Fjala demokraci rrjedhë nga fjala Greke “ISONOMIA”, që nënkupton barazinë e njerëzve para ligjit, me lirinë e shprehjes dhe pjesemarrjen e drejtëpërdrejtë të popullit në vendim-marrje.
Në një shoqëri të lirë dhe demokratike fjala “SEKRET” është e neveritshme, konspiracioni monolitik (partiak) i pa pranueshëm, i cili ju besohet mjetëve të pa ndershme të informimit, për të perhapur sferën e tyre të influencës.
Në demokraci, kur pushteti rrëmbehet një herë nga totalitarët nuk lëshohet aq lehtë. Për t’a mbajtur pushtetin i perdorin të gjitha mjetet antidemokratike e anti ligjore për ruajtjën e pushtetit duke perfshirë ketu: armiqësinë në vend të zgjedhjeve të lira, kërcënimin në vend të drejtësisë, gorillat e natës (njerëzit më maska) në vend të ushtrisë së ditës.
Si rezultat i kësaj intelektualët mbesin në heshtje, asnjë krim nuk zbulohet, qytetarët tërhiqen nga debatet publike,… mediat janë ato që e thyejnë heshtjen e nuk ndalën për asnjë qast.
Mediat (të shkruara dhe elektronike) janë regjistri i veprimeve tona, janë kujdestar i ndërgjegjës sonë, mbajtës i ngjarjeve tona,… të cilave ju drejtohemi për të gjetur forcë dhe kurajo, më shpresën që më ndihmën e tyre, njeriu të bëhet ai që ka lindë të jetë: i lirë dhe i pavarur.
Një fjalë e urtë Gjermane thotë: “gazetarët shenojnë lindjën dhe përfundimin e një kohe”, që do të thotë se roli i mediave në një shoqëri demokratike është krucial dhe i pa zevendësueshëm.
Qytetari i Kosovës duhet të shëndrrohet në një qënje aktive politike, t’i shprehë lirshëm opinionet e veta, e jo të mbetët shikues apo monitorues i gënjeshtrave, i krimit e vjedhjës,… në asnjë rrethanë nuk guxon të bie viktimë e heshtjes.
Në kohën kur gënjeshtra është bërë standard i jetës, i veprimeve të qeveritarëve, kur njerëzve u ka humbur dashuria në mes tyre, kur janë të hapura shumë kriza morale, kulturore e sociale, janë MEDIAT ato që duhet të thonë të vërtetën për gjithëçka,… për të zbardhur të vërtetën e kamufluar të të gjtiha prapësive të ndodhura në Kosovë, nga paslufta e tutje.
Sfidat në gazetari janë të përditshme; për të ardhur deri të një e vertetë, një gazetari i duhet shumë mund e kohë, dhe jo rrallë ndodhë që ajo e vërtetë e arritur nëpër sakrifica të mos plasohët për opinion, shkaku i presioneve nga qeveritarët që i bëhet mediumit për të cilin ai punon.
Miratimi i Kodit Penal për mediat në Kuvendin e Kosovës, s’është gjë tjetër veq se një tëndencë për mbajtjën e mediave nën cenzurë të fortë diktatoriale nga qeveria, që për qëllim ka ndrydhjën e fjalës së lirë në Kosovë,… për ndjekjën e burgosjën e gazetarëve që janë të gatshëm të thojnë të vërtetën, e në veqanti gazetarinë hulumtuese që mirret me zbardhjën dhe zbulimin e veprimeve korruptive e kriminale në Kosovë.
Gazetaria nën grilat e qeverisë
Në Kosovë, nga paslufta e këndej përkundër rritjes enorme të numrit të gazetave kemi pasur degradim të vazhdueshëm të gazetarisë, si pasojë e presionit, kërcënimeve e shantazheve të vazhdueshme të pushtetarëve dhe grupeve tjera të interesit ndaj mediave të shkruara dhe elektronike.
Mbase në situatë më të vështirë janë mediat e shkruara, si rezultat i zhvillimit të hovshëm teknologjik, ka rënë në masë të madhe tregu i shitjes së gazetave të shkruara, ku si pasojë e kësaj situate disa prej mediumeve të shkruara kanë rënë në kolaps financiar.
Pronarët e gazetave për të mbijetuar është dashur të zgjedhin njërën nga dy rrugët e vështira; hyrjen nën tutelën e ndonjë sponzorizuesi të padëshiruar apo hyrjen nën kthetrat e pushtetarëve.
Mediumet që kanë pranuar si zgjidhje hyrjen nën tutelën e pushtetarëve apo subjekteve politike me ndikim, automatiksiht e kanë të humbur pavarësinë e tyre editoriale, ngase politikat redaktoriale të gazetës i përcakton subjekti që i financon.
Këtë që e themë e vërteton levizja e disa gazetarëve nga një gazetë në tjetrën. I njëjti gazetar që deri dje ka shkruar kundër pushtetit, me kalimin në mediumin tjetër i është dashur të ndërroj “lëkurën”. A ka më vështirë për një gazetar profesionsit që të ndryshoj brenda natës,…të nesërmën t’i thotë djallit ëngjëll, apo siq e thotë populli; “dreqit dajë”!
Pronarët e mediumeve (gazetave) që ju nënshtrohen pushtetarëve, përveqse nuk e kanë problem (mos)shitjen e gazetës, i kanë të siguruara të gjitha shpenzimet, duke gëzuar edhe beneficione tjera shtesë nga shteti…
Në këto rrethana, më së vështiri është për gazetarët profeisonist që ju duhet të bien ndesh me etiken e tyre, për të kamufluar të vërtetën sipas porosive të pushtetarëve apo bosëve partiak.
Për fatin e mirë të gazetarisë, në këtë situatë nuk janë gazetarët që jetojnë në diasporë apo bashkëpuntorët e jashtëm siq i quajnë pronarët e gazetave, të cilët kanë qendruar të palëkundur dhe të pathyeshëm në sfidat e kohës nëpër të cilën kaloi populli ynë në këto tri dekadat e fundit.
Krijuesit dhe gazetarët në diasporë, të vërtetën e thonë lakuriq ashtu siq është, të pakamufluar, të pazbukuruar dhe të pacenzuruar nga politikat redaktuese.
Lum ai gazetar që arrinë ta ruaj pavarësinë shpirtërore dhe paanësinë partiake. Futja e shpirtit të një gazetari apo krijuesi nën grilat e pushtetarëve, apo hyrja nën kthetrat partiake është pak më tepër se vetvrasje, është ngulfatje e shpirtit për së gjalli!
Në pyetjen, se a kemi gazetari të pavarur në Kosovë apo jo?!, u mbetët lexuesve ta thonë fjalën e tyre të lirë, nga brendia e zemrës dhe thellësia e shpirtit.
Komentet