Pjesa e II. Në pragun e 132 vjetorit që asht le:
At ANTON HARAPI
(1888 – 1946)Veper e Piktorit P. Sheldija
VETEM NJI: AI ISHTE AT ANTON HARAPI – SHQIPTAR !
At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe po kjé nevoja do të pranonte edhe vdekjen për të cilën, Ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, “largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944 dhe jo, me 28 që kishin planifikue ata”, mbasi i kishte shpjegue që “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Festёs sё Flamurit, me ditën e okupacionit komunist të Atdheut!”.
Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjerman janë largue nga Shkodra në mengjezin e datës 29 Nandor. Për këte veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkoder, ndonse edhe Cafo Begu, e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai, nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi, “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët e malazezёt…”
Cafo Beg Ulqini e përfundonte bisedën me një konkluzion per At Antonin: “Shërbimi i At Antonit, për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi, mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton në Historinë e Popullit Shqiptar!”.
At Anton Harapi OFM (Dosja1068) Asht le në Shirokë pranë Shkodres me 5 Janar 1888, dhe asht pushkatue në Tiranë, pranë lumit Lana me 20 Shkurt 1946. Një Françeskan i kulluem! Atdhetar i perkushtuem, dijetar e filozof pa ma të voglen kreni. Shkrimtar plot talent.
Një predikatar i adhuruem nga rinia shkodrane, me cilsitë e një oratori të spikatun modern. Klerik me të gjitha virtytet e Paraardhësve të vet, në sherbim të “Atdheut e Fesë”!
At Justin Rrota OFM, shkruen: “At Anton Harapi ka kenë antiitalian, prandej u zgodh At Antoni në dergatën e 12 prillit 1939, për me u tregue atyne qendrimin e klerit katolik.”
Ishte viti 1943 kur Tokat Shqiptare filluen me u skuqë prej gjakut të luftës civile “nacional – çlirimtare” të partizanëve “tanë”, me “yllin e kuq” të Titos në ballin e Enver Hoxhës.
1943 AT ANTON HARAPI E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE “me kusht: Mos me nenshkrue asnjë denim me vdekje!
A ka ngja kjo në ndonjë vend tjeter në Botë ?! Dhe, a e mbajti fjalen Ai? Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” Dhe prani pushka… “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa e pushkatuen, Enver Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”
At Anton Harapi përfaqsonte për gjermanët, mendsinë e një inteletuali Perëndimor, europjano qendror, i formuem në Austrinë e para Luftës së Dytë Botnore, dhe nga ana tjetër si meshtar katolik, paraqitej virtualisht i paprekshëm prej korrupsionit tradicional oriental e prej bizantizmit aziatik. Persëriste shpesh: “Mos harroni ju se, unë jam Shqiptar!”
Thanjet e At Antonit, para gjyqit komunist në muejn shkurt 1946, kur po gjykohej dhe u dënue me vdekje nga Gjyqi Ushtarak në Tiranë me kryetar major Hirakli Bozo, antarë Tonin Jakova (major) dhe Gjon Banushi, sekretar Thoma Rino, kanë mbetë parashikime historike që nuk do të persëriten: “Shqipnia u fitue me gjak; me gjak, edhe po mbahet e robnueme. Do të vijnë dita e me paqë e drejtësi, do të fitohet!”
At Antoni refuzoi largimin nga Shqipnia para vitit 1944, dhe mbas, kur Rregjenti Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte në një streh të Tij nga Tokat e Malit të Zi, nder shpella. At Antoni u pergjegj: “Kam punue per Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!” (Dishmi e C.B.Ulqinit).
Drejtë bregut të lumit Lana, Tiranë, 20 shkurt 1946: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë. “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha: Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar! Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei: “Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”
Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”. “Shpirtin Zotit, trupin Tokës”. Dikund nder brigjet e lumit Lana, do të gjeni njëditë testamentin e Tij lapidar: “A e dini se çdo ndertesës i vihen temelet n’ dhe? Edhe pse n’ varr, në hijshim duhet t’jemi gurt e temelit t’njasaj binaje t’cillën sot e quejm Shqypni?!”
At Anton Harapi as sot nuk ka as vorr, vetem pse: Ai ishte Atdhetar Porosia e Tij në 1944 asht aktuale edhe sot, ndonse thanjet e Tij janë të pakundershtueshme në të gjitha kohët: “Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.” E ndoshta, pikrisht sot kjo thanje e At Anton Harapit, troket në “trunin e perçarësve të pasherueshem të Shqipnisë.”
NDERIM PËR BINDJET E TË TJERËVE
1944
“MOS HARRONI JU,
QË UNË JAM SHQIPTAR !”
