Nga janari 2023, disa prodhues të birrës shqiptare kanë ndalur prodhimin, të tjerë kanë rritur çmimet 20 lekë/L. Arsyeja e ndryshimit të çmimit është hyrja në fuqi, nga fillimi i vitit, i nivelit të ri të akcizës dhe shtrenjtimi tjetër i birrës malto nga importi që përdoret në prodhim.
Prodhuesit kryesorë pohojnë se ka nisur kriza, pasi u janë ulur fitimet nga rritja e kostove dhe rënia e shitjeve prej shtrenjtimit të çmimeve.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Vendas të Birrës, Stefan Pinguli, pohoi për “Monitor” se fabrikat do të qëndrojnë të mbyllura në muajt janar-shkurt, pasi birra italiane po shitet më lirë se ajo vendase. Vendimi për prodhimin pritet të rishikohet në mars.
“Nga fillimi i janarit kemi mbyllur prodhimin, pasi nuk e përballojmë koston e lartë të akcizës dhe të lëndëve të para, ndërkohë që birra italiane ‘Peroni’ po shitet më lirë se e jona. Fabrika do të qëndrojë përkohësisht e mbyllur edhe në muajin shkurt.
Punonjësit nuk i kemi larguar, vazhdojmë t’i paguajmë, por situata është shumë e rënduar. Nëse do të vijojë, rrezikohen shkurtimet e vendeve të punës. Sektori është drejt krizës apo zhdukjes së birrës shqiptare”, pohoi në anonimat një nga drejtuesit e fabrikave prodhuese të birrës.
Burime nga tregu thanë se një tjetër fabrikë ka mbyllur prodhimin që prej muajit shtator 2022.
Përveç rritjes së akcizës, nga 1 janari prodhuesit u goditën edhe nga rritja e çmimit të birrës malto të importit. Më 1 janar 2022, çmimi i birrës malto të importuar ishte 420 euro/ton, ndërsa nga 1 janari 2023 po shitetdyfish më shtrenjtë (duke përfshirë edhe rritjen e çmimit pas fillimit të luftës Ukrainë-Rusi).
Çmimi i lartë i energjisë që paguajnë fabrikat (para 2022, çmimi i energjisë ishte 11 lekë për kWh, kurse tani 22 lekë/kWh) janë kosto ekstra të cilat detyruan, disa prodhues, të fikin fabrikat. Të tjera vazhdojnë prodhimin, por me fitime të reduktuara.
“Nga fillimi i vitit, prodhuesit e birrës janë në situatë të vështirë. Po prodhojmë sasi të ulëta dhe po shesim me rënie fitimesh. Nga 1 janari, sapo në sistemin e pagesave të administratës së doganës u reflektua niveli i ri i akcizës, jemi detyruar të rrisim shitjet.
Në fillim të vitit 2023, prodhuesit u goditën në disa drejtime. Nuk është vetëm akciza që ka rënduar kostot e prodhimit, pasi nga 1 janari çmimi i birrës malto në tregjet e huaja arriti në nivelin e 870 euro/ton nga 620 euro pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë.
Në raport me 2021, çmimi i lëndës së parë u rrit 106% më shumë, ndërsa me periudhën pas luftës, çmimi është 40% më i lartë. Rritje këtë fillim viti ka pasur edhe për çmimin e ambalazhimit, kryesisht kanoçes.
Duke përfshirë edhe çmimin e shtrenjtuar të energjisë, që po e paguajmë 22 lekë për kWh nga 11 lekë më parë, në total, nga 1 janari 2023, kostoja e prodhimit për birrën është 24 lekë/L më shumë se vjet. Për këto arsye, rritëm çmimin 20 lekë/L”, pohon Artan Stroka, administratori i kompanisë TEA, që prodhon birrën “Kaon”.
