Tashmë kutia e Pandorës është hapur dhe të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi dhe përgatitemi për t’u mësuar me një realitetit të ri, që po rrit produktivitetin në punën tonë – pohon Merjan Shushollari, përdorues i ChatGPT dhe teknologjive të tjera të Inteligjencës Artificiale (IA), gjatë punës së tij si inxhinier të dhënash në kompaninë “Lufthansa Industry Solutions”.
ChatGPT, si një motor kërkimi, i cili është shumë i avancuar sipas inxhinierit Merjan Shushollari ka rritur produktivitetin në veprimtarinë e tij për zhvillimin e programeve software.
“Një ndikim që kam hasur te puna ime dhe e kolegëve të mi është rritja e produktivitetit. Kërkimi që më duhej të bëja nëpër motorë kërkimi është përshpejtuar ndjeshëm me ChatGPT.
Situata optimiste është rritja e produktivitetit të zhvilluesve. ChatGPT, për sa e kam përdorur, e ka kuptuar thuajse gjithmonë kontekstin e pyetjeve të mia. Mban mend dhe pyetjet e mëparshme që i është bërë dhe bazohet mbi to për të nxjerrë kontekstin e pyetjes në vijim.
Për sa i përket rrezikut në përdorim, duhet pasur gjithmonë kujdes të mos zbulosh të dhëna sensitive kur bën pyetje, pasi ruhen në servera të cilat nuk menaxhohen nga përdoruesi.
Ky përbën një rrezik për të dhënat të një kompanie. Si një industri e re që po zhvillohet, ka sjellë me të dhe nevojën për role të reja. Një rol i ri i cili po shikon një rritje në kërkesë është Prompt Engineer/AI Whisperer”.
Pavarësisht kushtëzimeve kur punohet për të dhëna sensitive dhe rezultatet ndonjëherë të pasakta ose të cunguara, ChatGPT ka treguar që është një mjet i domosdoshëm në punën e tij.
Përveç ChatGPT, Merjani thotë se ka filluar të përdorë edhe forma të tjera të Inteligjencës Artificiale, siç është GitHub Copilot. Ndërsa një realiteti i ri i Inteligjencës Artificiale në disa industri janë makinat vetëdrejtuese të cilat përdorin “computer vision” për të dalluar objekte. “Ky është një shembull i mirë që tashmë IA merr vetë edhe vendime”, thekson Shushollari.
Për këtë arsye, ai thekson se tashmë ka ardhur koha që edhe shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet dhe të përgatitet për të investuar në Inteligjencën Artificiale, pasi gradualisht pritet të ketë ndikim në tregun e punës me zëvendësimin e punonjësve.
“Madje kjo duhet të nisë që në shkollë fillore dhe më tej deri në studimet universitare. Nuk mund të kthehemi në luditë (shkatërrues së makinerive) të kohës moderne. Duhet të shohim përpara dhe me optimizëm për mundësitë dhe industritë e reja që do të sjellë IA”, pohon inxhinieri i IT-së.
Nga ana tjetër, skenar pesimist është automatizimi i industrive. Shumë pozicione në sektorin bankar dhe ligjor në SHBA kanë filluar të automatizohen. “Në rast se një vend, nuk është i përgatitur për këtë shkallë automatizimi, do të sjellë probleme të mëdha sociale”, përfundon inxhinieri i IT-së.
Në Shqipëri, sipërmarrjet e rreshtuara të parat në përdorimin e makinës inteligjente, madje duke përditësuar versione të reja janë kompanitë e shërbimit të teknologjisë së informacionit.
Administratori i kompanisë së teknologjisë së informacionit, “Ritech Solutions”, Aleksandër Risilia, parashikon ndryshime drastike në tregun e punës nga përdorimi i makinës inteligjente në një kohë kur përdorimi i saj ka rritur me 50% produktivitetin.
