Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në mes të korrikut se Qeveria e tij synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, KFOR-i tha se NATO-ja e mbështet këtë dialog dhe se ai është aty për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“Kjo përfshin praninë e vazhdueshme në urën në Mitrovicë dhe patrullime të rregullta në zonën përreth”, tha KFOR-i.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse dikush nga Qeveria e Kosovës e ka kontaktuar në lidhje me këtë çështje.
Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Prandaj, nga sektori civil në Kosovë thonë se faktor kyç në hapjen e urës është, në fakt, KFOR-i, sepse ai duhet t’i lëvizë ushtarët e tij, gjegjësisht ta japë pëlqimin.
Kjo urë e ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore, ku komunitet shumicë janë serbët.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.
Derisa Qeveria e Kosovës beson se hapja e urës do të siguronte liri të lëvizjes për të gjithë, Serbia e sheh këtë çështje si “provokim”.
Më 17 korrik, kryeministri i Kosovës e ngriti çështjen e hapjes së saj në një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, pas të cilit tha se “askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë dhe korrekte”.
Vendet e QUINT-it përfshijnë: Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë e Madhe.
“Duam që ligji të zbatohet, të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të ketë paqe dhe siguri për të gjithë”, u tha Kurti gazetarëve më 18 korrik, duke folur për hapjen e urës në Mitrovicë.
Çfarë thotë QUINT-i?
Ambasada britanike në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë se qëndrim i vendit të saj është që ura në Mitrovicë të hapet në përputhje me marrëveshjet përkatëse, të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi të hapur për diskutime me Qeverinë e Kosovës, se si mund të arrihet kjo”, thuhet në përgjigje.
REL-i iu drejtua edhe ambasadave të tjera të shteteve të QUINT-it për t’i pyetur se cili është qëndrimi i tyre për hapjen e urës në Mitrovicë dhe nëse e përkrahin synimin e Qeverisë së Kosovës për ta hapur atë për qarkullim, por nuk mori përgjigje.
Ngjashëm nuk u përgjigj as Bashkimi Evropian, por më herët ai rikujtoi se kjo çështje ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se, për këtë arsye, të gjitha vendimet duhet të merren në kuadër të dialogut, me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Prishtinës dhe Beogradit.
BE-ja, po ashtu, u bëri thirrje palëve që t’i zbatojnë pa vonesë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë Marrëveshjen për urën, por të mos e rrezikojnë stabilitetin në terren.
Çka parashikon Marrëveshja për urën?
Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2014.
Me të u parapa i ashtuquajturi “rivitalizim i urës”, me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave dhe funksionalizimin e urës.
Barrikadat e para në këtë urë u ngritën në vitin 2011 nga serbët vendas, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.
Në vitin 2014, ato barrikada u zëvendësuan me gardhe prej betoni, të cilat autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut – të udhëhequra nga Lista Serbe – i quajtën “Parku i Paqes”. Ky “park” u hoq në vitin 2016 – kohë kur ura mendohej të hapej për qarkullim.
Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllim i të cilit ishte tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme që u bëheshin konkluzioneve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës ishte menduar të bëhej në janar të vitit 2017.
Megjithatë, punimet për rivitalizimin e urës përfunduan në qershor të vitit 2018.
Në atë projekt u investuan 1.5 milion euro.
Në fund, ura nuk u hap për mjete motorike, por vetëm për këmbësorë.
Si të hapet ura pa rrezikuar stabilitetin në terren?
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si mund të hapet ura mbi Ibër pa e rrezikuar stabilitetin në terren – ashtu siç kërkon bashkësia ndërkombëtare.
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, beson se ura kryesore në Mitrovicë duhet të hapet për lëvizje më të lehtë të të gjithë qytetarëve, por thekson se kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë me KFOR-in dhe me vendet e QUINT-it.
“Çdo veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, i cili mund të shoqërohet me përshkallëzim ndëretnik të situatës, mund të ketë efekt të kundërt”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se Qeveria e Kosovës, bashkë me KFOR-in dhe QUINT-in, duhet të bisedojnë me qytetarët e Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut për rëndësinë e hapjes së urës.
“Ura duhet të hapet [për trafik] kur të arrihet një marrëveshje”, thotë Demhasaj.
Qytetarët në jug dhe në veri të urës e shohin ndryshe-ndryshe hapjen e saj.
Nga radhët e komunitetit shqiptar i thanë më herët REL-it se ura duhet të hapet, sepse do të kontribuonte në bashkëpunim dhe liri të lëvizjes, ndërsa në mesin e serbëve besojnë se kjo çështje mund t’i ngrejë tensionet etnike.
Miodrag Marinkoviq, nga Qendra joqeveritare për Veprime Afirmative Sociale, thotë se mandat i KFOR-it është sigurimi i paqes dhe stabilitetit në tërë territorin e Kosovës dhe se prania e tij në urë në vitet e fundit ishte garanci për këtë.
Ai thotë se “rezervimi” i KFOR-it, kur bëhet fjalë për hapjen e urës, mund të bëjë që autoritetet e Kosovës sërish të mos konsultohen me komunitetin që e prek vendimi i tyre.
“E vetmja mënyrë për ta hapur urën pa shkaktuar tensione, është që kjo të bëhet në një hapësirë simbolike, ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit legjitimë të të dyja komuniteteve dhe ku do të arrihej një marrëveshje se si do të dukej gjithçka”, thotë Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër.
Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.
Lista Serbe, po ashtu, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që “t’i thotë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.
Marinkoviq beson, gjithashtu, se hapja e urës mbi Ibër është një “akt simbolik i autoriteteve të Kosovës, për të treguar se kanë marrë kontrollin e veriut”.
Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – popullata shumicë është serbe dhe ajo, prej vitesh, refuzon të integrohet në sistemin e Kosovës.
“Janë tri-katër ura që njerëzit i shfrytëzojnë për të lëvizur nga jugu në veri. Ka rrugë, njerëzit lëvizin. Ura kryesore ka më shumë vlerë simbolike, sepse ka qenë pikë qendrore e konfliktit mes serbëve dhe shqiptarëve. Prandaj, është mbyllur. Për të arritur stabilitet. Nëse në hapjen e saj tani nuk përfshihen të dyja palët, ekziston mundësia që ky stabilitet të dëmtohet”, thotë Marinkoviq.
Kush është përgjegjës për hapjen e urës?
Në prill të vitit të kaluar, deputetët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut miratuan një vendim për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas iu përcoll Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
REL-i i pyeti të dyja këto ministri nëse dhe në çfarë mënyre po shqyrtohet hapja e urës mbi Ibër, por nuk mori përgjigje.
Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, tha në fund të majit se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi janë tani institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.
Ai tha se me këtë vendim duhet të pajtohen edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut.
Radio Evropa e Lirë
Përgatiti: Valona Tela