VOAL

VOAL

Shqipëri: këtë vit u arrestuan 1210 veta për vjedhjen e energjisë elektrike

Ministri Tahiri u shpreh se ky aksion ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht korrupsionit të administratës

TIRANË – Qeveria Shqiptare ka bërë bilancin e një viti të operacionit kundër paligjshmërisë në fushën e konsumimit të energjisë elektrike. Gjatë aktivitetit “Ligjshmëria në energji – rezultatet e 1 viti”, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka bërë publike disa nga rezultatit e këtij operacioni. Ai ka deklaruar se për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike janë arrestuar 1210 persona.

Në fjalën e tij, ministri Tahiri u shpreh se ky aksion ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht korrupsionit të administratës.

“Çdo ditë kanë operuar në terren rreth 145 grupe të përbashkëta me mbi 164.000 aksione të ekipeve të përbashkëta të OSHEE-së dhe të Policisë së Shtetit duke evidentuar mbi 2826 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 1210 persona të arrestuar, 825 në kërkim dhe 842 në gjendje të lirë. 65 janë punonjës të OSHEE-së të identifikuar për implikim dhe veprimtari të paligjshme në favorizim të lidhjes së energjisë dhe po ashtu punonjës policie, të cilët ose e lidhin vetë ose ndihmonin në vjedhjen e energjisë elektrike”- deklaroi ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

Dokument – Rama i jep koncesionin e hekurudhës djalit të nënkryetares së Kuvendit

Tjetër skandal në qeverinë Rama me koncesionet. Burime nga qeveria kanë bërë të ditur se kryeministri Edi Rama ka dhënë me koncesion hekurudhën nga Fieri në Vlorë.

Fitues i këtij koncesioni është Arian Leskaj, pronar i 100 % të aksioneve të kompanisë “Matrix” dhe djali i Valentina Leskaj, aktualisht deputete e PS-së dhe nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Koncesioni është dhënë disa javë më parë, ndërsa nuk është bërë publik, siç edhe duhej. Nuk dihet objekti i koncesionit të dhënë nga kryeministri Rama, por burime pranë qeverisë thanë se, ai ka të bëjë me rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e kësaj linje hekurudhore, një aks i rëndësishëm në vendin tonë.

ekstrakt-leskaj

Shqipëri – Pas vitit 2020 ish spiunët e Sigurimit e rifitojnë imunitetin

Hapja e dosjeve të zyrtarëve publikë apo verifikimi i atyre që duan të marrin një post të tillë do të bëhet deri në 31 mars 2020. Pas këtij afati, “lustracioni” do të jetë i pamundur dhe ligjërisht i palejueshëm për këdo që punon në shtet apo kandidon për një funksion të tillë.

“Autoriteti vë në dispozicion dokumentacion dhe lejon përdorimin e dokumenteve, për qëllime të verifikimit të parashikuar nga shkronja “d”, e pikës 1, të këtij neni, deri më 31 mars 2020,”- thuhet në ligj. Ligji i miratuar nga parlamenti për “Të drejtën e informimit mbi dosjet e ish-sigurimit të shtetit” parashikon që tek e drejta për informim mbi këto dosje të përfshihen dhe institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike.

Beteja per punen, viti 2020 “parajsa” e ish-sigurimsave

Ligji per hapjen e dosjeve do te penalizoje te gjithe ata qe do te synojne nje post te larte ne administraten shteterore apo do te tentojne te hyjne ne politike permes votes ne Kuvendin e Shqiperise. Por ligji e percakton qarte se vetem pese vite do te kete mundesine Autoriteti te furnizoje apo t’iu pergjigjet institucioneve me dokumentet e kerkuara per secilin kandidat per ne administrate apo politike, pasi deri ne vitin 2020 e kane kete mundesi sipas ligjit te miratuar ne Kuvend dhe qe ka filluar tashme startin e tij me kerkesen e rektorit te UT per verifikimin e te gjithe personelit nese kane qene bashkepunetore te ish-Sigurimit te Shtetit/Shqiptarja.com

Skandali i kushedisatë i Bushatit – shefin e kabinetit ia thërret Greqia ushtar

Nuk kanë të reshtur skandalet për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Pak ditë më parë ai bëri një gafë teksa thirri në një takim për Kosovën ambasadorët e vendeve arabe dhe bashkë me ta edhe ambasadorin e
Izraelit.

Por së fundmi një tjetër skandal ka shpërthyer në zyrën e ministrit. Shefi i tij i kabinetit, Pirro Vëngu rezulton të ketë pasaportë greke, shkruan ‘Panorama’. Kjo ka të mirën dhe të keqen e saj. Vëngu është qytetar europian përpara të gjithë shqiptarëve duke qenë se ka një pasaportë të një vendi të BE­së, por ka edhe të keqe. Prej pak ditësh në zyrën e Vëngut ka mbërritur një thirrje e Ministrisë së Mbrojtjes të Greqisë që ai të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Vëngu është rreth 30 vjeç dhe sipas ligjit të shtetit fqinj ky shërbim kryhet deri në moshën 40 vjeçare.

Legjislacioni në Athinë parashikon kryerjen e shërbimit ushtarak për 18 muaj dhe prej tij mund të shmangen vetëm ata që kanë probleme shëndetësore. Vëngu është prej 2 vjetësh në detyrën e shefit të kabinetit të Ministrit të Jashtëm dhe ka për detyrë të kontrollojë dhe firmosë të gjitha shkresat që kalojnë nga drejtorët te Ministri. Shefi i kabinetit, si pozicion, ka për detyrë të kontrollojë dhe kooordinojë axhendën e ministrit dhe të këshilltarëve të tij.

Nishani: më kanë përgjuar punonjës të administratës, kam fakte e dëshmitarë

Presidenti i Republikës Bujar Nishani deklaroi dje se atij dhe familjes së tij u janë përgjuar telefonatat dhe jeta private, ndërkohë që theksoi se urdhëruesit e këtij veprimi kanë bërë një gabim fatal.

I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Nishani ka theksuar se disponon fakte dhe dëshmi se është përgjuar nga administrata shtetërore. Ai ka folur për reformën në Drejtësi, për punën e proku-rorit të Përgjithshëm dhe për shkarkimin e ambasadorit shqiptar në OSBE.

A jeni i kënaqur me punën e prokurorit të Përgjithshëm?
Nëse do të thosha jam i kënaqur me punën e një institucioni, unë do dilja jashtë kontekstit të realitetit. Jam i pakënaqur me nivelin dhe standardin e çdo institucioni në Shqipëri. Pritshmëritë e mia janë të larta, si qytetarët. Prokuroria ka shumë punë për të bërë.

Dy-tri herë ka thënë prokurori që priten arrestime të krerëve të lartë shtetërorë, ka dhënë edhe afat, dhe nuk është bërë asgjë. Ju e keni pyetur se çfarë ka ndodhur? Pse thotë në qershor që do arrestoj në shtator kur, nëse ka prova, pse s’e bën?
Prokuroria nuk varet nga Presidenti, ta sqarojmë. Nuk e ka Presidenti si kompetencë shkarkimin e prokurorit, ka vetëm emërimin, shkarkimin e inicion Parlamenti. Nëse Parlamenti ka shqetësim për punën e prokurorit, i ka të gjithë mekanizmat për nisjen e procedurave të shkarkimit të tij. Unë do të thosha se çdo akt, çdo veprim, përfshirë dhe i Prokurorisë, duhet gjykuar në realizimin e detyrave e performancës. Prokuroria s’mund të realizojë një akt procedural në një kohë të shkurtër.

Opozita e ka kushtëzuar dekriminalizimin me reformën në Drejtësi, s’ka reformë pa dekriminalizim. A e pranoni këtë lloj kushtëzimi?
Nuk e di, këto janë çështje të aktorëve politikë. Por mund të them se dekriminalizimi është emergjencë, se kemi prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, por kemi politikanë të inkriminuar, është ndryshim shumë i madh, ne s’kemi gjyqtarë në trafik droge. Besoj se janë procese të veçuara dhe duhet të ecin me prioritet.Kur shpërtheu skandali i letrës së zotit Braho ju pritet në zyrë kryetarin e Kuvendit, çfarë diskutuat?
Ka qenë një takim i kërkuar nga ana ime disa ditë më përpara. Nuk ka qenë në lidhje me këtë çështje, pra me letrën e Brahos. Nuk ka pasur për qëllim takimi diskutimin e kësaj çështjeje. I kam kërkuar kryetarit të Kuvendit që Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi të respektojë rolin e Presidentit. Dhe i kam shprehur disa rezerva që kanë të bëjnë me disa çështje në reformën në Drejtësi.

Ju vetë, si e shikoni përmbajtjen e letrës, ju duket e besueshme? Vërtet mundet kjo çështje të cenojë sigurinë kombëtare?
Unë nuk shihja ndonjë element për t’u shqetësuar me sigurinë kombëtare.

Le të flasim për raportin e OSBE-së, ai raport që ishte konfidencial, por që përfundoi në faqet e gazetave. Një raport ku elita e politikës sonë paraqitet ekstremisht e korruptuar. Ju duket bindës ai raport, ju duket i vërtetë? Apo është një grumbull i përmbledhjes nga gazetat?
Unë kam refuzuar të komentoj edhe në të shkuarën për atë material. Është një publikim që vetë autori, që është OSBE-ja, e konsideroi jo një qëndrim zyrtar, por një mbledhje rutinë e deklaratave të bëra në mediat shqiptare.A shikoni një lidhje mes raportit të OSBE-së dhe kthimit në Tiranë të ambasadorit shqiptar në Vjenë?
Jo, nuk ka. Kërkesa për kthimin e ambasadorit është bërë para publikimit të raportit. Duhet të ishte gjetur një zgjidhje në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Akti që pasoi atë propozim, është një akt që nuk ka lidhje as me Kushtetutën, as me ligjin, as me institucionet, as me shtetin, është një akt i cili reflekton vetëm një veprim anarkist dhe asgjë më tepër.

Një ultras i Kombëtares shqiptare, i famshmi Ismail Morina, u bë protagonist i të gjithë politikës shqiptare. Drejtuesit e së djathtës kanë kërkuar lirimin e tij, ju si mendoni? Duhet liruar?
Për sa kohë personi është subjekt i drejtësisë, askush nuk duhet të ndërhyjë.

Pak javë më parë keni deklaruar se ju dhe familja juaj ndiheni të survejuar, por nuk dhatë asnjë detaj. Ky survejim vazhdon akoma apo gjërat kanë ndryshuar?
Unë nuk thashë që ndihem, unë kam fakte dhe dëshmitarë të cilët konstatojnë që Presidenti, në aspektin privat, familjar, jo institucional, ka qenë nën kontroll, nën verifikim, nën monitorim, përfshirë dhe përgjimin dhe të familjarëve të tij. Janë momente të caktuara…

Të përgjuara nga SHISH, apo nga struktura të tjera?
Nuk mund të bëj për momentin deklarata, sepse është një çështje që do hetohet. Dhe unë do të kërkoj që të hetohet, është çështje që nuk do të mbyllet. Është një çështje për të cilën ka prova dhe dëshmitarë.

Çfarë provohet dhe çfarë dëshmohet?
Se çfarë është dëshmuar nuk e di, sepse dëshmia bëhet nga ata të cilët kanë monitoruar dhe kontrolluar jetën familjare dhe private të Presidentit dhe të familjarëve të tij. Por, elementët e detajuar të tij unë nuk do t’i bëj publike, deri në momentin që do të ketë një hetim serioz dhe unë besoj që do të ketë një hetim serioz, pavarësisht kohës kur do të nisë ky hetim.

E keni kërkuar një hetim?
Jo ende. Do ta kërkoj në momentin kur do të krijohen kushtet tërësisht të përshtatshme për të.

Kur krijohen këto kushtet?
Kjo mbetet një e drejta e imja për ta gjykuar. Përderisa është vepruar në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore…

Kjo është një akuzë shumë e fortë që po bëni, që kryetari i shtetit të jetë në përgjim duhen fakte shumë integrale…
Patjetër që është shumë e rëndë. Ata që e kanë marrë përsipër ta kryejnë këtë, kanë bërë një gabim fatal. Një punonjës i administratës shtetërore nuk mund ta kryejë në mënyrë individuale dhe të pavarur këtë përgjim, patjetër që ai e ka marrë si kërkesë nga dikush tjetër. Detajet do të jenë objekt hetimi.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani kërkon shkarkimin e Adriatik Llallës: Ka dështuar në luftën kundër korrupsionit

Voal – Kreu i shtetit i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”u shpreh shumë i pakënaqur me performancën e Llallës në luftën kundër korrupsionit. Nishani theksoi se nëse do ta kishte në kompetencë, do të shikonte mundësinë e lirimit nga detyra të kryeprokurorit. “Nuk është kompetencë e Presidentit të kërkojë llogari siç thoni ju. Prokuroria ka një punë shumë të madhe për të bërë në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk është kompetencë e Presidentit të lirojë nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm. Nëse do të kisha këtë kompetencë, pa dyshim do ta shikoja edhe në këtë aspekt; A mundet që një Prokuror i Përgjithshëm të vijojë në këtë performancë?!”, ka deklaruar Nishani. Kreu i shtetit ka kundërshtuar reformën në drejtësi. Presidenti ka pohuar se pas reformës fshihet plani i mazhorancës për të kapur sistemin e drejtësisë. “Po tentohet për të mbuluar një tendencë për të shtënë në dorë sistemin e drejtësisë, për të mos lejuar luftën ndaj korrupsionit”, ka pohuar Nishani.

