VOAL

VOAL

Parku Kombëtar i Valbonës – rreziqet që i kanosen

Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, është një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme në Shqipëri. Me përmirësimin, vitet e fundit, të infrastrukturës rrugore dhe investimet e vetë banorëve, në këtë pjesë të Alpeve shqiptare po zhvillohet me shpejtësi turizmi. Ndërkohë, banorët e Luginës së Valbonës po kundërshtojnë ndërtimin, brenda Parkut Kombëtar, të tre hidrocentraleve. Korrespondentet e Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo dhe Ilirian Agolli,  përgatitën kronikën:

Vlerësuar si mrekullia e alpeve shqiptare Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, shtrihet përgjatë Luginës së Valbonës, me një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Peisazhi malor, ujrat e Lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit  po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, kjo edhe falë përmirësimit të rrugës automobilistike, furnizimit me energji, dhe investimeve të vetë banorëve për pritjen e pushuesve.

Por banorët janë të shqetësuar se Parku kombëtar do të dëmtohet nga ngritja e tre hidrocentraleve në Luginën e Valbonës.

Drejtuesi i shoqatës së turizmit në Valbonë, Alfred Selimaj, thotë se koncensionet e dhëna për ndërtimin e tre hidrocentraleve, atë të Valbonës, Dragobisë dhe Çeremit, do të dëmtojnë turizmin dhe vetë ekosistemin e Parkut Kombëtar.

“Spontanisht e kemi marrë vesh se do të ndërtohen dy hidrocentrale këtu. Shqetësimi i parë është moskonsultimi me komunitetin, pasi nuk kemi pasë asnjë informacion. Lumi do të devijohet rreth 7 kilometra përmes tubave dhe tuneleve. Nëse cënohet lumi, shkatërrohet natyra, dhe atëherë kuptohet se kjo do të ndikojë në fushën e turizmit”.

Edhe bashkëshortja e Alfredit, Catherine Bohne, e njohur gjërësisht si “amerikania e Valbonës”, e cila i është përkushtuar ruajtjes së ekosistemit të Luginës, shpreh të njëjtin shqetësim. Ajo thotë se, me ndërtimin e hidrocentraleve dëmtohet turizmi, ekosistemi natyror, por edhe vetë e ardhmja e Parkut Kombëtar. Sipas saj, qeveria shqiptare nuk ka respektuar Konventën Ahrus, të cilën e ka nënshkruar, konventë që parashikon informimin e banorëve.

“Ne kemi punuar bashkë me Ministrinë e Mjedisit për të shkruar dokumentin e zonimit, planin e menaxhimit për të mbrojtur këtë zonë. UNDP ka investuar, ka bërë një projekt shumë të madh për të zhvilluar këtë zonë. Kurse një ministri tjetër ka punuar për ta prishur. Është çmenduri dhe qeveria e Shqipërisë nuk mund të vazhdojë më kështu”.  

Tre kontratat konçensionare dhe vendimet për hidrocentralet në Valbonë janë miratuar nga dy qeveritë e fundit: ajo demokrate në gusht të vitit 2013 dhe ajo socialiste në prill të vitit 2014.

Madje në dhjetor të vitit 2014, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, vendosi nisjen e procedurave për licensimin e aktivitetit të prodhimit të energjisë nga HEC-et “Çeremi” dhe “Dragobia’, ende pa filluar puna për ndërtimin e tyre.

Zëri i Amerikës u interesua pranë Ministrisë së Energjitikës dhe Ministrisë së Mjedisit për të marrë reagimin e tyre në lidhje me ndërtimin e tre HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës, por zyrtarët nuk pranuan të komentojnë mbi këto projekte.

Perfaqësuesit e shoqatave ambientaliste në Tiranë e cilësojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar si një krim mjedisor kombëtar.

“Duke ndërtuar këto lloj hecesh, ne pikërisht prishim zemrën e asaj zone që është Lumi i Valbonës, i cili kalon pikërisht në atë luginë. Për këtë shkak, jo vetëm komuniteti lokal, por edhe i gjithë komuniteti i shoqërisë civile është shprehur kundra këtyre ndërtimeve. Dhe, përgjithësisht, të gjitha këto ndërtime janë të atilla që, efekti i tyre financiar në përfitimin energjitik, në vlerësimin e shumicës së specialistëve është shumë më i vogël në krahasim me efektin financiar që mund të ketë pjesa e zhvillimit të turizmit apo zhvillimit të qendrueshëm të kësaj zone”, thotë Rezart Kapedani i shoqatës “REC Albania”.

Për mjekun njohur Din Selimaj, vendimi i qeverisë për dhënien e koncensioneve për ndërtimin e tre hidrocentraleve, brenda Parkut Kombëtar të Valbonës, është marrë pa u  konsultuar me komunitetin vendas dhe, si i tillë, ai po kundërshtohet masivisht prej banorëve.

“Komuniteti i Valbonës është krejt kundër. Në vend që të investohet në stabilizimin e Luginës së Valbonës, në vend që të stabilizohen më mirë  projektet e zhvillimit duke i dhënë përparësi lidhur me ndërtimet, llojin e materialit me të cilin do të ndërtohet, nivelin e kateve, hapësirave të gjelbërta, etj, vijnë ndërtohen hidrocentrale, pra thahet lumi”.

Banorët e Valbonës kanë nënshkruar një peticion drejtuar Kryeministrit Rama, përmes të cilit shprehin shqetësimin dhe kundërshtimin e tyre për ndërtimin e 3 hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar.

Ndërsa përfaqesuesi i shoqatës “ECO Albania”, Olsi Nika, thote se ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë është i papranueshëm:

“Pavarësisht nga masat që kompanitë që do të ndërtojnë në Valbonë për të respektuar  standartet mjedisore, pavarësisht gjithçkaje tjetër, kuadrin ligjor që ata do të respektojnë; rregullat, lejet e ndërtimit, lejet mjedisore, etj, për ne është përfundimisht një vend ku nuk duhet të ndërtohen hidrocentrale”.

Catherine Bohne, “aerikania e Valbonës”, kjo grua që prej vitesh është dashuruar me alpet shqiptare, nga vendi ku po ndërtohet kanali, që do të devijojë ujrat e Valbonës lëshon një apel për të gjithë shoqërinë shqiptare:

“Kam një apel që të gjithë njerëzit, ata që janë në shoqata, në qeveri, të gjithë njerëzit, në qoftëse bashkëpunojmë me besim edhe me shpresa, ne mund ta mbrojmë këtë thesar, Valbonën.”

JO VEZË! – Nga REXHEP SHAHU


Jo vezë, po argumente. Derdhni breshëri argumentesh e jo vezë!
Jo shaka me vezë, jo tallje me vezë.
Hidh vezë dhe lëpij, hidh vezë dhe pajtohu, shfryhu, shkllahu, shkordhu, derdhu, jooo.
Vezët i duhën kryeministrit, edhe ashtu të paziera, të pa skuqura, edhe omëletë, qoftë edhe sklluke, vezët i shërbejnë kryeministrit, e ushqejnë kryeministrin, ia shtojnë jetën politike, ia vështirësojnë qeverisjen demokratike.
Vezët ju i çoni aty, ju i gjuani drejt kryeministrit, por i gatuan siç don për vete kryeministri, ngopet pushteti i tij me vezët tuaja. Nëse nuk e dini këtë, nëse nuk e kuptoni se vezët i bëjne mirë kryeministrit, lereni fare, çelni zogj si klloçka në karriget e kuvendit.
Me kauzat nuk bëhet më shaka, kauzat nuk janë qershia të pshurrme që t’u kthehemi t’I hamë si të pa pshurrme. Kauzat duhen caktuar, fiksuar dhe nuk duhen tradhëtuar më. 
Ik nga parlamenti, ik nga kuvendi, lerja gjithë kuvendin, lerja gjithë shtetin, lerja gjithë jetën politike të zyrave kësaj mazhorance imorale.
Ik nga kuvendi dhe shko te qytetari, te qytetarët e tallur e të përvëluar nga cinizmi qeveritar.
Ik për arsyen e thjeshtë, të vogël në dukje, por ik se je opozitë e mashtruar, e fyer, e denigruar, e dhunuar, e tallur, e përbuzur. Ik se kryeministri gjithë kohën të përgojon, edhe pse ëshët stërbetuar se nuk do të merret me opozitën, por nuk di të bëjë gjë tjetër në këtë fytyrë toke veçse të përgojojë opozitën. Përgojon liderin e opozitës, nuk ia zë emrin liderit të PD sikur goja e tij e madhe është aq e lame dhe e pastër dhe i bëhet me mut nëse ia përmend emrin liderit të opozitës.
Ik si reagim ndaj mashtrimeve që janë bërë në këtë vend, nga mashtrimi për 300 mijë vende pune që nuk bëhen dot as për 10 vjet, ik nga mashtrimi e fyerja aktuale brutale se ka çelur 26 mijë vende pune dhe nuk ka fuqi punëtore shqiptare të specializuar sikur teknologjia dhe zhvillimi në Shqipëri ia kalon Gjermanisë e japonisë. Mashtrim tallës spektakular për gjithë shqiptarët. I quan dembelë shqiptarët dhe vendet e punës i ka vetëm në deklaratat mashtruese që bën. Ik opozite e dashur nga parlamenti ku mashtron ky kryeministër, ku reciton e aktron mashtrime monstruoze si 26 mijë vendet e punes që vajtojnë se s’ka punetorë në Shqipëri.
Ik dhe shko te njerzit, te pabuksit, tek të tallurit. Ik, por ik e mos u kthe nga mashtrimi, ik e mos u mashtro, ik dhe kthehu vetëm kur të bëhet i dinjitetshëm ky parlament, kur të sjellësh edhe vetë meritorë në këtë parlament e jo rastësorë, jo ata që blejnë e financojnë mandate.
Ik nga ky kuvend, por ik seriozisht dhe mos bëj sikur se nuk të beson askush kur bën sikur. Ik dhe dil ne sheshe, dil me njerzit e vertetë, jo me deledashët që ke filluar t’i kesh qejf, dh eke filluar t’I zevendësosh me qëndrestarët që janë shpirti yt, dil me qëndrestarët, jo me kukullat e manekinët, jo me ata që lodhen gjithë ditën e lume vetëm e vetëm t’i shohë koridoreve kryetari, vetëm t’ua hedhë sytë kryetari dhe këte ata e kanë punë të vetme te partia.
Jo me këta, por dil se atje në shesh i ke njerzit, atje në sheshet e talljes, fyerjes, skamjes. Thirri e mblidhi të mashtruarit që janë të skuqur nga mashtrimi që u është bërë, bëji bashkë se janë gati por kërkojnë vetëm të mos mashtrohen më, kurrë më, nga askush.
Dil në sheshe dhe gjeji prindërit e fëmijëve që ndjehen si fëmije armiqsh, si fëmijë të daklasuarish sepse qeveria u ka heqë babain ose nenën nga puna dhe shihesh me sy të keq, shihesh si i deklasuar, me biografi të keqe.
Dil në sheshe se do të të vijnë pas gjithë të rinjtë që kanë prindër të përbuzur, të dëbuar dhe hakmarrja për baballarët është e do të jetë e përbindshme – shoh fëmijët e mi se çfarë urrjetje kanë për shkencëtarin botëror të kastarvecit, atë panaritin e panaritit… që kur është në pushtet PD, thotë jam mik i Lul Bashës, e tani që është PS në pushtet, ai panarir panariti thotë se kuron imazhin e Ilir Metës në arenën ndërkombëtare dhe në qarqet akademike… 
Dil opozitë e dashur në sheshe dhe vetëm mos gënje, vetëm këtë bëj, mos gënje, mos mashtro, mos tall e poshtro më askënd se edhe ti ke poshtruar kur ke qenë në pushtet.
Mjaft ke tallë edhe ti edhe deputetët e tu, mjaft kanë tallë…
Kërko ndjesë të thellë, të ndershme për mashtrimet që ke bërë, thuaj me falni se kam mashtruar, me falni se kam përbuzur, më falni se kam hedhur njerëz në rruge me keq se lopa bajgën. Dhe premto se nuk mund të ndodhë më kurrë që të flakësh njerëz në rrugë siç nuk ka bërë as diktatura komuniste e cila të bënte njëmijë e një të zeza por pa një rrogë të qelbur nuk të linte, e cila edhe kur dilje nga burgu, të sistemonte me një rroge e punë të te qelbur qoftë edhe në internim, fermë a në kooperativë. Ndërsa sot në demokraci luajnë kurvash partitë politike sa herë marrin pushtetin, flakin njerëz në rrugë pa asnjë përgjegjësi. Thuaju njerzve, do ju heq nga puna, por pa një punë nuk u lë se ta këndojnë të gjithë po pa zë atë që thoshte shkodrani në diktaturë: rrogën mos ma prek, te rroga mos ha mut…
Dhe nuk të duhet asgjë më shumë e dashur opozitë  se sa ndershmëria, asgjë më shumë se të dëbosh servilat, të paktën sa je ende në opozitë se kur të jesh në pushtet shumicën e servilave do e kesh në brekë. Por sot të paktën dil në shesh dhe mos paracakto me shkelje syri ministrat e nesërm, deputetët e nesërm, ambasadorët e nesërm, drejtorët e nesërm, sepse këta që të sillen si pordha nëpër brekë kanë ardhë vetëm për këtë shkak – të punësohen nesër në administratën e lartë si biznesi më i mirë i mundshëm për tu bërë elitë dhe pasanik. Qartëso e këmbëngul që të zgjedhurit vendorë si kryebashkiakë ndonëse pakicë në shkallë vendi të jenë modele frymëzimi dhe shprehu, a janë të tillë aktualisht, a po e justifikojnë besimin e dhënë nga partia e pastaj nga qytetarët e vendit që i kanë zgjedhë. Këta të zgjedhur janë modeli që të japin krahë ose t’i presin krahët. Se ata që rendin të hyjnë nën sqetulla nuk besojne dot se një ditë nuk do të jenë politikanët më të pasurit e vendit.
Se u zgjata, por unë thashë : Jo me vezë!
Jo me vezë sepse është shaka, shaka bajate, e vjetër, aspak origjinale, tejet e konsumuar. 
Bëjeni parlamentin në udhët e sheshet e vendit me njerzit e përbuzur e të tallur që janë shumë edhe nga ata njëmilionë maskarejtë e këtij vendi që u bënë bashkë dikur nën thirrjen, maskarej të vendit bashkohuni ta shporrim malokun Berisha.
Urinë ndoshta e durojnë njerzit gjatë, por talljen e përbuzjen nuk e hanë dot. As me vezë…

Zëri i Amerikës: Tension në parlament, vezë kryeministrit

Voal – Tension në sallën e parlamentit shqiptar në nisje të seancës së sotme. Opozita ka bllokuar zhvillimin e punimeve, ndërsa disa prej deputetëve të saj tyre kanë qëlluar me vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. E djathta kërkoi me ngulm realizimin e disa kërkesave të saj. E para lidhet me një ndryshim në ligjin për dekriminalizimin, sipas të cilit “të zgjedhurit dhe funksionarët e arrestuar në kushte flagrance plagosje apo vrasje me dashje, pezullohen nga pjesmarrja në parlament deri në një vendim përfundimtar të gjykatës”. Kjo kërkesë erdhi ndërsa deputeti Armando Prenga, i përfshirë vjeshtën e kaluar në një konflikt të armatosur, u rikthye këtë javë të merrte pjesë në komisionet parlamentare pasi gjykata vendosi për të masën “detyrim për paraqitje”.

