VOAL

VOAL

Meta kundër Ramës – ja axhenda ndërkombëtare e kryetarit të Kuvendit

Nuk e dihet sesi ka ndodhur por dyert e ndërkombëtarëve janë çelur sërish për Ilir Metën pas një embargoje të mirëfillte gati 2-vjeçare politike brenda dhe jashtë vendit. Syri.net ka mësuar se brenda muajit Nëntor Ilir Meta do të ketë një axhendë mjaft interesante takimesh dhe udhëtimesh madje edhe në “tokën e ndaluar” për, Gjermania.

Ilir Meta arriti të siguronte pas shumë përpjekjesh dhe pagesash të majme, një vizë nga ambasada amerikane në Tiranë, pas ftesë-garancisë që i nisi kongresmeni republikan Robert Pittenger për të marrë pjesë një forum për sigurinë në SHBA, edhe pse ky i fundit po përballet nga dy hetime paralele një nga FBI për biznesin e familjes dhe tjetra nga Komisioni i Etikës në Kongresin Amerikan për financime të dyshimta të fushtatës. Por pavarësisht kësaj, me t’u kthyer në Shqipëri, Meta do të ketë në program shumë shpjet një tjetër vizitë shumë të rëndësishme per qetësinë e tij politike në raport me faktorin ndërkombëtar, dhe ai është udhëtimi drejt Gjermanisë. Nuk ka informacione rreth takimeve që Meta do të ketë në Berlin, por e sigurtë është se ato do të jenë të nivelit të lartë.

Më pas brenda muajit të ardhshëm, Meta do të udhëtojë kësaj herë në Itali ku ndër të tjera do të pritet në një takim edhe nga kryeminsitri italian Matteo Renzi. Akoma edhe më tej brenda Nëntorit, Meta do të bëjë edhe një nga udhëtimet e tij më të përzemërta që është ajo drejt Beogradit për tu takuar me vetë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. Në në fund të muajit Nëntor, Meta pritet të udhëtojë edhe drejt Greqisë ku do të takohet atje edhe me kryeministrin grek Alexis Cipras. E gjithë kjo mori takimesh tregon se bariqendra politike europiane po peshon tashmë më shumë drejt Metës sesa drejt Ramës.

Duket se deklaratat shpesh herë kërcënuese të Kryeminsitrit Edi Rama i cili kërkon me pahir nga Brukseli hapjen e negociatave për anëtarësim apo edhe gjuha aspak miqësore që ai vë në zbatim sa herë bëhet fjalë për punët e Brukselit, kanë filluar të japin efektet e veta.

Këtë dobësim të rradhës të marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar po e shfrytëzon në mënyrë të përkryer Ilir Meta i cili po mundohet ti tregojë Perëndimit se ai nuk është si aleati i tij, por di të jetë konstruktiv dhe bashkëpunues. Është shumë interesante të shikohet sesi do të vijojë lakorja e qasjes së Metës me ndërkombëtarët tashmë që ai ka filluar revanshin ndaj aleatit të tij si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Syri.net

Rama kundër Metës – Mediat e majta botojnë fakte për deputetin e LSI-së Agron Çela

Atëhere kur mendohej se mjegulla e aferës CEZ-DIA po shpërndahej sot një tjetër raport ka dalë në dritë që konfrimon sesi Kastriot Ismailaj mbante lidhjet me Ilir Metën dhe përfaqësuesit e LSI-së. Mediat e majta shumë pranë Kryeministrit Edi Rama kanë publikuar sot një raporti (anonim) që nuk saktësohet se cili insititucion e ka hartuar i cili shpjegon sesi, një pjesë e parave që CEZ i ka kaluar në mënyrë abuzive kompanisë fantazmë të Kastriot Ismailaj i kanë kaluar një deputeti aktual të LSI-së në Shkodër, Agron Çela  dhe disa kompanive të përafërta me këtë parti.

Ky raport vjen pikërisht në kohën kur kryetari i Kuvendit Ilir Meta ndodhet për një vizitë në SHBA ndërsa akoma nuk ka patur një reagim nga LSI.

Kështu mësohet se nga shuma 650 milion lekë të reja që Kastriot Ismailaj ka përfituar nga CEZ shpërndarja, kompania ku ishte bashkëpronar Agron Çela tashmë deputet i LSI-së në Shkodër, ka përfituar rreth 165 milion lekë. Pasi kompania DIA kishte bërë blerjen e disa motorëve në kompanin e Çelës, që në kohën e pagesave nuk ishte deputet. Ky fakt është denoncuar për herë të parë nga ish nënkryetari i LSI-së Dritan Prifti dhe më pas është vërtetuar edhe nga ekspertët e prokurorisë.

Një tjetër shumë e dyshimtë është ajo prej rreth 300 milion lekësh që kompania DIA ka paguar në llogari të kompanisë nga Durrësi me emrin “Nereida” në formë detyrimesh për punët që kompania durrsake kishte kryer, edhe kjo e paralajmëruar më parë nga gazetari investigativ Artan Hoxha.

Kur kjo aferë shpërtheu nga agjensia investigative BIRN, u akuzua drejtpërdrejt Ilir Meta si “një ish kryeministër i akuzuar për korrupsion” që kishte përfituar ryshfet nga paratë abuzive të Kastriot Ismailajt. BIRN i referohej mbrojtjes që kishin bërë avokatët e qeverisë shqiptare në procesin e arbitrazhit në Vienë. Mirëpo kur BIRN publikoi investigimin e saj ende nuk dihej se ku ishin shpërndarë, paratë e përfituara abuzivisht nga Kastriot Ismailaj. Tani ekspertët e prokurorisë kanë bërë publik një raport të detajuar për këtë qëllim.

BIRN: Dorëheqjet dhe arrestimet, 28 deputetët e larguar nga Parlamenti

Pranverën e vitit 2013, kryeministri Edi Rama propozoi që ministrat e kabinetit të tij do të jepnin dorëheqjen nga mandati i deputetit, në mënyrë që të krijonin ‘një ekuilibër të ri dhe më shumë kontroll parlamentar ndaj ekzekutivit”.

Dy vjet më vonë,pak vëzhgues besojnë që kontrolli i legjislativit ndaj pushtetit të qeverisë është forcuar; por megjithatë afërsisht 20 për qind e të zgjedhurve të popullit në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit 2013 janë larguar nga Kuvendi.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se28 deputetë kanë dhënë dorëheqjen, mes të cilëve 17 janë ministra të kabinetit “Rama”. Zëvendësimi i tyre në Kuvendin e Shqipërisë solli një fluks të ri dorëheqjesh dhe telashe shtesë për kreun e ekzekutivit me deputetët e rinj.

Përgjatë dy viteve, mazhoranca humbi deputetin Arben Ndoka, i cili e siguroi me vështirësi mandatin e tij falë dorëheqjeve të Mimi Kodhelit, qëu emërua në postin e ministres së Mbrojtjes dhe dy grave të tjera në listën e qarkut të Lezhës.

Ndoka u detyrua gjithashtu të japë dorëheqjen,pasi u vendos në qendër të akuzave të opozitës për shkak të publikimit të vendimit se ai ishte dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Dy deputetë të tjerë të mazhorancës, Mark Frroku dhe Armando Prenga ndodhen nën arrest, ndërkohë që vazhdimësia e mandatit të tyre pritet të përcaktohet me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Mark Frroku, ish aleat i kryeministrit Rama është arrestuar për llogari të drejtësisë belge, pas akuzave të përfshirjes së tij në një vrasje në vitin 1999.

Në të njëjtat rrethana, legjislativi do të përballet edhe me rastin Prenga, i cili është arrestuar pasi akuzohet se qëlloi një shtetas me armë. Ekspertët thonë se rasti “Frroku” do të shërbejë si precedent edhe për rastin Prenga.

Studiues të politikës besojnë se vendimi për ndarjen e mandateve ishte një akt simolik, që në realitet dha efektin e kundërt. Kreu i Institutit të Studimeve Strategjike, Afrim Krasniqi mendon se ky vendim i kryeministrit Rama dobësoi dukshëm pozitën e ministrave dhe futi në parlament personazhe të dorës së dytë, pa peshë në jetën parlamentare dhe atë publike të vendit.

“Shumica e tyre janë anonimë, pa identitet politik dhe rezultat i rastësisë,” argumenton Krasniqi.

Ai mendon gjithashtu se eksperimenti dështoi të prodhonte-siç u premtua-më shumë demokraci.

“Prodhoi më pak demokraci dhe më shumë pushtet të përqendruar tek lideri dhe partia,” thotë ai për BIRN.

Ndocaj në parlament

Ideja e ndarjes së mandateve solli në praktikë pasoja të padëshirueshme edhe për vetë kryeministrin Rama. Dy vjet pas aplikimit të saj, ai është i detyruar të pranojë futjen në Parlament të një ish-aleati që u kthye në kundërshtar të tij.

Të hënën, KQZ shpalli Eduart Ndocaj, kandidatin nga Lezha si deputetin më të ri të parlamentit, i cili në vitin e funditështë përfshirë në polemika publike me kryeministrin Edi Rama.

Zëdhënësja e KQZ-së i tha BIRN se për zëvendësimin e mandatit do të vendoset duke iu referuar nenit 164 të Kodit Zgjedhor, i cili shprehet se “Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse”.

Shpallja e mandatit të Ndocajt erdhi pasi Ndrec Dedaj, aktualisht kryetar iBashkisë së Mirditës dhe emri që pasonte Arben Ndokën në listën e PS-së në qarkun e Lezhës, refuzoi mandatin e deputet.

I kontaktuar nga BIRN, Dedaj tha se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga posti i kryebashkiakut për hir të një mandati në Kuvendin e Shqipërisë.

“Në rast se do të më lënë t’i ushtroj të dy funksionet, edhe kryetar bashkie edhe deputet   sigurisht që do të pranoj, në të kundërtën unë do të refuzoj mandatin e deputetit,” tha ai.

Frroku në Kushtetuese

Këshilli i Mandateve vendosi të martën t’i kalonte për kompetencë Gjykatës Kushtetuese çështjen për heqjen ose jo të mandatit të deputetit Mark Frroku, pasi nuk ishte në gjendje të cilësonte si të arsyeshme ose jo mungesën e deputetit në parlament.

Formalisht janë mbushur 6 muaj nga dita kur deputeti i partisë Kristian Demokrate u arrestua. Fillimisht ai u akuzua për dëshmi të rreme dhe më vonë për vrasje. Në lidhje më këtë fakt objektiv, Kushtetuta parashikon se “mandati i deputetit mbaron … kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”.

Në vakum ligjor dhe në mungesë të një precedenti, Këshilli i Mandateve kërkoi interpretim kushtetues.

Opozita e kontestoi vendimin e Këshillit të Mandateve duke e cilësuar si akt të mungesës vullnetit të mazhorancës për të realizuar procesin e dekriminalizimit; megjithatë, në mungesë të një precedenti të qartë, ish kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Çlirim Gjata thotë se është vendimi i duhur.

“Vendimi për të kërkuar interpretim në kushtetuese është mëse i arsyeshëm në kushtet e një rasti pa precedent. Këshilli i mandateve mund të vendoste dhe ndërprerjen e mandatit e të kërkonte miratim në Parlament, por sërish çështja do të shkonte në Gjykatën Kushtetuese,” i tha Gjata BIRN.

/BIRN/

Raport i BB: gjendja ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë

Banka Botërore parashikon se rritja ekonomike do të jetë e brishtë në Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor. duke arritur në 1.9 për qind për vitin 2015 nga 1.5 që arriti një vit më parë. Vlerësimet jepen në një raport të ri të botuar sot mbi gjendjen ekomonike dhe parashikimet për të ardhmen në Evropë dhe Azinë Qendrore. Evropa Lindore megjithatë po shënon rritjen më të shpejtë – 3.3 për qind për vitin 2015.

Shqipëri

Sipas Bankës Botërore rritja u përshpejtua për Shqipërinë në vitin 2015 dhe pritet të vazhdojë trajektoren pozitive gjatë tre viteve të ardhshme, megjithëse do të jetë nën potencialin e mundshëm të zhvillimit.

Klima e përmirësuar e biznesit dhe eksportet pritet të jenë faktorët kryesorë nxitës, krahas stabilizimit të  konsumit, besimit të  konsumatorit dhe tregjeve të punës.

Konsolidimi fiskal në masë të madhe është mbështetur tek shpenzimet, ndërsa të ardhurat nuk arritën nivelin e pritshmërive, pavarësisht nga masat e reja tatimore, thuhet në raportin e BB.

Parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2015 u ul në 2.7% nga 3% që ishte parashikuar në fillim të vitit për shkak të ndikimit të përmbytjeve në sektorin e bujqësisë dhe pakësimit të prodhimit të naftës në përgjigje të rënies së çmimeve ndërkombëtare.

Në gjysmën e parë të 2015 u bënë konsolidime modeste fiskale për shkak të të ardhurave më të pakta nga parashikimet, duke kushtëzuar kështu një realizim më të ulët të shpenzimeve – veçanërisht të atyre kapitale, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Varfëria pritet të vazhdojë të ulet, ndonëse me ritme të ngadalta. Varfëria, e matur me të ardhura prej 5 dollarësh në ditë, u rrit në 47.5% në vitin 2012 nga 46.7% në vitin 2008 dhe shënoi rënie të lehtë në 46.7% në vitin 2014.

Sipas Bankës Botërore, niveli i papunësisë në tërësi ra nga 17.7% në tremujorin e dytë të 2014 në 17.3% në tremujorin e dytë të 2015. Por mes grupmoshës së re, papunësia u shtua nga 33.5% në 34.2%.

Fluksi i remitancave u ul nga 11.7% të GDP-së në vitin 2008 në 8.4% në vitin 2014 për shkak të kushteve ekonomike në Eurozonë.

Ekonomia shqiptare, sipas Bankës Botërore, pritet të rritjet me 3.4% në vitin 2016 dhe me 3.5% në vitin 2017.

Prespektivat e rritjes për Shqipërinë do të varen nga zbatimi i reformës strukturore në energji, menaxhimin financiar të shpenzimeve publike dhe pensionet.

Tregu gjithmonë i dobët i punës kufizon potencialin e ekonomisë shqiptare. Një nivel i lartë i punësimit informal në Shqipëri pengon rritjen e produktivitetit dhe grumbullimin e të ardhurave.

Zhvillimet në Greqi mund të kenë ndikime më të mëdha nga sa pritej mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe ndaj prespektivës së uljes së varfërisë, duke patur ulje të remitancave, eksporteve dhe investimeve.

Sfida kryesore për Shqipërinë, përfundon raporti i bankës Botërore, është rritja ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, nga njera anë dhe mbrojtja e shtresave të varfëra të shoqërisë nga ana tjetër.

Kosovë

Sipas parashikimit të Bankës Botërore ekonomia në Kosovë po tregon shenja të mëkëmbjes, e  nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Rritja pritet të arrijë në 3% në vitin 2015 dhe 3.6% në vitet 2016-2017, por mundësitë e punësimit do të vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Të ardhurat për familjet më të varfëra pritet të shtohen nga rrija e përshpejtuar në bujqësi dhe pakësimi i TVSH-së për ushqimet bazë dhe shërbimet komunale. Por vonesat në zbatimin e disa reformave sociale, si ajo e siguracionit shëndetësor, do të ketë efekte negative.

Ekonomia e Kosovës u rrit me 0.2% në tremujorin e parë të 2015, e nxitur nga shtimi i konsumit privat me 2.3%  dhe rritje e shpenzimeve qeveritare me 1.5%  rritje e konsumit të qeverisë, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Çmimet mbeten të qëndrueshme me deflacion mesatar prej 0.5% gjatë gjysmës së parë të vitit, që duhet të rrisë të ardhurat reale të familjeve.

Megjithatë rritja e pagave në sektorin publik po ndikon duke sjellë çrregullime në tregun e punës. Kështu rritja ekonomike nuk është mbështetur tek krijimi i vendeve të punës.

Sipas raportit të BB, niveli i papunësisë mes të rinjve mbetet i lartë, mbi 61%.

Shumë banorë njoftohet se imigruan ilegalisht në Evropën Perendimore gjatë nëntorit 2014 – qershorit 2015 të shtyrë nga papunësia.

Të ardhurat u rritën me 7% në gjysmën e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, kryesisht nga përmirësimi i grumbullimit të taksave.

Rritja ekonomike pritet të arrijë 3% në vitin 2015, 3.5% në vitin 2016 dhe 3.7%  në vitin 2017 mbështetur nga shtimi i investimeve të huaja, shtimi i konsumit dhe eksporteve.

Megjithatë, sipas Bankës Botërore kjo rritje mund të rrezikohet nga mosrealizimi i investimeve publike dhe pakënaqësia nga mungesa e vendeve të punës.

Mungesa e sigurisë energjitike mbetet pengesa kryesore për tërheqjen e investime të huaja të drejtpërdrejta.

Dobësitë makroekonomike, papunësia e lartë dhe varfëria kërkojnë reforma strukturore gjithë-përfshirëse për të nxitur rritjen ekonomike dhe për ta bërë atë të prekshme për të gjitha shtresat në Kosovë, përfundon rapaorti i Bankës Botërore.

Zbulohet edhe 1 ton marihuanë në Portin e Durrësit

Lënda narkotike u gjet në brendësi të një kamioni pak përpara imbarkimit të tij në një nga tragetet e linjës për në Itali. Tre persona u arrestuan

Afro 1 tonelatë marihuanë u sekuestrua nga policia shqiptare në portin e Durrësit mbrëmjen e së dielës. Sasia e madhe e drogës u gjet në brendësi të një kamioni të ngarkuar me lëndë drusore, pas njoftimeve që ishin marrë në rrugë operative. E ndarë në pako, marijuana ishte fshehur mes ngarkesës e cila kishte si destinacion Italinë. Gjatë gjithë natës, ndërsa shkarkonte kamionin, policia peshoi drogën e zbuluar, e cila në fund rezultoi të ishte 986 kilogram.

Policia njoftoi se ka arrestuar tre persona. Përvec shoferit dhe pronarit të mjetit Albert Doku, 51 vjeç, dhe Ervin Pëllumbi, 36 vjeç, të dy nga Durrësi, në pranga përfundoi dhe Gani Bushati, 55 vjec, nga Bushati i Shkodrës, i cili dyshohet të jetë personi që ka siguruar furnizimin me marijuhanë.  Veriu i vendi është identifikuar si një nga zonat e kultivimit të cannabis sativa-s.

Një javë më parë po në qytetin e Durrësit, policia zbuloi një tjetër rrjet të trafikut të marijuhanës. Ajo arrestoi 7 persona, mes të cilëve dhe sipërmarrës të fushës së ndërtimeve dhe karburanteve, të cilët përdornin si bazë një vilë të tyre në qytetin bregdetar, në të cilën u gjetën dhe u sekuestruan 700 kilogram lënë narkotike.

Verën e shkuar autoritetet shqiptare të ndihmuara nga avionë të specializuar të Guardia di Finanza-s italiane, identifikoi një sipërfaqe prej 44 hektarësh të kutivuar me cannabis sativa në zona të ndryshme të vendit, nga Veriu në Jug. Mbi 700 mijë bimë narkotike u asgjësuan gjatë ndërhyrjeve nga toka të policisë shqiptare.

Djali i Valentina Leskajt e merr për 25 vjet hekurudhën Ballsh-Vlorë

Partia Demokratike denoncoi sot marrjen me koncension nga djali i deputetes së PS-së, Valentina Leskaj të hekurudhës Ballsh-Vlorë për 25 vjet.

Deputetja e Vlorës, Liljana Elmazi tha në një konferencë për shtyp se fituesi është shpallur pa tender, si disa biznesmenë të tjerë që kanë marrë së fundmi kontrata nga Qeveria.