Transferimi i 4 prokurorëve

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, i sqaron Prokurorit të Përgjithshëm, se nuk i ka ai kompetencat të transferojë prokurorët, por e drejta i takon Presidentit të Republikës. Përgjigja e Nishanit vjen pas propozimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla për transferimin e 4 prokurorëve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Bujar Nishani theksoi se propozimi duhet të vijë për emërim te Presidenti dhe jo për transferim, pasi është kompetencë e kreut të shtetit të emërojë prokurorët dhe jo t’i transferojë. “Përpara se të bëhej publike, duhet të kërkohej informacion i detajuar nga institucioni i Presidentit. Ka pasur vetëm një komunikim institucional me Presidentin në mesin e një numri prokurorësh të kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm për transferim. Kanë qenë për t’u transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 4 apo 5 prokurorë të tjerë. Të gjithë prokurorërt e kërkuar për transferim janë dekretuar, përveç 4 prokurorëve që janë kërkuar të transferon në Krimet e Rënda. Ligji për Prokurorinë e Krimeve të Rënda parashikon emërimin nga Presidenti i Republikës. Emërimin e bën Presidenti dhe jo Prokurori i Përgjithshëm. Propozimi nuk duhet të vijë për transferim por për emërim”, saktësoi kreu i shtetit.

Mentor Kikia: Mos e ndiqni Blendi Fevziun, është në krizë

Pas degjenerimit të debatit mes dy analistëve Andresa Stefani dhe Preç Zogaj në emisionin ‘Opinion’ të javës së kaluar, edhe njëri nga kryeredaktorët e Top Channel, Mentor Kikia ia ka lënë fajin për situatën e krijuar moderatorit Blendi Fevziu.

Në një shkrim të tij, Kikia e ka quajtur krizë të Fevziut atë që ndodhi, pasi janë po ata opinionistë që ftohen të japin mendimin e tyre në çdo temë, edhe kur nuk kanë ç’të thonë.

Shkrimi i Mentor Kikisë

Mbi debatin e pështirë mes Andrea Stefanit dhe Preç Zogajt. Shumë shkurt. Duhet durim i madh të shikosh tashmë një debat televiziv deri në fund. Janë nja 20 të tillë brenda një jave nëpër televizione, sepse është produksioni më i lirë televiziv. Të enjten pashë deri në fund sekuencën e sharjeve mes Andrea Stefanit dhe Prec Zogajt. E pashë duke shtrënguar dhëmbët, për të parë se deri ku mund të shkojë perversiteti intelektual.

I njoh të dy personalisht, i respektoj të dy dhe s’kam asnjë drojë të them këtë. Por, s’kam asnjë drojë të them më të zezat që mund të më vijnë në mendje, pas asaj pështymosjeje publike. Për shkak se ky (debat nuk i thuhet kurrë) ndodhi publikisht në emisionin Opinion, një nga referencat më të rëndësishme të opinionbërjes, shumë kolegë, me të drejtë, komentuan sa në mediat tradicionale aq edhe në ato sociale, duke u përpjekur ta shpjegojnë këtë ndyrësi mediatike, ku të dy personazhet nuk lanë gjë pa sharë, kërcënuar e pështyrë mbi njëri­tjetrin.

Jo është krizë mediatike, jo është mungesë etike, jo krizë politike etj etj. Tani, jo se po kursej Andrean dhe Precin, por kjo është krizë e Fevziut. Ai kishte ngritur një debat për CEZ­in dhe fton ndër të tjerë, edhe dy njerëz, që s’kishin asnjë haber mbi temën, por që nuk lanë askënd tjetër të flasë. Kriza është e Fevziut, që ashtu si parlamenti që ka orën e diskutimit të lire (ku deputetët shahen me libër shtëpie), para se të hyhet në rendin e ditës, edhe ai ka “seancën” e sharjeve të lira dhe këtë punë e bëjnë Andrea me Precin. Dhe ata, duke qenë përherë në studio, për cdo temë, po për cdo temë ama, nga kanceri i gjirit tek kriza në Siri, nga papunësia dhe niveli i arsimit, tek trafiku i drogës dhe sporti, atë që dinë të bëjnë më mirë, është të shahen.

Kriza është edhe e shumë moderatorëve të tjerë që ftojnë të njëjtët “ekspertë”, studio më studio, dhe madje ka nga ata që janë njëherësh edhe në tre ekrane brenda një dite. Kjo është kriza miq, Andrea me Precin do shahen, pasi skanë c’të thonë tjetër për të justifikuar pagesën. Një këshillë: Thjeshtë mos i shikoni. Nuk keni çfarë të mësoni. As ata vetë nuk kanë ç’të thonë.

Sot është përvjetori i Lumturimit të Nënë Terezës

Kjo ditë, me të drejtë, u shpall edhe festa e të gjithë shqiptarëve, por në të gjitha vendet kujtohet si një prej personazheve më të famshme në botë, si murgesha që ndihmoi të varfrit në Indi.

Nënë Tereza ka lindur në Shkup me 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Në vitin 1931, Nënë Tereza shkoi në Kalkuta, ku atje punoi dhe mësoi për 17 vitet e ardhshme. Nënë Tereza u largua nga manastiri dhe filloi të ndihmonte të varfrit nëpër rrugët e Kalkutës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm gjuhën shqipe, pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare, përcjell shekulli.

Shkrimet e saj në gjuhën shqipe, janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip të popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel më 1979 dhe lutja në Shqip transmetuar nga “Zëri i Amerikës” më 17 qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, në gusht të viti 1989 Agnesa Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, do të realizonte deshirën e madhe, sikurse është shprehur para largimit: “Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim”. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shume krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë”.

Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Vetëm sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtepi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetime. Nënë Tereza vdiq më 12 shtator të vitit 1997 dhe prehet në selinë e urdhrit të misionarëve të bamirësisë në Kalkuta të Indisë.

Më 19 tetor 2003, Nënë Tereza u shpall e “lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfëritë e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi krejt jetën.

Papa Gjon Pali II që e adhuronte murgeshën shtatvogël shqiptare, e cila vdiq në shtator të 1997 në moshën 87 vjeçare, arriti deri në etapën e parafundit, Lumturimin e saj.

Tepelenë: sekuestrohen edhe 800 kg drogë, prapë kultivuesit nuk kapen

Një tjetër operacion antidrogë i koduar “Këndervica” është zhvilluar  nga në Tepelenë, ku janë asgjësuar 810 bimë narkotike, gjysmë të prera dhe gjysmë ende të kultivuara në një parcelë. Sipas burimeve zyrtare, pesha totale pas procesit të tharjes është rreth 800 kilogramë kanabis.

Ky aksion vjen në vijim të operacionit ku u sekuestruan 3.2 tonë drogë në vendin e quajtur  Llufë në malin e Kurveleshit, gjatë ditës së djeshme ka vijuar operacioni në malin e Këndervicës.

Droga u gjet në vendin e quajtur Cfakë, në këmben e malit Këndervicë.

Bimët e prera dhe të kultivuara janë asgjesuar në vend me anë të djegies. Një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po punohet për evidentimin dhe kapjen e autoreve.

Burrel: Mjekët i japin mjekimin e gabuar 12 vjeçares, familjarët bëjnë apel për ndihmë

BURREL – Në rrjetet sociale, është publikuar historia e një vajze 12­- vjeçare të quajtur Joranda nga Burreli. “Jeta osh qef”, sjell rrëfimin e një qytetari, i cili ka treguar kështu skandalin e radhës së mjekëve të papërgjegjshëm shqiptarë.

Ai tregon të dhënat lidhur me këtë skandal që i ka ndodhur kësaj vajze, dhe kërkon ndihmën e qytetarëve.

Historia e plote e publikuar ne rrjetet sociale
“Mirmbrema Jeta Osh Qef. Vajza ne foto quhet Joranda, eshte 12 vjeç dhe ndoshta e ndihmon dikush. U mjekua me antibiotike deri ne moshen 10 vjec dhe ajo kishte pas problem me zemren. E mori vesh nga analizat qe beri rastesisht ne Tirane se nuk i jepnin letrën doktorret e qytetit te Burrelit per vizite ne Tr vetem i jepnin nje pergjigje ka ftohje dhe e mbanin shtuar ne spital serume e gjilpera pa fund. Ne spitalin e Tr doli qe kishte nevoje per unaze ne zemer po familja ishte e keputur. Nderhyri kisha katolike e derguan me shoqata ne Itali e beri operacionin. Nderkohe atje i shperthen lloj lloj problemesh nga antibiotiket qe i kishin bere doktoret ne Burrel.

Mushkerite e prishura, muskuli zemres i dobet dhe veshkat me albumine. U kthye nga Italia shiten çdo gje qe paten ne shtepi dhe vajza kerkon akoma shpetim nga pakujdesia e doktorreve tane. Jam munduar te ta shpjegoj ne menyren se sdi me mire po ne spitalin e Burrelit ka qene shtruar 5­6 here ne vit. Ajo vuante nga zemra kto e mbanin per ftohje. Ju lutem na ndihmoni”.

Tiranë: Kapen 22 serbe, shqiptare e rumune, prostitucion në klube nate

Një valë operacionesh nëpër lokale nate janë kryer gjatë mbrëmjes së të premte duke gdhirë dita e shtunë në Tiranë, të cilat janë finalizuar me zbulimin e bazave të prostitucionit dhe prangosjen e pronarëve të këtyre klubeve.

Njëzet e dy vajza shqiptare, serbe dhe rumune janë shoqëruar nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se nën petkun e striptisteve në këto lokale, ushtronin edhe aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit, raporton “Shqiptarja”.

Kontrollet janë kryer nga njësia elitë “Shqiponja”, si dhe komisariatet numër 2 dhe 3, pas informacioneve për baza të mundshëm prostitucioni, prishje të rendit publik dhe persona me precedentë penalë.

Në disa nga lokalet policia gjeti edhe ambiente lojërash fati, tavolina “Teksas”, etj, të palicencuara.

Edi Rama dhe Kim Mehmeti – karrambol në promovimin e Xhungës

Gazetarja Rudina Xhunga ka promovuar dje në Kryeministri, në qendrën “COD”, librin e saj më të fundit “Edhe një shqip”, një botim ku ajo ka përmbledhur më të mirën e “Shqip në Top Channel”, emisionit që ideoi e drejtoi për 13 vjet. “31 intervista dhe debate historike, që sollën debatin ndryshe në Shqipëri. Personazhe ekskluzive që nisin me Kadarenë në Izrael dhe përfundojnë me Michel Houellebecq në Paris.

Një libër, që autorja ia dedikon publikut të një emisioni ku u angazhuan mendjet më përfaqësuese shqiptare dhe emrat me më tepër ndikim bashkëkohor”, siç shprehej Dritan Hila, bashkëshorti i saj.

Takimi i djeshëm në “COD”, më shumë sesa promovim ishte një aktivitet që ndërthuri performancë baleti, një projeksion filmi për Michel Houellebecq dhe pati në qendër një bashkëbisedim mbi komunikimin e Shqipërisë me botën, hapjen dhe format e dialogut e bashkëpunimit që transformojnë njëkohësisht imazhin tonë dhe mbarë botën shqiptare.

Të ftuar ishin përfaqësues të botës së medias, akademisë dhe artit. Në panel kryesor ishin shkrimtari Kim Mehmeti, Mimoza KusariLila, Pirro Misha. Takimi u moderua nga Rudina Xhunga, autore e librit “Edhe një Shqip” (UET Press), e cila solli një “tjetër emision”, këtë herë në Kryeministri, ku nuk mungoi as Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

rama-xhunga

Në takim, më shumë se për librin u fol për Shqipërinë dhe shqiptarët. Po botojmë më poshtë pjesë nga fjalët e mbajtura, batutat mes pjesëtarëve të panelit.

BATUTAT NE KRYEMINISTRI

Rudina Xhunga: Kërkova të promovoja librin këtu dhe më thanë, po, është e mundur, sepse ‘COD’ është një qendër për hapjen e bashkëbisedimin. “Edhe një shqip” është një libër që i kushtohet komunikimit, hapjes e intervistave me njerëz që vijnë nga botë afër dhe larg, Shqipëria, Tirana, Shkupi, Tetova, Gjakova, Europa e më gjerë.

