Në kuadër të Ditës Kombëtare të Kujtesës së Martirëve dhe Viktimave të regjimit komunist, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani nderoi me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pjesëtarët e “Kompanisë 4000”: “Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e vyer dhe të pamohueshëm në përpjekje për rrëzimin e shtetit diktatorial hoxhist në Shqipëri, duke nxjerrë në pah vlera të çmuara atdhetare si dhe duke sakrifikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe euroatlantike”.
Gjatë ceremonisë ku ishin të pranishëm familjarë dhe pasardhës të anëtarëve të “Kompanisë 4000”, historianë, studiues, politikanë, ish-të përndjekur dhe ish-të burgosur nga regjimi komunist, Kreu i Shtetit shqiptar, pasi i falënderoi për pranimin e ftesës si dhe për praninë e tyre të nderuar në këtë ceremoni solemne, por të vonuar dhe aq shumë të domosdoshme për të vënë në vend nderin dhe sakrificat e atdhetarëve që lanë me gjakun e tyre të kulluar altarin e lirisë së kombit shqiptar, theksoi se: “Që nga e dita e parë që u zgjodha President i Republikës, në përmbushje edhe të detyrimeve kushtetuese, por në radhë të parë duke iu përgjigjur zërit të ndërgjegjes si qytetar i këtij vendi dhe si përfaqësues i unitetet të popullit jam, përpjekur pareshtur që të vë në pah dhe të vlerësoj edhe zyrtarisht të gjithë ato figura, personalitete dhe kontribues të denjë të kombit kombit tonë, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare.”
“Kjo ceremoni solemne, ka për qëllim jo vetëm të shkundi pluhurin e harresës nga përpjekjet dhe sakrificat sublime të disa shqiptarëve atdhetarë, por edhe t’i vendosë ata denjësisht atje ku e kanë vendin, në piedestalin e heronjve liridashës shqiptarë, duke vlerësuar në këtë mënyrë gjithçka bënë për tokën tonë të shenjtë dhe kombin tonë të shtrenjtë. Sot është një ditë e shënuar për Shqipërinë, që përfaqëson rrëzimin e simboleve të komunizmit, shtatoreve të figurës së urryer të diktatorit Hoxha, jemi mbledhur së bashku jo thjesht për të kryer një rit, për të zhvilluar një ceremoni, por edhe për të qartësuar disa padrejtësi. Brenda të ashquajturës ‘luftë e klasave’, akuza më e rëndë, krimi më i ndëshkueshëm, ishte nëse kishe gjyshin, babain, vëllain të arratisur ose ‘diversant’, siç i stigmantizonte propaganda e ideologjisë bolshevike njerëzit që kërkonin lirinë.
Ende sot nëpër disa gazeta dhe disa ekrane televizive publikohen intervista dhe çfaqen filma përmes të cilave i thurren lavde ish-Sigurimit kriminal të Shtetit. Lufta vëllavrasëse e klasave nuk kurseu askënd: pleq, burra, gra, nëna, madje as fëmijë të vegjël apo të porsalindur. Ajo luftë nuk ka emër tjetër veçse: Krimi më çnjerëzor i një grushti njerëzish shqiptarë të etur për pushtet dhe gjak kundër shqiptarëve normalë.
Burrat dhe djemtë që u rreshtuan vullnetarisht në radhët e Kompanisë ‘4000’ në fund të viteve 1940-të dhe fillim vitet 1950-të ishin gjyshërit, baballarët, xhaxhallarët tuaj që gjendeni sot në këtë sallë. Ata nuk qenë ‘tradhtarë’ e as ‘diversantë’.
Ata qenë njerëz që lirinë e kishin vënë mbi çdo gjë tjetër, edhe mbi jetën dhe familjet e tyre. Ata qenë shqiptarë të mirë e të vërtetë.
Ata qenë shqiptarë në mërgim që u stërvitën nga aleatët tanë perëndimorë me synimin e vetëm për të përmbysur një regjim totalitar.
Ata qenë Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Hasan Dosti e shumë e shumë të tjerë, të cilët në Historinë e Kombit tonë zënë secili një vend të nderuar. Origjina e tyre nga Veriu apo Jugu, Dibra, Hasi, Tropoja, Kruja, Shkodra, Vlora, Mokra apo nga Kosova, nëse qenë anëtarë të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ apo ndonjë organizate tjetër, nëse u grumbulluan në Itali, Gjermani, Greqi, Maltë apo u rikthyen nga ajri, deti apo toka, nuk ka kurrfarë rëndësie. Rëndësi ka që të gjitha ata i bashkonte gjëja më e shenjtë: ideali për një Shqipëri të lirë, demokratike e të pavarur.
Sot në përvjetorin e 26-të të shembjes së shtatoreve të diktatorit, ne duhet të kujtojmë me krenari se anëtarët dhe rekrutët e ‘Kompanisë 4000’ ishin ushtarët e parë shqiptarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut që u rekrutuan, u stërvitën dhe erdhën me misionin e qartë politik dhe ushtarak për të luftuar e përmbysur regjimin më anti-popullor të historisë së Shqipërisë. Ishin ata që dhanë jetën e tyre për liri dhe demokraci, për të njëjtat vlera dhe parime mbarëkombëtare, për të cilat sot ushtarakët tanë po operojnë në kuadër të NATO-s anembanë e botës, kudo ku këto vlera po rrezikohen dhe kërcënohen, po ashtu si amerikanët, anglezët, gjermanët, italianët, grekët, kanadezët, aleatët tanë që po luftojnë krah për krah kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, totalitarizmit, në Azi, Lindjen e Mesme, Afrikë, e deri në zemër të Evropës.
