VOAL

VOAL

Përplasja Rama- Blushi në Kuvend që nuk u dëgjua në media

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, ka qenë serish strumbullari i debatit në Parlament, në mungesë të opozitës. Ai ka shkëmbyer dje replika me ministrat e qeverisë, për nderimin që Republika e Francës i bëri Kryeministrit Rama me medaljen e Legjionit të Nderit, duke thënë se në Shqipëri ai ka kaluar në legjionin e turpit, shkruan Panorama

Blushi ka ironizuar me ministren Kodheli, duke thënë se ajo kishte shok ministra që vidhnin. Kurse gjatë replikës me Blushin, ministrja Ermonela Felaj ka theksuar se edhe gjyshja e Ben Blushit ishte e mendimit se ai kishte tradhtuar socialistët.

Por edhe Kryeministri Rama e ka quajtur Blushin si “kokrra e tradhtarit”. “Kokrra tradhtarit je. Kur dhe gjyshja të njeh për tradhtar, merre me mend”, ka thënë Rama gjatë debatit pa mikrofon në Kuvend, raporton Panorama. 

Debati është zhvilluar dhe për ligjin e faljeve, të cilin deputeti i larguar nga PS e ka quajtur si klientelist. Por ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka thënë se Ben Blushi nuk e kupton këtë nismë financiare, që do të ndihmojë biznesin, duke i hequr barrën e detyrimeve që mbanin ndër vite.

Ahmetaj është shprehur se: “nuk jemi për Shqipërinë e shekullit të kaluar, jemi për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.

REPLIKAT NË KUVEND

Ben Blushi: Falënderoj Republikën e Francës që nderoi emigrantin shqiptar, Edi Rama, për sjelljen shembullore që ka mbajtur në Francë gjatë kohës së emigracionit. I dhanë Legjionin e Nderit, në fakt në Francë është sjellë mirë si emigrant. Unë e di dhe prandaj është vend i madh Franca, se nderon edhe emigrantët e huaj. Mori Legjionin e Nderit në Francë, erdhi në Shqipëri, u bë Kryeministër, hyri në legjionin e turpit. Nga Legjioni i Nderit në Francë me Ismail Kadarenë, në legjionin e turpit në Shqipëri si Kryeministër me Mark Frrokun, Elvis Rroshin dhe Vangjush Dakon.

Ditmir Bushati: Dekorimi apo nderimi që iu bë Kryeministrit, në fakt, besoj se është nder për popullin dhe kombin shqiptar dhe mendoj që nuk e kemi luksin në këtë Parlament, i dashur Ben, që të tregohemi cinikë apo hyzmeqar të pendës, siç thotë Konica shpesh.

Mimi Kodheli: Arsyet pse ti sillesh si Saliu, kam menduar se janë ndryshe. Kam menduar se do të vijë dita që do të bëhesh një politikan serioz, por më duket se nuk do të bëhesh dot, as të dalësh mbi mesatar. Sepse mllefi nuk do të të lërë ta bësh këtë gjë dhe kujt po ua bën? Shokëve të tu prej 20 vitesh. Harron edukatën, harron librin, harron kulturën, harron moralin, Beni. S’të kam parë gjithë këto vite të shkruash një ligj, apo 5 fjalë, 5 rreshta mendim. Pa dyshim ke shkruar 5 libra, por për veten tende.

Ben Blushi: Pse për kë do t’i shkruaja, për ju?!

Mimi Kodheli: Që të bëhesh udhëheqës i një partie, duhet të kesh ndjekës dhe shokë, ti nuk ke as ndjekës, por nuk ke as shokë. Më vjen e vështirë të besoj se do të bëhesh ndonjëherë, tani ke humbur çdo shpresë, se ke kaluar në një parti tjetër, udhëheqës i PS-së…

Arben Ahmetaj: Do të të ftoja ta votoje këtë ligj. Ndihmon klasën e mesme, ndihmon qytetarin tatimpagues. Mos harro që po votove për këtë ligj, ke votuar për ata 90 mijë veta që u gjobitën në qershor të 2016-s. Mos harro që janë 120 mijë qytetarë që përfitojnë nga fshirja e detyrimit, për shkak të regjistrimit të mjeteve. Mos harro që ka shumë sipërmarrje që përfitojnë nga kjo dhe nisin një jetë të re ekonomike në formalizim. Mos harro që këto nuk janë vota. Mos i shiko si vota, shikoji si qytetarë, si sipërmarrje që punojnë në favor të ekonomisë shqiptare, të familjeve, të të ardhurave në buxhet po deshe, për një Shqipëri të gjeneratës tjetër.

Ben Blushi: Sipas relacionit të Ministrisë së Financave që shoqëron këtë ligj, borxhi është 178 miliardë, nga të cilat vetëm me këtë akt që ka ardhur sot fshihet gati 1/3, 50 miliardë, ose rreth 400 milion dollarë. Lidhur me ligjin e faljes, thuhet se shuhen efektet tatimore, pra borxhet që disa kompani i kanë shtetit në formë TVSH-je, vetëm në rastet kur ato janë të regjistruara pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Çfarë është AKBN? Kush janë këto kompani? Kompanitë më të mëdha që kanë në dorë pronat publike, naftë, energji, gaz, minerale, krom, bakër, atyre u shuhen detyrimet ndaj shtetit. Kush është pronari i këtyre kompanive? Njerëzit më të pasur në Shqipëri. Kujt po i falni detyrimet? Atyre që kanë marrë koncesionet e padrejta.

