Shënime nga blloku diplomatik
Serbia mori në fillim të vitit 2024 kontrollin e parlamentit të Malit të Zi. Tani në korrik 2024 mori nën kontroll qeverinë e Malit të Zi.
Kryeministri i Malit të Zi, kryetari i parlamentit të Malit të Zi, ministri i mbrojtjes i Malit të Zi, dhe disa ministra të tjerë të Malit të Zi, janë qëtë gjithë shtetas të Serbisë, me pasaporta serbe dhe i janë betuar asaj për besnikëri.
Qeveria e re serbe e Malit të Zi liroi nga akuzat dhe dënimet e gjykatave malazeze të gjithë agjentët e shërbimit sekret serb dhe agjentët e shërbimit sekret rus, të cilët organizuan grushtin e shtetit në Podgoricë në vitin 2016 në përpjekjet e tyre për të bllokuar hyrjen e Malit të Zi në NATO.
Kam shkruar kaq herë që nga 2020, kur pushtetin në Mal të Zi e mori Serbia dhe kisha serbe, se Mali i Zi po shkon drejt aneksimit nga Serbia. Partitë serbe, që kanë marrë qeverinë dhe parlamentin në Mal të Zi, janë betuar se do ta nxjerrin Malin e Zi nga NATO, do ta lidhin shtetin me Rusinë dhe do të heqin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi.
Diplomacia atlantike dhe europiane po flejnë një gjumë të thellë dhe as shohin dhe as dëgjojnë se çfarë po ndodh në Mal të Zi, dhe bëjnë sikur nuk e dinë që Serbia, Rusia dhe partitë serbe e ruse në Mal të Zi po punojnë ta nxjerrin vendin nga NATO. Ata nuk po e akuzojnë Serbinë dhe Vuçiçin as per shkëputjen faktike, që po organizojnë fashisti Dodik dhe Beogradi, për të ndarë “serpska republikën” proruse nga shteti i Bosnje-Hercevoginës, as për përgatitjet revanshiste dhe militariste të Serbisë për aksione të reja ushtarake dhe terroriste në Kosovë.
Çuditërisht diplomacia atlantike dhe europiane ngrejnë në këmbë opinionin publik ndërkombëtar nëse disa gjethe bien nga pemët në Veriun e Kosovës dhe shqetësojnë pakicën e përkëdhelur serbe dhe presidentin kriptoeuropian të Serbisë Vuçiç.
Ndonjë diplomat perëndimor, me të cilin kam trajtuar këto zhvillime negative në Mal të Zi, e shpjegon këtë heshtje atlantike dhe europiane me interesin strategjik të NATO-s dhe të BE për të joshur Vuçiçin të mos shkojë te Rusia.
Së pari, diplomacia perëndimore nuk e shpjegon dot pse duhet paguar një çmim shumë i rëndë dhe t’i dhurosh Serbisë sovranitetin e Kosovës, të Malit të Zi dhe të Bosnje- Hercegovinës, në shkëmbim të premtimit tallës të Serbisë se nuk do të shkojë te Rusia.
Së dyti, a ka vallë ndonjë naiv politik ose diplomatik, që beson se Rusia do ta lejojë Vuçiçin dhe Serbinë të shkojnë te Nato dhe te ShBA?
Duke qenë se për profesion më është bërë instikt të analizoj të gjitha alternativat e mundëshme rreth politikës së diplomacisë perëndimore me Serbinë, me të cilën Perëndimi gaboi rëndë në filim edhe me Millosheviçin, dhe për mundësinë e përsëritjes së gabimit me pasardhësin e tij Vuçiç, nuk më lejohet që të lej jashtë skemës time analitike ato alternativa apo shpjegime, që duken të pamundura. Në skemën time profesionale diplomatike dhe analitike shtrohet edhe kjo:
Mos vallë lëkundjet alogjike dhe lëshimet absurde të diplomacisë atlantike dhe europiane ndaj Vuçiçit dhe Serbisë janë ndonjë ndikimin direkt i Rusisë në diplomacinë atlantike dhe europiane?