Ish– zv. ministrja e Arsimit Nora Malaj me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se ka kaluar COVID-19 me një gjendje të rëndë shëndetësore në rreth 2 javë.
Malaj tregon gjithë eksperiencën personale sesi e kaloi infeksionin e Covid-19, duke thënë se nisi të ketë dhimbje në trup e kudo nëpër gjymtyrë dhe humbi nuhatjen dhe shijimin.
“Trupin e kisha të dërrmuar, sikur më kishte kaluar një buldozer mbi të dhe nuk kisha dëshirë për të ngrënë asgjë. Nuk shijoja asnjë gjë dhe tërë ditën e sidomos natën, në grykë ndieja një shije si metal apo hekur që nuk me hiqej nga goja. Më vinte të përzier dhe gjendja u rëndua më shumë kur diabeti shkoi nga 490 e më pas, pas insulinave, shkoi në 45, që më shkaktoi një gjendje lipotimie”, shkruan Malaj në rrëfimin e saj, teksa thotë se sot në ditën e 16-të është në një gjendje shumë të mirë.
Ajo falënderon fëmijët, miqtë dhe mjekët që e asistuan me këshilla për ta kaluar COVID-19 në shtëpi teksa jep mesazhin se jeta është gjëja më e shtrenjtë që kemi.
Postimi i Nora Malajt:
Kur sfidohet Pandemia!
Të dashur miq dhe mikesha, dua të ndaj me ju sot eksperiencën time në luftë me Covid-19!
Sot është e 16 ditë dhe më duket e pamundur që më në fund munda ta mund këtë të keqe dhe t’i kthehem jetës 🤷♀️🤷♀️
Gjithçka filloi mbrëmjen e para 16 ditëve. Teksa po qëndroja në shtëpi, kisha nja dy ditë që kisha një si kollë të lehtë, po si të thatë. Mendoja se ma kishte bere kondicioneri në shtëpi dhe në makinë kur lëvizja. Dhe atë natë thashë se ishte thjeshtë ftohje. Vura termometrin dhe shoh temp 37.3. Një gjendje subfebrile që tregonte se trupi nuk ishte mirë, kishte një lloj infeksioni, po assesi se më shkonte mendja që mund të isha Covid. Këtë periudhë kisha qenë edhe unë dhe pjesëtarët e familjes shumë të kujdesshëm. Ditën e dytë, gjendja sa vete e po rëndohej. Temperatura filloi të ngrihej më shumë. Trupi ndjehej shumë i këputur dhe dalëngadalë gjendja debole sa po vinte e rëndohej. Temperatura po rritej dhe i gjithë trupi ndjehej si i prerë.
Tashmë në ditën e tretë gjendja ishte shumë e nderë. Temperatura ishte në rritje dhe trupi mezi komandohej. Dhimbje të tmerrshme gjymtyrësh, të cilat komandoheshin me vështirësi dhe trupi tërë kohës ishte i gjithë në djersë të ftohta, të cilat të detyronin të ndërroheshe tre-katër herë në ditë. Tashmë situata ishte rënduar dhe patjetër duhej të bëheshin analizat dhe skaneri, për të parë situatën. Pas konsultës me dr. Piperon (që dua ta falënderoj nga zemra, se pa të dhe konsultat e tij do ishte shumë e vështire për t’ia dalë), bëra analizat te dr. Kosta Dhima (një mjek profesionist nga më të mirët dhe me një laborator klinik shumë profesional) dhe pasi bëra dhe skanerin, arritëm në konkluzionin që tashmë po kaloja Covidin, i cili kishte ardhur pa zhurmë dhe na kishte bujtur në shtëpi, si një mysafir i paftuar dhe që shkakton vetëm dhimbje.
Tashmë situata sapo vinte e rendohej dhe përveç kësaj, gjendja po me rëndohej edhe nga diabeti që ishte çorientuar totalisht, e vetëm rritej, pasi as insulinat nuk po e komandonin.
Tashmë filloj mjekimi intensiv me tre lloj antibiotikësh dhe me kortizonikë dhe vitamina e analgjezikë për të ulur temperaturën. Gjendja u rëndua në natën e pestë dhe të gjashtë. Tashmë shija kishte humbur, nuhatja nuk ekzistonte dhe nja dy net gjendesha si në kllapi. Trupin e kisha të dërrmuar, sikur më kishte kaluar një buldozer mbi të dhe nuk kisha dëshirë për të ngrënë asgjë. Nuk shijoja asnjë gjë dhe tërë ditën e sidomos natën, në grykë ndieja një shije si metal apo hekur që nuk me hiqej nga goja. Më vinte të përzier dhe gjendja u rëndua më shumë kur diabeti shkoi nga 490 e më pas, pas insulinave, shkoi në 45, që më shkaktoi një gjendje lipotimie. Kjo pamje dhe kjo vuajtje do më shoqëronte deri ditën e tetë. Asgjë nuk fusja dot në gojë, përveç ilaçeve dhe pak lëng portokalli të shtrydhur dhe dhallë e pak supë që na i sillni fëmijët e na i linin te dera, pasi as fuqi nuk kisha të ngrihesha nga shtrati.
Kokën, trupin, gjymtyrët dhe sytë, deri dhe rrënjët e flokëve me dhembnin.