Nga biseda me shkrimtarin Michel Houellebecq kujtoj se më pyeti, “ju keni harmoni fetare, pse nuk lulëzoni?”. Kur u futëm këto në bibliotekën e “COD”, ishte Rama që na caktoi vendet ku të uleshim. Unë e njoh Ramën kur isha 20 vjeç e punoja për gazetën “Aleanca”. Unë i shkoja nga pas dhe i thosha, zoti Rama, “zoti Rama, ç’do bëni për Shën Valentinin”, dhe nuk më ktheu përgjigje. Të nesërmen, shkoj prapë dhe vë syze që t’i dukesha gazetare serioze, të më merrte seriozisht. Sot nuk ka respekt për syzet, por dikur kishte shumë respekt, dhe ai më thotë “pse qenke bërë si Qemal Stafa?”.

Këto batuta s’më kanë penguar ta pyes në vazhdim, ai u bë ministër Kulture e më pas kryetar bashkie, e sot kryeministër, unë vazhdoj e pyes. Kam këtu kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari­Lilën. Kur mësova për atentatin që do i bënin, i shkrova dhe i thashë “mos u dorëzo”. Më bën përshtypje se si krimi ia del të gjejë gjuhën ndërsa elitat jo, në komunikim, në bashkëpunim e në zhvillim.

(Kusari Lila nga ana e saj e vuri theksin te roli i emisionit “Shqip” sa u takon shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ndërsa Pirro Misha foli për vlerat e librit, galerinë e personazheve. Xhunga rikthehet të hënën në ekran, duke sjellë emisionin “Dritare” në orën 21:00 në “Vizion Plus” pas shkëputjes nga “Top Channel”.)

Megjithatë nuk mungoi debati mes Edi Ramës dhe Kim Mehmetit. GSH ka zbardhur dialogun e mëposhtëm:

Edi Rama: Erdha si i ftuar se promovohet libri, por po shoh që nuk po promovohet asnjë libër, por shoh Rudinën që po na promovon ne të tjerët. Kimi po bën atë që bën gjithmonë, po promovon veten, Pirro Misha po mundohet të rrijë sa më larg çdo lloj promovimi dhe provokimi, ndërsa Moza është në mes e po mendon për gjëra që nuk i thotë… Nuk e urreva Kimin që foli gjatë, sepse nuk e di pse jam në këtë panel. Ose mund ta pranoj nëse më keni vënë siç viheshin shishet e Koka-Kolës mbi televizor. Nëse jam si orendi.

Kim Mehmeti: Jo, je këtu për promovimin.

Edi Rama: Jam i lumtur atëherë. Nuk doja të isha në qendër.

(Ndërhyn Kimi)

Edi Rama: Unë nuk e kuptoj pse po flet. Ankohesh këtu pse nuk botohet Anton Pashku. Këtu nuk ka ndonjë censurë. Ti, pse nuk e ke botuar Anton Pashkun, meqë paska kaq rëndësi, dhe këtu jam me ty, ke 25 vjet që qahesh, pse nuk e ke botuar? I thoshe Pirro Mishës. Kush do ta bëjë, qeveria? Do ngrihet vetë Antoni dhe të botohet?

kim-mehmeti

Kim Mehmeti: Maqedonia ka botuar dhjetëra libra të autorëve të saj. Qeveria shqiptare nuk ka botuar asgjë.

Edi Rama: Shumë mirë ka bërë qeveria shqiptare që nuk ka botuar. Ti e di sa i dua unë qeveritë shqiptare, po ka bërë shumë mirë që nuk i ka botuar. Sepse nuk mund të përcaktojnë qeveritë se cilët janë shkrimtarët që duhen botuar e kush jo. Kjo nuk është punë e qeverisë. Nëse qahesh për të ardhmen, gjysma e së keqes. Nëse qahesh për shqiptarët sot, po të them se nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se sot shqiptarët.

Kim Mehmeti: Nëse e krahason me kohën e Turqisë…

Edi Rama: Jo, e krahasoj me kohën tënde. Nuk kanë qenë më mirë shqiptarët. Nuk është e këndshme të hidhet gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës, por Kosova ka parlament, që nuk e kishte më parë. Ata që artikulonin se Kosova do jetë shtet, dukeshin të çmendur. Edhe nëse nuk e njohim njëri-tjetrin, normale, se nuk kemi qenë bashkë. Pyet gjermanët e lindjes çfarë thonë për të perëndimit, dhe anasjelltas. Edhe ata thonë s’janë si ne. Ne kemi shumë të meta, por nuk jemi origjinale në të meta, të meta kanë të gjithë.

Kim Mehmeti: Unë e di se për ju është kot çdo gjë që thonë të tjerët.

Edi Rama: Ah, e the edhe këtë.

Kim Mehmeti: Ne kemi 25 vite në një gjendje. Që të jesh politikan i mirë, duhet të bindësh popullin që të jetë i kënaqur me atë që ka. Unë nuk bëj krahasime me të keqen që kemi pasur, por me të mirën që mund të kemi.

Edi Rama: Bëj krahasime, por mos thuaj gjëra që nuk kanë kuptim. Duke qenë shkrimtar, që nuk ke gjëra të tjera në dorë, veçse të shkruash, e meqe e kë në dorë të shkruash, ke shansin të shohësh e të mendosh gjëra që një njeri si unë nuk ka mundësi t’i mendojë. Na thuaj çfarë duhet bërë ndryshe.

Kim Mehmeti: Ne duhet të kemi politikë kulturore mbarëshqiptare.

Edi Rama: Unë nuk kam ardhur si kryeministër këtu, mos më ndërprit se nuk më komplekson dot. Për herë të parë kemi një sistem arsimor të unifikuar me Kosovën, e kupton? E ke imagjinuar ndonjëherë? Kemi kalendar të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë. Çfarë do më shumë?

Rudina Xhunga: Unë nuk kam ëndrra të ngjashme me Edi Ramën.

Edi Rama: Pse nuk ke ëndërr të përbashkët me mua?

Rudina Xhunga: Unë kam ëndërr të rris fëmijën tim mirë në këtë vend, siç do ti të rrisësh fëmijën tënd mirë në këtë vend.

Edi Rama: Unë mirë që erdha këtu jo si kryeministër. Çfarë do nga unë

Kim Mehmeti: Unë dorëzohem.

Edi Rama: Do dorëzohesh patjetër, nuk ke ku shkon.

Guardian: Po rritet numri i fëmijëve shqiptarë që trafikohen

Gazeta britanike “The Guardian” shkruan në një artikull të saj se numri i fëmijëve shqiptarë që trafikohen në Britani për të punuar po njeh rritje të konsiderueshme, aq sa shumë shpejt do t’ua kalojë edhe vietnamezëve.

“The Guardian” citon një raport të përpiluar nga avokati Javed Khan, i cili drejton një organizatë dhe zyrë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Ai thotë për gazetën britanike se shumë fëmijë shqiptarë po trafikohen në Britani dhe shfrytëzohen për punë apo për aktivitete kriminale.

“Vitin e fundit ka patur një rritje të konsiderueshme të numrit të fëmijëve shqiptarë që trafikohen në Britani për qëllime ‘skllavërie’. Pjesa më e madhe e tyre futen të punojnë në ndërtim, ndërsa një pjesë tjetër përdoret nga bandat e drogës për trafik”, thotë ai.

Avokati Javed Khan
Avokati Javed Khan

Megjithatë, avokati thekson se rekrutimi i fëmijëve e ka zanafillën në Britani. Pra sipas tij, nuk ka një sistem trafiku nga Shqipëria në Britani.

“Ne besojmë se fëmijët, kryesisht adoleshentë, vijnë në Britani vullnetarisht dhe më pas aty rekrutohen për të punuar në të zezë apo nga bandat kriminale. Nuk ka një rrjet të organizuar që i dërgon fëmijët nga Shqipëria në Britani”, tregon ai më tej.

Sipas zyrës së tij, janë më shumë se 13 mijë fëmijë që përdoren për punë të ndryshme në Britani. Numrin më të madh e përbëjnë vietnamezët, dhe pas tyre vijnë shqiptarët.

Por megjithatë, këto janë vetëm shifra zyrtare, pasi Khan beson se numri mund të jetë edhe më i madh nga sa deklarohet.

Berisha e mund Ramën në Kuvend, fjalimet e tij sa koha e 10 ndeshjeve të futbollit

Energjik, i gatshëm të komentojë pas çdo deputeti, të flasë nga vendi apo edhe në foltore, të reagojë madje duke marrë dhe kohën e kolegëve të tij demokratë, ish-kryeministri Sali Berisha ka dominuar me fjalën e tij në foltoren e kuvendit. Në një sesion parlamentar ka folur plot 917 minuta në 73 diskutime që ka mbajtur duke ‘mundur’ dhe kreun e qeverisë, Edi Ramën i cili ka folur më pak se gjysmën e kohës së tij, 417 minuta. Berisha e ka shfrytëzuar në maksimum tolerimin e deklaruar publikisht nga kryeparlamentari Ilir Meta dhe të pranuar nga të gjithë deputetët, madje dhe kryeministri Rama, për t’i dhënë kohë të pakufizuar në foltoren e parlamentit.

 

Seancat plenare

Berisha zgjedh gjithmonë të vijë, ndërsa seanca plenare sapo ka filluar ose kanë kaluar vetëm diskutimet e para. Ndërsa hyn në sallë nuk harron asnjëherë të përshëndesë kolegët, e më pas me ipad-in e tij në dorë, si për të treguar se motoja “Shqipëria dixhitale’ është ende e rëndësishme për të, ulet në vendin e deputetit mes ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe ishministrit të Financave, Ridvan Bode. Me ipad-in përpara, por dhe dosjen me shkresa, demokrati Berisha është gati në çdo moment të reagojë. Shpesh nuk pret as që t’i japë fjalën kryesuesi i seancës, por nis të reagojë pa mikrofon. Ka një koment për çdo çështje e mundësisht një diskutim pas çdo deputeti. Nuk përton të çohet për të folur nga vendi e as për të shkuar në foltore ku edhe pse mund t’i jetë dhënë fjala për dy minuta replikë, kujtohet të mbarojë pasi kanë kaluar 20 apo edhe 40 të tilla. E ndërkohë që flet ka një përgjigje për çdo deputet që komenton fjalimin e tij apo i kërkon të mbarojë për t’i lënë dhe të tjerët të flasin. Kur seancën e drejton kryeparlamentari Meta e ka edhe më të sigurt tolerimin dhe vazhdon të flasë për minuta të tëra.

Paralajmërimi për të përfunduar fjalimin nuk bën punë thuajse asnjëherë. Të qenit në opozitë prej dy vitesh tashmë duket se i ka dhënë edhe më shumë energji për të folur në mënyrë të veçantë pas fjalës së kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë shpesh është distancuar nga reagimet duke zgjedhur mos komentojë pas çdo akuze të paraardhësit të tij, por kjo ka qenë e pamundur kur në foltore ngrihet Berisha. Me tonin e tij të lartë, duke drejtuar gishtin herë te njëri ministër herë te tjetri por gjithmonë duke fajësuar ‘bashkëkryetarin Rama’ apo ‘bashkëkryetarin Meta’, Berisha e bën të pamundur që mos ketë dhe reagim ndaj tij. Por ai ka një kundërpërgjigje për çdo gjë e çdokënd.

Në shumë raste madje duke kaluar dhe akuza e fyerje. E ndërsa kthen përgjigje për secilin ligjvënës kalon nga një çështje në tjetrën duke u detyruar që më pas t’u kthehet shkresave për të gjetur se ku e kishte lënë. Duke akuzuar njëherë njërin e njëherë tjetrin deputet të mazhorancës, ndërsa flet në foltore, drejtohet shpesh nga deputetët demokratë për të marrë mbështetjen e tyre. Edhe pse vetëm një deputet i thjeshtë i PDsë në sallën parlamentare, Berisha merr shumicën e kohës opozitare duke lënë shpesh pa folur edhe kreun e Grupit Parlamentar, Edi Palokën. Por 71-vjetori i lindjes të cilin e festoi pak ditë më parë, duket se ka nisur të peshojë disi mbi supe. Kjo e detyron që në orarin e drekës të tërhiqet për të pushuar, edhe pse pasditja rezervon sërish debatet shpesh të ashpra të tij në seancën plenare të së enjtes.

Duke ndjekur këtë ritëm Berisha ka folur plot 73 herë nga 518 diskutime që ka mbajtur opozita në sesionin e kaluar parlamentar, nga janari në korrik të këtij viti. Në muajin janar edhe pse ka pasur vetëm 2 seanca plenare, ish-kreu i qeverisë nuk është kursyer të diskutojë 7 herë përballë vetëm 3 diskutimeve të kryeministrit Rama. Ndërkohë që ka folur pothuajse 3-fishin e kohës së kryeministrit Rama, në 4 seancat plenare të muajit shkurt duke marrë fjalën 17 herë kundrejt vetëm dy diskutimeve të Ramës. Muaji korrik me 6 seanca ka shënuar dhe kohën më të gjatë të minutave në dispozicion të ish-kryeministrit. Edhe pse vetëm 8 diskutime ai ka folur plot 295 minuta, afërsisht 37 minuta për çdo herë që është ngritur në foltoren e parlamentit.