Prenga fillimisht u arrestua, dhe pas disa muajsh, u la në arrest shtëpiak. Ai u përjashtua menjëherë nga radhët e grupit parlamentar socialist. Prania e tij në parlament provokoi një reagim të fortë të opozitës. E djathta propozoi gjithashtu votimin me shpejtësi të akteve të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit për dekriminalizimin.“Kushtet që shpalosim sot, nuk janë një tekë. Janë rruga drejt normalitetit. Janë kthimi i normalitetit në vend. Eshtë marrëveshja politike e 24 dhjetorit të vitit 2014 që votuam me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian. Të ndalim dhunimin e kësaj marrëveshje, dhe kjo kërkon: Miratimin e amendamentit në ligjin e dekriminalizimit që largon nga ky Kuvend deri në gjykimin final Armando Prengën; miratimin e vendimit që fut në zbatim ligjin për dekriminalizimin; dërgimin nga ky Kuvend në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën, Valentina Leskajn dhe Rakip Sulin, të cilët në dhunim të Kushtetutës kanë konsumuar paratë e publikut shqiptar, dhe pasurinë publike ndërkohë që janë vetë deputetë; Heqjen e pengesës të komisioneve hetimore parlamentare ndalimin e zhvlerësimit të tyre, duke hequr instrumentin e kuorumit që e ke përdorur deri më sot vetëm për bllokim. Pa këto, pa realizimin e këtyre kushteve ky institucion dhe kjo foltore nuk do të funksionojnë”, deklaroi kryetari i grupit demokrat Edi Paloka.

Këtë qëndrim opozita e kishte paralajmëruar dhe më parë. Sot për shkak të frikës së zhvillimit të ngjarjeve të ngjashme me ato në parlamentin e Kosovës, deputetët ju nënshtruan kontrolleve të rrepta. Tre prej tyre, përfaqësues të opozitës, u gjetën me vezë nëpër canta. Në sallën e parlamentit, deputetët e opozitës më pas, rrethuan foltoren, duke mbajtur në duar parulla me mbishkrimin “Jashtë kriminelët”. Pas një ndërprerje të seancës, shumica kaloi me shpejtësi votimin për dekretet e presidentit për ndryshimet në qeveri, duke mbyllur brenda një kohe shumë të shkurtër punimet e parlamentit. Deputetët e opozitës kanë qëndruar të grumbulluar para foltores mëgjithëse seanca u deklarua e mbyllur. Dhe ky ka qenë momenti kur në drejtim të kryeministrit është qëlluar disa herë me vezë.

Amnesty International: Në Shqipëri gjendje e rëndë e të drejtave të njeriut

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International nxori raportin e saj vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku analizon 160 vende, ndër të cilat edhe Shqipërinë.

Ndër problemet kryesore që nënvizon AI në Shqipëri, janë gjendja e komuniteteve roma dhe egjiptase, sidomos për sa i përket të drejtës për strehim; situata e rëndë ekonomike që ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe mbrojtja e pamjaftueshme e viktimave të dhunës në familje.

Organizata ndërkombëtare shpreh shqetësim për shkatërrimin në korrik të banesave të shumë familjeve rome, pasi ishin identifikuar si ndërtime të paligjshme dhe autoritetet nuk kishin lejuar legalizimin e ndërtimeve në përputhje me ligjin e vitit 2014.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave, një temë që ngrihet shpesh në raportet ndërkombëtare për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, përfshihet edhe në raportin e sivjetshëm të Amnesty Internationa. Organizata thotë se megjithë kërkesat e shumta pranë autoritete të grave dhe vajzave për mbrojtje nga dhuna në familje, vetëm një përqindje e vogël e këtyre kërkesave janë miratuar, pasi viktimat tërheqin padinë si rezultat i presionit nga të afërmit.

Kultura e pandëshkueshmërisë mbetet problem, vëren në raportin e saj Amnesty International, duke përmendur ish-drejtorin e policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj që nuk zbatuan urdhër-arrestet për anëtarë të Gardës Kombëtare të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011. Nga kultura e mësndëshkimit përfitoi edhe Aleks Nika, megjithë shpalljen fajtor në këtë incident, thuhet më tej në raport.

Ndër probleme të tjera në Shqipëri, raporti ngre gjendjen e vështirë ekonomike që ka shtyrë mijëra vetë gjatë vitit të kaluar të kërkonin strehim në Evropën Perëndimore. Po ashtu mbetet problem, thekson Amnesty International, gjendja në burgje dhe qendra para-burgimi ku të burgosurit dhe të ndaluarit keqtrajtohen dhe mbahen në kushte të papërshtatshme.

Amnesty International nxjerr çdo vit një raport mbi respektimin e të drejtave të njeriut në botë. Në prezantimin e raportit të sivjetshëm, organizata thekson se shumë nga të drejtat e njeriut janë aktualisht nën kërcënimin e masave të ashpra për hir të sigurisë kombëtare, apo nën presionin e interesave afat-shkurtra kombëtare. Një prirje e rrezikshme, thekson organizata, vërehet aktualisht ku qeveritë po përpiqen të kufizojnë shumë të drejta duke i cilësuar si kërcënime ndaj sigurisë. Kjo prirje, thekson Amnesty International po vë në rrezik përparimet e bëra në botë gjatë 70 viteve të fundit.

Presidenti Nishani kërkoi rrëzimin e ligjit të pronave si antikushtetues

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin “për trajtimin e pronës dhe përfundimin e kompensimit të pronave” si dhe pezullimin e zbatimit të tij.

Presidenti vlerëson se skema e ofruar në këtë ligj për kompensimin e pronarëve bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive siç e kërkon Gjykata Europiane për të Drejtat Njerëzore.

Qeveria propozoi këtë ligj për të zgjidhur çështjen e pronarëve të vjetër, duke eliminuar në praktikë zvarritjet burokratike, për të sjellë barazi mes gjithë ish-pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, për një shpërblim të drejtë.

Qeveria synoi të gjejë një balancë mes interesit publik dhe të drejtës së pronës, brenda mundësive të shtetit social.

Ligji pretendohet nga qeveria se sjell një formulë efikase dhe realiste për kompensimin e pronarëve, një afat të arsyeshëm dhe të përcaktuar kohor për përfundimin e të gjithë procesit, një zgjidhje të drejtë, duke respektuar normat kushtetuese për të gjithë pronarët, por gjithashtu edhe për të gjithë qytetarët, duke mbajtur në konsideratë interesin publik.

Ligji u miratua në 5 dhjetor 2015 me 78 vota nga parlamenti. Presidenti Nishani e ktheu atë për rishqyrtim në parlament. Por ai rrëzoi dekretin e presidentit dhe ligji u miratua dhe u botua në Fletoren Zyrtare në fillim të shkurtit.

Rama në Londër: Nëse Britania del nga BE, ne jemi gati ta zëvendësojmë

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i ftuar në takimin e organizuar nga BERZH me vendet e rajonit të Ballkanit, i organizuar në Londër të Britanisë së Madhe. Gjatë konferencës për shtyp, Rama nuk ka nguruar të bëjë edhe batuta me pyetjet që i vinin nga gazetarët e pranishëm.

Gazetarët kanë kryeministrat nëse mendojnë se Britania e Madhe do të dalë apo jo nga Bashkimi Europian dhe përgjigja e Ramës ishte: “Nëse Britania largohet, ne jemi gati ta zëvendësojmë… Por ajo nuk do të largohet.”

Rama ka kritikuar gjithashtu BE-në për standardin e dyfishtë që po përdor me Shqipërinë dhe Serbinë sa i përket procesit të anëtarësimit.

Europol: Shqiptarët rol kryesor në organizatat e trafikut të njerëzve

Organizatat e trafikimit të njerëzve kanë përfituar rreth 6 miliardë euro vitin e kaluar, ku pjesa më e madhe e kësaj shume ka ardhur nga trafikimi i emigrantëve për në Evropë, ka thënë agjencia policore e BE-së Europol në një raport të lëshuar të hënën.

Raporti, duke e cilësuar trafikimin me njerëz si një prej “tregjeve kriminale me rritjen më të shpejtë në Evropë”, thotë: “Ky qarkullim (prej 6 miliardë eurove) pritet të dyfishohet apo trefishohet nëse shkalla e krizës aktuale me emigrantë rritet vitin e ardhshëm”.

Europol dhe forcat policore në vendet në Evropë dhe jashtë saj kanë identifikuar më shumë se 12 mijë të dyshuar aktivë në banda të përfshira në trafikimin me emigrantë që nga viti 2015. Bandat, pjesëtarë të së cilave vijnë nga vende si Kosova, Bullgaria, Egjipti, Hungaria dhe Iraku, janë të përfshira në një shkallë të gjerë të aktiviteteve kriminale përfshi falsifikimin e dokumenteve dhe ryshfetin zyrtar, thotë raporti.

Të ashtuquajturat “pika të nxehta” ku aktivitetet e bandave janë të përqendruara përfshijnë qytete përgjatë shtigjeve ballkanike nga Lindja e Mesme, siç janë Stambolli, Izmiri, Athina dhe Budapesti por edhe çerdhe të mëdha kontinentale si Berlini, Calais, Zeebrugge dhe Frankfurti.

Por Europol thotë se ka pak dëshmi se “të dyshuarit terroristë” kanë shfrytëzuar rrjetet e trafikimit për të hyrë në kontinent në një shkallë të konsiderueshme.

“Shumë më pak se 0.01 për qind e të dyshuarve terroristë kanë pasur lidhje me emigrantët”, ka thënë drejtori i Europolit, Rob Eainëright, gjatë një konference për media.

Rreth një milion emigrantë kanë arritur në Evropë vitin e kaluar, shumica prej të cilëve kanë ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, ka thënë agjencia në raportin e lëshuar sot tani që është duke themeluar një qendër të re për të koordinuar luftën e gjerë evropiane kundër trafikantëve.

Qendra Evropiane për Trafikim të Emigrantëve, që do të vendoset në Hagë, do t’ju ndihmojnë forcave policore brenda dhe jashtë Evropës që të shpërndajnë informacione dhe të ndihmojnë me zbarkimin e shpejtë të forcave emergjente policore në rast të hapjes së shtigjeve të reja të emigrantëve.

Kodheli: Shqipëria e përgatitur për një fluks refugjatësh

Duke folur para deputetëve, Kodheli theksoi se Shiqpëria është e përgatitur dhe ka marrë masat e duhura për një fluks të mundëshëm refugjatësh nga Siria.

Ministrja e Mbrojtjes tha se, në bazë të informacioneve të mbledhura rezulton se refugjatët mund ta përdorin Shqipërinë si vend tranzit, vetëm për të kaluar, pasi nuk janë të interesuar të stacionohen këtu.

Ndërkohë, në komision ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Socialite, Armando Prenga, i vënë nën akuzë nga prokuroria për plagosje, kanosje dhe armbajtje pa leje.

Kështu, Prenga merr pjesë në punimet e Parlamentit pas më shumë se 5 muaj mungesë, pasi vetëm pak ditë më parë Gjykata e Lartë i ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Rama kritikon BE-në: Jemi mbrapa Serbisë, sepse nuk kemi Rusinë

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer kritikave ndaj Bashkimit Europian sa i përket raporteve me Shqipërinë.

Rama ka zgjedhur të japë shembullin e Serbisë dhe mënyrës se si ky shtet duke përdorur si presion marrdhëniet me Rusinë, ka arritur të avancojë drejt rrugës së anëtarësimit.

“BE është më e kujdesshme ndaj tyre sesa ndaj nesh, sepse ne nuk kemi Rusinë. Kështu, ata ende nuk liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës, neve na thonë ju jeni duke ecur shumë mirë, por keni ende për të bërë. Ndërsa ai fluturon në Rusi dhe merr hapjen e negociatave”, transmetojnë mediat deklaratën e Ramës.

Rama ndodhet në Londër ku po merr pjesë në samitin e organizuar nga BERZH.

Llalla: Kemi nisur hetimet ndaj Bashkisë së Tiranës për Parkun e Liqenit

Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi sot se Prokuroria ka nisur verifikimet për projektin e ndërtimit të parkut të lojërave në Parkun e Liqenit Artificial. Në një prononcim të bërë për mediat pas analizës së prokurorisë së Lushnjës, ai tha se procedura ka nisur pa denoncimit të bërë nga shoqëria civile. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambientalistë patën mbrëmë një takim me kreun e akuzës. Ata e informuan atë për dyshimet se leja për ndërtimin e parkut është e falsifikuar. Në takim ishin Sazan Guri, Eljan Tanini, Ervin Goci dhe Artan Manushaqe. Menjëherë pas takimit përfaqësuesit e shoqërisë civile depozituan një kallëzim penal dhe prokuroria ka nisur hetimet pa vonesë. Sipas kallëzuesve, në muajin janar Erion Veliaj ka shpallur tender pa patur projekt dhe ka marrë vendimin disa ditë më pas se të bëhej protesta e të mërkurës. Përfaqësuesit e shoqërisë civile dyshojnë se vendimi duhet të ketë në numër të një date të mëparshme. Sipas tyre, përveç falsifikimit, Bashkia e Tiranë snuk ka leje ndërtimi për projektin, as leje mjedisore, nuk e ka plotësuar projektin me studimet e duhura dhe nuk ka informuar publikun. “Jemi në një proces të paligjshëm të bashkisë e cila ka ndërhyrë në Park duke shkelur lejet e mjedisit, të ndërtimit e deri në falsifikim të datave para vendimmarrjes së ndërhyrjes,” u shpreh Sazan Guri pas daljes nga takimi me kryeprokurorin Ardiatik Llalla. /Lapsi.al 

Mësohet kush është protestuesja që u dhunua nga policia

TIRANE- Mimoza Boçari mësohet që është gruaja që u dhunua nga efektivi i policisë. Ajo reagoi ndaj tij teksa e pa se po godiste një të ri, dhe i hoqi kapelën, por pas kësaj edhe ajo u godit nga polici. Ajo ishte mes të ndaluarve ditën e sotme nga policia, por u la e lirë disa orë më pas.

