Çfarë skandali moral dhe politik, njëkohësisht, po ndodh sot në Shqipërinë pluraliste!
Ju është mbushur mendja fëmijëve të ish-besnikëve të partisë e të shokut Enver, për të vendosur demokracinë dhe zgjedhjet e lira, demokratike në Shqipëri…(!!!)
Pikërisht ata që në prehrin e diktatorëve dhe në bankat e shkollës ku, për demokracinë, e cila, sipas programeve edukuese, ekzistonte vetëm në sistemin komunist, u edukuan se:
- Socializmi dhe shoku Enver ishin binjakë që i lindi historia;
- Se partizanët ishin dëshmorët e vetëm të kombit, që çliruan vendin nga okupatorët fashistë e nazistë, të tjerët nuk ekzistonin, ose ishin armiq, me devizën staliniste:
- Kush nuk u bashkua ose ishte kundra luftës partizane të udhëhequr nga serbët dhe komunistët shqiptarë, ishte armik i përjetshëm i popullit shqiptar;
- Se komunistët ishin të vetmit që mundën të ndërtonin shoqërinë përparimtare në Shqipëri. Pse jo, bijtë e e bijat e tyre, sot, të mos jenë, pikërisht ata, të vetmit, për të ndërtuar edhe shoqërinë kapitaliste?
Sepse,
THONË ATA: Ne, bijtë e bijat e ish diktatorëve të djeshëm, jemi më të ndershmit, më të diturit, më atdhetarët nga cilido tjetër në këtë tokë, që quhet Shqipëri, të cilën etërit tanë e çliruan nga okupatorët …Dhe, kjo tokë, na takon neve!
THONË ATA: Vetëm ne, bijtë e bijat e komunistëve dimë të qeverisim, të bëjmë demokraci apo të zhvillojmë zgjedhje të lira e demokratike.
THONË ATA: Çdo grup tjetër i shoqërisë, që s’i takon tarikatit tonë, nuk është i aftë dhe s’ka të drejtë të qeverisë vendin! Nuk ka të drejtë të gjykojë paraardhësit tanë! Nuk ka të drejtë të quhet demokrat, madje as me “ biografi”, për ta çuar Shqipërinë në Evropën e Bashkuar.
THONË ATA: Shqiptarët, o do të gëzojnë ato që dëshirojmë t’iu falim ne, lirinë dhe demokracinë, ama si ç’i dëshirojmë dhe pëlqejmë ne, ose ata do të vithisen në humnerë së bashku me europianët dhe imperializmin amerikan!
Prandaj: O ne në Shqipëri ose ndryshe, askush tjetër s’ka për ta gëzuar Evropën e lirë dhe Shtetin e së Drejtës, që po përpiqemi ta ndërtojnë ne, në Shqipëri!
- A nuk janë të gjitha këto simptomat e një të kaluare të hidhur për popullin shqiptar?
- A nuk është kjo sindroma e “Njeriut të ri”, që krijoi Enver Hoxha?
Prandaj, është bërë problem serioz e ardhmja e demokracisë në Shqipëri.
Kjo është dhe përgjegjësia e shumicës së djeshme në pushtet, e cila me veprimet dhe mos veprimet e saj, për dënimin e krimeve të sistemit komunist e katandisi Shqipërinë në mëshirën e sindromës së sotme komuniste.