Bashkë në foltoren e Parlamentit

SRdSdYBl

Seancat plenare nuk kanë kursyer shpesh as situatat komike. Me e veçanta ishte ajo e 8 tetorit 2015 kur u bënë bashkë në foltore kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Rama edhe pse ishte ngritur për të mbajtur fjalën e tij, nuk e kurseu ftesën për t’i lënë foltoren paraardhësit që po kompentonte nga vendi për skandalin e CEZ-it. Deputeti demokrat e mirëpriti këtë ftesë ndërsa kryeministri zgjodhi të qëndronte përkrah tij.

Por kur Berisha lexonte akuzat kundër qeverisë, Rama duke ndjekur fjalimin e tij, u tregua i vëmendshëm që përmes batutave t’i tregonte se po shtonte përtej fjalës që kishte shkruar në letër. “Kthehu këtu, se nuk është këtu ajo që thua”, iu drejtua ai Berishës çka shkaktoi të qeshura dhe ilaritet në sallë.

Berisha mes të qeshurave ftoi një nga deputetët për të vërtetuar se ai po lexonte atë çka kishte shk4ruar. “S’ka gjë kështu e ka ky”, e mbylli ai batutën për të vijuar me akuzat. “Ky zotëria që rri këtu në këmbë, i cili në kulisa me Stefan Fylen e të tjerë ishte zotuar se do shkelmonte çdo interes publik”, tha Berisha. Por Rama iu përgjigj me një batutë: “Dihet botërisht se vetëm Doris Pak është e virgjër, Stefan Fyle e të tjerë janë të implikuar”. Berisha e ka përfunduar fjalimin e tij mes batutash me njëri-tjetrin, ndërsa për ta përcjellë kryeministri Rama i ka “rënë” supeve.

Diskutimet

Sesioni i IV-të i legjislaturës së VIII të Kuvendit të Shqipërisë

Kryeministri Rama në total gjatë sesionit të kaluar parlamentar ka diskutuar 19 herë në 417 minuta.

Sali Berisha gjatë sesionit të kaluar parlamentar ka diskutuar 73 herë në 917 minuta.

Në total mazhoranca ka pasur 461 diskutime në 4354 minuta.

Në total opozita ka pasur 518 diskutime ne 5317 minuta.

Në total seancat plenare të këtij sesioni kanë pasur 979 diskutime në 9671’.

Seancat plenare kane zgjatur gjithsej 228 orë e 25 minuta.

Sesioni i V-të i legjislaturës së VIII të Kuvendit të Shqipërisë

1.Muaji shtator, janë zhvilluar 4 seanca, 34 orë e 45’

Totali 73 diskutime – 1.379’

Mazhoranca në total 37 diskutime – 588’

Opozita në total 36 diskutime – 791’

Edi Rama 3 diskutime – 70’

Sali Berisha 5 diskutime – 96’

PS 32 diskutime – 554’; LSI 4 diskutime – 24’; PR 1 diskutim – 8’; PD 35 diskutime – 783’ dhe PDIU 1 diskutim – 10’

Koha e diskutimeve në 31 seanca plenare

Sesioni i IV-të i legjislaturës së VIII të Kuvendit të Shqipërisë

1.Muaji janar, janë zhvilluar 2 seanca 21 orë e 15’

Totali 54 diskutime – 573’

Mazhoranca 25 diskutime – 288’

Opozita 29 diskutime – 285’

Edi Rama 3 diskutime – 58’

Sali Berisha 7 diskutime – 60’
2.Muaji shkurt, janë zhvilluar 4 seanca 38 orë e 45’
Totali 214 diskutime – 1863’

Mazhoranca 98 diskutime – 834’

Opozita 116 diskutime – 1029’

Edi Rama 2 diskutime – 62’

Sali Berisha 17 diskutime – 167’

3.Muaji mars, janë zhvilluar 4 seanca 7 orë e 30’

Totali 55 diskutime – 279’

Mazhoranca 16 diskutime – 131’

Opozita 39 diskutime – 148’

Edi Rama 2 diskutime – 42’

Sali Berisha 19 diskutime – 68’

4.Muaji prill, janë zhvilluar 5 seanca, 45 orë e 15’

Totali 209 diskutime – 2129’

Mazhoranca 95 diskutime – 945’

Opozita 114 diskutime – 1184’

Edi Rama 6 diskutime – 102’

Sali Berisha 10 diskutime – 147’

5.Muaji maj, janë zhvilluar 4 seanca, 30 orë e 25’

Totali 149 diskutime – 1599’

Mazhoranca 73 diskutime – 725’

Opozita 76 diskutime – 874’

Edi Rama 2 diskutime – 42’

Sali Berisha 9 diskutime – 132’

6.Muaji qershor, janë zhvilluar 2 seanca, 14 orë e 30’

Totali 72 diskutime – 70’

Mazhoranca 34 diskutime – 265’

Opozita 38 diskutime – 436 ’

Edi Rama 2 diskutime – 31’

Sali Berisha 3 diskutime – 48’

7.Muaji korrik, janë zhvilluar 6 seanca 71 orë e 25’

Totali 226 diskutime – 2527’

Mazhoranca 120 diskutime – 1166’

Opozita 106 diskutime – 1361’

Edi Rama 2 diskutime – 80’

Sali Berisha 8 diskutime – 295’ /Shekulli/

Dekriminalizimi – Qeveria pranon kërkesën e opozitës për shenjat e gishtërinjve

Kreu i Komisionit për Dekriminalizimin Oerd Bylykbashi bëri me dije se qeveria ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për shenjat e gishtërinjve, e cila pengon të kandidojnë për poste publike personat që kanë kryer krim apo që kanë ndërruar identitet.

Sipas Bylykbashit ende nuk ka dakordësi për ata persona që janë në hetim jashtë vendit dhe as për testin e drogës. Për këtë të fundit,  kreu i Komisionit për Dekriminalizimin thotë se i duhet lënë negociatave mes palëve.

Flasin ekspertët: Fuçitë e gjetura në laboratorin e Xibrakës janë me kokainë

TIRANE – Fuçitë dhe solucionet e ndryshme, të gjetura dhe sekuestruara në magazinat e Xibrakës, të përshtatura në laborator droge, kanë brenda tyre përmbajtje kokaine. Kjo është përgjigjia e ekspertëve të Laboratorit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme, të cilat kanë dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përgjigjet e analizave të kryera.

Sipas ekspertëve, në magazinat e Xibrakës janë sekuestruar rreth 60 fuçi 200-litërshe, të mbushur me solucion të ndryshëm, ku në brendësi të rreth 20 fuçive janë konstatuar përmbajtje të lartë kokaine.

Ekspertët thonë se përmbajtje kokaine janë gjetur edhe në enët e tjera me solucione të ndryshme që janë sekuestruar në këtë magazinë të përshtatur si laborator të përpunimit të drogës. Sipas ekspertëve, solucioni i gjetur brenda këtyre fuçive dhe enëve kalonte në një proces kimike, përmes ndërhyrjes së prekursorëve dhe substancave të tjera kimike që të nxirret përmbajtja e kokainës.

Këtë procedurë, sipas hetuesve, e kryenin dy kolumbianët tashmë të arrestuar Walter Moreno dhe Cesar Avila.

Burimet thonë se në raport, ekspertët kanë nënvizuar se nuk mund të përcaktohet sa është sasia e kokainës në këto 20 fuçi apo enët të tjera. Por ata kanë theksuar se solucioni që ndodhet brenda këtyre enëve tregon se ka përqindje të lartë të kokainës, që mund të kapë shifrën e miliona eurove pas përpunimit dhe nxjerrjes së ekstraktit të drogës.

ABCNews ka mësuar se Prokuroria e Policia e Shtetit ende nuk kanë arritur të provojnë se kur dhe nga kanë hyrë në Shqipëri këto fuçi e enë të ndryshme të mbushur me solucion që kanë përmbajtje të theksuar kokaine. Burimet thonë se doganat shqiptare nuk kanë të evidentuar në asnjë pikë të kalimit kufitar hyrjen e këtyre fuqive, çka lind dyshimet se ata mund të kenë hyrë kontrabandë nga rrjeti i ngritur për përpunimin dhe trafikimin e kokainës.

Nga ana tjetër, burimet zyrtare i thanë ABCNews se ekspertët nuk kanë gjetur mbetje të kokainës në thasët e ardhur nga Bolivia me mbishkrimin e plehut kimik apo rrobat e sende të tjera të gjetur në laboratorin e Xibrakë.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda është në pritje edhe të përgjigjeve të autoriteteve të drejtësisë gjermane, të cilët kanë marrë mostra të solucioneve të gjetura në laborator për ekzaminim.

Hetuesit thonë se pala gjermane, për llogari të hetimeve të tyre, kanë marrë mostrat për ekzaminim, por nga prokuroria shqiptare i është kërkuar t’i vënë në dispozicion prova të tjera të mundshme që kanë dhe përgjigjet e këtyre ekzaminimeve.

Por edhe pse është nisur letër-porosia drejt Gjermanisë, ende nuk ka një përgjigje nga autoritet përkatëse, të cilët ishin ata që sollën informacionin paraprak për ngritjen e një laboratori droge në Shqipëri e ku në fillim të janarit u arrestuan 9 persona. (ABCNews)

Operacioni policor: Kapen 3.2 tonë drogë në stanet e Kurveleshit (Fotoreportazh dhe video)

Policia e Gjirokastrës ka vazhduar operacionin e koduar ‘Llufa’ dhe ka sekuestruar sërish një ngarkesë të madhe lëndësh narkotike prej 3.2 tonë kanabis sativa.

Policia bën me dije se një pjesë e drogës, 1 ton ishte në formën e boçes në procesin e tharjes në një stan në malin e Kurveleshit kurse pjesa tjetër prej 2.2 tonë kanabis ishte kultivuar në katër parcela.

Bimët narkotike të kultivuara u asgjësuan me djegie nga policia kurse një pjesë u mor si provë materiale. Sërish kultivuesit e drogës mundën që të arratiseshin dhe të largoheshin në drejtim të malit, njësoj si edhe në operacionin e paradites.

Policia e Gjirokastrës thotë se ka identifikuar 4 të rinj si posedues të lëndës narkotike, por nuk ka bërë të ditur identitetin e tyre për arsye hetimi. Uniformat blu kanë nisur punën për kapjen e autorëve. Mesditën e sotme u nisën në drejtim të Gjirokastrës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako dhe nëndrejtori Ardian Çipa.

 

Njoftimi i Policisë

Gjirokaster.
Super operacion antidroge.

Operacion i koduar “Llufa”.

Operacioni nga Sektori Kunder Narkotikeve ne DPQGJ.

Sekuestrohen  3.2  tone lende e bime narkotike Canabis Sativa.

1 tone lende narkotike shumica ne forme boçe ne proces tharje ne ne nje stan dhe tende ne vendin e quajtur  Llufe ne malin e  Kurveleshit.

Pjesa tjeter e droges e prere dhe e pa prere e kultivuar ne kater parcela.

Kultivuesit nuk kane mundur dot ta presin te tere  bimen narkotike te kultivuar.

2.2 tone bime narkotike canabis sativa e kultivuar  ne kater parcela.

Lenda narkotike e thate ,ajo ne proçes tharje dhe ajo e kultivuar , pas kryerjes se veprimeve me grup hetimor u asgjesua ne vend me ane te djegies.

Nje pjese nga secila u mor ne silesine e proves materiale.

Poseduesit e droges kane mundur te largohen ne mal por jane te identifikuar nga ana jone, 4 te rinj nga qarku Gjirokaster.

Po vijon puna per kapjen e tyre.

Kanabis-kurvelesh-3Kanabis-kurvelesh-11

Laboratori me 700 kg kanabis, ja emrat e të arrestuarve, mes tyre edhe biznesmenë

Policia e Durrësit zbardh detaje nga operacioni antidrogë që sekuestroi 700 kg lëndë narkotike kanabis sativa dhe vuri në pranga 7 persona. Sipas policisë, mes të arrestuarve janë edhe biznesmenë.

 

Te arrestuarit • Iqmet Pashollari 61 vjeç, banues në Durrës;
• Bejto Kotaj  53  vjeç, banues në Shkodër;
• Ajet Sulaj 40 vjeç, banues në Tiranë;
• Festim Xhelilaj 39 vjeç, banues në Tiranë;
• Pajtim Braçaj 52 vjeç, banues në Tiranë;
• Qerim Xeka  47 vjeç, banues në Krujë•
Lutfi Xeka  25 vjeç, banues në Krujë.Policia njofton se nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Valter Pashollari 34 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim u gjetën dhe sekuestruan 700 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Po në banesën e këtij shtetasi u gjet një peshore elektronike, një makineri vakumi që shërbente për presimin e lëndës narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 automjete dhe 15 aparate celularë të markave të ndryshme.

“Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit K.X. 17 vjeç, banues në Krujë’- njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së  Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve e kryer në bashkëpunim” dhe”Grupi strukturuar kriminal”.

Burime nga hetimet bëjnë me dije se për këtë operacion hetimet kanë nisur më 25 shtator nga Krimet e Rënda. Trafikantët e blinin canabisin në Jug te vendit, në Shkodër, Krujë, etj. “Ata e përpunonin aty dhe pergatisnin atë për jashtë”- thonë burimet.

