VOAL

VOAL

Vota e diasporës, Bylykbashi tregon detajet e draftit të PD: Ja ku ndahemi me PS-në

Nënkryetar i PD-së, Oerd Bylykbashi dha detaje për draftin që partia ku ai bën pjesë ka për votën e diasporës.

I ftuar në Debat nga Alba Alishani, Bylykbashi u shpreh se në draft theksohet se të drejtën e votës do ta kenë të gjithë emigrantët jashtë vendit me apo pa dokumente aty ku jetojnë, por edhe studentët, emigrantët, madje edhe ata që kanë shkuar për arsye kurimi në një shtet tjetër.

Sipas Bylykbashit, palët kanë rënë dakord tashmë që vota e emigrantëve të llogaritet në qarkun ku ata kanë vendbanimin e tyre, ndërsa ndahen te pjesa e rezidencës.

Bylykbashi: Dy çështjet janë shumë të ndryshme, jo vetëm sa i përket nevojës së 84 votave. Nëse ne do të kishim një dakordësi, siç ka ndodhur në mënyrë të rregullt, hera parë që parlamenti shqiptar nuk arrin të bëjë reformë zgjedhore dhe kjo është bllokuar nga PS-ja.

Ne kemi ofruar një zgjidhje që nuk është thjesht vota e diasporës, e cila është qasje parciale, por votimin nga jashtë. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtën e votës edhe nga jashtë, sigurisht jo kur shkon turist për 4 apo 5 ditë, por kur është jashtë vendit për arsye emigracioni, pa dallim të ligjshëm apo të paligjshëm sepse kemi me dhjetëra mijëra shqiptarë pa dokumentacion dhe me kushtetutë ka të drejtën për të votuar. Sot, PS ka si kriter rezidencën, por ne themi që adresa është e nevojshme për të çuar materialin zgjedhore, por ne themi se mund të votojnë edhe ushtarakët, studentët apo ata që shkojnë për kurime afatgjata jashtë vendit.

Është arritur një dakordësi që vota e atyre që votojnë nga jashtë do të llogaritet në qarkun ku ata kanë vendbanimin e tyre. Të dyja palët kanë rënë dakord për këtë. Ne ndahemi te pjesa e rezidencës. 

Kulla në mes të Shkodrës- Thirren protesta kundër betonizimit të qytetit

Kulla 35 katëshe që do të ndërtohet në mes të Shkodrës ka nxitur edhe thirrjet për protesta kundër betonizimit të qytetit nga ana e kryebashkiakut Benet Beci dhe kryeministrit Edi Rama. Këshilltari bashkiak i PD-së në Shkodër, Imeldi Sokoli, ka njoftuar në rrjetet sociale se protesta do të zhvillohet të hënën e 22 korrikut në orën 19:00, në sheshin “Nënë Tereza”.

Postimi

“Kulla nuk asht cool n’Shkodër.

Ftoj të gjithë miqtë të na bashkohen në këtë marshim kundër betonizimit të qytetit tonë.

Dy ditë më parë Qeveria dhe Bashkia e Shkodrës prezantuan projektin e një kulle 100 metra të lartë e cila pritet të ndërtohet në zemër të qyetit. Të vënë para faktit të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike, të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron t’i kanosë Shkodrës, të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirën që jetojmë, ju bëjmë thirrje të na bashkoheni në protestë, ditën e hënë, më 22 korrik, në orën 19:00, te sheshi “Nënë Tereza”’. sn

Miratohet projekt-deklarata për heqjen e Ligjit të Luftës me Greqinë

Kuvendi ka miratuar ditën e sotme projekt-deklaratën për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë, e propozuar nga PDIU.

Projekt-deklarata u miratua me 96 vota pro. Seanca u zhvillua me diskutime nga deputetët, të cilët miratuan njëzëri deklaratën.

Kujtojmë se Nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, pasi vlerësoi rëndësinë e heqjes së këtij ligji absurd, në emër të opozitës, kujtoi mazhorancën që kjo të mos përdoret politikisht për qëllime elektorale në Himarë, por të merret seriozisht dhe të punohet me palën greke për arritjen e këtij objektivi. sn

Malkaj: Jetojmë në një diktaturë perverse! Të vrasin natën dhe të qajnë ditën

Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit por organizojnë protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës.

Aktori Mehdi Malkaj tha se sot po jetojmë në një diktaurë.

Mehdi Malkaj: Së pari, njëherë shyqyr që u ngroh koha. Dua të bëj një dialog të vogël me juve. Ju keni bërë një betim kur keni veshur atë rrobë dhe betimi është me tri fjalë. Do mbrojmë atdheun dhe popullin shqiptar.

Tani, përse e rrihni këtë popullin shqiptar sa here të doni dhe si të doni dhe mbroni qelbësirat që janë aty brenda.

Miq të dashur, nguleni në kokë, jetojmë në diktaturë perverse. Nuk ka emër kryeministër, por ka diktator, mos e harroni kurrë këtë.

Jetojmë në diktaturë të ndyrë, qelbësirë. Të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Mendojeni ndonjëherë zotërinj policë se keni berë betim që të mbroni këta, e jo atë halenë publike atje. sn

21 janari- SPAK thërret për të dëshmuar xhaxhain dhe bashkëshorten e Aleks Nikës

SPAK do të thërrasë ditën e hënë në orën 10:00 Rajmonda Nikën, bashkëshorten e Aleks Nikës në cilësinë e kallëzues për vrasjet e 21 janarit, raporton për Balkanweb gazetari, Igli Çelmeta.

Gjithashtu në të njëjtën ditë në orën 12:00, është thirrur edhe Mark  Nika,  xhaxhai i Aleks Nikës.

Aleks Nika është një nga viktimat e 21 janarit, por vrasja e tij mbeti e pazbardhur.

SPAK do të hetojë 21 janarin, ku 4 qytetarë u vranë gjatë një demostrate të thirrur nga opozita e asaj kohe, Partia Socialiste.

SPAK ka ngritur 3 vepra penale për 21 janarin:  shpërdorim i detyrës,  “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

SPAK sqaron se ka nisur hetimet pas vendimit urdhërues të Gjykatës së Lartë, si edhe vendimit të Strasburgut. Procedimi penal është regjistruar më datë 15 korrik 2024 për 3 vepra penale që dyshohet se mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, dhe jo vrasje nga pakujdesia siç prokuroria e Tiranës i cilësoi. SPAK i akuzon për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisin pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës në Gjykatën e Lartë e vetmja vrasje pa autor e 21 janarit, për shkak se predha që iu hoq nga trupi në Turqi ishte e dëmtuar, e paekspertueshme se nga cila armë u qëllua. Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.bw

Dështimi me sezonin turistik- Rama sulmon vlonjatët: U kanë dalë sytë dhe trutë nga vendi

Kryeministri Edi Rama ka pranuar indirekt dështimin e sezonit turistik, por ia ka vënë fajin rritjes së pakuptimtë të çmimeve të hoteleve dhe restoranteve në krahasim me një vit më parë.

Në një takim me kryebashkiakët e vendit, Rama përmendi Vlorën dhe Sarandën si dy rajonet ku rritjet e çmimeve në sezonin turistik janë të ndjeshme.

Rama përmendi Vlorën si rajonin më abuzues më rritjen e çmimeve, dhe u bëri thirrje bizneseve që të reflektojnë.

“Të gjitha këto është e nevojshme të merren në konsideratë për diçka tjetër, qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet. Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Nuk vendosin dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i imponojnë dot.

Por aman në Vlorë, në Sarandë, ku janë dhe dy pikat e një rritje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve, dhe t’ju thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të komunikohet dhe të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj, do e kishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë në pjesë të caktuara, por kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura. Është e rëndësishme të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush nuk mund t’ua imponojnë. Por ama është dhe çështje dijeje.

Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, stabël. Dhe natyrisht, vlonjatët janë molla e këtij sherri. Dihet ajo punë. Sepse tani Vlora është bërë kaq e kërkuar, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe është bërë një gropë ku do bien vetë këta që ngrenë ato çmime në atë farë feje.

Është e padrejtë edhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde në këtë moment të fillojë të belbëzohet. E ka bërë Bullgaria këtë sport vite më parë dhe e ka paguar vite të tëra nuk kthehej më aty ku ishte. Se më mirë syri, se sa nami. Vlonjatëve ju ka dalë edhe syri, edhe nami, ju kanë dalë dhe trutë nga vendi atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë, kështu që është mirë ta kuptojnë, do zbresin pak me këmbë në tokë”, u shpreh Rama. sn

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK nis hetimet për ’21 Janarin’

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për “21 janarin” për 3 vepra penale. SPAK njofton se ka regjistruar procedimin penal nr. 138, më 15 korrik 2024 për veprat penale:

–“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.

–“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;

–“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.

Procedimi penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në 21 Janar të 2011-ës të ndodhur në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku gjatë protestës të organizuar nga opozita e saj kohe (Partia Socialiste) para Kryeministrisë u vra Aleks Nika, si dhe u plagosën Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

NJOFTIMI ZYRTAR

Nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut njofotjmë se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 15.07.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale:

“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.

“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;

“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.

Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posacme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika, si dhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.

Në rastin konkret hetimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 79, gërmat “dh” dhe “ë” e 25, 248 e 25, si dhe 301 e 25 të Kodit Penal, është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit 75/a, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

Duke vlerësuar informacionet e përftuara dhe të administruara se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285, vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, si dhe pas njoftimit të datës 15.07.2024 të bërë nga prokurori i çështjes, në mbështetje të neneve 29 pika 3 dhe 75/a, me vendimin e datës 15.07.2024, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera:

Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011.

VIDEO- Fredi Beleri lë ambientet e burgut të Fierit, nga qelia, në Francë. Betohet nesër si eurodeputet i PE. Ja çfarë dëshmoi për mediat

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e sotëm ambientet e burgut të Fierit, pasi do të betohet nesër si eurodeputet i Parlamentit Europian në Francë.

