Është çmimi për t’u paguar sot në Francë; është rreziku në Gjermani; është kujdesi që duhet t’i kushtojmë Italisë. E po t’isha n’Amerikë do t’isha i shqetësuar.
Liria është tashmë një fjalë e mirë për çdo rast. Një koncept i përgjithshëm, një marifet për politikanët pa idera. Një guaskë e zbrazur.
Çfarë është liria? Të bërit e çdo gjëje që të vjen ndër mënd? Këtë mendojnë njerëzit e sipërfaqshëm, egoistët, skilet. Ushtroj gazetarinë prej dyzet vitesh. Sa herë më ka rënë rasti të bisedoj me këta njerëz? Skilet politike mëtojnë të quhen liberalë (liberalët e vërtetë detyrohen të heshtin; skilet ekonomike vetëquhen liberistë; skilet shoqërore paraqiten si libertarë (“Rripa sigurimi. kufij shpejtësie, ndalim pirje duhani, vaksina? Ne themi jo! Jemi për lirinë!”).
Liria është një gjë më serioze. Është mundësia e zgjedhjes duke respektuar të tjerët; është siguri të qënit i respektuar (nga ai që kemi pranë, nga autoriteti). Cili është problemi? Shoqëria demokratike që kemi ndërtuar është e papërsosur, e shuma e këtyre papërsosmërive, për ndonjërin, është kaqë ngacmuese sa të kërkohet alternativa: mospranimi i lirisë. Vetëm kështu shpjegohet zemërbutësia kundrejt diktatorëve, regjimeve, autokratëve ose synuesve të këtillë.
Kjo nuk është filozofi: është përmbledhja e belegut që kemi përpara. Është çmimi për t’u paguar sot në Francë; është rreziku në Gjermani; është kujdesi që duhet t’i kushtojmë Italisë. Ose përmirësojmë demokracitë tona, ose shumë janë të gatshëm të bëjnë pa ato. Për këtë përfundimi i votimeve në Mbretërinë e Bashkuar është qetësues: jo sepse kanë fituar laburistët, por sepse një forcë demokratike ka zëvendësuar një tjetër të tillë. Kështu funksionon.
Në Itali është folur pak – po thuajse fare – për vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, simbas të cilit Presidenti gëzon “një imunitet absolut” (23-939 Trump v United States-07/01/2024). A e dini se çfarë do të thotë? Që nuk është më i nënshtruar ndaj ligjit: mund të bëjë gjithçka që dëshiron, si një mbret i lashtë (ose si një autokrat i ri). Sonja Sottomayor, një gjykatëse që mendon ndryshe ka shkruajtur: “(Presidenti urdhëron Navy’s SEAL të vrasë një rival politik? I paprekshëm. Organizon një grusht Shteti ushtarak për të mbetur në pushtet? I paprekshëm. Merr para për të falur një të dënuar? I paprekshëm. I paprekshëm, i paprekshëm, i paprekshëm.
Po të isha amerikan , do të isha i shqetësuar. Fundi i lirisë fillon edhe kështu.
“Corriere della Sera”, 6 korrik 2024 Përktheu Eugjen Merlika