Banesa ku u zbulua laboratori i droges
Banesa ku u zbulua laboratori i droges

droga

Sipas hetimeve, laboratori shërbente për përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike Cannabis Sattiva. L.Musaj

droga2“Deri më tani si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:• rreth 700 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva. Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, ndërkohë që priten arrestime të tjera”- njofton policia.

droga1

‘Koordinata” zbulon laborator droge në Durrës, kapen 7 ‘laborantë’ me armë dhe 700 kg kanabis

Policia e Durrësit ka zbuluar sot një laborator për përpunimin dhe paketimin e marihuanës dhe ka vënë në pranga 7 persona. Në laborator janë zbuluar armë dhe 700 kg kanabis, që prisnin të bëheshin gati për në treg.

Policia është ende në vazhdim të operacionit, që e ka emërtuar “Koordinata” dhe ka njoftuar se priten të bëhen edhe arrestime të tjera.

NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE SE QARKUT DURRES

Efektivat e Seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër dhe Tiranë  po vijojnë punën për finalizimin me sukses të operacionit të koduar ”Koordinata” ku kanë zbuluar një laborator që shërbente për përpunimuin dhe paketimin e lëndës narkotike Cannabis Sattiva.

Deri më tani si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 700 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Gjithashtu, Janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas,ndërkohë që priten arrestime të tjera.

Operacioni vijon.

Hapja e dosjeve, Raunig paralajmëron: Informacioni që do të publikohet ka natyrë delikate

 Voal – Kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Florian Raunig ka paralajmëruar sot qytetarët shqiptarë se me hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit,  “mundësia që plagët që nuk janë shëruar, të gjakosen sërish sapo të hapen, mund të përbëjë rrezik të madh.”

Ndaj, tha ai, e gjithë shoqëria duhet të kuptojë rëndësinë e procesit dhe të promovojë, pajtimin, pasi “informacioni që do të publikohet do të ketë natyrë delikate”.

Raunig foli në një seminar me mediat për trajtimin e së kaluarës së Shqipërisë.

Ja deklarata e plotë:

“Shqipëria, si shumë vende në Evropë, ka pasur një qeveri totalitare gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX. Ai regjim denigroi popullin shqiptar për dekada të tëra dhe kreu shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Krahasuar me shoqëri të tjera që kanë vuajtur nën diktaturë dhe sisteme totalitare, Shqipëria duket se mbetet ende në një nivel thuajse fillestar të trajtimit të së kaluarës së saj. Nuk ka pasur raportim sistematik apo diskutime publike në media mbi të kaluarën komuniste, gjë që një vëzhguesi të jashtëm i lë përshtypjen se shoqëria shqiptare ka parapëlqyer ta harrojë këtë “ankth gjysmëshekullor, thënë me fjalët e Amik Kasoruhos.

Ndër arsyet e kuptueshme mund të jetë që kjo e kaluar mund të ketë qenë shumë e tmerrshme, përvoja mund të ketë qenë shumë tronditëse dhe kalimi në luftën e përditshme për mbijetesë në lirinë e sapofituar mund të ketë qenë shumë i vrazhdë. Gjithashtu, mundësia që plagët që nuk janë shëruar të gjakosen sërish sapo të hapen, mund të përbëjë rrezik të madh.

Edhe pse nuk është kurrë e lehtë të flasim për një të kaluar të dhimbshme, shoqëria ka nevojë të dëgjojë historitë e të mbijetuarve dhe të kuptojë përmasat e shkeljeve të bëra gjatë regjimit të kaluar. Hapja e dialogut për të kaluarën është e rëndësishme për të siguruar të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Kjo është çështje shoqërore dhe thellësisht personale për të gjithë shqiptarët. Si institucionet shtetërore, ashtu edhe qytetarët, duhet të luajnë rol aktiv në trajtimin e së kaluarës.

Kjo është arsyeja se pse nisëm një projekt të posaçëm, të financuar nga qeveria gjermane, për të mbështetur një dialog kombëtar për shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë ish-regjimit komunist në Shqipëri. Media ka një rol të veçantë për të luajtur në këtë proces dialogu dhe pajtimi. Seminari i sotëm është një mundësi për të reflektuar lidhur me atë rol dhe për të marrë në konsideratë kapacitetin tonë, individual dhe kolektiv, për t’u ndërmendur ndaj të kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Një pjesë e mirë e informacionit, që më në fund do të bëhet publik si rezultat i hapjes së dosjeve të ish-shërbimit sekret, pas vendimit të parlamentit të Shqipërisë, do të ketë natyrë delikate. Ju inkurajoj të bisedoni për mënyrën se si ky informacion mund të trajtohet për të promovuar të kuptuarit dhe pajtimin, në vend të shkeljeve dhe mospajtimeve të mëtejshme.

Por ju takon juve që të diskutoni, të raportoni dhe të siguroheni që brezat e rinj do të kuptojnë plotësisht historinë e tyre. Gjithashtu, media është përgjegjëse për raportimin e duhur, të balancuar dhe të paanshëm mbi të kaluarën; ajo është përgjegjëse që e kaluara të kuptohet gjerësisht, duke garantuar një të ardhme demokratike.”

 


Rama-Dules: Ti dhe vëllezërit e tu me kombësi greke nuk jeni pronarë të ortodoksisë në Shqipëri

Vangjel Dule thërriti në interpelancë kryeministrin Edi Rama për prishjen e kishës në Dhërmi, duke thënë se nuk do e besonte kurrë se në nje vend me harmoni fetare si Shqipëria, mund të ndodhte diçka e tillë.

Nuk e kuptoj sesi në vendin tonë mund të shembet një objekt fetar. Nuk e besoja se do të vinte një moment i tillë. Dua të di bazën ligjore për prishjen e kishës”, tha Dule.

Kreu i qeverisë theksoi se interpelanca është thirrur Keni thirrur gabim, pasi çështja e ngritur nuk ka të bëjë me detyrat e tij. Gjithsesi, Rama dha shpjegimin e kërkuar.

Ngrehina e rrëzuar, për të cilën ju dhe shumë të tjerë bëtë kaq shumë potere, nuk është kisha martire e Shën Thanasit, dhe nuk ka qenë kurrë kishë.

Kanonet kishtare na mësojnë se jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë.

Ajo ngrehinë nuk ka qenë ndonjëherë e shuguruar konform rregullave nga Autoriteti Kishtar. Objekti i interpelancës është nul pasi Inspektorati Ndërtimor nuk ka shembur kishë. Ajo ishte ngrehinë, garazh apo stallë pa leje, e ndërtuar nga brutaliteti individual i viteve ’90”.

S’e kam kuptuar asnjëherë se si ju dhe vëllezërit tuaj me kombësi greke ndiheni pronarë të ortodoksisë në Shqipëri.

Dua t’ju kujtoj se ortodoksët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë dhe nuk do të jenë kurrë grekë dhe liritë e tyre nuk janë në asnjë juridiksion tjetër përveçse në atë të republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama.

“Pjesa dërrmuese e banorëve ka qenë dakord me prishjen e objektit”, shtoi kryeministri.

Futja e Fjalorit të Gjuhës Shqipe në burg Nga Visar Zhiti

Futja e Fjalorit të Gjuhës Shqipe në burg/
Nga porta e parë/
e kaluan në të dytën/
nëpër një udhë mbuluar me tela gjembash/
si kujtesa e krimit./
Në portën e tretë kishte vetëm kthetra. Dhe e shfletuan/
se mos qe fshehur brenda ndonjë copë shprese a ngushëllim/
që ta mbysnin./
Kontrolluan në kish fjalë të vizuara për t’u gjetur qëllimin/
dhe t’ia hiqnin. Se vizimet janë nerva, damarë të gjakut./
Në portën e katërt e kontrolluan sërish/
Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe/
sa një arkivol foshnje. Dhe…/
nuk e di në cilën portë u vendos që t’ia jepnin të burgosurit
librin. Ia kishin blerë prindërit duke i sjellë ushqime
më pak. Buka
të zëvendesohet me fjalë!? Ca mish me foljet,
mbiemrat me ëmbëlsirat?
Pasthirma do apo cigare apo kuptimet e dyta, prejardhjen,
përdorimet, humbja, gjyqi, pse the kështu,
ç’deshe të thoshe, agjitacion
dhe propagandë kundër shtetit, dënohet fjala dhe
erdhi Fjalori i Gjuhës Shqipe në burg
ballëpërballë me Kodin Penal.
U tronditëm. Na kish marrë malli.
Iu mblodhëm rreth e rrotull si gurit filozofal.
Kërkuam… (Ne kemi mësuar të lexojmë në ah-betare psherëtimash!)
Fëshfërinin fletët e librit si fustanet e shtojzovalleve.
A e di ti
që shtojzovalle vjen nga urimi: shtona Zot vallet? Dhe
kushtrimi ka kuptimin: Kush është trim! Ne
guxojmë
të themi: që kemi frikë në ferr,
vdesim në duart e një tjetri
që jemi po vetë. Na rrahin të vdekur, thyhen
brinjët e verbit të fatit, nxihen si vendet e plagëve,
fjalë të zeza të gjuhës shqipe, të huazuara
…diktaturë…spiun…parti…
shtohen britmat, i bërtasin të burgosurit që
s’bën dot normën nën dhé te të vdekurit, atij që përkëdhel
kalin si perëndimin atëror të diellit,
që lexon në rrjesht oroskopin e syve.
Dhe e çojmë dorë më dorë, ç’kërkojmë
të gjejmë aty, ngrohtësinë e rrënjëve, limfën fjalëformuese
kuptimet e shumta si gjethnajë habije?
Fjalorin dikush e mbështjell me batanije të lashtë
si me kohën
apo mjegullat e pushtimeve barbare,
mbushen fletët
me njollat e gishtave, bëhet pis semantika si të ishte sharje.
Shpërthejnë ato si plumbat
mbi të burgosurin
që donte të arratisej
përpëlitet kumti i përgjakur dhe e përpin toka.
Dhëmbë të thyer, parashtesa, prapashtesa të flakura. Na i
dogjën fjalët në Çameri bashkë me vatrat,
mbush grushtet me hi amanetesh
dhe i shpërndaj nëpër varre.
Në i këputen fjalitë më dysh, gjysma tjetër
është matanë telave me gjemba, në Kosovë dhe unë flas jerm,
me lidhësa të vdekura, s’kuptohem, nyjet të helmuara.
I masakruan fjalët
si një tren lufte
që çan një kope të bardhë delesh
dhe ikën trembja e tyre, ikën…
(Nën ullinjtë arbëreshë
pushojnë tufat me kangjele të trishta.)
E mbajmë Fjalorin me duart e zemrës
si shpresën,
aq sa duam ta hamë për ta bërë palcë të eshtrave tonë
të lodhur
për të mos mbetur të paqenë.
Ti, gjuha jonë,
që shpjegon fjalë dhe emra Perëndish,
lutju Atyre të zbutet ndëshkimi
të bashkohen fjalët tona
si buzët kur puthen. Fjalët janë njerëz
dhe gjuha popull: të gjallët
dhe qytetet e vdekura, netët e kështjellave,
udhët nëpër trupin e jetës nën yjet e dëshirave,
ata që s’kanë lindur akoma,
i presim të vijnë bashkë me agimet –
që belbëzojnë si foshnjat dhe agimet fjalët e ditës së parë
të krijimit të botës.

Të rinjtë protestë para Parlamentit në Tiranë: Hajdutëve të CEZ t’u vihen zinxhirët në qafë

Disa të rinj protestuan para Parlamentit kundër korrupsionit dhe aferës së CEZ ndërkohë që zhvillohej seanca plenare e së enjtes. Të rinjtë kishin lidhur duart me zinxhirë në shenjë simbolike, që sipas tyre zinxhirët duhet të jenë për politikanët.

“Çdo të enjte do të jemi këtu për të protestuar për vendimet antikombëtare të këtij parlamenti. Zinxhirët që kemi sot në duar duhet të ishin në qafën e hajdutëve të CEZ dhe të Bankës Qëndrore”, thanë protestuesit.

Ata kërkuan drejtësi për skandalin e CEZ-it dhe shprehën indinjatën për qytetarët e thjeshtë që burgosen për mospagesën e energjisë elektrike.

“Jemi të indinjuar nga korrupsioni që prodhon klasa politike. Burgu është termi që liderët politikë kanë përdorur për qytetarët që nuk paguajnë dot një faturë. Jemi këtu të kërkojmë burgun për abuzuesit me aferën korruptive të CEZ”, deklaruan të rinjtë.

Protestuesit thanë se Parlamenti shqiptar është kthyer në një sallë pa integritet dhe nuk lanë pa përmendur as pazaret që bëhen me gjyqtarët.

“Ky Parlament na turpëron, nuk ka besueshmëri, nuk ka integritet dhe nuk meriton të paguhet me taksat tona. Gjykatat janë kthyer në pazar. Ne qytetarët do t’i shfuqizojmë partitë politike. Nëse nuk ka drejtësi, drejtësia jemi ne”, ishte thirrja e të rinjve protestues për klasën politike shqiptare.