“Edi Rama ka vendosur t’i japë mikut dhe donatorit të tij, djalit të Valentina Leskajt, një ekskluzivitet qeveritar, për 25 vite. Hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë. Çdo mall që do transportohet për 25 vite, çdo pasagjer që do udhëtojë për 25 vite në këtë linjë, do paguajë paratë tek biznesmeni Arian Leskaj, mik i vjetër i Bashkisë së Edi Ramës, djali i nënkryetares së Kuvendit. Ky koncesion është bërë pa transparencë, pa garë, pa asnjë njoftim. Kemi të bëjmë me një biznes miliona eurosh në vit, duke ditur se në hekurudhën Leskaj, do të transportohet nafta që prodhohet në Ballsh, e cila shkon në Vlorë për t’u tregtuar më pas në Europë. Me filozofinë pa tender, me fitues të paracaktuar, që janë gjithnjë miqtë e Edi Ramës po jepen çdo ditë ekskluzivitete për dekada të tëra”, deklaroi deputetja e PD-së.

Sipas saj “Çdo ditë, pas çdo tenderi, pas çdo koncesioni, pas çdo pasurie kombëtare po shfaqet një mik i Edi Ramës, që ndan fitimet më të. Edi Rama është sot kryeministri më i korruptuar në Ballkan, dhe sipas raportit të punës së OSBE pasuria e tij llogaritet mbi 200 milionë euro. Pasuri e cila po rritet çdo ditë, pasi fondet shpërndahen nga Edi Rama, i cili cakton xhepat se ku duhet të shkojnë paratë e shqiptarëve, duke i ndarë ato me miqtë dhe ndërtuesit e tij personal”.

Corriere Della Sera/ “Jeta në arrati e superpolicit Zagani:Edhe në Zvicër vrasësit po më kërkojnë – Në Shqipëri më duan të vdekur” (video)

Voal – TIRANE- Prestigjiozja italiane Corriere Della Sera i ka kushtuar një artikull të gjatë ish-shefit të Antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, i arratisur nga Shqipëria në muajin gusht, ku qëndronte në arrest shtëpie. Gazetarët e Corriere Della Sera e kanë takuar këtë të fundit dhe thonë se ai ndodhet në Zvicër. Zagani ka rrëfyer ndër të tjera se ka persona që duan ta vrasin.

“Prej disa orësh, më i kërkuari nga qeveria shqiptare dhe emri i parë në listën e të kërkuarve dhe të përfshirëve në trafikun e drogës, është një polic i njohur shqiptar, me një karrierë të guximshme në fushën e antidrogës dhe i vlerësuar nga forcat e policisë italiane falë bashkëpunimit për hetime dhe operacione të ndryshme. Pas urdhrit ndërkombëtar të arrestit, Dritan Zagani, 43-vjeçari i martuar dhe baba i tre vajzave ndiqet zyrtarisht nga agjentët e çdo kombi”, -kështu e nis shkrimin e saj gazeta italiane.

IMPLIKIMI I NJERËZVE PRANË QEVERISË NË LIDHJET E DROGËS

Në vitin 2014, kur ndiqte bashkë me Guardia di Finanza, gjurmët e drogës nga Shqipëria në Lombardia, Zagani arriti të zbulojë implikimin e njerëzve që konsideroheshin të afërt me qeverinë dhe çdo gjë mori të tatëpjetën. Ai “padrejtësisht” u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës për “shpërndarjen e informacioneve hetimore” tek italianët, diçka që mbi të gjitha “Unë gjithmonë e kam bërë në kuadrin e objektivave të përbashkëta dhe askush nuk ishte ankuar kurrë”,- citohet të ketë thënë Zagani.

Kjo i kushtoi gjashtë muaj burg në Tiranë dhe nëntë muaj arrest shtëpiak. “Unë u largova sepse donin të më eliminonin. Zgjodha Zvicrën dhe jo Italinë: Tek ju mafia shqiptare është e fuqishme dhe gjen këdo. Kjo ka ndodhur disa vite më parë, eliminuan një ish-agjent me një të kaluar të bezdisshme për shefin. Ai merrej me shpërndarjen e gazetave, ishte kthyer pothuajse në një fantazmë, por prapë e gjetën. Tani, disa shokë besnikë, një informator i mirë më ka qëndruar në krah, dhe e di që edhe në Zvicër vrasësit po më kërkojnë “.

NGA POLIC I SHKËLQYER NË “TRADHTAR”
Qeveria shqiptare është e bindur se Zagani është fajtor, edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shqiptare e kanë përsëritur këtë në publik, të vendosur për të mos fshehur asgjë dhe për të vepruar në transparencë të plotë, të bindur se kanë në dorë prova ta sigurta. Fitoret e shkëlqyera të policit në luftën kundër kriminalitetit dhe sjellja e tij prej “tradhtari” duke preferuar ti referohet autoriteteve italiane dhe jo atyre të qeverisë së tij, për hetimet e reja që kishte zbuluar, janë histori të ndryshme. Zagani nuk ka frikë për arsyen e thjeshtë se nuk ka asgjë për të humbur, por kërkon shpëtimin e familjes. “Unë iu luta autoriteteve zvicerane të strehojnë gruan dhe vajzat. Nëse është e nevojshme, unë jam i gatshëm të kthehem në Shqipëri, për të mbrojtur veten. Deri tani nuk më kanë lejuar. Kur më rrasën në burg, në qeli kisha tre kosovarët që sapo ishin arrestuar për drogë … pastaj, në sajë të zemrës së mirë të rojeve më zhvendosën në departamentin e të burgosurve me probleme të mëdha psikologjike … dhe këtu ishte një tjetër ferr … Mora arrest shtëpie, sepse pas gjashtë muajsh skadoi afati brenda të cilit ata duhet të më procedonin … “.

POLICJA TJETËR
Në këtë rast diplomatik ka edhe një tjetër person, sigurisht nga policia, por me kombësi italiane, e cila ndoshta ka një rol të rëndësishëm. Kjo është një zyrtare e cila kishte punuar gjatë samitit të G8 në Xhenova, e cila u dënua për dhunë dhe në vend që të zhduket ishte promovuar, me postin e “Përfaqësuesit italian të hetimeve” në Shqipëri, dhe mbante marrëdhënie të mira me Tiranën. Zagani thotë se është një rastësi e çuditshme që kjo e fundit është hequr nga Shqipëria, sapo nisi kjo çështje. Për çfarë arsyeje? Kjo nuk është pyetja e vetme. Për shembull si do të silleshin autoritetet e Zvicrës me policin e kërkuar dhe për të cilin është shpikur pseudonimi “Serpico”. Serpico, tashmë në pension ka qenë një agjent police në New York, që zbuloi sistemin e korruptuar brenda policisë, duke përfshirë ryshfete dhe favore. Në atë kohë (në vitet gjashtëdhjetë) Serpico kontaktoi New York Times për të zbuluar skemat e korrupsionit dhe emrat. Gazetarët shqiptarë janë duke u marrë me rastin e Zaganit. Por njëri prej tyre, më luftaraku, na tregon se nuk ka më një vend pune dhe vazhdon të këmbëngulë edhe pse “nën kërcënim të rënda”./ (Përktheu redaksia e BalkanWeb)

 

La Repubblica alarmon Italinë – Pritet fluks i refugjatëve nëpërmjet Shqipërisë

“Emigrantët, samiti BE. Ekziston rreziku i një rruge të re Shqipëri- Itali” është artikulli i të përditshmes italiane “La Republica” ku ka përcjellë një informacion konfidencial të marrë nga burime të Bashkimit Evropian mbi rrezikun e hapjes së një rruge të re të trafikut të emigrantëve nga Shqipëria drejt Italisë.
 “Zgjidhje të përbashkëta në shenjë të solidaritetit europian e përgjigje konkrete nga ana e vendeve të BE e ekstra komunitare për t’i bërë ballë krizës së emigrantëve. Takimi i Brukselit përpiqet t’u gjej një sintezë kërkesave të vendeve që gjënden përgjatë rrugës Ballkanike.
Në samit u shfaq preokupimi i BE se skafistët mund të hapin këtë dimër një rrugë të re trafikimi mes Shqipërisë e Italisë, nëse kufijtë ballkanikë të BE do të jenë të mbylluara nga kontrollet e shumta. E referon këtë fakt një burim i BE në prag të mini samitit ku mori pjesë dhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Ky preokupim ka shtyrë liderët e pranishëm të vendosin shtimin e kontrolleve në rrugët tokësore mes Greqisë e Shqipërisë.
Një rinisje e fluksit të emigrantëve nga Shqipëria drejt Italisë do të thotë një rikthim në të kaluarën, 20 vjet pas kur gomonet e anijet e shqiptarëve kapërcenin 50 miljet e Detit Adriatik për t’i shpëtuar kaosit në të cilin kishte hyrë vendi pas rrëzimit të regjimit komunist”, shkruan “La Repubblica”.

Berisha: 11 anëtarë të Qeverisë marrin shpërblime nga Greqia

Pas publikimit të lajmit se shefi i kabinetit i ministrit të Jashtëm, Pirro Vengu, u thirr për të kryer detyrimin ushtarak në Greqi, ish-kryeministri Sali Berisha deklaron se 11 anëtarë të kabineteve qeveritare marrin pensione familjare si minoritarë në Greqi.

Duke cituar burime të besueshme pranë tij, Berisha shkruan se vendimet që ata marrin në emër të shtetit shqiptar ngrenë dyshime për konflikte interesi në raport me vendin fqinj.

“Burime te besueshme njoftojne se njembedhjete anetare kabineti qeveritar kane marre apo marrin pensione familjare (per nenen ose babain ose per te dy) si vorio-epiriot nga fondi i pensioneve te Greqise paçka se ne te vertete ata nuk jane me origjine greke. Nuk dihet nese kemi te bejme me fallsifikim dokumentash per origjinen e perfituesve te ketyre pensioneve apo perfitim pensionesh thjesht ne kuadrin e nje politike driteshkurter helenizuese qe ndjekin ne frymen e vjeter autoritet e vendit fqinj.”,-shkruan Berisha në profilin e tij në “Facebook”.

Ish-kryeministri kërkon ndërprerjen e pensioneve ndaj zyrtarëve shqiptar nga pala greke, përveç atyre që kanë punuar me kontribute në Greqi.

“Kerkoj nderprerjen e menjehershme te perfitimit te ketyre pensioneve nga te gjithe anetaret e kabinetit dhe zyrtaret e larte shqiptare, pervec rasteve kur familjari ka punuar si emigrant ne Greqi dhe perfiton pensionin ne perputhje me kontributet e tij ne fondin e sigurimeve shoqerore te vendit fqinj”,-thotë Berisha.

BIRN: Pse duhen 8 jaguarë të rinj vetëm për kryeministrin Rama?

Qeveria dhe Garda: Çmimi i makinave sekret shtetëror!!!

Qeveria shqiptare ka ndër mend të blejë 44 makina me qira financiare përmes një procedure prokurimi sekrete të organizuar nga Garda e Republikës. Një vendim i qeverisë i 19 marsit 2015, i cili nuk u publikua në faqen e qeverisë kryeministria.al në atë kohë, urdhëron të gjitha institucionet shtetërore të dorëzojnë te Garda e Republikës fondet që kanë në dispozicion për makinat e titullarëve si dhe ngarkon gardën të kryejë procedurat e prokurimit të mjeteve të reja. (kliko këtu për të lexuar vendimin e qeverisë).

Lajmi u publikua fillimisht nga Vizion Plus, i cili njoftoi pak ditë më parë se makinat që do të blihen janë të markës Jaguar dhe se kushtojnë 95 mijë USD copa.

Vendimi i qeverisë thotë se Garda do të blejë gjithsej 44 automjete, nga të cilat, 8 për kryeministrin, 14 për këshillin e ministrave, 4 për kryetarin e Kuvendit, 2 për presidentin dhe nga një për 16 ministri të tjera të linjës.

Vendimi i qeverisë i jep gjithashtu të drejtë Gardës së Republikës që të mos ndjekë procedurat normale të prokurimit me garë duke argumentuar se çështja është sekret shtetëror për arsye sigurie.

Përveç tetë makinave që do të blihen për ‘titullarin e institucionit’ të kryeministrisë, vendimi i qeverisë i kërkon gardës të blejë edhe 14 makina të tjera për ‘aparatin e institucionit’. Kryeministria është i vetmi institucion që do të blejë makina jo vetëm për titullarin, por edhe për aparatin. Ministritë e tjera do të blejnë nga vetëm një makinë secila.

Kostoja e kësaj blerjeje nuk është e qartë dhe transparente. Vendimi thotë se “Garda e Republikës së Shqipërisë, si organi qendror blerës, të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondeve buxhetore, të miratuar për çdo institucion”, pa sqaruar se për sa fonde bëhet fjalë./BIRN

Qeveria deklaroi pas kësaj nëTransparenca.al se marrja me qira e këtyre makinave do të kushtojë më pak se sa mirëmbajtja e flotës aktuale, por refuzoi të publikojë dokumentet dhe nuk sqaroi gjithashtu nëse Garda e Republikës ka bërë ndonjë garë apo jo për blerjen e këtyre makinave. Transparenca.al është një faqe e krijuar nga zyra e kryeministrit ku zakonisht publikohen reagime ndaj akuzave të opozitës, por pa publikuar ndonjë dokument konkret, siç sugjeron emri.

Sipas Transparencës, lizingu i 22 makinave që do të merren nga kryeministria, pritet të kushtojë 494,520 euro në vit, me një kosto mesatare prej rreth 22 mijë euro për makinë për vit.

Vendimi i qeverisë nuk është publikuar në faqen kryeministria.al, siç veprohet zakonisht me vendimet, duke shënuar një rast tjetër të mungesës së transparencës. Qeveria aktuale kur mori detyrën në shtator 2013, synoi fillimisht të mos i publikojë vendimet e veta, një traditë që qe themeluar në vitin 2003 bashkë me krijimin e faqes së parë të qeverisë në internet, keshilliministrave.gov.al.

Lizingu është një instrument financiar në bazë të së cilit, blerësi merr një mall me qira për një periudhë të caktuar. Në varësi të kontratës, malli, në rastin konkret, makina, i rikthehet shitësit në përfundim të kontratës ose i kalon nën pronësi blerësit. Ndryshe nga rasti i makinës së blerë, në lizing, blerësi paguan edhe qiranë financiare, pra një lloj interesi mbi makinën që përdor si dhe ka kufizime në numrin e kilometrave të kryer në varësi të kontratës.

Lizingu është një skemë financiare më e kushtueshme se sa blerja e drejtpërdrejtë e një makine, por kjo nuk është e qartë në rastin e blerjeve që po bën qeveria shqiptare për shkak se të dhënat financiare, vlera e makinës së blerë dhe qiraja e saj nuk janë publike nën arsyetimin se përbëjnë sekret të Gardës së Republikës./ BIRN/

Zbulohet vendimi – qeveria do marrë 44 makina luksoze e jo 26, shumica do përdoren nga Rama

Zbulohet vendimi i qeverisë për marrjen me qira të makinave që do të përdoren në pjesën dërrmuese të saj do të jenë në përdorim nga qeveria. Numri i makinave që do të merren me qira apo do të blihen nuk janë 26 makina, por do të jenë 44 të tilla.

Vendimi është dhënë në datën 19 Mars 2015, por që nuk është bërë publik siç zakonisht është bërë traditë.

E frika e një reagimi ka detyruar qeverinë që ta fshehë për më shumë se 7 muaj një vendim të tillë, që ditët e fundit ka sjellë reagime të shumta, nga media dhe opozita. Marrja me qira e këtyre makinave luksoze “Jaguar”, prodhime të fundit është cilësuar si e panevojshme dhe një skandal nga Partia Demokratike.

Por nëse Garda e Republikës që është edhe subjekti që do të merret me këtë tender të denoncuar,  e ka ruajtur sekretin, vendimi është bërë publik siç e shikoni më poshtë:

Vendimi-Per-Makinat-1

Vendimi-Per-Makinat-2

Denoncimi tek Berisha: Ambasadorja jonë në SHBA, e lidhur me krimin

Deputeti i PD-së Sali Berisha ka akuzuar ambasadoren shqiptare në SHBA, si të lidhur me trafikantë dhe kriminelë.

Berisha i referohet një denoncimi nga një person anonim që jeton në SHBA. Sipas denoncimit, ambasadorja Floreta Faber kryen takime me kriminelë dhe është e lidhur me Genti Xhixhën, personi i akuzuar se drejtonte rrjetin e kokainës dhe fabrikën në Xibrakë.

Personi që denoncon ambasadoren thotë se ka edhe korrespondencat që faktojnë sipas tij, lidhjen e znj. Faber me kriminelë dhe trafikantë.

“Të dashur miq, ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, mbesa e sul Bushatit dhe kushërira e Ditëziut ministër, që sa ishte në Shqipëri shquhej për falsifikim deklaratash dhe dokumentesh, mban lidhje të forta me elemente kriminale të diasporës shqiptarë në SHBA.

Njësoj si kushëriri i tij ministër, është vëlla me narkotrafikantin Genti Xhixha, Floreta ambasadore ka preferenca të hapura ndaj elementëve të malavitës dhe trafiqeve shqiptare”, shkruan Berisha.

Kujtojmë se znj. Faber kur ka qenë pjesë e Dhomës Amerikane të Tregtisë, është përplasur disa herë me Berishën, që në atë kohë ka qenë kryeministër.

DENONCIMI

“I nderuar Z. Berisha,

Uroj te jeni mire dhe me perkushtimin që ju karakterizon. Kemi komunikuar edhe më parë bashkë ku ju kam shprehur shqetësimet e perfaqesimit diplomatik këtu në SHBA, por incidenti i fundit i ambasadores shqiptare këtu ishte i pa precedent. Pasi kishte kërkuar vetë një takim me një grup intelektualësh dhe studentësh në Detroit, Michigan i bojkoton këta të fundit dhe nuk paraqitet në takim.

Axhenda e saj e përgatitur nga disa individe me precedentë penalë në SHBA e drejton ambasadoren për darkë tek kolegu i tyre i sapo dalë nga burgu federal ne SHBA. Ambasadorja mendjeshkurter bojkoton studentet dhe intelektualet per te vizituar dhe darkuar me kriminelet.

Edhe pse kuptojme qarte qe ambasadorja ndjek linjen kriminale te qeverise që përfaqëson pjeses së shëndoshë dhe intelektuale te diasporës i vjen keq per një përfaqësim kaq të dobët dhe injorim flagrant te vlerave që përfaqëson.

Sot ne televizionet lokale ka dale dhe një deklaratë për shtyp e këtij incidenti. Kryetari i Dhomës se Tregtisë dhe Përfaqësuesi i Shoqatës Kulturore Shqiptare ne Detroit Z D.B. diaponon të gjithe korrespondencen te cilën mund tua dërgojmë. Besojmë që do të jeni zëri ynë për këtë incident të shëmtuar.