Gruaja, rreth 60 vjeç, nënë e tre fëmijëve, është me profesion mjeke dhe ka dale në pension.

Mësohet se 20 vitet e fundit, Mimoza ka punuar si kirurge pediatre në Gjermani, ku emigroi në fillim të viteve 1990-të.

Ajo rrjedh nga një ndër familjet më të shquara në Shqipëri, ish-pronarë të mëdhenj të shpronësuar nga regjimi komunist.

Gruaja që u qëllua është Mimoza Boçari, 60 vjeçare ish­mjeke në duart e së cilës vdiq protestuesi i 21 janarit, Hekuran Deda.

Mimoza Boçari është një nga zërat më të ndjeshëm në vend për të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe ishte e vetmja jo socialiste që mori pjesë në grevën e urisë së PS-së në bulevard në maj 2010.

Dhunë policore kundër protesuesve veprimtarë të mjedisit

Forca të shumta policore arrestuan sot drejtuesit e protestës pro mjedisit në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Veprimtarët e mjedisit po protestonin kundër ndërtimeve të bashkisë në parkun e Liqenit Artificial.

Ata rrëzuan rrethimin e kantierit, ku po nis ndërtimi i bashkisë në mes të parkut.

Veprimtarët e mjedisit po përpiqen të pengojnë një ndërtim të bashkisë në park.

Bashkia thotë se po ndërton një park lojërash për fëmijë, por veprimtarët dyshojnë se aty po ndërtohen lokale dhe restorante.

Midis protestuesve të arrestuar është edhe Eljan Tanini, themelues i organizatës “Mbill Pemën Tënde” dhe veprimtar i “Lëvizjes pro Parkut”.
Gjatë arrestimit të veprimtarëve shpërtheu edhe dhuna e policisë ndaj qytetarëve të pambrojtur.

Shumë të rinj u arrestuan ndërsa një polic u evidentua qartë nga gazetarët për dhunën ndaj një zonje protestuese, duke e goditur fort në fytyrë.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, dënoi dhunën e ushtruar sot nga punonjësi i policisë ndaj një qytetareje gjatë protestave tek Parku i Liqenit Artificial.

Ai deklaroi se dhuna ndaj qytetarëve është e patolerueshme në cdo rast dhe rrrethanë.

Avokati i Popullit kërkon shkarkimin e menjëhershëm të policit, sepse “njerëz me prirje të tilla dhune nuk janë të denjë për të mbajtur veshur uniformen e policise”.

E drejta për të protestuar është e drejtë e njeriut që duhet respektuar maksimalisht nga çdokush, thotë ai.

Ministri i punëve të brendshme, Saimir Tahiri, deklaroi publikisht se dhuna fizike ndaj një gruaje prej policisë është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Ai kërkoi pezullimin e menjëhershëm të punonjesit e policise dhe lirimin e tij nga detyra. “Policia qe duam nuk mund te jete ajo që konfliktua sot me qytetaren” – tha zoti Tahiri.

Veprimtarët e kanë kthyer Parkun e Liqenit Artificial në një zonë të protestave të vazhdueshme për ta mbrojtur atë.

Prej disa muajsh ata po protestojnë kundër ndërtimit të disa pallateve shumëkatëshe nën digën e Liqenit Artificial, ja tani edhe mbi digë po protesotjnë kundër betonizimit të hapësirave mes parkut në emër të një këndi lojërash për fëmijët.

Janë po këta protestues, pjestarë të Lëvizjes Mbill Pemën Tënde”, që kanë mbjellë prej afro dy vjetësh në mënyrë vullnetare disa mijëra rrënjë fidanë në parkun e liqenit artificial dhe në fushën e plehrave në Sharrë.

Ata po përpiqen të mbrojnë mjedisin dhe zonat e pakta që kanë mbetur pa u prekur nga ndërtimet shumëkatëshe të firmave ndërtimore, të cilët, pasi u grabitën fëmijëve të Tiranës oborret dhe këndet lojërave brenda lagjeve, tani po u ngrejnë fëmijëve kënd lojërash në mes të parkut të liqenit, i vetmi, që ka mbetur ende pa u prekur.

Fronti anti-Rama në PS, 12 figura të larta kërkojnë ndërprerjen e mandatit të kryetarit

Kriza në Partinë Socialiste ka marrë dje një rrjedhë të pakthyeshme. Elita historike dhe intelektualët e PS kanë kërkuar ndërprerjen e mandatit të Edi Ramës si kryetar dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Tashmë Selia Rozë po ndahet në dy pjesë, në pro dhe kundër Ben Blushit. Teksa vetë Blushi e kishte deklaruar disa herë se shumë përfaqësues të Partisë Socialiste e mbështesin, dje u zbuluan disa nga emrat që ai ka pas vetes, i cilësuar tashmë si grupi anti-Rama. Përveç disa deputetëve aktualë, në mbështetje të Blushit kanë dalë dhe ish-deputetë dhe figura të njohura të së majtës shqiptare, të cilët kanë lëkundur pozitat e Ramës në krye të Partisë Socialiste, pasi nga dita në ditë po shtohet numri i socialistëve kundër tij. Plot 12 figura të rëndësishme të PS i kanë dërguar një letër prej 6 faqesh Alket Hysenit, kryetarit të Komisionit të Garancive Statuore, të cilit i kanë kërkuar interpretimin e 12 neve të Statutit të PS, që sipas këtyre figurave, janë shkelur për muaj dhe vite me radhë, si nga kryetari i saj, por dhe nga persona dhe struktura të tjera. I pari që ka firmosur letrën është ish-Presidenti Rexhep Mejdani, njëherësh dhe një figurë me emër në PS, po ashtu letra është firmosur dhe nga emra si: Tritan Kalo, Suzana Hakrama, Maqo Lakrori, Ndre Legisi, Marko Bello, Petrit Ago, Mark Nikolli, Arta Dade, Mimoza Hafizi, Ben Blushi dhe Namik Kopliku. Bie në sy fakti se përveç deputetëve Mimoza Hafizi dhe Arta Dade, në mbështetje të Blushit ka dalë dhe një deputet tjetër, që është Namik Kopliku. Të 12 emrat e mësipërm kanë qenë të prerë në letrën e tyre, duke kërkuar nga Komisioni i Garancive Statutore që të bëhet një interpretim i paanshëm i neneve të kërkuar, sidomos sa i takon nenit 30, që ka të bëjë me mandatin e kryetarit të Partisë Socialiste.
Kërkesat e figurave të PS
12 përfaqësues të Partisë Socialiste dhe figura të vjetra të saj, përmes letrës drejtuar kreut të Komisionit të Garancive Statutore, kanë kërkuar interpretim për plot 12 nene të Statutit të PS, pasi sipas tyre ata janë shkelur. Sa i takon nenit 30, për kryetarin e PS, ata kanë deklaruar se është shkelur kufizimi kohor, pasi aty përcaktohet që mandati i kryetarit duhet të jetë 4- vjeçar, ndërkohë që kanë thënë se mandati i Ramës ka shkuar në 7 vjet. “Për shkak se, për funksionin e kryetarit të PS, është shkelur parimi i kufizimit kohor të mandatit, sanksionuar në nenin 30 pika 2 të Statutit të PS, duke e çuar mandatin e tij nga 4 në 7 vjet, çka sjell si rrjedhojë humbjen e legjitimitetit në ushtrimin e funksioneve të tij në parti: Kërkojmë zbatimin dhe interpretimin e nenit 30 pikat 1/a, 1/b, 1/d, e pika 2 të Statutit të PS, mbi kufizimin kohor të mandatit te kryetarit të PS si dhe mbi legjitimitetin e ushtrimit të funksioneve të tij në parti, përtej këtij mandati”, janë shprehur ata. Sipas 12 figurave të njohura të së majtës, zgjedhja e kryetarit të PS duhet të bëhet sipas parimit një anëtar një votë dhe Kongresi nuk ka të drejtë të vendosë nëse do ketë zgjedhje apo jo për kryetarin, por përkundrazi të administrojë kandidaturat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve sipas parimit një anëtar një votë. Më tej në letër është kërkuar interpretim dhe zbatim të nenit 4, duke u theksuar se që prej datës kur duhej të mbahej Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste, strukturave qendrore dhe lokale të organizimit të brendshëm të PS iu ka mbaruar mandati, çka sipas tyre, bien në kundërshtim me një sërë nenesh të Statutit të PS. Ata kanë kërkuar interpretim dhe të nenit 32, që ka të bëjë me mandatin e anëtarëve të Komisionit të Garancive Statutore.  Kliti Topalli

Thellohet skandali i çarterave, Arben Ahmetaj nuk mbron dot udhëtimet e tij, ia lë fajin Saliut

Prej gati 5 ditësh nga denoncimi për udhëtimin me 17 çartera brenda 2 vjetësh, Arben Ahmetaj nuk po bën akoma transparente fluturimet korruptive. Kjo tregon se ai është kapur në flagrancë me këtë aferë korruptive të padeklaruar ligjërisht, të dyshimtë dhe të kundraligjshme.
Në këtë situatë Arbeni ka gjetur si komardare shpëtimi disa media, të cilat i sigjerojnë që edhe kësaj rradhe ai t’ja hedhë pa u lagur duke deklaruar se fajin e ka Saliu. I bindur se kjo është mënyra e vetme për ti shpëtuar burgut, Beni ka nxjerrë nga sistemi TIMS disa udhëtime në 8 vjet të Berishës me çarter dhe mundohet të justifikohet se meqenëse ka hypur ish-kryeministri çfarë më ndalon të hypi edhe unë.
 Me këtë metodë Ahmetaj mendon se i bën të gjithë fajtorë dhe ja hedh paq për t’i shpëtuar transparencës para ligjit. Kjo është mënyra më e shëmtuar për t’ju fshehur shqiptarëve të vërtetën duke u strukur poshtë sloganit të pështirosur ” Gjithë Fajin e ka Saliu”.

Dhuroni gjak ! Më 26,27 shkurt Klinika KEIT – dhe SHPËRNDAJENI, MOS PËRTONI, NUK JU KUSHTON ASGJË!

NISMA e Klinikës KEIT & KRYQIT të KUQ “EDHE UNE DUA TE JETOJ”, për DHURIMIN e GJAKUT në NDIHMË të FËMIJËVE që VUAJNË nga TALASEMIA vazhdon…

EJA e DHURO GJAK në 26, 27 SHKURT, pranë Klinikës KEIT, në Tiranë.

Deri tani, në 11 janar, 8 dhe 9 shkurt kanë DHURUAR GJAK 212 MIKESHA e MIQ, HERONJ!

Datat e ardhshme janë 26, 27 SHKURT, DHURIMI do të KRYHET në ambientet e Klinikës KEIT, pranë pallatit të Sportit “ASLLAN RUSI”, TIRANË.
MIRESE TE VINI, SILLNI MIQTË E MIKESHAT TUAJA…
NA SHKRUANI në INBOX që t’ju ORGANIZOJMË, është SHUMË e RËNDËSISHME.

2016-02-21_08-29-59

2016-02-21_08-29-19

Shtatorja u rrëzua por ideologjia komuniste vazhdon ta robërojë popullin tonë Nga Beniamin Bakalli

Me rastin e 25 vjetorit te rrëzimit të shtatores te diktatorit me të egër në ish bllokun komunist, PLL dega Tiranë së bashku me FR PLL organizoi një aktivitet të veçantë.

Ne nuk zgjodhëm hotel  Tiranën, as muzeun apo sallat e ngrohta të konferencave, por erdhëm në Malsine e Madhe, Plave Guci Tamare Kelmend si simboli  i qendreses të parë kombëtare antikomuniste, të udhëhequr nga Kreshniku Prenk Cali .

Shtatorja u rrezua por ideologjia komuniste me bijtë e saj vazhdon te robërojë popullin tonë.

Indoktrinimi i kombit tonë nga ideologjia komuniste është në shkallen maksimale.

Kjo e kthen në detyrim kombetar e patriotik angazhimin tonë aq sa të veshtirë por edhe shumë të rendesishme.

Popull, ka ardh koha të ndergjegjësohemi dhe të na bashkoheni në nismen tonë fisnike

Sepse vetëm të gjithë bashke mund ta bejmë !

Më 25 mars 1945, rreth orës 5 të mëngjesit, burri i Kelmendit Prenkë Cali, i lidhur bërryl në bërryl me brezat e belit të Malësisë, dhe me duart mbrapa të mbërthyer ndër vargoj në drunj, u ndodh para brigadës së pushkatimit në Zall të Kirit. Ai nuk u tremb nga vdekja e nuk pranoi që të kthehej me shpinë nga pushka, por me zë të fortë briti. Ai u dha zemër djemve të rinj, që po jepnin jetën për te e për Liri. Me gjoks përpara, ky vigan i pamposhtur, u tregoi komunistëve se si vdes shqiptari.

Ndoshta kjo nuk do të dihej kurrë, por për fat aty është ndodhur prifti Don Tomë Laca, i cili, u ka bërë shartet (sakramentet) e fundit mbas pushkatimit.

Mbas këtij akti nga komunistët (që kryenin masakrime me pushkatime), nuk u dhanë më asnjë kufomë e të vrarëve dhe as nuk lejuan më që të shkoj prifti aty, për t’i bërë shartet e fundit….