15-10-2015 23-11-54

Fondi Botëror i Monumenteve: Edhe Burgu i Spaçit rrezikon të shkatërrohet

Fondi Botëror i Monumenteve, e ka rënditur Burgun e Spaçit mes 50 objekteve të cilat rrezikojnë të shkatërrohen.

FBM ka bërë apel që të merren sa më parë masat për mbrojtjen e këtij objekti, i cili është një vend modern i përkujtimit.

Sipas FBM-së, Burgu i Spaçit është drejt shkatërrimit, prandaj qeveria duhet të marrë menjëherë masa për rikonstruksionin e tij.

Burgu i Spaçit njihet si një nga burgjet më mizore të diktaturës komuniste, ku kanë vuajtur dënimin politik shumë intelektualë shqiptarë. Prej vitesh ai është shpallur si një monument i rëndësisë së veçantë dhe mbrohet me ligj, por asnjë qeveri nuk ka vënë dorë për mbrojtjen e tij.

Prokurori që heton Bashën, heton Gjiknurin

Prokurori i cili ka hetuar ish-ministrin e Transportit, Lulzim Basha, aktualisht kreu i PD-së, për Rrugën e Kombit, do të hetoj edhe kallëzimin penal të KLSH-së, ndaj ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri.

Burime nga institucioni i akuzës, bëjnë të ditur se, prej të hënës ky kallëzim është regjistruar dhe aktualisht po kryhen verifikime nëse ka apo jo element të veprës penale.

Të njëjta burime, shtojnë se kjo dosje është në duart e prokurorit Arben Kraja, i cili ka hetuar edhe ish-ministrin Lulzim Basha.

Debati pa mikrofon, Rama-Topallit: Kur s’ke Saliun më ke mua, mos më prit 8 orë po hajde

Gjatë gjithë seancës së sotme parlamentare, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka kërkuar  që në sallë të vijë kryeministri Edi Rama dhe të japë shpjegim për katër çështje të rëndësishme që ka ngritur me shqetësim Topalli. Dhe kur në sallë mbërriti Rama, shpërthyen debatet mes tyre.

Ja çfarë u tha mes tyre me mikrofona të fikur.

 

Rama: Ulu, ulu se nuk të jap përgjigje ty, se nervozohesh. Nuk është për procedurë kjo. Më thirr se vij direkt. Mos më prit 8 orë, kur ke nevojë për mua. Kur nuk ke Saliun më ke mua.

Idrizi: Të dy po flisni jashtë rregullores.

Topalli: Mua smë duhesh për kurr gjë…

Rama: Të kam thënë 100 herë hajde

Topalli: Për të qesh ishte kjo…

Rama: Kush të tha që du me të bo me qesh…

Topalli: Ti nuk bën as me qesh…

Rama: Hajde se e sqarojmë andej…

Replika e Topallit me Leskajn në seancë kur kërkonte kryeministrin në sallë:

Topalli: Protestuesit janë shoqëruar në komisarit, e kuptoni se ku ka shkuar represioni shtetëror? Njerëzit të mos guxojnë të protestojnë në mënyrë paqësore? Mendoni se mund të vazhdojmë me këtë seancë plenare sikur s’ka ndodhur asgjë? Kërkoni që kryeministri të vijë këtu. Mandati i një deputeti nuk është depozituar dhe ju nuk flisni. Kam katër çështje të rëndësishme, thirr kryeministrin që erdhi 2 minuta.

Leskaj: Ministri i Brendshëm ishte këtu ka dalë të pijë ujë, po ta them

Topalli: Eee, zonjë je nënkryetare, pse keni gënjyer shqiptarët që deputeti juaj i mazhorancës ka dhënë dorëheqjen kur ai nuk ka depozituar dorëheqjen?

Leskaj: E ka parashikuar rregullorja dhe do ju japim një seancë pyetjesh edhe po të duash edhe të gjithë ditën e mërkurë sic është rregullorja besoj se këtë e dini.

***

Sërish Topalli: Zonja kryesuese e seancës, deputeti i mazhorancës a ka depozituar dorëheqjen nga mandati i tij sic është bërë e njohur? Unë kërkoj përgjigje nga kryeministri, kryetari i parlamentit, meqë ata ikin, kërkoj nga ju përgjigje si kryetare e parlamentit. Po apo jo?

Dritan Prifti: Tre ekspertë të FBI-së në Tiranë për aferën CEZ-DIA, Braho ekspert për montazh akuzash

Prifti: Meta, Braho dhe banda tyre e kanë vendin në burg

 

Pas botimit të letrës së plotë të Spartak Brahos që akuzonte Tom Doshin dhe Dritan Priftin për një skenar destabilizimi të vendit, duke akuzuar Ilir Metën, ka ardhur edhe reagimi i parë.

Ish-deputeti Dritan Prifti, njërit prej emrave të përmendur nga deputeti i LSI-së, në një reagim për SYRI.net, Prifti thotë se “Spartak Braho është ekspert për montim akuzash”.

Në këtë reagim, Prifti zbulon edhe faktin se në Tiranë për të hetuar çështjen CEZ-DIA dhe disa çështje të tjera, kanë ardhur nga SHBA-ja 3 ekspertë të FBI-së.

“Letra e Spartak Brahos është një rast i pastër i shpërdorimit të detyrës dhe pushtetit. Bëhet për presion e shantazh ndaj drejtësisë që mos të guxojë të hetojë korrupsionin e Metës. Braho është ekspert për montazhe akuzash dhe skenarë destabilizimi. Dita e të vërtetës po afron shpejt. Meta, Braho dhe banda tyre e kanë vendin në burg për abuzimet me miliarda lekë me paratë publike”, tha Prifti për SYRI.net.

Më pas ai tregon se “tre ekspertë të FBI-së kanë ardhur në Tiranë dhe besoj do ndihmojnë në hetimin e akuzave të mëdha që janë bërë. Nëse Braho dhe të tjerët kanë kumbarë dhe kontrollohet me para, ekspertët e huaj kanë ligjin dhe të vërtetën si busull të tyre. Sot unë jam më optimist se dje që gjërat do hetohen dhe zbardhen”.

Sot kryeministri Rama interpelancë për kishën e Shën Thanasit

Kuvendi do të zhvillojë sot seancën plenare, ku pritet të diskutohen një sërë temash të rendit të ditës.
Kryeministri Edi Rama është thirrur sot në një interpelancë, me kërkesë të deputetit dhe kryetarit të PBDNJ Vangjel Dule, lidhur me prishjen e kishës së Dhërmiut nga forcat e IKMT.
Kërkesa për interpelancë është depozituar në Kuvend më 18 shtator nga Dule dhe është shtyrë në kohë për shkak të angazhimeve të kryeministrit.
Ndërkohë, Dule ka kërkuar shpjegime nga kreu i qeverisë në lidhje me bazën kushtetuese dhe ligjore të aktit të shembjes së kishës Ortodokse të Shën Thanasit në Dhërmi.
Ndërsa, ditën e sotme do të jetë një seancë e ngjeshur, pasi përfshin dhe axhendën e mbartur të seancës paraardhëse, e cila u shty për shkak të ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Protestë me mollë para Kuvendit, fermerët e Korçës e të Devollit i shpërndan me forcë policia

Fermerët e Korçës dhe të Devollit po zhvillojnë ditën e sotme një protestë para Kuvendit të Shqipërisë. Ata janë ankuar se qeveria nuk u krijon mundësi për një treg shitje për prodhimet e tyre.
Protestuesit janë vendosur para Kuvendit me një makinë, duke shpërndarë mollë për deputetët në shenjë proteste.
Ndërkohë, në mbështetje të tyre janë edhe deputetët e Partisë Demokratike. Ndërsa, kanë ndërhyrë forcat e policisë për të normalizuar situatën, duke larguar mjetin me mollë të vendosur në hyrje të Kuvendit.

Letra e plotë e Brahos: Doshi, Prifti, Rama dhe Basha – komplot kundër Metës

Rreth dy javë pas publikimit të lajmit se kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, i dërgoi një letër krerëve të shtetit ku pretendonte për një skenar destabilizues të vendit me organizatorë Tom Doshin dhe Dritan Priftin, televizioni “News24”, ka zbardhur letrën e plotë të deputetit të LSI-së.

Në letër, Braho thotë se deputeti dhe ish-ministri i Energjetikes, komunikojnë me familjarë të biznesmenit Kastriot Ismailaj duke bërë presione që ky i fundit të dëshmojë kundër Ilir Metës në procesin gjyqësor mes CEZ dhe DIA-s.

LETRA E PLOTË:

I nderuar Z. Naco

Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë dua t’ju informoj se nga burime të sigurta më konfirmohet se ekzistojnë dhe janë duke u ndërmarrë përpjekje serioze për realizimin e një skenari ogurzi që synon shkaktimin e kaosit dhe destabilitetit politik në vend dhe që ka për autorë kryesorë deputetin në gjykim Tom Doshi dhe ish¬deputetin Dritan Prifti, gjithashtu nën hetim Tom Doshi dhe Dritan Prifti janë dy të njohur të vjetër të Kastriot Ismailaj, i cili ndodhet I arrestuar nën akuzën e pastrimit të parave, por njëkohësisht edhe personazhi kryesor në çështjen CEZ-DIA.

Ata kanë kontaktuar dhe vazhdojnë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me familjarë të sipërpërmendurit dhe në veçanti me bashkëshorten e tij Vojsava Ismailaj, për të përfshirë këtë të fundit përmes një skeme mashtrimi, shantazhi dhe me premtimin për të liruar nga akuza Kastriot Ismailajn, në këmbim të deklaratave ose intervistave që synojnë implikimin e Kryetarit të Kuvendit në skandalin CEZ-DIA dhe vazhdimin e skenarit të mëparshëm destabilizues. Këto burim më konfirmojnë se takimi më i fundit mes Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Vojsava Ismailajt është zhvilluar në Hotel Sheraton, ditën e Mërkurë, datë 23 Shtator 2015, duke filluar nga ora 14.31.

Të njëjtat burime konfirmojnë se Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë thënë Vojsava Ismailajt se bashkëshorti i saj mbahet i arrestuar me porosi të Kryetarit të Kuvendit.

Sipas burimeve, Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë dhënë garanci Vosjava Ismailajt në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha për lirimin e bashkëshortit në këmbim të deklaratave apo intervistave të saj apo të bashkëshortit të saj që do të implikonin Kryetarin e Kuvendit, madje duke përmendur edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si të interesuar në eliminimin politik të Ilir Metës.

Këto burime më bëjnë gjithashtu të ditur se pasi dështuan të ndikojnë përmes avokatit Vladimir Meçi, i cili mbron çështjet e Tom Doshit dhe Kastriot Ismailajt, këto ditë Tom Doshi i ka kërkuar Vojsav Ismailajt të takohen jashtë qytetit të Tiranës për të konkluduar marrëveshjen e tyre, duke i premtuar edhe largimin e saj dhe të familjes jashtë Shqipërisë.

Në këto kushte, duke patur parasysh precedentin e skenarit të dështuar kriminal që po gjykohet nga organet kompetente, i cili synonte të përfshinte dhe akuzonte Kryetarin e Kuvendit si porositës të ekzekutimit të dy deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi, me protagonist të pandehurin Durim Bami dhe deklarimin e dhënë nga ky i fundit nën kërcënimin e armëve, si dhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore që paraqet Tom Doshi, në cilësinë time si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend dhe i ndërgjegjshëm për pasojat që mund të kenë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, presionet dhe veprimet kriminale të personave të përfshirë në këtë përpjekje për destabilitet dhe kaos, kërkoj:

Marrjen e masave për mbrojtjen fizike të Vojsava Ismailajt dhe familjes së saj, për të shmangur kërcënimet apo edhe më rëndë akoma, pengmarrjen e saj, për ta detyruar për të dhënë deklarata apo intervista që do të zhvendosnin vëmendjen apo devijonin qëllimin e hetimit të aferës CEZ¬DIA.

Paralajmërimi për këtë skenar që është duke u zhvilluar nuk duhet neglizhuar pasi Tom Doshi dhe Dritan Prifti, janë edhe protagonistët kryesorë të vetëdeklaruar sit ë tillë të ngjarjeve që prodhuan dhunën e 21 Janarit 2011.

Me respekt
Spartak Braho
Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Ismailaj: Nuk tërhiqem nga arbitrazhi me DIA, s’më lënë të takoj gruan

Biznesmeni Kastriot Ismailaj, i akuzuar për pastrim të parave të përfituara nga kontrata për mbledhjen e borxheve të ish-kompanisë CEZ, tha dje se nuk tërhiqet nga padia ndaj Shqipërisë në Arbitrazh. Personazhi i lakuar gjatë në media këto kohë ishte i pranishëm në seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku po zhvillohet procesi për konfiskimin e pasurisë së tij.

Në seancën e djeshme, Vladimir Meçi, avokati i biznesmenit, paraqiti provat shkresore me të cilat kërkoi rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për konfiskimin e pasurive të Kastriot Ismailajt. Avokati mes provave të tjera dorëzoi edhe vendimin e pushimit të çështjes së Ismailajt nga Prokuroria e Tiranës, në vitin 2012.

