Energjik, i gatshëm të komentojë pas çdo deputeti, të flasë nga vendi apo edhe në foltore, të reagojë madje duke marrë dhe kohën e kolegëve të tij demokratë, ish-kryeministri Sali Berisha ka dominuar me fjalën e tij në foltoren e kuvendit. Në një sesion parlamentar ka folur plot 917 minuta në 73 diskutime që ka mbajtur duke ‘mundur’ dhe kreun e qeverisë, Edi Ramën i cili ka folur më pak se gjysmën e kohës së tij, 417 minuta. Berisha e ka shfrytëzuar në maksimum tolerimin e deklaruar publikisht nga kryeparlamentari Ilir Meta dhe të pranuar nga të gjithë deputetët, madje dhe kryeministri Rama, për t’i dhënë kohë të pakufizuar në foltoren e parlamentit.
Seancat plenare
Berisha zgjedh gjithmonë të vijë, ndërsa seanca plenare sapo ka filluar ose kanë kaluar vetëm diskutimet e para. Ndërsa hyn në sallë nuk harron asnjëherë të përshëndesë kolegët, e më pas me ipad-in e tij në dorë, si për të treguar se motoja “Shqipëria dixhitale’ është ende e rëndësishme për të, ulet në vendin e deputetit mes ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe ishministrit të Financave, Ridvan Bode. Me ipad-in përpara, por dhe dosjen me shkresa, demokrati Berisha është gati në çdo moment të reagojë. Shpesh nuk pret as që t’i japë fjalën kryesuesi i seancës, por nis të reagojë pa mikrofon. Ka një koment për çdo çështje e mundësisht një diskutim pas çdo deputeti. Nuk përton të çohet për të folur nga vendi e as për të shkuar në foltore ku edhe pse mund t’i jetë dhënë fjala për dy minuta replikë, kujtohet të mbarojë pasi kanë kaluar 20 apo edhe 40 të tilla. E ndërkohë që flet ka një përgjigje për çdo deputet që komenton fjalimin e tij apo i kërkon të mbarojë për t’i lënë dhe të tjerët të flasin. Kur seancën e drejton kryeparlamentari Meta e ka edhe më të sigurt tolerimin dhe vazhdon të flasë për minuta të tëra.
Paralajmërimi për të përfunduar fjalimin nuk bën punë thuajse asnjëherë. Të qenit në opozitë prej dy vitesh tashmë duket se i ka dhënë edhe më shumë energji për të folur në mënyrë të veçantë pas fjalës së kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë shpesh është distancuar nga reagimet duke zgjedhur mos komentojë pas çdo akuze të paraardhësit të tij, por kjo ka qenë e pamundur kur në foltore ngrihet Berisha. Me tonin e tij të lartë, duke drejtuar gishtin herë te njëri ministër herë te tjetri por gjithmonë duke fajësuar ‘bashkëkryetarin Rama’ apo ‘bashkëkryetarin Meta’, Berisha e bën të pamundur që mos ketë dhe reagim ndaj tij. Por ai ka një kundërpërgjigje për çdo gjë e çdokënd.
Në shumë raste madje duke kaluar dhe akuza e fyerje. E ndërsa kthen përgjigje për secilin ligjvënës kalon nga një çështje në tjetrën duke u detyruar që më pas t’u kthehet shkresave për të gjetur se ku e kishte lënë. Duke akuzuar njëherë njërin e njëherë tjetrin deputet të mazhorancës, ndërsa flet në foltore, drejtohet shpesh nga deputetët demokratë për të marrë mbështetjen e tyre. Edhe pse vetëm një deputet i thjeshtë i PDsë në sallën parlamentare, Berisha merr shumicën e kohës opozitare duke lënë shpesh pa folur edhe kreun e Grupit Parlamentar, Edi Palokën. Por 71-vjetori i lindjes të cilin e festoi pak ditë më parë, duket se ka nisur të peshojë disi mbi supe. Kjo e detyron që në orarin e drekës të tërhiqet për të pushuar, edhe pse pasditja rezervon sërish debatet shpesh të ashpra të tij në seancën plenare të së enjtes.
Duke ndjekur këtë ritëm Berisha ka folur plot 73 herë nga 518 diskutime që ka mbajtur opozita në sesionin e kaluar parlamentar, nga janari në korrik të këtij viti. Në muajin janar edhe pse ka pasur vetëm 2 seanca plenare, ish-kreu i qeverisë nuk është kursyer të diskutojë 7 herë përballë vetëm 3 diskutimeve të kryeministrit Rama. Ndërkohë që ka folur pothuajse 3-fishin e kohës së kryeministrit Rama, në 4 seancat plenare të muajit shkurt duke marrë fjalën 17 herë kundrejt vetëm dy diskutimeve të Ramës. Muaji korrik me 6 seanca ka shënuar dhe kohën më të gjatë të minutave në dispozicion të ish-kryeministrit. Edhe pse vetëm 8 diskutime ai ka folur plot 295 minuta, afërsisht 37 minuta për çdo herë që është ngritur në foltoren e parlamentit.
