Qeveria e Enver Hoxhës, posa mori fuqinë në dorë, në fillim me forcë dhe pastaj me zgjedhje të falsifikuara, ka shtypur çdo pozitë me arrestime, burgime dhe pushkatime, po ushtron mënyra brutale për të zhdukur çdo ndjesi njerëzore e kombëtare, ka grabitur pasurinë private, ka skllavëruar bujq e punëtorë në ferma dhe fabrika shtetërore, ka internuar burra, gra fëmijë, pleq e të rinj në kampe përqendrimi me qëllim që të zhdukë fare racën shqiptare dhe kulturën e saj. Enver Hoxha po helmon gjithashtu rininë e Shqipërisë me një doktrinë amorale dhe ka zhdukur shumicën e klerit katolik, orthodoks e mysliman.
Prandaj i lutem presidentit që të urdhërojë përfaqësuesit amerikanë pranë Kombeve të Bashkuara që të kërkojnë tërheqjen nga Shqipëria të organizatorëve rusë dhe të policisë sekrete dhe gjithë agjentëve të imperializmit sovjetik që janë grumbulluar atje me qëllim që të turbullojnë paqen botërore”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një prej pikave të rezolutës së senatorit amerikan, Charles Kersten, të paraqitur para Senatit të SHBA-ve në shkurtin e vitit 1953, ku politikani e diplomati i njohur amerikan, pasi i bënte një analizë të hollësishme regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, i bënte thirrje zyrtare Presidentit të SHBA-ve që të formulonte një politikë të jashtme më të fortë, në mënyrë që Amerika të mos e njihte regjimin komunist në Shqipëri. Po çfarë thuhet më tej në rezolutën e senatorit amerikan Kersten, si e përshkruan ai gjendjen në Shqipëri dhe krimet e regjimit diktatorial të Hoxhës?
Si e cilëson ai politikën që ndiqte asokohe Bashkimi Sovjetik ndaj Shqipërisë dhe cilat ishin masat që, sipas tij, duhej të ndërmerrte Presidenti amerikan për ta bërë më të ashpër politikën e jashtme ndaj vendit të vogël komunist të Ballkanit. Për të gjitha këto bëhet fjalë në një sërë dokumentesh arkivore, ku ndodhet e pasqyruar e gjithë korrespondenca që Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë ka mbajtur me disa nga ambasadat shqiptare të akredituara në vendet perëndimore, të cilat e informonin rregullisht atë mbi veprimtarinë e emigracionit reaksionar shqiptar në këto vende, shtypin që nxirrnin ata dhe fjalimet apo protestat e diplomatëve amerikanë kundër politikës së qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. Të gjitha këto dokumente arkivore, të cilat për vite me radhë janë konsideruar si “tepër sekret” dhe të një rëndësie të veçantë, ndodhen në arkivat e shtetit shqiptar dhe prej disa vitesh ato janë të deklasifikuara.
SENATORI: “ENVERI ELIMINOI FIZIKISHT OPOZITËN”
Një nga informacionet e diplomatëve shqiptarë të përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtetet perëndimore, dërguar për Ministrinë e Jashtme në Tiranë, është edhe ai i titulluar: “PJESË NGA SHTYPI SHQIPTAR I KRIMINELËVE TË LUFTËS GJATË MUAJVE JANAR DHE SHKURT 1953″, me nëntitull: “Mesazhe dhe deklarata të plota të personaliteteve amerikane” (AMPJ. Viti 1953. Dosja 291). Në fillim të këtij informacioni, jepet mesazhi i admiralit amerikan Miller, kryetar i Komitetit “Evropa e Lirë”, drejtuar popullit shqiptar me rastin e Krishtlindjeve. Mesazhi i Millerit, i cili njëkohësisht ishte dhe një nga 96 anëtarët e Senatit të SHBA-ve, është botuar nga gazeta “Shqipëria” (organ i Komitetit Kombëtar ‘Shqipëria e Lirë’) në numrin e saj të 1 janarit 1953. Në atë mesazh midis të tjerash thuhet: “Të dashur dëgjues shqiptarë? Sot, shumë prej jush bashkohen me qindra milionë të krishterë në të gjithë botën për të festuar lindjen e Krishtit. Unë besoj se kjo ditë, megjithëse shumë prej jush jeni të ndaluar të shkoni në kishë, i mbush zemrat tuaja me gëzim, ditë lutje për çlirimin tuaj. Ju jeni të fortë dhe keni me vete historinë e gjithë njerëzimit. Midis jush mund të ketë njerëz që nuk bashkohen me ne në festimet e sotme, se ata s’kanë Zot, se janë shërbëtorë të Stalinit. Këta duhet ta kuptojnë se sa të këqija vijnë nga lindja dhe jeta e një njeriu të keq.