Duke qenë se është transferuar në paraburgim në Tiranë, biznesmeni Ismailaj ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit. Më herët në disa seanca, ai është përfaqësuar vetëm nga avokati për shkak të largësisë, duke qenë se mbahej në paraburgimin e Fierit.

DEKLARATA NË GJYQ
Gjatë seancës së djeshme, Kastriot Ismailaj bëri një deklaratë të shkurtër para Gjykatës. Ai theksoi se ka hapur gjyq me Shqipërinë në gjykatën e Arbitrazhit për prishjen e padrejtë të kontratës që kompania e tij, DIA, ka nënshkruar me ish-CEZ-in.

“Nuk tërhiqem nga çështja në Arbitrazh”, tha Ismailaj para Gjykatës. Ai bëri me dije se kohët e fundit nuk e kanë lejuar të takohet me bashkëshorten e tij dhe me avokatin mbrojtës, në përmbushje të të drejtave që i jep ligji. Gjykata e shtyu seancën e djeshme, pasi i kërkoi avokatit të paraqiste dokumentet origjinale nga lista e provave të cituara prej tij. Në maj 2015, Prokuroria urdhëroi arrestimin e biznesmenit Kastriot Ismailaj.

Ai u akuzua se kishte mashtruar në dy kontrata të lidhura nga kompania e tij DIA me CEZ-in për mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë në vite. Pas dy kontratave të kompanisë DIA me CEZ-in dhe akuzave për mashtrim e përfitim të paligjshëm fondesh, më 28.10.2011, “CEZ Shpërndarje” i ka dërguar një njoftim zyrtar kompanisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri, për zgjidhjen e kontratës së shërbimit, datë 01.02.2011, për mbledhjen e borxhit.

Më pas, Kastriot Ismailaj ka paraqitur një padi në Arbitrazh, në bazë të së cilës kërkon dëmshpërblim në shumën 130 milionë euro nga shteti shqiptar.

Kallëzim penal – Gjiknuri i shkaktoi 479 milionë euro dëm shtetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht ditën e sotme ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknurin dhe avokatin e përgjithshëm të shtetit për marrëveshjen me CEZ.

Në një njoftim zyrtar, KLSH-ja vlerëson se marrëveshja me CEZ-in i ka shkaktuar një dëm prej 479 mln eurosh buxhetit të shtetit.

Sipas KLSH-së, janë zhvilluar dy auditime për marrëveshjen me CEZ-in dhe janë vërejtur shkelje të mëdha.

Në përfundim të këtij auditimi, rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar financave të kompanisë tashmë tërësisht shtetërore OSHEE sh.a është 479 milionë euro, nga të cilat 95 milionë euro si pagesë e dakordësuar në Marrëveshje, 352 milionë euro, detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit gjatë viteve 2009-2012 dhe 32 milion euro zhvlerësimi ne zero i vlerës së 24% te aksioneve te Shtetit.

Në këtë vlerë dëmi nuk janë  llogaritur kostot shtese që do duhet të përballohen nga vetë Shteti Shqiptar për rigjallërimin e sistemit energjetik dhe kthimin në parametra financiare normale të kësaj shoqërie publike. Bazuar në shkeljet e konstatuara me pasojë dëmin e sipërcituar KLSH me shkresën nr. 118/13, datë 12.10.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për Ministrin e MEI, Damian Gjiknuri dhe Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, Alma Hicka, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Amnesty International-Veliajt: Ndalo dhunën ndaj romëve

‘Amnesty International’ është treguar tejet e ashpër sot me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe dy ministrat, Gjermeni dhe Klosi, që po tentojnë të dëbojnë deri edhe me forcë, 44 familje të varfra rome dhe egjyptiane, 200 prindër dhe fëmijë, që jetojnë në kasolle tek Parku i Liqenit në Tiranë, duke iu kujtuar se “në vitin 2014, Shqipëria pranoi të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Drejtave të Njeriut.”

Në një letër të publikuar sot nga Avokati i Popullit të “Amnisty International’, shihet se ‘AI’ u është drejtuar drejtpërsëdrejti me emër i zyrtarëve të lartë: Erion Veliajt, Eglantina Gjermenit dhe Blendi Klosit dhe ka folur pa asnjë dorezë duke i akuzuar se ata i kanë mashtruar familjet rome duke iu ofruar strehime të përkohshme dhe më pas, duke i lënë në mëshirë të fatit; e gjithë kjo, kur e dinë fare mirë se romët dhe egjiptianët jetojnë në kushte ekstremisht të varfra dhe nuk kanë absolutisht asnjë mundësi të paguajnë qera dhe as të marrin kredi.
Pasi qeveria e ka injoruar dukshëm Avokatin e Popullit, Igli Totozani, për zgjidhjen e problemit të romëve, ky i fundit nuk ka ngurruar të luajë të gjithë gurët dhe ka ngritur në këmbë ‘Amnisty International’, pa pasur asnjë skrupull se po i vinte një njollë të zezë në zbatimin e të drejtave të njeriut, qeverisë së majtë Rama – Meta

Për më shumë, ja letra e plotë që Amnisty International ka dërguar

Amnisty International i kërkon Ministrit të Zhvillimit Urban dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të ndalojnë dëbimin me forcë të 44 familjeve rome dhe egjiptiane (200 individë) nga autoritetet e Bashkisë Tiranë, dhe të garantojnë se në qoftë se një zhvendosje është e domosdoshme, të kryhet në mënyrë të ligjshme, dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Organizata u kërkon autoriteteve t’u sigurojnë këtyre familjeve një zgjidhje të qëndrueshme strehimi, siç është propozuar nga Avokati i Popullit.

Nga kërkimet e Amnesty International rezulton se shumë prej tyre kanë qenë zhvendosur në mënyrë të përsëritur me forcë nga viti 2011 pa pasur kurrë mundësinë e një strehimi alternativ të përshtatshëm.

Kjo është e papranueshme dhe ekspozon familjet egjiptiane dhe rome ndaj shkeljeve të përsëritura dhe të shumta të drejtave të njeriut. Personat në rrezik dëbimi duhet të konsultohen plotësisht dhe njoftohen për arsyet e dëbimit të tyre.

Për më tepër, atyre duhet tu sigurohet strehim i përshtatshëm alternativ. Si shtet palë në Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe të drejtave kulturore, Shqipëria është e detyruar të respektojë, mbrojtur dhe përmbushur të drejtën për strehim të përshtatshëm.

Më datë 5 tetor, punonjës të Bashkisë së Tiranës janë parë në vendbanimin informal në afërsi të Liqenit Artificial. Edhe pse njoftimi për dëbim nga vendbanimi informal ishte publikuar në media, para kësaj date, familjet e prekura nuk ishin konsultuar, as nuk kishin marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvendosje apo ndonjë njoftim tjetër nga ana e autoriteteve. Autoritetet vendore nuk kanë nxjerrë asnjë vendim gjykate për dëbim, siç kërkohet nga ligji shqiptar. Kjo u ka mohuar romëve dhe egjiptianëve të prekur të drejtën e ankimimit kundër dëbimit – një mbrojtje kyç kundër dëbimeve të dhunshme, siç parashikohet nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Autoritetet e Tiranës kanë propozuar një sërë zgjidhjesh, të cilat Amnesty International i konsideron të papërshtatshme. Ato përfshijnë qasjen e qirave të subvencionuara (bonus strehimi), por nga kërkimet e Amnesty International dhe të tjerë rezulton se disa romë dhe egjiptianë nuk përmbushin kriterin e ardhurave, dokumentacionin dhe kriterin e punësimit për t’u kualifikuar apo përballuar qira të tilla.

Familjet e prekura që figurojnë si banorë të Tiranës u është ofruar strehim në Qendrën Kombëtare të Emergjencave, megjithatë, qendra ka shumë pak hapësirë për më shumë familje, dhe ofron vetëm nevojat themelore.

Vetëm nëntë prej mbi 50 familjet e dëbuara me dhunë nga Rruga e Kajaves në vitin 2013, të cilët tani jetojnë në qendër, u është ofruar strehim alternativ .

Një numër i konsiderueshëm i familjeve që nuk figurojnë të regjistruara në Tiranë u është ofruar ndihmë për transportin për të kthyer në qytetet e tyre të origjinës, si Berat dhe Elbasan.

Edhe pse, sipas kryebashkiakut të Tiranës kjo nuk është e detyrueshme, pasi edhe nëse ata mund të kenë strehim atje, në mungesë të punësimit ka shumë gjasa që të kthehen përsëri në Tiranë.

Në vitin 2014, Shqipëria pranoi të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Drejtave të Njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën për strehim të përshtatshëm për romët dhe egjiptianët, dhe dyfishim të përpjekjeve për të zbatuar plotësisht Planin Kombëtar të Veprimit dhe Strategjinë për Dekadën e Përfshirjes së Romëve.

Megjithatë, në këtë drejtim është bërë shumë pak. Romët dhe egjiptianët vazhdojnë të jetojnë në strehim të pamjaftueshëm, pa siguri, dhe – pas hyrjes në fuqi të Ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje në vitin 2014 – janë vazhdimisht të rrezikuar nga shpërnguljet me forcë.

‘Background’

Familjet e prekura përfshijnë disa prej atyre që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në afërsi të stacionit hekurudhor të Tiranës pas zjarrvënieve në vitin 2011. Më pas atyre iu ofrua zhvendosje në tenda në një vend tejet të papërshtatshme në Babrru, nga ku u detyruan të largohen sërish për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi qiranë e papaguar në mes të pronarit të tokës dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.

Disa familje u vendosën sërish në kazerma ushtarake të papërshtatshme dhe të rrënuara në zonën e Sharrës të Tiranës, duke u larguar më vonë nga frika dhe kërcënimet e komunitetit lokal.

Në janar të vitit 2012, familjet që u zhvendosën nga Babrruja tek Liqeni Artificial kanë çmontuar shtëpitë e tyre (për materialet e ndërtimit), përballë rrezikut të një dëbimi. Ata u kthyen disa javë më vonë, për tu dëbuar sërish. Më pas, iu ofrua strehim në oborrin e Zyrës së Avokatit të Popullit, por problemi strehimit të tyre mbeti sërish pa zgjidhje.

Familje të tjera që rrezikohen sot te Liqeni Artificial përfshijnë disa nga ata të dëbuar në vitin 2013 nga Rruga e Kajaves, që nuk kanë pranuar të shkojnë në Qendrën Kombëtare të Emergjencave, dhe nuk ka strehim tjetër alternativë për ta.

Avokati i Popullit i ka propozuar në Rekomandimin e tij drejtuar autoriteteve të Tiranës (Nr.K1 / I118-4, datë 8 tetor 2015) se çdo dëbim duhet të kryhet në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke:

1. Ofruar zgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë dhe të pranueshme nga të prekurit,

2. Mos kryer asnjë zhvendosje pa garantuar më parë një zgjidhje të qëndrueshme, dinjitoze, të dokumentueshme dhe të verifikueshme fizikisht.

3. Ndërmarrë çdo veprim në bashkëpunim dhe me pëlqimin e plotë të anëtarëve të komunitetit.

4. Shmangur shkeljen e të drejtave të njeriut, me zhvendosjen me forcë dhe ushtrimin e dhunës ndaj këtyre qytetarëve.

Bushati sfidon Presidentin: Kthen në Tiranë ambasadorin Koçi, ia pret rrogën

Thellohet përplasja mes Presidentit Bujar Nishani dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati për lirimin ndaj detyra të ambasadorit të Shqipërisë në OSBE.

Edhe pse Nishani nuk e ka dekretuar lirimin nga detyra të Spiro Koçit, mësohet se ky i fundit është kthyer në Tiranë. Shkak për këtë është bërë vendimi i ministrit të Jashtëm për t’I ndërprerë pagesën dhe qeranë e shtëpinë në të cilën jetonte në Vjenë ambasadori.

I kontaktuar nga Panorama, Koçi ka konfirmuar se ndodhet në Tiranë dhe se është larguar nga funksioni si diplomat në selinë e OSBE-së në Vjenë.

Berisha e sulmon Bashën: Ka përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në emisionin “Studio e Hapur” në “News 24”, se kreu i Partisë Demokratike mban përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet.

I pyetur për analizën e humbjes së Partisë Demokratike, Berisha  u shpreh se ajo është e nevojshme edhe pse po kryhet me vonesë, ndërsa theksoi se bojkoti i zgjedhjeve nuk ishte një mënyrë e zgjuar për të vepruar.

“Kjo është një faturë. Mirë apo keq është kryetari ai i cili mban përgjegjësinë, por zgjedhjet nuk u bënë në një mjedis të lirë dhe të ndershëm”, u shpreh Berisha.

Më tutje ai flet edhe për debatet që kanë qenë të shpeshta mes grupit të demokratëve, duke nënvizuar se ka një tendencë për të patur debat në PD. Megjithatë, për Berishën asnjë demokrat nuk duhet të sulmojë një tjetër. Sulmi është një gjë ndryshe nga kritika, thotë ish-kreu i demokratëve.