Borxhi i qeverisë rrezikon sistemin bankar – alarmin e jep Banka e Shqipërisë

Borxhi i qeverisë rrezikon sistemin bankar në vend. Alarmi vjen nga vetë Banka e Shqipërisë, e cila kërkon që, si qeveria ashtu dhe bankat të kenë kujdes nga rritja e borxhit të brendshëm publik në sektorin bankar, i cili aktualisht ka arritur në 57 përqind. Shqetësimi i Bankës Qendrore konstatohet në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.
“Sektori bankar zotëron rreth 57% të totalit të borxhit të brendshëm emetuar nga qeveria shqiptare. Kjo madhësi, reflekton varësinë e palëve ndaj performancës së njëri-tjetrit, si dhe evidenton nevojën për të vlerësuar rreziqet potenciale nga ky ekspozim”, thotë shprehimisht BSH në raportin e saj më të fundit. Por bankat e nivelit të dytë duket se e kanë nuhatur prej kohësh këtë rrezik. Siç konstatohet dhe nga ekspertët e BSH, bankat kanë reaguar ndaj rrezikut që u kanoset nga qeveria, duke rrudhur investimin e tyre në letrat me vlerë. “Ritmi vjetor i rritjes së investimeve të bankave në tituj, të cilat përbëhen kryesisht nga letrat me vlerë të qeverisë, është ngadalësuar. Në qershor 2015, ky portofol vlerësohet në 321.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 2% (nga 8.7% një vit më parë) dhe përfaqëson 24.5% të totalit të aktiveve”, thuhet më tej në raport.
Bankat bojkotojnë qeverinë 
Frika e bankave ndaj qeverisë, duket se ka detyruar këtë të fundit të kërkojë borxh në tregun e huaj. Në fakt qeveria ka deklaruar më parë se ka kërkuar treg të huaj borxhi, pasi dëshironte t’u linte mundësi kreditimi individëve dhe bizneseve në vend, por në raportin e BSH, thuhet tjetër gjë. Sipas këtij raporti, në fakt kanë qenë bankat ato që kanë braktisur investimet në letrat me vlerë të qeverisë. “Gjatë periudhës, aktivet e sektorit bankar shqiptar u zgjeruan me 1.5%, duke u ngjitur në nivelin 1,313 miliardë lekë dhe duke përbërë rreth 92.7% të PBB-së. Zgjerimi i aktiveve u evidentua në formën e investimeve ndërbankare, kryesisht në subjekte jorezidente, dhe në zgjerimin e lehtë të portofolit të kredisë. Në të njëjtën kohë, sektori ka tkurrur portofolin e investimeve në letra me vlerë, si ndaj subjekteve jorezidente, ashtu edhe ndaj qeverisë shqiptare. Ky zhvillim reflekton edhe preferencën e shfaqur nga qeveria për financimin e deficitit me burime të huaja. Në terma vjetorë, aktivet e sektorit bankar u rritën me 4.8%, nga 4.1% që ishin një vit më parë. Kontributin më të lartë në këtë ecuri e dha zgjerimi i portofolit të kredisë, me rreth 6%. Edhe portofoli i investimeve ndërbankare dhe ai i letrave me vlerë janë zgjeruar respektivisht me 4.4% dhe 2%”, citon raporti, sipas të cilit, kërkesa për huamarrje nga qeveria dhe preferenca e investitorëve kanë mbështetur rritjen e vëllimit të emetimeve në formën e obligacioneve.
Emetimet e titujve të borxhit të qeverisë në formën e obligacioneve u rritën në 55.9 miliardë lekë, rreth 7.2 miliardë lekë më shumë se gjashtë muaj më parë dhe 18.6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Kjo rritje është ndikuar pozitivisht nga zgjerimi i emetimit të titujve me afat maturimi 2- dhe 3-vjeçar (për rreth 15.5 miliardë lekë), dhe është ndikuar negativisht nga tkurrja e emetimit të titujve 5-, 7- dhe 10-vjeçarë të cilët ranë me mbi 8 miliardë lekë. Gjatë periudhës, norma e ponderuar e kthimit nga obligacionet shënoi rënie me 0.4 pikë përqindjeje, në nivelin 6.1%. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2015, situata në tregjet financiare ka qenë e qëndrueshme.

Në Shqipëri kremtohet Dita e Ashures

Ceremonia në nder të kësaj dite, ka filluar me fjalën e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe më pas besimtarët, por edhe qytetarë të shumtë kanë vizituar ambientet e selisë së Kryegjyshatës…

TIRANË – Besimtarët bektashianë në të gjithë Shqipërinë kanë kremtuar sot Festën e Ashurës, ku është organizuar edhe një ceremoni e veçantë në selinë e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

Ceremonia në nder të kësaj dite, ka filluar me fjalën e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe më pas  besimtarët, por edhe qytetarë të shumtë kanë vizituar ambientet e selisë së Kryegjyshatës për të shijuar ashuren he për të shkëmbyer urimet me njëri-tjetrin.

Selinë e Kryegjyshatës e kanë vizituar edhe personalitetet shtetërore, si ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, Blendi Klosi, deputetë të Kuvendit, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, ku me tyre ishte edhe ambasadori i Turqisë në Shqipërisë, Hidayet Bayraktar.

Besimtarët e  shumtë që vijnë nga të gjithë qytetet e Shqipëria vizituan edhe Faltoren Qendrore të Komunitetit Bektashi (Odeoni) që u inaugurua në fillim të muajt shtator të këtij viti.

Kjo ditë nga bektashinjtë ka nisur të kremtohet në Shqipëri që pas rënies së regjimit komunist dhe rihapjes së institucioneve të besimit në vend, për të vazhduar pa ndërprerë.

Shikoni ku jemi si komb:Savra, gulagu i shqiptarëve – Familja e Lavdi Kabës 75 vjet në internim diktaturë e tranzicion Nga Agim Pipa


Savra është një lagje e jashtme e qytetit të Lushnjes, vetëm 3 kilometra larg saj. Një lagje e varfër dhe pa formë, larg, shumë larg Europës, ku duam të shkojmë. Një lagje e ndërtuar në kohën e diktaturës komuniste dhe shëndrruar në një geto për mbi 1.500 jetë njerëzish. Pikërisht këtu, regjimi i egër komunist, ngriti një kamp internimi për kundërshtarët e tij politik. Njerëzit, që vuajtën këtu ferrin dantesk për më shumë se 40 vjet, qysh nga koha e krijimit të kampit, e quajtën Savrën gulagun shqiptar, pas atij të Spaçit, Gradishtës dhe Tepelenës.Njeriu, që shoqëron grupin e xhirimit të A1 Report dhe të Shqiptarja.com në një udhëtim të trishtë, por të nevojshëm në këtë lagje të harruar, është mësuesi i vjetër i fshatit, Vasfi Belliu. Ndërgjegja e tij e rënduar, edhe për shkak të moshës, nuk është e qetë. Si dëshmitar i kohës së diktaturës këmbët e sjellin herë pas here në ish kampin e internimit, ku jeta vazhdon të paraqitet si një gërmadhë e së shkuarës. Pamje e rëndë, trishtuese. Një mëhallë me shtëpi dhe baranga të pabanueshme, që shërbyen si strehë përmbi 70 familje me njerëz të pafajshëm.

Njerëz që, si gladiatorët në rendin skllavopronar, i nxirrnin çdo ditë në sheshet e mizeries të ndesheshin me vdekjen. Hijet e së djeshmes në kasollet, që duket sikur po japin shpirt, lëkunden si fantazma në dhomat e rënduara me kujtime të trishta. Në çdo kasolle çdo objekt, çdo send, fsheh mijra sekrete nga jeta e vështirë e banorëve të internuar nga regjimi i egër komunist. Lagjia, ose kampi i internimit, edhe sot e kësaj dite, është disi e veçuar nga dy lagjet e tjera të Savrës dhe pothuaj askush nuk është kujdesur më për këtë pjesëz Shqipërie, ku memoria e historisë është gati të shfaqë tragjeditë e mijra njerëzve, që jëtuan nën diktaturë, në një qiell gri dhe nën një pushtet absolut nën ndikimin e vdekjes.

Në këto baranga, që u ngjajnë fantazmave, deri 24 vite më parë kanë jetuar familjet e internuara të 5 ishkryeministrave shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore. Në Savër jetuan familjet e Koço Kotes, të Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Mërlikës dhe Fiqiri Dines. Por edhe të Hasan Dostit e Abaz Kupit, si edhe familja e ishprefektit të Tiranës, Qazim Mulletit dhe dhjetra familje të tjera të njerëzve të deklasuar, që diktatura e egër i vuri nën kthetrat e vdekjes.

Behari dhe Lavdiu, miq në të dy kohët

Në Savër nuk ka qetësi. Koha duket sikur ka ngelur në vend, gulagu i djeshëm vuan edhe sot mungesën e infrastrukturës dhe banorët e shfaqin me trishtim atë që po ndodh ende në Savër. E trishtuar edhe një  grua e thyer në moshë. E internuar dikur në Roskovec të Fierit, ajo jeton një tjetër dramë, atë të varfërisë dhe kushteve të këqia të jetesës; dramë që Bukuroshe Çako e quan një internim të dytë, por të ftohtë dhe jo të egër dhe ballpërballë me vdekjen, si në diktaturë. Pas vitit 1990, të internuarit e braktisën gulagun e Savrës dhe u shpërndanë në Tiranë, në Europë dhe në Amerikë.I vetmi dëshmitar i asaj kohe, i mbetur ende gjallë në Savër, është pikërisht një burrë i braktisur, reth të 50-tave. I harruar nga të gjitha qeveritë dhe pushtetet. Ky është Lavdi Kaba, lindur i internuar, qysh në bark të nënës së tij të mirë dhe të pafajshme, ashtu si dhe krijesa e saj. Familja e Lavdiut, ardhur këtu nga fillimi i viteve ’60 të shekullit të kaluar nga Dibra, ishte një prej të shumtave, të internuara në Savër, pasi babai i tij u shpall armik i popullit dhe i diktaturës komuniste.Ah, dhe për fat të keq, ai dhe familja e Lavdiut, jetojnë ende si në kohën e diktaturës, në një internim të dytë, rrethuar nga skamja dhe varfëria e thellë, papunësia dhe mungesa e perspektivës. Në të njëjtën kasolle, në kasollen ku jetoi kohën e internimit pra, mes mjerimit dhe standarteve mizerabël. Nuk është në gjendje të shfaqet para kameras dhe qëndron larg saj. Shtëpia ku jeton Lavdiu i harruar nga të gjitha qeveritë, pas rënies së diktaturës, është e njëjta shtëpi, e njëjta kasolle. Me mure balte dhe me kallama. Me tavanin, që ka vite që është amortizuar krejtësisht dhe, po të mos ishin fqinjët, Behari dhe disa burra të tjerë të fshatit, ndoshta…ndoshta ai tavan do të ishte bërë shkak i mbylljes së jetës dhe i tragjedisë pafund të Lavdiut, gruas dhe dy fëmijëve të tij.O Zot, çfarë tmerri! Kasollja, në anë të kopshtit ka një tjetër barangë me çati teneqeje dhe dritareza, ku merimangat jetojnë të pashqetësuara dhe, poshtë saj, një biçikletë e kohës së “nemces”, prehet e qetë, bashkë me një tufë objektesh dhe sendesh pune, përdorur në arat e Savrës, kur Lavdiu dhe prindërit punonin në kooperativë, rrethuar nga togat e ushtarëve. Në dhomën e ndenjes, vetëm dy divanë të vjetër, gjithë po ata të kohës së internimit. Një televizor i dhuruar mbi një tavolinë pa shkëlqim, disa varëse rrobash, një raft i vogël enësh, dy komodina, mbi njërën prej të cilave qëndron një makinë qepëse dhe, në qoshen e murit, nga ana e derës, një pemë e vogël krishtlindjesh, ende e pambledhur.Ndërsa ngjitur me dhomën e ndenies, dhoma e gjumit të dy fëmijëve. Unë psherëtij gjatë. Në dhomë ka vetëm një krevat dopio, vendosur aty qyshse dy fëmijët ishin akoma të vegjël. Sot, që djali është rritur dhe mëson në gjimnaz, fle poshtë, në dysheme; ndërsa lart, fle e motra. Lavdiu nuk është në shtëpi. As zonja e tij, e cila ka dalë të bëjë ndonjë lek me ndonjë punë pastrim shtëpish në qytet. Lavdiu është në qendër të fshatit dhe, pasi ne kryejmë xhirimet në shtëpinë e tij, nisemi ta takojmë. Trishtimi është i madh, rruga deri në qendër, akoma më e trishtuar.Lagjen e kampit e ndan me qendrën një rrugë mbushur me baltë, ashtu si edhe mjaft rrugica të tjera të fshatit. Thonë se Bashkia e qytetit ka ndërmarë një operacion të gjerë për hapjen e kanaleve të ujrave të zeza, që janë bërë gangrenë dhe vatër e infeksioneve për banorët e fshatit. Dhe se, së shpejti, edhe rrugët do të asfaltohen. Behari beson pak në premtimet e pushtetarëve, por gjene është optimist, se qeveria e re do të bëjë diçka për Savrën e tij. Ashtu siç do të bëjë edhe për Lavdiun, banorin e vetëm ngelur në fshat nga kampi i internimit qysh prej kohës së diktaturës.

Rrëfim rrënqethës
Lavdiu është aty, në një kafene të vogël, me tavolina dhe karrike të ndyra, në qendër të lagjes, që i ngjan një fshati. Bën ftohtë, fryn erë dhe ai ka veshur një xhiakovento të trashë, që gati sa nuk i mbulon këmbët. Ai ka ftohtë. Ai ka uri. Ai është zhytur thuajse në melankoli të plotë. Afrohemi me Beharin dhe, pas prezantimit, Lavdiu më sheh mosbesues. “Nuk kam ç’them më, ju i patë të gjitha tek shtëpia. Ju lutem, më lini rehat. Ohhhh…” Ai, ve pëllëmbën e dorës së djathtë mbi fytyrë dhe unë shoh, si ai burrë i lodhur nga jeta, qan. Më mblidhet një lëmsh në grykë dhe nuk mund të flas më.

Pas disa minutash, e pyes: “Keni pasur vizitorë në shtëpi? Deputeti i zonës? Kryetari i Bashkisë? Ose kryeplaku i lagjes?” “Jo, nuk ka ardhur askush…Por, do vijnë…Gati e kam votën. Unë, votoj. Ata, nuk vijnë…” “Dhe punë, nuk mundesh të shkosh?” “Ku është puna? Unë jam jetim; unë jetoj me ndihma. Unë…” – dhe ai përmbytet sërish në lot.

Kurrë, kurrë nuk kisha parë një burrë të lënduar aq shumë. Vendosa të mos e pyes më. Ose më saktë, nuk dija ç’ta pyesja më. Ai njeri ishte këtu, në Savër, qysh prej ditës së lindjes, i internuar. Dhe vazhdonte të jetonte një tjetër internim, një tjetër izolim, atë të shpirtit të tij të plagosur. Për shkak të harrimit. Të braktisjes, të varfërisë dhe skamjes, të injorimit dhe përbuzjes, gati-gati prej të gjithëve. O Zot, si ka mundësi? Si?

Apel
Njerëz me pushtet dhe njerëz të ligjit! Ejani në Savër! Ejani ballpërballë me Lavdiun dhe flisni me të! Shikojeni të vërtetën e gulagut shqiptar në sy dhe më pas reflektoni dhe çlirojani prangat e skamjes, të varfërisë dhe të mizeries dëshmitarit të vetëm të mbetur ende gjallë në ishkampin e internimit, në Savër. Që ai të mos mbajë më emrin gladiator në luftë me vdekjen dhe të keqen. Njerëz, duajeni njeriun e mirë Lavdi Kaba dhe të gjithë ata, që vuajtën nën diktaturë në kampet e tmerrshme të internimit, këto lagje të errta të ferrit dantesk, që shfaqen herë pas here në realitetin dhe kujtesën tonë të përbashkët… –

24-10-2015 11-50-53
24-10-2015 12-02-33

Historia e Pirro Vengut – Nga MENTOR KIKIA

Pakkush e di se kush janë shefat e kabinetit të ministrave. Dhe në fakt s’kemi pse ta dimë, pasi ky nivel nëpunësish nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrje. Por, prej disa ditësh, ne kemi mësuar se shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm është një 30-vjeçar, Pirro Vengu quhet. Dhe shkaku pse ai është bërë publik është se ka edhe nënshtetësi greke. Dhe, meqë është nënshtetas i atij vendi, ai e ka trajtuar si gjithë shtetasit e tjerë, duke i dërguar një fletëthirrje për të kryer shërbimin ushtarak. Sipas ministrisë, ai e ka refuzuar shërbimin, duke paguar faturën financiare që parashikohet në të tilla raste.

Pasi u mësua kjo, në ‘kazanin’ e politikës sonë shpërtheu ‘skandali’. Opozita bëri debat në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe madje kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, pasi mu në majën e diplomacisë shqiptare punonte një nënshtetas grek. Madje një nënshtetas që kishte dhe një fletëthirrje për ushtar. Dhe kur vjen fjala për ushtarët grekë, ne kemi parasysh ata komandot që këndonin këngë marshimi “me zorrët e shqiptarëve do të bëjmë lidhëse për këpucët tona”.

Tani ky “Pirro greku”, ndoshta nuk do të këndonte kështu këngësh për “ne shqiptarët”, por ama sekretet e diplomacisë sonë mund t’ua përcjellë grekëve, të cilët mund të zbulojnë se çfarë kemi në plan ne për politikën e jashtme, në rajon e më gjerë.

Tani, përtej ironisë, shqetësimi është shumë i madh, për faktin se si mundet që një çështje e tillë të marrë kaq shumë vëmendje. Po e lëmë mënjanë median, e cila e ka për “detyrë” të jetë shpesh edhe më e ndjeshme seç duhet, por opozitës nuk i falet. Kur vjen fjala te raportet me grekët, shumë shqiptarë bëhen të ndjeshëm shumë, dhe në rrjetet sociale patriotizmi derdhet lumë me sharje. Por partia që synon të marrë drejtimin e vendit, nuk mund të jetë në të njëjtin nivel me politikën e “Facebook”-ut.

Mund të ketë edhe nga ata lexues që tani mund të më kryqëzojnë edhe mua që po kritikoj reagimin e opozitës, pasi mund të mendojnë se, kur një shqiptar me nënshtetësi greke është një drejtues i lartë në Ministrinë e Jashtme, nuk është gjë e pakët.

Unë mendoj se është jo e pakët, por është një hiçgjë.

Pirro Vengu (me nënë minoritare greke) është një nga ata shqiptarë që është rritur ne Greqi, pasi familja e tij kishte emigruar si mijëra familje të tjera nga Shqipëria. Pastaj është shkolluar në Greqi e më pas në Francë dhe ka punuar në institucionet politike të Europës në Francë. Me një CV të admirueshme për moshën që ka, ai ka pranuar ftesën e ministrit Bushati që të jetë në stafin e tij të ngushtë.

Sa shqiptarë ka që kanë emigruar në moshë të vogël me familjet, apo kanë lindur në emigracion dhe që janë shkolluar në shkolla të mira jashtë vendit? Sa shqiptarë ka që punojnë në institucione apo kompani ndërkombëtare në shtete të ndryshme? Sa shqiptarë ka që mbajnë sot nënshtetësinë greke, italiane, franceze, gjermane, amerikane apo britanike? Askush nuk i ka numëruar, por ka sa të duash. Ka mes tyre shumë të aftë dhe që çdo parti, para apo sapo merr pushtetin, i fton këta njerëz të zotë që të kthehen në Shqipëri. Çdo qeveri ka hartuar madje edhe programe për “thithjen e trurit”. Por ne harrojmë që këta “trutë” që na janë shpërndarë anekënd botës, mund të kenë, ndoshta jo të gjithë, edhe nënshtetësinë e vendeve ku jetojnë e punojnë aktualisht. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe. Edhe në qoftë kjo nënshtetësi greke apo edhe serbe, po të duam. Sepse, së pari, ai është një shtetas shqiptar dhe si i tillë mund të punojë në çdo vend të mundshëm pune.