Siç shihet nga pamjet e siguruara për BalkanWeb, Beleri ka dalë nga porta kryesore e burgut të Fierit, atje ku po vuan 2 vite burg nën akuzën e blerjes së votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Ai është pritur në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë dhe makina e ambasadës greke.

Për median greke ai ka pohuar se ishte shumë i lumtur, ndërsa i shprehu falënderime atyre për mbështetjen e dhënë në kaq muaj, duke raportuar lajme për të. “Jam i lumtur e ju falënderoj për mbështetjen që me keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do t’i them në Athinë. Për median shqiptare, do të flas në aeroport.”, tha Beleri.

Kujtojmë se Drejtori i Burgjeve ditën e djeshme miratoi kërkesën 5-ditore për Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i PE. Sipas njoftimi, leja e Belerit do të nisë të sot, kur ai do të udhëtojë drejt Francës dhe do t’i përfundojë më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.

Drejtoria e Burgjeve, ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje, akomodimin dhe rregullimin e hotelit. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Që nga çasti i prangosjes e në vijimësi, Beleri ka kundërshtuar akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë një proces politik dhe ka apeluar vendimin. Por edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ta lërë në qeli. Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.

(BalkanWeb)

Alfred Belerit i lejohet të shkojë në Strasburg për t’u betuar si eurodeputet

Jetmira Delia-Kaci

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Shqipëri njoftoi të dielën,më 14 korrik, se ka miratuar kërkesën e Alfred Belerit që të dalë nga burgu në mënyrë që të bëjë betimin si eurodeputet në Strasburg.

Beleri u zgjodh deputet i Greqisë në Parlamentin Evropian, teksa po vuan dënimin prej dy vjetësh burgim në Shqipëri për vjedhje votash në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Në vendimin e autoriteteve të burgjeve theksohet se leja shpërblyese nis në orën 06:30 të së hënës deri në orën 16:00 të datës 20 korrik. Gjithashtu përcaktohet se leja duhet detyrimisht të kryhet në dy adresat e dhëna prej Belerit, njëra në Himarë dhe tjetra në Strasburg. Autoritetet thanë se për çdo lëvizje tjetër “të imponuara nga forca madhore” duhet të telefonojë pranë zyrës së informacionit në burgun e Fierit, ku aktualisht Beleri po shlyen dënimin prej dy vjetësh burgim, nën akuzën për blerje votash.

Drejtoria e Burgjeve sqaroi në vendimin për lejen shpërblyese se ditën e hënë, Beleri duhet të paraqitet në komisariatin e Himarës, ku të paraqesë një kopje të vendimit. Gjithashtu theksohet se nëse nuk ndodhet në Himarë duhet të mbajë kontakt me komisariatin e këtij qyteti çdo ditë në orën 14:00. Mosrespektimi i këtyre rregullave do ta ngarkojë Belerin me përgjegjësi penale.

Drejtoria e Burgjeve tha se leja shpërblyese u dha në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamentin Evropian në datat 15-20 korrik 2024 në Strasburg dhe se pas përfundimit të lejes pesëditore, i dënuari Alfred Beleri do të kthehet në burgun e Fierit për të vazhduar kryerjen e dënimit, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme.

Në mars, Gjykata e Posaçme e dënoi Belerin me dy vjet burgim. Ndërsa më 25 qershor Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi ta mbajë në fuqi dënimin e Alfred Belerit, duke e rrëzuar ankesën e tij.

Më 5 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri vendosi që Alfred Belerit t’i hiqet mandati i kryebashkiakut të Himarës, ndërsa presidenti shqiptar, Bajram Begaj, shpalli 4 gushtin si datën e zgjedhjeve për kryetarin e kësaj bashkie.

Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, në fillim të qershorit, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi Belerin kandidat të partisë Demokracia e Re. Ai u rendit i katërti mes shtatë eurodeputetëve grekë.

Sipas rregullores së Parlamentit Evropian, pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlament dhe presidenti, në anën tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për t’i shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.

Rasti i Belerit përbën dallim nga eurodeputetët e tjerë, pasi është zgjedhur në Greqi – vend i Bashkimit Evropian – dhe vuan dënimin me burgim në Shqipëri, vend që nuk është anëtar i BE-së. REL

Veriu i Shqipërisë, zona ku është më i përhapur fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike

VOA/Pëllumb Sulo

Dhjetëra forca policie, të mbështetura me helikoterë dhe dronë, i drejtohen thuajse çdo ditë zonës malore në veri të Shqipërisë, ku fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike është më i përhapur.

Operacionet e koduara policore “Alpe të pastra” dhe “Territor i pastër” zhvillohen prej disa muajsh në këtë zonë ku, që nga fillimi i vitit, janë zbuluar dhe asgjësuar më shumë se 160 mijë fidanë dhe bimë narkotike, të dyshuara si cannabis sativa.

Por kjo sasi mendohet se është vetëm një pjesë e asaj çfarë gjendet e kultivuar në terren. Për nga numri i bimëve të asgjësuara, Qarku i Shkodrës me 5 bashkitë e tij qëndron në krye të hartës së kultivmit të bimëve narkotike në Shqipëri.

Vetëm në dy javët e fundit policia asgjësoi me djegje rreth 50 mijë bimë narkotike, të shpërndara në parcela të vogla, në zona të thella malore dhe të pabanuara, ku edhe forcat e policisë vendore e kanë thuajse të pamundur të kontrollojnë territorin.

Parcelat më të shumta me bimë narkotike janë zbuluar në zonën e Dukagjinit, të Bashkisë së Shkodrës, në njësitë administrative malore të Shalës, Shoshit, Pultit dhe Temalit.

Prej thuajse 30 vitesh kjo është edhe zona ku vazhdimisht janë përqendruar operacionet policore anticannabis, por pa mundur të ndalojnë fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë zonë jeton një popullsi e pakët, për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe shpërnguljes së një numri të madh të familjeve drejt zonave urbane. Kjo ka favorizuar grupet kriminale që të shfrytëzojnë territorin për kultivimin e cannabisit.

Operacionet e policisë “Alpe të pastra” dhe “Territor i pastër” i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme grupeve kriminale që ushtrojnë kultivimin e bimëve narkotike, çka ka sjellë edhe reagimin e tyre. Të paktën 7 raste te vendosjes së lëndëve shpërthyese pranë banesave të punonjësve të policisë së Shkodrës si dhe vendosja e lëndës shpërthyese në banesën e një gjyqtari, dyshohet se janë pjesë e reagimit të individëve dhe grupeve kriminale ndaj asgjësimit të parcelave të drogës.

Athina! Kamera termike regjistron 100°C në rrugët e kryeqytetit grek

Athina po përballet me temperatura ekstreme.

Mediat vendase raportojnë se kamerat termike kanë regjistruar temperaturat në qytet, në një ditë ku temperaturat e ajrit ishin parashikuar deri në 35 gradë C.

Kamera ka kapur një temperaturë mbi 100°C në një rrugë në qendër të Athinës pranë një kamioni.

Ndërsa, në motorin e një makinerie që është ndalur në semafor, kamera e tregon atë duke u ngritur në gati 400°C
Pritet që vala e të nxehtit të përkeqësohet në ditët në vijim, ku temperaturat e ajrit në Athinë do të ngjiten deri në 43 gradë C.

Temperaturat e larta në vendin fqinj do të vazhdojnë të paktën deri të premten e ardhshme, 19 korrik. sn

Inceneratori i Tiranës- Operacioni i SPAK u dekonspirua, asnjë i arrestuar

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar sot edhe 8 urdhër-arreste në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Mes emrave që GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka firmosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ janë Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, gazetari Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe disa shtetas të huaj.

Asnjë prej këtyre urdhërarresteve nuk është ekzekutuar deri në këto momente pasi personat nuk janë gjetur gjatë operacionit të policisë.

Zyrtarisht SPAK ende nuk ka dhënë njoftim zyrtar dhe është tepër i rezervuar lidhur me operacionin. sn

SPAK lëshon gjashtë urdhërarreste për inceneratorin e Tiranës, tre prej tyre shtetas të huaj (EMRAT)

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar disa urdhër-arreste në lidhje me Inceneratorin e Tiranës.

Ndërkohë mësohet se janë marrë 14 masa sigurie më të lehta ndaj personave të tjerë.

Urdhërarreste janë lëshuar për shtetasit për Denisa Tollkucin, Dashamir Ymeraj dhe shtetasin e identifikuar me inicialet E.H.

Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për tre shtetas të huaj, por asnjeri prej tyre nuk është arrestuar deri më tani. bw

Beleri merr sot lejen për t’u betuar si eurodeputet! S’ka pengesa ligjore

Fredi Beleri do të marrë lejen për të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian më datë 16 korrik, ku dhe do të bëhet betimi si eurodeputet.

Tashmë që dënimi ka marrë formë të prerë, dhe Beleri ka kryer më shumë se 5/6  e masës së dënimit të caktuar, nuk ka ndonjë pengesë ligjore për ta marrë lejen për të qenë që në sesionin parlamentar që zhvillohet në Strasburg në datat 15-20 korrik 2024.

Ndërkohë sot Komisioni i Lejeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve do të mblidhet për procedurat dhe për modalitetet e sigurisë të udhëtimit.

Mediat greke shkruajnë se Beleri do të fluturojë të hënën në mëngjes (15 korrik) për në Athinë dhe më pas do të shkojë në Strasburg, për të marrë detyrën si deputet i Parlamentit Evropian gjatë seancës hapëse plenare që do të mbahet më 16 korrik.

Më 10 qershor, Fredi Beleri u zgjodh si  eurodeputet në Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen.  sn

Olsi Rama del nga SPAK: U pyeta si person në dijeni për dosjen e Xibrakës

Olsi Rama ka dalë nga ambientet e SPAK pak çaste më parë ku qëndroi për gati 1 orë në zyrat ne Prokurorisë së Posaçme.

Rama është shprehur për mediat se është thirrur në SPAK si person i cili ka dijeni ëpr dosjen e Xibrakës.

“Dhashë sqarimet e mia si person në dijeni për dosjen e “Xibrakës”, për ato që keni dëgjuar në publik. Se çfarë sqarimesh dhashë, i dëgjuan personat që ishin të interesuar.