Radio ‘Europa e Lirë’ nuk është një organizatë propagandistike e ndonjë besimi fetar, por një organizatë që i kushtohet tërësisht idealit që njeriu duhet të jetë i zoti që të jetojë me liri dhe vullnet të mirë. Ky është mesazhi që u dërgoj miqve shqiptarë për Krishtlindje dhe nuk do të pushoj kurrë së dërguari mesazhe të tilla. Unë jam një nga 96 anëtarët e Senatit Amerikan. Shumë nga këta nuk janë dakord me këto që po ju flas sot juve, po natyrisht pa marrë parasysh politikën zyrtare të qeverisë s’onë, ata dhe unë kemi mundësi të çfaqim hapur parimet në të cilat jetojmë. Kjo është baza e qeverisjes demokratike. Me mbarimin e luftës u bënë zgjedhjet në Shqipëri, si dhe në vendet të tjera dhe qeveritë e Frontit Popullor, të formuara nga parti të ndryshme muarën frerat në dorë. Por megjithë këtë, komunistët nuk ishin fort të kënaqur, deri sa nuk kishin në dorë të tyre fuqinë totale. Nuk është nevoja t’ju kujtoj juve fatin e Eduart Benesë ose të Jan Masarickut.
Spastrimi i anëtarëve të Asamblesë Popullore Shqiptare nga ana e Enver Hoxhës dhe i shokëve të tij është ende i freskët në mendjen t’uaj. Ëndrra juaj për një liri kombëtare, shpresat e juaja për një sigurim ekonomik, dëshira e juaj për një liri individuale, të gjitha janë të destinuara të përmbushen në një të ardhme jo të largët. Miliona amerikanë janë thellësisht të ndërgjegjshëm për faktin që tiranija mbi Shqipëri është një kërcënim i lirisë dhe i demokracisë në mbarë botën. Sot populli amerikan shikon me keqardhje të madhe vuajtjen e popullit Shqiptar dhe shpreson më në fund se Shqipëria do të kthehet në Komitetin e Kombeve të lira”. Po a ndikoi mesazhi i Kerstenit në qëndrimin e SHBA-ve ndaj Shqipërisë? Ky mesazh i dhënë para Senatit Amerikan në janarin e vitit 1953 duket se pati një ndikim jo të vogël në politikën amerikane ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kjo gjë shihet qartë po të kemi parasysh se, pas asaj periudhe, qeveria e SHBA-ve i rriti ndjeshëm financimet për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, si dhe ato të grupeve të ndryshme të shqiptarëve të mërgatës antikomuniste në Perëndim, të cilët stërviteshin në bazat e Italisë, Greqisë, Gjermanisë dhe Maltës për të zbarkuar në Shqipëri. Kjo kohë përkon dhe me hedhjen në Shqipëri të grupeve të Hamit Matjanit, Halil Branicës, Zenel Shehut etj., të cilët, siç dihet, u kapën nga Sigurimi i Shtetit, pas tradhtisë që kishte bërë Kim Filbi.