“Duke qenë se në fusha të caktuara, përdorimi i IA ka krijuar përmirësim në produktivitet prej më shumë se 50%, patjetër që do të ketë ndryshime deri diku drastike dhe të shpejta në tregun e punës.
Nëse në të shkuarën, avancimet teknologjike kanë pasur një shtrirje kohore pak më të gjatë, duke lejuar një adoptim më normal, tani gjendemi në një situatë ku ndryshimet dhe progresi ka një ritëm gati eksponencial në disa pjesë, gjë që krijon një problematikë në kohën që duhet për riaftësimin e shpejtë të njerëzve për tregun e punës”.
“Ritech Solutions”, sipas z. Risilia, ka sjellë risi në përdorimin e Inteligjencës Artificiale, produkte të cilat tashmë janë adoptuar në punën e përditshme të kompanisë. Z. Risilia tha se përdorimi i IA gjeneruese (Generative AI) po arrin një adoptim gati të përditshëm në punën aktuale të të gjithë zhvilluesve të softit në këtë kompani.
“Aktualisht, kompania ‘Ritech Solutions’ zotëron një produkt i cili është i orientuar në vizionin kompjuterik dhe Inteligjencën
Artificiale, me qëllim zgjidhjen e problemeve logjistike të një prej kompanive më të mëdha të anijeve në botë. Përveç këtij produkti jemi në zhvillim të një produkti të ri në pjesën e Borxhit Teknik (tech debt) që është një nga problemet më madhore në fushën software. Produkti bën një përdorim mjaft të gjerë të teknologjive të reja në IA gjeneruese ku bën pjesë dhe GPT-4 (mekanizmi nën ChatGPT).
Në fushën e programimit, ndikimi i IA gjeneruese do të jetë i konsiderueshëm. Stafi ynë ka qenë në një adoptim të vazhdueshëm të këtyre teknologjive në punën e përditshme”.
Sipas z. Risilia, efekti i përdorimit të ChatGPT në sektorin e teknologjisë së informacionit është shumë i gjerë, pasi IA gjeneruese po prek dhe vetë punën që bëjnë programuesit IT.
Drejtuesi i kompanisë “Ritech Solutions” nuk e përjashton mundësinë e skenarëve pesimistë sesi kjo teknologji mund të shkojë në drejtimin e gabuar.
Por ai thekson se është optimist fakti që vetëdija kolektive në persona që janë në rreshtin e parë të këtyre zhvillimeve është e madhe dhe po bëhet një shtyrje e madhe drejt te pasurit kujdes që kjo teknologji të qëndrojë brenda barrierave etike dhe të mos kthehet në një rrezik për njerëzimin.
Po a është IA e përsosur dhe a mund të kuptojë situata komplekse që mund të japin vendime të sakta? Administratori i kompanisë “Ritech Solutions”, Aleksandër Risilia, thekson se normalisht Inteligjenca Artificiale është larg përsosmërisë dhe si çdo teknologji që mund të ketë shumë përfitime ka dhe problemet e saj apo dhe rreziqet.
“Problemet lidhen më shumë me pasaktësinë analitike në raste të përcaktuara, gjë që kërkon një kujdes për t’u menaxhuar sidomos kur përdorimi i IA është në fusha me rrezik të lartë në sektorin e transaksioneve (p.sh. si në banking)”, nënvizon ai.
Të njëjtën pyetje ne i drejtuam edhe vetë ChatGPT-së, i cili u përgjigj: “IA nuk është perfekt dhe nuk mund të kuptojë situata komplekse në mënyrë që të japin vendime të sakta në çdo rast. IA mund të jetë shumë i dobishëm në disa raste, si p.sh. në analizën e të dhënave, në klasifikimin e informacionit dhe në automatizimin e disa proceseve.
Megjithatë, IA nuk mund të zëvendësojë plotësisht njeriun në situata komplekse, sepse njeriu ka aftësinë për të kuptuar kontekstin dhe për të marrë vendime të bazuara në përvojën dhe në njohuritë e tij.