Do doja të më pyesnin akoma dhe më shumë. E kam thënë dhe më parë se jam gati të jap deklarimet e mia sa herë të më thërrasin. Do doja të më pyesnit për sportin dhe ekipin e Partizanit”

Kujtojmë se kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka bërë një denoncim publik me fakte sa i përket përfshirjes së Olsi Ramës në grupin e trafikantëve të kokainës në Xibrakë. sn

‘Sot është dita! Qeveria teknike dhe rotacioni janë emergjencë kombëtare’

Nga Dorjan Teliti

SOT ËSHTË DITA! Të protestojmë sot për të drejtën tonë për një jetesë normale! Qeveria teknike dhe rotacioni politik janë sot emergjencë kombëtare.

-Nëse Shqipëria e varfëruar dhe e shpopulluar nuk është vendi që ti do, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam që Shqipëria të mos jetë vendi i ccmimeve marramendëse, vendi që braktis shtresat në nevojë dhe pensionistët, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam që rinia të mos largohet nga vendi me mijëra dita ditës, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam që sipërmarrja shqiptare të mos ketë taksat më të larta në rajon, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam që Shqipëria të mos jetë vendi me arsimin dhe shëndetësinë më të dobët në rajon e më gjerë, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam që fermeri vendas të mos jetë më i braktisur e i detyruar të hedhë produktet në kanal, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam një vend ku korrupsioni të mos gllabërojë paratë e buxhetit të shtetit, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam që Shqipëria të jetë vendi ku shanset e barabarta dhe konkurrenca e lirë dhe e ndershme të mbizotërojnë, një vend me drejtësi të standardeve europiane, ngrihu sot dhe protesto.

-Nëse duam një qeveri që punon për Shqipërinë dhe jo për pasurimin e zyrtarëve, ngrihu sot dhe protesto.

-SOT ËSHTË DITA, o sot o kurrë, të protestojmë në orën 20.00 para Kryeministrisë. Largimi i ER nga drejtimi i punëve, krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhjet e lira e të ndershme janë e vetmja rrugë që do rikthejë Shqipërinë në shinat e demokracisë, në shinat e normalitetit.

Image

Petro Gjikuria njofton kandidimin në Himarë: Kam lindur në Dhërmi, familja ime ka luftuar për vendin dhe demokracinë!

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONOIA” pas konsultimesh intensive me komunitetet përbërëse të Bashkisë Himarë por edhe asosacionet përfaqësuese të tyre në emigracion, u propozoi Partive Politike opozitare aleate që në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Himarës të mbështesim kandidaturën e Petro Gjikuria.

Ndërkohë edhe vetë kandidati ka reaguar në rrjetet sociale. Shqiptaro-amerikani Petro Gjikuria pranon se do të kandidojë për Bashkinë e Himarës, ndërsa shprehet se nuk bën dallime mes demokratëve dhe socialistëve, por do të jetë kandidat gjithëpërfshirës. Gjikuria thotë se ka lindur në Dhërmi por ka jetuar në Greqi dhe SHBA ku edhe ndodhet aktualisht, ndërsa banorëve të Himarës i premton se ai si kryebashkiak nuk do të jetë një partiak i emëruar që zbaton symbyllur urdhrat, siç shprehet, të atyre që uzurpojnë pronat e banorëve.

Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës! E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar. E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës. Me këto fjalë kërkoj mbështetjen dhe votën tuaj!“, shprehet ai.

Postimi i plotë i Petro Gjikurisë

Të dashur bashkëqytetarë!

Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur. Prej vitesh, vendi ynë Himara, Lukova dhe Vranishti kanë mbetur pas ndërsa bota përparon. Një vend i bekuar, me bukuri natyrore mahnitëse, me njerëz të aftë dhe punëtorë që kanë shkëlqyer kudo në botë, sot nuk është i denjë as për mundësitë, as për paraardhësit tanë, as për qytetarët e vet, dhe aq më tepër për fëmijët tanë. Prej 12 vitesh Bashkia nuk pati forcën të planifikojë dhe materializojë ato çka nevojiten. Një kryetar bashkie partiak, zbatues i urdhrave të qeverisë, shpërdoroi shumë kohë për të bërë shumë pak.

Kur qytetarët e Himarës vendosën të ndryshonin kryetarin e bashkisë, nuk u lejuan. Ish kryetari humbës i zgjedhjeve vazhdoi të qëndrojë në drejtimin e Bashkisë dhe Kryebashkiaku fitues, Fredi Beleri, e pa veten pas hekurave të burgut me akuza të fabrikuara. Gjatë gjithë kësaj kohe Himara mbeti pa kryetar bashkie. Duke parë të gjitha këto dhe pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës.

Kam lindur në Dhërmi dhe vij nga një familje që ka luftuar për dy gjëra të shenjta: për Vendin dhe për Demokracinë. Kam punuar fort në Greqi dhe në SHBA dhe kam mësuar shumë duke punuar në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, por edhe në organizata të ndryshme të diasporës dhe të gjitha këto dije dhe eksperienca dëshiroj t’i vendos në funksion të vendit tim, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat.
Në datën 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur Kryeministër, votojmë për Kryetar Bashkie! Votojmë për të nesërmen e Himarës!

E nesërmja në Bashkinë Himarë nuk do të ketë përjashtime, nuk do të ketë fëmijë të nënës dhe njerkës, banorë të përhershëm dhe të përkohshëm, socialistë dhe demokratë, tanët dhe të atyre.

Nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë pasiguri për pasurinë e çdo qytetari, nuk do të ketë Kryebashkiak të emëruar që zbaton verbërisht urdhrat e të gjithë atyre që duan të uzurpojnë pronat tona, ngado qofshin ata.

Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës!

E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar.

E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës.

Me këto fjalë kërkoj mbështetjen dhe votën tuaj!

Petro Gjikuria
Kandidat për Kryetar i Bashkisë Himarë

(BalkanWeb)

Pallat në lulishte, prokuroria bllokon lejen e Veliajt për mikun e tij ’50 mln euro’, Elman Abule

Banorët e një kompleksi pallatesh në Kombinat, mund të marrin frymë lirisht për disa kohë, pasi Prokuroria e Tiranës bllokoi të gjithë veprimet për shkatërrimin e një lulishteje dhe ndërtimin aty të një pallati shumë-katësh nga biznesmeni Elman Abule.

Image

Pak ditë më parë, Prokuroria e kryeqytetit, bazuar në hetimet e prokurores Rovena Zoto, urdhëroi sekuestrimin dhe bllokimin e pasurive në vlerë 50 milionë euro të disa personave, mes të cilëve edhe 43-vjeçarit Abule, nën dyshimin se janë përfshirë në pastrim parash.

Në kuadër të këtij hetimi janë bllokuar një numër i konsiderueshëm pasurish të paluajtshme, si edhe kompani tregtare, në emër të Elman Abule, Kristian Boçi, Drilona Boçi, Ender Boçi, Vladimir Avrami dhe Marisa Nito.

Ndër pasuritë e listuara nga Prokuroria e Tiranës, për të cilat u vendos sekuestro, është edhe “…të gjitha të drejtat që shoqëria ka nënshkruar me pronarët e truallit për zhvillimin e pasurive, përfshirë dhe ndërtimin që do të kryhet me objekt “Godinë banimi dhe shërbimi 5 dhe 7 kate me 2 kate parkim nëntokë. Leje ndërtimi: 10/1/2024.Në pronë të: Z. Keid Kalaja & Z. Burgen Strati.Zhvillues / Ndërtues: Fidalba shpk”.Leja e ndërtimit është miratuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në janar të këtij viti dhe përfitues është kompania me pronar fundor, Elman Abule.

Image

Protesta e banorëve

Në vijim të kësaj lejeje, në mes të majit 2024, kompania ndërtuese “Fidalba” vendosi tabelën e punimeve në zonën që përfshin një lulishte mes disa pallateve, në rrugën “Llambi Bonata”, në Kombinat.

Kjo tabelë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të banorëve të zonës, të cilët kundërshtuar me forcë shkatërrimin e zonës së gjelbër dhe ngritjen aty të një godine shumë-katëshe.

Qytetarët ngritën gishtin e akuzës ndaj Veliajt dhe atij që e konsideronin si mikun e kryebashkiakut, biznesmenin Elman Abule.Argumenti i qytetarëve dukej i plotë dhe i qartë. Shumë pranë zonës ku është dhënë leja e ndërtimit për “Fidalba” shpk, Bashkia e Tiranës ndërmori pak kohë më parë prishjen e disa godinave të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Banorët kërkuan nga Bashkia që godinat e reja për familjet e pastreha të ndërtoheshin në të njëjtin vend. Zyrtarët bashkiakë e refuzuan këtë kërkesë, me argumentin se trualli në atë zonë ishte i papërshtatshëm për ndërtim.

Por, pikërisht në atë tokë, e cila iu mohua banorëve për “papërshtatshmëri”, Erion Veliaj dha lejen e ndërtimit për godinë 7-katëshe për biznesmenin Abule.Ky standard i dyfishtë i Bashkisë së Tiranës nxiti tek banorët revoltën dhe kundërshtimin e tyre për projektin e ndërtimit privat.

Hetimet për Abule & co

Në 28 Qershor 2024, Prokuroria e Tiranës njoftoi vendosjen nën sekuestro të pasurive të disa personave, me një vlerë që arrinte në rreth 50 milionë euro.

Sipas prokurorisë, “nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Elman Abule në bashkëpunim me shtetasin Kristian Boçi, Ender Boçi, etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre”.

Referuar të dhënave zyrtare, “shtetasi Elman Abule rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

Më tej, sipas Prokurorisë së Tiranës, “në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, shtetasi Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve Kristian Boçi apo Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Lista e pasurive të sekuestruara

Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka marrë lejen e gjykatës për sekuestrimin e një sërë pasurish të paluajtshme dhe shoqëri tregtare, të listuara më poshtë:

1-Shoqëria Hec Zal Xhuxhë shpk me NIPT L32201037O dhe asetve të saj, Hec Zall Xhuxhë 1 dhe Hec Zal Xhuxhë 2 me fuqi të instaluar 4.7 MË, të ndodhura Mirditë, Qarku Lezhë.

