Pasuritë e Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ishte subjekt investigimi nga emisioni Plug në Syri Televizion. Nga të dhënat publike, rezulton se Arbër Veliaj është pronar i kompanisë “Gogël”. Kjo kompani ka xhiruar rreth 32 milionë euro gjatë kohës që Erion Veliaj drejton Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2023, Arbër Veliaj ka tërhequr një fitim prej 740 mijë eurosh nga kompania. Në program u transmetuan të dhëna që nrejnë dyshime se pas Arbër Veliajt qëndrojnë interesat financiar të vëllait të tij, Erion Veliaj
SYRI TV
Pasuritë e vëllait të Erion Veliajt, Arbër Veliaj, i cili gjithashtu është subjekt i hetimit pasuror dhe kontrolleve nga SPAK, ishin një tjetër temë e investiguar nga ‘Plug’.
Arbër Veliaj rezulton se është pronar i kompanisë “Gogël”, e cila kontrollon tregun e reklamave të mediave në vendin tonë. Këtë kompani, Arbër Veliaj ia bleu shtetasit Floran Pustina, një prej njerëzve të besuar të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës.
Pasi u bë pronar i kompanisë për një shumë qesharake, arriti suksesin menjëherë pasi vëllai i Arbrit, Erioni u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2015.
Sipas të dhënave të QKB, deri në vitin 2013, kur vëllai i Arbrit, Erioni ishte ministër në qeverinë Rama, kompania “Gogël”, deklaronte xhiro në vlerën 7.800.000 lekë dhe fitim 400.000 lekë.
Në vitin 2014, kompania faturon rreth 24 milionë dhe fitim 750.000 lekë. Në vitin 2015, Erion Veliaj merr Bashkinë e Tiranës dhe i vëllai nis rritjen me mijëra euro të kompanisë “Gogël”.
Për vitin 2015, kompania “Gogël” faturon 47 milionë dhe fitim prej 6.100.000, ndërsa vit pas viti fitimet e kompanisë kanë ardhur duke u rritur duke kapur shifra qindra mijëra euro.
Në harkun kohor midis viteve 2015-2023, kompania e Arbër Veliajt ka xhiruar rreth 32 milionë euro.
Ndërsa në vitin 2023, kur SPAK kishte nisur të intensifikonte hetimet për aferat në Bashkinë e Tiranës, Arbër Veliaj tërheq për herë të parë fitime të majme nga kjo kompani.
Sipas të dhënave, rezulton se Arbër Veliaj ka tërhequr dividendë në vitin 2023, në shumë e rreth 740 mijë eurove, para të cilat dyshohet se janë përfitime të parregullta nga aktiviteti i kësaj kompanie.
Po në vitin 2023, Arbër Veliaj themelon kompaninë “Gogël Holding”, me një kapital prej 100 milionë lekësh, ku gjithashtu edhe pse një kompani e sapothemeluar në vitin 2023, “Gogël Holding” rezulton me fitime të mëdha për Arbër Veliajn.
Ky i fundit dyshohet se është njeriu që kujdeset për të pastruar paratë e vëllait të tij kryebashkiak, Erion Veliajt.
Dyshimet ngrihen jo vetëm për shkak se kompania Gogël e Arbrit ka njohur sukses të madh gjatë kohës që Erioni ka qenë kryetar bashkie, si dhe që kjo kompani ofron shërbime për biznese apo institucione, të cilat janë klientë të Bashkisë së Tiranës.
Por edhe për faktin se Arbër Veliaj, dyshohet se ka qenë më herët pronar faktik i shoqërisë EAG Comunications, e cila ka qenë e regjistruar në emër të shtetasit Gentian Skënderaj.
‘Plug’ zbuloi se ky shtetas është gjithashtu një fans dhe njohje e Erion Veliajt, ndërsa akronimi EAG mund të përkojë me emrat Erion, Arbër, Gentian.
Ky i fundit, pasi u akuzua publikisht nga opozita në 2016 se kishte marrë tendera nga Veliaj, ndryshoi emrin e kompanisë EAG, ndërsa sot rezulton të jetë ortak në dy kompani me shtetasin Helidon Begaj, që kanë si objekt sektorin e ndërtimit në Tiranë. Edhe për këtë sektor, Erion Veliaj është vënë në shënjestër si njeriu që po shërben për pastrimin e parave të pista nëpërmjet ndërtimit në kryeqytet. sn