Në fund të fundit, IA nuk mund të ketë aftësinë për të kuptuar emocionet dhe ndjenjat e njeriut dhe për të marrë vendime të bazuara në këtë njohuri”.
Marketingu, drejt shkurtimeve të vendeve të punës, për pozicione që do të mbulohen nga Inteligjenca Artificiale
Pas sektorit IT, në rreshtin e parë të përdorimit të makinës inteligjente është edhe sektori i marketingut. Kompanitë e marketingut pohojnë se përdorimi i ChatGPT ka shtuar përmirësimin e shërbimeve në marketingun dixhital dhe ka ulur kostot.
Pavarësisht se roli i fuqisë njerëzore konsiderohet i pazëvendësueshëm, paralajmërojnë se ky revolucion teknologjik do të shoqërohet me shkurtime të vendeve të punës, për pozicione që do të mbulohen tërësisht nga Inteligjenca Artificiale.
Ndërsa për role të caktuara në marketing, bashkëpunimi i punëtorëve me Inteligjencën Artificiale është i pashmangshëm.
Yiannis Dimos, Drejtor kreativ i Spot Communication, në agjencinë e marketingut dhe PR, “Le Spot Group” tha për “Monitor” se krahas teknologjive të tjera të ngjashme të IA, ChatGPT po bëhet një mjet shumë i dobishëm për disa fusha të marketingut dhe të komunikimit, për shkak të rritjes së produktivitetit.
“Në ‘Spot Communications’, ne përpiqemi të përqafojmë të gjitha risitë më të fundit që mundësojnë përmirësimin e shërbimeve tona dhe nuk përjashtohet as ChatGPT.
Nga automatizimi i krijimit të përmbajtjes dixhitale deri te nxjerrja e njohurive nëpërmjet analizës së të dhënave, ai lehtëson proceset e agjencisë sonë, duke përmirësuar kohën tonë të përgjigjes dhe duke u dhënë mundësinë ekipeve tona të përqendrohen në zhvillimin e strategjive më të mira të marketingut për klientët tanë dhe në përmirësimin e produktit tonë krijues dhe menaxhimit të llogarisë”, thotë ai.
Z.Dimos shprehet se teknologjitë e Inteligjencës Artificiale po përmirësohen me shpejtësi dhe sektori i marketingut është në ballë të adoptimit të tyre për aktivitetet e përditshme.
Sipas tij, kjo në mënyrë të pashmangshme do të ndryshojë mënyrën se si bëhet marketingu, e shoqëruar me efekte pozitive që nisin me rritjen e produktivitetit dhe uljen e kostos. Ndërsa janë të pashmangshme edhe kostot negative,
siç është shkurtimi i vendeve të punës.
“Rritja e efikasitetit, lehtësia në krijimin e përmbajtjes së personalizuar, analiza e thelluar e të dhënave, kostot e reduktuara do të arrihen dhe do të funksionojnë në favor të industrisë sonë.
Por në të njëjtën kohë, automatizimi i aspekteve specifike të punës sonë mund të rezultojë me reduktim të mundshëm të vendeve të punës, ose në uljen e kërkesës për role të caktuara brenda kompanive të reklamimit, medias dhe të komunikimit.
Por besoj fort se për shkak të natyrës së punës sonë, roli i njeriut do të jetë gjithmonë më i rëndësishmi. Kreativiteti, intuita, sjellja njerëzore ose marrëdhëniet njerëzore nuk mund të përsëriten plotësisht nga një teknologji IA.
Kështu që ChatGPT dhe mjete të ngjashme mund të punojnë së bashku me profesionistët e marketingut, duke u bërë një zgjidhje e vlefshme për rezultate komunikimi më cilësore dhe të jashtëzakonshme”, nënvizon z. Dimos.