Duke justifikuar zërat brenda PD-së të cilat jo pak herë kanë shprehur kritika mbi mënyrën e drejtimit të partisë nga Basha, Berisha thotë se “të drejtosh opozitën është më e vështirë se sa të drejtosh qeverinë, pasi presionet mbi të janë të mëdha”.

Krerët e PD thellojnë akuzat: Ish-ministrat e Berishës spiunë të Sigurimit të Shtetit me nga 2-3 emra, hapja e dosjeve i fundos

Voal – Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike kanë përshkallëzuar akuzat denigruese ndaj ish-ministrave të Sali Berishës, disa deputetëve të PD dhe figurave të tjera, që kërkojnë ndëshkimin e krerëve të partisë në nivel lokal, si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve.

Pavarësisht ultimatumit të Sali Berishës ndaj Lulzim Bashës, për të ndalur sulmet denigruese ndaj ish-ministrave të tij, ofensiva e krerëve të degëve të PD ndaj elitës së vjetër të partisë, ka marrë përmasa të tjera. Teksa Genc Ruli me shokë presin një ndjesë të thellë për sulmet e javës së kaluar, nga baza kanë ardhur akuza të tjera. Krerët degëve të Partisë Demokratike akuzojnë ish-ministrat dhe deputetët të caktuar të PD se kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit. Dy ditë pas thirrjeve të Jemin Gjanës për disiplinimin e krerëve të degëve të PD, këta të fundit janë përgjigjur duke pohuar se xhaketat e vjetra të PD kanë nga dy-tre emra për shkak të së kaluarës së tyre, si pjesë e Sigurimit të Shtetit. Akuza ka ardhur nga kryetari i PD së Lushnjes, Myslim Murrizi, i cili ka dalë në krah të kryetarit të PD së Gjirokastrës, Roland Bejko.
Sipas Murrizit, ata që kërkojnë prerje kokash në PD do të preken nga hapja e dosjeve të Sigurimit, të cilët sipas tij kanë nga dy-tre emra. Murrizi sigurisht nuk përmend emra konkret, por kuptohet se fjala është për Jemin Gjanën, Genc Rulin, Arben Imamin etj., të cilët kanë folur ditët e fundit.“Nuk di pse je nxehur miku im. Prit dhe pak ditë sa të krijohet komisioni parlamentar për hapjen e dosjeve të vjetra të Sigurimit të Shtetit dhe do shikosh që një pjesë lehës të këtyre ditëve nuk do t’i gjesh më aty se kanë nga 2-3 emra të tjerë përveç atij që vënë nëpër gazeta. Sa për “dosjet” e reja të bëjnë pis kur i mendon se si u sollën me demokratët kur morën karriget e jo më të jua hapësh”, ka pohuar ai. Disa ditë më parë, Murrizi ka theksuar se disa nga ish-ministrat dhe deputetët e PD, sapo i bëri Sali Berisha me para, lanë gratë dhe morën dashnoret. Kjo deklaratë u përhap me shpejtësi në media, ndërsa shkaktoi një debat të madh në mbledhjen e grupit të PD, ku protagonist ishte edhe vetë Sali Berisha.
Roland Bejko
Kreu i PD së Gjirokastrës, Roland Bejko, vijon replikat në distancë me ish-ministrat e PD dhe faktorë të tjerë që kërkojnë ndëshkimin e krerëve të degëve.  “Më mirë me qenë kolltukofag ëndërrimtar se kolltukofag abuzues me pushtetin dhe besimin e votuesve të tu! Kaq sa për tani, më pas flasim prapë, jam gati të ballafaqohem me këdo, për këdo dhe kurdo! Në raport me ish pushtetin kam qenë thjesht QELIBAR, në shërbim të qytetarëve e të ligjit. Përtej modestisë: PD-në dhe ish Kryeministrin Sali Berisha i kam bërë të ndihen krenarë me punën time si Prefekt, Drejtor i Pushtetit Vendor dhe Integrimit Evropian dhe më pas si themelues i Shkollës së Administratës Publike ASPA! Zero abuzim me fondet dhe pushtetin, përkushtim, profesionalizëm dhe sukses! Jam i vetmi që kam lënë “kolltukun” si Prefekt për të ndjekur studimet në shkollën e famshme ENA në Strasburg. Kam lënë “kolltukun” si Drejtor i Përgjithshëm për të shkuar pedagog në universitet. Mbajini kolltuqet, pushtetin e paratë, por mos na çani kokën se nuk jua kemi borxh shpifjet e denigrimin”, ka deklaruar Bejko./Sot
13-10-2015 22-54-01

Ndrangheta – Shkatërrohet klani italo-shqiptar i drogës

Shpartallohet klani italo-shqiptar, i trafikut ndërkombëtar të drogës me lidhje të ngushta me mafian kalabreze ‘ndrangheta.

Mediat italiane raportojnë finalizimin e operacionit July 2014”, i cili përfundoi me arrestimin e 24 personave, sekuestrimin e mbi 94 kg kokainë, automjeteve luksoze e 200 mijë euro cash.

2Sipas policise, pas hetimeve u arrit në identifikimin e piramides së aktivitetit të klanit, qe administronin trafikun e drogës nga Spanja e Hollanda.  Klani italo-shqiptarë ishtë përbërë kryesisht nga nënshtetas shqiptarë që vepronin në lidhje të ngushta me persona të familjeve të fuqishme të Ndraghetas kalabreze.

Policia italiane njofton se për trafikun dhe shpërndarjen e kokainës perdoreshin karroca femijesh, ose vende te fshehta neper makina te modifikuara.

Prokuroria dhe Gjykata – si e përgatitën ‘pafajësinë’ e Fullanit

TIRANE – Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës iu deshën dy muaj kohë për caktimin e gjyqtarit që do gjykonte ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe vetëm një seancë për ta shpallur atë të pafajshëm.

Gjyqi ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, i akuzuar për shpërdorim detyre, zgjati vetëm tri seanca, nga të cilat një seancë u shty për mungesë të prokurorit.

Në seancën e tretë gjyqtari Artan Gjermeni dëgjoi konkluzionet përfundimtare të akuzës, mbrojtjen e të pandehurit dhe shpalli vendimin duke i dhënë pafajësi Fullanit.

Ai akuzohet nga Prokuroria për neglizhencë në vjedhjen e 7 milionë dollarëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë dhe shkelje të procedurave në blerjen e Hotel “Dajtit” në vlerën e 30 milionë eurove.

Por akuza e prokurorisë nuk e ka bindur gjykatën, e cila i dha pafajësi guvernatorit në një proces me gjykim të shkurtuar.

Prokuroria i përfundoi hetimet ndaj ish-guvernatorit më 3 shkurt të këtij viti, kur dhe dorëzoi në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj tij.

Për shkak të pushimeve verore, i gjithë muaji gusht kaloi pa ndonjë veprim nga ana e gjykatës, e cila vendosi të nisë shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje më 29 shtator, kur dhe u zhvillua seanca e parë.

Nuk dihet ende arsyeja e kësaj vonese, pasi përzgjedhja e gjyqtarëve bëhet me short elektronik.

Në seancën e datës 29, gjykata çeli shqyrtimin gjyqësor dhe dëgjoi kërkesat paraprake të palëve, ku mbrojtja e Fullanit kërkoi gjykim me procedurë të shkurtuar.

Kërkesa u pranua dhe seanca e radhës u caktua më datë 6 tetor, për dhënin e pretencës nga përfaqësuesi i akuzës.

Prokurori nuk u paraqit në seancën e datës 6, pasi ishte i angazhuar me veprime hetimore të rëndësishme në një çështje tjetër dhe gjykata vendosi të shtyjë seancën më 12 tetor.

Në seancën e djeshme prokurori kërkoi dënimin e të pandehurit Ardian Fullani me 5 vjet burgim për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas akuzës, ish-guvernatori ka përgjegjësi në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, pasi për një kohë të gjatë nuk i kishte propozuar Këshillit Mbikëqyrës zv.guvernatorin e dytë, i cili është përgjegjës për politikat e sigurisë në Bankën e Shqipërisë.

Si pasojë e këtij mosveprimi, është krijuar lehtësi për të pandehurin Ardian Bitraj dhe bashkëpunëtoren e tij, të cilët janë dënuar për vjedhjen e 731 milionë lekëve në një periudhë 4-vjeçare.

Por ndaj ish-guvernatorit, prokuroria ngriti edhe një akuzë të dytë për moszbatimin e procedurave për blerjen e Hotel “Dajtit” në vlerën e 30 milionë eurove nga qeveria shqiptare.

“Personi nën hetim, Adrian Fullani rezulton të ketë qenë personi që iu ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Organi procedues çmon se, megjithë procedurën e ndjekur, prokurimin e drejtpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit, të gjitha këto veprime kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura datojnë ditë më vonë se Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel “Dajtit” pikërisht Bankës së Shqipërisë”, thotë prokuroria.

Por dhe për këtë akuzë gjykata e shpalli të pafajshëm Fullanin, ndërsa në seancë nuk u lexua vendimi i arsyetuar, por vetëm dispozitivi.

Fullani është i vetmi nga ish-zyrtarët e Bankës së Shqipërisë të dyshuar si përgjegjës për vjedhjen e 713 milionë lekëve, që u hetua më gjatë, pasi prokuroria verifikoi edhe tenderat e kryera gjatë kohës që Banka drejtohej nga i pandehuri.

Ai u arrestua mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 2014, teksa dilte nga zyra e tij në një ambient të marrë me qira, pasi selia qendrore e Bankës së Shqipërisë ishte në rikonstruksion. Asokohe, emri i tij u lidh me skandalin e Thesarit, ku u vodhën 713 milionë lekë.

Për të njëjtën vjedhje prokuroria arrestoi dhe 12 vartës të Fullanit, ku në përfundim të gjykimit vjedhja iu atribuua Ardian Bitrajt e Mimoza Bruzias.

Por pa kaluar 10 ditë nga arresti, më 15 shtator 2014, ish-guvernatori fitoi lirinë në Gjykatën e Apelit nga një trup gjykues i kryesuar nga Alaudin Malaj, tashmë i kallëzuar penalisht për mosjustifikimin e 1.7 milion eurove pasuri.

Akuza zyrtare ndaj Fullanit u ngrit më 3 gusht të këtij viti, kur dosja penale ndaj tij iu përcoll për gjykim Gjykatës së Tiranës.

Sipas prokurorisë, Fullani ishte përgjegjës pasi me veprime e mosveprime krijoi kushtet për vjedhjen e Thesarit nga Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia, si dhe përgjegjës për procedurat antiligjore të tenderit të blerjes së Hotel “Dajtit” në vlerën e 30 milionë eurove për llogari të bankës.

Prokuroria: Do apelojmë sapo të zbardhet vendimi
Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka reaguar edhe prokuroria, e cila thotë se do ta apelojë këtë vendim.

Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se organi i akuzës do t’i drejtohet me një ankim Gjykatës së Apelit Tiranë për të kundërshtuar vendimin e shkallës së parë.

“Sapo të njihet me vendimin e arsyetuar, prokuroria do ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit”, – thanë burime të prokurorisë. Vendimi për të apeluar pafajësinë e guvernatorit vjen pasi prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurit me 5 vjet heqje lirie për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. (Mapo)

Berisha mbron Fullanin: Mbaroi farsa hakmarrëse e Ramës

TIRANE -Pasi gjykata e shpalli të pafajshëm ish-Guvernatorin Ardian Fullani, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ai tha se mbaroi një farsë hakmarrëse e Edi Ramës ndaj armikut të tij.

“Sot gjykata shpalli te pafajshem ish Guvernatorin e Bankes se Shqiperise, Ardian Fullani te arrestuar me urdher politik nga Edi Rama me akuza fallco per nje ceshtje qe ne asnje vend te botes perveç Korese se Veriut nuk mund te ndodhte.

Edi Rama shfrytezoi vjedhjen ne Banken e Shqiperise te 7 milione eurove qe thone se u perdoren per fushate per te goditur politikisht njeriun qe nuk mund te pranonte ti dorezonte piktorit deshtak autonomine kushtetuese te Bankes se Shqiperise. Edi Rama mbrojti dhe nuk lejoi as qe te pyetet pergjegjesin direkt te sigurise se arkes ku u vodhen parate per fushat, pasi ai kishte merita se kishte lejuar vjedhjen me urdher te partise dhe ne rast se do te merrej ne pyetje i ati i top modeles se hajnise te tatimeve, edhe do mund te tregonte porositesit e vertete te vjedhjes se 7 milione eurove ne Banken e Shqiperise dhe destinacionin e vertet te tyre.

Arrestimi dhe fushata primitive e linçimit stalinist publik te Fullanit dhe familjareve te tij e nje bankieri, qe ne koherat e krizes me te rende financiare per Europen dhe boten dha kontributin me te madh ne mbrojtjen e stabilitetit monetar dhe sistemit bankar te vendit jane fytyra e vertete e Edi Rames dhe suites se tij, qe nuk kane ligje as dhe moral dhe qe po rrenojne cdo dite ekonomine dhe financat e shqiptareve!” shkruan Berisha në FB. bw


Send this to a friend