Kam rilexuar këto ditë librin e rëndësishëm të Abaz Ermenjit “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë” (Shtëpia botuese “Çabej”, botimi II, 1996, fq.549).
Abaz Ermenji është një personalitet dhe veprimtar politik gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nga figurat kryesore të Ballit Kombëtar.
Këtë libër për figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut autori e ka botuar për herët ë parë në vitin 1968, me rastin e përkujtimit të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Libri është zhvilluar si një ide organike, duke përmbledhur pothuajse “të tërë historinë e Shqipërisë në një pamje të vetme.
Skënderbeu
Skënderbeu është figura qendrore që lidh të dy pjesët e historisë shqiptare: vjetërsinë klasike dhe kohët moderne”.
Autori është një njeri i kulturuar dhe i informuar me dije historike dhe synon të japë një histori të disiplinës shkencore dhe analizat e tij për origjinën e popullit shqiptar, etnogjenezën, mesjetën shqiptare dhe për Epokën Skënderbejane. Ato janë interesante dhe përbëjnë të vërteta të historiografisë shqiptare për Skënderbeun, që unë do ta quaja Skënderbeologji, të pranuara nga pikëpamja shkencore.
Edhe kapitujt që analizojnë Shqipërinë në Pushtimin Otoman, pastaj Pavarësinë, për situatën e Shtetit Shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Traktatin e Fshehtë të Londrës që synonte copëtimin e Shqipërisë, për Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës që Ermenji me të drejtë e quan “Lufta që e shpëtoi Shqipërinë e 1913-s nga copëtimi”, për të kaluar pastaj për kohën e Zogut, për luftën e kontrasteve shoqërore dhe ekonomike që sjell diktatura e Zogut dhe në pikëpamje historiografike kreu XXV me nëntitull “I futur prej Jugosllavisë, në fund të dhjetorit 1924, Zogu merr të gjitha fuqitë, shpallet Kryetar Republike pastaj Mbret, lidhet me Italinë fashiste dhe mbahet me kapitalet e saj deri në vitin 1939” (fq.439-468).
Librin e Abaz Ermenjit e rilexova me interes edhe për një arsye substanciale: në shtypin shqiptar është ngritur një stuhi e madhe shkrimesh ose dhe të ashtuquajturash “studime” për të mohuar tërësisht Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, për të konsideruar këtë luftë jo vetëm si të paqenë, pra një subjekt fantazmagorik, por madje edhe një fatkeqësi të jashtëzakonshme kombëtare.
Pikërisht Abaz Ermenji si një dëshmitar dhe veprimtar aktiv, disa herë tepër aktiv në ngjarjet e pushtimit fashist midis viteve 1939-1944 është një kundërshtar i betuar i komunistëve, pra gjithmonë paraqitet si një antikomunist pa asnjë kompromis dhe natyrisht që në analizat e tij në këtë libër bën edhe apologjinë e Ballit Kombëtar, ndonëse ndjenja e historianit nuk e lë të qetë për të dëshmuar dhe të vërteta tepër të rëndësishme që lidhen me kriticizmin historik, madje dhe për vetë Ballin Kombëtar.
Ermenji përballë Zogut
Kapitulli që Abaz Ermenji i kushton regjimit të Ahmet Zogut është me të vërtetë i jashtëzakonshëm dhe i pamëshirshëm.