Gledis Bozo, CEO i “Dope Studios Tirana”, pjesë e “Le Spot Group”, pohon se tashmë ChatGPT është bërë një mjet i domosdoshëm në marketingun dixhital. Ndërsa thekson se është e rëndësishme të pranohet se ChatGPT nuk mund të zëvendësojë ekspertizën njerëzore, ai ofron burime të vlefshme për çdo biznes që operon online.
“Në ‘Dope Studios’, ChatGPT e kemi përdorur për projekte të ndryshme. Së pari, ka lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e shkrimit për fushata marketingu.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për krijimin e postimeve tërheqëse në blogje, në krijimin e newsletters ose captions për media sociale, aftësitë e përpunimit të gjuhës të ChatGPT na kanë mundësuar që të komunikojmë me audiencën tonë në mënyrë efektive.
Së dyti, ChatGPT ka luajtur një rol vendimtar në strategjitë për angazhimin e klientëve (customer engagement strategies).
Për shembull, duke e integruar në chatbots të website-ve të ndryshme që kemi prodhuar për disa marka (brande), mund të ofrojmë përgjigje edhe më të shpejta dhe të sakta ndaj pyetjeve të vizitorëve të këtyre website-ve, duke përmirësuar përvojën e tyre.
Për më tepër, integrimi i ChatGPT në mjetet e analizimit të të dhënave na ka ofruar njohuri të vlefshme për sjelljen, preferencat dhe tendencat e konsumatorëve. Këto njohuri na kanë ndihmuar për të fuqizuar hartimin e strategjive të fushatave për marketingun digjital.
Ndërsa përdorimi i Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë ChatGPT, pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në industrinë e marketingut, përdorimi i tij paraqet skenarë optimistë dhe pesimistë.
Nga ana pozitive, Inteligjenca Artificiale mund të përmirësojë personalizimin, të thjeshtojë operacionet dhe të përmirësojë efektivitetin e fushatave të marketingut.
Ai automatizon detyrat rutinë, duke i lejuar agjencive të përqendrohen tek nismat strategjike dhe të marrin vendime bazuar në të dhënat analitike.
Megjithatë, ka shqetësime për ndikimin e mundshëm në tregun e punës, pasi Inteligjenca Artificiale mund të sjellë zhvendosje të vendeve të punës, por edhe krijimin e profesioneve të reja.
Është e rëndësishme të pranohet se Inteligjenca Artificiale nuk mund të zëvendësojë krijimtarinë njerëzore, mendimin kritik dhe emocional. Në vend që Inteligjenca Artificiale të shihet si kërcënim, do ta konsideroja si një mjet që u mundëson bizneseve rritjen e produktivitetit”.
Z. Bozo tha se pavarësisht kufizimeve, përdorimi i kujdesshëm do të rrisë ndjeshëm potencialin e përdoruesve të tij në marketing dhe rrjete sociale.
“Përqafimi i zhvillimeve të Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë ChatGPT, mund të ofrojë një avantazh konkurrues dhe t’u mundësojë zhvillim të mëtejshëm bizneseve të marketingut dhe jo vetëm.
Për më tepër, Inteligjenca Artificiale po transformon gjithashtu edhe në multimedia, duke mundësuar gjenerimin e imazheve dhe muzikës, pa u shqetësuar për të drejtat e autorit. I gjithë ky përparim shton mundësitë e reja dhe liri krijuese për content creators.
Në përgjithësi, besoj se IA, duke përfshirë ChatGPT dhe forma të tjera të Inteligjencës Artificiale, do të shërbejnë si asistencë inteligjente në përparimin e aftësive njerëzore dhe nxitjen e inovacionit në industri të ndryshme.
Nuk e di kush e mban mend sa është frikësuar bota kur CERN në vitin 1993 bëri konin e web protocol të aksesueshëm nga kushdo. Tashmë fëmijët mësojnë të bëjnë scroll dhe tap para se të mësojnë të flasin.