Arben Ahmetaj: Meqë do të kuptosh ligjin. Pse nuk vjen këtu dhe të thuash: “Po, kjo qeveri, kjo maxhorancë (megjithëse ti nuk e do, nuk e pëlqen, e voton kundër), ka bërë taksën e biznesit të vogël 0”. Pranoje statistikën pa emocione, pastaj bëj çfarë të duash me emocionet politike. Ke të drejtë ta bësh si të duash, të anosh djathtas, majtas, me Saliun, me Lulin, është gjykimi juaj, nuk diskutohet, por e vërteta është e vërtetë dhe statistika është kokëfortë, pavarësisht se çfarë bojërash duam t’i vendosim, statistika është kokëforte. Ja ku i ke njerëzit në nevojë dhe të varfrit që përfitojnë nga kjo “amnisti”, siç tha ky, por që nuk është amnisti, sepse ky term është një gabim teknik dhe konceptual dhe i qëllimtë për filozofinë që kemi mbi të gjitha. Është fshirje dhe lehtësim i pagesës së pjesshme.

Ben Blushi: Këto seanca, përveç gjimnastikës që bëj unë me ju, kanë vlerë dhe me publikun. Unë vij në palestër kur vij me ju. Vlera është t’u tregojmë shqiptarëve çfarë pune bën kjo qeveri. U bënë nja tre-katër seanca që merren me një njeri që ka 12 vjet në opozitë dhe nuk qeveris. Këtu del qeveria dhe më kërkon ll ogari mua.

Edi Rama: E kanë gabim këta që merren me ty…

Ben Blushi: Po ju për çfarë jepni llogari? Akuzoheni për korrupsion, për papunësi e ka fajin Saliu. Akuzoheni që po bëni amnisti të padrejtë, e kam fajin unë. Ditmiri ishte më i qeti sot, për shumë arsye unë nuk është se kam ndonjë nënvlerësim për ty, por një gjë do ta them për çfarë do mbahesh mend këto katër vjet. Do mbahesh mend se kur filloi konflikti në Ukrainë, para nja tre vjetësh ti thoshe Ukrahinë, Ukrahinë. Sepse mendon se fjala Ukrainë, vjen nga fjala krahinë.

Nuk vjen nga fjala krahinë, Ukraina. Doli Mimi këtu, çfarë pate Mimi? Unë thashë një gjë që ti s’e di, pse Republika e Francës ka nderuar Edi Ramën si emigrant shembullor. Unë e kam takuar si emigrant, jo ti, nuk shkelte trafikun, s’kishte makinë. Nuk lëshonte gazra në natyrë. Nuk kishte mundësi të fuste dorën në xhepat e dikujt, siç bën tani që është kryeministër.

Edi Rama: Bravo, bravo, je akoma në KPD.

Ben Blushi: Ti Mimi i njeh shokët e mi? Ata mbase të njohin ty. Ministrja e Mbrojtjes që merret me shokët e mi. Unë kam shumë shokë Mimi, por shokët e mi kanë një të mirë. Shokët e mi nuk vjedhin. Nuk kam shokë që vjedhin, ti ke në atë qeveri. Kam pas shokë, por ditën që filluan të vjedhin, s’i kam më…

Edi Rama: Boll gënjeve, ik se na lodhe…

Valentina Leskaj: Zoti Blushi, përfundojeni fjalën.

Edi Rama: Lëre të flasë se ka dhe kohën e Saliut.

Ben Blushi: Në shekullin e kaluar, ky ka qenë drejtor doganash, kurse unë kam qenë gazetar.

Edi Rama: Ti je një KPD-AR… Në shekullin e kaluar bëje fjalime për KPD-në.

Ben Blushi: Je nderuar si emigrant dhe turpëruar si kryeministër.

Ermonela Felaj: Sot në mëngjes takuam një zonjë elegante, nga vetë ajo mësuam që ishte gjyshja e Ben Blushit. Unë jam gjyshja e Blushit, atij që ju ka tradhtuar. Unë mund të jem e fundit ndoshta, ngaqë s’kemi pasur raporte shoqërore, por kur të dëgjoj që flet me kaq negativitet për njerëzit që ke ndarë për një jetë të tërë ide dhe mendime, por përpara teje dhe gjyshes do zgjidhja 1 mijë herë gjyshen.

Edi Rama: Kokrra e tradhtarit je. Kur dhe gjyshja të njeh për tradhtar, merre me mend.

Ben Blushi: Emigrant erdhe, emigrant do ikësh.

Berisha denoncon me emra: Ja zyrtarët e policisë që kontrollojnë trafikun e drogës në Vlorë

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish qeverinë dhe policinë, duke i bërë përgjegjëse për trafikun e drogës.

Duke iu referuar mesazhit të një ‘oficeri dixhital’ Berisha thotë se droga e kapur në Triport, Zvërnec tre ditë më parë ishte e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Ndërsa, oficeri dixhital jep emra konkretë të personave që sipas tij, organizojnë trafikun e drogës në jug të vendit.

Denoncuesi thotë se Drejtori i Policisë nuk ka lajmëruar shefin e Komisariatit të Vlorës dhe ky i fundit ka kapur ngarkesën dhe Shefin e Krimit të Organizuar në këtë Drejtori që bënte organizimin por më pas personat përgjegjës janë lënë të lirë.

Oficeri dixhital njofton Berishën më tej se përplasja me drejtorit të Policisë Vlorë dhe Shefit të Komisariatit është shumë e fortë.

STATUSI I BERISHËS

Trafikun e drogës e bën qeveria!
Oficeri dixhital informon:
– Droga e kapur ne Triport -Zvërnec tre ditë më parë ishte e Leart Çelës, drejtorit të policisë së Vlorës.

Lexoni me poshtë mesazhin e oficerit dixhital! sb
“Përshëndetje doktor!Jam oficer në Komisariatin e policisë Vlorë. Disa ditë më parë Policia e Shtetit (Policia Vendore Vlorë) ka kapur në zonën e Triport-Zvërnec në një furgon 52 paketime me mbështjellje plastike dhe 10 çanta sportive me hashash si dhe një Fuoristradë që transportonte një gomone me 3 motorë e cila do të shërbente për transportin e ngarkesës.