Por, a duhet të kujdeset qeveria për pastërtinë e figurave që janë në krye të diplomacisë dhe jo vetëm? Pa dyshim që po! Dhe për këtë ka struktura të tjera, të posaçme, shteti. Ndaj ka shërbim sekret, edhe brenda shërbimit diplomatik, edhe brenda Ministrisë së Jashtme e kudo tjetër, struktura që janë përgjegjëse për sigurinë kombëtare. Nëse Vengu do të kishte bashkëpunuar me ndonjë shërbim grek, duke i përcjellë atij dokumente sekrete të Ministrisë së Jashtme shqiptare, atëherë ministri i Jashtëm jo thjesht duhej të jepte dorëheqjen, por edhe duhej hetuar për këtë emërim. Ndërsa Vengu, pa dyshim që duhej arrestuar. Por deri tani nuk ka asnjë dyshim të tillë; kjo ndoshta edhe për faktin se grekët s’kanë ngelur t’i marrin vesh gjërat nga Pirroja.

Atëherë, përse e gjitha kjo zhurmë? Një argument për të bërë opozitë ndoshta? Por siç duket, kjo është një çështje nga e cila nuk del kapital politik, sado ta shtrydhësh. Edhe sepse Pirro Vengu nuk është Pirro Dhima, sepse Vengu u formua në Greqi e Francë dhe u kthye të punojë në Shqipëri. Madje mendoj që, nëse do të vijnë më shumë njerëz të tillë, që janë diplomuar në universitetet e Europës dhe jo në kampingjet e rinisë politike në gjirin e Jalës, do të kemi një administratë shumë më të mirë.

Unë nuk jam i lumtur! – Nga Erjon Braçe

UNE NUK JAM I LUMTUR: Me ngre nervat ineficenca dhe vonesa pas voneses per prodhimin e bujqit!

Ne fshat, per bujqit eshte nje e mire afatgjate formalizimi, paisja me Nipt (numer identifikimi fiskal); nuk ka asnje kosto e nuk sjell asnje pasoje fiskale, tatime e taksa.

Por, qe te arrije tek Nipt­i, nje bujk duhet te lere diten e tij te punes, te shkoje ne drejtorine e llahtarshme te Bujqesise ­te prese ne radhe e nese i vjen radha ate dite, te shkoje me pas ne drejtorine rajonale te Tatimeve­te prese ne radhe, jo nje dite, mbase dy e kushedi edhe tre, per te bere aplikimin, vetem per aplikimin.

Numri i Nipt­it do kohe, sistemi nuk krijon mundesi.

Por kjo kohe eshte kohe pune per cdo bujk dhe puna per bujkun eshte e vetmja mundesi per te ardhura.

Dhe jo vetem:

Mungesa e Nipt­it per bujkun e blegtorin, per shkak te kontrollit te drejte mbi grumbulluesit qe abuzojne rende, do te thote edhe produkt ne ruajtje.

Ashtu sic edhe masa tjeter e domosdoshme per te kontrolluar grumbulluesit, ajo e pageses per bujqit e blegtoret vetem permes Bankes:

Po vonon pagesat tamam per bujqit e blegtoret prodhues.

Dhe jo vetem:

Por rrit kot me kot kostot e bujkut me komisionet bankare.

Zgjidhjet janë aty mes bujqve.

Dhe nuk ka përse administrate të vonohet.

E thjeshte:

Aplikimi per Nipt te zgjerohet e afrohet ne zyrat e bashkive te reja!!

Pagesat e parave te behen edhe permes Postes:

Pagesat e parave te diferencohen­shumat deri ne 100 mije leke te paguhen ne dore, mbi kete nivel ne Banke e

Poste!!

Po te degjosh zgjidh, nuk vonon, as prodhimin e as parate per bujqit!!

PËRJETËSISHT “TË INTERNUAR” Nga Tanush Kaso

Disa vite më parë, një televizion privat dha një emision me pamje nga vendinternimet e kohës së diktaturës, ku, për fat të keq, kanë mbetur ende në ato barake të vjetra, disa familje ish- të internuara për motive politike. Nuk pati asnjë reagim nga pushtetarët dhe as nga ish-të përndjekur me pushtet asokohe. Si ta kuptojmë këtë, tani në kushtet e një shteti, që thuhet se është “demokratik”? Dënimi me internim jepej nga shteti diktatorial, për ato familje ose individë, që gjoja paraqisnin “rrezikshmëri”, meqenëse ndonjë nga të afërmit e tyre ishte arratisur brenda ose jashtë shtetit.

Kështu, rreth treqind familje ishin ato, të cilat në gushtin e vitit 1949 u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës, si hakmarrje e verbër e shtetit komunist, për vrasjen e Bardhok Bibës, kryekomunistit të Mirditës, nga të arratisurit e “Komitetit të Maleve”. Shumë të moshuar, gra e fëmijë të pafajshëm, gjetën vdekjen nga keqtrajtimi, nga uria dhe nga sëmundjet në atë kamp Edhe në vendinternime të tjera, si në “Porto Palermo”, në rrethin e Krujës, të Beratit, të Lushnjës (Çermë, Grabian, Pluk, Savër, etj.), kanë vuajtur pa asnjë faj, shumë baballarë, nëna, gra, motra, vëllezër dhe fëmijë të atyre që ishin etiketuar si “armiq të popullit” vetëm sepse nuk pajtoheshin me ideologjinë sllavo-komuniste. Shumë vajza e djem u plakën në internim. Atje humbën shumë talente dhe u shkrinë shumë jetë njerëzore, sepse ashtu donte regjimi i diktaturës komuniste.

Por, erdhi një ditë kur Evropa dhe tërë bota e dënoi komunizmin si një ideologji mashtruese, barbare dhe rrënuese e të gjitha vlerave njerëzore. Popujt e përmbysën atë, së bashku me simbolet dhe monumentet e diktatorëve. (Në të vërtetë ra ideologjia komuniste, por jo ish-komunistët, të cilët u bënë edhe më të fuqishëm sesa ishin më parë). Megjithatë, mbas vitit 1991 pati njëfarë lehtësimi nga pesha e rëndë e diktaturës. Ra “perdja e hekurt” dhe kloni me tela me gjemba, që e kishin izoluar hermetikisht Shqipërinë nga Evropa dhe bota e qytetëruar. Shqiptarët filluan të lëvizin lirisht, brenda dhe jashtë vendit. Po kështu edhe ish- të përndjekurit politikë. Më 20 shtator 1991, ish- të burgosurit politikë zhvilluan grevën e tyre të parë të urisë, me pesë kërkesa jetike: 1) Pafajësia, për të gjithë të dënuarit politikë nga regjimi komunist. 2) Dëmshpërblimi, sipas normave ndërkombëtare. 3) Strehimi, në kushte normale jetese. 4) Punësimi, me përparësi, brenda e jashtë vendit. 5) Shkollimi, me përparësi, brenda e jashtë vendit. Kjo grevë pati një jehonë të madhe, në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Për rrjedhojë, mbas dhjetë ditëve, më 30 shtator 1991, Kuvendi i Shqipërisë i pranoi të gjitha kërkesat dhe miratoi njëzëri (pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim), Ligjin nr. 7514 Për Pafajësinë, Rehabilitimin dhe Dëmshpërblimin e ish- të Dënuarve dhe të Përndjekurve nga Regjimi Komunist. Filloi zbatimi i tij; por, kurrë nuk u zbatua ashtu siç duhej. Përfituan më shumë ata ish- të përndjekur politikë (të vërtetë e të pavërtetë), që u treguan “më të shkathët” dhe që u kapën fort mbas ndonjë partie e pas pushtetit.

Shumica e tyre u larguan nga vendinternimet, morën shtëpi falas në Tiranë e në ndonjë qytet të madh, privatizuan edhe disa objekte e pasuri shtetërore me “letra me vlerë”. Ish-të përndjekurit e ndershëm e të vërtetë, që vuajtën me vite të tëra për motive politike, morën vetëm “ca çikërrima”, ose asgjë. Ekonomikisht mbetën atje ku ishin. Disa u katandisën edhe më keq. U shkatërruan familjarisht. Arritën deri në vetëvrasje. Në zbatim të “Katovicës”, qeveria dha disa shtëpi për ish-të përndjekurit politikë. Por, në shpërndarjen e tyre u zbatua “ligji i xhunglës”: fituan “më të fortët”, falsifikatorët dhe mashtruesit. Qeveria asnjëherë nuk e kontrolloishpërndarjen e tyre. I la ish- të përndjekurit që të kacafyten midis tyre. Kështu, pati edhe një vrasje gjatë ndarjes së shtëpive të “CAFOD”-it, tishtë dhuruara nga ajo shoqëri fetare, bamirëse, angleze. Turma të përndjekurish vrapuan drejt kryeqytetit. Nuk pritën të strehoheshin në qytetet e tyre.

Në atë rrëmujë “qeverisjeje pa qeveri”, u pushtuan shkolla, konvikte, Kopshte e Çerdhe fëmijësh, nga të përndjekur e të papërndjekur politikë. Edhe këtë, e la vetë qeveria “Meksi” që të ndodhte, për të krijuar imazhin e keq për shtresën e ish- të përndjekurve politikë. Dhe ia arriti qëllimit. Ajo nuk ndërhyri asnjëherë për lirimin e atyre objekteve dhe për strehimin në banesa normale të familjeve në nevojë, të ish të përndjekurve politikë. Duke parë këtë zallamahi, ish- të internuarit e ndershëm, të pafuqishëm, pa miq e pa përkrahjen e “nënës parti”, mbetën atje ku ishin e ku janë edhe sot e kësaj dite. Me keqardhe të thellë i shohim ato fytyra të përvuajtura nënash e grash fatkeqe, të mbetura përjetësisht “në internim”, teksa na i paraqesin në faqet e rrjeteve sociale ish= të përndjekurit e vërtetë politikë, si Kujtim Çekani, Bedra Kaba e ndonjë tjetër. Po çfarë ndihme konkrete mund të japin tani, shokët tanë të nderuar të facebook-ut, dhe ne të tjerët, që nuk kemi as pushtet dhe as para, për largimin nga ato vendinternime ogurzeza, të atyre pak familjeve fatkeqe dhe për krijimin atyre, të kushteve normale të jetesës? Vetëm dëshira e mirë dhe fjalët e shkrimet, mendoj se nuk mjaftojnë.

Këtë do të kishin mundur ta bënin fare mirë vite më parë, disa ish-të internuar, ish-të burgosur e ish-të përndjekur politikë, të cilët ishin pjesëtarë të qeverisjes demokratike, deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, funksionarë të Ministrisë së Punës dhe Emigracionit, drejtues të ish-Komitetit Shtetëror të ish të Përndjekurve Politikë dhe të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Por, ata nuk e bënë! U kujdesën vetëm për vete e për rrethin e tyre familjar. E kam thënë dhe e përsëris, se nuk i falet ish- të internuarve si Simon Miraka, harresa dhe mosinteresimi për rregullimin e përmirësimin e jetës së atyre bashkëvuajtësve të mbetur ende në vendinternimet e dikurshme, si edhe për të tjerë që po vuajnë nga papunësia, mungesa e strehimit dhe nga varfëria kronike. Përmendim këtë person, sepse ka qenë për më shumë se dhjetë vjet drejtor i përgjithshëm i Institutit të Integrimit, gjatë qeverisjes demokratike dhe socialiste.

Ky institucion qeveritar ka pasur dhe mund të siguronte fonde të mjaftueshme, për të sistemuar me strehim në ndonjë qytet, edhe ato pak familje, që, për turpin tonë, vazhdojnë të mbeten përjetësisht “të internuar”. Kur ishte në atë post, zëri i tij dëgjohej nga pushtetarët e çdo ngjyre, më tepër sesa zëri i secilit nga ne. Tani, fjalët dhe shkrimet e tij i merr era. Ato, më së shumti tingëllojnë si hipokrizi.

Si e percepton rinia shqiptare të kaluarën diktatoriale?

Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen, kjo ishte ftesa për të rinjtë që kanë lindur në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ata u nxitën të tregojnë atë që nuk e kanë përjetuar, apo atë që nuk ka ndodhur ende përmes pjesmarrjes në një konkurs me gjuhën e kodeve kreative e fantazisë. Një konkurs unik në llojin e vet, ku aplikuan rreth 200 të rinj që pranuan të rëfejnë të shkuarën dhe të ardhmen, pa tabu e steriotipe. Organizatorja Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media e Kulturë kujton se një vit më parë kur gjjthçka ishte thjesht një ide, kishte ngurrim dhe skepticizën nëse do afroheshin të rinjtë, me mendimin se ata janë indiferentë e të mënjanuar për tema të tilla.

“Kjo vjen dhe ngaqë ata nuk ftohen të flasin e të debatojnë në orët e mësimit për këto. Por edhe pse kur bëhet fjalë për trajtimin e së shkuarës në Shqipëri ka politizim të çështjes. Fakt është që jemi të befasuar nga gadishmëria e tyre për të marrë pjesë në konkurs, për t’u shprehur.”

Ide e pikëpamje reflektive, të strukturuara lirshëm

Duke trajtuar probleme nga më të ndryshmet, afër dhe larg vendbanimit të tyre, konkurentët prezantuan ide e pikëpamje reflektive, të strukturuara lirshëm në vlerësim dhe ballafaqim me botën e tyre, duke formuluar mesazhe të drejtëpërdrejta për bashkëmoshatarët, prindërit, mësuesit, autoritetet.

Diana Marku nga Puka ishte një prej fituesve të konkursit. Ajo kishte në qendër të esesë integrimin në hapësirat urbane të familjeve nga zonat rurale dhe të parapambetura. Vetë familja e saj u zhvendos nga Puka për në kryeqytet në vitin 1993 dhe vetë ajo lindi një vit më vonë. Veç vështirësive social kulturore familjet e ardhura në kryeqytet hasën dhe në paragjykime të shumta, thotë Diana për Deutsche Welle-n.

“Babai shpesh përsërit historinë e shpërnguljes dramatike në Tiranë. Kur shoferi i automjetit e pyeste atë se ku do të ndalonte, ai nuk dinte të përgjigjej. Ishte një lëvizje e kushtëzuar nga mjerimi dhe mungesa e shpresës. Por dhe mjaft halle dhe mundime të tjera na prisnin. Mesazhi im është për mosparagjykimin mbi baza krahinore, fetare, gjinore, sociale etj. Kështu e shoh unë të ardhmen, kjo është e mirë për njerëzimin brenda dhe jashtë Shqipërisë”.

Ermelinda Lupi nga Vlora prezantoi një krijim të sajin si reflektim për evolimin e pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare. Rrugëtimi i saj fillon para vitit 1990 e deri në ditët e sotme, në evidentimin e metamorfozës së femrës, roli dhe ndikimi i saj në familje dhe komunitet. “Ka ndryshime të mëdha, ashtu si ka vend për ndërgjegjësim për njerëzit, se të drejtat dhe liritë e tyre nëpërkëmben ose injorohen. Mesazhi im është në favor të thyerjes së tabuve dhe mospranimit të sjelljeve patriarkale për femrën.” Thotë Lupi për Deutsche Welle-n.

Albanien Veranstaltung Born in the '90 in der Deutschen Botschaft in Tirana Aktiviteti “Born in the ’90” zhvilluar në mjediset e Ambasadës së RFGJ në Titranë

Të vëmendshëm që negativitetet të mos përsëriten në të ardhmen

Klajdi Marku nga Lezha është fitues i vendit të dytë në kategorinë e multimedias. Ai thotë se pjesmarrja në një konkurs me tematikë e tillë e intrigoi që në momentet e para. Doja tu tregoja prindërve të mi por dhe shokëve e miqve të mi mbi komunizmin. Kam bërë një asociacion të tillë, se si do të ishte jeta në atë kohë po të kishte rrjete sociale, shprehet Marku për Deutsche Welle-n.

“Nga ky këndvështrim ne krijuam një realitet tjetër me diktaturë dhe me rrjete sociale, një qasje që na ka zbavitur. Një fantazi që e përshkruan regjimin komunist, ashtu si nuk ishte. Përmes kësaj mënyre mua dhe miqve të mi, që kemi lindur pas vitit 1990 na janë ngulitur mjaft nga skenat më absurde dhe të pabesueshme që na kanë treguar prindërit. E treguar me art, me krijim, e kaluara është më mbresëlënëse, që ndergjëgjëson njerëzit të jenë të vëmendshëm që negativitetet të mos përsëriten më në të ardhmen”.

Por nëse në të shprehur të rinjtë gëlojnë me një fluks të paparë dhe original propozimesh, kur vjen pun ate veprimi dhe reagimi qytetar në terren ata janë ende apatikë, mendon publicisti dhe shkrimtari i njohur Fatos Lubonja, i cili ishte kryetar i jurisë së konkursit. Sipas tij, aksioni i të rinjve në terren për dukuri dhe fenomene negative nuk është në shkallën e duhur.

“Kjo është një sfidë e shoqërisë, e vetë të rinjve për të qenë aktivë në përballjen me problemet më të mprehta të vendit, si një zë i fuqishëm për drejtësinë, demokracinë, transparencën”.

Ky event u organizua nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë, në kuadër të kalendarit Tetori Gjerman 2015, mbështetur nga Ambasada Gjemane në Tiranë, Ministria e Mirëqënies Sociale e Rinisë, si dhe Telekom Albania.

Reforma në Drejtësi sot në Komisionin e Venecias

Ekspertët do të bëjnë prezantimin. Kryetari i Komisionit parlamentar Xhafaj, eviton praninë: “Mospjesëmarrja, një kontribut shtesë për të shmangur cfarëdo lloj insinuate që do të politizonte apo do të përdorej për të cënuar vlerat e reformës”

 

Komisioni i Venecias, një organ i specializuar i Këshillit të Euopës në fushën e legjislacionit pritet të marrë në shqyrtim projektin e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga Komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar për reformën në Drejtësi. Komisioni do të njihet sot me thelbin e këtyre ndryshimeve gjatë punimeve të sesionit të tij. Për prezantimin e projektit ishte ftuar kryetari i Komisionit ad Hoc Fatmir Xhafa, por ai e evitoi pjesmarrjen.

Në një letër dërguar kryetarit të Komisionit të Venecias, zoti Xhafaj shpjegon se “reforma është konceptuar dhe është duke u realizuar si një reformë e ekspertëve dhe profesionistëve të fushës së drejtësisë. Projekti me ndryshimet kushtetuese që i është përcjellë Komisionit të Venecias për opinion është në thelb fryt i punës së Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë,  (vendas e ndërkombëtar).Për këtë arsye mendoj që fjala në këtë sesion plenar të Komisionit të Venecias duhet të jetë për ta, për të përcjellë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, analizën, vlerësimin dhe zgjidhjet që ata kanë propozuar në këtë paketë të ndryshimeve kushtetuese”, shkruan zoti Xhafa.

Por anga ana tjetër edhe mosbesimi politik që ka shoqëruar procesin e reformës, me opozitën që vetëm në tre muajt e fundit ju bashkua komisionit, ka qenë një tjetër arsye. Edhe në letrën e tij zoti Xhafa shpjegon se “kjo është një reformë e thellë që synon ndryshime thelbësore në organizimin dhe funksionimin e institucioneve aktuale të sistemit. Eshtë normale që rreth saj të jenë prezente edhe debatet dhe kundërshtitë rreth tyre. Dëshiroj ta shoh mospjesëmarrjen time në atë tryezë të nderuar si një kontribut shtesë për të shmangur në këtë mënyrë cfarëdo lloj insinuate që do të politizonte apo do të përdorej për të cënuar vlerat e larta, paanësinë dhe profesionalizmin e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit”.

Paraqitja e propozimeve për ndryshime kushtetuese të cilat synojnë të sjellin ndryshime gati radikale në të gjithë sistemin e Drejtësisë shqiptare do të bëhet nga grupi i ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, Rainer Deville, Shef i Misionit EURALIUS të Bashkimit europian në Shqiperi, dhe Jon Smibert, Këshilltar Ligjor i misionit OPDAT të SHBA-ve në Shqipëri.