REZOLUTA E SENATIT TË SHBA-VE
Pas mesazhit të senatorit Miller, në faqen e katërt të informacionit për Ministrinë e Jashtme në Tiranë, diplomatët e ambasadës shqiptare të akredituar në një nga shtetet perëndimore japin të plotë edhe rezolutën e senatorit amerikan, Josep Charles Kersten, të titulluar: “Për lirinë e Shqipërisë”, i cili ia ka paraqitur atë Senatit Amerikan. Në atë mesazh, midis të tjerash, senatori Kersten ka shkruar: “Bashkimi Sovjetik ka shkatërruar mundësitë e lirisë dhe të indipendencës së Shqipërisë, që duhesh t’i kishte fituar që kur mori fund Lufta e Dytë Botërore dhe e ka vënë Shqipërinë nën zgjedhën dhe kontrollin e një qeverie komuniste, kukull e Kremlinit. Ky regjim është munduar me premtime të rreme të sigurojë njohjen e tij nga ana e Amerikës dhe Anglisë. Qeveria e Enver Hoxhës, posa mori fuqinë në dorë, në fillim me forcë dhe pastaj me zgjedhje të falsifikuara, ka shtypur çdo pozitë me arrestime, burgime dhe pushkatime, po ushtron mënyra brutale për të zhdukur çdo ndjesi njerëzore e kombëtare, ka grabitur pasurinë private, ka skllavëruar bujq e punëtorë në ferma dhe fabrika shtetërore, ka internuar burra, gra fëmijë, pleq e të rinj në kampe përqendrimi me qëllim që të zhdukë fare racën shqiptare dhe kulturën e saj. Enver Hoxha po helmon gjithashtu rininë e Shqipërisë me një doktrinë amorale dhe ka zhdukur shumicën e klerit katolik, orthodoks e mysliman.
Kundrejt Shqipërisë janë bërë gabime tragjike nga politika e disa shteteve të lira, ndër to edhe amerikan, për arsye se në një kohë është shpresuar një bashkëpunim i sinqertë me komunistët. Sot jemi të bindur dhe është provuar se komunizmi në Shqipëri është mjet konspiracioni në duart e komunizmit ndërkombëtar dhe vë në rrezik paqen ndërkombëtare. Prandaj: I lutem kësaj Dhome të Deputetëve të vendosë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bashkojë përsëri me miqësinë historike e tradicionale popullin amerikan me atë shqiptar, të cilët kanë aspirata të përbashkëta për liri, demokraci e drejtësi. I lutem këtij Kongresi të shprehë bindjen e patundur të popullit amerikan që populli shqiptar ka të drejtën e vet të qeverimit me pëlqimin e tij të plotë, me anë zgjedhjesh të lira dhe që asnjë komb tjetër nuk mund ta ndajë prej tokës së tij me forcë, as edhe që ta mbajë tokën shqiptare me forcë.