Theksohet se ngarkesa ka qenë e “Jaert Çelës” – Drejtorit te Policisë Vendore të Qarkut Vlorë dhe organizimin e saj e bënte në terren “Gjergj Koila” – Shefi Krimit të Organizuar në këtë Drejtori. Ngarkesa e këtij transporti ka qenë e mirë organizuar dhe me dijeni të plotë të strukturave vendore të SHKB-së dhe konkretisht të Drejtorit të SHKB-së Vendore “Endri Mema” lidhje e “Arben Skëndo”.

Kapja e kësaj ngarkese është bërë fare rastësisht nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Vlorë dhe konkretisht nga shefi i këtij komisariati “Behar Caka”. Ky i fundit nuk ka pasur dijeni lidhur me këtë ngarkesë pasi Drejtori i Vlorës “Jaert Çela” ka kërkuar nga Shefi i Krimit të Organizuar të Policisë Vlorë “Gjergj Koila” të përjashtonte shefin e Komisariatit “Behar Caka” duke bërë një pagesë tek SHKB Vendore e Vlorës për të qenë të sigurt për çdo eventualitet.

Theksohet se personat që do të bënin transportin janë kapur por pas marrjes dijeni të shërbimeve të Policisë se cilit i përkiste kjo si ngarkesë, janë lënë të lirë të ikin duke proceduar më tej sikur Trafikuesit janë larguar përpara se të konstatoheshin nga Policia e Shtetit… Mes Drejtorit Jaert Çela dhe Shefit të Kom Behar Caka ka nisur një debat i rëndë i cili këtej ka degraduat rëndë…”

(Video)Fotoreportazh nga vizita zyrtare e kryeministrit të Shqipërisë në Zvicër: Zvicra dhe Shqipëria dëshirojnë të forcojnë marrëdhëniet

Zvicra dhe Shqipëria dëshirojnë të forcojnë marrëdhëniet

Presidentja e Konfederatës Helvetike Doris Leuthard dhe njëkohësisht Këshilltarja Federale e Departamentit të Ambientit,Transportit, Energjisë dhe Komunikacionit priti për një vizitë zyrtare Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama. Kjo ishte vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Zvicër që nga viti 1994.

Pritja u bë në kështjellën Lohn, në afërsi të Bernës, një nga rezidencat qeveritare e vizituar nga burra dhe gra shteti të llojit nga Churchill tek Angela Merkel.

Në oborrin e bukur të kështjellës Lohn, ku valviteshin mrekullisht flamujt e kuq me kryq të bardhë e shqiponjë dykrenore dhe nën tingujt e hymneve zvicerane e shqiptare, për nder të kryeministrit Rama dhe delegacionit që e shoqëronte u bë parakalimi solemn nga garda ushtarake.

Kështu nisi vizita zyrtare e kryeministrit shqiptar në Zvicër.

Tema qendrore e bisedimeve ishte marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve si dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

Të dy vendet vunë në dukje intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në vitet e fundit. Delegacionet janë fokusuar ndër të tjera në angazhimin e pandërprerë të Zvicrës në Shqipëri.

Qëllimi i Zvicrës është të mbështesë Shqipërinë – një nga vendet prioritare të bashkëpunimit për zhvillim – në projektet e reformave drejt integrimit evropian. Aktualisht, Zvicra është një nga donatorët kryesorë dypalësh në Shqipëri duke zënë vendin e gjashtë.

Në takimin ndërshtetëror u nënshkruan dy marrëveshje në fushën e formimit profesional dhe decentralizimit në vlerë prej dhjetë milionë franga. Konkretisht, ministrja për Zhvillim Urban e Shqipërisë, Eglantina Gjermeni dhe ambasadori Manuel Sager, drejtor federal i DEZA-s kanë nënshkruar projektmarrëveshjen për programin e zhvillimit rajonal në Shqipëri. Ndërsa ministrja për Mirëqenie Sociale dhe e Rinisë e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka ka nënshkruar Projektmarëveshjen  për arsimin profesional në tregun e punës në Shqipëri. Nga ana zvicerane nënshkrues i kësaj marrëveshjeje ishte po zoti Manuel Sager, drejtor federal i Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim  i Zvicrës.

Ministrat diskutuan gjithashtu për reformën e drejtësisë përmes të cilës do të përmirësohet klima e investimeve në Shqipëri, bashkëpunimin në çështjet e emigracionit, bashkëpunim në çështjet e policisë dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

Trendi pozitiv në marrëdhëniet ekonomike

Marrëdhëniet diplomatike mes Zvicrës dhe Shqipërisë kanë nisur në vitin 1970.

Edhe pse marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera dhe ato ekonomike kanë trend pozitiv, tregtia midis dy vendeve mbetet relativisht modeste. Aktualisht kompanitë zvicerane në Shqipëri janë rreth tridhjetë. Një konsorcium ndërkombëtar me qendër në Zvicër gjithashtu merr pjesë në ndërtimin e Trans-Adriatik (TAP, Trans-Adriatik-Pipeline).

Komuniteti shqiptar prej më tepër se 250 000 vetësh jeton në Zvicër, pjesa më e madhe tashmë të natyralizuar, por që kanë lidhje me rajonin e gjuhës shqipe. Kjo është një arsye më tepër që marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë dhe Zvicrës mund të rriten edhe më shumë, madje edhe në sferën ekonomike.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, respektivisht Presidentja e Konfederatës Doris Leuthard dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bënë deklaratat e tyre në konferencë për shtyp përpara gazetarëve.

Presidentja e Konfederatës, zonja Doris Leuthard nënvizoi se vizita e kryeministrit Edi Rama është historike dhe po ashtu shprehu vlerësimin për rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe theksoi se sa e rëndësishme është për Zvicrën që Tirana të vijojë angazhimet e saj. Presidentja e Zvicrës e komplimentoi kryeministrin e Shqipërisë dhe qeverinë e tij për reformat që ka ndërmarrë tre vitet e fundit, reforma që lidhen me shtetin e së drejtës, sidomos reforma në drejtësi që është shumë e rëndësishme për Zvicrën por edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Europë. Ajo kujtoi se si 25 vjet më parë, në vitin 1992, Zvicra hapi ambasadën në Tiranë dhe kjo përkon edhe me vizitën e një kreu shteti nga Shqipëria. Presidentja Leuthard theksoi domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit në favor të shtetit të së drejtës. Gjithashtu shprehu shqetësim rreth rritjes së tensioneve dhe krizës në rajon.