Atë ditë dhimbjeje, shumë qytetarë shkodranë i kishin mbështetur mbas murit të vorreze, ku, binin në sy trimat malësorë me çakçirë. Prenkë Cali, ishte i copëtuar në fytyrë nga breshërija e mitralozave. Ai ishte me kësulë në njërin sy dhe me cigare në gojë.

Edhe pse të vdekur, komunistët gjakatarë, nuk ngopeshin me veprën e tyre të poshtër e trathtare.

Po atë ditë, më 25 mars të vitit 1945, hafijet kasnecë komunistë, në muret e qytetit të Shkodrës ngjitën afishe të mëdha, të cilat, kishin titullin: “Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”, ku, më mbas vijojnë emrat:

1. Prenk Cali
2. Dom Ndre Zadeja
3. Luigj Gjeto Kastrati
4. Ndok Nik Bardhoku
5. Ndrek Loka
6. Arif Selim Hyseni
7. Ded Lulash Smajli
8. Gjok Nikaj
9. Dul Bajrami
10. Mark Luc Gjoni
11. Tom Lek Daka
12. Maliq Bajrami
13. Gjok Nikoll Voci
14. Pjetër Ded Gjedashi.

S’ia luen kush kufijt Preke Calit !

Bash ku rrine shqipet e malit
Ka pas ken kulla e Preke Calit
Ka pas ken nji kulle e bardhe
S’thone kot malet dere e pare
Dere kreshniksh ku knohet lahuta
Hije i ka pas sofra dhe pushka

Mhyri i gishtit o prej trimnive
I pat shtat vulat e kralnive
Kur Kongresi o i Berlinit
Ne na i dau o foshnjet prej gjinit
Trupin tone o e ndau me mur
Qysh se na ndau o shqipen flamur
Njaj Preke Cali u del perballe
Nuk t’i lshoj keto bjeshke per te gjalle
Ky Kelmend kreu i Malesise
Kurr nuk ndahet prej Shqipnise
Za po i lshueka o mali malit
Çilja i here shtegun Preke Calit
Paskan ardhe krajlat e vjeter
Duen me vu nji kufi tjeter
Shtyjne ,me pllam shtyjne me percike
Duen me e çeu ne Veleçike
Krahun shqipes o mos m’ja ngré
Flak do te marrin te tane ky dhé
Gjeth e bar per jete le te thahet
Gjalle pa dek Shqipnia s’ndahet!
Ka nxane ven mali me pyje
Ka nxane ven qielli me yje
N’bjeshkt e nalta kane zane ven gurrat
Po nigiojne se ç’po thone burrat
Za po i lshueka o mali malit
O s’ia luen kush o kufijt Preke Calit!

Artan Fuga: Kërkohet revolucion demokratik, jo rrotacion politik

Artan Fuga dje në konferencën e PD-së

Akademiku Artan Fuga ka folur për nevojën e një revolucioni demokratik, në një kohë kur qytetari duhet të rilindë.Sipas drejtuesit të departamentit të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, nuk është nevoja vetëm për një rrotacion politik dhe ndryshim të drejtuesve politikë, por vendosja e qytetarit në qendër të sistemit.

“Ky realitet për mua shtron nevojën e një revolucioni tipik demokratik. Nuk është çështja për një rrotacion politik, është një vendosje e qytetarit në qendër të programeve politike, në qendër të aksionit politik, në qendër të sistemit politik, në qendër të respektueshmërisë politike. Kjo nuk bëhet me prononcimet terminologjike, ku shteti i së drejtës po na zëvendësohet me termin e pluralizmit partiak, ku asnjanësia e institucioneve shtetërore po konsiderohet si politike, si bipartizanike, ku kryetari i pushtetit lokal konsiderohet si menaxher i qytetit, menaxher”, u shpreh Fuga.

Sipas akademikut, ka ndodhur një proces shumë i përshpejtuar centralizimi burokratik me reformë territoriale, të cilën e shkëputi më shumë pushtetin lokal nga vendimmarrja qytetare.

“Mjafton të shikojmë këshilltarët e bashkisë, statistikisht, se si i kemi tejkaluar. Me kalimin e kohës, ne e humbëm qytetarin si keqbërës, vjedhës të energjisë elektrike, të mos paguash taksa dhe ndërtimesh pa leje. Ndërkohë, politikat e korruptuara koncesionare kthyen në fuqi një model të tërthortë që nuk e njeh demokracinë ekonomike, s’ka lidhje fare. Sepse ekonomia jonë nuk e njeh këtë “marr-japin” popullor, nuk e njeh bursën e aksioneve, nuk i njeh kompanitë me kapital kolektiv, nuk e njeh ekonominë koolaborative. Ne jemi jashtë modernitetit si popull dhe këto nuk janë utopi, por realitete të cilat bota i njeh”, tha Fuga.

Studiuesi i komunikimit nuk la pa kritikuar edhe gjuhën e përdorur nga aktorët politikë, në një kohë që qytetarëve nuk u është dhënë akoma mundësia të marrin pjesë në ndonjë referendum lokal.

“Kuvendi ka një përplasje verbale grupesh, militantësh-partizanë, ligjja ka humbur verbin diplomatik. Populli është në ditë të hallit. Ende nuk kemi akoma një referendum lokal, apo në një rast të dytë s’kemi asnjë referendum kombëtar. Konkurset e hapura për një garë të barabartë midis qytetarëve janë një farsë komike. Pra, qytetari është zhvlerësuar në njëfarë mënyre”, theksoi akademiku.

Halili: “Shqipëria e nisi demokracinë pa disidentë, studentët mërguan”.

Studiuesi Llukman Halili sapo ka botuar në Tiranë në gjuhën shqipe studimin e doktorimit të tij “Lëvizja Studentore shqiptare 1990-91”.

Zoti Halili thotë se lëvizja e studentëve të Shqipërisë ishte një lëvizje anti-komuniste, që ia arriti qëllimet e saj.

Autori thotë gjatë një interviste me kolegun tonë në Tiranë, Ilirian Agolli, se mungesa e disidencës politike gjatë diktaturës ndikoi mjaft në rrjedhën e mëpasme të pluralizmit politik shqiptar.

Zëri i Amerikës: Dr. Halili! Cili është qëllimi kryesor dhe përfundimi kryesor i sudimit tuaj “Lëvizja Studentore Shqiptare 1990-1991”?

Llukman Halili: Ky studim rrjedh nga teza e doktoratës të mbrojtur në Universitetin e Zarës, që titullohej “Lëvizja Studentore dhe Tranzicioni shqiptar 1990-1991”. Qëllimi ishte që të dëshmohet përmes faktografisë ekzistuese, dokumenteve dhe literaturës së ndryshme të përdorur nga gjermanishtja, që të dëshmohej autenticiteti i Lëvizjes Studentore, origjinaliteti i saj. Ishte lëvizja e parë studentore, që arriti finalen e saj me përmbysjen e regjimit komunist. Lëvizja Studentore ia arriti qëllimit të vet: përmbysjen e diktaturës. Ky ishte qëllimi i këtij studimi; dëshmia e aktivitetit të Lëvizjes Studentore, që nuk zgjati, siç thuhet, 3-4 ditë, por zgjati deri në fund të marsit 1991, përfundoi me grevën e urisë, rënimin e përmendores së diktatorit dhe pastaj Lëvizja Studentore përfundon me largimin e mijëra studentëve në eksodin e marsit 1991.

Zëri i Amerikës: Ju këto ngjarje i keni ndjekur nga afër edhe si reporter në terren dhe tani po i studioni nga në distancë kohore e caktuar. Si e vlerësoni faktin që, ndryshe nga shumë lëvizje të tjera studentore, Lëvizja Studentore e Shqipërisë ishte një lëvizje anti-komuniste në radhë të parë dhe pa ambicje partiake në radhë të dytë?

Llukman Halili: Këto ngjarje i kam përcjellë si dëshmitar okular. Kam qenë atëherë korrespondent i agjencisë kroate të lajmeve HINA për Ballkanin me seli në Sofje të Bullgarisë. Lëvizja Studentore shqiptare ishte e vetmja lëvizje disidente anti-komuniste. Në fakt, në vitin 1970 ishte një lëvizje e tillë po ashtu shqiptare, që veproi në kuadëd të Klubit shqiptar të studentëve të Zagrebit “Shkëndija”, dhe që ishte gjithashtu me karakter anti-komunist. Kjo e Tiranës ishte e dyta pas asaj të Zagrebit, por që numerikisht ishte pak më e vogël. Përgjithësisht mund të thuhet se Lëvizja Studentore e Shqipërisë mund të mbajë epitetin si lëvizja e parë anti-komuniste që realizoi qëllimin e vet të madhërishëm si lëvizje për shtetin komb.

Zëri i Amerikës: Ato ditë të shkurtit 1991 studentët e hoqën emrin e diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Qytetarët e hoqën monumentin e tij nga sheshi Skënderbej. Megjithatë edhe sot pas 25 vjetësh hija dhe miti i tij nuk është rrëzuar në mendjet e shumë shqiptarëve. Pse nuk ndodhi kjo pas këtij tranzicioni të gjatë?

Llukman Halili: Në të gjitha vendet e Europës juglindore tranzicioni po vazhdon dhe nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë në asnjë prej këtyre shteteve në Ballkan. Thjesht është çështja e mentalitetit ballkanik, prandaj tranzicioni do të jetë shumë i gjatë. Studentët e dhjetorit në vitin 1991 e demitizuan Enver Hoxhën, por miti i tij vazhdon të jetë në Shqipëri dhe në Kosovë. Duket se do të zgjatë shumë shkëputja përfundimtare nga ai mit.

Zëri i Amerikës: Pasi e keni studiuar në detaje Lëvizjen Studentore, si mendoni, çfarë duhet të bëjë më shumë a më mirë Shqipëria për dekomunistizimin e shoqërisë?

Llukman Halili: Duhen sa më shumë reforma dhe sa më shumë vetëdijësim politik.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre viteve të tranzicionit Shqipëria vuajti edhe nga mungesa e politikanëve profesionistë me përvojë. Sfidat dhe sprovat e demokracisë nuk kanë qenë të lehta…

Llukman Halili: Shqipëria nuk kishte disidencë politike, si për shembull, në Poloni ku Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) udhëhiqej nga disidentë si Jaçev Kuronjiv, Ana Valentinoviçsen dhe ata hodhën si figurë pastaj në krye të Solidarnostit Leh Valesën dhe bënë përmbysjen 7-8 vjet më vonë. Në Shqipëri tmerri i diktaturës kishte groposur çfarëdo tendence disidente. Klasa e re politike, që erdhi, ishte produkt i diktaturës praktikisht, prandaj ajo klasë politike, si produkt i diktaturës, vazhdon edhe sot e qeveris Shqipërinë dhe mendjen e shqiptarëve.

Bejtja sulmon ashpër Fevziun: Gazetar injorant

Voal – Gazetari Andi Bejtja ka sulmuar kolegun e tij Blendi Fevziun për temën e trajtuar në emisionin e djeshëm në “Opinion”.

Duke e quajtur gazetar injorant, Bejtja shprehet se emisioni i djeshëm kërkonte të shpëtonte fytyrën e njollosur të kryeministrit Edi Rama.

“…Dhe të tillë dhe po kaq injorantë janë dhe ato gazetarë që me emisionet e tyre i bëjnë hyzmet tezës së dembelizmit të shqiptarëve e arrijnë deri aty, sa për të shpëtuar fytyrën e njollosur të Kryeministrit, të nxjerrin sondazhe të tilla sikur shqiptarët në shumicë masive mendojnë për vetën që janë dembelë”, ka thënë Bejtja.

Dje në emisionin “Opinion” u diskutua për arsyet e papunësisë në Shqipëri dhe tezën e kryeministrit Rama se vende pune ka, por shqiptarët janë dembelë për të punuar.

A do ta thërrasin deputetët e Dibrës Edi Ramën në interpelancë?

Ky mesazh u është dërguar 6 deputetëve të Dibrës:

 

https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit/u/15488498

 

*****

16 shkurt 2016

 

Të nderuar Deputetë të Dibrës:

 

  1. Shkëlqim Cani
  2. Bedri Hoxha
  3. Roland Keta
  4. Ulsi Manja
  5. Sherefedin Shehu
  6. Përparim Spahiu

 

Siç e dini, në Tryezën e Rrumbullakët për Rrugën e Arbrit që organizuam në Tiranë në vitin 2014, Ju të gjithë, pa përjashtim, ratë dakord me propozimin e z. Ulsi Manja se, po qe se edhe pasi të sigurohen fondet për këtë projekt do të ketë zvarritje në fillimin e punimeve, Ju së bashku do ta thërrisni z. Edi Rama në interpelancë: https://www.youtube.com/watch?v=K_Xzt7Ch1-w

 

Kanë kaluar dy vjet që nga ajo kohë dhe fondet nuk janë siguruar. Për pasojë, kjo vepër nuk do të ndërtohet brenda këtij mandati, siç u premtua me bujë nga Qeveria.

 

Në këto rrethana, ne mendojmë, që kjo e bën edhe më të justifikueshme që Ju të përmbushni premtimin për të thirrur në interpelancë Kryeministrin, duke dëshmuar se pavarësisht përkatësisë politike, Ju para së gjithash jeni përfaqësues të denjë të Dibrës.

 

Sot mësuam se kolegu juaj, z. Shkëlqim Cani, është shkarkuar nga detyra e Ministrit të Financave. Megjithëse si nënshkrues i peticionit, z. Cani refuzoi kërkesën tonë për të ndërmjetësuar një takim me z. Rama për të filluar dialogun tonë konstruktiv me Qeverinë për Rrugën e Arbrit, ne mendojmë se largimi i tij nga posti i ministrit përbën lajm jo të mirë për Dibrën. Megjithatë, tani që z. Cani po kthehet në detyrën për të cilën e kanë votuar dibranët, ai ka përsëri mundësi të dëshmoj devotshmërinë ndaj elektoratit të tij.