Ja ç’shkruan Ermenji: “Me armët dhe municionet që iu dhanë jugosllavët dhe me forcat mercenare që përgatitnin në Jugosllavi, ku mblodhi rusë të bardhë dhe aventurierë, Ahmet Zogu e sulmoi Shqipërinë nga mesi i dhjetorit 1924. Një regjiment i ushtrisë së rregullt jugosllave shkeli kufirin shqiptar për t’ia hapur udhën bandave mercenare që komandante Ceno Kryeziu. Njëkohësisht hynë nga ana e Kakavisë në jug Myfit Libohova dhe Koço Kota me bandat e përgatitura në Greqi…
Ahmet Zogu hyri në Tiranë në 24 dhjetor 1924… përmbysja e aq shpresave për të bërë Shqipërinë të zonjën e vetvetes, siç ishte programi i Lëvizjes së Qershorit, ka qenë një humbje e madhe dhe pati pasoja të rënda në jetën kombëtare.” (fq.437-438)
Më tej: “24 Dhjetori u shpall prej zogistëve si dita e “Triumfit të Legalitetit”, një “Legalitet” i çuditshëm që u vendos me ndihmën e Jugosllavisë, ushtria e të cilës i hapi udhën bandave të Zogut duke shkelur kufirin shqiptar.” (fq.439)
Po citoj përsëri: “Cinik prej natyre dhe i rritur me konceptet orientale të politikës, Zogu nuk njihte tjetër parim veç interesit dhe nuk besonte në kurrfarë ideje ose idealizmi… Zogu mblidhte rreth vetes kalbësirat… regjimi i Zogut s’bëri gjë tjetër veçse i acaroi konfliktet shoqërore edhe më tepër, rrëzoi në llom çdo shpresë që mund të kishte njeriu në vleftat kombëtare e morale, në drejtësinë, në rolin e udhëheqjes së shtetit drejt smirës.
Nuk lejoi që të krijohej një ide qendore shqiptare e mbështetur në të vërtetën. E la vendin në një anarki të plotë shoqërore dhe ekonomike, mendore dhe morale… Zogu nuk ishte nga ata që ndjejnë një mision historik në vetvete dhe që ia kushtojnë të gjitha energjitë e shpirtit për t’ia përmbushur.
Nuk ishte njeriu i krijimit, por një ambicioz i zakonshëm nga ata që duan të komandojnë dhe të shkëlqejnë.
Nuk e shtynte një dashuri e thellë për vepra të larta e të qëndrueshme, por dëshira e rëndomtë për madhëri, për komandë, për lukse dhe pasuri.
Këtë e provoi sidomos më 1928, kur ngreu një “mbretëri” teatrore, me ca paraqitje qesharake, mbi një popull të vogël e të mjerë.
E provoi me kultin e vetvetes, me salltanetet, me paradat e një ushtrie kukull, që përpiu gjysmën e buxhetit të shtetit për 14 vjet rresht, për të mos bërë asnjë orë qëndresë kur erdhi dita që atdheu të sulmohej nga i huaji.
Për të kënaqur këto dëshira, Zogut i duhej të sundonte si një despot oriental, pa i dhënë llogari askujt.” (fq.440-441)
Akoma më pamëshirshëm dhe me të drejtë Abaz Ermenji stigmatizon “dhuratat” që Zogu i dha padrejtësisht Jugosllavisë.
Dhe ja çfarë shkruan Ermenji: “Në 1923, Jugosllavia kish ngulur këmbë për të mbajtur Vermoshin dhe Shën Naumin, dhe Greqia 14 fshatrat e rrethit të Korçës.
Konferenca e Ambasadorëve nuk i mori fare parasysh kërkesat e këtyre shteteve porsa i përkiste Vermoshit dhe 14 fshatrave.
Por çështja e shën Naumit u rrah gjatë. Duke interpretuar në dobi të saj tekstin e Protokollit të Londrës që caktonte kufijtë e shtetit shqiptar në 1913, Jugosllavia mëtonte se Shën Naumi i takonte asaj.
Por Konferenca e ambasadorëve, në një vendim të 6 dhjetorit 1922 i dha të drejtë Shqipërisë.
Në prill dhe në maj 1923, Jugosllavia e kundërshtoi atë vendim dhe kërkoi që të rishikohej. Konferenca e Ambasadorëve formoi një komision anglo-franko-italian për ta shqyrtuar dhe njëherë këtë çështje, por mbasi komisioni s’ra dot në ujdi, çështja kaloi në Lidhjen e Kombeve, e cila kërkoi mendimin e këshilltarëve të saj juridikë.
Këta i dhanë të drejtë Jugosllavisë, por Lidhja e Kombeve nuk mund ta thyente aq lehtë vendimin e ambasadorëve, të cilit ishin ngarkuar prej Konferencës së Paqes për caktimin e kufijve të Shqipërisë, prandaj ia kaloi çështjes Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës.
Shitja e Shën Naumit dhe Vermoshit
Ky, mbasi rishikoi të gjitha të dhënat e ndau punën më mirë, dhe shpreh që Shën Naumi t’i jepej Shqipërisë, sipas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve, marrë më 6 dhjetor 1922.