Edhe nga ana e tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama konfirmoi faktin se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyera. Ai kujtoi vitin 1935 kur është hapur përfaqësia e parë diplomatike e Shqipërisë në Zvicër. Duke mos harruar të kujtojë edhe rolin e emigracionit shqiptar dhe sidomos të futbollistëve. Me këtë rast kryeministri shqiptar bëri edhe një shaka, duke u kujtuar zviceranëve se fitoret në futboll iu dedikohen djemve shqiptarë.

Pastaj në konferencën për shtyp Presidentja Leuthard dhe Kryeministri Rama i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Pyetjet ishin në lidhje me vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore në relacionin Zvicër Shqipëri, mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Kryeministri i Shqipërisë është pyetur nga televizioni zviceran sfr edhe për ish-oficerin e drogës Dritan Zagani.

Pas drekës zyrtare me Presidenten Leuthard, Kryeministri Rama me delegacionin ka vijuar takimin në Parlamentin e Zvicrës, me kryetarin e tij Jürg Stahl./Për Voal: Elida Buçpapaj

 

 

 

 

 

Dritan Zagani, ish-oficeri i antidrogës merr azil në Zvicër – Do të vazhdojë të punojë si oficer i antimafias? – Lexoni… Nga Elida Buçpapaj

Voal – Dritan Zagani do të qëndrojë në Zvicër. Albanischer Ex-Drogenfahnder bleibt in der Schweiz – Oficeri i antidrogës do të qendrojë në Zvicër. Ky është titulli i reportazhit në emisionin“10vor10” të televizionit  zviceran gjermanofon SFR. Oficeri i antidrogës Dritan Zagani kërkoi strehim në Zvicër pasi denoncoi përfshirjen në trafikimin e drogës të zyrtarëve të lartë.

Megjithëse Tirana e ka futur në listën e Interpolit dhe Shqipëria i kishte bërë Zvicrës kërkesë ekstradimi për ish-oficerin e antidrogës, kjo kërkesë nuk merret parasysh dhe Dritan Zaganit bashkë me familjen e tij marrin azil politik në Konfederatën Helvetike.

Televizioni zviceran SRF që në janar i dedikoi një reportazh ish-policit të antidrogës

Në janar të këtij viti televizioni gjermanofon i Zvicrës SRF në emisionin  “10vor10” e ka intervistuar Dritan Zaganin, ish-oficerin e policisë shqiptare që denoncoi aferat e përfshirjes të trafikantëve të drogës me shefat e lartë të politikës. Një shkrim për të bashkë me videon e reportazhit ku është përfshirë edhe intervista e tij u botuan edhe në faqen online të SRF nën okelion “Mafia e drogës”.

Në reportazhin që përcillte intervistën thuhej se dërgesat e drogës bëheshin me avionë të lehtë dhe ka dyshime se trafikantët kanë lidhje me politikën. Këtë gjë e ka denoncuar ish-oficeri i Policisë shqiptare (Dritan Zagani – sqarim i Voal.ch) i cili është vendosur në Zvicër.  Shqipëria kishte kërkuar ekstradimin e Zaganit në Shqipëri. Sikur e konfirmoi për reportazhin e janarit për emisionin «10vor10» Zyra federale e Drejtësisë.

Ishte e qartë se mediat zvicerane që në muajin janar i kishin kushtuar vëmendjen dhe ishin në favor të ish-policit shqiptar.

Dhe tani fakti është që Dritan Zagani ka marrë azilin politik.

Dmth Zvicra nuk e ka pranuar kërkesën për ekstradim të autoriteteve shqiptare.

Televizioni zviceran SRF që e ka ndjekur ngjarjen, i rikthehet përsëri në emisionin  “10vor10” rastit të Dritan Zaganit.

E reja që solli kësaj here emisioni  “10vor10” është se Zvicra e ka pranuar kërkesën e tij për qendrim të përhershëm në Zvicër, që do të thotë se ka hedhur poshtë kërkesën për ekstradim nga Shqipëria.

“10vor10” tregon me simpati për ish-oficerin shqiptar, i cili ka rrezikuar kokën duke ndjekur veprimtarinë kriminale.

Dritan Zagani gjithmonë ka thënë se në këtë veprimtari të krimit të organizuar dhe mafies është e përfshirë edhe politika.

Gazetari i “10vor10” bashkë me një tjetër gazetar zviceran ishin të pranishëm edhe në konferencën për shtyp të Presidentes të Zvicrës zonjës Doris Leuthard me Kryeministrin Shqiptar, Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare dhe ata e pyetën në lidhje me Dritan Zaganin, por kryeministri i Shqipërisë nuk pranoi të përgjigjej si një çështje e organeve të drejtësisë.

Tani për Dritan Zaganin dhe familjen e tij nis një jetë e re.

SFR thotë se Dritan Zagani në shpirt ka mbetur polic. Ai dëshiron që ta vazhdojë profesionin e tij edhe në Konfederatën Helvetike që tani do të jetë atdheu i tij.

Si një luftëtar i paepur i mafies dhe antidrogës./Elida Buçpapaj

https://www.srf.ch/news/international/albanischer-ex-drogenfahnder-bleibt-in-der-schweiz

Dritan Zagani i intervistuar nga Televizioni zviceran SRF: Oficeri i antidrogës kërkon mbrojtje në Zvicër

https://www.srf.ch/news/international/albanischer-ex-drogenfahnder-bleibt-in-der-schweiz

Ilir Meta kritikë publike ministres Nikolla: Reforma në arsim e dështuar

TIRANË- LSI ka prezantuar sot para qindra të rinjve platformën për arsimin. Në takimin e organizuar tek Universiteti Politeknik ose Korpusi merrte pjesë edhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta. Duke folur për ligjin e arsimit të lartë të miratuar nga PS-LSI, Meta tha se nuk është arritur suksesi që u prit.