Open AI bëri të aksesueshëm për të gjithë një copëz shumë të vogël të Inteligjencës Artificiale. Do të mësohemi dhe do të jetojmë të lumtur”, thekson z. Bozo.
Së fundmi, një raport i Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) me qendër në Paris merr në konsideratë të dhënat aktuale mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në tregun e punës.
Aktualisht, përdorimi i IA-së është përhapur ende pak. Prandaj deri në këto momente nuk ka pasur humbje të mëdha të numrit të vendeve të punës.
“Fuqia punëtore e specializuar mirë është ndihmuar deri tani nga IA dhe nuk është zëvendësuar prej saj” – thuhet në raport. Deri tani ka pasur pak dëshmi për rënien e kërkesave për punonjës për shkak të IA-së”.
Por përparimi në IA ka qenë i tillë që, në shumë fusha, rezultatet e tij janë bërë pothuajse të padallueshme nga ato të njerëzve dhe tabloja vazhdon të ndryshojë me shpejtësi, siç kanë treguar zhvillimet e fundit në modelet e mëdha gjuhësore.
Kjo, e kombinuar me kostot në rënie të zhvillimit dhe adoptimit të sistemeve të IA. Raporti sugjeron që vendet e OECD mund të jenë në prag të një revolucioni teknologjik që mund të ndryshojë rrënjësisht vendin e punës.
Agjentët call center dhe imobiliarë, profesionet që i kanë shpëtuar ChatGPT
Për kompanitë call center, kryesisht ato që përdorin fushatën e shitjeve të produkteve, burimi njerëzor shihet ende i pazëvendësueshëm nga chat machine.
Ervin Gogo, administrator i kompanisë call center “Alba Contact” thotë se “përdorimi i ChatGPT është në varësi të projekteve që kanë kompanitë call center. Në përgjithësi, call center-at inbound prej vitesh kanë sistem suporti të automatizuar, që punonjësit i përdorin.
Pra një miks makineri/punonjës dhe për momentin nuk ka risi. Ndërsa në call center-at që operojnë me shitjet, faktori njerëzor për momentin është i pazëvendësueshëm. Një klient të painteresuar nuk e bind dot me chat machine”, theksoi ai.
Për sa i përket domosdoshmërisë së përdorimit të ChatGPT nga punonjësit për situata të paqarta, z. Gogo shton se kompanitë call center kanë të miratuara prej vitesh manualet e brendshme të konsultimit për punonjësit. “Produktet e trajtuara janë të personalizuara, nuk janë publike. ChatGPT nuk ka nga t’i dijë ato”.
Z.Gogo parashikon se nisur nga mungesa e fuqisë punëtore që vuajnë shumë sektorë, Shqipëria mund ta përqafojë shumë shpejt përdorimin e ChatGPT, pavarësisht se për zgjidhjen e shumë situatave, roli i njeriut është i domosdoshëm.
Nga ana tjetër, përdorimi masivisht, sipas tij, i ChatGPT te bizneset do të ishte më tepër i orientuar nëse konsumatorët do të kishin aftësi njohje mbi teknologjinë, gjë e cila nuk ndodh në Shqipëri.
Ndërkohë, tkurrja e numrit të të punësuarve vitet e fundit po ndihet edhe në sektorin call center, dikur oaz për punësimin e të rinjve. Sipas të dhënave të DPT, deri në shtator 2022, në ndërmarrjet call center ishin të punësuar 12,404 punonjës, me një rënie prej 18% në krahasim me fundin e vitit 2021.
Shkak i rënies së numrit të të punësuarve është emigrimi i të rinjve dhe mungesa e atyre që flasin gjuhën italiane. Kompanitë e sektorit pohojnë se problematika e mungesës së fuqisë punëtore që nisi pas 2017-s, këtë vit është kthyer në shqetësimin kryesor të tyre.