E mbështetur në mendimin e Gjyqit të Lartë Ndërkombëtar, Lidhja e Kombeve ia njohu Shën Naumin Shqipërisë në tetor 1924.
Konferenca e Ambasadorëve e vërtetoi edhe njëherë atë vendim më 27 prill 1925.
Mirëpo Zogu në korrik të atij viti (1925) ia bëri peshqesh Jugosllavisë jo vetëm Shën Naumin por dhe Vermoshin, të cilin Konferenca e Ambasadorëve s’kish pranuar ta vinte fare në bisedim mbasi i takonte Shqipërisë.
Disa “kalemxhinj” zogistë kanë dashur jo vetëm ta mbulojnë këtë tradhti, por dhe ta tregojnë si një politikë të urtë të Zogut, duke u mbështetur në arsyen se Jugosllavia i kishte pushtuar ato vise dhe s’do të dëgjonte kurrsesi t’ia kthente Shqipërisë etj.
Këto profka nuk kanë asnjë vleftë sepse Jugosllavia do të detyrohej më në fund t’ia kthente ato dy vise Shqipërisë, sikurse u detyrua Greqia për 14 fshatrat.” (fq.443)
Ky portretizim i figurës së Ahmet Zogut është nga më të saktët në historiografinë shqiptare dhe Abaz Ermenji ka plotësisht të drejtë. Pra ai e ka një botëkuptim atdhetar në këtë analizë dhe duket shumë i familjarizuar me dokumentat kryesore të kohës.
Analiza e tij për kohën e Zogut natyrisht është më e gjatë dhe më e hollësishme, por konkluzioni i tij si një rezultante të akteve politike të Mbretërisë Shqiptare siç është lidhja me Italinë fashiste bën që Ermeni të konkludojë saktësisht se “qëllimi i depërtimit ekonomik italian-shqiptar ishte që të sillte pas depërtimin ushtarak.” (fq.448)
Ja dhe një frazë tjetër shumë kuptimplotë e Abaz Ermenjit: “Zogu dhe rrethi i tij ndjenin një frikë instiktive kundrejt kulturës, mbasi këtë armë s’e kishin ata vetë. Mandej e kuptonin ndoshta se mënyra e qeverimit të tyre nuk pajtohej me idetë e reja që vinin prej kulturës së kohës, prandaj nuk i dhanë një përkrahje me shpirt zhvillimit kulturor të vendit, dhe çdo mendim të ri e quanin komunist.” (fq.466)
Pushtimi fashist
Për datën 7 prill 1939 Ermenji shënon: “Zogu u dëftye njeri fare i rëndomtë dhe pa asnjë rend heroizmi. Duke pasur gjithmonë frikë nga populli lozi komedinë e qëndresës sa për të gënjyer masat dhe për të përgatitur ikjen e tij.
Që të përmbante buçitjen popullore bëri disa lëvizje trupash dhe hapi parullën se gjoja ai do të luftonte me anën e ushtrisë së rregullt dhe se mobilizimi i përgjithshëm do të bëhej ca nga ca sipas nevojës.
U muar vesh se të gjitha këto ishin një dredhi dhelpre si të tjerat dhe se qëllimi i “mbretit” kish qenë që të dilte shëndoshë e mirë përtej kufijve me familjen dhe thesarët e tij. Turp, për Zotin!… por burrërinë e racës shqiptare e tregoi Mujo Ulqinaku me shokët e tij, që u bënë copë e grima ndër gjylet e Italisë. Sepse ishte kalbur klasa drejtonjëse e gjerahershme.
Gjaku i Shqiptarit, vlonte akoma, si në kohët e lashta në rrembat e popullit.” (fq.472)
Duke sjellë sërish në kujtesë dhe për publikun e gjerë deduksionet e Abaz Ermenjit dhe qëndrimin e tij të drejtë politik për kohën e Zogut më erdhi ndërmend ideja se pa dyshim personazhi i njohur antikomunist dhe profesori i liceut francez të Korçës Abaz Ermenji nuk do ta miratonte dhe do ta kundërshtonte ngritjen e shtatores së Ahmet Zogut.
Dhe të mos harrojmë që Abaz Ermenji ishte një dëshmitar historik krejtësisht i besueshëm.
Komentet