Pas prokurorit Adnan Xholi, para anëtarëve të KLP ka folur kandidati i dytë për kreun e ri të SPAK, Altin Dumani. Ai u shpreh se ndihet i motivuar për të garuar për këtë funksion, ndërsa shtoi se në fokus do të ketë ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsioni.
Dumani u shpreh ndër të tjera se garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite.
Por cilat ishin arsyet ë e bënë të konkurrojë sërish për këtë pozicion?
“Nuk ishte vendim i lehtë për tu futur në garë, pavarësisht rezultatit që pata, që nuk u shpalla fitues para tre vitesh, unë nuk u dekurajova asnjë ditë, kam punuar më shumë i motivuar. Nëse para tre vitesh të tre garuesit, dilnin nga institucione të ndryshme, dhe përpjekjet tona për të paraqitur para këshillit prova për shtatë kriteret, kishim pak vështirësi… sot vij me një bilanc para këshillit dhe vlerëso se është një bilanc i mirë që krijon premisa që edhe në cilësinë e drejtuesit mund të kem rezultate të mira. Për të qenë i sinqertë, më ka nxitur shumë prokurorët më të cilët punoj, hetuesit, kolektivi, pasi shoh tek ata një vlerësim për punën time dhe si drejtoj si drejtues seksioni, nga gjyqtarë apo prokurorë. Ata më kanë nxitur dhe inkurajuar që të bëhem pjesë e kësaj gare”, tha ai.
“Ndihem shumë i motivuar për të garuar për këtë funksion, pasi nëse më jepet mundësia për të drejtuar këtë institucion, do të kem në fokus ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsionin.
Unë besoj se suksesi bazohet nga bashkëpunimi, nga puna në grup, nga autonomia dhe nga integriteti i çdo anëtari të Gjykatës së Posaçme. Të flas për veten, sa herë më është dashur të angazhohem në gara, është pak e vështirë, pasi ne prokurorët jemi pak të kursyer për veten.
Nuk e kam parë asnjëherë si një vend pune e kam parë si një mision dhe këtë frymë kam përhapur te të gjithë kolegët. Një mision që kërkon angazhim maksimal dhe jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal.
Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim”, u shpreh ai.
Pyetjet e anëtarëve të KLP drejtuar Dumanit:
Jeni zëvendës drejtues i SPAK, nuk do ju vinte keq që të linit një pjesë të këtyre dosjeve?
SPAK ka në dorë hetimin e disa dosjeve që kanë impakt në jetën e shoqërisë po politikës shqiptare, nëse do zgjidheshe si drejtues, cili do jetë këndvështrimi juaj ndaj tyre?
Dumani: Është e vërtetë që akoma kam shumë dosje në hetim. E kam shprehur dhe e kam shkruar edhe në platformën time, do vazhdoj të ndjek çështjet shumë të rëndësishme të cilat kanë impakt në opinionin publik apo fateve të SPAK. E kam bërë këtë edhe si zëvendës drejtues. Po si e kam bërë? Kam dalë nga shtëpia 06:45 dhe jam kthyer pas orës 19:00. Të shtunat janë punë normale, të dielat janë part-time edhe po nuk dal në zyrë, kam marrë diçka me vete në shtëpi. Unë jam prokuror dhe vazhdoj të ngelem prokuror do zoti deri sa të dalim në pension. Jam shumë i kënaqur që jam prokuror, për më tepër në SPAK që e shoh si mision jo si vend pune.
Për pyetjen e dytë, sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, për shumicën e tyre jam në dijeni sepse kam një dorë vetë atje, jam si pika e kontaktit kur vjen informacioni për çështje të rëndësishme, dhe jam në dijeni.
Çfarë mund të bëjë unë? Sa i takon çështjeve kur janë prokurorie të tjerë, mund t’i nxis, nëse kanë nevojë, mund t’i ndihmojë, nëse ata duan të jem në pjesën e grupit të hetimit, unë lëviz nga mëngjesi në darkë për të plotësuar interesat e prokurorëve.
Emri nuk ka rëndësi, prova! Kjo është ajo që unë kam parim të punës time, prova, emri nuk më bën përshtypje.
Pyetjet e anëtarëve të KLP drejtuar Dumanit:
Bëhen arrestime bombastike duke arrestuar qytetarë të dobët, jo pushtetar, në bazë të indiceve, duke prishur dhe të drejtat themelore në mënyrë të pamëshirshme dhe me faj pa faj t’i fusim në burg se i pyesim pastaj, dhe gjatë rrugës dështojnë këto hetime. Do lejoni më këto shkelje?
Sekuestrohen prona pa parë origjinën e pronës apo veprimet e procedurës, prishen biznese, shkatërrohen biznese të tëra, shkelen të drejtat e njeriut, sidomos për dy prokurorë të caktuar.
Kam dijeni se i është bërë kallëzim një prokurorit që ka shkelur këtë të drejtë… ju do të guxoni, pas indicieve që po ua bëj publikisht, të merrni masa ndaj ndonjë prokurori të caktuar që ka shkelur të drejtat dhe ka shpërdorur detyrën.
Dumani: Sa i takon përgjimeve të nivelit të provave, ne kemi një mekanizëm kontrollues, Gjykata. Drejtuesi në vlerësimin tim as shkresën përcjellëse apo sekuestro nuk duhet ta firmosë drejtuesi por prokurori që ka çështjen. Patjetër do jemi ndjeshëm nëse vihem përballë shpikjeve. Në çdo rast që konstatoj vë në dijeni ILD dhe të shikojnë ata mundësin e fillimit të një procesi disiplinor. Këtë e jap garanci, dhe jam vërtetë shumë i motivuar për ta bërë sepse ndjekja penal nuk duhet të shkojë në kurriz të qytetarëve.
Edhe sa i përket sekuestrimit të pronave, i takon gjykatës, por kur ka ankues lidhur me procedurën, me aq sa ka mundësi drejtuesi, do vlerësoj maksimalisht çdo ankesë por brenda hapësirës që më lejon ligji do veproj. Unë nuk marr dot vendim por vë në dijeni të gjitha institucionet.