Para kreut të Kuvendit edhe bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi hodhi akuza ndaj Ministrisë së Arsimit për ligjin e arsimit të lartë.

“Po e nis me ligjin për arsimin e lartë i cili besohej se ishte një ligj me qëllime pozitive dhe i dha një goditje serioze atij arsimi fiktiv të lartë i cili cenonte cilësinë e dijeve por edhe besimin e të rinjve tek vlera e diplomës së tyre por njëkohësisht ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi arritur atë sukses që është pritur dhe kërkuar. Kjo ka ndodhur mendoj për arsye se edhe kur i bëjmë ligjet e mira ende vazhdojmë të çalojmë në zbatimin e tyre. Pra, që tek aktet nënligjore, tek bashkëpunimi në zbatim të grupeve të interesit e me radhë. LSI e ka ngritur këtë shqetësim edhe gjatë debateve për arsimin e lartë, edhe para miratimi dhe kur është miratuar në kuvend”, deklaroi Meta.

Ai tha se ‘çështja e një ligji nuk ka të bëjë thjesht me statistikat se sa studentë mbeten të kënaqur apo të pakënaqur por suksesi i ligjit është që asnjë i ri të mos ndihet i lënduar nga një reformë e padrejtë’.

“Ndaj është e nevojshme të reflektohen të gjitha shqetësimet, e studentëve, grupeve të interesit etj. Do të mbështesja idenë që kemi nevojë për një sistem sa më integruar të arsimit. Pa dyshim që modeli finlandez është mjaft i vlerësuar dhe më rezultativi. natyrisht që nuk është e lehtë ta implementosh në një vend tjetër. Dua të nënvizoj rëndësinë e përqendrimit drejt një sistemi që ndihmon fëmijët të mësojnë se sa të memorizojnë. Rritja e kapaciteteve, aftësive përvetësuese, praktike mbetet vendimtare për një përgatitje të suksesshme në tregun e punës”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit tha se është shumë e rëndësishme për ne, sidomos në kohët e sotme, në kohët e teknologjive të reja të investojmë shumë më tepër në inovacionin shkencor.
“Zhvillimi i nxënësve, i të rinjve me ndjenjën e mendimit alternativ dhe kritik është vendimtar në rritjen e aftësive krijuese në të ardhmen”, u shpreh ai.

Fuga iu përgjigjet thumbave të Çilit: Blegëri, blegëri, o Henri…

Akademiku Artan Fuga i është përgjigjur Henri Çilit, ku ky i fundit në një shkrim të tij e thumbonte.

“E mirëkuptoj populizimin e ditës, por kjo nuk do të thotë se intelektualisht nuk jam i lirë apo mund të kërcënohem nga dikush për ruajtjen e koherencës së ideve të mia. Veçanërisht e turpshme më është dukur që Partia Demokratike dhe lideri i saj aktual Lulzim Basha ka braktisur idetë tuaja për reformën në arsimin e lartë, duke u ndikuar nga “oligarkia” puniste dhe regresive e universiteteve shtetërore, e përfaqësuar në mënyrën më të plotë nga ulërimat në Facebook të profesor doktor Artan Fugës: “Arsim publik falas”” shkruan Çili.

Në reagimin e tij në  “Facebook”, akademiku Fuga, shkruan: “Eshtë respektues i mendimit të lirë ky blegëruesi, i trembur, dhe i zënë në darën e asaj që ka prodhuar, por sulet me sharje e fyerje ndaj meje që në punë time zhvilloj tezat për një arësim publik falaaaas!”

Statusi i plotë i Fugës

Blegërimat e tromaksura të Henri Cilit

———————————–

Po, unë i vihem në krah rinisë studentore shqiptare që ajo të kërkojë me forcë dhe pa u ndalur të drejta politike të zhvilluara, dinjitoze sikurse gjithë rinia e Europës.

Arësim publik si në Itali, Francë, Hollandë, Belgjikë, Suedi, Norvegji, Greqi, Gjermani, etj !

Me shuma të vogla tarifore hyrëse dhe të subvencionuar nga shteti!

Arësim publik falas, cilësor, dhe të suksesshëm!

Të papolitizuar!

Të pakorruptuar!

Jo servil të pushteteve!

Jo fallco !

Unë dhe miqtë e mi dimë si ta bëjmë brenda dy vjetësh! Asnjë ditë më shumë!

Arësim falaaaaas ! A dëgjon ore ti aty te cepi !

Henri Cili i kapur në fijet pa rrugëdalje për të të politizimit, i tromaksur nga paralajmërimet që i vijnë nga të gjitha anët, blegërin duke shpifur e pështyrë përreth dhe sipër kokës së tij se Sali Berisha dhe Lulzim Basha paskan hequr dorë, sipas tij, nga ato që paskan biseduar gjoja dikur me këtë tipin në fjalë për arësim me lekë, për shkak se janë të ndikuar nga unë, uluritësi, regresisti, ujku Artan Fuga.

I tromaksur nga paralajmërimet ky tipi, më ngjan me një tjetër, një ish shoku im që kur për faj të vet përplasi kokën te një kanatë dritareje prej druri të fortë, nga dhimbja e humbja e kontrollit i gjuajti me shpullë një peme aty pari dhe theu edhe dorën.

Të vjen t’ja plasësh gazit kur ai thotë se Lulzim Basha ndikohet nga ulurimat në facebook të regresistit, punistit, etj., Artan Fuga për arësim falas!!!

A thua se jam ujk!