Ata ishin dhe mbetën deri në amshim vëllezërit, baballarët, gjyshërit, xhaxhallarët tuaj e të shumëkujt tjetër. Ata lindën në këtë tokë, jetuan, luftuan dhe vdiqën duke derdhur gjakun e tyre të pastër prej shqiptari.
Ende sot nuk është parë apo as dëgjuar ende prej askujt nga Sigurimi i Shtetit apo drejtuesit komunistë të kohës një kërkesë ndjese apo pendese sado e vogël. Shumë prej jush jeni gati të falni me gjithë zemër, por jo të harroni krimet që ju janë shkaktuar e për të cilat keni vuajtur për gjysmë shekulli. Por juve ende nuk ju është kërkuar falje, as nuk ju është shfaqur ndonjë shenjë pendese. Shqiptarët atdhetarë zemërgjerë dinë të falnin, dinë edhe të kërkojnë ndjesë, dinë edhe se si në emër të vëllazërisë dhe atdhedashurisë të ecin përpara, por jo të harrojnë kurrsesi. Nuk do harrohen kurrë gjyqet publike, akuzat e stisura, dëshmitarët falsë, torturat çnjerëzore, përndjekjet shtazarake, viktimat deri në disa breza të së ashtuquajturës ‘luftë klasash’ që vazhdoi deri në fillim të viteve ’90-të.
Ne kemi nevojë të ruajmë kujtesën e viktimave të regjimit komunist, ta bëjmë pjesë të kurrikulave shkollore dhe të dënojmë me forcë krimet e përbindshme, sepse vetëm kështu mund të vijë shërimi i plagëve shpirtërore dhe Shqipëria t’i bashkëngjitet dinjitetit të familjes së madhe evropiane.
Flitet dhe ka nisur një proces për hapjen e dosjeve. Kam gjykuar dhe vazhdoj të gjykoj se hapja e dosjeve duhet të nisë nga krimet e bëra ndaj të pushkatuarve pa gjyq dhe atyre që nuk u janë gjendur ende varret. Ky do të ishte hapi i duhur dhe shenja e parë e seriozitetit të këtj procesi.
Bijtë, bijat dhe trashëgimtarët e të përndjekurve në fakt ishin të parët që zgjatën dorën e pajtimit pas vitit 1990 duke dhënë mesazhin e duhur se mes shqiptarëve nuk duhet dhe nuk ka vend përçarja ideologjike apo krahinore, por përkundrazi, ne duhet të na bashkojë e duhet të na karakterizojë filli i njëjtë i identitetit tonë të patjetërsueshëm identitetit shqiptar.
Padyshim që sakrificat e njerëzve që u përballën me kalvarin e gjatë të përballjes së diktaturës, me izolimin, me urrejtjen, me ekstremizmin, me përçarjen kanë pasur kostot e tyre. Këto sakrifica kurrsesi nuk duhen lënë të nëpërkëmben, por as të harrohen. Përkundrazi, është detyrë dhe përgjegjësi e gjithësecilit prej nesh, e institucioneve shtetërore, e aktorëve dhe publikut, e çdo individi që të kujtojë, t’i nderojë e t’i transmetojë si trashëgimi tek brezat që vijnë, për të reflektuar dhe për të pasur frymëzim mbi rëndësinë e dimensionit që ka liria, e cila kurrë nuk është falur, por gjithmonë është fituar, e cila ka nevojë gjithmonë të ruhet e të mbrohet. Është pothuajse e pamundur të flasësh në një ceremoni për dimensionin atdhetar dhe sakrificat e shumta të atyre njerëzve, që ishin të gathshëm të sakrifikonin për kauzën e lirisë dhe të drejtimit të Shqipërisë nga Perëndimi. Të flasësh për përpjekjet e tyre viti pas viti, dekada, me veprimin vendimtar të shqiptarëve për ta gjetur lirinë e Shqipërisë, e të flasësh për rrugëtimin prej dekadash të atyre burrave dhe atyre djemve, për sakrificat individuale dhe kolektive që ata bënë, për gjithçka që ata lanë si trashëgim, për të mos u harruar e për t’u nderuar. Prandaj dëshiroj që në emrin tim, edhe në cilësinë e Kreut të Shtetit, të vlerësoj me Dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ të gjithë burrat trima të ‘Kompanisë 4000’. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët dikur të martirizuar nga diktatura e sot të dalë në rrugën e mundësive të lirisë!” – u shpreh Presidenti Nishani në fjalën e Tij.
Dekorata e lartë iu dorëzua nga Kreu i Shtetit shqiptar zonjës Lumturi Saraçi. Veprimtaria u përshëndet edhe nga zoti Bedri Çoku që prezantoi një historik të shkurtër, si dhe nga zonja Afërdita Gjuraj, e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me këtë rast, e cila në emër të të pranishmëve theksoi se “janë të gjitha si një familje e lidhur nga gjaku i dëshmorëve”.