Nga ana e tij Komisioni i Venecias, pritet të japë një opinion mbi këto propozime brenda muajit dhjetor. Këtij Komisioni do t’i duhet të vlerësojë edhe një numër jo të vogël propozimesh të dërguara edhe nga opozita shqiptare, e cila ka hedhur dyshime mbi projektin e hartuar nga ekspertët e angazhuar nga Komisioni parlamentar. Propozime të tjera ka paraqitur edhe Lëvizja socialiste për Integrim, aleate e socialistëve. Realizimi i reformës në Drejtësi konsiderohet si një moment kyc që Shqipëria të bëjë përpara në procesin e integrimit europian dhe të mundësojë hapje e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Presidenti Nishani: E vërteta e përgjimit të familjes sime

Presidenti Bujar Nishani shprehet se do të kërkojë hetim për tentativën që iu bë për tu përgjuar dhe ai dhe familja.
Në një intervistë për Gazetën Shqiptare ai shprehet se hetimin do ta kërkojë në një moment kur drejtësia të mos jetë kaq e ndikuar nga qeveria.

“Natyrisht që ky qëndrim dhe reagim ka brenda mosbesimin. Unë e kam deklaruar dhe herë të tjera: konstatoj një ndikim dhe interferim jo të paktë të politikës, të qeverisë mbi institucionet e drejtësisë. E kam shprehur disa herë këtë shqetësim. Kjo është një çështje e rëndë, por jo më e rënda në realitetin shqiptar, e cila nuk duhet të shmangë vëmendjen nga çështjet që janë vërtet shumë serioze dhe në interes të publikut dhe të shtetit shqiptar që meritojnë një trajtim parësor”, deklaroi Nishani.

Sipas kreut të shtetit “është një çështje që ka problematika të rënda në vetvete. Pa diskutim që është dhe doza e një mosbesimi për shkak se përfshirja në të e pjesëtarëve të administratës shtetërore dhe ndikimi që ka vendosur qeveria mbi drejtësinë, më rezervojnë që unë të hedh hapa të tjerë. Por është një çështje e cila nuk ka rrezik të prezumimit dhe të moshetimit. Në momentin më të përshtatshëm dhe unë mendoj që do të ketë një të tillë, jo vetëm që do të bëhet publike, por do të kërkohet në mënyrë transparente e të drejtpërdrejtë hetimi i të gjithë elementëve”.

Meta 90 minuta me Ramën – nuk tërhiqet nga ndryshimet në Qeveri

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta duket se është i vendosur që ndryshimet në qeveri duhen në çdo moment.

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, aleatin e tij kryesor në një nga rezidencat qeveritare në Tiranë, Meta nuk iu nda shprehjes së tij të njëjtë: “Impulset duhen në çdo moment”,- teksa u pyet nëse me kryeministrin ishte folur për ndryshime në qeveri.
Do të prezantohet në Komisionin e Venecias drafti i hartuar për reformën në drejtësi, ka marrë kjo çështje vëmendjen në takimin informal që ju kishit?

Është një gjë shumë pozitive që nëse do të prezantohet drafti. Me sa jam unë në dijeni nga ekspertët ndërkombëtar që kanë punuar me draftin dhe natyrisht që do të jetë një hap pozitiv që Komisioni i Venecias të shprehet sa më shpejt, ndërkohë ne të vazhdojmë punën, të gjithë aktorët, të gjithë faktorët për ta çuar përpara këtë reformë.

Cili do të jetë përgjigja juaj për letrën që ju ka dërguar KLSH?

Nuk e kam marrë ende një letër të tillë, patjetër që kur ta marr do të konsultohemi…

I qëndroni ende idesë për impulse të reja në qeveri?

Impulset duhet në çdo moment…

Po përsa i takon letrës së dërguar nga z. Bylykbashi për komisionin e dekriminalizimit…

Besoj se jemi sqaruar dje me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me pretendimet z. Bylykbashi. Ka qenë vetë Partia Demokratike që e ka anashkaluar komisionin përmes propozimeve të drejtpërdrejta të projektit në Parlament. Është një ide gjithmonë e mirëpritur që të marri një rol të rëndësishëm ky komision dhe z. Bylykbashi dhe z. Balla të mblidhen sa më shpejt, sepse pothuajse gjithçka është rënë dakord dhe nuk e kuptoj pse po vonohet mbyllja e procesit të dekriminalizimit.
***

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi ka folur pas takimit në rezidencën qeveritare për komisionin e dekriminalizimit.

“Një nga temat që u fol ishte që përfaqësuesit tanë të shpejtojnë punën që a ka mundësi që brenda javës të miratohet ligji për dekriminalizimin. Nuk kuptohet me kushte dhe pa kushte kjo, puna po vazhdon”,- tha Ruçi.

Një ditë më parë kreu i PS-së, Edi Rama deklaroi se në asnjë nga takimet me Metën nuk i është kërkuar nga aleati i tij të ndërmarrë ndryshime në Qeveri.

Nga ana e tij Meta e ka shprehur disa herë publikisht se Qeveria ka nevojë për impulse të reja.

Mësohet se së bashku me krerët e dy partive të mëdha ishin edhe Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të PS-së dhe Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Takimit i janë bashkuar edhe Petrit Vasili e ministri i Drejtësise, Nasip Naço.

PD denoncon qeverinë: Jaguarët për Ditmirin, Damianin, Sajmirin dhe Beqen…

Partia Demokratike ka denoncuar tenderin e Qeverisë për të blerë 29 makina të reja luksoze me xhama të zinj. Përmes deputetit Edmond Spaho, në një deklaratë nga selia blu, PD thekson se kjo është një formë ‘shpërblimi i Ramës për ministrat e tij që e kanë kryer me sukses misionin e vjedhjes së shqiptarëve’.

“Ky është shpërblimi që ka Edi Rama për ministrat e tij që e kanë kryer shumë mirë deri tani misionin e vjedhjes, zvhatjes, e plackitjes së fondeve kudo, në çdo mundësi që u është dhënë.
Shpërmblim jo vetëm për ta, por dhe për koncesionarin, mikun e Edi Ramës ku do merren makinat.

Një jaguar i ri për Mimin dhe kushërirën ministre, për Ditmirin e Peleshin, për tërë bravo-cunat, e qeverisë, është mesazhi i Edi Ramës, për mijëra familje që nuk mbyllin dot muajin, për mijëra që kanë mbyllur dyqanet, për mijëra që po ikin nga sytë këmbët.

Ky është mesazhi i tij; nuk më intereson fare gjendja juaj, jeta juaj. Çfarë duhet tani është nga një jaguar për të dhe ministrat e tij që janë sot fytyrat më të urryera në vend, simboli i vjedhjes, korrupsionit e pasurimit me taksat e shqiptarëve, shkaktarët e mjerimit.

Një jaguar luksoz për Saimir Tahirin, i cili e ndan makinën e tij private me bandën e drogës, më pas thotë e kam shitur por pranon që ka shkelur ligjin duke mos e deklaruar, dhe në fund e merr sërish narko-taksinë kur shkon vetë me pushime.

Një jaguar luksoz për Ilir Beqën, kampionin e korrupsionit që jo vetëm ka marrë 28 tendera për kompaninë e tij private, rreth 11 milionë euro, por po shpërndan qindra milionë euro me koncesionet në shendetësi, tek miqtë e tij e të kryeministrit.

Një jaguar luksoz për Damianin që është në kallëzim penal për 479 milionë euro, dëmin më të madh të shkaktuar vendit në gjithë historinë e tij, me marrëveshjen kriminale të CEZ-it”,- tha Spaho.

Në kulmin e krizës dhe në kohën kur buxheti është shkurtuar për shkak se financat nuk arrijnë dot të mbledhin të ardhurat në arkën e shtetit, qeveria ka gjetur kohën për të pajisur me 29 automjete luksoze personalitetet e larta.

Me anë të këtij vendimi, Këshilli i Ministrave i ka ngarkuar si detyrë Gardës së Republikës që të zhvillojë një tender për marrjen e automjeteve, por pa përcaktuar fondin limit që do t’i zbritet buxhetit. Në fakt, përpara se të miratohet shuma e parave që duhet të vihet në dispozicion, Garda, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Transporteve duhet fillimisht të përcaktojnë detajet teknike dhe llojin e automjeteve, më pas kostoja për blerjen e tyre i ngarkohet institucioneve, të cilat do t’i përdorin. Pjesa më e madhe e makinave që do të blihen janë të tipit “jaguar” me fuqi motorike të mëdha, ndërkohë që specifikimet janë nga më absurdet.

Prishtinë – Marshimi i çadrave të bardha në kërkim të një zgjidhjeje politike

Përfaqësues të disa organizatave joqeveritare në Kosovë, kanë organizuar një marshim paqësor në Prishtinë, duke u bërë thirrje udhëheqësve politikë në Kosovë që të shmangin aktet e dhunshme në Kuvendin e Kosovës.

Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës, tha se liderët e partive politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duhet të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kriza aktuale në Kuvend.

“Ne jemi në përkrahje të presidentes (Atifete Jahjaga), e cila ka filluar ndërmjetësimin për gjetjen e një zgjidhjeje, një dialogu. Mendojmë që thirrja e seancës së sotme nuk është në shërbim të dialogut politik”, tha Kryeziu.

Marshimi ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në drejtim të Kuvendit të Kosovës.

Pjesëmarrësit mbanin në duar çadra të bardha, në shenjë paqeje.

Përse i duhen Qeverisë së Shqipërisë 29 makina luksi me xhama të zinj?

Në kulmin e krizës dhe në kohën kur buxheti është shkurtuar për shkak se financat nuk arrijnë dot të mbledhin të ardhurat në arkën e shtetit, qeveria ka gjetur kohën për të pajisur me 29 automjete luksoze personalitetet e larta.

Me anë të këtij vendimi, Këshilli i Ministrave i ka ngarkuar si detyrë Gardës së Republikës që të zhvillojë një tender për marrjen e automjeteve, por pa përcaktuar fondin limit që do t’i zbritet buxhetit. Në fakt, përpara se të miratohet shuma e parave që duhet të vihet në dispozicion, Garda, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Transporteve duhet fillimisht të përcaktojnë detajet teknike dhe llojin e automjeteve, më pas kostoja për blerjen e tyre i ngarkohet institucioneve, të cilat do t’i përdorin. Pjesa më e madhe e makinave që do të blihen janë të tipit “jaguar” me fuqi motorike të mëdha, ndërkohë që specifikimet janë nga më absurdet.

Në dosjen e siguruar nga Vizion Plus, ku jepen detajet e mjeteve që do merren, renditen opsionet e makinës, që nga numri i cilindrave, xhamat e errësuar e deri te timoni multifunksional me 3 krahë dhe aplikacione alumini apo airbagë te dritaret dhe sinjalizues për presionin e gomave. Vlera e këtij lloji automjeti, në faqen zyrtare të kompanisë që i prodhon, pa llogaritur opsionet ekstra, nis nga 95 mijë dollarë.

E kontaktuar nga Vizion Plus, Garda e Republikës u shpreh se nuk mund të nxirrte dot fondin që i duhet ministrive për të paguar makinat, sepse informacioni është i klasifikuar, por burimet në këto dikastere thonë se pagesa do të bëhet përgjatë 4 viteve, duke qenë se nuk mund të sigurojnë menjëherë të gjithë shumën brenda një viti. Ndryshe nga shumë tenderë të tjerë, ky tender do të zhvillohet në diskrecion të plotë dhe jo përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Garda thotë se procedura është sekrete për shkak të sigurisë të personaliteteve të larta, por në fakt e shkuara jep fakte të tjera. Shumë automjete në vitet e mëparshme edhe pse kanë qenë për funksionarët e lartë janë marrë me tender të hapur.

Edhe pse mjaft qeveri, madje dhe ato të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht, kanë shkurtuar ndjeshëm buxhetet për këto lloje shpenzimesh, Shqipëria bën të kundërtën, i rrit ato. Mjafton këtu të kujtojmë rastin e Gjermanisë, ku kancelaria Angela Merkel përdor një automjet të thjeshtë, dhe jo “Jaguar”. (Vizion Plus)

Studimi: 60% e të rinjve duan të ikin nga Shqipëria

Studimi i fondacionit gjerman Friedrich Ebert: Në raport me studimin e 2011-s është shtuar papunësia tek të rinjtë, çka ka sjellë dhe rritjen e përqindjes së atyre që duan të ikin jashtë vendit….

Një studim i fondacionit gjerman Friedrich Ebert, Rinia Shqiptare 2015 “Ndryshim i ngadaltë, mbështetje tek interneti…dhe besim tek BE!”, nxjerr në pah faktin shqetësues që 60% e të rinjve duan të emigrojnë jashtë vendit, duke renditur si faktor kryesor arsyet ekonomike. Kjo përqindje është rritur në raport me 53% që ishte në studimin e kryer në vitin 2011.

Një tjetër rezultat shqetësues është rritja e papunësisë tek të rinjtë. Sipas të dhënave të vitit 2014 rreth 22 për qind e të rinjve shqiptarë pohojnë se janë të punësuar (me kohë të plotë ose të pjesshme) në krahasim me 35 për qind që raportonin se ishin të punësuar në 2011.

Studimi i Friedrich Ebert është hartuar mbi bazën e të dhënave numerike e cilësore të mbledhura nga sondazhi kombëtar me 1200 të rinj në të gjithë vendin dhe nga bisedat e strukturuara në 8 fokus grupe.

Të dhënat e mbledhura nga përgjigjet e 1200 të rinjve janë të grupuara sipas kapitujve të ndryshëm tematikë të pyetësorit. Në secilin kapitull janë vënë dhe kutiza ilustruese me të dhëna cilësore nga përgjigjet e marra prej fokus grupeve përkatëse. Ky studim është i ndarë në 7 kapituj kryesorë: -Besimi dhe përkatësia; -Familja dhe shoqëria; -Arsimi dhe punësimi; -Shqetësimet dhe aspiratat; -Koha e lirë dhe mënyra e jetesës; -Qeverisja dhe demokracia;-Integrimi europian dhe të rinjtë.

Të gjithë duan të ikin

Nga të dhënat e këtij anketimi rezulton se dëshira dhe synimi për t’u larguar nga Shqipëria vazhdon të jetë ende e fortë mes të rinjve madje me një prirje që vjen duke u rritur në krahasim me vitet e mëparshme. Nga të dhënat e vitit 2014 janë 59.8% e të rinjve që dëshirojnë të emigrojnë jashtë Shqipërisë,përkundër 53% në vitin 2011. Djemtë vazhdojnë të kenë një përqindje më të lartë me 63.5% përkundër vajzave me 55.2%. Dëshira për tu larguar jashtë vendit nuk bën dallim mes të rinjve pavarësisht grupmoshave apo shtresave sociale që i përkasin. Kështu psh: 51.7% e të rinjve që vijnë nga familjet e pasura pohojnë se duan të largohen nga vendi çka dëshmon se të rinjtë ndjejnë mungesën e shumë kushteve që garantojnë zhvillimin e tyre arsimor, ekonomik e profesional apo kulturor

Në lidhje me rrethanat dhe faktorët që i shtyjnë drejt emigrimit, të rinjtë vazhdojnë të theksojnë përmirësimin e standardit të jetesës dhe të kushteve ekonomike. Rreth 49.2 përqind e atyre që janë intervistuar në nivel kombëtar shprehen se dëshirojnë të emigrojnë për të përmirësuar jetën ekonomike dhe standardin e jetesës, ndërsa vetëm 14.9% synojnë të largohen nga vendi për arsye që lidhen me arsimin. Megjithëse të rinjtë e moshës 16-17 vjeç kanë qëllim të emigrojnë për një arsimim më të mirë, ata e shohin këtë edhe si një mundësi punësimi në vendet ku do të kryejnë studimet. Për sa i përket arsyeve për emigrim vihet re një dallim mes të rinjve të gjinive të ndryshme. Në këtë kuadër femrat e reja, rreth 22% dëshirojnë të emigrojnë më shumë për shkak të arsimimit me përkundrejt meshkujve me 8.4%.

Vetëm 22% e të rinjve të punësuar, nga 35% në 2011

Nga të dhënat vërejmë se interesi për mbarëvajtjen e cilësinë e arsimit mbetet shqetësimi kryesor i të rinjve shqiptarë. Megjithëse është shtuar niveli i informimit mbi rëndësinë e dobinë e arsimit profesional për punësim, të rinjtë vazhdojnë të tërhiqen nga ideja e studimeve universitare pavarësisht perspektivës së punësimit.

Ndërkohë që cilësia e mësimdhënies në shkolla e universitete vazhdon të shoqërohet nga perceptimet e pandryshuara të të rinjve për praninë e elementeve të korrupsionit, blerjes së notës dhe provimeve duke cenuar reputacionin e tyre. Kjo pasqyrohet në parapëlqimet e tyre për të ndjekur studimet e larta në shkolla jashtë vendit.

Ndërkohë roli i faktorëve ekonomikë përcakton një seri të sjelljeve e qëndrimeve të të rinjve karshi perspektivave të tyre për arsim dhe ndikon tek lidhja me punësimin.

Në këtë drejtim Punësimi është kryefjala e shqetësimeve të të rinjve sidomos për ata që kanë mbaruar studimet ose janë në vitin e fundit të tyre. Nga të dhënat e studimit rezulton se praktika e të pasurit një stazhi paraprak pune, apo siç njihet ndryshe internshipi, nuk është e përhapur tek të rinjtë, pasi vetëm 17 përqind e tyre pohojnë se janë angazhuar në një aktivitet të tillë.

Pjesa më e madhe e të rinjve mendojnë se do tju duhet të presin për të gjetur një vend pune pas mbarimit të studimeve, ndërkohë që x përqi nd janë pesimistë përsa i përket punësimit të tyre. Aktualisht në Shqipëri punon një ndër pesë të rinj, një fakt që tregon një rënie të punësimit të rinjve përkundër rezultateve të vitit 2011 kur shifra ishte 35 për qind.

Vetëm 30 për qind e atyre që janë të punësuar kanë një vend pune që përputhet me profilin e studimeve apo profesionin. Administrata publike vazhdon të jetë mjaft tërheqëse për të rinjtë pasi gjysma e tyre pohojnë se do të zgjidhte pikërisht të punësohej në sektorin publik.

Në krahasim me të dhënat e vitit 2011 ka një rritje të lehtë nga 25 në 33 për qind të të rinjve që duan të punësohen në sektorin privat. Ndërkohë të rinjtë mendojnë se rolin më të rëndësishëm në gjetjen e një vendi punë e luajnë njohjet e miqësitë ndryshme që mund ti favorizojnë. Sipas tyre arsimi dhe përgatitja profesionale luajnë rol dytësor dhe kanë të njëjtën vlerë si njohjet politike. Përsa i përket zgjedhjes së një profesioni të caktuar faktori që ka më shumë rëndësi për të rinjtë janë të ardhurat e më pas qëndrueshmëria e vendit të punës.

Gjetjet për arsimin

Të rinjtë shqiptarë ende e shohin arsimin e lartë si një mundësi për të rritur aftësitë e tyre megjithëse nivelin e lartë të papunësisë mes të rinjve të diplomuar

  • Rreth 58.6% e të rinjve shprehen të pakënaqur me cilësinë e arsimit në Shqipëri
  • Vetëm 17 përqind e të rinjve janë përfshirë në një stazh ose periudhe praktike pune.
  • Shumica e të rinjve shqiptarë mbeten optimistë për gjetjen e një vendi pune pas mbarimit të shkollës, megjithëse pranojnë se kjo do të ndodhë pas njëfarë kohe dhe jo menjëherë.
  • Sipas të dhënave të vitit 2014 rreth 22 përqind e të rinjve shqiptarë pohojnë se janë të punësuar (me kohë të plotë ose të pjesshme) në krahasim me 35 përqind që raportonin se ishin të punësuar në 2011.
  • Shumica e të rinjve, mbi 40 përqind, nuk janë të punësuar në profesionin e tyre. Ata që punojnë në fushën e profesionit të tyre janë në masën 30 përqind.
  • Gjysma e të rinjve shqiptarë parapëlqen të punësohet në administratën publike ndërsa një e treta në sektorin privat.
  • Të rinjtë kanë dëshira nga më të ndryshmet për profesionet e tyre të ardhshme por vazhdojnë të pëlqejnë ato tradicionale si mësues, ekonomist, mjek dhe arkitekt/inxhinier.
  • Përsa i përket punësimit, të rinjtë rendisin si faktorin më të rëndësishëm njohjet dhe miqtë e ndryshëm, të ndjekur më pas nga aftësitë profesionale, arsimin dhe lidhjet politike. Ndërkohë ata vlerësojnë fatin ose rastësinë si faktorin më pak të rëndësishëm.