 

Me respekt,

Gëzim Alpion

 

(në emër të Grupit të Lobimit)

Rama shkarkon ministrin e Financave Cani

Në vend të tij emërohet ministri i Ekonomisë dhe Turizmit Arben Ahmetaj. Ky i fundit zëvendësohet nga Milva Konomi

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shkarkoi sot ministrin e Financave Shkëlqim Cani. Vendimi është njoftuar nga zyra e shtypit e kryeministrit, duke shpjeguar se ai I ka shprehur “falënderimet e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandate” duke I kërkuar më tej “vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave”.

Në vend të ministrit Cani kryeministri ka njoftuar se ka emëruar ministrin aktual të Ekonomisë Arben Ahmetaj, postin e të cilit do ta marrë zëvendësministrja aktuale e Shëndetësisë Milva Konomi.

Shkarkimi i ministrit Cani vjen pas një viti problematik në mbledhjen e të ardhurave, ku u krijua një gropë prej mbi 200 milion euro. Në mesin e vitit të shkuar qeveria rishikoi në ulje planin e të ardhurave, duke e motivuar këtë lëvizje me ndikimet e konjukturave në tregjet botërore. Por edhe gjysma e dytë e vitit, pavarësisht pritjeve të reduktuara, rezultoi në rënie po të thellë të të ardhurave.

Rama – Blushit: Kohën për lodra ia rezervoj Zahos

TIRANE – Kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Dritare” të Rudina Xhungës komentoi edhe qendrimet e deputetit socialist Ben Blushi. Kryeministri e cilëson farsë gjykimin e PS-së nga persona që e shajnë së jashtmi dhe më pas thonë se iu dhimbset.

“Nuk merrem me Blushin se i kam duart të zëna me punë. Nëse kam apo jo kohë të merrem me PS-në, këtë e gjykon PS-ja, jo një person nga jashtë dhe ata që shajnë PS nga pozicione të ndryshme. Dhe që gjoja iu dhimbset PS-ja. Kjo është një farsë”, tha Rama.

Sa i përket zgjedhjeve në Kongresin e 19 marsit, Rama nga ana tjetër pranoi se në statut nuk parashikohet në mënyrë eksplicite çfarë ndodhë kur kryetari i partisë zgjidhet Kryeministër, por
parashikohet vetëm dorëheqje në rast se humb zgjedhjet. Ai shtoi se nuk i shmanget asnjë sfidanti, por se kohën për lodra ia ka lënë të birit, Zaho.

“Është non sens të bësh zgjedhje për kryeministrin brenda partisë, ka lidhje me respektin për qytetarët dhe votën e tyre. Votën e qytetarëve e kam garantuar unë dhe s’mund t’ju themi kishim një program, ju e votuat dhe t’ju themi tani do e rishikojmë ne programin. Unë e kam pikëpamjen time. Nuk kam asnjë arsye vetjake personale t’i shmangem çfarëdolloj sfide dhe sfidanti, por kam respekt ndaj njerëzve që na kanë votuar. Detyra që kam mbi shpatulla nuk më lejon të luaj. Atë kohën që kam për lodra ja kam rezervuar Zahos, nuk mund ta kthej në një lodër këtë përgjegjësi të madhe që kemi”.

E pabesueshme – Vlera e orës së Ramës, 3650 fish më e shtrenjtë se e Kerryt (foto)

“Nëse ora që mbani në dorë është më e shtrenjtë se automjeti im, atëherë ju jeni i korruptuar”.

Është ky padiskutim një nga postulatet e ambasadorit Donald Lu që ai ka lënë në shfaqjet e tij publike dhe kur thoshte këtë, ai i referohej gjykatësve, shkruan syri.net.

Por ndërsa këta të fundit dëgjonin fjalët e ambasadorit në një takim të zhvilluar disa muaj më parë, dhe vjedhurazi i fshehën orët e tyre në xhepat e brendshëm të kostumeve firmato mijëra euroshe që mbanin veshur, kryeministri Edi Rama nuk e ka aspak këtë kompleks në këtë drejtim.

ora2

Dhe kishte plot arsye ta bënte këtë, sidomos gjatë takimit me Sekretarin e Shteti John Kerry ndërsa ky vizitoi dje Tiranën e ku i pranishëm ishte edhe Donald Lu, i cili mesa duket nga orët e shtrenjta di shumë.

Në shfaqjen publike të Ramës dhe Kerryt ra në sy edhe një detaj tjetër. Orët përkatëse që mbanin në dorë. A e dini se ora e Kryeministrit Edi Rama është e llojit Patek Philippe dhe me ulje 5% ajo shitet sot 146.995.00 dollarë?

Dhe a e dini sesa kushton ora e vetme me të cilën shfaqjet në çdo takim ndërkombëtar John Kerry? Kushton vetëm 40 dollarë dhe është e markës Freestyle Tide. Një orë tipike për surfistët e pasionuar dhe i tillë është edhe Sekretari Amerikan i Shtetit.

ora3

E pra në këtë pikë, insistimi i Kerry që politika shqiptarë të bie sa më parë dakord për të ngritur Byronë e Hetimit për të luftuar korrupsionin merr vlerën maksimale vetëm duke iu referuar këtij fakti, por në të njëjtën kohë ajo zhbëhet në moment kur mendon se drafti parashikon që Byroja të jetë nën varësinë e ministrit të brendshëm të Edi Ramës. E mendoni pak?!…

Kreu i PD Basha vizitë në SHBA në muajin Mars

Ende pa u shuar mirë vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në Tiranë, bëhet i ditur një lajm tjetër me kryefjalë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të zhvillojë një vizitë në SHBA, në mes të muajit mars. Burime bëjnë të ditur për BalkanWeb se Basha do të ketë takime te rëndësishme. Vizita përkon dhe me 25 vjetorin e vendosjes së marëdhënieve diplomatike.

Dje zoti Basha pati një takim zyrtar me sekretarin e shtetit Kerry. Kryetari i Partisë e dDmokratike e konsideroi këtë takim si vlerësim dhe besim tek Partia Demokratike dhe angazhimi ynë për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Gjykata e Lartë: Ballist Morina u arrestua në mënyrë të paligjshme

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin që liroi më 28 dhjetor 2015 Ismail Morinën nga burgu duke e lënë në arrest shtëpie.

Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë për Ismail Morinën të njohur si ‘Ballisti’ u bazua në faktin se Ministria e Brendshme nuk i siguroi urdhër mbrojtje, jehona e ndeshjes në Serbi për dronin, nuk paraqet rrezikshmëri të lartë, masa ekstreme nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit dhe shfuqizimin që Kushtetuesja i bëri vendimit të qeverisë për që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje.

  1. Gjykatat e faktit në caktimin e masës shtrënguese “Arrest në burg”, si një masë izoluese nuk ka bërë një analizë të shkaqeve se përse çdo lloj mase tjetër është e papërshtatshme, pasi caktimi i kësaj mase sigurimi, nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit të mundshëm që personi rrezikon.
  2. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese më datë 10.12.2015 për shfuqizimin e vendimit të qeverisë që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje, ku parashikohej se çdo person që arrestohet për armëmbajtje pa leje rrezikonte një dënim nga 7 deri 15 vjet burg.
  3. Masa arrest me burg nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së personit nën hetim, i cili është i pa dënuar, pa precedentë të mëparshëm.
  4. Duke ju referuar edhe ngjarjes se ndodhur ne ndeshjen Shqipëri–Serbi dhe jehonës qe ajo pati ne te dy shtetet, personi nen hetim Ismail Morina i është drejtuar me pare Ministrisë se Brendshme, për te siguruar mbrojtje prej saj, por ne asnjë rast nuk rezulton qe një mbrojtje e tillë i është ofruar këtij personi. Ismail Morina u arrestua një ditë përpara ndeshjes me Serbinë që Shqipëria do të zhvillonte në Elbasan, pasi iu gjetën në makinë dy pistoleta pa leje dhe disa bileta. ‘Ballisti’ qëndroi në burg deri në fund të dhjetorit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit u shprehën kundër lirimit.

‘Crown Agents’ – ja si bëhet kontrabanda e naftës nga importi dhe prodhimi vendas

Kompania e britanike e asistencës në dogana, Crown Agents në mbyllje të kontratës së bashkëpunimit me Shqipërinë ka bërë publike disa fakte mbi mënyrën se si bëhet kontrabanda e mallrave të akcizës në Shqipëri, sidomos naftës.

Kontrabanda me naftën e importit

Ekspertët e Crown Agents vitin që shkoi kryen një kontroll mbi veprimtarinë e flotës së anijeve shqiptare të peshkimit nga ku rezultoi se këto anije përdoreshin për importimin e sasive të mëdha të karburantit ‘duty free’ të ardhur nga portet e Italisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Të dhënat e marra nga Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës treguan që në periudhën 1 janar – 12 mars 2015, kishin hyrë rreth 2 milionë litra karburant ‘duty free’, ku çmimi i blerjes së karburantit ishte shumë herë më i ulët se sa ai i marrë prej burimeve të ligjshme shqiptare.

Indikatorë të qartë risku sugjeronin se këto importe karburantesh bëheshin për të shmangur
taksat duke e shitur karburantin në mënyrë të paligjshme brenda vendit. Provat e mbledhura iu raportuan Doganës së bashku me rekomandimet për të forcuar kontrollin e importit të karburantit.

Në muajin korrik u prezantua një udhëzim i ri i cili i detyronte pronarët e këtyre anijeve të peshkimit të regjistroheshin si taksapagues, të depozitonin një deklaratë doganore dhe të paguanin TVSH-në për çdo lloj karburanti të huaj ‘duty free’.

Gjithashtu rregullat e reja kërkojnë që karburanti i importuar për anijet e peshkimit të jetë i shënjuar e i ngjyrosur për të lehtësuar identifikimin e statusit ‘duty free’ të këtij karburanti. Si përfundim, pati një rënie drastike të fenomenit të furnizimit të anijeve shqiptare të peshkimit me karburant nga vende të tjera, për ta shitur më pas në Shqipëri.
Kontrabanda me naftën e vendit

Crown Agents në një sqarim zyrtar shpjegon se, prodhimi vendas i naftës është një sektor jetik për sa i përket të ardhurave që mblidhen për buxhetin e shtetit.
Për këtë qëllim Crown solli ekspertë afat-shkurtër shtesë për të kryer një rishikim të kontrollit doganor në kompanitë kryesore prodhuese.
Raporti i ekspertit përfshiu ndër të tjera disa rekomandime që synojnë uljen e riskut të rrjedhjes së të ardhurave dhe përmirësimin e sistemeve audituese dhe kontrolluese.
Një prej rekomandimeve të implementuara nga Dogana ishte një program i përbashkët kontrolli për karburantet. Kjo përfshinte kontrolle në rrugë, pra ndalimin e autoboteve dhe kontrollin e karburantit në to dhe gjithashtu kontrollin e depozitave të paregjistruara të karburantit.

Nën drejtimin e grupeve operacionale të Crown Agents u kryen një sërë kontrollesh në periudhën mes muajit korrik-dhjetor 2015. Këto kontrolle u kryen në bashkëpunim me personelin e akcizës në administratë dhe me kompaninë përgjegjëse për markimin e karburanteve.

Crown bën me dije se, ky bashkëpunim rezultoi në zbulimin e më tepër se 120 rasteve të karburantit të tregtuar jo në përputhje me ligjin, në një total prej më tepër se 48,000 litra.

Monitor

Zyrtari i DASH: Shqipëria do të presë edhe 2 mijë muxhahedinë

Shqipëria do të presë 2 mijë muxhahedinë të tjerë, ndërkohë që priti 1 mijë muxhahedinë para një viti.

Edhe pse kjo gjë nuk u deklaruar gjatë takimeve të djeshme të sekretarit amerikan John Kerry, në Tiranë, lajmin e ka dhënë një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit pas përfundimit të vizitës në Tiranë të Kerryt.

“Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry ka qenë në Shqipëri për të falenderuar qeverinë shqiptare për muxhahedinët”, raporton VOA duke cituar një zyrtar të lartë të DASH.

“Zyrtari i DASH tha se Kerry nuk foli publikisht për zhvendosjen e muxhahedinëve, pasi mbetet një çështje e ndjeshme”, shkruan VOA.

Sipas të njëjtin burim, pra zyrtarit të DASH, SHBA e ka ndihmuar edhe financiarisht Shqipërinë. Bëhet fjalë për një donacion prej 20 milionë dollarë që do të jepen përmes agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

SHBA i ka dhënë Shqipërisë siguri dhe ndihmë për zhvillim ekonomik, për të ndihmuar vendin të ndërtojë kapacitetin e saj fizike për të strehuar refugjatët.

Përfundoi takimi me Lulzim Bashën – Sekretari Kerry drejt Muzeut Kombëtar

Voal – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka zhvilluar takimin me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe deputetët që e shoqëronin atë.

Takimi mes Kerryt dhe Bashës dhe deputetëve u zhvillua për 30 minuta në ambientet e hotel Rognerit. Gjatë takimi është diskutuar për gjendjen politike në vend, për reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Pas Bashës, Sekretari Amerikan i Shtetit zoti John Kerry shkoi në Muzeun Kombëtar ku do zhvillohet një bashkëbisedim me shoqërinë civile për tema të ndryshme.

 

Zbardhet takimi i Presidentit Nishani me Sekretarin Kerry

Voal – Syri.net raporton se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, duke shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike.

Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.

Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Sekretari John Kerry viziton sot Tiranën, ja si do të funksionojë qarkullimi i makinave

Voal – Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry zhvillon sot vizitë zyrtare në Shqipëri dhe do të mbërrijë në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në orën 09:00. Do të jetë Presidenti Bujar Nishani që do ta presë në aeroport dhe do të zhvillojnë një takim në sallën VIP.

Prej këtej, Kerry do t’i drejtohet Kryeministrisë ku do të takohet me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati e më pas me kreun e Qeverisë, Edi Rama. Pas këtij takimi, Sekretari Amerikan do të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me 4 deputetë të tjerë të selisë blu.

