Kërcënimi i Izraelit për t’u hakmarrë ndaj sulmit me raketa të Iranit më 1 tetor po ngre shqetësimet për një konfrontim bërthamor në rajon. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock analistët nuk besojnë se Izraeli dhe Irani shohin ndonjë përfitim në përdorimin e armëve bërthamore, duke marrë parasysh pasojat katastrofike të një sulmi të tillë. Sidoqoftë, një sulm izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit, sipas ekspertëve, do të nxiste republikën islamike të prodhonte armët e saj bërthamore.
Izraeli nuk e ka hedhur poshtë asnjëherë se ka armë bërthamore.
Analistët thonë se Irani nuk i ka ende ato, megjithatë republika islamike e ka ekspertizën dhe burimet për të prodhuar armë bërthamore.
Izraeli është në konflikt jo të drejtpërdrejtë me Iranin, por është në luftë me grupet që mbështeten nga Teheranit. Megjithatë, Izraeli ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj qindra raketave që Irani lëshoi drejt shtetit hebre më 1 tetor, duke premtuar se sulmi do të jetë “vdekjeprurës, i saktë dhe i befasishëm”.
Irani është zotuar t’i përgjigjet sulmit të paralajmëruar nga Izraeli.
“Ky konflikt përfundimisht nxjerr në sipërfaqe problemin më të madh të sigurisë së Izraelit, armiqësinë e vazhdueshme me Iranin dhe mbështetjen e Teheranit për grupet e ‘Boshtit të Rezistencës’, që janë aktive në kufijtë e Izraelit”, thotë Sanam Vakil nga instituti britanik ‘Chatham House’.
Termi “Boshti i Rezistencës” i referohet grupeve ushtarake të mbështetura nga Irani që kanë bërë thirrje për shkatërrimin e Izraelit. Ai përfshin grupin Hezbollah në Liban, ku më shumë se 2,300 njerëz janë vrarë dhe 1.2 milionë janë zhvendosur nga sulmet izraelite në javët e fundit. Në të përfshihet edhe grupi i Hamasit në Gazë.
Konflikti filloi kur Hamasi vrau 1200 njerëz dhe rrëmbeu qindra të tjerë brenda Izraelit, në një sulm të befasishëm më 7 tetor të vitit të kaluar.
Që atëherë, ministria e shëndetësisë së Gazës thotë se më shumë se 42,000 njerëz janë vrarë dhe pothuajse e gjithë popullata civile e Gazës është larguar nga shtëpitë e tyre.
Ekspertët, megjithatë, thonë se kjo nuk nënkupton se konflikti do të çojë në një luftë bërthamore.
“Nuk pres që Izraeli apo Irani të shohin ndonjë përfitim në përdorimin e armëve bërthamore për shkak të pasojave katastrofike që do të pasonin. Të dy vendet e kuptojnë se përdorimi i armëve bërthamore do të nxiste një hakmarrje masive, duke çuar potencialisht në shkatërrimin e tyre”, thotë Samuel M. Hickey nga Qendra për Kontrollin e Armëve në Uashington.
Izraeli ka thënë se nuk ka synim të godasë objektet bërthamore, pas shumë spekulimeve nga politikanët dhe analistët se çfarë do të bëjnë forcat izraelite pas sulmit iranian.
Analisti Hickey thotë edhe nëse goditen objektet bërthamore iraniane, kjo nuk ka të ngjarë të pengojë Iranin të zhvillojë një bombë të tillë.
“Objektet bërthamore të Iranit mund të bombardohen, por ato do të vazhdojnë punën në vende të tjera. Puna mund të vazhdojë në objekte nën tokë”, thotë zoti Hickey.
Një video e publikuar më parë nga agjencitë e lajmeve besohet se tregon një nga objektet bërthamore të Iranit në Isfahan.
Sulmet në ose pranë zonave si kjo mund të shkaktojnë përhapjen e radioaktivitetit në zonat civile. Një sulm i tillë gjithashtu mund të inkurajojë Iranin të ndërtojë armë bërthamore, edhe pse Teherani ka thënë më parë se nuk do ta bënte këtë.
“Veprimet e Izraelit dhe mungesa e angazhimit diplomatik për të nxitur Iranin për të kufizuar programin e tij bërthamor, me kalimin e kohës, mund të çojë në prodhimin e armëve bërthamore nga Irani. Kjo, natyrisht, do të ishte katastrofike për rajonin”, thotë Sanam Vakil nga organizata ‘Chatham House’ me bazë në Londër.
Sa kohë do t’i duhej Iranit për të ndërtuar armë bërthamore ka qenë objekt i shumë spekulimeve.
Analisti Samuel Hickey thotë se koha që do t’i duhej Iranit për të prodhuar materialin e duhur bërthamor për bombën, është rreth një javë.
Më pas, prodhimi i bombës, thotë ai, do të bëhej në fshehtësi dhe për këtë do të duheshin të paktën disa muaj.