Sektori tjetër ku nuk po përdoret ChatGPT është ai në shitjen e pasurive të paluajtshme. Jonian Antoni, CEO i real estate “Century 21” theksoi se për këtë sektor është më tepër i domosdoshëm interpretimi njerëzor.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale ka rritur produktivitetin te prodhuesit
Sektorët prodhues apo mjekësia në vend ende nuk e kanë përfshirë ChatGPT në punën e tyre, por investimet në Inteligjencën Artificiale janë shtrirë në forma të tjera zhvilluese, me qëllim rritjen e produktivitetit.
Edvin Prençe, kryetar i ProEksport Albania, thotë se Inteligjenca Artificiale po shihet dhe përdoret në menaxhimin, gjetjen e zgjidhjeve të problemeve të ndryshme në jetën e njerëzve, por është ende në gjenezë përfshirja plotësisht e IA në industritë prodhuese.
“Patjetër janë makinat 4.0 (makina inteligjente që përmirësojnë produktivitetin) që drejtohen e monitorohen në distancë, por deri këtu kemi arritur. Në industrinë e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka nisur përdorimi i çipave që monitorojnë se në çfarë faze është prodhimi dhe a ka përfunduar.
Kostoja për blerjen e një çipi inteligjent që futet në veshje është 0,03 cent euro”. Për sa i përket ChatGPT, z. Prençe tha se në këtë sektor nuk mund të përdoret te linjat prodhuese për shkak të specifikës së punës.
“Duke pasur një mungesë të theksuar në 20,000 vende pune, Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi ka sjellë rritje të produktivitetit, duke thyer pak mungesën e theksuar të punëtorëve. Pavarësisht kësaj, përdorimi i Inteligjencës Artificiale nuk e rrezikon zëvendësimin e kapitalit njerëzor për sektorin fason”, pohoi ai.
Edhe Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë tha se përdorimi i Inteligjencës Artificiale nga disa sektorë, siç janë marketingu dixhital apo sistemet e menaxhimit të kompanive, ka shtuar produktivitetin.
“Inteligjenca Artificiale në sistemet e menaxhimit të kompanive, që po përdorin algoritmet e IA rezulton se po jep zgjidhje racionale. Si p.sh., në zëvendësimin e proceseve të rekrutimit.
Vendimin për zgjedhjen e punonjësve e merr njeriu, por IA lehtëson punën në përzgjedhjen e dosjeve që duhet të shqyrtohen për punësim. Në sektorin e marketingut dixhital, ndihmon nëpërmjet dëgjimit të mjeteve sociale, apo pozicionimit në treg të produktive. Gjithashtu në proceset operacionale të prodhimit ofron mundësinë e standardizimit të tyre dhe rritjen e produktivitetit”.
Pavarësisht se përdorimi i Inteligjencës Artificiale priret të rrisë efikasitetin e bizneseve, Arben Shkodra thekson domosdoshmërinë e hartimit të një strategjie nga qeveria se në cilët sektorë duhet të nisë përdorimi i Inteligjencës Artificiale, punonjësit e cilëve sektorë parashikohen të zëvendësojë dhe çfarë do të bëhet me punësimin e punonjësve të zëvendësuar.
“Përpara se të përqafohet përdorimi i Inteligjencës Artificiale duhet të ketë një strategji në përdorimin dhe një legjislacion rregullator për veprimtarinë e Inteligjencës Artificiale.
Të dyja këto janë të domosdoshme që të përcaktohen sektorët prioritare ku do të përdoret IA dhe se çfarë masash do të merren për fuqinë punëtore që do të zëvendësohet nga Inteligjenca.
Gjithashtu duhet të përmirësohen edhe rrethanat në funksion të përdorimit të Inteligjencës Artificiale.
Nëse një fabrikë synon të robotizojë të gjithë procesin e saj, fuqia e rrjetit energjetik për funksionin e sistemit të automatizuar në Shqipëri nuk është cilësore, sidomos në zonat malore, ku shkëputjet apo goditjet e tensionit të energjisë do t’i shkaktonin dëme të pariparueshme këtyre bizneseve”, nënvizon përfaqësuesi i Bashkimit të Prodhuesve.