Edhe përfaqësues të kompanisë ALFA, që prodhojnë birrën “Elbar”, pohuan se nga 1 janari, edhe ky operator ka rritur çmimet e birrës 12% krahasuar me vjet, për shkak të ndryshimit të akcizës, rritjes së lëndës së parë dhe energjisë së lartë që paguajnë fabrikat.
“Kostoja nga rritja e akcizës po ndihet, pasi niveli i taksës është barazuar me atë të importuesve. Kostoja e lartë e prodhimit rrezikon të ulë fitimet e kompanive, pasi produktet shqiptare po iu afrohen çmimit të birrave të importit”.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel, akciza ishte 710 lekë. Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.
Ndryshimet e ligjit të akcizës u shoqëruan me debate të forta nga grupet interesit. Shoqata e Prodhuesve të Birrës Vendase bëri thirrje disa herë në seancat dëgjimore të komisioneve parlamentare se masa e re fiskale do të falimentonte sektorin dhe rrezikon të nxjerrë 1,000 persona të papunë.
Nga Ministria e Financave u argumentua se diferencimi ka favorizuar prodhuesit vendas dhe ka krijuar hapësira për shmangie nga detyrimet e akcizës, mbështetur te të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
“Gjithashtu, ka bërë që prodhuesit e vegjël të mos tentojnë të rrisin prodhimin, me qëllim ruajtjen e nivelit të ulët të akcizës”, citohet në relacionin e ligjit të parashikuar. Efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit është rreth 260 milionë lekë shtesë.
Stefan Pinguli, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, njëkohësisht administrator i kompanisë “Stela”, thekson se përkundrazi vendosja e fashës së birrës i mbronte prodhuesit vendas nga birrat e importit.
“Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve fiskale, prodhuesit shqiptarë janë shumë herë më të vegjël se importuesit, të cilët me sjelljet e tyre dumping po shtojnë peshën në treg. Konsumatori vendas priret të konsumojë birrë të huaj, çmimi i ulët e favorizon më shumë shitjen”.
Cili është përfitimi ekonomik nga rritja e akcizës?
Sipas të dhënave të Doganave, në vitin 2022, prodhimi i birrës vendase u ul lehtë 2% në krahasim me 2021, ndërsa importet u rritën 4%. Pesha e importeve në konsumin e birrës 2022 është 56% në vitin 2022, nga 44% një dekadë më parë.
Në muajin nëntor, kur filloi diskutimet për projektligjin e akcizës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nisur nga të dhënat e Doganave parashikoi se 65% e sasisë së konsumuar në 2022 do të njehsohet me vlerën e re prej 710 lekë për Hl. Nga 50 mln litra që parashikohej totali i importit të vitit të kaluar, 35% tarifohen me 701 lekë, ndërsa 15%, me 360 lekë.
Sipas të dhënave të Doganave u vlerësua se konsumi do të zërë vlerë totale prej rreth 100 mln litrash, nga të cilat, rreth 50 mln litra hyjnë nga importi dhe 50 mln litra janë prodhim vendi.
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, nga totali i birrave të importit, 35% e tyre tarifoheshin me vlerën 710 lekë për Hl, kurse 15% me 360 lekë. Ndërsa prodhimi i brendshëm i konsumit (50%) tarifohej i gjithi me 360 lekë. Të ardhurat që Financat parashikojnë të arkëtojnë nga ndryshimi i taksës janë 260 mln lekë më shumë.
Efekti i parashikuar në të ardhurat e buxhetit është i paleverdishëm krahas parashikimeve të zymta të industrisë, e cila bën thirrje për zhdukje të birrës shqiptare dhe transferimin e fabrikave drejt Serbisë për shkak të kostove të ulëta.
“Për shkak të kësaj situate, birra shqiptare rrezikon të zhduket. Është parë si mundësi eksporti, por edhe për to po haset vështirësi, pasi kostot e shtrenjta të prodhimit e bëjnë të pakonkurrueshme birrën shqiptare në tregun e huaj”, thekson ai.