Unë bërtas, po, sepse nuk mund të duroj që rinia shqiptare gjoja të arsimohet dhe të rripen prindërit për një të drejtë politike bazë si ajri, drita, pejzazhi, sikurse është arësimi universitar publik falas!

Falaaaaaaaaas! A dëgjon ore ti te ai cepi !

Kurrë nuk kam biseduar për këtë as me zotin Berisha as me zotin Basha!

Kudo ku ai gjoja është liberal, e përzjen gjoja liberalizimin me autoritetin dhe dhunën e shtetit, në një amalgamë pikëpamjesh neofashiste si të tijat.

Unë dyshoj që ai kërkon arësim me lekë, me shuuuuumë lekkkkë, sepse do lekë. Mbase e kam gabim! Si thoni ju?

E mirëkuptoj!

Me kujtohet kur çau në dysh kanatet e UET për të mbipopulluar sallat e leksioneve me nëpunës që nga ndrojtja se mos humbisnin vendet e punës e të tjerë pranonin të zënë keq një masterizim duke paguar qimet e kokës!

Nuk dalloja dot më a isha në miting apo në leksion!

Atëhere më hyri dyshimi dhe vendosa të iki me vrap. U zhvleftësua diploma e masterit, sepse një diplomë që të gjithë e kanë nuk vlen as për karrierë, sikurse u zhvleftësuan qindrat e doktoraturave që rrjedhin si uji në Lanë.

Rilindasit tanë kanë qenë me shkollën Zosimea, gjimnaz, në Janinë, kurse lekomania na kërkon me mastera me lopatë e pa cilësi e doktorë pa kontribute !!!

Nën akuzat e politikës, nuk di kujt t’ja prish e t’ja ndreqi:

Mbështet Edi Ramën, por sapo e akuzon Sali Berisha, i thotë : Doktor, aman të keqen do të votoj, jam me ty, hajde!

Të vdesësh gazit!

Eshtë liberal se lexon Fridmanin, u pikaaaaa mua, dhe pranon që kuotat e studentëve t’ia sjellë në tavë ministria!

Të mbash barkun me dorë nga të qeshurat!

Eshtë respektues i mendimit të lirë ky blegëruesi, i trembur, dhe i zënë në darën e asaj që ka prodhuar, por sulet me sharje e fyerje ndaj meje që në punë time zhvilloj tezat për një arësim publik falaaaas!

Me lotë, me lotë, hahahaha!

Falaaaaas ore ti atje!

Falaaaaaaaas!

Kujton se bën edhe shiun edhe erën,

unë flas për arësim publik dhe nuk denjova as ta përmend strukturën e vet privato-publiko-qeveritare, kurse ai do që edhe të ngjyejë në kanaçen e vet, por edhe të na bëjë rregulloret dhe politikat edhe për arësimin e lartë publik.

Blegëri,

blegëri,

more

Henri!

Totozani: 84 kandidatë për në komisionet e vettingut plotësuan kriteret

Avokati i Popullit i dorëzoi sot Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat me 84 kandidatë që plotësuan kriteret dhe 109 që nuk i përmbushën ato për t’u bërë pjesë e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, bëri sot të dtur se ekspertët e institucionit të tij, nën vëzhgimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitoritmit, përfunduan vlerësimin e dokumentave të gjithë kandidatëve, ndërkohë që në 27 mars u mbyll edhe afati i fazës së dytë.

Në këtë proces gjithsej ishin 193 kandidatë; 29 nga këta i plotësuan kriteret qysh në fazën e parë dhe ishin në listën A. Nga 164 kandidatët e mbetur në listën B, 61 nuk u paraqitën për në fazën e dytë.

Kështu, nga 103 kandidatët e mbetur në fazën e dytë, 55 i plotësuan kriteret dhe kaluan në listën A, duke iu bashkuar 29 kandidatëve fitues të fazës së parë. Ndërsa 48 të tjerë nuk i plotësuan kriteret as në fazën e dytë.

Pra, gjithsej, në fund të dy fazave, 84 kandidatë i plotësuan kriteret dhe 109 të tjerë jo.

“Kandidatët u bënë pjesë e një procesi historik për vendin tonë, për të çuar deri në fund reformën më jetike për shqiptarët, Reformën në Drejtësi” – tha zoti Totozani.

Ai i dorëzoi Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listën me emrat e kandidatëve, të cilët i plotësuan kriteret ligjore dhe listën e kandidatëve, që nuk i kanë plotësuar ato.

Zoti Totozani vlerësoi përkushtimin në këtë proces të ekspertëve të institucionit, të cilët kontaktuan me 164 aplikantët, që nuk plotësuan kriteret gjatë fazës së parë.

“Kandidatët u vunë në dijeni në mënyrë të detajuar për dokumentacionin, që u mungonte dhe u asistuan gjatë gjithë kohës, për dorëzimin e dokumentacionit të duhur” – tha zoti Totozani.

Ai vlerësoi për ndihmën dhe mbështetjen ekspertët e ONM-së, të cilët “punuan me profesionalizëm dhe korrektesë të jashtëzakonshme, duke përmbyllur me sukses të plotë, këtë punë voluminoze dhe tejet të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndeti përfundimin e punës me kandidatët nga Avokati i Popullit për krijimin e institucioneve të vetingut.

“ONM-ja vlerëson punën e komisionit të vlerësimit pranë Avokatit të Popullit si shumë të plotë, të saktë dhe profesionale. Shqyrtimi i certifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me ligjin” – deklaroi ONM-ja.

ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit për të publikuar në kohë një listë të konsoliduar kandidatësh, që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të nisin tani shqyrtimin e pavarur të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, Avokatit të Popullit mund t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar parlamentit në mënyrë konfidenciale.

ONM ka vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë, që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut.

“Nisja e procesit të vetingut do të jetë me rëndësi historike për Shqipërinë. Qytetarët meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme”- thuhet në deklaratën e ONM-së.

ONM-ja po punon për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë me shqyrtimin e kandidatëve.