I lutem Senatit të Shteteve të Bashkuara që të shprehë bindjen e popullit amerikan se populli shqiptar ka të drejtë të gëzojë të drejtat themeltare të lirisë për të cilat ai është hedhur në luftëra shekullore; midis këtyre të drejtave numërojmë këto: 1. Të drejtën e fshatarësisë mbi zotërimin e tokës, që ta punojë ashtu si i pëlqen dhe të disponojë frytet e saj sipas dëshirës. 2. Të drejtën e punëtorëve për të zgjedhur lirisht llojin e punës e për të përfituar nga rroga e tyre, si dhe për të caktuar ata vetë orët e punës me anë të sindikatave të lira. 3. Të drejtën e intelektualëve për të krijuar lirisht aksione shkencore dhe artistike nëpërmjet institutesh edukative, shkencore dhe kulturale të pavarura nga shteti. 4. Të drejtën e besimit, të fjalës, të shfaqjes së mendimit dhe të lirisë së shtypit. Përveç këtyre, për të ndihmuar popullin shqiptar, Presidenti i Shteteve të Bashkuara është i lutur që: 1. Të formulojë një politikë të jashtme të re më të fortë, në mënyrë që të mos e njohë regjimin komunist në Shqipëri. 2. Të fajësohet regjimi komunist i Rusisë si agresor, regjim që ka shkelur parimet themeltare të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe marrëdhëniet ndërkombëtare duke robëruar Shqipërinë. 3. Presidenti të urdhërojë përfaqësuesit amerikanë pranë Kombeve të Bashkuara që të kërkojnë tërheqjen nga Shqipëria të organizatorëve rusë dhe të policisë sekrete dhe të gjithë agjentëve të imperializmit sovjetik që janë grumbulluar atje me qëllim që të turbullojnë paqen botërore. 4. Të kërkojë që të bëhen zgjedhje të lira në Shqipëri nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbas një periudhe përgatitore. T’i jepet mundësi popullit shqiptar që të shporrë terrorin komunist, që kështu të rivendoset atje paqeja dhe liria”.
INFORMATA PËR SHTYPIN SHQIPTAR NË EMIGRACION
Pas mesazheve të senatorëve Miller e Kersten, në informacionin e dërguar për Ministrinë e Jashtme në Tiranë jepen edhe disa pjesë nga artikujt e ndryshëm të botuar në gazetat që nxirrte mërgata politike shqiptare në Perëndim, ku janë nënvizuar 5 pika kryesore: 1. Vizita e De Gasperit në Athinë; 2. Mbi Ishullin e Sazanit; 3. Mesazhe dhe deklarata të kriminelëve shqiptarë dhe personaliteteve amerikane; 4. Shpifje kundër vendit tonë; 5. Të ndryshme. Në pikën e tretë jepet dhe mesazhi i kryetarit të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, Hasan Dosti, dërguar popullit shqiptar me rastin e Vitit të Ri. Pas asaj jepet edhe një koment i shkurtër mbi deklaratën e Papagosit për Vorio-Epirin, të bërë në 17 dhjetor 1952 në Parlamentin e Greqisë dhe i botuar nga gazeta “Flamuri” në datë 31 janar 1953. Ndërsa në pikën “Shpifje kundra vendit tone”, midis të tjerash shkruhet: “Gazeta “Shqipëria” 1 janar 1953, në kryeartikullin e saj me titull “Shqipëri pa shqiptarë”, flet gjatë duke shpifur se gjoja festa e 28 Nëntorit është zëvendësuar me atë të 29 Nëntorit. Çdo okupacion i huej në vendin tonë ka kërkue së pari të ndërrojë flamurin dhe së dyti të qesë në harresë ditën e pavarësisë. Edhe okupacioni bolshevik, ma i hatashmi dhe ma shtypsi i të gjitha vërshimeve barbare, qysh në 1946 e ka fshi nga kalendari ditën e lirisë, u ka imponu shqiptarëve festën e diktaturës komuniste. Jo vetëm mbrenda në Shqipëri, por dhe përjashta saj, përfaqësuesit e Enver Hoxhës bëjnë thirrje e japin gosti, për t’i kujtue botës se jeta e Shqipërisë fillon më 29 nëntor 1944 dhe se fati i vëndit është vetëm në duart e tyre”.
EMIGRACIONI ANTIKOMUNIST: SOVJETIKËT NË ISHULLIN E SAZANIT
Gazeta “Shqipëria” e datës 1 shkurt 1953 në kryeartikullin e saj me titull “Rëndësia e Shqipërisë” (Sazani, pajisur me mjetet më moderne, qendër e rëndësishme nëndetësesh, Gjibraltar i Bashkimit Sovjetik, rrezikon Mesdheun) shkruan: “Dy çështje me rëndësi kanë tërhequr vërejtjen e qarqeve ndërkombëtare dhe të opinionit publik shqiptar: 1) fortifikimit dhe bazat ruse në Shqipëri 2) Marrëdhëniet ushtarake jugosllavo-greko-turke.
