Liderët e “popullit”
Me rrena dhe kopalla nuk ndërtohen shteti dhe as mirëqenia
Po ia mësyjmë dyerve të Evropës si lypës për një kore bukë, si mall shumë i lirë për t’u shitur. Një populli të tërë po ua grabisin të gjitha të mirat materiale dhe nuk po ndihen fare të turpëruar
Kosova deri më tash i kaloi disa palë zgjedhje nacionale dhe zgjedhje lokale. Dhe shtrohet pyetja logjike” a kishte populli liderë, të cilët i meritojnë. Shumë herë deri më tash e kemi munduar kokën më këtë pyetje hipotetike, duke ia parashtruar vetit dilemat e mëdha rreth kësaj teme. Shumë kush prej nesh kemi thënë se si erdhën dhe nga na erdhën këta autsajderë në krye të shtetit të ri të Kosovës. Menjëherë pas luftës secili nga ne nuk e kemi menduar shumë këtë gjë. Pas 17 vjetësh duke rekapituluar të gjithë atë së çka kemi arritur dhe përjetuar, mund të bëjmë analiza pak më substanciale, se a i zgjodhëm, apo na u imponuan këta liderë partiakë dhe shtetërorë. Fillimisht duket së më shumë u përballëm me liderë, të cilët u imponuan se sa populli kishte kohë më menduar për zgjedhjen e njerëzve, të cilët do ta drejtojnë shtetin e tyre.
Na janë mbyllur rrugët e progresit
Këta që erdhën në pozitat e larta shoqërore, edhe nëse kanë trashëguar merita nga lufta, në kushte të paqes u treguan diletantë të vërtetë në politikëbërje dhe shtetndërtim. Dhe, shumëkush nga qytetarët e Kosovës sot do të dëshironte të ishte qytetar i ndonjë vendi tjetër shumë më të pasur dhe shumë herë më demokratik. Ky ‘autoshovenizëm” ka krijuar pa kënaqësi të mëdha, i ka rritur frustrimet dhe ka demoralizuar njeriun tonë nga padrejtësitë që po i bëhen në vazhdimësi dhe ende po vazhdojnë. Është instaluar logjika se na janë mbyllur të gjithë rrugët e progresit dhe jetës më të mirë. Po ia mësyjmë dyerve të Evropës si lypës për një kore bukë, si mall shumë i lirë për t’u shitur. Një populli të tërë po ua grabisin të gjitha të mirat materiale dhe nuk po ndihen fare të turpëruar. Ky estabilishment politik po shkel mbi të gjallët dhe të vdekurit pa mëshirë. Po e ndrydhin këtë popull si të ishin do buburreca e jo qenie njerëzore. Nga njerëzit normalë kanë krijuar njerëz depresivë. Ua kanë humbur motivin dhe ëndrrat për jetë. Populli në vend të fitores ka mbetur humbësi më i madh.
Edhe fëmijët e kanë marrë vesh kush janë këta politikanë
Kasta politike, edhe pse humbëse në politikëbërje, janë bërë fituesit e të mirave materiale. Këta liderë partiakë dhe shtetërorë ringjallën ekonominë e tyre familjare, duke rrënuar në anën tjetër ekonominë, industrinë e rëndë, duke vjedhur dhe plaçkitur nga procesi i privatizimit dhe shumë grabitje dhe uzurpime të tjera. Kampanjat partiake i bënë me para të popullit, duke e mashtruar popullin pas secilës palë të zgjedhjeve. E keqpërdorën dhe po e shkelin gjakun e shumë martirëve dhe heronjve të kombit që i kishim historikisht. Kemi menduar se progresi është linear, që secilin vit do të bëhet më mirë, se do të arrijmë të punojmë dhe fitojmë më shumë duke vazhduar më temp të mirë përpara. Edhe fëmijët e kanë marrë tashmë vesh së cilat janë këto figura politike që po ua zënë vendin njerëzve të ditur dhe të përgatitur profesionalisht. Me rrena dhe kopalla nuk ndërtohen shteti dhe as mirëqenia. Është më së i nevojshëm më duket mua një konsensus apo marrëveshje nacionale, për kapërcimin e gjendjes jo të mirë politike dhe ekonomike në të cilën jemi katandisur. Kemi shumë mostra të mira nga shtetet e zhvilluara të Evropës se si bëhen ndershëm fushatat dhe së si ata të cilët vijnë në pushtet sillen konform kërkesave të qytetarëve nga të cilët edhe e kanë marrë besimin. Më e freskët për ne është fushata për zgjedhje nacionale në Amerikë. Gati me përpikëri zëri i qytetarëve, të cilët i kanë përkrahur liderët e tyre, do të vijë në shprehje. Kësaj i thonë demokraci, kësaj i thonë dashuri ndaj kombit dhe atdheut. Ne jemi në Evropë, por edhe bota na është afruar shumë përmes mjeteve moderne elektronike, të cilat po na mundësojmë të shohim së si bëhet jeta politike dhe jeta përgjithësisht në botën e civilizuar. Dhe, kur njeriu ynë bën një krahasim të tillë e ka shumë vështirë të mësohet me jetën e keqe, të cilën po e bëjnë në Kosovë.
Komentet