Niveli i akcizës, edhe me skemën e mëparshme, sipas një studimi të Shoqatës së Prodhuesve ishte tre herë më i lartë se niveli bazë i parashikuar në direktivën e BE-së.
“Niveli i akcizës, sipas direktivës së BE-së, është 0,03 euro për 1 shishe 330 Ml për prodhuesit mbi 200 mijë HL dhe rreth 0,015 euro/litër, për ata nën 200 mijë HL.
Ndërkohë në Shqipëri paguajmë 3 herë më shumë se niveli bazë i parashikuar në direktivën 92/83/EEC. Prodhuesit nën 200 mijë HL paguajnë 0,05 euro (5,94 lekë) për shishe 330 Ml, ndërsa prodhuesit mbi 200 mijë HL, paguajnë 0,1 euro (11,7 lekë) për shishe 330 Ml.
Përveç akcizës më të lartë të birrës se shumë vende të BE-së, në Shqipëri rëndon edhe kostoja nga vendosja e pullës fiskale me 0,022 euro për shishe. E thënë ndryshe, aq paguajnë akcizë në Gjermani, prodhuesi vendas paguan “pullën që ruan akcizën”. Në Shqipëri, paguhet 20% e vlerës së akcizës për prodhuesit mbi 200,000 Hl dhe 50% për prodhuesit në 200,000 Hl”.
Për shkak të mospërballimit të kostove nga rritja e akcizës dhe rënia e shitjeve, pasi birrat e importit po shiten më lirë, disa prodhues kanë mbyllur prodhimin në muajt janar-shkurt, sipas Kryetarit të Shoqatës, Stefan Pinguli.
“Është hera e parë që prodhuesit ndalin prodhimin. Kjo ka ardhur për shkak të mungesës së tregut të shitjes, ku pesha e birrës së importit me çmim më të lirë se ajo vendase, po zgjerohet çdo ditë, ashtu siç u lajmërua nga prodhuesit, para hyrjes në fuqi të ligjit të ndryshuar të akcizës.
Prodhuesit shqiptarë nuk kanë ku ta shesin produktin e tyre. Tregu vendas po mbytet nga birrat italiane dhe markave të tjera që po shiten me çmim më të lirë.
Edhe para ndryshimeve të akcizës, pesha e birrës së importit në treg ishte 55%, ndërsa nga fillimi i këtij viti është rritur, duke arritur në nivelin 70 deri 80%.
Këto janë efektet e para të ndryshimit të ligjit për akcizën dhe fabrikat do të qëndrojnë të mbyllura për muajt janar-shkurt. Të tjerë po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së çmimit për konsumatorin 20 lekë/L, pas rritjes së akcizës 18 lekë/L”.
Z.Pinguli pohon se fabrikat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura në muajt janar-shkurt, ndërsa do të shqyrtohet më tej situata edhe për muajt e tjerë.
“Me mungesën e shitjeve, prodhuesit nuk arrijnë të përballojnë vetëm koston e energjisë për vënien në punë të fabrikave, jo më pagesat për akcizën e rritur, furnizimet me lëndë të parë që vijojnë të shtrenjtohen dhe pagat. Shumë fabrika kanë nisur shkurtimin e punonjësve”.
Prodhuesit drejt zhvendosjes së fabrikave në Serbi
Pas shqetësimit të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Vendase për mbylljen përkohësisht të disa fabrikave në vend, operatorët paralajmërojnë zhvendosjen e prodhimit në Serbi.
Arsyeja mbetet kostoja e lartë nga dyfishimi i akcizës më 1 janar dhe shtrenjtimi i lëndës së parë (birra malto dhe ambalazhimi), që solli rritjen e çmimeve të birrës vendase më shumë se ajo e importit.
Një prodhues pohoi për “Monitor” se do të shohë mundësinë e transferimit të fabrikës drejt Serbisë, pasi investimi është më i leverdishëm nga kostot prodhuese dhe subvencionet nga shteti.