Për vizitën e Sekretarit Kerry janë ndërmarrë masa të larta sigurie, ku në terren kanë zbarkuar 1500 efektivë. Vizita e tij do të jetë nën monitorimin e agjentëve të CIA-s, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ të Shtetit, gardës etj. Siç ndodh në të gjitha vizitat e tjera të rëndësishme, rrugët kryesore të kryeqytetit do të jenë të bllokuara nga ora 07:00-15:00. Më poshtë, rrugët ku do të ndalohet qarkullimi:

  • Aksi rrugor nga Aeroporti Rinasit “Nënë Tereza” – mbikalimi i Kasharit
  • Aksi rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi i Kamzës, në të dyja krahët e autostradës, si dhe rrugët dytësore paralel me to.
  • Aksi rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga “Dritan Hoxha” – Rruga e “Durrësit” .
  • Aksi rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza” , si dhe rrugët lidhëse me to.
  • Aksi rrugor nga Rruga “Teodor Keko” – Fabrika e Bukës – Bulevardi “Bajram Curri”, nga ura Teknologjike – Ura e Kualidimit – Ura e Drejtorisë Tiranë – Ura e Dajtit deri te ura e Rrugës së Elbasanit.
  • Aksi rrugor Bulevardi Zogu i Parë nga Ministria e Drejtësis deri tek Sheshi Skënderbej. Gjithashtu njoftohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që do devijohet aksi rrugor i kamzës deri tek shinat e trenit.

Gjithashtu nuk do te lejohen parkimet e mjeteve duke filluar nga Sheshi Shqiponja deri te rruga Elbasanit si dhe nuk do te lejohet parkimi prapa Muzeut (Çaplini ose ish estrada).

Subjektet e linjave të shërbimit publik që operojnë në linjat brenda qytetit të Tiranës dhe linjave të transportit udhëtarëve ndërqytetëse, kryesisht ato që përdorin rrugët në pjesën veriperëndimore të qytetit të Tiranës, nuk do të lejohet qarkullimi i këtyre mjeteve në këto pjesë të rrugës.

Pakti Shqipëri-Amerikë, 22 muxhahedinë të tjerë nga Irani mbërrijnë në Shqipëri

Vizita e sekretarit Xhon Kerri lidhet me një kërkesë ndaj shtetit shqiptar për të mikpritur deri në 1 mijë anëtarë të opozitës iraniane

Vetëm pak ditë para vizitës në Shqipëri të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, mediat iraniane raportojnë se një grup prej 22 muxhahedinësh, të cilët jetonin në “Kampin e Lirisë” në Irak, u zhvendosën në Shqipëri. Ardhja e tyre është pjesë e marrëveshjes Shqipëri-SHBA për strehimin e pjesëtarëve të opozitës iraniane të cilët ndihen të rrezikuar në vendlindjen e tyre. Sipas portalit “Iran-interlink”, deri tani në Shqipëri kanë ardhur rreth 400 anëtarë të organizatës “Muxhahedinët e popullit iranian”. Për herë të parë, muxhahedinët erdhën në Shqipëri në vitin 2013, pas premtimit që kryeministri Berisha i bëri sekretares së Shtetit, Hilari Klinton. burime për “GSH” thanë se edhe vizita e sekretarit Xhon Kerri lidhet me një kërkesë ndaj shtetit shqiptar për të mikpritur deri në 1 mijë anëtarë të opozitës iraniane.

MUXHAHEDINET IRANIANE
Kjo organizatë konsiderohet si opozita politike e ishregjimit të Ahmadinexhadit në Iran. Tre anëtare femra që synojnë të largohen nga “Kampi i Lirisë” për në Shqipëri nën identitete të rreme, rezultojnë se janë më të kërkuarat nga shteti iranian. Konkretisht ato janë, Fatemeh Vatankhah Rahmani nën pseudonimin Sima Vatankhah, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e ekipit “Masosud Rajavi”; Zhaleh Mahram Nia (anëtare e zyrës “Rajavi”) dhe Roqaieh Abbasi, që kanë vendosur si pseudonim ‘Raana’. “Kështu, me sa duket, udhëheqësit e MKO kërkojnë që të përgatisin kampin e tyre të ri në Tiranë.

Më parë, disa anëtarë të tjerë të rangut më të lartë, si Javad Khorasan dhe Mohammad Shaabani, janë zhvendosur në Shqipëri”, raporton më tej gazeta iraniane. Ndërkaq, kujtojmë se muxhahedinët e popullit iranian, për herë të parë kanë mbërritur në Shqipëri në vitin 2013, në kohën kur vendi ynë qeverisej nga ishkryeministri Sali Berisha. Muxhahedinëve iranianë të strehuar në “Kampin Liria” në Irak, u rrezikohej jeta nga ekstremizmi i klerikut shiit i qeverisë së Al-Maliki. Amerikanët kishin një borxh nderi ndaj këtyre muxhahedinëve, armiq të betuar të Ajatollahëve iranianë, dhe ua shpërblyen duke u gjetur strehim të sigurt në Shqipëri.

PROCESI I ZHVENDOSJES
Sipas medias së huaj, procesi i zhvendosjes së personave të “Kampit të Lirisë” duhet të ishte bërë 40 ditë më parë, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të festave të Krishtlindjeve. Në ndikimin e UNHCR-së dhe zyrës UNAMI në Irak, liderët e kultit ishin të detyruar t’u bindeshin për zhvendosjen e procesit për të filluar më 4 shkurt 2016. Një nga rrjetet sociale, konkretisht faqja “Peyvand Rahayee”, raportoi që një grup prej 22 personash të “Kampit të Lirisë” janë transferuar në Shqipëri. Në të gjitha grupet e transferuara edhe më parë, disa nga emrat e tyre ishin të rremë.

NË KAMPIN SHQIPTAR
“Si pasojë e zhvendosjes së qindra anëtarëve të organizatës MKO nga Iraku për në Shqipëri, numri i personave të grupit është rritur. Duke u bazuar në këto raporte, liderët e kultit të Rajavit i frikësohen jashtëzakonisht shumë rënies së kësaj baze, edhe pse është ndërtuar nga vetë ata. Kështu, mbikëqyrja dhe kontrolli mbi anëtarët e grupit janë bërë shumë të rrepta. Ky është një ekstrakt nga llogaria e Tofiqit se çfarë po ndodh ekzaktësisht me bazën MKO në Tiranë, Shqipëri”, shkruan më 8 shkurt, “Iran-Interlink.org”. Po sipas kësaj medieje, ata dëshirojnë që procesi i zhvendosjes të jetë gradual dhe nën kontroll. Kampi i tyre kryesor është i vendosur pranë një autostrade në Tiranë. Fasada e ndërtesës është prej xhami. Ajo quhet “Kamp 49”.

Zyrat e këtij grupi kanë edhe një vend për të ngrënë, që më pas të çon në Stacionin Policor, ku Policia e Shqipërisë kontrollon hyrjet dhe daljet. Gjithashtu, edhe takimet kryesore mbahen në ndërtesë. Dritaret e kësaj ndërtese janë të “veshura” me gazeta, në mënyrë që personave që janë brenda tij, t’u parandalohet kontakti me botën e jashtme.

Panik në linjën e avionit Tiranë-Athinë, hapet dera në ajër

Pak minuta pasi avioni ishte ngritur nga toka, dera e tij ka shfaqur probleme duke u hapur në ajër.

Një qytetare që ishte e pranishme në bord mësohet të ketë thënë: “U nisëm nga Rinasi me linjën ‘Olympic’ dhe pas 15 minutash kur ishim ngritur nga toka na lajmëruan se do të ktheheshim pas. Kishte probleme me derën, na thanë se është hapur gjatë kohës që ishim në ajër. Sigurisht që u trembëm”, transmeton Shekulli.

Avioni ka bërë një ulje të detyruar në Aeroportin e Rinasit, ndërkohë që asnjëri prej pasagjerëve nuk është kontaktuar nga kompania. Fatmirësisht askush prej pasagjerëve në bord nuk ka shfaqur probleme pas incidentit në fjalë.

Wikileaks-Withers: Erjon Veliaj një qen sulmi i Edi Ramës

05.09.2011 – Ne skanerin e Ambasades se Shteteve te Bashkuara te Amerikes nuk kane kaluar vetem zhvillimet kryesore politike ne Partine Socialiste, por edhe individe, te cileve kryetari Edi Rama u ka besuar detyra te veçanta. Siç rezulton nga nje kabllogram i publikuar nga Wikileaks, kreu i G99, Erion Veliaj permendet si nje njeri i cili ka rol gjithnje e ne rritje ne seline roze.

Ne vleresimin qe ambasadori ben per Velijan, e pershkruan ate si nje njeri te besuar te Rames, por edhe te perdorur per sulme ndaj kundershtareve. “Rama perdor shpesh Veliajn per te kaluar mesazhe tek ambasadat dhe Veliaj eshte pershkruar nga shume vezhgues si “qen sulmi” i Rames gjate fushates”, shkruan Uidhers ne kabllogramin qe flet per situaten politike ne daten 8 korrik 2009. Me pas, ne nje tjeter kabllogram Uidhers thote se ne 5 gusht Veliaj e ka informuar ate dhe per arsyet e humbjes se partise qe drejtonte ne ate kohe G99, ku si argument kryesor ne qarkun e Beratit ben pergjegjes deputetin e Partise Socialiste, Erjon Braçe.

Sherri Braçe-Veliaj

Ne biseden e bere me diplomatin e SHBA-ve, Veliaj pohon se manipulimi i votave ne kete qark rezulton te jete bere nga deputetet e PS-se. “Ai gjithashtu pohoi se Erjon Brace, nje kandidat i PS-se ne Berat, “sabotoi” shume prej votave te tij gjate numerimit me komisioneret zgjedhore, duke i kaluar votat e G99 si vota te PS”, shkruan Xhon Uidhers ne raportin e tij per biseden me Veliajn. Nga ana tjeter, ne kete bisede Veliaj flet edhe per sherret brenda PS-se se Beratit dhe luften qe i eshte bere partise se tij te asaj kohe G99. Sipas Veliajt, Brace ka bere nje fushate te forte personale kunder tij. “Veliaj tha se Berati ishte nje nga rajonet e forta te G99-es. Por ai tha gjithashtu se Brace kerkoi nga votuesit te mos votojne per G-99 dhe madje beri edhe fushate aktive kunder Veliajt”, shkruhet ne kabllogram. Gjate bisedes, ish-kreu i G99 pranon se per kete ceshtje duhet te ishte ankuar me pare tek kreu i PS-se, Edi Rama, ne menyre qe G99 te mund te merrte nje deputet. “Ai tha se ishte nje gabim qe nuk e ngriti kete ceshtje tek Rama me pare. Ai shtoi se mijera flete votimi per G-99 jane konsideruar si te pavlefshme per arsye nga me te ndryshmet. Ai kishte vezhgues gjate numerimit, por nuk kishte numrin e mjaftueshem per t’i pare te gjitha tabelat ne te njejten kohe”, shkruhet ne raportin e ambasades se SHBA. Humbjen e Partise Socialiste, Veliaj e lidh me strategjine e gabuar qe u ndoq, por nuk fajeson per kete gje Edi Ramen.

Uidhers: Veliaj mbivlereson peshen e tij

Ne kabllogramin per fatin e G99, ambasadori Uidhers ben dhe nje koment ne lidhje me pritshmerite. Me nje gjuhe konkrete, Uidhers shkruan se deshtimi i G99 erdhi per shkak te mbivleresimit te peshes se mesazhit qe Veliaj kujtonte se po percillte ne zgjedhjet e vitit 2009. “Veliaj duket se ka bere disa gabime duke mbivleresuar peshen e mesazhit te tij”, thuhet ne raport. Por edhe me kritik eshte ambasadori per faktin se ish-anetari i shoqerise civile u bashkua me PS-ne. Sipas tij, shume persona mendojne se Veliaj humbi individualitetin me kapercimin ne PS. “Shume vezhgues mendojne se kur ai u bashkua me PS, shanset e tij per te fituar nje vend u reduktuan ne zero. Ai filloi te shihet si nje oportunist. Ai humbi gjithashtu individualitetin. Per me teper, Kodi i ri Zgjedhor nuk e ka ndihmuar kauzen e tij”, thuhet ne kabllogram.