2-Shoqëria Gloris Construction shpk ka si ortak të saj shtetasin Ender Boçi zotërues i 50% të kuotave të kapitalit themeltar dhe shoqërinë Mak-08 shpk zotërues i 50% të kuotave të kaplitalit themeltar.

3-Shoqëria Mak-08 shpk me NIPT K81313013K dhe aseteve të saj, objekt 3-katësh me numër pasurie 6/23+11-66, e ndodhur në ZK. 8270, Rr. Muhamet Gjollesha.

4-Shoqëria Dizi shpk, themeluar në datë 13.02.2015 me NIPT L51413015E dhe aseteve të saj, të drejtat që kjo shoqëri ka mbi pasuritë me nr. 73/5 dhe pasuria me nr. 19/11 të ndodhur në Zk. 3721.

5-Shoqëria Chriss shpk me NIPT L64828201C dhe pasurive të saj, pasuria me nr. 389/36 dhe 389/37, të ndodhura në ZK.1299.

6-Shoqëria RAMETAL shpk me NIPT L41517502C me pasuritë e saj, përfshirë makineritë dhe dy furrat për shkrirjen dhe përpunimin e metaleve.7-Shoqëria Fidalba shpk me NIPT L01718023B dhe pasuritë e saj, pasuria me nr. 264//40/ND2, 264/40/ND1, pasuri me nr. 264/36 dhe pasuria me nr. 264/33, të ndodhura në ZK. 3339. Të gjitha të drejtat që shoqëria ka nënshkruar me pronarët e truallit për zhvillimin e pasurive, përfshirë dhe ndërtimin që do të kryhet me objekt “Godinë banimi dhe shërbimi 5 dhe 7 kate me 2 kate parkim nëntokë. Leje ndërtimi: 10/1/2024.Në pronë të: Z. Keid Kalaja & Z. Burgen Strati.Zhvillues / Ndërtues: Fidalba shpk.”

Image

8-Shoqëria Ferro Chrome Holding shpk me NIPT L51621504T zotërues 100% të kuotave është shoqëria Fidlaba shpk.

9-Shoqëria Metal Form shpk me NIPT M12122501H zotërues 100% të kuotave është shoqëria Fidlaba shpk.

10-Shoqëria METALE ALBANIA 2014 shpk me NIPT L01908004U zotërues 100% të kuotave është shoqëria Fidlaba shpk.

11-Shoqëria TRITAL shpk me NIPT K91729002T zotërues 100% të kuotave është shoqëria Fidlaba shpk.

12-Shoqëria VENTUS shpk me NIPT L82212033T zotërues 100% të kuotave është shoqëria Fidlaba shpk.

13-Shoqëria Dada Clean shpk me NIPT M21912035D e regjistruar në datë 12.7.2022, në të cilën shtetasja Marisa Nito zotëron 100% të kapitalit themeltar.

14-Shoqëria Sapientia shpk me NIPT L82315006R e regjistruar në datë 15.11.2018, në të cilën shtetasja Marisa Nito zotëron 70% të kuotave të kapitalit themeltar në vlerën 70.000 lekë.

15-Shoqëria EUROPA BUILDING shpk me NIPT K31728004B, shtetasi Vladmir Avrami zotëron 100% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë.

Pasuritë e regjistruara në emër të individëve

16-Pasuria e llojit “Njësi” Nr.1/357-N13/2, sip 35.4 m2, ZK 8270, adresa Muhamet Gjollesha Tiranë në pronësi të Kristian Boçi.

17-Pasuria e llojit “Njësi” Nr.5/326-N2, Vol 36, Fq.29, ZK 8270, Sip 189.7 m2, adresa Rruga Dora D’Istria, Tiranë në pronësi të Kristian Boçi.

18-Dyqan me sipërfaqe 222 m2 të ndodhur në Blv. Zhan D’Ark në pallatet e shoqërisë “Gora” shpk, ambienti me nr. 2, Kulla Nr. 3 me të drejta të shtetasit Kristian Boçi.

19-Dyqan me sipërfaqe 220.8 m2 dhe verandë me sipërfaqe 285 m2, të ndodhur në Blv. Zhan D’Ark, me të drejta të shtetasit Kristian Boçi.

20-Pasuria “Apartament” Nr.1/357+1-14, Vol 74, Fq.201, sip 201.8 m2, adresa rruga Muhamet Gjollesha Tiranë, në pronësi të Kristian Boci

21-Pasuria “Garazh” Nr. pasurie 1/357-G8/2, Vol 79, Fq 181, ZZK 8270 me sipërfaqe 18.9 m2.

22-Pasuria “Garazh” Nr. pasurie 1/357-G8/3, Vol 79, Fq 182, ZZK 8270 me sipërfaqe 18.9 m2, me adresë Tiranë.

23-Pasuria Garazh Nr. 8/2 me sipërfaqe 18.9 m2, Nr. me adresë Tiranë.

24-Vilë Nr.131/2 me sipërfaqe ndërtimi 171.6 m2 dhe siperfaqe trualli 300.8 m2 ZK 1739, Nr pasurie 68/92/38, në pronësi të Marisa Nito në kompleksin “Green Coast”.

25-Vilë Single A2, sip ndërtimi 334.2 m2 dhe sipërfaqe parcele 550 m2 në kompleksin “Mandarine Drive”. / BoldNews /

FOTOT: Ha e pi me Pjerin Ndreun, ky është agjenti që mori në pyetje kryebashkiakun e Lezhës

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu është vënë nën hetim për shpërdorim detyre nga Struktura e Posaçme.

Deri tani dihet se akuza ka lidhje me një rrugë të ndërtuar në Lezhë.

Nëse Ndreu do të merret i pandehur, mund të vihet në pikëpyetje edhe mandati si kryetar bashkie i Lezhës.

Pjerin Ndreu zgjeron listën e zyrtarëve të lartë të hetuar për korrupsion. Nën hetim janë edhe zyrtarë të Bashkisë së Lezhës, që janë marrë me tenderin për ndërtimin e rrugës.

Por agjenti që do e marrë në pyetje Ndreun është një mik i ngushtë i kryebashkiakut, siç shihet nga kjo foto e siguruar nga SYRI.

Bëhet fjalë për agjentin Erion Tema, që më parë ka shërbyer si drejtor sigurie në Autoritetin e Aviacionit Civil.

Në foto shihet ai duke drekuar bashkë me Pjerin Ndreun nën avujt e alkoolit.

Tema ka miqësi edhe me të tjerë zyrtarë dhe drejtues socialistë.

Image

Pjerin Ndreu nën hetim për shpërdorim detyre, gazetarja: Akuza për procedurat në ndërtimin e një rruge, po hetohen dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Lezhë

Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje live me News 24 ka dhënë detaje në lidhje me paraqitjen në SPAK të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.

Lala tha se Ndreu është vënë nën hetim për shpërdorim detyre nga Struktura e Posaçme. Akuza ka lidhje me një rrugë të ndërtuar në Lezhë.

Klodiana Lala:  SPAK ka çelur hetim për Pjerin Ndreu dhe po e heton për shpërdorim detyre. Vetë Ndreu ka thënë për gazetarët se është në hetim, në lidhje mëe ndërtimin e një rruge në qytetin e Lezhës. Ai tha se procedura që ka ndjekur për ndërtimin e rrugës ka pasur probleme. Ndreu u paraqit me avokat në SPAK, e kjo do të thotë se është nën hetim.

Nëse Ndreu do të merret i pandehur, mund të vihet në pikëpyetje edhe mandati si kryetar bashkie i Lezhës. Ai tha se është i hapur për prokurorët dhe shtoi se akuza është e motivuar politikisht. Pjerin Ndreu zgjeron listën e zyrtarëve të lartë të hetuar për korrupsion. Nën hetim janë edhe zyrtarë të Bashkisë së Lezhës, që janë marrë me tenderin për ndërtimin e rrugës.


(Balkanweb)

Hotel luksoz në Durrës, kompani tregtare, 2 apartamente, truall e garazh/ 7 pronat që iu sekuestruan drejtorëve të “5D” dhe familjarëve të tyre

SPAK sekuestroi 7 prona të të ashtuquajturve drejtorët e kompanisë “5D Konstruksion”. Pronat janë në emër të ish-drejtorëve të bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, Redi Molla si dhe familjarëve të tyre. Është sekuestrua shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, si dhe pronat që dyshohet se janë krijuar nga përfitimet e tenderave abuzivë të kësaj kompanie.

Ndërkohë, një nga pronat që është vënë në sekuestro me kërkesë të SPAK dhe urdhër të GJKKO, është edhe një hotel luksoz në Durrës, 24% e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, regjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë.

“Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.

Sekuestro është vënë edhe ndaj pasurisë së paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Ollga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.

Gjithashtu, SPAK ka sekuestruar edhe 2 apartamente në pronësi të Sanije Qatos, familjare e Mariglen Qatos.

Në njoftimin e SPAK thuhet se pasuritë e sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.

Pronat e sekuestruara nga SPAK

  1. Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
  2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
  4. Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
  5. Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
  6. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
  7. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.

Në datën 08.07.2024 policia gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kanë nisur veprimet përkatëse procedurale për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor të mësipërm, me qëllim marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara. Veprimet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë në proces dhe po vijojnë të kryhen edhe në ditën e sotme.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.’- njofton SPAK.

(BalkanWeb)

SPAK sekuestron kompaninë “5D Konstruksion”, si nxirreshin paratë nga sistemi bankar dhe…

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar hetimet paraprake për procedimin penal nr.75, të vitit 2023, që bën fjalë për veprat penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike”, “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 257/a/2, 258/2, 244, 259/2 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Nga ana e organit procedues janë kryer veprime të mëtejshme hetimore për të përcaktuar shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik, si dhe si rezultat i veprimeve të kundraligjshme që përbëjnë veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 259 të Kodit Penal.