Si po përdoret Inteligjenca Artificiale në mjekësi
Inteligjenca Artificiale po sjell risi të rëndësishme edhe në mjekësi. Bianka Agaraj, mjeke në degën shqiptare të laboratorit gjerman Dr.Limbach Heidelberg, thotë se Inteligjenca Artificiale po përdoret për rritjen e saktësisë në metodat diagnostikuese, ndërsa paraqet perspektiva shumë interesante për të ndihmuar në trajtimin e sëmundjeve, sidomos të atyre gjenetike.
“Inteligjenca Artificiale (AI) përdoret prej kohësh në shëndetësi. Në Europën perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara, ajo është inkorporuar në fusha si diagnoza me imazhe (radiologjia), dermatologjia, citologjia e deri te gjenetika dhe kirurgjia e asistuar nga robotët.
Nëse marrim në shembull citologjinë: Inteligjenca Artificiale është e programuar e tillë që të identifikojë ndryshime në raportet bërthamë-citoplazmë, të cilat mund t’i humbasin syrit të lirë të mjekut në mikroskopi. Përveç se i identifikon, IA mund të japë suspektin e dyshuar të diagnozës, si dhe stadin.
Ne kemi një përvojë shumë të mirë me IA në punën e përditshme, na ndihmon të ofrojmë më tepër siguri dhe kualitet në gjenerimin e rezultateve dhe të minimizohet maksimalisht rreziku për gabime njerëzore, të cilat pa IA janë thuajse të pashmangshme.
Trajtimi është një tjetër pikë kyçe, tashmë me kirurgjinë e asistuar robotike mund të korrigjohen probleme që ndoshta më parë nuk ishin të mundura me bisturitë tradicionale. Sigurisht kanë nevojë për eksperiencën dhe mjekun e specializuar për t’i kontrolluar.
Lajm i mirë është dhe se një ditë, ndoshta do të arrijmë të korrigjojmë sëmundje gjenetike që deri më sot kemi mësuar si të bashkëjetojmë me to.
Mund të përmendim këtu Gërshërët Gjenetike CRISPR/Cas9 që morën ‘Nobelin’ në mjekësi në 2020, ato janë të programuara të ‘rregullojnë’ pjesën mutante në lokusin e gjenit të α-globin-ës në qelizat hemopoetike të njeriut, duke kështu β-Talaseminë, nga e cila vuajnë shumë individë në shtetin tonë”.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale ka rritur produktivitetin edhe në mjekësi, veçanërisht në lëmin e kërkimeve dhe hulumtimeve, sipas mjekes Agaraj.
“Sigurisht që nga përdorimi i IA, cilësia shtohet dhe ulet ngarkesa e personelit shëndetësor, mjafton të krahasosh sistemet e brendshme kompjuterike të dokumentimit dhe ruajtjes së të dhënave të pacientëve dhe dosjeve apo regjistrave manualë.
Përpos kësaj, ndërthurja e specialistit të mjekësisë me Inteligjencën Artificiale vetëm mund të rrisë sigurinë e analizimit, testimit e në fund diagnostikimit dhe trajtimit. Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi në mjekësi rrisin sensitivitetin apo aftësinë e një metode për të detektuar një çrregullim të caktuar.
Pavarësisht formave nga më të ndryshmet të Inteligjencës Artificiale që po përdor mjekësia, që te robotët që marrin gjak te pacientët dhe asistimi në kirurgji, detyra e mjekut mbetet ende e pazëvendësuar nga teknologjia.
“Ka gjithmonë dy anë të së njëjtës medalje. Në panairet ndërkombëtare të mjekësisë kemi parë robotë që punojnë të paasistuar për të marrë gjakun te pacientët e sigurisht lind pyetja nëse një ditë do të arrijnë të na zëvendësojnë, por mjekësia është shumë më shumë se një punë manuale.