AT ANTON HARAPI PARA GJYQIT KOMUNIST (1946)
“ÁT ANTON HARAPI O.F.M.
ASHT MENDJE DIALEKTIKE,
QI SHKRUEN KRYARTIKUJ ,
NDËR TË CILLTË DISA JANË KRYEVEPRA.
DIJA E THELL, ARSYETIMI I LIDHUN, ANALIZIMI I HOLL, STILI I PESHUEM, DALLOJNË GJITHË SHKRIMET E TIJA.
MUND TË JETË I THATË, I FTOFTË,
POR
AI ASHT I DREJT’ E I PAFAJSHËM.”
Don Kolec PRENNUSHI
(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder)
NDERIM PËR BINDJET E TË TJERËVE
Më falni për guximin: Due të përballoj çeshtjen ma delikate në jetën Shqiptare.
Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare.
Përsa di unë deri më sot, kjo çeshtje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë, menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për inat e për parti. Ndër çastët ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njëmend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e demoralizue.
Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!
Këta shpresoj t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të patënzonë.
Fjalën këte herë e kam me besimtarët e tre elementave.
Pa kontenstim né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem, ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këte punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, tezën time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.
PENGIMI I MADH: FANATIZMI
Pengim i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton.
Besimi në një Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instiktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit.
Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me këte ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm, ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht, karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor.
Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.
Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi.
Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dijmë çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethanë kulturë fetare.
TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT
Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.
Pa kulturën njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.
Kam pa muslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër, sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.
Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë dignozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këte fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari im. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.
Më ka ra rasti për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çeshtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi.
Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këte përbindësh të individualizmit egoistik.
Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush né edhe po t’ jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këte pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.
SHKAQET E DASISË
Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin.
E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!
Problemi vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike.
Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijtë, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.
Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të cilin e ka për ideal të parë.
Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim me kurrnjë mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar.
Ja edhe arsyeja e thanies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfardo kredoje tjetër, do të përgjegjet me një “jo” kategorike të preme.
Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjimend, thotë se besimet janë njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta, atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes.
Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatke.
Lëne, e për njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këte themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këte rast për mue do t’ ishte një për një; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë.
Kush nuk e sheh këte dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm.
Në emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave.
Për këte intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndësa këte intolerancë e gjejmë edhe ndër njerzit e ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë.
Këte po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, e si për besimtarë.
NJË FORMË E INTOLERANCËS: POLEMIKA
Në formën e intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çeshtje, kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion.
Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këte parim, na dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këté e mënijmë; atë e bartim, këté nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim.
Natyra na mëson këte parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin.
Këte shoqni që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.
Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim.
Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit: Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare – shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.
Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.
Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; këte punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me dijtë me kenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla.
Kështu, pra, nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çeshtjen fetare në vendin tonë.
PENGESA QË DUHEN KAPËRCYE
E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesh me kaq, ja nuk ka me marrë vesh kurrë. Tash të vijmë tek praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu që nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!
Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengesa.
1.Pengesa e parë, për shërimin e kësaj plage të kobshme që e shqetëson jetën ndër shqiptarët, asht gabimi i madh i disa udhëheqësve të cilët duen ta mbulojnë edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, ekziston dhe do të shkojë në gangrenë po nuk u shërue me dorën e një kirurgu të aftë e të ndërgjegjshëm. Çka asht gabim e kalbësinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, lè të qitet në shesh, lè të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt.
Pse ta mohojmë? Një pjesë e mirë, muhamedanë a kristjanë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; një antagonizëm shoqnor qendron në mes tyne; ata nuk kanë mbërrijtë endè t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile që do të kenë.
Duhet ta pohojmë botnisht, se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: Ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare.
2.Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk hyjnë në lojë parimet dogmatike; ato populli nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit sot nuk ban kush parti as nuk ngre ngatërresa.
Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicione mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë që të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto rê të helmueme.
FAKTORI PSIKOLOGJIK
1.Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kjé fat i madh asohere, sot, për jetën tonë kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet, ata e dijnë fare mirë çka do me thanë jetë e përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat që lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte, hir e pa hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë.
E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë pozicion me taktikë vërtetë djallëzore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin apo sa ta çekin sustën e besimit, se janë gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se me njëherë qiti krye çeshtja e besimit ndër shqiptarë me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime.
Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson as Krishtin as Muhamedin, por formon klane për Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek për me kenë ai në krye. Derisa të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!