Meta: Është koha që të bëhem president

TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh i sinqertë dje, se i ka shkuar në mendje të bëhet President. I pyetur dje, në studion e “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Ora News ai shtoi se “çdo politikan aktiv do ta pranonte këtë, në rrethana të caktuara”.
Z.Meta, njëlloj si tek telenovelat që po shfaqin televizionet, politikën e ka pushtuar ideja e reformës në drejtësi. Duket sikur një gjë e madhe po zbret nga lart dhe po e shpëton vendin. Duhet të besojmë që pas 25 vjetësh diçka e madhe do të ndodhë me ne?
Është e drejta juaj për ta menduar si të doni dhe vazhdoj të mbetem liberal, jam i habitur se dëgjova dhe në komentin tuaj dhe në parlament pse po zvarritet reforma në drejtësi dhe më duken normale se reforma në drejtësi po ecën me ritmin e parashikuar. Do të ndodhë diçka e madhe, por nuk do të ndodhë brenda natës. Duhet të jemi shumë realistë. Unë kur është thënë që reforma në drejtësi do të mbarojë në janar, gjithmonë ka qenë një kalendar që është respektuar dhe mund të ketë lëvizur 2 javë dhe asgjë më shumë, i Komisionit Parlamentar të Posaçëm. Është një reformë shumë e rëndësishme, si të thuash një rithemelim i dimensionit të drejtësisë. Nuk është e thjeshtë, që do të thotë që do të ketë ndikim në jetën institucionale.
Kush do ta bëjë reformën? Në Shqipëri ata që themeluan 25 vjet këtë sistem drejtësie që kemi dhe themelojne një tjetër përfshirë edhe ju totalisht, Saliu, Fatos Nano edhe demokratët rrëzojnë atë që ndërtuan.
Të sjellim të tjerë nga Marsi?Ambasadorët?
Edhe ata janë të përfshirë, ata shprehin një vullnet politik. Flasim për Euralius, misioni i BE-së i specializuar. Duam të hyjmë në BE, duam të përmirësojmë sistemin e drejtësisë sipas standarteve edhe në drejtim të luftës kundër korrupsionit, krimit, integritetit të sistemit që ëhstë problem në këto dy dekada.
Do të dekriminalizohet jeta politike dhe institucionale e vendit, institucionet më të rëndësishme? Si mund të ndodhë kjo?
Edhe para se të bëhej ligji, vetë realizimi, qoftë edhe presioni ndërkombëtar edhe presioni në të cilën u vu e gjithë politika për shkak të opinionit publik dhe ngjarjeve të papëlqyeshme. Mjaft dorëheqje kanë ndodhur nga Kuvendi edhe ky ligj është miratuar, hyn plotësisht në fuqi në fillim të muajit tjetër. Në këtë drejtim ka pasur progres. Po ka pasur dekriminalizim dhe do t’i japë efektet pozitive në të ardhmen, nuk themi dot që nuk është pozitive.
Kryetarët morrën dhe bënë çfarë deshën dhe futën në parlament njerëz me rekorde kriminiale, a ka përgjegjës?
Patjetër që ka, unë jam dakord që ka përgjegjës, e fus edhe veten time si pjesë e kësaj përgjegjësie. Prandaj është reflektuar, është bërë ligji.
Po trafikantin që erdhi, kongresmeni?
Ai u dënua, ne e kemi pas këtë problem, e kemi marrë këtë përgjegjësi.
Është gjithë parlamenti i inkriminuar me kriminelë?
Bërja e ligjit, zbatimi i ligjit do ta pastrojë Kuvendin aktual dhe në të ardhmen.
Kush do ta pastrojë?
Qytetari. Nëse ka të inkriminuar, pushteti vendos t’i largojë nga zyrat dhe në të ardhmen nuk do të kandidojnë më njerëz të tillë.
Përgjegjësia nuk është vetëm politike?
Duhet të bëjmë një ligj për ata që kanë përgjegjësi normale, gjykatësi më i mirë është opinioni. Ky është sistem që do të konsolidohet, me ligjin që është bërë dhe nuk do të bëhet më. Deri tani nuk ka qenë ligji.
Në 25 vjet në Shqipëri nuk kanë munguar reformat, por njerëz të dënuar kemi vetëm një rast të Nanos në nivelin e lartë dhe më pas gjykata i dha pafajësinë.
Ju më thatë një emër, Fatos Nanon dhe unë nuk kam ndërmend të merrem me emra dhe statistika. Nuk është kjo çështja kryesore. Çdo konceptim për burgosje të politikanëve është dështim, sepse e politizon këtë proçes dhe tregon do të thoja një vizion apo mungesë vizioni të reformës. Duhet parë si do të japë impakt në shoqëri, qytetarë që kanë probleme çdo ditë me drejtësinë, gjykatat, prokurorinë. Se burgosjet politike siç ishte rasti i Fatos Nanos që u akuzua për korrupsion, por ishte edhe vala e komunizmit dhe synonin shpërbërjen e PS mbas 1 viti burgosje të Fatos Nanos. Regjimi i Berishës ka qenë i çeliktë, i ndryshëm nga ai i dyti.
Aludimet janë deri aty, sa njerëz por dhe partnerë thonë se Ilir Meta është politikani si shënjestër.
Meta është mësuar me drejtësi pa integritet, nuk kam asnjë shqetësim nga askush. Prokurorët e mi, hetuesit e mi janë votuesit. Qytetarët e mi i kanë parë këto intriga dhe si kanë dështuar.
Të vijmë te reforma elektorale. Çfarë sistemi preferoni ju?
Sistemi aktual me korrektim kombëtar, të mos humbasin votat. Do të ishte më i drejti dhe më përfaqësuesi. Janë shumë parti që mund të humbasin votat, edhe të ndryshosh çdo 8 vjet nuk shkon.
Z.Meta, dëshira dhe pasioni i PS dhe PD shpesh është që LSI është një barrë shumë e madhe për ta që e reflektojnë herë pas here, është dyshuar edhe për takime të fshehta të lidershipit të z.Rama dhe Basha jashtë Shqipërisë, ku ka zë nuk është pa gjë, dëshira për të qenë vetëm dhe pastaj bën gjithçka.
Ideja ime është që në çdo rast ata që vendosin janë qytetarët shqiptarë, askush nuk e pengon për të qeverisur e vetme.
Ju sapo e thatë se sistemi proporcional i korrektuar, shumë parti të vogla kanë ikur.
Nuk mendoj se kjo e ndihmon parlamentarizmin, sikundër edhe lista të mbyllura. Do durojmë edhe pak për dekriminalizimin është e rëndësishme të shohim reformën zgjedhore për të respektuar vullnetin e qytetarëve.
Idenë e primit, rasti grek?
Kjo është eksperiencë e Greqisë, kjo nuk e ndihmoi Greqinë për të venitur krizën, ishte rezultat i mosbërjes së reformave dhe mospasje transperence që solli atë kolaps. Si është më e rrezikuar transparenca kur kemi 1 parti apo kur kemi 2, 3, 4 forca politike. Pra insistoj që primi nuk është ide e re, ne kemi pasur dushkun. Ky është primi ynë. Në variantin tonë, varianti i 2001 është dushku.
A do të jetë Meta President i Republikës së Shqipërisë në 2017?
Së pari kemi një President. Kam shumë konsideratë. Kjo ide ekziston për këdo që ka moshën mbi 40 vjeç, për Ilir Metën. Nuk është e rëndësishme ça është sot, ça do jetë në 2017. Më e rëndësishme është që të shërbejë që vendi ynë, që qytetarët tanë të realizojnë pritshmërinë ndaj klasës politike.
A dëshironi të jeni President i Republikës së Shqipërisë?
Çdo politikan aktiv nuk është se nuk e mendon, se nuk do ta pranonte këtë pozicion në një moment të caktuar, në rrethana të caktuara. Asnjë lloj pozicioni nuk është qëllim në vetvete, është produkt i natyrshëm i një instance të caktuar.
Pra z.Meta nuk bën përjashtim nga ata politikan që ka dëshirën të jetë President i Shqipërisë?
Që t’ju them që s’më ka shkuar në mendje s’do të isha i sinqertë, por jo ta shoh si domodoshmëri. Edhe në rastin e kryetarit të Parlamentit, në rast se do të isha i bindur se qenia ime si kryetar i Kuvendit nuk do të ishte e dobishme, pavarësisht sa e dramatizoni situatën e Parlamentit, unë mendoj se për aq kohë sa jam i dobishëm.
Ju dini se shpesh se z.Rama është njeriu i befasive të mëdha, elementë që vështirë t’i lexosh te një poitikan klasik, nëse ai propozon Nanon për President, ju e pranoni?
Jemi tepër herët për kandidatura, prioriteti im është reforma në drejtësi.
Keni qenë dakord me këtë sistem taksimi?
Ne nuk kemi qenë partizan të kësaj çështje, por të mos harrojmë se Partia Socialiste e kishte premtim, duhet të ishte prioritet, se ne nuk vendosnim dot veton. Së dyti se kemi parë çështjen e taksimit si ideologjik, duhet parë në interes të rritjes së vendit dhe kjo rritje ka mekanizmat të një rishpërndarje më të drejtë. Dua të theksojë se edhe taksa e sheshtë dha efekte pozitive. Taksa e sheshtë vazhdonte dhe niveli i të ardhurave erdhi duke rënë, kjo kishte të bentë edhe me rritjen ekonomike, efektet e krizës greke, italiane, Eurozonës. Nuk absolutizojmë që faji është i sistemit të taksave, ka vend për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.

Berisha: Nxore zonjën e zezë në TV të mbronte diktatorin. Rama: Bëje xhiro me varkë vetëm që të shihje Nexhmijen kur varte rrobat

*Rama-Berishës: Je çliruar vidash, vetëm ti bashkon Kerryn me Nexhmijen

TIRANE – Pas diskutimeve për Byronë e Hetimit, kryeministri Rama u kthye t’i kthejë përgjigje Berishës për “debulesën” e tij për regjimin e kohës së komunizmit.

“S’dua ti hyj historive me gratë e rinisë tënde, diku mundeshe, diku nuk mundeshe po që ju rrije tek dera këtë se mohon dot. Andi Bushati nuk e zgjodhi të lindte aty, po ti ç’deshe që ike aty me kokë? Doje të rriteshe në gjirin e partisë, iu rrije me veshin tek zemra për të parë si po iu punonte. Me çfarë adhurimi flisje për shokun Hysni, shoqen Vito, shoqen Nexhmije. Ke bërë gjithçka, ke bërë xhiro me varkën e Sulos vetëm që të shihje Nexhmijen kur varte rrobat. Po ti kruhesh vetë. C’ta zgjat, të të kujtoj Viton se ti thoshe nuk e dija që Vito bënte krime, ndaj qaja kur vdiq Hysniu. Këto janë gjëra që i ke bërë e s’ti kujton njeri po ti kruhesh vetë”,- deklaroi Rama në sallën e Kuvendit.

BERISHA: JE I PASHPRESË DHE I PAKURUESHËM
Fill pas akuzave të kreut të qeverisë, ka reaguar deputeti i djathtë, Sali Berisha. Ish-kryeministri e ka cilësuar një gënjeshtar të sëmurë dhe të pashpresë Ramën. “Sëmundjet janë sëmundje dhe Sali Berisha është mjek. Zotëria është një gënjeshtar dhe qenia i tillë e bën atë që çdo të vërtetë ta konsiderojë të gënjeshtër. Por është i pashprese, i pakurueshëm. Duke thënë këtë, unë bëj thirrje; Të mos humbet kohë, por të filloj puna për reformën në drejtësi, siç ka sugjeruar dhe kryetari i Venecias, siç kemi kërkuar dhe ne. Siç dha dhe mesazh Sekretari i Shtetit për Drejtësi. Zotëri, e do se do opozitën, integrim pa të nuk mund të ketë. E di që kjo të vret thellë, pasi ke koncept atëror për votën. Vota në demokraci nuk është as plumb. Ju bëj thirrje që të dëgjoni këto mesazhe dhe jo mashtrimet e tij. Zoti Rama merr pjesën e Luanit, Koçua pjesën e tij, Gjiknuri të tijën.”, tha Berisha.

BERISHA: NXORE NEXHMIJEN NË TV PËR TË MBROJTUR DIKTATORIN, KE BËRË NJË GAFË TË RËNDË
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi një akt të turpshëm dhe të papërgjegjshëm transmetimin e intervistës televizive të bashkëshortes së ish-diktatorit Enver Hoxha. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha tha se pas kësaj interviste qëndron kryeministri Rama, “i cili ka nxjerrë Nexhmije Hoxhën në televizor për të mbrojtur krimet makabre të diktatorit dhe të vetat”.

“Dënoj aktin tuaj të papërgjegjshëm, që urdhëroni antenat tuaja, për të nxjerrë në prag të kësaj vizitë zonjën e zezë të shqiptarëve në një emision televiziv prej 3 orësh. Ishte një akt i papërgjegjshëm, i turpshëm, nxjerrja e zonjës së zezë. Nexhmije Hoxha është dora e zezë, është një kriminele, pothuajse e të njëjtit kalibër me të shoqin. Pas debilosjes së të shoqit, nga sëmundja që kaloi në vitin 1972-74, lexoni memoriet e sekretarit të Enver Hoxhës, çdo gjë që thoshte i debilosuri, e ndryshonte e redaktonte Nexhmija siç donte. Nga viti ‘74 e deri sa vdiq, Enveri ishte Nexhmija. Të gjitha ato pushkatime, janë vepër e Nexhmije Hoxhës. Tani nxjerr Nexhmijen në intervistë për të mbrojtur krimet makabre të të shoqit dhe të vetat. Dije mirë që ke bërë një gafë shumë të rëndë.”- deklaroi Berisha.

Duke theksuar rëndësinë e vizitës së John Kerry-t në Tiranë, Berisha tha se sekretarit amerikan duhet t’i premtohet marrja në Shqipëri e rreth 2 mijë muxhahedinëve.
“Jemi në prag të një eventi shumë të rëndësishëm, historik. Sekretari John Kerry vjen për vizitë zyrtare, shumë të rëndësishme në Shqipëri. Dua të ngreh çështjen e kampit të lirisë së muxhahedinëve. Kemi ndjekur me simpati dhe solidaritet kauzën e drejtë të këtyre qytetarëve, të cilët janë në vështirësi shumë serioze. Qeveria e mëparshme hapi shtegun e marrjes së këtyre rezistentëve, në Shqipëri dhe mori kontingjentin e parë. Qeveria në vazhdim mori disa herë më shumë dhe ne e përshëndesim këtë akt. Unë kuroj një xhest, që ti premtohet sekretarit Kerry që të merren të gjithë muxhahedinët. Irani nuk i do, Iraku nuk i do se flirton me Iranin, IS nuk i do se i konsideron proamerikanë, etj. Kërkoj, nuk futa një rezolutë, se nuk duatë imponojmë, ti premtohet sekretarit dhe të merren dhe ata 2 mijë e ca fatkëqij që kanë mbetur aty në kushte mjaft të vështira. Ky premtim është strikt për qëllime humanitarë, njerëzore. Unë nuk e di axhendën e sekretarit Kerry, por thashë që qeveria duhet të bëjë një akt miqësie, të bëjë një veprim të tillë. Dhe në këtë rast ka dhe mbështetjen e opozitës.”- tha Berisha.Sipas Berishës, “vota për rezolutën e Palestinës, ka qenë një gur prove në qëndrimet e Shqipërisë, kryesisht ndaj SHBA. Çfarë synonte ajo votë. Ajo nuk kishte asnjë synim tjetër vetëm se të By-passo-nte SHBA. Unë mendoj që kjo nuk më bindte kurrë. Ajo nuk sillte dobi, në vlerësimin tim ajo ishte një gabim. Çështja palestineze nuk zgjidhet duke anashkaluar SHBA.  Shqipëria të vetmen gjë që mund të bëjë pa komente është të votojë qëndrimin e SHBA për çështjet e sigurisë.”

RAMA-BERISHËS: JE ÇLIRUAR VIDASH, VETËM TI BASHKON KERRYN ME NEXHMIJEN

Menjëherë pas Berishës, kryeministri Rama mori fjalën për replikë, duke ironizuar fjalimin e parafolësit. Rama tha se PD-ja po bën një çorap që as vetë se dinë se çfarë duan përsa i përket Byrosë së Hetimit.