 

Gjetjet për shqetësimet dhe aspiratat

Shumica e të rinjve shqiptarë nuk synojnë të largohen nga vendbanimi i tyre aktual drejt një qyteti apo fshati tjetër të Shqipërisë, por thuajse 59.8 përqind e tyre duan të emigrojnë jashtë vendit.

  • Arsyeja ekonomike është shkaku kryesor që i shtyn të rinjtë shqiptarë të largohen drejt një vendbanimi të ri brenda Shqipërisë ose edhe jashtë saj.
  • Të rinjtë shqiptarë parapëlqejnë si vendet më të mira për të emigruar Anglinë dhe SHBA.. Në raport me meshkujt, femrat kanë dëshirë të emigrojnë më shumë për arsye arsimimi.
  • Shumica e të rinjve në Shqipëri janë optimistë për të ardhmen dhe e shohin atë më të mirë përgjatë 10 viteve në vazhdim.
  • Në Shqipëri kanë filluar të mos i besojnë më guximit si faktor që të shtyn drejt fitores pasi 51.8 % e tyre në nivel kombëtar nuk janë dakord me këtë parim. Përkundër të dhënave të vitit 2011 kur kjo përqindja e të rinjve që besonin tek kjo shprehje ishte 80 % kjo rënie drastike dëshmon për një frymë pesimizmi që ka përfshirë të rinjtë.

PS – Të gjithë kundër Kokëdhimës

Deputetët socialistë dalin kundër propozimit të kryesocialistit Rama dhe deputetit të Vlorës Kokëdhima për shtyrjen e datës së kongresit të PS­-së. Të pyetur dje nëse janë dakord për shtyrjen e kësaj date, deputetët mbështetën faktin se datën e kongresit e shtyn vetëm Asambleja Kombëtare dhe se procesi i organizimit dhe zgjedhjeve në Partinë Socialiste po ecën sipas afateve të përcaktuara nga Asambleja Kombëtare e nuk ka asnjë vonesë.

“Sot e kam lexuar në gazetë. Jam befasuar. Sepse ai është një vendim i marrë nga Asambleja Kombëtare. Çdo njeri që do të bëjë propozim, le ta bëjë në Asamblenë Kombëtare, në qoftë se donte të shtynte kongresin. Të gjitha strukturat po punojnë në mënyrë intensive në qarqet që jemi vendosur me zgjedhjet e krerëve të partive të çdo njësie, dhe në qarkun ku unë jam, në Korçë, puna po ecën normalisht, dhe ata mezi po e presin kongresin në janar”, tha deputeti i qarkut të Korçës, Bashkim Fino.

Edhe kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, mbështet kryetarin e grupit parlamentar Ruçi për shtyrjen e kongresit. “Unë nuk di të ketë ndonjë propozim për të ndryshuar datën e kongresit dhe, e dyta, nuk ka asnjë vendim të forumit të partisë për të shtyrë këtë datë.  Ne kemi bërë sot mbledhje për dy rajone, atë të Fierit e Beratit, dhe natyrisht që jemi brenda afateve të vendosura nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste për të kapur kongresin në janar”, tha Braçe.

Deputetja e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu, u shpreh: “Në qytetin që unë përfaqësoj, zgjedhjet po shkojnë normalisht, kështu që mendoj se nuk ka asnjë nevojë për shtyrje të kongresit”.

Edhe deputeti tjetër i qarkut të Durrësit, Gentian Bejko, mbështeti vendimin e Asamblesë Kombëtare. “Asambleja e PS­së e ka marrë vendimin e saj, dhe besoj se nuk ka më vend për diskutime”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama ka propozuar ditën e martë shtyrjen me dy muaj të kongresit zgjedhor të PS­së, që është vendosur të mbahet në muajin janar. Këtë propozim Rama e bëri gjatë mbledhjes së grupit të punës për zgjedhjet, me justifikimin se riorganizimi i partisë dhe zgjedhjet e brendshme të saj nuk po ecin me ritmin e parashikuar nga Asambleja Kombëtare, e mbledhur në muajin korrik.

Por ministrat Tahiri, Bushati dhe Klosi e kishin kundërshtuar këtë propozim, duke e cilësuar atë si ide e hedhur nga kolegu i tyre KoçoKokëdhima. /Panorama

Pas Cez, qeveria skandal me Dalekovod – 6,8 milionë Euro kroatëve me mirëkuptim

Shqipëria po ndjek kohët e fundit një “trend” të çuditshëm, njëkohësisht mjaft dyshues në gjyqet e arbitrazhit, të cilat po zgjidhen me mirëkuptim! Pas marrëveshjes së shumëdebatuar 600 milionë euroshe mes CEZ dhe Shqipërisë, ku kjo e fundit humbi plot 479 milionë euro, një tjetër gjyq i zgjidhur po me mirëkuptim, duket se do t’i kushtojë shtrenjtë shtetit shqiptar në tërësi, dhe taksapaguesve shqiptarë në veçanti. Kësaj radhe bëhet fjalë për një tjetër konflikt të nisur që nga koha e qeverisë “Berisha”, mes Shqipërisë dhe kompanisë kroate “Dalekovod”, e cila operon në fushën e energjisë. Ashtu si me CEZ, edhe konfliktin me këtë kompani, qeveria shqiptare ka preferuar ta zgjidhë nëpërmjet mirëkuptimit, çka nënkupton lëshime ndaj kompanisë me një faturë prej 6.8 milionë euro. Linja e ndjekur nga qeveria shqiptare është e njëjtë si ajo që u ndoq me CEZ. “Frika” për një pagesë më të madhe në apel “tremb” gjithnjë qeverinë shqiptare, duke bërë që ajo të tërhiqet që në hapat e parë dhe të pranojë kërkesat e kompanive me të cilat është në konflikt, duke marrë mbi vete koston marramendëse prej miliona euro.
Jashtë kësaj “frike” nuk mbetet dhe Avokatura e Shtetit, e cila megjithëse ka pasur mundësi të kontraktojë studio konsulence nga më të mirat e më të shtrenjtat, nuk e ka bërë një gjë të tillë për shkaqe, që për një arsyetim minimal nuk kuptohen, ndërsa për një arsyetim normal janë të dyshimta. Përse qeveria shqiptare heziton t’i shkojë deri në fund një procesi gjyqësor me këto kompani që po vjelin miliona euro nga arka e shtetit? Çfarë do të humbte më shumë qeveria shqiptare, nëse do t’i shkonte deri në fund mosmarrëveshjes me CEZ? Çfarë do të humbte qeveria shqiptare nëse do ta apelonte vetë vendimin e arbitrazhit, që i jepte 7.5 milionë euro kompanisë kroate, e cila nuk u mjaftua me kaq, por vendosi që ta apelonte vetë e para? Çfarë e tremb qeverinë shqiptare në çdo gjyq me kompanitë e huaja? Mos vallë ajo nuk trembet, por thjeshtë i lë në mënyrë të qëllimshme drejt humbjes e më pas drejt mirëkuptimit, për qëllime të errëta përfitimi? Qeveria shqiptare ka shumë gjyqe në arbitrazh, një pjesë e mirë e tyre jo për faj të saj por të paraardhëses së saj. E nëse “trendi” i pisët i qeverisë do të vijojë të jetë “mirëkuptimi”, atëherë s’na mbetet gjë tjetër të mendojmë veçse miliona euro të tjera të humbura nga paratë e qytetarëve shqiptarë.
 Mirëkuptimi me “Dalekovod”
 Qeveria shqiptare ka zgjidhur një tjetër konflikt tregtar përmes mirëkuptimit, pasi kishte humbur më parë gjyqin në Arbitrazh. Këtë herë bëhet fjalë për një përplasje me kompaninë kroate “Dalekovod”, e cila operon në fushën e energjisë. Lajmi është bërë publik nga agjencia rajonale e lajmeve “See News”, ndërsa është konfirmuar më pas dhe nga burime zyrtare të qeverisë. Marrëveshja nuk është bërë publike, por sipas “See News”, që citon kompaninë kroate, përmes saj qeveria shqiptare ka marrë përsipër t’i paguajë “Dalekovod” 6.8 milionë euro, për të mbyllur konfliktin që zë fill tre vjet më parë dhe në qendër të të cilit qëndron ndërtimi i linjës së transmetimit me Malin e Zi. “Dalekovod” u kontraktua në vitin 2007 nga qeveria e asaj kohe për të ndërtuar linjën 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë. Projekti u zvarrit pesë vjet dhe ndërtimi i linjës do të përfundonte vetëm në vitin 2012. Sipas kompanisë, shkaku i vonesës ishin autoritetet shqiptare, të cilat nuk iu përmbajtën kushteve të kontratës, duke mos nxjerrë në kohë lejet dhe licensat për ndërtimin e linjës, çka solli vonesën trevjeçare të projektit. Për këtë arsye, në vitin 2012 kompania e paditi qeverinë në Arbitrazhin e Vjenës.
Gati një vit më parë, gjykata vendosi në favor të kompanisë kroate duke e detyruar qeverinë shqiptare t’i paguajë asaj 7.5 milionë euro si dëmshpërblim. Burime nga OST thanë se pavarësisht fitores, kompania kroate e apeloi vendimin duke kërkuar 12 milionë euro. Sipas tyre, menjëherë pas kësaj qeveria shqiptare, përkatësisht Ministria e Energjetikës dhe Avokatura e Shtetit nisën negociata me “Dalekovod”, të cilat kanë përfunduar pak ditë më parë. Edhe pse kishte fituar dëmshpërblimin prej 7.5 milionë euro nga vendimi i arbitrazhit, “Dalekovod” ka pranuar ofertën e qeverisë për 6.8 milionë euro, çka i mundëson asaj një arkëtim më të shpejtë të fondeve, por mbi të gjitha i lë asaj të hapur mundësinë për të kontraktuar sërish punë të tjera nga qeveria shqiptare, të cilat do të ishin më të vështira nëse palët do të ndaheshin me vendimin e arbitrazhit. Burimet bënë me dije se marrëveshja e negociuar nga Ministria e Energjisë dhe Avokatura e Shtetit është miratuar me vendim qeverie dhe i është dërguar për nënshkrim përfundimtar Operatorit të Transmetimit.

Besiana Kadare anëtarësimin në UNESCO e quan fitore për Kosovën dhe Shqipërinë

Voal – Kosova shënoi fitoren e parë për anëtarësimin në UNESCO pasi Këshilli Ekzekutiv rekomandoi anëtarësimin e saj. Padyshim është një fitore për Kosovën, por edhe një sukses i diplomacisë shqiptare.

Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, përmes një lidhjeje me “Skype” me Top Channelin tregoi më shumë për lobimin që misioni shqiptar ka bërë pro-Kosovës.

Kadare u shpreh se nuk ka pasur shumë surpriza në votim, përveç një vendi i cili kishte premtuar që do të abstenonte, por në të vërtetë kishte dalë kundër. Po ashtu, për ambasadoren e Shqipërisë në UNESCO zhgënjyese ishte edhe fakti që Egjipti, Japonia dhe Korea e Jugut, vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u rreshtuan kundër anëtarësimit.

Sa i përket Këshillit të Përgjithshëm që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar.

Mali i Zi dhe Maqedonia që pavarësisht se dihen lidhjet e tyre të vjetra me Serbinë, votuan “pro” anëtarësimit të Kosovës.

“Do të thosha që është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet europiane, anëtare të Këshillit Ekzekutiv me përjashtim të Spanjës, votuan “pro” Kosovës. Sigurisht, në mënyrë të veçantë dua të falënderoj të dy fqinjët, Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje ambasadori i Maqedonisë mori edhe fjalën pas votimit dhe bëri një ndërhyrje shumë të bukur në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”, tha Kadare.

E pyetur nëse ka enë e vështirë për te personalisht, por edhe për misionin e Shqipërisë për të lobuar pro-Kosovës, Besiana Kadare tha se “nuk ka qenë e vështirë, është një punë e bukur, interesante dhe e kam bërë me pasion dhe kënaqësi”.

“Ka pasur punë për të sqaruar procedurat e ndryshme që duhet ndjekur, që ka pasur probleme proceduriale se si do të përcillet anëtarësimi, kush do ta fusë pikën në axhendë, mbledhja e firmave të vendeve që bashkësponsorizuan, takimet me të gjithë anëtarët e UNESCO-s, hartimi i tezave…”.

Se cili ka qenë vendi më i vështirë për ta bindur, për t’ia argumentuar se pse Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s, ajo tha se ka një numër vendesh të cilat i ka takuar, por që e dinte se do të votonin “kundër” dhe ashtu bënë.

“Të gjitha vendet e “BRICS”-it, Brazili, Rusia, Kina, India, Argjentina, Kuba, Ekuadori dhe të gjitha vendet që u rreshtuan kundër dhe më thënë të drejtën e kanë shprehur mjaft qartë që janë kundër, përfshirë edhe Spanjën, kështu që nuk ishte surprizë. Duhet theksuar se mbështetje e madhe përveç nga europianët dhe SHBA-të, ka pasur edhe nga “grupi afrikan” dhe “grupi arab”.

Shumë prej vendeve të cilat bënë pjesë në këto grupe, pa iu sponsorizuar kërkesën, por edhe shumë vende të Amerikës Latine, kanë dhënë mbështetje, duke bërë që të ketë mbështetje nga të gjitha kontinentet”, tha ambasadorja shqiptare Besiana Kadare.

Më poshtë po ju sjellim intervistën e plotë:

Intervista e plotë

Pandi Gjata: Do të doja një impresion të parë se si ishte atmosfera përpara se të shkohej në votim për Kosovën, si ishte atmosfera në sallë, mes vendeve që ishin “kundër”, “pro” dhe atyre që abstenuan dhe a menduat se mund të kishte një skenar që nuk do të ishte në favor të Kosovës?

Besiana Kadare: Në radhë të parë doja të thosha që jam shumë e lumtur që pata fatin të marrë pjesë në një debat dhe votim kaq të rëndësishëm, siç është anëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Kishim shumë besim që rezultati i votës në Këshill Ekzekutiv do të ishte pozitiv, pasi shumica e anëtarëve na kishin konfirmuar mbështetje me shkrim. Kisha informacione që disa nga vendet që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës ndoshta do të paraqisnin një mocion procedure për shtyrjen e debatit, shtyrjen pas 2, 4 viteve, shtyrje pa afat, në mënyrë që të evitonin votën mbi substancën e pikës, pasi e dinin që kjo votë ishte e humbur për ta.

Pandi Gjata: Kishte ndonjë vend që ndryshoi qëndrim në momentet e fundit në favor të Kosovës, që ishte kundër apo abstenim?

Besiana Kadare: Jo, i dinim pak a shumë votat. Na ishin komunikuar më përpara, por kishte një vend, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, që na kishte lënë të kuptojmë se do të abstenonte dhe në fakt votoi “kundër”. Gjithashtu, zhgënjyese ishte edhe për tre vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe abstenuan, bëhet fjalë për Egjiptin, Japoninë dhe Korenë (e Jugut).

Pandi Gjata: Detaj i rëndësishëm ishte që edhe dy fqinjët e Kosovës, por edhe të Serbisë, Mali i Zi dhe Maqedonia që pavarësisht se i dimë lidhjet e tyre të vjetra me Serbinë, votuan “pro” anëtarësimit të Kosovës.

Besiana Kadare: Po, do të thosha që është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet europiane, anëtare të Këshillit Ekzekutiv me përjashtim të Spanjës, votuan “pro” Kosovës. Sigurisht, në mënyrë të veçantë dua të falënderoj të dy fqinjët, Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje ambasadori i Maqedonisë mori edhe fjalën pas votimit dhe bëri një ndërhyrje shumë të bukur në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës.

Pandi Gjata: Duhet theksuar se Serbia nuk është anëtare e Këshillit Ekzekutiv, që do të thotë se nuk kishte të drejtë vote…

Besiana Kadare: Po, e saktë. Nuk është anëtare në këtë moment…

Pandi Gjata: …dhe kishte vetëm të drejtën e lobimit te vendet të cilat kanë qëndrime pothuajse të njëjta, pra për të votuar “kundër”. Doja të theksoja se nga janari ju loboni për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ka qenë e vështirë për ju personalisht, por edhe për misionin e Shqipërisë për të lobuar pro-Kosovës?

Besiana Kadare: Nuk ka qenë e vështirë, është një punë e bukur, interesante dhe e kam bërë me pasion dhe kënaqësi. Ka pasur punë për të sqaruar procedurat e ndryshme që duhet ndjekur, që ka pasur probleme proceduriale se si do të përcillet anëtarësimi, kush do ta fusë pikën në axhendë, mbledhja e firmave të vendeve që bashkësponsorizuan, takimet me të gjithë anëtarët e UNESCO-s, hartimi i tezave…

Pandi Gjata: …cili ka qenë vendi më i vështirë për ta bindur, për t’ia argumentuar se pse Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s?

Besiana Kadare: Ka një numër vendesh të cilat i kemi takuar, por që e dinim se do të votonin “kundër” dhe ashtu bënë. Të gjitha vendet e “BRICS”-it, Brazili, Rusia, Kina, India, Argjentina, Kuba, Ekuadori dhe të gjitha vendet që u rreshtuan kundër dhe më thënë të drejtën e kanë shprehur mjaft qartë që janë kundër, përfshirë edhe Spanjën, kështu që nuk ishte surprizë. Duhet theksuar se mbështetje e madhe përveç nga europianët dhe SHBA-të, ka pasur edhe nga “grupi afrikan” dhe “grupi arab”. Shumë prej vendeve të cilat bënë pjesë në këto grupe, pa iu sponsorizuar kërkesën, por edhe shumë vende të Amerikës Latine, kanë dhënë mbështetje, duke bërë që të ketë mbështetje nga të gjitha kontinentet.

Pandi Gjata: Në nëntor do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, si parashikohet votimi në Këshillin e Përgjithshëm të UNESKO-s?

Besiana Kadare: Në Këshillin e Përgjithshëm kërkohet një maxhorancë prej 2/3-ve…

Pandi Gjata: Me llogaritë që ju keni, është e arritshme kjo 2/3-at?

Besiana Kadare: Natyrisht, ne besojmë që është e arritshme, pasi siç e thashë edhe më parë, kemi takuar të gjitha vendet anëtare, është lobuar dhe kemi pak a shumë një ide të qartë të votave. Natyrisht që mund të ketë surpriza në momentet e fundit, por do të thosha që ka 90% mundësi që votimin ta fitojmë. Gjithashtu duhet përmendur se në historinë 70-vjeçare të UNESCO-s asnjëherë nuk ka ndodhur që Këshilli i Përgjithshëm të mos miratojë një rekomandim të Këshillit Ekzekutiv. Rekomandimi pozitiv që miratoi Këshilli Ekzekutiv padyshim që ka shumë rëndësi dhe mendojmë që do të influencojë pozitivisht edhe shumë vende të cilat ende nuk kanë një qëndrim të prerë, sidomos te vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Shpresojmë që do të ketë një numër prej tyre që mund të votojnë “pro” ose ndoshta do të abstenojnë.