Të qenët mjek nuk janë vetëm manipulimet që ne bëjmë apo konsulta me pacientët, janë buzëqeshjet, fjalët e ngrohta dhe një vesh që dëgjon të gjitha ankesat e pacientit që ka përballë. Mendoj që për sa kohë mjeku është human, nuk do arrijë kurrë të zëvendësohet nga Inteligjenca Artificiale.
Megjithatë, ajo mund të jetë një komponent tepër i rëndësishëm që rrit edhe më tepër kualitetin e shërbimit tonë”. Ndërsa për sa i përket ChatGPT, znj. Agaraj pohon se nuk përdoret, pasi nuk të ndihmon në punën si mjek, përveç rasteve për lehtësimin e kërkimit në gjetjen e literaturave.
Studentët e brezit të ChatGPT-së
Për disa pedagogë, përdorimi i ChatGPT nga studentët është përhapur gjerësisht, kryesisht për punimet e diplomave dhe detyrave të kursit. Disa të tjerë pohojnë se përdorimi i tij mbetet në nivele të ulëta.
Pavarësisht shkallës së përdorimit të ChatGPT, për pedagogët mbetet shqetësues fakti se përveç shtimit të rasteve të plagjiaturës, edhe pse disa universitete private kanë shtuar masat për kontrollin e punimeve të dorëzuara nga studentët, përdorimi i IA po dëmton krijimtarinë te brezi i ri.
“Një nga pasojat negative që mund të sjellë përdorimi i Inteligjencës Artificiale, sidomos në sistemin arsimor, është ulja e interesit të nxënësve dhe studentëve për të zhvilluar aftësi analitike dhe kritike në raport me informacionin.
Ne e dimë që të shkruarit është një mënyrë për të mësuar se si të mendosh. Nisur nga ky fakt, atëherë frika qëndron në faktin se nxënës dhe studentë që nuk shkruajnë, mund të dëmtohen në zhvillimin e të menduarit kritik.
Në njëfarë mënyrë, këto aplikacione mund t’i bëjnë studentët më sipërfaqësorë dhe më pak kritikë. Po kështu, mungesa e njohurive rreth Inteligjencës Artificiale mund të ndikojë negativisht në kreativitetin e të rinjve”, thotë për “Monitor”, Erlis Hoxha, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin Bedër.
Nora Malaj, ish-zv.ministre e Arsimit, thotë se rastet e përdorimit të ChatGPT nga studentët nuk janë të shumta. Znj. Malaj nuk e vlerëson pozitiv përdorimin e makinës inteligjente në arsim, pasi jo vetëm që do të krijonte qëndrim pasiv të të krijuarit, por edhe varësi, çka do të sillte humbjen e komunikimit te brezi i ri.
“Sigurisht që përdorimi i ChatGPT nuk është pozitiv, në një kohë kur ne vuajmë fenomenin e ‘copy paste’, por gjithashtu do të shkaktojë pasivitet te krijimi.
Një nga problemet më madhore do të jetë prekja e fantazisë. Nëse do të kesh një mekanizëm inteligjent, përdorimi i tij do të bënte të varur, nuk do të nxiste krijimin, motivimin, duke sjellë dorëzimin para gjithë vështirësive”.
Blogerat
ChatGPT, apo siç njihet ndryshe Inteligjenca Artificiale gjeneruese në Shqipëri po përdoret më së shumti nga individët për zgjidhjen e vendeve për pushime, ndërsa pritet të përqafohet përdorimi edhe për krijimin e statuseve apo zgjedhjen e vendeve që kërkojnë të vizitojnë blogerët e rrjeteve sociale të Instagram.
Blogerja Estela Ujka tha se nuk e përdor makinën inteligjente në punën e saj, por nuk e përjashtoi mundësinë për ta provuar./Monitor