta zgjohem
nëpër një këngë plotë dhembje
jam hije
e cila vështirë dëgjohet
apo fare nuk përsëritet…
9.
Në fund, as nuk e di
si do ta quaj këtë këngë,
e dua këtë tokë strofullimash
këtë dhé shumë llojesh
kodrinave indiferente
apo malet e larta me dëborë
kudo e ndjejë jehonën
nëpër Alpet e ëndërrave-
jam gjallë apo në botën tjetër…
10.
Unë mendoj
se prap do të ndëgjohet
valëmadhja stinë e këngëve,
ujë që gurgullon
në pafundësi,
a është në tokë
apo në ndonjë planet
alie apo njeri jam
një hije pa trajtë…
11.
Ndoshta
prapë i këkoj
librat e lëna gjysmë
gjatë largimit
nga jeta e përkohshme,
vaj e kënga
e stinës valëmadhe
prore oshëtijnë!…
(Zvicër, Rapperswil,
22.11.2014)
DAL NGA VETVETJA
Dal nga vetvetja
nga gjeneza e lashtë e të qenurit njeri
i lodhur nga fjalët
e kësaj që mund të quhet jetë.
Të freskët e kam të qenurit Ukë
nga cungu i cungave të lindjes
nëpër një pip të frymëmarrjes
për të mbetur gjallë…
Uka ishte Ukë i urtë i bjeshkëve tona
e fluturonte nëpër galaktika
për të qetësuar dhembjen e pamatur,
e nuk di pse genet na i kishin qartur
sikur të hanin njëri-tjetrin
ikjeve nëpër botë-
përpiqem që t`a gjëjmë
një shëmbëlltyrë të shembujve
duke folur me sekula
apo një gjuhë të paarritshme
duke këkuar kot të bukurën
edhe nëpër fjalë…
Tani
jashtë jemi përtej këngës
me vetminë që na përcjell si hije
nëpër trajektoren e dhembjes,
qajmë apo e themi një këngë nëpër vargje…
E bukura, a duket dikund
a duket vërtetë bukuria,
paskemi dalur krejtësisht nga vetvetja!…
PËRPLASJA E DHEMBJES
Shpirti i ri
në trupin e vjetër
më qanë, rënkon e gjëmon
zogjëve të malit nuk mund t`u ngjaj
pamundësia është bërë
dallgë me erën
e derdhja lotët e mallit
si vrushkuj…
A është kjo zemra që lëgon
midis dy maleve të mëdha të kohës,
qyteti i shfrimit po i përjeton
suferinat e dhembjes
vetëm unë i sillem rrotull
nëpër dëborën e fluskat e ndjenjave!…
Athua, tensioni i lartë
shkaktoi tragji-dramën nëpër rrugë
tani, nuk kam as fjalë
për aktin e fundit
derisa liqeni përplaset brigjeve!…
(Rapperswil,
10.02.2016.)
ATDHEU I ËNDËRRAVE
Atdheu i ëndërrave
sikur është zhdukur
e më është kthyer
për një riatdhesim
Zvicra Konfederale
në visionet e mia…
Gjatë e kam menduar
me prushim e ndjenjave
të gatuara në shpirt,
e liria është shpërbërë
ngarend përherë e më larg
viseve të pa kthim!…
Ndonjëherë mundohem
thellë të marr frymë-
tashmë buka hahet
aq sa më mjaftojnë të hollat
me pesionin invalidor,
andaj
përpiqem të të përqafoj
si një tjetër qenie
Zvicra ime,
me pamjen tënde
imagjinare!…
(Rapperswil, 6 qershor 2014)
KOZMOPOLITIKA
1.
Lumejt e çmendur
kanë dalur nga shtrati
sikur duan të marrin Zvicrën.
Kur zbret prej qiellit
pallin lopët në një altoparlant
qumësht, djath e kafe
i ke në çdo kohë
të zbret pak tensioni
e ngritet në lartësi-
fluturon pa pushim nëpër hapësirë!…
2.
Po të mos qe
kozmopolitika
a do t`a mbanëte toka,
kur futësh në Zvicër
ajri të kthjellon
demokracia direkte ndikon,
në parajsë shkon
apo ecë nëpër kthesa
e rastësisht të pret ndonjë befasi,
e mbanë fort
zemrën tënde
që të mos dalë prej kraharorit!…
3.
Ëndërr e zgjëndërr
përplasen nëpër brigje
bashkë me reshjet e forta të dhembjes,
koofederalizmi
është faqja e tretë
kryqi i bardhë
shpërndanë dashurinë e Zotit
e të lënë të qetë
absudin të buzëqeshë
me shijen e një këngë që s`ka fund!…
4.
Jam në atdheun e dytë
kënga është tjetër
nuk e di a jetoj
apo kam vdekur nëpër vargje!…
Komentet