Shqipëri: gropa e krijuar nga të ardhurat ka vazhduar edhe në muajin shtator

Në Shqipëri gropa e krijuar nga të ardhurat ka vazhduar edhe në muajin shtator, megjithë rishikimin në ulje të parashikimeve apo dhe operacionin e gjerë të ndërmarrë nga autoritetet kundër informalitetit. Sipas të dhënave paraprake të publikuara sot nga ministria e Financave, totali i të ardhurave në muajin shtator ishte rreth 30.5 miliardë lekë, (247 milion dollarë) gati 4.1 miliardë më pak se plani i rishikuar dhe afërsisht 5.5 miliardë më pak se plani fillestar.

Për periudhën Janar-Shtator, arkës së shtetit i mungojnë 6.9 miliardë lekë, pasi totali i të ardhurave arriti jo më shumë se 279 miliardë lekë (2.26 miliard dollarë). Peshën kryesore të mosrealizimit e mbartin të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat me 4.2 miliardë lekë më pak, nga të cilat 3.5 miliardë janë ato që mungojnë nga Doganat.

Ndonëse në fillim të vitit Qeveria rriti akcizën për duhanin, taksën e qarkullimit që aplikohet mbi karburantet apo dhe tatimin mbi të ardhurat nga qeratë, interesat bankare dhe dividentët, sërish këto zëra kanë rezultuar në ulje, edhe ndaj planit të rishikuar në mesin e këtij viti. Për akcizën mbi duhanin ministria e Financave e shpjegoi këtë me uljen e importeve dhe rritjen e prodhimit vendas, apo dhe me ndikimin e kursit të këmbimit për shkak të forcimit të dollarit amerikan. Rënia e të ardhurave nga Tatimi mbi vlerën e shtuar në produktet e importit shpjegohet me reduktimin  e blerjeve jashtë vendit, kryesisht të energjisë. Ndërkohë që rritje e importeve të makinerive, sipas ministrisë, nuk ka patur efekt për shkak se ato janë përjashtuar nga taksat. Ndërkohë që për nivelin po të ulët të Tatimit mbi të ardhurat personale, kjo ka ndodhur sipas ministrisë “për arsye të vazhdimit të ndikimit të  rënies së normave të interesit, të cilat ndikojnë në të ardhurat nga tatimi mbi interesat, si dhe dividentëve të paguar kryesisht në muajin gusht të këtij viti, pagesa të cilat ishin më të ulta se parashikimi si dhe të ardhurat e ulta nga shitja e pasurisë së paluajtshme”.

Rënia e të ardhurave në muajin shtator, përkon pikërisht me nisjen e aksionit të autoriteteve për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal. Ndaj kësaj nisme, të shoqëruar dhe me masa të rrepta ndëshkuese, pati kritika të shumta ndaj qeverisë, vecanërisht për faktin se goditjet e saj ranë kryesisht mbi bizneset e vogla, që mbizotërojnë në numër, por që kanë një peshë të vogël në buxhet, krahasuar me ato që lidhen me mallrata e forta si karburanti, cigaret apo pijet alkoolike. Autoritetet megjithatë përdorën si kundërargument të dhëna sipas të ciave në muajin shtator xhiroja e biznesve ishte rritur me 14 miliard lekë, por që nuk duket të jetë përkthyer ende në të ardhura në arkën e shtetit.

Këshilli Ekzekutiv po merr vendimin për Kosovën në UNESCO – Kosova anëtare e UNESCO-s

VOAL – PARIS, 21 TETOR – Këshilli Ekzekuiv i UNESCO-s po merr vendimin për pranimin e Kosovës në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtar. Që Kosova të jetë anëtare e UNESCO-s

keshilliekz

Duan ligj për gjuhën – Nga LEDI SHAMKU

Bisedë (e nevojshme) me Dan Klosin. Fort i dashur Dan, po i kapërcej këto formulat hyrëse të tipit “uroj të jesh mirë”, pasi më mjafton t’i kujtoj vetes se mund të kesh halle të tjera andej nga eteri yt, po së paku nuk përballesh me marrëzinë e këtushme, dhe kaq më mjafton për ta ditur që je mirë. Do lajme nga marrëzia? Hahaha, e mirë, ja po të them një të freskët: shkruhet në shtyp se “Helenën e rrëmbyen ilirët”… (!!!). Do thuash ti (me atë shprehjen tënde karakteristike): “po ç’nemelazëm? Homeri përmend plot fise, po nuk flet kund për ilirë”.

Ç’ke me Homerin ti, tjetri e ka njohur Helenën në basoreliev nga shamia e kokës, dhe atë shami koke vetëm gratë ilire mund ta kishin… Kështu që andej nga je, thuaji Eolit të mos fryjë ca kohë këndej nga Shqipëria, se fluturon shamia e na tretet identiteti pellazgo- ilir (siç e quajnë tash së voni). Kështu pra Dan, siç thotë një miku ynë i përbashkët, “të marrët kanë uzurpuar çmendinën”. Gjithsesi nuk e kisha hallin te shamia e Helenës, sesa te ajo e Desdemonës – meqë jemi te shamia, më lër t’ia ngjis këtë “emër” varietetit standard të shqipes (m.q.se Jago e Otello e komplote skena e tij ka plot). E mban ende mend shkrimin tënd “Komisioni Ndërakademik mblidhet njëherë në Llap të Poshtëm e pastaj në Llap të epërm, gjithnjë me dyer të mbyllura”? Unë e mbaj dhe po të njoftoj se u mblodhën prapë sërish në Llap të Poshtëm (kështu i bie të jetë Tirana, apo jo, meqenëse është më në jug se Prishtina). Sërish me dyer të mbyllura.

Sërish duke i zbuar mediat me fjalinë që i thotë gjermani Tomkës te filmi: “edhe nga rruga, edhe nga rruga!”. Seç u tha e seç u bë, nuk e di. Por sipas ndoca tyre, mediat qenkan shkaktari i vërtetë i sherrit mes Desdemonës dhe (nuk e di se kujt), ngaqë mediat shpërndakan lajme sikur po preket standardi, ndërkohë që tagri i prekjes nuk qenka i komisionerëve. E dija unë, mediat e kanë fajin! Ç’u duhet të lajmërojnë se Likurgu ka vdekur, pra beja e tij nuk vlen më dhe ligji mund të rishikohet… mediat, mediat…! Pra nuk mora vesh gjë sa herë i thanë njëri-tjetrit “antikombëtar” gjatë mbledhjes, sa herë dikush u ngrit e tha: “më mirë të më prisni mua një dorë sesa të përditësoni normën” – kuptomë, nuk mora vesh sa herë u tha, se që u tha e mora vesh. Prapë nga mediat, lexova një numër të revistës “Gjuha Jonë”, dhe m’u desh të dilja për ajër mbasi mbarova shfletimin. Si mund të degradojë një revistë shkencore e të shkruhet me një gjuhë shitësish dengu te tregu i rraqeve! Seç lexova ca epitete: “arixhofkë gojëgardhë” e plot të tjera.

Dhe asnjë argument shkencor. Kam hall se do iu bërtasë Kostallari ngaqë kanë humbur gjakftohtësinë duke dalë në fis siç janë, pa nuk kam merak tjetër. Veçse Dan, marrëzia ka kapur pjesë jetike duke u bërë ngjitëse. Ligji i Gjuhës, ndryshe Fantazma e Operës, u shfaq sërish. Madje jo vetëm në Tiranën e Likurgut, po tani nxori bishtin edhe në Prishtinë. E kotë të ta them ty sa i marrë e i jashtëkohshëm është një ligj për gjuhën. Ti e din që Franca dikur e provoi me ministrin famëkeq Toubon dhe u bë gaz i botës për ca vjet derisa e shfuqizoi atë palo ligj. Dhe po ashtu ti e din që përmirësimet në gjuhë bëhen me edukatorë e jo me policë, po këndej ka mbetë ora te bilbili i policit, me sa duket. Thuaju një fjalë edhe ti atyre të Prishtinës të mos luajnë mendsh e të heqin dorë nga dështime që i ka paralajmëruar historia; së paku të mos luajë mendsh Prishtina e të na mbetet për sqarim vetëm Tirana.

Dan, duro, duro, se s’ka të sosur: këtu në Tiranën tonë, këtë Ligjin Ndëshkues për Mbrojtjen e Gjuhës a din që e kërkojnë edhe do “sociolinguistë”??!!! Poooo Dan pooooo, mos kërce kot pupthi, se kam kërcyer unë tutje-tëhu kur e lexova, kështu që rri e më dëgjo. Po, e kërkojnë edhe ca “sociolinguistë” – hap sytë te thonjëzat! Sociolinguisti Dan, është deskriptivist, është horacian i tipit “si volet usus, quem penes arbitrium est” (shqip: nëse do dojë përdorimi, që është zoti i vërtetë i gjuhës), sociolinguisti o Dan, është mik me Jakobsonin dhe me moton e tij “linguista sum, linguistici nihil a me alienum puto” (jam gjuhëtar dhe asgjë e gjuhës nuk është e huaj për mua). Dhe tek e mbrama o Dan, sociolinguistin nuk e zë gjumi se si t’i përmirësojë kushtet sociale edhe përmes edukimit gjuhësor. Përfshin, nuk përjashton sociolinguisti Dan, dhe shembuj bota ka plot. Tash, një ligj për gjuhën o Dan, parakupton detyrimisht edhe një gjykatë linguistike, edhe një polici linguistike, edhe ca gjoba e dënime po ashtu linguistike.

Së pari, më thuaj, a ia ha mendja ndokujt o Dan, se një sociolinguist mund të kërkojë e të jetë dakord me një gjykatë linguistike, me një polici linguistike, e me gjoba e dënime po ashtu linguistike?! Është jashtë besojmes së vet, Dan, është në kundërshtim të plotë me besojmen e sociolinguistit! Është njësoj si të çohet Kisha e të kërkojë me të madhe Eutanazinë me ligj. Ja kështu është! Ja që në tokën e Likurgut të madh, likurgët e vegjël nuk dinë nga t’ia mbajnë e shpikin nevojën për shkopinj e kamxhikë! Këto ishin lajmet. Pos këtyre, unë jam mirë (se harrova të ta them). Por nuk harroj të të them se më ka marrë shumë malli për ty. Dhe me këtë pohim po e mbyll. Flasim prapë Dan! Qofsh mirë!

Nuk e do asnjëra palë Reformën në Drejtësi sepse ikën Meta e Berisha – Nga SPARTAK NGJELA

Një popull që kurrë nuk e ka provuar në jetesën e tij historike, gjeneratë pas gjenerate, lirinë shoqërore – sigurisht që nuk e di se çfarë është ajo. Ne shqiptarët, kurrë deri më sot, nuk kemi pasur ndonjëherë liri shoqërore, dhe prandaj kuptohet që nuk ia dimë as vlerën, dhe as forcën që ajo i jep zhvillimit të një shoqërie apo një populli.

Sot ajo është e domosdoshme për ne. Liri do të thotë drejtësi shoqërore dhe individuale. Ajë që na ka zbehur edhe në këta 25 vjetë, që jemi drejtuar ose nga të marrë, ose nga hajdutë dhe, ose nga të paaftë, është pikërisht fakti që nuk kemi pasur drejtësi. E pse duhet të themi që është rrëzuar diktatura, kur të gjitha institucionet perëndimore, të gjitha organizmat politikë të Amerikës dhe Europës së Bashkuar na thonë që nuk keni drejtësi? Por edhe të gjithë shqiptarët sot thonë të njetën gjë: ata e përbuzin gjykatën shqiptare dhe të gjithë sistemin legal në Shqipëri.

Por kjo nuk mjafton. Presioni për të bërë reformën në drejtësi është i madh. Ne sot humbasim 3 miliardë Euro ndihma strukturuese në vit; sepse kryeministri shqiptar, kjo maxhorancë dhe vetë opozita, nuk e duan reformën në drejtësi. Nuk e duan sepse pas asaj nuk ka më As Metë, As Berishë; As turlilloj hajdutësh që kanë shkatërruar mirëqënien dhe prosperitetin shqiptar në 25 vjet.

Por, edhe pse presioni ndërkombëtar është i madh; edhe pse kuptohet që qeveria aktuala nuk ka më para për të vijuar jetën e saj; edhe pse Meta e hajdutët e tjerë janë trembur, presioni perëndimor nuk është i mjaftueshëm për një shoqëri e cila kurrë nuk e ka njiohur në jetën e saj historikë drejtësinë shoqërore.

Prandaj, nëse politika perëndimore, me të vërtëtë e do reformën shqiptarë në drejtësi dhe në institucionet e pavarura; duhet ta kërcënojë këtë kryeministër me embargo; sepse ky kryeministër as e ka ditur ku ka qënë, dhe as e di se ku është politikisht. Vëtëm embargoja do ta elektrizojë shoqërinë shqiptare që të ngrihet, sidomos rininë, e cila duket se i ka hyrë realish rrugës së emancimpimit shoqëror në Shqipëri. Politika amerikane duhet të jetë e sigurt se, kurrë nuk ka mundësi që ky kryeministër apo kjo maxhorancë, nga presioni i embargos perëndimore të shkojë në Moskë apo në Pekin. Kurrë. Sepse shqiptarët mund t’i shkallmojnë me themel për këtë gjasë.

Përse shqiptarët kërkojnë masivisht azil në Gjermani? – KASTRIOT ISLAMI

    Gazeta më e madhe gjermane, me orientim të djathtë, pranë partisë së Kancelares gjermane Merkel, “Frankfurtet Allgemeine Zeitung”, para disa ditësh, në një shënim të gjatë për çështjen e “azilkërkuesve” nga Siria, Afganistani, Shqipëria, Kosova, e të tjerë, i cilësonte azilkërkuesit shqiptarë “emigrantë ekonomikë të motivuar politikisht”. Ndoshta ky është një nga përkufizimet më realiste deri tani. Shtrohen me të drejtë në këtë rast disa pyetje. Çfarë do të thotë ky “cilësim”? Çfarë kuptimi ka “të motivuar politikisht”, apo më konkretisht çfarë i motivon politikisht shqiptarët të paraqiten në Gjermani si emigrantë të varfër, që kërkojnë punë? Përgjigja e këtyre pyetjeve të natyrshme është subjekti i këtij shkrimi…

1. Azilkërkuesit nga Siria, Afganistani, Shqipëria…
Nga pamjet filmike apo fotografike, gjëja e parë që bie në sy është gjendja e mjerueshme ekonomike, e varfërisë të pothuajse të gjithë azilkërkuesve. Ata që janë nga Siria dhe Afganistani të japin përshtypjen se vijnë nga zona të luftës apo pasluftës. Arsyeja “politike” e emigrantëve nga Siria që vijnë masivisht, por edhe me çdo mjet, duke sakrifikuar edhe jetën, është “lufta”; kjo duket e padiskutueshme. Emigrantët nga Afganistani kanë arsye “politike” situatën e vështirë të pas “luftës” dhe të pasigurisë që mbretëron në vend. Shumica e azilantëve nga Shqipëria, të rinj e të reja, por edhe familje të reja e të mesme, kërkojnë punë dhe si arsye në shumicën e rasteve paraqesin bindjen e tyre se “vendi nuk bëhet më” dhe ata e kanë të vështirë të përballojnë jetesën, nuk kanë perspektivë për veten, por mbi të gjitha për fëmijët e tyre.Ndihen të përjashtuar, të margjinalizuar, pa shpresë se situata do të mund të ndryshojë për mirë në të ardhmen. Dhe të gjithë, pa përjashtim, fajin ia vënë politikës. Pyetja që shtrohet është: Përse pikërisht në vitin 2014 e 2015 ky largim kaq masiv? Përse Shqipëria zë vendin e parë në Europë për nga numri i emigrantëve, pikërisht kur duhet të kishin një rreze shpresë nga “ndryshimi i qeverisjes në 2013”-n? “Argumentet” se kjo ndodh për shkak të situatës së trashëguar apo se disa agjenci turistike spekulative po nxisin largimin e azilkërkueseve nga vendi janë naive, të dobëta dhe të pabesueshme. Arsyet janë thjesht dhe vetëm politike…

2. Gjermania, vendi më i mirë në Europë për shqiptarët…
Shqiptarët prej shumë vitesh, më saktësisht që kur emigruan për herë të parë në 1990-n, e adhurojnë Gjermaninë si një vend i mrekullueshëm ku mund të jetohet, mësohet e punohet. Një “atdhe” të dytë ku mund të plotësohen ëndrrat e fëmijëve të tyre, një vend ku mund të rifitojnë “shpresën e humbur” në vendin e tyre. Kjo e vërtetë “absolute” dihet prej kohësh dhe nuk përbën ndonjë lajm apo përshtypje të re. Aq më pak mund të gjenden “arsye” se ky adhurim është rritur gjatë këtyre dy vjetëve apo gjatë këtyre 6-12 muajve të fundit. Nisur nga kjo logjikë, “tërheqja/atraksioni” i Gjermanisë nuk përbën arsye që do të mund të shpjegonte masivitetin dhe këmbënguljen e shqiptarëve për të emigruar në drejtim të Gjermanisë pikërisht në këto momente.

3. Shqipëria, vendi më i varfër i Europës…
Që Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Europës është një fakt i pamohueshëm e gati-gati “historik”. Kjo dihet prej shumë vjetësh dhe, fatkeqësisht, s’ka mundur të ndryshojë edhe pas vitit 1990. Ndonëse varfëria është reduktuar krahasuar me atë të viteve para 1990, ndërkohë që është rritur në mënyrë të paimagjinueshme e deri të frikshme për stabilitetin dhe sigurinë “polarizimi” social-ekonomik. Fatkeqësisht, statistikat tregojnë një rritje dhe zgjerim të varfërisë me përkeqësimin e situatës ekonomike për shkak të krizës ekonomike-financiare që ka pasur ndikim në rritjen ekonomike.Veçanërisht pas vitit 2013 aplikimi i “strategjisë së shtrëngimit të rripit” përmes rritjes së taksave dhe përdorimit të metodave policore mbi bizneset është shoqëruar me rritje të numrit të të varfërve dhe pakësim edhe të numrit të atyre me nivel të mesëm. Sidoqoftë, varfëria, qoftë edhe paksa e rritur, s’përbën argument të fortë për të shpjeguar emigrimin masiv të këtyre dy vjetëve, që jo vetëm s’ndalet, por madje rritet…

4. Arsyeja e vetme “politike” e “azilkërkuesve ekonomikë” është oligarkia…
Sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, të shprehur më 1 shkurt 2014 në Samitin e Sigurisë Globale në Mynih të Gjermanisë, vendet e Ballkanit, pra edhe Shqipëria, “qeverisen” nga “interesat e korrupsionit e të oligarkisë”. Për herë të parë gjatë 25 vjetëve të fundit, Parlamenti Europian e ka “cilësuar të kriminalizuar Parlamentin e Shqipërisë”, duke kërkuar Dekriminalizimin e tij. Joseph Daul, presidenti i PPE, më 15 prill 2014 deklaron se “në vendet e Ballkanit (pra edhe në Shqipëri) mbretëron oligarkia, banditizmi dhe krimi”… Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria drejtohet nga “interesat e oligarkisë”, të projektuar 15 vjet më parë, të realizuar me synime të qarta prej 10 vjetësh dhe të konsoliduar dy vitet e fundit. Kjo është e vetmja arsye politike përse largohen shqiptarët nga vendi i tyre. Pra ndërsa në Siri, “arsye politike është lufta”.Në Afganistan, “arsye politike është pasiguria dhe destabiliteti, pra situata e pasluftës”. Në Shqipëri, “arsye politike është instalimi i regjimit të oligarkisë”, i një qeverisje të pakicës që shpërfill interesat e të gjithë qytetarëve pa përjashtim, pa dallime politike apo partiake, shpërfill e denigron si socialistët, ashtu edhe demokratët. Dhe këtë arsye “politike” azilkërkuesit shqiptarë e artikulojnë në forma më të thjeshta, kur i pyesin në kampet e azilantëve përse kërkojnë azil :i) “jemi të varfër”, ii) “s’kemi punë në vendin tonë dhe asnjë mundësi financiare për jetesë”, iii) “s’kemi mundësi të çojmë fëmijët në shkollë”, iv) “s’përballojnë dot kujdesin shëndetësor nëse sëmuremi”, v) s’kemi asnjë shpresë se vendi bëhet dhe asnjë perspektivë për fëmijët”… Të gjitha këto janë shprehje alternative të “arsyeve politike” që qëndrojnë pas “kërkesave ekonomike”. Ose më saktë, janë shprehje alternative të faktit se “Shqipëria qeveriset nga një pakicë, përfaqësuese të interesave të oligarkisë, banditizmit dhe krimit…”.