Tani ndërkohë që të gjithë prisnin të flisje për Byronë e Hetimit fole për byronë politike. Nuk e kuptova se çfarë e pate këtë rrëshqitje në të kaluarën, por faktikisht të takonte këtu në këtë sallë që të korrigjoje vetveten dhe të mos merrje një gjobë të madhe për gënjeshtrat siç propozove herën e kaluar. Sot do ishte gjobitur keq se një javë më parë s’ke lënë gjë pa thënë, doje draftin e dakordësuar të byrosë. S’është faji jone që e ke bërë partinë si kopsht pa drekë dhe ke lënë njërin aty që kur e lë vetëm s’di ca thotë, e pastaj të duhet ta kapësh e ta çosh në takim me prindërit tek ndërkombëtarët. Keni bërë një corap që as vetë se dini çfarë doni. Por mos e lër më vetëm se të turpëroi edhe ty. Mirë do ishte që një qëndrim serioz për ti dhënë fund kësaj farse të madhe që e orkestrut vetë dhe që në fund ju nxori kaq gënjeshtarë dhe të çliruar vidash”.

Më tej Rama sqaroi edhe arsyet e vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit në Tiranë, duke shtuar se ajo ishte e planifikuar.

“Për sa i përket vizitës së Sekretarit të Shtetit, prapë the gjëra të pavërteta. Ishte planifikuar të bëhej në fund të vitit të shkuar në kuadër të vizitave që bëri në rajon. Shqipëria ishte stacion përfundimtar, por u anulua për shkak të impenjimeve të tij në negociata me Iranin. Ndryshe nga çfarë i propaganduat ju shqiptarëve që ai shkoi vizitoi gjithë rajonin dhe bojkotoi regjimin e oligarkëve të Tiranës, impenjimi ishte i qartë që do kryhej në fillim të këtij viti. Po të sqaroj jo ty se ti e di mirë, se vetëm ti mban fjalim ku flet në të njëjtin fjalim edhe për Nexhmijen edhe për Kerryn. Ai s’vjen për të kërkuar ato që the ti, s’ka asnjë problem mes nesh dhe SHBA është në vazhdën e angazhimeve që ne do respektojmë. Vjen sepse është një vizitë e planifikuar edhe në kuadër të kontakteve me rajonin edhe në kuadër të marrëdhënies së ngushtë me SHBA. Të lutem mos e përsërit më gënjeshtrën e votës, mos gënje, ose gënje për çështje lokale, jo për çështje globale. S’të ndalojmë dot se e ke profesion por jo për partnerë e miq të Shqipërisë”.

BERISHA: NUK KAM QENË MJEK PERSONAL I ASNJË KOMUNISTI

Gjatë debatit në Kuvend me kryeministrin Rama, ish-kryeministri Berisha tha se nuk ka qenë mjek personal i asnjë prej zyrtarëve të lartë të regjimit komunist.

“Unë në periudhën kur kam qenë kardiolog në spital i kam shërbyer të gjithë shqiptarëve, përveç Enver Hoxhës, nga të burgosur në anëtarë të byrosë politike. Kam refuzuar në mënyrë kategorike të jem mjek personal i ndonjërit prej tyre. Këtë e di shumë mirë. Në atë kohë nuk ishte e thjeshtë, por dua të them…mjek personal do të thotë tjetër gjë. Mjek personal do të thotë të merrje rrogën në grupin e tyre. Kurrë dhe asnjë ditë të vetme. E kam refuzuar në mënyrë të prerë, sepse isha i apasionuar në punën time në spital. Nuk kam marrë rrogën në asnjë grup përveçse rrogës sime. Më pas më është dhënë mundësia të shoh firmat e Vito Kapos në ekzekutime njerëzish. Ty me Bushatin të bashkojnë krimet familjare. Përsa i përket fjalëve që i thua ti, do të them kaq: me valixhe druri apo hekuri, parajsën e etërve tuaj ua bëmë copë e çikë”- deklaroi Berisha.

Çmenduria shqiptare: Kjo është shuma e majme që Fullani kërkon si dëmshpërblim

37.68 milionë lekë është vlera e dëmshpërblimit që ish-Guvernatori Ardian Fullani kërkon të përfitojë nga Banka e Shqipërisë.

Fullani e ka paditur institucionin më të lartë financiar në vend, për ndërprerje të padrejtë të mandatit të tij.

Fullani kërkon pagën dhe përfitimet që ka pasur më parë si Guvernator dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, nga data e shkarkimit të tij në shtator 2014 deri më 17 nëntor 2018, afati i përcaktuar për përfundimin e mandatit të tij.

Të ardhurat mujore të Fullanit, përfshirë pagën dhe honoraret, për vitin 2013 kanë qenë 753. 759 lekë në muaj. Flasim me lekë të reja.

Rama – Berishës e Topallit: Që të dal cullak s’ka nevojë të bëj drafte me ju

Debate të nxehta sot në Kuvend në lidhje me draftin e miratuar nga qeveria, për Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili do të marrë votat e Parlamentit. Opozita ka akuzuar mazhorancën se ka sjellë në Kuvend një draft për të cilin ajo nuk ka rënë dakort, por kryeministri Rama tha se kjo është një gënjeshtër e rradhës.

Shefi i qeverisë duke marrë fjalën pas deputetit demokrat Sali Berisha i ka kërkuar që të mos devijojë nga çështja e ditës, që është drafti për Byronë Kombëtare të Hetimit.

 

“Ndërkohë që të gjithë prisnin të flisje për Byronë e Hetimit, fole për Byronë Politike, se kuptoj këtë rrëshqitje në të kaluarën, por të takonte që korrigjoje vetveten dhe të mos merrje një gjobë të madhe për gënjeshtrat, sot do ishte i gjobitur keq sepse këtu ske lënë gjë pa thënë duke kërkuar që të vinte në Parlament drafti i dakortësuar i Byrosë së Hetimit, dhe s’është faji jonë që e ke bërë partinë si kopësht pa drekë, ke lënë një aty që duhet ta çosh tek ndërkombëtarët si takim me prindër, dhe kur e lë vetëm ai s’di ça thotë i shkreti se ndonjëherë s’të kupton. Ç’a keni thënë javën e kaluar e keni ngrënë sot. Tani po thoni atë që kemi thënë ne”,- tha Rama.

“Po të sqaroj këtu sepse vetëm ti mund ta bësh ku në të njëjtin fjalim flet për Nexhmijen dhe John Kerryn” i tha Rama Berishës.

Debat në distancë me Topallin e Nokën

Pas fjalës së Berishës, Rama bëri një debat në distancë me deputetët demokrate Jozefina Topalli dhe Flamur Nokën.

“Dy herë u çove, dy herë iu shmange detyrimit që të flasësh këtu për Byronë e Hetimit dhe për mashtrimin e madh publik që bashkë me administratorin e kopshtit pa drekë keni bërë..pse keni gënjyer publikun shqiptar? Në mënyrë të përsëritur dhe keni mohuar një fakt shumë të thjeshtë, që drafti i Byrosë Kombëtare të hetimit që qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament është drafti me të cilin jeni dakortësuar ju 100% dhe ju të tjerët që në kopshtin pa drekë s’ju japin as drekë ka mundësi të mos flisni se s’dini gjë fare.

“Jozefinë, ti e di ç’po heq me administratorin e partisë”

Jozefinë të lutem lërë, trego etikën, e keni bërë PD, ti e di më mirë se të tjerët se ku e keni lënë PD, të paktën mos bëni hipokrizi këtu, se dijet botërisht se çfarë mendimi ke ti për administratorin e kopështit, ti mos fol, nuk të shkon ty, ti e di ç’po heq dhe ti e di si po mbahesh, mos më thuaj mua tani etikë, po them një gjë që ti e thua përditë me këdo që takon, mos më bëj të them me emra këta këtu që ti i thua çfarë i thua, mos më bëj me shenjë që të ndaloj…

“Që të dal cullak s’ka nevojë të bëj drafte me ju”

Për Byronë e Hetimit është bërë një propagandë e shfrenuar shpifjesh…keni dalë dhe keni thënë që ky draft qenka draft që më nxori mua cullak, që të dal cullak s’ka nevojë të bëj drafte me ju, por në këtë rast është një shpifje dhe një gënjeshtër shumë e madhe që vë në pozitë të vështirë jo ne, juve dhe partnerët tanë, mbi të gjitha krijon konfuzion total tek publiku.

Ndaj s’ju kushton asgjë të dilni këtu dhe të thoni ne jemi dakortësuar me këtë draft, por tani kemi ndryshuar mendim dhe mendojmë njësoj si mendote kryeministri, qeveria, dhe kjo është pjesë e reformës në drejtësi, kur na thoshit pse e mbanim, silleni dhe kur ne e sjellim ju thoni s’është ky.

Është 100 % drafti i dakortësuar dhe se them unë këtë, mos më lodh tani.

Ndaj Sali çohu këtu dhe thuaj të vërtetën për Byronë Kombëtare se pastaj do të nxjerr me letra që ti të tërhiqesh, se ti nuk tërhiqesh, por ta shikojnë. Lëre Nexhmijen se t’i ka shpjeguar Andi Bushati sa unë s’kam ça ti shtoj, se është edhe dëshmitar okular i përpjekjeve të tua me valixhe, po unë se di kishte valixhe me dru arre apo lajthie”,- tha Rama.

Berisha: ‘E vërteta e valixhes së drurit, nuk kam qenë mjek personal i asnjë byroisti’

Ish kryeministri Berisha i është rikthyer sërish sot një shkrimi të Andi Bushatit, sipas të cilit ai erdhi me një valixhe druri në Tiranë.

Gjatë debatit në Kuvend me kryeministrin Rama, Berisha tha se nuk ka qenë mjek personal i asnjë prej zyrtarëve të lartë të regjimit komunist.

“Në një kohë kur baballarët e tyre kanë thyer kocka njerëzish, kanë izoluar njerëz, kanë krijuar drama njerëzore, kjo nuk është asgjë tjetër veçse shndërrim i krimit në kapital moral. Unë nuk e kam dyshuar këtë. Mund të jem nga më të paktët që e kam konstatuar. Unë nuk e konsideroj djalin përgjegjës për të atin, por nëse djali mburret me jetën e parajsës që ka bërë, nuk ka asgjë më të shëmtuar, nuk ka gjë më të dhimbshme. Do ishte e dënueshme për Berishën nëse do tu thoshte ju neobllokmenë vetëm për shkak të pozitës së krimeve të prindërve tuaj nëse ju do ti kishit dënuar ato krime”, u shpreh Berisha.

Sipas tij “unë në periudhën kardiolog në spital i kam shërbyer të gjithë shqiptarëve, përveç Enver Hoxhës, nga të burgosur në anëtarë të byrosë politike. Kam refuzuar në mënyrë kategorike të jem mjek personal i ndonjërit prej tyre. Këtë e di shumë mirë. Në atë kohë nuk ishte e thjeshtë, por dua të them…mjek personal kushërirë (i drejtohet Haritos), do të thotë tjetër gjë. Mjek personal do të thotë të merrje rrogën në grupin e tyre. Kurrë dhe asnjë ditë të vetme. E kam refuzuar në mënyrë të prerë sepse isha i apasionuar në punën time në spital. Nuk kam marrë rrogën në asnjë grup përveçse rrogës sime. Më pas më është dhënë mundësia të shoh firmat e Vito Kapos në ekzekutime njerëzish. Ty me Bushatin të bashkojnë krimet familjare. Përsa i përket fjalëve që i thua ti, do të them kaq: me valixhe druri apo hekuri, parajsën e etërve tuaj ua bëmë copë e çikë”.

Opozita refuzoi variantin e qeverisë për Byronë e Hetimeve

Ilirian Agolli

Opozita në Tiranë nuk e pranoi projek-ligjin mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, sepse sipas saj, drejtuesit e këtij institucioni të ri kundër korrupsionit qeveritar varen në mënyrë paradoksale nga qeveria.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se projekt-ligji që miratoi dje qeveria për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk është varianti që opozita aprovoi pak kohë më parë me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.

Zoti Basha tha se projekt-ligji i qeverisë nuk përmbushi kërkesën e vetme të opozitës se byroja e hetimeve duhet të varet nga prokuroria. Partia Demokratike dhe më pas Gjykata Kushtetuese hodhën poshtë si të papranueshëm variantin e mëparshëm të qeverisë, sipas të cilit, Byroja e Hetimeve drejtohej nga ministria e brendshme.

“Zoti Rama është mjeshtër i hileve dhe trukeve. Ai miratoi përsëri një projekt-ligj, ku byroja e hetimeve ka varësi nga qeveria e tij. Këtë përpjekje të tij e rrëzoi edhe Komisioni i Venecias me rekomandimet e saj. Ne jemi gati ta votojmë menjëherë ngritjen e Byrosë së hetimeve sapo ajo të varet nga prokuroria” – deklaroi sot zoti Basha.

Qeveria Rama miratoi dje disa ndryshime në ligjin për policinë e shtetit, me të cilat krijohet Byroja Kombëtare e Hetimit, si një strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit.

Byroja e Hetimit do të ndjekë 9 lloje korrupsioni shtetëror, objekt i Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Varianti i miratuar nga qeveria thotë se organizimi dhe funksionimi i byrosë hetuese përcaktohet nga ministri për rendin dhe sigurinë, me propozimin e drejtorit të policisë së shtetit, ndërsa veprimtaria e saj drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.

Drejtori i Byrosë së Hetimit, sipas projektit të ri, emërohet nga radhët e policisë së shtetit, prej ministrit për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e drejtorit të policisë së shtetit dhe pëlqimin e prokurorit të përgjithshëm.

Projekt-ligji vëren se prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e Byrosë së Hetimit.

Prokurori i Përgjithshëm cakton një ose disa prokurorë të prokurorisë së shkallës së parë për krimet e rënda për të shërbyer me kohë të plotë si prokuror në këtë byro. Ai cakton një prej prokurorëve si drejtues i grupit të prokurorëve në Byronë e Hetimit, theksohet në projekt-ligj.

Në variantin e miratuar nga qeveria, Byroja e Hetimeve është shërbim i Policisë Gjyqësore, punonjësit e saj janë oficerë dhe agjentë të Policisë Gjyqësore dhe se drejtori i Byrosë është drejtues i këtij shërbimi të Policisë Gjyqësore.

Opozita tha se qeveria është përpjekur të bëjë lojëra politike me byronë e hetimeve si bëri me reformën në drejtësi. Partia Demokratike dha kohë më parë mirëkuptimin për ngritjen e kësaj byroje hetimore me kushtin e vetëm që ajo të varej nga Prokuroria e Përgjithshme.


Send this to a friend