INTELEKTUALË TË KACAGJELUEM
- Prapë fjalën e kam me gjysmakët, intelektualët e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër né nuk studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme i bihet nëpër té, merret nëpër kambë, shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim. Nuk do, nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht çeshtjen e besimit, nuk ké të drejtë me folë, as me dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ké qitë tharmin e shqetësimit, jé atentator i vllaznimit, i rrezikshëm për besimin e për shtetin; sikurse do t’ ishem unë mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku kam lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.
- Ambienti, dispozitat atavike të trashëgueme, shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë, rritja familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa shkaqe të tjera këso dore bajnë që, përgjithësisht, muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin, katoliku katolikun; këte e sheh dhe e njeh ma shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të huej. Nuk asht besimi që ia detyron këte sjellje, por asht shpirti i klanit antishoqnor i paformuem që e shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti asht se jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit asht të naltohemi mbi vetén e mbi klanin e rrethit tonë e të kapemi në jetën e vërtetë shoqnore. Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë jam tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private, ndër rrethe intelektuale e dita me ditë keni me gjetë se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen punë edhe me randësi, as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem.
Mos t’i lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm, për kulturë e për kontribute, as mos t’ ua vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të tjetrit element, pse sejcili element ka kontributet e veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet; mos të lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar se tjetri! Superioriteti i besimtarëve, edhe në lamën atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë e ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e me zotësi për ta mundë të keqen me të mirë. Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull. Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia, apo se:
- vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk.
- Historia asht histori, dhe do të mbetet histori! Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si dhe jeta e Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme botnisht. Na shqiptarët as nuk mund t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as hijet dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun vetëm te né shqiptarët. Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika, që nuk ndërtojnë, por prishin e rrënojnë.
- Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhjetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi historinë, kemi idé, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë, nëpër të cilat ne jemi një në mënyrë të pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të ndeshemi, të shikojshim e të anojshim me kujdes në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me u ba, shumë qetësia pat me u gëzue!
A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël.
TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË BASHKIMIN TONË
- Të huejt nuk e kanë dashtë vërtetë bashkimin e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë veprue për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje kaotike, përçamjesh e dasishë, që të dilnin në përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një popull, nuk e ndiejnë sa duhet nevojën e solidarësisë shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe ndikimet fetare.
Vetëm bindja intime e tanë popullit shqiptar në një drejtim të vetëm, tue u naltue mbi të gjitha brêngat e vështirësitë tona të mbrendshme, vetëm ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm këte sulm e këte rrezik.
- Këte kontrast jete ndër né e ushqen fort edhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e t’i rrisë fëmijët vetëm për katër muret e shtëpisë, derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë tue marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos të ketë formue ndërgjegjen për misionin e naltë që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë nuk kanë për të kenë elementa të aftë për jetën e përbashkët, jo për shkak të besimit, por pse pa pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, né nuk mund të jetojmë si na përket as si person, as si kolektivitet.
Besimtarë, të çdo feje të jeni, në emën të besimit tuej po ju thom: Shtërngonju, se një mision i madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e për urdhën të Atij Zot që besoni, duhet ta shpëtoni Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me forma e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica e me jetë të shkueme në themel të përpjekjeve vërtetë vllaznore.
A e duem një Shqipni me të gjithë Shqiptarët? Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë, po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobët, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë e të mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do të kujtojë veten të marrun nëpër kambë.
Me gjak të vét e shuguroi Lterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!
Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari, për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, ngase ata kjenë një në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare.
Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive, dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na rrijnë përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhëti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare.
Prite, Zot, që populli ynë besnik e fisnik, për shkak të besimit fetar mos ta ketë ma besimin shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet më një, të përçahët trish; jo, mos e thantë Zoti që shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia, t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na afrojë, besimi në një Zot të vërtetë, të na shtijë grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fytyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve.
TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE
Sot në këte krizë të tmerrshme besimtarëve të të tré elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi – shoqit e të vllaznohemi në Atë Zot që besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë zemër.
E po e patën detyrë besimtarët një herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ ia shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën në një Shqipni.
A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé!
Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer.
Bashkimi i tré klerëve në ketë drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.
Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”
Korçë, Korrik 1944.
*Marrë nga libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”, Tiranë, 1944, fq. 5 – 22.
**Shenim nga Fritz Radovani: Materiali i At Anton Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht dhurue nga Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka redaktue, pa ndryshue asnjë fjalë nga origjinali.
Nënvizimet janë të Autorit, simbas origjinalit, për të cilin, Ju lutëm, të mos bani ndryshime.
Melbourne, 4 Janar 2022.
Komentet