Po kështu, janë kryer veprime hetimore për të verifikuar mënyrën e qarkullimit të shumave monetare që përbëjnë “produkt” të veprës penale, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga shoqëria tregtare në drejtim të subjekteve të tjera tregtare apo në drejtim të personave të tretë.

Nga veprime hetimore të kryera në këtë drejtim janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme. Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Pasi janë kryer veprimet hetimore të nevojshme Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në datën 24.06.2024, kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për disa pasuri që mundet të konfiskohen.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.388, datë 05.07.2024, ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme dhe caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasuritë si më poshtë:

Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
Në datën 08.07.2024 policia gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kanë nisur veprimet përkatëse procedurale për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor të mësipërm, me qëllim marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara. Veprimet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë në proces dhe po vijojnë të kryhen edhe në ditën e sotme.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal. bw

Salianji takim masiv në Kavajë: Qeveria kafshatë që s’kapërdihet, në 11 Korrik të protestojmë për largimin e Ramës

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim në Kavajë.

Ai u shpreh se gjithçka që kjo qeveri ka prodhuar në 3 mandate kanë qenë korrupsioni, varfëria dhe shpopullimi.

Salianji u shpreh se ka ardhur koha që kjo të marrë fund, duke ftuar qytetarët që të jenë në protestën e 11 korrikut.

Postimi i plotë:
Kafshatë që s’kapërdihet është qeveria!
Braktisje, shkretim, padrejtësi, korrupsion, varfëri, pabarazi, vuajtje, shpopullim, mungesë mundësish e shërbimesh, kriminalitet… gjithçka ka prodhuar kjo qeveri në 3 mandate është lufta ndaj qytetarëve dhe shërbimi ndaj banditëve!
Ka ardhur koha ta ndalim, të gjithë bashkë në 11 Korrik ora 20:00! bw

Propozimi i PS-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Salianji: Mbyll listat dhe ndalon koalicionet

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar menjëherë për propozimet e bëra së fundmi nga mazhoranca mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Reagimi i tij ka ardhur përmes një postimi në rrjete sociale, teksa shprehet se këto propozime heqin të drejtën e votës miliona shqiptarëve që nuk jetojnë në vendin tonë, mbyll listat dhe ndalon koalicionet.

Demokrati u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës kombëtare, e cila do të mbahet më 11 korrik përpara Kryeministrisë në orën 20:00

Postimi i Salianji:

Propozimi i Partisë Socialiste depozituar në Kuvend i heq të drejtën e votës milona qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, mbyll listat dhe ndalon koalicionet!

Më 11 Korrik ora 20:00 protesto! gsh

Berisha: Dumani firmosi 21 arreste, për Veliajn dhe vëllain e tij, por nuk u ekzekutuan, pasi Erion Veliaj kërcënoi me mesazhe Edi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, me anë të një deklarate për mediat, ka denoncuar skandalin e tërheqjes së 21 urdhër arresteve të firmosur nga SPAK, por që ngelën të pa ekzekutuar.

Në deklaratën e tij, Berisha thotë se, me 26 qershor ishin firmosur urdhër ndalimet për Erion Veliajn dhe vëllain e tij, si dhe persona të tjerë, por ato u anuluan sepse Veliaj kërcënoi Edi Ramën me mesazhe për kontot e parave të djegësave.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA:

Jam sot këtu për të denoncuar një ngjarje e cila nuk është regjistruar kurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar.

Me datën 26 qershor, mediat pranë qeverisë, por dhe media të tjera informuan publikun se Skrapi i partisë me Dumanin, kishin firmosur 21 mandate arresti, ndër të cilët Erion Veliaj dhe vëllain e tij.

Por gjer sot me datën 8 korrik, nga këto mandate arresti, rezulton se nuk është arrestuar asnjë njeri. Rezulton një skandal të paparë ndonjëherë, që ato u gëlltitën nga ata që i firmosën.

Ky akt, i paprecedentë është dëshmi flagrante se, Altin Dumani dhe Skrapi i partisë, nuk janë gjë tjetër veç se vegla të verbëta në duart e Edi Ramës.

Ky akt dëshmon kontrollin e plotë të Edi Ramës mbi Skrapin e partisë.

Ky akt fakton se në Skrapin e partisë asgjë nuk mund të lëvizë pa firmën përfundimtare të Edi Ramës.

Normale që çdo qytetar shtron pyetjen, si ndodhi një akt i tillë? A lëshoi urdhër arresti, apo kufizim të lëvizjeve për Erion Velian dhe vëllain e tij, Altin Dumani, pa miratimin paraprak të Edi Ramës.

Jo, ju garantoj se ai këtë akt e bëri me miratimin e plotë paraprak të Edi Ramës. Por ishte Erion Veliaj me mesazhet drithëruese që i dërgoi, ai që palosi Edi Ramën, duke i rikujtuar të gjithë kontot e fshehta bankare për paratë e djegësit të Tiranës.

Duke i rikujtuar të gjithë gjobat e tmerrshme që ai vendos për çdo kullë dhe ndërtesë, prej 30 për qind. Duke i rikujtuar se për të vjelur këto ryshfete dhe gjoba, ai ka shkelur kushtetutën dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kompetencën e lejeve të ndërtimit në territorin e një bashkie ja njohin të drejtë ekskluzive Këshillit të Territorit të asaj bashkie.

Pra, ishte jo mëshira e Edi Ramës, por frika dhe tmerri që kishte nga denoncimet që do të bënte Erion Veliaj, që dinte shumë më tepër se sa Arben Ahmetaj për aferën e djegësit të Tiranës, vjedhjes së shekullit dhe për aferat e tjera për Edi Ramën, që detyroi Zamanin e partisë të gëlltisë 21 mandate, ti shndërrojë ato në kallp mandate,

T’u faktojë shqiptarëve se ai nuk është asnjë gjë tjetër veç se një shërbëtor i përulur, i marrë peng për aferat e tij nga Edi Rama dhe klani i tij i qeverisë.

O sot, o kurrë

Më 11 korrik të gjithë në shesh, pa drejtësi të pavarur nuk ka liri.

Drafti i PS në Kuvend- Ja si do të votojë Diaspora më 2025!

Partia Socialiste ka ndërmarrë hapin e parë ligjor për adresimin e votës së emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Këtë të hënë, socialistët depozituan në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që adreson ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Grupi i dialogut mazhorancë-opozitë duket se nuk dha rezultate duke bërë që mazhoranca t’i drejtohet vetë Kuvendit me një propozim të sajin që adreson reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi votën e diasporës e cilat është detyrim për Kuvendin.

Sipas draftit të PS, zgjedhësit jashtë vendit do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës pasi të jenë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit. KQZ duhet të nisë hartimin e listës së zgjedhësve jashtë vendit 100 ditë para zgjedhjeve dhe e përfundon përpilimin e saj duke e bërë publike listën 50 ditë larg nga data e zgjedhjeve. Zgjedhësit e diasporës që janë regjistruar në listën e votuesve jashtë vendit, duhet të çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.

Një ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për herësin. Sipas Kodit Zgjedhor aktual, të pandryshuar, herësi për të marrë mandatin e deputetit në disa qarqe shkon mbi 14 mijë vota, si në Lezhë, Kukës apo edhe Dibër ku numri i mandateve është më i vogël. Në Kodin e ri Zgjedhor, PS propozon që herësi të mos jetë më i madh se 7 mijë vota.

Si do të votojë Diaspora
Një pikë e rëndësishme e propozimit të socialistëve është pikërisht vota e diasporës, një kërkesë kjo tanimë prej 3 dekadash e më shumë se gjysmës së popullsisë që jeton dhe punon jashtë vendit. PS kërkon amendimin e nenit 24 të Kodit Zgjedhor ku KQZ ngarkohet me përgjegjësi për të përgatitur kushtet dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit, për zgjedhësit që kanë vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. KQZ dërgon materialet zgjedhore në vendet ku janë shqiptarët me të drejtë vote. Me mbylljen e procesit të votimit, fletët e votimit do të numërohen në ambientet e KQZ-së, saktësohet në nenin 25/1 të Kodit Zgjedhor. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

“Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e mbërritjes në KQZ ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Komisionieri përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.”

Neni 25 1

Neni 25 i Kodit Zgjedhor, sa i takon listës së zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, ndryshohet si vijon: Në pikën 1 thuhet: “Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit”.  

“Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në pikën 2 të Nenit 25/1 të Kodit Zgjedhor të propozuar nga socialistët.

Neni 25 Kodi Zgjedhor
Neni 25 Kodi Zgjedhor

Neni 25 1Zbret herësi, deputet me 7 mijë vota
PS ka propozuar gjithashtu ndryshimin e formulës së re të përcaktimit të herësit në ndarjen e mandateve brenda partisë/koalicionit. Herësi sipas formulës së re nuk do të jetë më i madh se 7000 vota. Në nenin 162 pika 1 të Kodit Zgjedhor të propozuar nga PS thuhet: Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shakllë vendi”

Ndërsa në nenin 163, pika 3, saktësohet si më poshtë: Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës sipas nenit 162 të këtij Kodi dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 mijë vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

Heresi
Heresi

(BalkanWeb)

Dumani e konfirmon: Kemi rihapur dosjen ‘Xibraka’, po e hetojmë edhe McGonigalin

Drejtuesi i SPAK Altin Dumani ka bërë të ditur se, dosja ‘Xibraka’ është rihapur dhe po hetohet edhe njëherë roli i të gjithë personave, përfshirë edhe Olsi Ramën.

Deklarata e Dumanit është bërë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, në takimet e tij mujore.

Gjithashtu drejtuesi i SPAK ka konfirmuar se është duke u hetuar edhe skandali McGonigal ku është i përfshirë edhe Edi Rama.

I pyetur në lidhje me shkresën që ka nxjerr në Facebook, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi që rezulton se është rihapur dosja ‘Xibraka’, Dumani e konfirmoi.