Bashkë në foltoren e Parlamentit
Seancat plenare nuk kanë kursyer shpesh as situatat komike. Me e veçanta ishte ajo e 8 tetorit 2015 kur u bënë bashkë në foltore kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Rama edhe pse ishte ngritur për të mbajtur fjalën e tij, nuk e kurseu ftesën për t’i lënë foltoren paraardhësit që po kompentonte nga vendi për skandalin e CEZ-it. Deputeti demokrat e mirëpriti këtë ftesë ndërsa kryeministri zgjodhi të qëndronte përkrah tij.
Por kur Berisha lexonte akuzat kundër qeverisë, Rama duke ndjekur fjalimin e tij, u tregua i vëmendshëm që përmes batutave t’i tregonte se po shtonte përtej fjalës që kishte shkruar në letër. “Kthehu këtu, se nuk është këtu ajo që thua”, iu drejtua ai Berishës çka shkaktoi të qeshura dhe ilaritet në sallë.
Berisha mes të qeshurave ftoi një nga deputetët për të vërtetuar se ai po lexonte atë çka kishte shk4ruar. “S’ka gjë kështu e ka ky”, e mbylli ai batutën për të vijuar me akuzat. “Ky zotëria që rri këtu në këmbë, i cili në kulisa me Stefan Fylen e të tjerë ishte zotuar se do shkelmonte çdo interes publik”, tha Berisha. Por Rama iu përgjigj me një batutë: “Dihet botërisht se vetëm Doris Pak është e virgjër, Stefan Fyle e të tjerë janë të implikuar”. Berisha e ka përfunduar fjalimin e tij mes batutash me njëri-tjetrin, ndërsa për ta përcjellë kryeministri Rama i ka “rënë” supeve.
Diskutimet
Sesioni i IV-të i legjislaturës së VIII të Kuvendit të Shqipërisë
Kryeministri Rama në total gjatë sesionit të kaluar parlamentar ka diskutuar 19 herë në 417 minuta.
Sali Berisha gjatë sesionit të kaluar parlamentar ka diskutuar 73 herë në 917 minuta.
Në total mazhoranca ka pasur 461 diskutime në 4354 minuta.
Në total opozita ka pasur 518 diskutime ne 5317 minuta.
Në total seancat plenare të këtij sesioni kanë pasur 979 diskutime në 9671’.
Seancat plenare kane zgjatur gjithsej 228 orë e 25 minuta.
Sesioni i V-të i legjislaturës së VIII të Kuvendit të Shqipërisë
1.Muaji shtator, janë zhvilluar 4 seanca, 34 orë e 45’
Totali 73 diskutime – 1.379’
Mazhoranca në total 37 diskutime – 588’
Opozita në total 36 diskutime – 791’
Edi Rama 3 diskutime – 70’
Sali Berisha 5 diskutime – 96’
PS 32 diskutime – 554’; LSI 4 diskutime – 24’; PR 1 diskutim – 8’; PD 35 diskutime – 783’ dhe PDIU 1 diskutim – 10’
Koha e diskutimeve në 31 seanca plenare
Sesioni i IV-të i legjislaturës së VIII të Kuvendit të Shqipërisë
1.Muaji janar, janë zhvilluar 2 seanca 21 orë e 15’
Totali 54 diskutime – 573’
Mazhoranca 25 diskutime – 288’
Opozita 29 diskutime – 285’
Edi Rama 3 diskutime – 58’
Sali Berisha 7 diskutime – 60’
2.Muaji shkurt, janë zhvilluar 4 seanca 38 orë e 45’
Totali 214 diskutime – 1863’
Mazhoranca 98 diskutime – 834’
Opozita 116 diskutime – 1029’
Edi Rama 2 diskutime – 62’
Sali Berisha 17 diskutime – 167’
3.Muaji mars, janë zhvilluar 4 seanca 7 orë e 30’
Totali 55 diskutime – 279’
Mazhoranca 16 diskutime – 131’
Opozita 39 diskutime – 148’
Edi Rama 2 diskutime – 42’
Sali Berisha 19 diskutime – 68’
4.Muaji prill, janë zhvilluar 5 seanca, 45 orë e 15’
Totali 209 diskutime – 2129’
Mazhoranca 95 diskutime – 945’
Opozita 114 diskutime – 1184’
Edi Rama 6 diskutime – 102’
Sali Berisha 10 diskutime – 147’
5.Muaji maj, janë zhvilluar 4 seanca, 30 orë e 25’
Totali 149 diskutime – 1599’
Mazhoranca 73 diskutime – 725’
Opozita 76 diskutime – 874’
Edi Rama 2 diskutime – 42’
Sali Berisha 9 diskutime – 132’
6.Muaji qershor, janë zhvilluar 2 seanca, 14 orë e 30’
Totali 72 diskutime – 70’
Mazhoranca 34 diskutime – 265’
Opozita 38 diskutime – 436 ’
Edi Rama 2 diskutime – 31’
Sali Berisha 3 diskutime – 48’
7.Muaji korrik, janë zhvilluar 6 seanca 71 orë e 25’
Totali 226 diskutime – 2527’
Mazhoranca 120 diskutime – 1166’
Opozita 106 diskutime – 1361’
Edi Rama 2 diskutime – 80’
Sali Berisha 8 diskutime – 295’ /Shekulli/