Ndërmarrjet publike të Kosovës Telekomi dhe Trepça – dikur motorë të ekonomisë – vështirë se mund të rimëkëmben përmes Fondit Sovran, thotë Berim Ramosaj, ligjërues i lëndëve ekonomike në Universitetin e Prishtinës.
“Kam dilema, duke u bazuar edhe në faktin se pronësia publike është burimi kryesor i korrupsionit dhe nepotizmit në ekonominë e Kosovës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës ka paraparë që Fondi Sovran t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të vendit, përfshirë gjigantin metalurgjik Trepça, Telekomin e Kosovës, Korporatën Energjetike të Kosovës, Korporatën e Thëngjillit e të tjera.
Fondi do ta ketë, pastaj, përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.
Ramosaj thotë se ndërmarrjet që janë nën pronësi të shtetit, operojnë vazhdimisht me afarizëm të dobët. Sipas tij, problemi qëndron edhe te ndërhyrja e politikës në përzgjedhjen e bordeve që i mbikëqyrin ato.
“Në bordet e ndërmarrjeve publike zgjidhen zakonisht njerëz joprofesionistë dhe kjo bën që ndërmarrjet të performojnë dobët”, thotë Ramosaj.
Sipas tij, zgjidhje do të ishte privatizimi.
“Për ta rimëkëmbur Telekomin [për shembull], duhen investime të mëdha që mund t’i bëjnë vetëm kompanitë e suksesshme, që kanë kapital të mjaftueshëm dhe udhëheqje të suksesshme”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.
Histori e gjatë privatizimi
Nga viti 2003, në Kosovë janë privatizuar mijëra asete dhe ndërmarrje shoqërore. Kjo ka ndodhur pasi shumica e tyre pas luftës, më 1999, kanë mbetur pa mirëmbajtje, me teknologji të vjetruar dhe pa investime për një kohë të gjatë.
Procesin e privatizimit e ka nisur Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), ndërsa e ka vazhduar Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Kjo e fundit, aktualisht, është duke krijuar listën e aseteve, të cilat do t’i barten Fondit Sovran të Qeverisë së Kosovës.
Me themelimin e Fondit Sovran, AKP-ja do të shuhet.
Telekomi i Kosovës operon me humbje
Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, që pritet t’i kalojë Fondit Sovran. Qeveria e Kosovës është pronare e të gjitha aksioneve të Telekomit.
Deri në vitin 2015, kjo ka qenë kompania më fitimprurëse në vend.
Madje, nga viti 2008 deri më 2015, ajo i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividenda – mjete që ndahen kur kompania shënon rezultate të mira financiare.
Por, në vitin 2022, Zyra Kombëtare e Auditimit, që është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Kosovë, ka gjetur se Telekomi, në shtatë vjetët paraprakë, ka operuar me humbje.
Sipas raportit, humbjet e akumuluara deri më 31 dhjetor, 2021, arrijnë vlerën e afro 80 milionë eurove.
Raporti ka gjetur se rënia e performancës ka ndodhur kryesisht për shkak të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve.
Humbjet në Trepçë: Mbi 600 mijë euro në muaj
Ngjashëm si Telekomi i Kosovës, edhe gjiganti metalurgjik Trepça ka operuar me humbje viteve të fundit.
Dikur shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës, Trepça pritet t’i kalojë, po ashtu, Fondit Sovran. Sot është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të ndërmarrjes.
Në raportin e publikuar vitin e kaluar, Zyra e Auditorit ka gjetur se kjo ndërmarrje, gjatë periudhës 2019-2021, nuk ka arritur të jetë efikase në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare.
Gjatë kësaj periudhe, Trepça ka operuar me humbje mujore mbi 600 mijë euro, thuhet në raport. Sipas tij, teknologjia dhe infrastruktura e vjetruar kanë pasur rol kyç në performancën e dobët të ndërmarrjes.
“Trepça nuk ka arritur t’i krijojë parakushtet e duhura për operim, të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit.
Shala: Fondi Sovran nuk ka burime të mjaftueshme financimi
Ish-menaxheri i Trepçës, Ferat Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se Trepça nuk duhet të futet në Fondin Sovran.
“Sfidat janë të mëdha dhe nuk konsideroj që një fond i tillë mund të ndikojë në afat të shkurtër dhe të mesëm në zhvillimin e saj. Trepça duhet të funksionojë kështu siç është – shoqëri aksionare”, thotë Shala, njëherësh deputet i opozitës në Kuvendin e Kosovës.
Për ta rimëkëmbur Trepçën, ai thotë se duhet bërë rivitalizimi komplet i ndërmarrjes, teknologjisë dhe resurseve, në mënyrë që pastaj të rritet kapaciteti prodhues.
“Me kapacitetin e vet që ka Trepça është e pamundur të rivitalizohet pa një subvencionim të fuqishëm prej qindra miliona eurosh. Fondi Sovran e ka tërë kapacitetin themeltar 20 milionë euro – që është i pamjaftueshëm”, thotë Shala.
Deri ku ka arritur krijimi i Fondit Sovran?
Projektligj për Fondin Sovran është aktualisht në konsultime publike dhe, sipas programit legjislativ të Qeverisë, pritet të miratohet brenda këtij viti.
Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës.
Kapitali themeltar i Fondit Sovran është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Për t’u bartur një aset në pronësi të Fondit Sovran, Qeveria e Kosovës ka vënë kusht që ai të jetë i komercializueshëm dhe të premtojë fitim brenda një periudhe të arsyeshme.
Ish-drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se projektligji i Fondit Sovran është kualitativ dhe ofron mundësi për zhvillim ekonomik.
Megjithatë, burimet e financimit të Fondit Sovran janë pakta, sipas tij.
“Gjëja më e rëndësishme në këtë drejtim mbetet financimi i nevojshëm për funksionalizmin e këtyre asteve, në dobi të një interesi të dobishëm financiar dhe zhvillimor në vend. Njëzet milionë euro për fillimin e punës së fondit nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë Hajdari.
Kosova, prej vitesh, përballet me probleme ekonomike. Rritja ekonomike vjetore nuk kalon 4 për qind – shifër e pamjaftueshme për të adresuar problemin e papunësisë që e kalon 20-përqindëshin.
Për më tepër, viti i kaluar është mbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.
Zhvillimi ekonomik, në anën tjetër, ka qenë një ndër prioritetet që ka listuar Qeveria aktuale, me në krye Albin Kurtin, kur ka marrë detyrën dy vjet më parë. Disa premtime të saj në këtë aspekt janë realizuar, disa të tjera as që kanë nisur.