‘Po SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka të regjistruar procedim penal për dosjen “Xibraka”, po hetohet. Ne kemi disponuar mosfillimin dhe thuhet qartësisht që nuk ka bërë kallëzim Bardhi’, tha Altin Dumani

Ndërsa për çështjen e skandalit McGonigal ku është i përfshirë Edi Rama, Dumani tha se, SPAK është në fazë hetimi.

‘Jemi në fazën e hetimit paraprak,’ tha drejtuesi i SPAK, për gazetarët. sn

VOA- Ish ministri Ilir Beqja mbahet në arrest me burg nga Gjykata e Posaçme pas akuzave për korrupsion

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK)

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mbahet nën masën e arrestit me burg nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai dhe disa persona të tjerë ishin sot në një seancë mbi gjashtë orë para Gjykatës për masat e arrestit pas akuzave për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera.

Zoti Beqaj dhe dy persona të tjerë u arrestuan dy ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC).

Veç këtyre tre arresteve me burg për Ilir Beqajn, Alfred Nikollën dhe Ermal Kurtullën, SPAK-u kërkoi arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje për katër të dyshuar të tjerë.

Nga seanca gjyqësore e masave të sigurisë bëhet e ditur se zoti Beqaj i ka mohuar të gjithë akuzat, dhe ka kërkuar të lirohet me një masë më të lehtë sigurie, me një garanci pasurore 50 mijë euro.

Por propozimi i tij nuk është pranuar dhe masa e arrestit me burg e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme u miratua nga Gjykata.

Masa është lehtësuar vetëm për Alfred Nikollën nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Prokuroria e Posaçme dyshon se zoti Beqaj ka abuzuar me fondet europiane si drejtor i Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, duke kryer prokurime fiktive në bashkëpunim me koordinatorin Ermal Kurtullaj, si dhe ka fshehur pasurinë me deklarata të rreme.

Zoti Beqaj dha dorëheqje si kreu i Agjencisë sapo iu ndaluan udhëtimet jashtë vendit dhe iu kërkua të paraqitej rregullisht pranë SPAK-ut lidhur me hetimet mbi koncensionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Në këtë çështje ai akuzohet për shpërdorim detyre si ish ministër i Shëndetësisë, ndërsa janë arrestuar ish zëvendës ministri Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj.

Prokuroria hetim vjedhjes në Poliçan, Çuçi del në përgjimet telefonike

Ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi thirret në prokurori për vjedhjen e 50 tonë metalesh në Kombinatin e Poliçanit. Sipas burimeve nga Prokuroria, Çuçi ka dal në përgjime telefonike me ish-kreun e Partisë Socialiste të Poliçanit, Erion Zylyftari, i cili njëherësh ka qenë edhe Drejtor I Kombinatit, dhe akuzohet si I përfshirë në këtë vjedhje.

Nga SYRI TV

Ish-ministri i Brendshëm njëherësh kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi thirret në prokurori për abuzimet me metalet në Kombinatin e Poliçanit. Ish-ministri ka dal në bisedat telefonike me personat që janë përfshirë në abuzime, ndaj dhe është thirrur për tu marrë në pyetje si persona që ka dijeni mbi çështjen.

Burime nga Prokuroria konfirmojnë se ish-ministri do të paraqitet në Prokurori më datë 15 korrik ora 12:00 për të dhënë sqarime mbi vjedhjen e një sasi e të konsiderueshme metalesh në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, ndërsa për çështjen është regjistruar procedim penal në 2022, për shpërdorim detyre.

Mësohet se Çuçi është evidentuar në biseda me drejtuesin e Kombinatit Mekanik të Poliçanit Erion Zylyftari i cili ishte edhe drejtues i PS-së në Poliçan.

Ish ministrit i ka mbërritur fletëthirrja në banesë në kryeqytet dhe duhet të paraqitet detyrimisht në prokurorinë e Beratit. Bëhet fjalë për mbi 50 ton metale në Kombinatin Mekanik të Poliçanit ku është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm, thonë burime nga organi i akuzës.

Ndërkohë, janë bërë edhe audite rreth dëmit ekonomik për të cilat është vënë në dijeni edhe ministria e Mbrojtjes. Lidhur me këtë moment, pritet që edhe ministri Niko Peleshi të japë deklarime, por nuk konfirmohet zyrtarisht thirrja e tij.

Duke qenë se dosja përfshin edhe emra të zyrtarëve të lartë, në varësi të hetimeve do të mbahet një qëndrim në vijim nëse do ti kalohet ose jo për kompetencë SPAK-ut.

Gjithçka ka nisur në fund të dhjetorit të 2020 kur kombinati u mbyll, ndërsa Krimi Ekonomik kishte nisur një hetim të thelluar mbi zhdukjen e rreth 50 tonë tunxh. Hetimi ka evidentuar se lënda e parë dyshohet të jetë shitur nga ish-drejtuesit e ndërmarrjes.

I dha fund jetës në dyert e SPAK, kalvari 4 vjeçar i Pal Trashajt- Kredia që i mori jetën historianit

Emisioni Në Shënjestër në News24 i gazetares Klodiana Lala ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë, ku Pal Trashaj, i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë. Trashaj zgjodhi dyert e SPAK për të ndërmarrë aktin e rëndë, pasi prej 4 vitesh kërkonte drejtësi dhe nuk po arrinte ta gjente. Shkaku, një kredi e marrë më 2008, të cilën ai pretendonte se e kishte shlyer, por  që dukej se ishte futur në një rreth vicioz, ku vazhdimisht paguante dhe sërisht dilte debitor.

Pal Trashaj nuk është më.

Nuk është më në këtë jetë, sepse ia morën edhe kur ai bërtiti fort për të.

Të hënën e këtij fillim korriku, pas një beteje të gjatë me shurdhësinë që shoqëron shpesh drejtësinë në këtë vend, ai vendosi t’i japë fund jetës pikërisht përballë SPAK, institucionit të vetëm ku ai kishte varur shpresat se zëri i tij më në fund do të dëgjohej.

Siç shikohet edhe në këto pamje të tij të fundit në këtë jetë, ai kishte mbërritur në derën e këtij institucioni për t’u takuar me një nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për t’i shprehur dëshpërimin e tij, pas katër vitesh kalvari të gjatë në kërkim të së drejtës së mohuar.

Pas një padrejtësie të madhe që ai mendonte se i ishte bërë nga një institucion mikrofinanciar, që i kërkonte të paguante këstet e një kredie të marrë në vitin 2008, që ai pretendonte që e kishte shlyer.

Por që disa vite më pas, kur po mendonte se ishte në pagimin e këstit të fundit, papritur ai gjendet përballë një situate të pazakontë, të njohjes me faktin që kishte shumë këste pa derdhur në llogari.

Por ky takim me oficerin e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk u realizua, dhe kjo duket se e çoi drejt mendimit fatal Pal Trashaj, historianin nga Lezha, që në mungesë të drejtësisë dhe lodhjes së gjatë duke trokitur nëpër dyer që nuk i hapeshin, vendosi t’i japë fund jetës ndoshta në shenjë revolte, pikërisht në oborrin e SPAK.

Si për t’u thënë të gjithëve, që akti i tij i vetëflijmit, le të jetë  si një thirrje ulëritëse për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që kanë në dorë fatin e njerëzve.

Edhe të Pal Trashaj në këtë rast, që pasi piu kokrrën e fostoksinës që kishte marrë me vete në oborrin e SPAK, u nda nga jeta një ditë më pas në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Por pse Pal Trashaj, vendosi t’i japë fund jetës në këtë akt tragjik, të padëgjuar më herët?

Cila është historia e tij me institucionet jofinanciare të mikrokredisë, që daton që nga viti 2008 dhe si këto institucione e mashtruan dhe e futën sërish në borxhe, tashmë te disa insitucuone të tjera të mbledhjes së debiteve.

Që janë trajtuar më herët edhe në emisionin ‘Në Shënjestër’ dhe që ashtu si shushunjëzat, po u pijnë gjakun qytetarëve, duke u bllokuar pasuritë, në emër të mbledhjes së borxheve.

Sipas informacioneve të emisionit ‘Në Shënjestër’, i gjithë kalvari i gjatë i Pal Trashaj me këto insitucione nis në vitin 2008.

Koha kur ai merr në institucionin jo financiar ‘Oportunity’ një kredi me vlerë 5 milionë lekë të vjetër, që me shlyerjen përfundimtare të kësteve, shuma shkonte në 8 milionë lekë të vjetër.

Kjo me qëllim për të shlyer një detyrim të mëparshëm që ai kishte.  Sipas të dhënave, Pal Trashaj, duke qenë se ‘Oportunity’ nuk ishte një institucion financiar, këstet e kredisë do të duhej t’i shlyente në një bankë të nivelit të dytë.

Kjo ishte në thelb edhe marrëveshja që palët kishin rënë dakord.

Por ndërsa çdo gjë duket se po shkonte normalisht, një ditë atë e marrin nga institucioni ku kishte marrë kredinë dhe i thonë që tani e në vazhdim nuk ishte më e nevojshme të shkonte në një bankë të nivelit të dytë për të shlyer këstet e mbetura.

Por këtë mund ta bënte fare mirë në ‘Oportunity’ që në këtë moment emrin e kishte ndërruar në ‘NOA’. I bindur se çdo gjë ishte në rregull, Pal Trashaj vendos t’i paguajë këstet e mbetura të kredisë prej 5 milionë lekë të vjetra, në institucionin ku edhe i kishte marrë.

Një këst mujor që në vetvete ishte 150 mijë lekë të vjetra. Por ndërsa mendonte se më në fund po e shlyente kredinë, nga të cilat një pjesë të kësteve te ‘NOA’, telashet për të një ditë fillojnë dhe nuk përfundojnë nga një telefonatë që merr nga drejtori i ri i këtij institucioni.

I cili pasi i prezantohet në telefon, e fton të paraqitet në zyrat e mikrokredisë. Aty ku Pal Trashaj, pasi hedh sytë, nuk njeh asnjë nga punonjësit e dikurshëm.