Nga dhimbja me dilnin lot nga sytë. E gjithë goja me ishte bërë me stomatite. Një situatë realisht dramatike. Miqtë dhe mikeshat e mia u shqetësuan shumë. Për të më konsultuar më morën edhe mjekët më të mirë italianë, primario i Milanos, i cili më këshilloi dhe më dha medikamente suplementare për ta kaluar më lehtë gjendjen. Kthesa filloi në ditën e 11 duke ulur temperaturën, e cila shkoi nga 39.3 në 37.5 dhe trupi filloi dalëngadalë të qetësohej dhe dalëngadalë filloi të vinte nuhatja. Në ditën e 13, filloi shija dhe temperatura ra fare. Tashmë po fillonte të përmirësohej edhe goja, e cila ishte bërë copë nga stomatitet dhe për herë të parë pas 13 ditësh fillova të ha pak bukë me djathë të bardhë, që mu duk gjëja më e mirë në botë.
Sot është dita e 16 dhe tashmë jam në një gjendje shumë të mirë. Shija dhe nuhatja kanë ardhur, trupi është pak debol por është e pranueshme, pas gjithë asaj që kaloi. E keqja ka ikur, thjesht duhet pak kujdes për situatën pas gjendjes. Natyrisht ndihma më e madhe ishte e miqve dhe shokëve e familjarëve (fëmijëve), që dua t’i falënderoj dhe ju jam shumë mirënjohëse. Asgjë nuk kalohet vetëm. Nëse nuk do me suportonte im shoq dhe fëmijët (ata nga jashtë, jo te karantinuar por që na ndihmonin me medikamente e ushqime) do ishte e pamundur ta kalonim në kushte ambulatore në shtëpi. Një falënderim e mirënjohje dy miqve të mi mjekë doktor Pëllumb Pipero dhe dr. Kosta Dhima që me asistuan në të gjitha fae kapercit të pandemisë. Një falënderim mikeshave të mia Teas, Kseanelës, Aidës, Kozetës, Marietës. Hasanit, Ilirit, Xhuzepes, Tanit, Nikolinit, Profit dhe të gjithë mjekëve italianë, që më asistuan dhe s’u lodhën në asnjë moment për të qenë pranë situatave që po kalonim, duke na ndihmuar dhe asistuar në çdo moment!
Falënderime mirënjohje të gjithëve, se pa ju dhe prezencën tuaj, do të ishte shumë e vështire që t’ia dilnim!
Mirënjohje pa fund për ju të gjithë!
Në fund Herakliti do të thoshte: “sëmundja bën të gëzuar shëndetin”. 🎖️
Të dashur miq, ua rrëfeva këtë gjë që kalova për të kuptuar që jeta ka shumë vlerë dhe duhet vlerësuar e fituar edhe kur vihesh përballë sfidave të vështira. Kalofshi një fundjavë të bukur.
Paçi shëndet dhe mirësi në shtëpitë tuaja!
Ps: Lexojeni këtë pjese nga Alende, që ma dërgoi një mikja ime e mirë, për të kuptuar vlerën e jetës. Lexim të mbarë!
Nga Isabel Allende mbi pandeminë dhe frikën
“Meqenëse Paula (vajza ime) vdiq 27 vjet më parë, unë kam humbur frikën e vdekjes.
Para së gjithash, sepse e pashë të vdiste në krahët e mi dhe e kuptova që vdekja është si lindja, është një tranzicion, një prag dhe kam humbur frikën e saj personalisht.
Tani, nëse virusi më kap, unë i përkas popullatës më të rrezikuar, të moshuarve, unë jam 77 vjeç dhe e di që nëse e marr, do të vdes. Kështu që mundësia e vdekjes është shumë e qartë për mua tani, e shoh atë me kuriozitet dhe pa frikë.
Ajo që më ka mësuar pandemia është t’i lëmë gjërat, të kuptojnë se sa pak më duhen.
Nuk kam nevojë për të blerë, nuk kam nevojë për më shumë rroba, nuk kam nevojë të shkoj diku apo të udhëtoj. Unë mendoj se kam shumë. Shikoj përreth dhe pyes veten pse e gjithë kjo. Pse më duhen më shumë se dy pjata?
Kështu që zbuloni se kush janë miqtë e vërtetë dhe njerëzit me të cilët dua të jem.
Çfarë mendoni se pandemia na mëson të gjithëve?
Ai po na mëson përparësitë dhe na tregon një realitet. Realiteti i pabarazisë. Si disa njerëz e kalojnë pandeminë në një jaht në Karaibe dhe njerëz të tjerë vdesin nga uria deri në vdekje.
Ai gjithashtu na mësoi që ne jemi një familje.
Çfarë ndodh me një qenie njerëzore në Wuhan, ndodh me planetin, ndodh për të gjithë ne. Nuk ka asnjë ide të tillë fisnore që ne jemi të ndarë nga grupi dhe se ne mund ta mbrojmë grupin ndërsa pjesa tjetër e njerëzve nuk u intereson. Nuk ka mure, nuk ka mure që mund të veçojnë njerëzit.
Krijuesit, artistët, shkencëtarët, të gjithë të rinjtë, shumë gra, po e konsiderojnë një normë të re. Ata nuk duan të kthehen në atë që ishte normale.
Ata pyesin veten se çfarë botë duam. Kjo është pyetja më e rëndësishme tani.
Ajo ëndërr e një bote tjetër: ne duhet të shkojmë atje.
Dhe unë reflektoj: në një moment të caktuar kuptova se njeriu hyn në botë për të humbur gjithçka. Sa më gjatë të jetoni, aq më shumë humbni. Në radhë të parë, ju po humbni prindërit tuaj, ndonjëherë njerëz shumë të dashur përreth jush, kafshët shtëpiake, vendet dhe madje edhe fakultetet tuaja.
Ju nuk mund të jetoni në frikë, sepse kjo ju bën të imagjinoni gjëra që nuk ndodhin dhe vuani dy herë më shumë.
Ne duhet të pushojmë pak, të përpiqemi të shijojmë atë që kemi dhe të jetojmë në të tashmen ”.