Në kohët e fundit është bërë fjalë se manovra të mëdha ushtarake janë zhvilluar në Shqipëri nën drejtimin e oficerëve rusë, ku kanë marrë pjesë dhe disa skuadrilie aeroplanësh me pilotë sovjetikë. Më poshtë “Shqipëria” komenton artikullin e gazetës amerikane “Cristion Science Monitor”, ku shkruhet: “Mbas prishjes me Jugosllavinë, Rusia i dha një kujdes i madh bregdetit Shqiptar. Ç’prej kësaj kohe u instalua në ishullin e veçuar të Sazanit një mision sovjetik dhe rus, kanë zbarkuar në këtë vend rreth 8000 punëtorë të cilët kanë filluar gërmimet dhe ndërtime nën tokë nën kontrollin e policisë së fshehtë. Inxhinierë gjermanë kanë bërë planet e foleve të nëndetëseve, fole të gërmueshme thellësisht në skajin jugor të Vlorës. Galeritë e çelura në ishull janë në gjendje me fshehë rreth 5000 vetë.
Informatat shtojnë se Sazani mund të përmbajë 80-90 nëndetëse, të cilat besohet të jenë të tipit ‘Fatler’” dhe më poshtë ‘Shqipëria’ duke ju referuar artikullit të kësaj gazete vazhdon: “Informatat na duken pak si të tepruara, nuk mohohet fakti se bregdeti Adriatik shqiptar formon një preokupim serioz për lëvizjen detare aleate. Për ne shqiptarët, që punët e mëdhaja i shikojmë nëpër prizmin e halleve dhe rreziqeve të vendit janë dy: 1) Si me nxjerrë garancitë e nevojshme për lirinë, pavarësinë dhe integritetin e atdheut tonë, 2) Si me vepruar për çlirimin sa më parë të Shqipërisë.
Sa për pikën e parë, nuk duhet mohue që çështja e sigurimit të vendit tonë ka përparuar dhe ka hyrë në një farë mënyre në rrugën e zgjidhjes. Dalja në dritë e Komitetit, fushata që hapi në botë për të nda përgjegjësinë e popullit shqiptar nga kriminelët stalinistë të Tiranës dhe ekzistenca antikomuniste, që filloi të ngjallej përmes persekutimesh e reprezaliesh barbare, i fitoi shumë simpati Shqipërisë. Kështu, vërejtja e demokracive për këtë vend të vuajtur e herë të sakrifkuem padrejtësisht, u bë e dukshme…”.
Gazeta “Shqipëria” datë 15 janar boton mesazhin e senatorit amerikan, Humpherg. Mbas komentesh të tjera në lidhje me zgjedhjet që u bënë mbas çlirimit dhe ku gjoja komunistët nuk e morën krejtësisht fuqinë në dorë shkruhet:…”Por me gjithë këtë, komunistët nuk ishin të kënaqur gjersa nuk kishin në dorë fuqinë totale. Nuk është nevoja të ju kujtoj rolin e Eduard Benës ose të Jan Masariokut. Spastrimi i anëtarëve të Asamblesë Popullore Shqiptare nga ana e Enver Hoxhës dhe i shokëve të tij është akoma i freskët në mendimin tuaj. Ëndrra juaj për liri kombëtare, shpresat tuaja për një sigurim ekonomik, dëshirat tuaja për një liri individuale, të gjitha janë të destinuara të përmbushen në një të ardhme jo të largët. Është fakt historik që populli shqiptar ka mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e tij shekuj më parë, tamam ashtu si po përpiqet sot dhe do të vazhdojë të përpiqet gjer sa ta lirojë veten e tij prej regjimit kukull sovjetik të sotshëm. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Amerika ishte e para fuqi aleate që bëri një deklaratë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë dhe të pavarur”./BW/