5. Në Shqipëri, pas 2013-s vendi drejtohet nga interesat e një pakice…
Shqiptarët po largohen masivisht nga vendi, sidomos vitin e fundit. Ata janë azilkërkues ekonomikë, sepse Shqipëria është “klasifikuar” nga Gjermania e sigurt “politikisht” dhe s’mund të jetë ndryshe, kjo është qasja “pozitiviste” e autoriteteve gjermane, ndonëse ata, nga të gjitha informacionet dhe analizat, e kanë të qartë se realiteti është krejtësisht ndryshe, pra ata e dinë shumë mirë se vendi drejtohet nga interesat e oligarkisë. Arsyet e azilkërkuesve shqiptarë janë tërësisht politike dhe lidhen me përkeqësimin e qeverisjes pas vitit 2013.Për më tepër, shqiptarët rezultojnë në gjendje të përkeqësuar varfërie, pra në gjendje më të rëndë ekonomike, jo thjesht nga kriza ekonomike, në Europë e sidomos në Greqi e Itali, por për shkaqe apo arsye tërësisht dhe vetëm politike. Sepse pas 2013-s, nuk flitet thjesht për një sistem që ka korrupsion, i cili ka ekzistuar, por çdo ditë e më shumë, pas 23 qershorit 2013, të gjithë shqiptarët po ndërgjegjësohen se në Shqipëri është instaluar një regjim i pakicës, regjimi i “oligarkisë, banditizmit dhe krimit”, që nuk mendon aspak për qytetarët, që i ka harruar apo i dhunon të gjithë shtetasit, pa dallime bindjesh politike apo partiake. Pra ky është një regjim shpërfillës edhe për socialistët që ndodhen 10 vjet në opozitë, edhe për demokratet që prej 2 vitesh pësojnë diskriminim e dhunim selektiv, duke u burgosur për dritat, për shtëpinë a biznesin, e deri për kuponin tatimor, apo duke u hedhur në rrugë si të papunë…

6. Në vend të përfundimit…
Shqiptarët janë më të varfër se më parë, më të pashpresë se më parë, më pa perspektivë se më parë, më të vendosur për t’u larguar nga vendi se më parë, sepse ata qeverisen nga të paaftët, mashtruesit, hajdutët e pasurisë publike dhe nga banditët e kriminelët… Këto janë arsyet e vërteta që paraqesin të gjithë shqiptarët kur kërkojnë azil në Gjermani… Imagjinoni të jeni një familje e thjeshtë me dy apo më shumë fëmijë, me prindër pa punë dhe të ardhura të pamjaftueshme për bukën e gojës, me pamundësi për të dërguar fëmijët në shkollë apo përballuar sëmundjet eventuale, që ju burgosin se nuk paguani dritat për t’u ngrohur, ndërkohë që çdo ditë e çdo natë dëgjoni në televizion informacione për shuma marramendëse të vjedhura nga pasuritë apo fondet publike, nga ministrat apo zyrtarët e lartë, se në Parlament deputetët që keni zgjedhur janë individë me rekorde kriminale, ish-të dënuar apo banditë që sulmojnë fizikisht, njerëz pa shkollë apo me diploma false apo të blera…Sigurisht që do të humbni edhe atë shpresë të paktë dhe të fundit që ekziston në thellësinë e shpirtit apo mendjes suaj…! Këto të gjitha janë arsye vetëm politike, aspak të trashëguara në këto nivele dhe gjatë dy viteve të fundit të përkeqësuara. Dhe nëse nuk adresohen, shqiptarët do të largohen gjithnjë e më shumë, dhe jo vetëm ata që janë të varfër…

Ambasadori gjerman Helmut Hoffman jep alarmin: Asnjë kompani gjermane asnjëherë nuk ka fituar një çështje gjyqësore në Shqipëri !

Hoffman: Gjykatësit në Shqipëri me makina e vila të shtrenjta

TIRANË – Ambasadori i Gjermanisë Helmut Hoffman ka shpërthyer në kritika të ashpra për korrupsionin që ekziston në vend, duke drejtuar akuza të forta veçanërisht ndaj sistemit gjyqësor.

Gjatë fjalës në një tryezë organizuar nga Shoqata e Konsujve të Nderit, Hoffman ka preferuar të jetë i hapur dhe i drejtpërdrejtë.

“Shqipëria ka problem reputacionin, nuk është vetëm problem përceptimi por është problem i vërtetë. Është një gjë që investitorët gjermanë ndonjëherë eksperimentojnë me praktika të qëndrueshme më konkuruese në treg. Kemi diçka që ka të bëjë me pritshmëritë e korrupsonit. Kur vinë këtu, gjithmoë lind pyetja: A do ketë njerëz që në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë presin që duhet të japësh para nën dorë. Kjo është frika me të cilën mund të përballesh në diskutime të tilla. Ka dhe një problem që qeveritë e reja fillojnë tu japin koncesioneve një frymë të re, jeta e kompanive të ndryshme mund të vështirësohet. Ndonjëherë qeveritë kanë trysni të madhe nga konkuruesit vendor që nuk ju pëlqen këto marrëveshje koncesioni që mund të jepen. Ka një sundim të dobët të ligjit, ka gjykatës të cilët kanë makina të shtrenjta, vila të shtrenjta. Njerëzit i dinë këto gjëra. Asnjë kompani gjermane asnjëherë nuk ka fituar një çështje gjyqësore në Shqipëri”- ka thene ambasadori.

Pyetjes se çfarë mund të behet përpallë realitetit aspak premtues, Hoffman i pergjigjet: “Konferenca e Ballkanit Perëndimor pa na ndihmon për infrastrukturën me projektet e autostradave. Duhet të punojmë sëbashku me vendet fqinje në mënyrë  që të krijojmë tregje më të mëdha rajonale. Së treti , trajtoni ashtu siç duhet investitorët që janë në Shqipëri. Nuk po kërkoj trajtim preferencial, por trajtojini në mënyrë korrekte”- tha ai.

Gjermania – Dëbimi në Shqipëri me avion ushtarakë i 100 mijë azilkërkuesve

BERLIN – Qeveria Federale ka vendosur një paketë masash për të përshpejtuar procedurat për një dëbimin më të shpejtë të azilkërkuesve që u është refuzuar kërkesa për qëndrim në këtë vend.

Siç ka bërë të ditur “Bild Zeitung” në botimin e së mërkurës, duke cituar burime të sigurta të Qeverisë së Gjermanisë, bashkëpunëtorët e Kancelares Merkel kanë njoftuar se Qeveria Federale është duke planifikuar, ndër të tjera përveç fluturimeve të planifikuara të linjave të rregullta edhe përdorimin e avionëve ushtarakë gjerman “Transall” dhe pilotët e Bundeswehrit për deportimet e azilkërkuesve nga Gjermania.

Është bërë e ditur që azilkërkuesve nuk do t’ju njoftohet fare koha e kthimit, përkatësisht dëbimit në mënyrë qe këta të mos ikin nga vendbanimet e tyre. Përveç kësaj, kriteret tolerancës që në gjermaninjihen edhe si “DulDung” do të rishikohen dhe do të bëhen më rigoroze.

Zyra e Kancelares Merkel ka informuar krerët e kancelarive të Landeve të martën pasdite në një konferencë telefonike për planet në fjalë, shkruante gazeta gjermane, transmeton Gazeta Blic Kancelarja Angela Merkel (CDU) kishte bërë thirrje kohët e fundit për nga përshpejtim të procesit deportimit edhe më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar.

Ajo kishte thënë që i kupton kritikat që procesi i deportimit nuk po shkon si duhet dhe se për këtë edhe ajo do të ndërmerr masa për kthim masiv të­ sidomos 100.000 shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova në këto vende por edhe azilkërkuesve tjerë nga Ballkani perëndimor raporton Gazeta “Blic”, cituar sot nga “Express”. Kuota e njohjes së azilkërkuesve nga Ballkani nuk mbërrin as në 1 përqind kurse prania e tyre në këtë shtet vetëm këtë vit është pothuajse e barabartë merefugjatë nga Siria.

Qeveria e Gjermanisë ka vendosur të merret me në çdo takim të kabinetit me çështjen e refugjatëve që të diskutojë secili aspekt të kësaj krize. Përgjegjësia kryesore për dëbimin përndryshe bie mbi Landet e Gjermanisë dhe në këtë pikë Merkel duket që sheh ngecje masive prandaj edhe ky intervenim i Qeverisë qendrore në Berlin.

PS: Debati i plotë Ruçi-Kokëdhima për shtyrjen e Kongresit

Propozimi i koordinatorit të Jugut, Koço Kokëdhima, për shtyrjen e kongresit të janarit ka ndezur debatin në mbledhjen e zhvilluar në PS me deputetët dhe bashkiakët e qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër.

Pas raportimit që deputeti Koço Kokëdhima, ka bërë para kryetarit të Asamblesë Kombëtare, i cili ka në patronazh tri rajonet e Shqipërisë së mesme dhe jugore, Ruçi ka reaguar menjëherë pas propozimit të tij për shtyrjen e kongresit për shkak se zgjedhjet në PS kërkojnë më shumë kohë.

“Vjen këtu para gjithë këtyre burrave dhe grave të nderuara dhe na thua se e kam bërë natën ditë, por koha nuk na del për të organizuar partinë dhe për ta mbledhur kongresin në janar, siç ka vendosur në unanimitet Asambleja Kombëtare. Kush je ti që del mbi vendimet e asamblesë?! Këtë që kërkon të bësh ti, nuk e ka bërë asnjë kryetar partie në Partinë Socialiste dhe asnjë deputet. Askush nuk ka dalë mbi vendimet e Asamblesë Kombëtare. Unë e kam ndjekur në mënyrë rigoroze punën tënde, siç kam ndjekur edhe punën e koordinatorëve të tjerë. Ti bën sikur ke shumë punë, por nuk ke bërë asgjë. Ke shkelur çdo afat statutor për zgjedhjet në organizatat socialiste. Kush je ti që ke marrë vendim për shtyrjen e afatit”, mësohet të ketë thënë Ruçi në prani edhe të kryesocialistit Rama në takimin e zhvilluar në Partinë Socialiste pak ditë më parë.

Ky reagim i Ruçit erdhi pas një fjalimi të Kokëdhimës në takimin me të zgjedhurit e dy qarqeve. Por Ruçi ka përcjellë në këtë takim dhe shqetësimet e deputetëve, kryesisht të qarkut të Vlorës, të cilët ndihen të pafuqishëm para zgjedhësve të tyre.

“Por nuk është vetëm kjo, më e rëndësishmja është marrëdhënia që ti ke vendosur në rajonin tënd. Ti vendos vetë, emëron vetë, përcakton vetë. Po fundja do të vijë kjo situatë, sepse ty të kanë bojkotuar të gjithë deputetët. Se ti deputetët nuk i bën pjesë të grupeve të punës”, është shprehur Ruçi. Në mbështetje të Ruçit ka dalë dhe deputetja e qarkut të Vlorës, Valentina Leskaj.

“Jam dakord me ç’ka thotë Gramozi. Ti nuk bashkëpunon me ne, nuk hap telefonin. Ti edhe kur ke mbledhje te zona ime elektorale, nuk thua e nuk njofton”, mësohet të jetë shprehur Leskaj.

Edhe deputeti Fatmir Toçi ka gjetur rastin që të shprehë para kryetarit të Asamblesë Ruçi dhe kryesocialistit Rama pakënaqësitë e tij ndaj koordinatorit të qarkut të Vlorës.

“Ty more zotëri nuk të do njeri dhe këtë duhet ta kishe kuptuar prej kohësh, dhe pse partinë e kemi vënë në dijeni. Ti e quan veten kryeministër të Jugut. Por me këtë mentalitet dhe mënyrë sjelljeje, ti po e merr në qafë Jugun”, mësohet të jetë shprehur deputeti i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi.

Kryeministri Rama nuk ka ndërhyrë në këtë debat, por ka kërkuar që mbledhja të mbyllet dhe problematikat në këtë rajon të diskutohen në mbledhjen e ardhshme.

debati

Rama kërkon shtyrjen e Kongresit, përplasje me Ruçin dhe Tahirin

Kryeministri Rama ka propozuar dje shtyrjen me dy muaj të kongresit zgjedhor të PS-së, që është vendosur të mbahet në muajin janar.

Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit të punës për zgjedhjet, të cilin Kryeministri e mblodhi një ditë me vonesë për shkak se e hëna ishte pushim, kryetari i Partisë Socialiste i propozoi këtij grupi mundësinë e shtyrjes së kongresit me justifikimin se riorganizimi i partisë dhe zgjedhjet e brendshme të saj nuk po ecin me ritmin e parashikuar nga Asambleja Kombëtare, e mbledhur në muajin korrik.

Ky propozim i kreut të Partisë Socialiste vjen pas një mbledhjeje të tensionuar të zhvilluar ditën e shtunë me koordinatorin e qarqeve Vlorë-Gjirokastër dhe deputetëve të tyre, ku deputeti Koço Kokëdhima kishte kërkuar shtyrjen e kongresit. Por Rama ka marrë kundërshtimin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe të disa prej ministrave të pranishëm në këtë takim.

Mësohet se Ruçi, i pyetur nga kryesocialisti Rama se ç’mendon për shtyrjen e kongresit të PS-së, është shprehur se “s’kam asnjë mendim për sa kohë ju dhe Koçoja e keni diskutuar dhe vendosur për kongresin”. Nuk ka kaluar me kaq, por Ruçi është mbështetur dhe nga ministrat. Të pranishëm në këtë grup pune, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati dhe Blendi Klosi kanë dalë kundër këtij propozimi.

“Nuk do të shtyjmë kongresin e partisë, që e ka vendosur Asambleja Kombëtare, pse këtë e do Koçua”, mësohet të jetë shprehur ministri i Brendshëm Tahiri, i cili është mbështetur edhe nga Bushati dhe Klosi.

I befasuar nga këto qëndrime, Rama ka kërkuar që propozimi i tij të diskutohet në takimin e zgjeruar që do të zhvillohet ditën e premte në selinë e Partisë Socialiste me të gjithë koordinatorët organizativë, që ai ka emëruar në gjashtë rajonet e vendit.

Në mbledhjen e përjavshme, ishin të pranishëm kryesocialisti Rama, kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, zv.kryeministri Niko Peleshi, koordinatorët rajonalë Sajmir Tahiri, Koço Kokëdhima, Lindita Nikolla, Ditmir Bushati, Blendi Klosi, Taulant Balla dhe krybashkiakët Erjon Veliaj, Dritan Leli dhe Vangjush Dako. ARISTIR LUMEZI

Dalin pseudonimet e 110 spiunëve të ish-Sigurimit – që janë aktivë në politikë si ministra, ish-ministra, deputetë, gazetarë

Medicina, serbi, greku, doktori apo piktori, ja disa nga pseudonimet e spiunëve të sigurimit.

Dalin nofkat e 110 spiunëve të ish-Sigurimit – që janë aktivë në politikë ministra, ish-ministra, deputetë, gazetarë.

Shtypi i Tiranës publikon 110 pseudonimet që politika apo media ka denoncuar gjatë viteve si etiketa të dosjeve të bashkëpunimit të personave që sot janë aktiv në politikë apo në institucione të ndryshme. Dhe kjo listë është bërë e njohur nga akuza të herëpashershme mes politikanëve që aludojnë për ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Politikanët shqiptarë gjatë 24 viteve nuk kanë lënë kusur ndaj njëri tjetrit, teksa kanë përmendur ku më pak dhe ku më shumë pseudonimet që kanë pasur si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës komuniste.

Dhe emrat janë nga të dy krahët, ku janë të përfshirë ministra, deputetë, diplomatë, gjeneralë por dhe përfaqësues të medias dhe duke treguar se deri më tani komisionet për pastrimin e politikës kanë kapur vetëm peshqit e vegjël, shkruan Shqiptarja.com.

Dhe s’janë pak emrat e përmendur nga politika, ku ne po botojnë listën me 110 pseudonime të bëra publike deri më tani, por që vegjetojnë në tërë piramidën e shtetit shqiptar. Me këtë shpjegohet dhe ngurrimi 24 vjeçar i politikës për të hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit, ku dhe me ligjin e ri lejohen infiltrime të ish-spiunëve sërish në politikë e administratë.

Nga 120 mijë dosje bashkëpunëtorësh që ka pasur ish-Sigurimi i Shtetit për 45 vjet, kanë mbetur 12 mijë të tilla, ku 6 mijë prej tyre janë të ruajtura në mikrofilma.

 Po risjellim listën e pseudonimeve, prej të cilave disa janë zbardhur:

1. Medicina

2.Penicilina

3. Qukapiku

4. Inxhinieri

5.Çiftelia

6. Çorapja

7. Qepa

8. Kodrina

9. Dizenjatorja

10. Financieri

11. Drita

12. Stilografi

13. I Vogli

14. Alfons Ballshi

15. Raketa

16. Profesori

17. Shkrimtari

18. Dragoi

19. Cigarja

20. Livadhi

21. Dëbora e re

22. Furtuna

23. Luftëtari

24. Snajperi

25. Proletari

26. Intelektuali

27. Sqepi

28. Doku

29. Bozhuri

30. Plepi

31. Parafabrikati

32. Kitara

33. Ushtari

34. Gjeli

35. Grepi

36. Shishja e qumështit

37. Serbi

38. Çiklisti

39. Fryma

40. Vesa

41. Greku

42. Malësori

43. Tigri

44. Vinçi

45.Sapuni

46. Diplomati

47. Poeti

48. Urithi

49. Pëllumbi

50. Stuhia

51. Kastori

52. Ekspertja

53. Oxhaku

54. Bredhi

55. Iriqi

56. Komshiu

57. Osumi

58. Komandanti

59. Vigjilenti

60. Trimi

61. Kalaja

62. Fshatari

63. Rruga

64. Magazinieri

65. Nata

66. Dallga

67. Kominoshja

68. Dallga

69. Piktori

70. Xhuxhi

71. Trëndafili

72. Masoviku

73. Shkrepësja

74. Llulla

75. Fyelli

76. Arkitekti

77. Aktori

78. Torno

79. Kaçavida

80. Shkodrani

81. Kosovari

82. Kapteri

83. Agronomi

84. Zootekniku

85. Memeci

86. Koromania

87. Doktori

88. Qershia

89. Daja

90. Fryti

91. Demoni

92. Berthama

93. Kali Shalës

94. Poli Veriut

95. Bjeshka

96. Sandalja

97. Lisi

98. Fonogrami

99. Kronometri

100. Valltarja

101. Dirigjenti

102. Pashtriku

103. Vesa

105. Snajperi

106. Sykuqi

107. Përparësja

108. Pela Egër

109. Bjeshka

110. Giza


Send this to a friend