Ndryshku ka shlyer shkronjat e mbiemrit dhe vitin e rënies në kryqin e varrit të dëshmorit Gjokë Ndrecaj. Ende shihet emri dhe viti i lindjes shkruar me të bardhë në pjesën e sipërme vertikale dhe të djathtën horizontale të simbolit të sakrificës të të krishterëve.
Tri herë janë zhvarrosur eshtrat e të rënit nga Biteshi i Gjakovës para se të varroseshin pranë bashkëluftëtarit Shaban Ukë Sejfijaj, nga Gramaqeli i Deçanit.
“Kanë qenë si vëllezër edhe në luftë. Shqiptarë”, thekson babai i Shabanit, Ukë Sejfijaj, para varreve të ushtarëve të shtabit të Gramaqelit. Në homazhe i janë bashkuar të mërkurën edhe shtatë burrat e Ndrecajve, të gjithë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dy vëllezërit Martin e Mark, si dhe nipin Pal Ndrecaj të Gjokës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjoka ishte plagosur para shtëpisë së Ukës. “E kanë zënë të plagosur në xhami”, thekson Martini, në duart e të cilit ka dhënë shpirt Shabani, i plagosur nga një granatë në shkollën e fshatit.
“Te na kurrë nuk kemi pas kurrfarë dallimi, a është katolik a mysliman. Krejt shqiptarë”, thekson Uka. “Kemi hi e kemi dalë. Gjithmonë dyert çelë i kanë”.
Rrugës për te varrezat, Pali kujton një rast të para dy javësh kur një bashkëfshatar i krishterë “ka ikë” një vajzë myslimane nga Peja. “Por fill të nesërmen janë pajtu”, rrëfen Pali.
Rreziku prej “erërave të ndryshme”
Debati për tolerancën ndërfetare të shqiptarëve është rikthyer së fundi me tone goxha të ashpra pas protestave të së hënës para Komunës së Drenasit, që rezultuan me pezullimin e punimeve për ngritjen e rrethojës në një hapësirë të shpronësuar për varreza të shqiptarëve të besimit katolik në Llapushnik, ku synohet të ngrihet një kishë.
Pos që i kontestohet ligjshmëria vendimit të Komunës për shpronësimin e këtij lokacioni, në Llapushnik, ky lokacion ka simbolikë, ngaqë 16 vjet më parë aty ishte zhvilluar një betejë, në të cilën pati të rënë. Ata që kundërshtojnë vendimin, thonë se nuk janë edhe kundër kishës.
Prandaj kanë kërkuar që për ngritjen e varrezave dhe të kishës të përcaktohet një hapësirë tjetër. Besimtarët katolikë e kanë pritur me frikë këtë. E kanë interpretuar si kërkesë për shpërnguljen e tyre. KMDLNJ-ja ka kërkuar hetim për shkelësit e lirive fetare në Llapushnik.
Komentet