Por ajo që dëgjon nga drejtori i ri i ‘NOA’-s për të është me të vërtetë e habitshme. Ku ai i tregon Pal Trashaj se kishte disa këste kredie të pashlyera ndër vite të ndryshme.

Shumë e cila sipas drejtorit të ri të ‘NOA’, ishte 4 milion e 400 mijë lekë të vjetra. Gjë e surprizon jo pak klientin, i cili në pretendimin se e kishte paguar këto këste në ‘NOA’, i kërkon menjëherë drejtuesit të këtij institucioni, dokumentacionin përkatës.

Por edhe pse e kërkoi me shkrim këtë informacion, Pal Trashaj nuk mori kurrë përgjigje se ku kishin avulluar ndërkohë pagesat e kësteve që ai kishte bërë në ‘NOA’.

Përkundrazi ai mori vetëm një grafik pa firmë dhe vulë, ku shkruhej se në muajin nëntor 2011 ai nuk kishte paguar një këst. Po kështu edhe në shkurt 2012.

Dhe me radhë ishin 6 këste që ai nuk kishte paguar sipas ‘NOA’-s.  Këste që në vetvete përbënin shumë 900 mijë lekë të vjetra, por që bashkë me interesat kishin shkuar në 4 milion e 400 mijë lekë të vjetër.

Pra sipas ‘NOA’-s, tashmë Pal Trashaj, do të duhet të paguante mbi shumën e parë të kredisë prej 8 milionë lekë të vjetër edhe pothuaj 3 milionë e 500 mijë lekë të vjetra.

Pra në total për kredinë prej 5 milionë lekë të vjetra që mori në fillim, ai duhet të paguante 11 milion e 500 mijë lekë të vjetra. Kjo për shkak të vjedhjes që punonjësit e këtij institucioni kishin bërë.

I gjendur në një situatë të tillë, ai kërkon të hapë një proces gjyqësor.  Por edhe këtu ‘NOA’ përpiqet të bëhet pengesë.

Pasi nuk i jep dokumentacionin përkatës të shlyerjes së kësteve të kredisë.  Por ndërsa mendoi që këtë çështje ta linte pezull, pikërisht në vitin 2017, për të fillon një tjetër kalvar.

Ai i institucioneve të cilat mbledhin kreditë e këqija. Ku ‘NOA’ del se ashtu si shumë klientëve të tjerë të saj, ia kishte shitur borxhin e Trashaj, institucionit jo financiar ‘STAR’.

Që nis nga ana e saj ta telefonojë vazhdimisht, duke i kërkuar të shlyente borxhin. Duke iu prezantuar si institucioni që tashmë kishte për detyrë të mblidhte këtë borxh. Ndryshe në rast se ky borxh nuk kthehej, atëherë ata do auorizonin përmbarimin që të bllokonte pasuritë e Trashaj.

Këto telefonata duket se u bënë gjithmonë e më të shpeshta, dhe po kështu edhe zarfet që vinin në adresë të tij nga kompania ‘STAR’.

E cila nga ana e saj nuk pranonte asnjë kontakt me këta klientë. Madje shpesh përdornin edhe dhunën ndaj qytetarëve që shkonin në zyrat e tyre, sa herë ata ngrinin zërin dhe kërkonin të informoheshin mbi gjendjen e tyre.

Aq sa arritën në rastin e Pal Trashaj, t’i bllokonin edhe banesën, por jo të kryenin sekuestrimin e saj. Por ndërsa ai çështjen ia kaloi për hetim Prokurorisë, ky organ akuze e zvarriti pa fund denoncimin e tij, pa i dhënë kurrë një përgjigje. Duke e lënë të pashpresë dhe të vetmuar në luftën e tij në kërkim të drejtësisë.

Çështje e cila u konfirmua edhe nga SPAK në njoftimin e saj, lidhur mbi incidentin e ndodhur në oborrin e këtij insitucioni, ku Pal Trashaj zgjodhi më pas të pinte fostoksinë dhe t’i jepte fund jetës.

Ashtu sikurse edhe ndodhi fatkeqësisht në vazhdim.

SPAK

Qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.  Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. 

Pas disa orësh, jashtë ambjenteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.

Por historiani 63 vjeçar, Pal Trashaj, që i dha fund jetës për shkak të mashtrimit me mikrokreditë  nuk është as i pari dhe as i fundit që bie pre e këtij mashtrimi.

Në Shqipëri thuhet se janë 17 mijë qytetarë të mashtruar nga këto institucione të cilët i kanë zhvatuar në forma nga më të ndryshmet, duke u bllokuar, sekuestruar pasuritë, për kredi që kanë qenë në shuma tejet qesharake.

Dhe kjo në sytë e Bankës së Shqipërisë, e cila duhet të kishte ndërhyrë në kohë për të ndalur këtë masakër me klientët e këtyre institucioneve jo financiare.

KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës

Jetmira Delia-Kaci

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) njoftoi të premten se ia ka hequr Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim muajin e kaluar.

“Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha të premten Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së.

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë.

Por, ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars. Apeli e konfirmoi dënimin e tij në qershor.

Beleri ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të premten. Ai u përcoll nga forcat e policisë nga burgu i Fierit, ku po e vuan dënimin me dy vjet burgim për vjedhje votash.

Ai bëri thirrje që çështja e vlefshmërisë së mandatit të tij të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

“Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar, por duket qartë arroganca e tyre që t’i bëjnë votimet në gusht. Pse KQZ t’i bashkohet kësaj kërkesë. Kam frikë se gjysma e bashkisë do të verë në burg”, tha Beleri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shqyrtojë vlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut të Himarës, pas një kërkese të dorëzuar nga kryetari i forumit të të rinjve socialistë të Himarës.

Ekipi mbrojtës i Belerit ka një muaj kohë për t’u ankuar ndaj vendimit vendimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. REL

Ish-drejtorët, grup i strukturuar kriminal, Lala: Vendimi orienton SPAK të hetojë Veliajn

Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Të Paekspozuarit” se rëndimi i akuzave ndaj ish-drejtorëve të bashkisë së Tiranës, duke i cilësuar grup i strukturuar kriminal shton presion që të hetojnë në drejtim të kryetarit të bashkisë, Veliaj. Sipas saj do të hetohet se cili është roli i Veliajt, a ka patur dijeni për tenderat dhe lejet e ndërtimit që ka marrë 5D.

“Gjykata e Apelit të Posaçëm e ka orientuar SPAK-un të hetojë se brenda bashkisë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal që ka abuzuar me taksat, nëpërmjet tenderave dhe lejeve.

Gjykata ka lënë një sërë orientimesh, të hetohen për pastrimi parash edhe persona të tjerë. Të hetohet Taulant Tusha, një nga njerëzit më të besuar të Erion Veliajt. Të hetohet lidhja e tij e mundshme me kompaninë 5D, për t’u parë nëse ka edhe ai lidhje me këto kompani.

Një tjetër aspekt, që orienton gjykata prokurorinë, keni sjellë vetëm disa procedura, por janë minimalisht 23 procedura, analizoji dhe specifikoji, në këto procedura, është vepruar si grup i strukturuar apo bashkëpunim i thjeshtë?

Në rastin konkret ngritja e dyshimeve, që ka patur grup të strukturuar, shton presion që te hetojnë në drejtim të kryetarit Veliaj. Një grup i strukturuar kriminal nuk mund të operojë në bashki, janë përfshirë njerëzit kryesorë pranë Veliajt, me poste të ndryshme, atëherë, nëse ka vepruar ky grup kriminal brenda bashkisë, a është Veliaj i përfshirë në të? Cili është roli i Veliajt? A ka patur dijeni? Krahas tenderave, 5D ka marrë edhe leje ndërtimit. Ka marrë tendera për të shkatërruar ndërtesat nga tërmeti.

Ky vendim e orienton SPAK-un të hetojë”, tha Lala.

Nisur nga ky vendim, nëse gjykatësi paraprak, filtra paraprak, ai gjykatës ka më pas mundësi ta detyrojë SPAK të marrë një person nën akuzë. Në rastin konkret kemi evidentim të faktit. Është hera e parë që ndodh që nga krimi i gjykatës së Apelit të Posaçëm, që për një institucion, të ngrihen dyshime për grup të strukturuar kriminal”-tha Lala.

Inceneratori i Fierit, arrestohet në Itali Juri Ymeraj. Roli i tij në skemat mashtruese

Është arrestuar në Itali Juri Ymeraj, një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për aferën e Inceneratorit të Fierit.

Ymeraj dhe disa persona të tjerë akuzohen për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’, në bashkëpunim.

Sipas SPAK, i kërkuari tjetër për këtë aferë, Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit tek shoqëria ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ sh.p.k, si dhe të pandehurit Arenc Myrtezani dhe Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të shoqërisë ‘Integrated Technology  Ëaste Treatment Fier’ sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë ‘përftim të parregullt’, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Këto pagesa të përfitimit të parregullt janë bërë nga shoqëria koncesionare ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ sh.p.k, nëpërmjet transaksioneve fiktive në drejtim të shoqërive ‘Pivot 04’ sh.p.k, me administrator shtetasin Arbër Denizi, ‘Sili’ sh.p.k, me administrator shtetasin Silvestër Driza, ‘J.P.Y’sh.p.k, me administrator shtetasin Juri Ymeraj.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Arrestohet në Itali, për t’u ekstraduar në vendin tonë, një 35-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për pastrim parash.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shkëmbimit të menjëhershëm të këtij informacioni, nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policia italiane arrestoi në Padova, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin J. Y., 35 vjeç.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar ekstradimin e 35-vjeçarit, në Shqipëri. sn

GJKKO vendos arrest me burg për Jorgo Goron, ish-Kryebashkiakun e Himarës

GJKKO ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për ish-Kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Vendimi është marrë me kërkesë të SPAK, ndërsa Goro dyshohet se ka konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi J. G., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Njoftimi nga SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguar për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr. 127, të vitit 2024, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi J. G., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi A.B. ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr….., datë 25.08.2016, një sipërfaqe toke prej 4263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.