Franca i jep Edi Ramës titullin Komandant i Legjionit të Nderit

Kryeministri Edi Rama është nderuar në Francë me titullin Komandant i Legjionit të Nderit. Titulli iu dha ditën e djeshme nga vetë presidenti francez, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Paris.

“I prekur thellë nga nderimi i Presidentit të Republikës Franceze, që më akordoi titullin e lartë të Komandantit të Legjionit të Nderit!
Ky është një titull që ia kushtoj Shqipërisë; gruas, nënës, fëmijëve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve e mbështetësve, të njohur e të panjohur, brenda a jashtë vendit, të cilët me besimin e mbështetjen e tyre, më kanë mundësuar të bëj çfarë kam mundur në gjithë këto vite përpjekjesh për të ndryshuar Tiranën, bërë Shqipërinë shtet me dinjitet dhe përmirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.
Faleminderit Francë🇫🇷🇦🇱”, shkruan Rama në “Facebook”, duke postuar edhe dekoratën.

Dy qeveritë kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri – Francë në nivel strategjik.

Gjatë vizitës palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien speciale midis Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

Në takimin e posaçëm me homologun francez Bernard Cazeneuve, Kryeministri Edi Rama shprehu falënderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit europian të vendit tonë si dhe për vëmendjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.

Pasardhësi i Prenk Bib Dodës: Presidenti Nishani vjen në dekorimin e stërgjyshit tonë, por nuk ka ftuar askënd nga familja

VOAL – Pasardhësi i Prenk Bib Dodës, princ i Mirditës, Artan Prenge Lleshi (Gjonmarkaj), iu ka drejtuar një letër të hapur ambasadorit të SHBA në Tiranë dhe autoriteteve qendrore e lokale shqiptare me rastin e dekorimit të Prenk Bib Dodës nga Presidenti Nishani. Ai shkruan se Nishani nuk ka ftuar askënd nga familja me rastin e këtij dekorimi, por ka ftuar ata që janë marrë me shkatërrimin e familjes Markagjonaj, të gjithë këta të ftuar, nënvizon ai, janë “Ushtare” te Çadrave dhe Partive te sunduara nga Ish – Sigurimi i Shtetit. Letrën e Hapur Artan Prenge Lleshi (Gjonmarkaj) e ilustron me dokumentin e gjenealogjisë familjare.

Teksti i plotë është më poshtë:

LETER E HAPUR

Drejtuar Opinionit Publik dhe në mënyrë rë veçantë:

Z.Donald Lu – Ambasador i Shteteve te Bashkuara te Amerikes.
Kryeministrit te Shqiperise
Ministrit te Drejtesise
Familjeve te Para Shqiptare
Ajkes se Kombit merguar ne shtete te Ndryshme
N/Prefektit te Qarkut Lezhe z.Kole Bardhoku
Kryetarit te Bashkise Mirdite Z.Ndrec Deda.
Kryetarit te Partise Demokratike te Shqiperise
Kryetarit te Partise Socialiste të Shqipërisë
Kryetarit te Partise Levizja Socialiste per Integrim.
Per dijeni dhe mbeshtetje.
Kryesise se Partise Aleanca Popullore per Drejtesi
Keshillit Kombetar te APD (ku jam edhe antar).
Katedrave te Historise ne Universitetet e Shkencave Shoqerore (Publike dhe Private)

Te nderuar Zoterues te Dikastereve te sipercituara,familiare te familjeve qe kane mbeshtetur idealet e KOMBIT dhe kanë punuar per Atdheun krahas te pareve te mi,qytetare te thjeshte pavaresisht sekteve politike, fetare dhe origjine.

Sot mësova nga njerez te thjeshte se neser ne Mirdite vjen Presidenti i Republikes z.Bujar Nishani per te DEKORUAR princin Prenk Bibe Doda. Bashkangjitur këtij njoftimi qe po bej, do te gjeni edhe çertefikaten gjeanologjike te prejardhjes se Princit dhe te familjes se Gjonmarkajve.
Asnje individ qe buron nga kjo çertefikate nuk eshte njoftuar per nje aktivitet te tille.
Prenk Bib Doda ua la pushtetin ekonomik dhe politik Marka Gjonit dhe Prenk Llesh Gjonit, si kusherinjt me te afert te gjakut dhe une si prejardhes i ksaj familje jam i indinjuar pse Presidenti Nishani ka thirrur e caktuar njerez qe nuk lidhen me Barkun e Lleshit Te Zi me qellim shkatrrimin e kësaj familje dhe përdorjen e individeve pjesmarres e te ftuar si “Ushtare” te Çadrave dhe Partive te sunduara nga Ish – Sigurimi i Shtetit.

Do të ishte më e ndershme që presidenti Nishani, më përpara të kishte marrë masa për heqjen e dekoratës diktatorit Enver Hoxha akorduar nga një Nishan i hershëm, (Enver Hoxha grabiti shpatën e Prenk Bib Dodës dhuruar nga Napoloni dhe jua fali rusëve) dhe më pas të bënte dekorimin e Preng Pashës.

Lutem Reagoni per kete rast te pa precedent kur Institucioni i Presidentit te nje Shteti Demokratik, shkel te drejtat e familjes me te vuajtur te Kombit

Me Respekt.
Artan Prenge Lleshi (Gjonmarkaj)
Sarajet e Oroshit te Mirdites.

Fevziu: “Pesë pikat e marrëveshjes PD-PS që mund të zgjidhin krizën”

Gazetari Blendi Fevziu, në një shkrim të tijin botuar në “Opinion.al” shkruan 5 pika, që sipas tij, mund t’i jepnin zgjidhje krizës politike në vend.

Që nga ndryshimet kushtetuese, ndryshimet në kodin zgjedhor dhe deri te reduktimi i numrit të deputetëve në parlament dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.

