NATO është duke e përforcuar KFOR-in me ushtarë dhe artileri të rëndë ushtarake. Në anën tjetër edhe Serbia është duke pozicionuar forca të mëdha ushtarake përreth kufirit me Kosovën! Këto zhvillime paraqesin rrezikun e lartë të një luftë të re në Kosovë! Askush nuk mund ta thotë me saktësi, se a do të jetë kjo luftë e përmasave ballkanike apo fillimi i luftës së tretë botërore!?
Hyrja e NATO-s në Kosovë pas marrëveshjes me gjeneralët e Serbisë
Më fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në 24 marsin 1999, i cili zgjati 78 ditë e netë, filluan edhe masakrat më të mëdha të policëve, ushtarëve dhe paramilitarëve serb ndaj civilëve të pambrojtur shqiptarë gjithandej Kosovës.
Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s u dëbuan rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe gjithandej shteteve evro-perëndimore e deri në Amerikë dhe Zelandë të Re.
Ky dëbim i popullatës shqiptare ishte i planifikuar nga Serbia dhe ndodhi para syve të mbarë botës demokratike. Kësisoji, brenda 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s u dëbuan nga shtëpitë e tyre më shumë se gjysma e popullatës së Kosovës. U boshatisen shumë fshatra dhe vendbanime, u dogjën më qindra shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, të cilat u shkatërruan në themel.
Edhe përkundër bombardimeve 78 ditëshe të NATO ndaj caqeve serbe, hyrja e forcave paqeruajtëse të NATO-s ndodhi vetëm pas marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës mes gjeneralëve të NATO-s dhe gjeneralëve të Serbisë!
Edhe pas asaj marrëveshje të 25 viteve më parë, situata është kjo; çizmen e ushtrisë serbe e zavendëzuan çizmet e dhjetra shteteve të NATO-s, ne e rishpallën pavarësinë e shtetit dhe fituam njohjen ndërkombëtare të shtetit, kurse synimet dhe aspiratat serbe mbeten të njëjta për ripushtimin e Kosovës.
Politikanët e papërgjegjshëm kosov(r)arë
Si pasojë e agresionit politik të Serbisë në njërën anë dhe mungesës së diplomacisë aktive të shtetarëve tonë, sot Kosova është shteti i vetëm në Ballkan që ndodhet nën sanksione ekonomike të BE-së dhe SHBA-së!
Politikanët e papërgjegjshëm kosov(r)arë, njëri pas tjetrit e ndihmuan politikën hegjemoniste të Serbisë me amnestimin e kriminelëve serb të luftës, me decentralizimin etnik dhe enklavizimin e Kosovës, me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe, me themelimin e Gjykatës Speciale, me ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në veri të vendit, me rritjen sipërvaqësore dhe fuqizimin e Kishave dhe Manastireve serbe gjithandej Kosovës, duke e kthyer minoritetin serb në minoritetin më të privilegjuar në botë.
Aq shërbime të mira i ka bërë politika kosovare shtetit serb, saqë, fare lehtë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, që disa prej liderëve shtetëror të Kosovës së pasluftës të shpërbledhen dhe të dekorohen nga shteti i Serbisë me ‘Medalje të Artë” për veprime antikombëtare dhe antishtetërore ndaj shtetit të Kosovës.
Lufta po na troket të dera, partitë tona politike vrapojnë pas pushtetit
Për dallim nga Millosheviqi, pasuesi i tij, Aleksandër Vuqçiq është duke e ruajtur balancin politik mes SHBA-ve dhe Rusisë, duke investuar në rikthimin e regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Pra, regjimi aktual në Serbi, ndryshe nga Millosheviqi, me mençuri është duke e shmangur përballjen e drejtëpërdrejtë me komunitetin ndërkombëtar duke i fajësuar shqiptarët për moszbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe për prishje të stabilitetit politik në Ballkan, gjë të cilën po e ritheksojnë edhe liderët e shteteve evro-perëndimore!
Përderisa NATO e ka ngritur alarmin e kuq për rrezikun e sulmeve të ushtrisë serbe ndaj Kosovës, partitë tona politike ende bëjnë fushatë parazgjedhore për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit në pragë të një lufte me përmasa shkatërrimtare!
Andaj, bazuar në politikën e jashtme disfatiste të Kosovës dhe ftohjen e raporteve të lidershipit aktual me SHBA-të, shtrohet pyetja sa logjike po aq hipotetike, “A do ta mbrojë NATO Kosovën në rast të një sulmi eventual të Serbisë” dhe pyetja e fundit, “A e meritojmë ne shqiptarët mbrojtjen nga NATO, kur ne nuk e duam dhe e trajtojmë shtetin tonë si plaçkë lufte vetëm për pushtet dhe pasurim personal!?
Si përgjigje ndaj pyetjeve të ngritura, përpara më doli thënja e të madhit dhe të pavdekshmit, Akademik, Mark Krasniqi, po citoj: “Mrekullia vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët”, duke aluduar në intervenimin ushtarak të aleancës më të madhe ushtarake në botë.