Ashtu si shumë bashkëlojtarë të tij te Shqipëria, edhe Amir Abrashi është pjesë e grupit që u transferua nga kombëtaret zvicerane drejt asaj kuqezi. Një vendim për të cilin ai është krenar dhe nuk është penduar, siç ka treguar në letrën e tij të hapur të publikuar nga “Neue Zürcher Zeitung”.
“E pres me padurim ndeshjen me Zvicrën. Xherdan Shaqiri është një mik i mirë, takohemi shpesh. Unë njoh gjithashtu shumë nga kundërshtarët tanë. Kam luajtur për Zvicrën deri më U-21, pastaj nuk më ftuan më. Trajneri i atëhershëm, Otmar Hitzfeld, më këshilloi që të prisja përfundimin e Kupës së Botës, pas të cilës do të kishte ndryshime në kombëtare. Por unë jam një person që i merr gjërat si t’i vijnë. Me Shqipërinë më shfaqej mundësia të ndërtoja diçka. Trajneri Xhani De Biazi ishte i aftë të më bindte për projektin dhe jam shumë i lumtur që vendosa të shkoj me Shqipërinë. Askush nuk e priste të kualifikoheshim. Kemi treguar se Shqipëria është zhvilluar.
Unë jam krenar që jam shqiptar, por gjithashtu krenar që kam lindur në Zvicër. Është e vështirë ta shpjegoj: unë kam dy shtëpi. Gjaku është shqiptar, por shtëpia është në Zvicër. Kosova është atdheu i prindërve të mi. Unë kam shkuar shpesh në qytetin e tyre të lindjes, në Gjakovë, dhe më pëlqen.
Në Shqipëri shkoj në det, sidomos në Sarandë, një qytet shumë i bukur bregdetar. Megjithatë, unë nuk do të kthehesha të jetoja në Kosovë. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të jetosh në Zvicër, do të kthehem gjithmonë këtu. Zvicra më ka dhënë shumë, shkollimin, futbollin, do t’i jem gjithmonë mirënjohës.
Më mirë ndjehem sidomos në Vintertur. Atje u diplomova për mekanik ndërtimi dhe luajta te klubi me të njëjtin emër, ku takova shumë miq dhe njoha vende që më pëlqejnë. Që kur mbusha 15 vjeç, aty jeton familja ime. Më përpara unë jetoja në Bishofszell, ku jam lindur. Tre motrat e mia më të rritura kanë lindur në Kosovë. Në këtë shtëpi, babai im ishte inxhinier, punonte si programues në industrinë e metalit. Familjes tonë prej 6 personash nuk i ka munguar asnjëherë asgjë, edhe kur duhej të kalonim muajin me 4000 franga.
Kjo duhet vlerësuar. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm mbanë. Kjo më tregoi se çfarë duhet të bësh për t’ia dalë mbanë. Këtë ambicie e kam prej kulturës shqiptare. Paralelisht, duhet edhe disiplinë dhe kjo vjen nga ana zvicerane. Të dyja bashkë me kanë çuar shumë larg”.
Komentet