Nisur sa më sipër, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim J. G. me detyrë ish-kryetar i Bashkisë Himarë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 67 datë 03.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në datën 04.07.2024, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit J.G.

Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprës penale. bw

Arrestohet me urdhër të SPAK ish-ministri Ilir Beqja, në pranga dhe dy bashkëpunëtorë të tij

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka përfunduar në pranga.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala

Mësohet se bashkë me të janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk dihen.

SPAK vendosi ish ministrin nën akuzë më 18 mars, 2024, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, lidhur me koncensionin prej 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitalet shtetërore.

Ish-ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqja, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK.

Koncensioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentat kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimëshe kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve biologjike dhe desinfektim të sallave kirurgjikale.

Beqja ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta caktuar atë me masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat për sa i përket aferës së sterilizimit, Beqja dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

(BalkanWeb)

Hetimet për 5D- Apeli i GJKKO rëndon akuzat ndaj Mariglen Qatos dhe Redi Mollës: Kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rënduar pozitat ligjore për Mariglen Qaton dhe Redi Mollën, duke i konsideruar si grup të strukturuar kriminal.

Në vendimin e gjyqtarit të GJKKO, Florian Kalaja, argumentohet se Apeli  i GJKKO nuk pajtohet me kualifikimin e veprës penale nga SPAK dhe Shkalla e Parë, si ‘bashkëpunim i thjeshtë’ si formë bashkëpunimi që ka ekzistuar ndërmjet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos.

“Lidhur me kualifikimin e veprës penale nga Prokuroria dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë, të bashkëpunimit të thjeshtë si formë e bashkëpunimit që ka ekzistuar ndërmjet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, gjykata ndan qëndrim krejt tjetër dhe nuk mund të pajtohet në këto pjesë të kërkesave dhe vendimeve.

Gjykata vlerëson se në rastin konkret ka dyshime të arsyeshme se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve të proceduar penalisht dhe atyre eventualisht të paproceduar penalisht deri më tani, nuk ka qenë i thjesht por, duke kaluar kufijtë e këtij organizimi sporadik dhe episodik, ka qenë i mirëmenduar, i planifikuar, me një kohëzgjatje të qëndrueshme dhe i vijueshëm ndër vite, nën një mekanizëm pothuajse identik në çdo episode të kryerjes së veprave penale materiale të dyshuara dhe me një pluralitet subjektesh si bashkëpunëtorë, karakteristika këto të cilat të marra parasysh dhe të vlerësuara të gjitha së bashku, plotësojnë parashikimin/ përkufizimin e pikës 4 të nenit 28 të kodit penal””, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO-së.

Ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato po gjykohen për korrupsion dhe fshehje pasurie, bashkë me Taulant Tushen, i arrestuar më herët nga SPAK.

Në vendimin e Apelit, arsyetohet se Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.

“Në këtë kuptim, gjykata ndan pikëpamje të ndryshme nga SPAK dhe Shkalla e Parë lidhur me kualifikimin juridik të faktit penal të bashkëpunimit i cili i kundrejtohet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, duke e kualifikuar sakaq bashkëpunimin e tyre, me personat e tjerë të proceduar apo jo eventualisht përgjegjës, persona fizikë apo persona juridikë, si bashkëpunim penal i posaçëm, dhe i kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nën këtë logjikë, Gjykata vlerëson se edhe kualifikimi juridik i dyshimeve të arsyeshme të kundrejtuara ndaj Nestor Muhametllari, sipas nenit 244 të Kodit Penal, është i gabuar, pasi ai dyshohet arsyeshëm se është bashkëpunëtori-mëkëmbës dhe ndërmjetës i Redi Mollës dhe Mariglen Qatos në veprimtarinë e shoqërisë 5D konstruksion shpk”

Apeli i Posaçëm gjithashtu urdhëron SPAK të hetojë edhe për ndërtimin e një hoteli në Durrës, duke kërkuar nga SPAK duhet të marrë në pyetje shtetasen Jona Bejko, për të mësuar dijeninë që ka, të dhënat apo informacionet që di rreth këtij hoteli.

Gjyqtari Florian Kalaja, vlerëson se duhet bërë një hetim i plotë për të verifikuar këdo person fizikë apo zyrtarë në qoftë dhe zbulimin e lidhjeve që kanë patur interesa financiare.

“Gjykata vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme për ecurinë e mbarëvajtjen e hetimit që Jona Bejko të pyetet dhe të hetohet lidhur me të dhënat e përmbajtjes së këtij komunikimi apo të kësaj dijenie të saj, duke e verifikuar gjithashtu edhe ekzistencën e këtij projekti në Durrës, natyrën e investimit të tij dhe kontributin apo përfshirjen e subjektit tregtar 5D KONSTRUKSION në këtë investim dhe gjithashtu edhe identifikimin e plotë të subjekteve që hasen apo që kanë interesa nga kjo shoqëri tregtare, qofshin ato persona fizikë, zyrtarë apo jo dhe qoftë edhe persona juridikë të tjerë të lidhur me të”. bw

VIDEO- Piu fotoksinë përpara SPAK duke kërkuar drejtësi – ndërron jetë Pal Trashaj

Historiani Pal Trashaj, ish-kreu i PD në Lezhë, i cili dje piu fotoksinë përpara godinës së SPAK në shenjë revolte për padrejtësitë që i ishin bërë nga drejtësia, ka ndërruar jetë sot. Ai ishte 63 vjeç.

Z. Trashaj kërkonte takim me kreun e SPAK, Altin Dumanin, pasi i kishin marrë shtëpinë, firmat e mikrokredive, në një kohë kur ai pretendonte se e kishte shlyer kredinë ndaj tyre dhe pikërisht këtë fakt donte të denonconte.

Çfarë ndodhi dje

Z. Pal Trashaj është parë në ambientet e jashtme të Prokurorisë së Posaçme prej orës 12;00 të datës 2 korrik. Ai ka komunikuar me disa gazetarë mes të tjerave ka thënë “kam pirë fotoksinë”. Gazetarët i kanë kërkuar me insistim letrën, mbështjellësen, ambalazhin e barnit të pretenduar dhe qytetari nuk e ka dhënë, nuk e ka treguar se ku e kishte.

Një nga gazetarët ka telefonuar policinë dhe ambulancën të cilat kanë mbërritur para dyerve të SPAK. Zotëria dukej i prekur, kishte shenja të diçkaje në buzë, por nuk mund të përcaktoje çfarë.

“Kam kallëzuar zyrtarë të lartë, ish ministra e deputetë dhe këta të SPAK ma kthyen, nuk pranojnë këta të hetojnë. Kërkoj takim me Altin Dumanin, nuk më presin. Kam dokumenta që do tua lë mjekëve para se të vdes”, tha Trashaj.

4 vite më parë Trashaj ka denoncuar shumëfishim të vlerave të kredive që e kanë futur në procese pafund gjyqësore, me përmbarues e banka teksa mësohet se i kanë marrë gjithçka, përfshirë banesë, makinë e prona të tjera.

Sipas informacioneve të fundit për SYRI-n, shtetasi Pal Trashaj, që ka tentuar ti jap fund jetës ditën e sotme para ambjenteve të SPAK, ka mbërritur rreth orës 13 në urgjencën e QSUT me diagnozë intoksikimi.

VIDEO- Dr. Shkëlzen Ibra: Çmenduria e Ministrisë së Shëndetësisë, kërkon mbylljen e spitalit të Hasit

VIDEO- Dr. Shkëlzen Ibra: Çmenduria e Ministrisë së Shëndetësisë, kërkon mbylljen e spitalit të Hasit.

VOAL- Siç dihet, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar mbylljen e spitalit të Hasit dhe kthimin e tij në qendër ditore.

Banorët e Hasit se bashku edhe me mjekët kanë protestuar duke kundërshtuar urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e spitalit dhe kthimin e tij në qendër ditore.

Banorët e irrituar kërkojnë përshkallëzim të protestës, pasi sipas tyre mbyllja e spitalit i lë ata në rrugë dhe mund të shkojnë vetëm në Gjakovë. Mjekët shprehen se spitali Hasit i plotëson të gjitha kushtet, si numër personeli dhe në aparatura.

Mbyllja e spitalit të Hasit me  urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, që mbanë datën 30/05/2024 dhe kalimin e tij si spital ditor, ka shkaktuar reagime të forta dhe kundërshtime, si nga ana e banorëve ashtu edhe e mjekëve.

Banorët të irrituar kërkojnë që i gjithë Hasit të protesojnë, madje shkojnë edhe më tej duke theksuar se nëse u heqin edhe spitalin të shkojnë të bashkohen me Gjakoven.

Ndërkohë mjekët Sahit Jaku dhe Shkelzen Ibra thonë se spitali i bashkisë Has përmbush të gjitha kushtet, që nga numri i personelit, mjediset, aparaturat e deri tek mjekët specialist për të qenë spital bashkiak. Prandaj urdhri i MSH duhet të rishikohet.

Kryetari i bashkisë Has, Myftar Dauti, kundërshton një vendim të tillë duke lënë  pa shërbim shëndetësorë 23 mijë banor të kësaj bashkie.

Spitali i bashkisë së Hasit ka 57-punonjës dhe u ofron shërbime katër njësive administrative dhe qytetit të Krumës si dhe katër fshatrave kufitarë të bashkisë Tropojë.

Ndiqeni intervistën e dhënë dje televizionit Syri nga mjeku Shkëlzen Ibra:

 

Shtëpia Botuese ‘Onufri’ deklaratë zyrtare për vdekjen e Kadaresë: Ndërroi jetë në QSUT

Shtëpia botuese ‘Onufri’ përmes një reagimi zyrtar ka treguar detaje nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.

Shtëpia botuese konfirmon se Kadare humbi jetën mëngjesin e sotëm në QSUT, pasi pësoi një arrest kardiak.

“Sot, më datë 1 korrik, 2024, në orën 08:50, ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shkrimtari i madh Ismail Kadare. Për ceremoninë e përcjelljes do t’ju njoftojmë në një çast të dytë.”, thuhet në reagimin e shtëpisë botuese. bw


Send this to a friend