“Me politika rritje taksash, siç ishte akciza që u barazua me nivelin e importuesit, vendosje gjobash, kontrolle pafund dhe pa kuptim të Tatimeve, Doganave dhe AKU, do të shohim mundësinë e hapjes së fabrikës në Serbi. Për të vetmit që ndiejmë keqardhje janë punonjësit tanë. Situata në sektorin prodhues të birrës ka hyrë në krizë”.
Rritja e çmimeve tkurr konsumin vendas, shtohen importet
Rritja e çmimeve ka sjellë që birra shqiptare të afrohet në vlerë shitje me birrën e importit. Prodhuesit pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve automatikisht sjell rënie të konsumit, pasi shqiptarët priren të konsumojnë më tepër markat e huaja.
“Konsumi, në këtë periudhë, është në stanjacion, kjo edhe për shkak të sezonit të dimrit. Për këtë arsye, e kemi të orientuar prodhimin në bazë të kërkesës”, thanë përfaqësues nga “Elbar”.
Në vitet 2013-2022, ecuria e konsumit të birrës ka qenë me rritje. Niveli më i lartë është shënuar në 2018. Në vitin 2022, konsumi i birrës, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar rënie të lehtë.
“Sa më shumë çmimi i birrës shqiptare i afrohet atij të birrës së huaj, humbet konkurrueshmërinë dhe tkurret konsumi. Nëse birrat e importit konkurrojnë prodhimin vendas me çmim më të lirë, për ne është edhe më e vështirë të konkurrojmë markat e huaja në eksport”, pohon administratori i birrës “Kaon”.
Për “t’i shpëtuar” disa muaj rritjes së akcizës, disa prodhues kanë shtuar prodhimin në muajin dhjetor, me qëllim magazinimin e produktit. Nga Shoqata e Prodhuesve u pohua se disa fabrika, pasi prodhuan për magazinim, morën vendimin për mbylljen e prodhimit në janar.
Pavarësisht investimeve për të magazinuar produktin, sipas të dhënave nga Doganat, prodhimi vendas në muajin janar 2022 është 10% më i ulët krahasuar me dhjetor 2021. Burime nga tregu thanë se prodhimi për qëllime magazinimi është bërë edhe nga disa importues, me qëllim hedhjen në treg të birrës pas rritjes së akcizës.
Importet e Italisë, me çmim të lirë, “mbysin” tregun vendas
Pjesa më e madhe e importuesve të birrës e kanë mirëpritur unifikimin e akcizës, pasi siç shprehen ata, i vendos në terren të përbashkët me prodhuesit vendas.
“Rritja e akcizës vë në kushte të barabarta taksimi prodhuesit dhe importuesit, madje nxit rritjen e prodhuesve.
Pavarësisht unifikimit të akcizës, kostot e prodhimit për vendasit mbeten më të ulëta, pasi ata nuk paguajnë tarifat e transportit, tarifën e skanimit të kontejnerëve apo të ngarkim-shkarkimit.
Deri tani nuk i kemi ndryshuar çmimet, parashikojmë t’i unifikojmë nga muaji shkurt”, u shpreh një nga kompanitë importuese të birrës.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të Doganave, në vitin 2022, peshën më të madhe nga birrat e importit e zë ajo e prodhuar në Kosovë, me 32% të totalit, më pas është birra italiane, me 25%, e ndjekur nga birra e Greqisë, Gjermanisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Pavarësisht se pesha e birrës italiane në importe është më e ulët se ajo e Kosovës, birrat italiane po konkurrojnë në treg me çmimin e tyre më të lirë. Në muajin nëntor, 1 kanoçe birrë italiane e markës “Peroni” u shit 69 lekë kundrejt birrës “Peja” që u shit 75 lekë.
Ndërsa çmimi i birrës “Peroni” u barazua me çmimin e birrës “Stela”.
Monitor