5 Pikat e Fevziut

E para, duhet rishikuar sistemi elektoral. Koalicionet parazgjedhore nuk duhet të funksionojnë. Partitë duhet të hyjnë secila në zgjedhje me mundësitë dhe kandidatët e tyre, duke përfituar një korrigjim në nivel kombëtar për të qenë një llogaritje më e drejtë e votave të tyre. Kështu secili merr aq deputetë sa meriton dhe jo një forcë çon në parlament një deputet me 4000 vota sepse është në koalicion me PS apo PD, ndërsa një tjetër që ka po aq vota në rang vendi duhet të ketë 13000 vota për të siguruar një deputet. Koalicionet le të jenë qeverisëse dhe të ndërtohen pas zgjedhjeve në bazë të rezultateve të secilës parti.

E dyta numri i deputetëve të Parlamentit mund dhe duhet të reduktohet ndjeshëm. Nga 140 që janë sot, besoj se mjaftueshëm është edhe me 90 – 100 deputetë. Kështu që të zgjidhesh deputet kërkohen më shumë vota dhe personat që tentojnë të hyjnë në parlament përmes vjedhjes së votave do ta kenë më të vështirë.

Po ashtu cilësia e parlamentit rritet dhe eleminohet fenomeni i shitblerjes së deputetëve që zakonisht ndodh tek ata që s’kanë staturë të vërtetë politike.

E treta, mund të shihet mundësia e zgjedhjes së presidentit nga populli, duke i dhënë atij as më shumë dhe as më pak kompetencat që ka Presidenti në Maqedoni. Pra pa prekur thelbin e Republikës Parlamentare.

E katërta mund të shihen dhe të formëzohen marrëveshje madhore për vendin. Ajo e drejtësisë; ajo e dekriminalizimit të plotë e të thellë; ajo e angazhimit të opozitës për të mos bllokuar asnjë nga ligjet dhe reformat standart që duhen për integrimin e vendit dhe angazhimin e mazhorancës për të mos përdorur politikisht dhe në fushatë asnjë arritje që vjen nga integrimi. Integrimi duhet të konsiderohet arritje e përbashkët e të gjithë shqiptarëve.

Duhet parë mundësia që investimet e mëdha dhe serioze të aprovohen nga të dyja palët, pra të ketë një dakordësi paraprake që do të reduktojë hezitimin dhe frikën e investitorëve. Investimet janë vazhdimësi. Berisha trashëgoi investime të firmosura nga Nano; Rama nga Berisha. Po kështu do ndodhë me Bashën që do trashëgojë firmat e Ramës dhe me atë tjertin më pas që do trashëgojë arritjet e Bashës.

E pesta mund të shihet ideja e senatit për të shmangur krizat që prodhon dhoma e ulët e parlamentit dhe për të krijuar një autoritet moral më të lartë.

Ka shumë gjëra që mund të shihen dhe ky është momenti më i mirë për ta bërë këtë. Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe garanci dhe jo për përplasje. Falë konfliktit kemi mbetur të fundit në Europë dhe jashtë një dere ku duhej të kishim hyrë së paku 10 vjet të shkuara. Tani është momenti të mos vonohemi më!

Marrëveshje bashkëpunimi Shqipëri-Turqi në fushën e bujqësisë

Ministri Panariti u shpreh se grupet e përbashkëta të dy ministrive kanë punuar prej kohësh për përcaktimin e prioriteteve në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit

TIRANË – Midis Shqipërisë dhe Turqisë është nënshkruar sot marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e Bujqësisë dhe një plan veprimi dyvjeçar, ndërsa ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik dhe homologu i tij shqiptar, Edmond Panariti, kanë mbajtur një konferencë për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Panariti i cili nënshkroi marrëveshjen me homologun turk në fjalën e tij u shpreh se grupet e përbashkëta të dy ministrive kanë punuar prej kohësh për përcaktimin e prioriteteve në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit dhe sipas tij kjo marrëveshje do të sjellë ndikime direkte në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në këtë fushë.

“Ndërtimi i një platforme të përbashkët ku produktet respektive të kenë një prezencë të përbashkët do të na japë mundësinë e rritjes së hapësirës së tregjeve në vendet e treta. Diskutuam gjithashtu edhe për fushën e peshkimit ku kërkuam tërheqjen e investitorëve turq për zhvillimin e këtij sektori i cili është strategjik për Shqipërinë. Diskutuam për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes të kafshëve ku kohët e fundit kemi patur probleme me sëmundje të ndryshme që lehtësisht kalojnë kufijtë përmes përhapjes së viruseve. Sigurisht biseduam edhe për sigurinë ushqimore si dhe trajnimin e personelit dhe shtimin e kapaciteteve në këtë drejtim”, u shpreh Panariti.

Sipas tij, Turqia ka një përvojë të gjatë në sistemin vaditjes dhe sistemin e kullimit të tokave.

Ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në vëllazëri.

“Në dhjetor dy presidentët tanë u takuan në Ankara dhe na dhanë direktivë dy ministrave të bujqësisë për të zhvilluar marrëdhëniet tona në këtë fushë. Jemi në prag të një referendumi në Turqi dhe edhe pse në një gjendje të tillë ne nuk ja kthyem dot kërkesën për vizitë miqve tanë dhe erdhëm në këtë vizitë njëditore. Jemi duke zhvilluar bisedime dhe takime të shumta. Erdhëm këtu për të folur se çfarë mund të bëjmë në mënyrë aktive. Erdhëm bashkë me një ekip prej 70 biznesmenëshnga Turqia. Ata do të takohen me partnerët e tyre të biznesit në Shqipëri duke vlerësuar potencialet e mundshme të bashkëpunimit. Turqia ka përvoja të shumta në fushën e bujqësisë”, theksoi në fjalën e tij ministri Çelik.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve duke parë shifrat janë shumë të ulta, Çelik ka thënë se janë mirëkuptuar që prodhimet bujqësore të Turqisë dhe Shqipërisë të transportohen në vende të treta.

Ministri turk ka shtuar se është biseduar edhe për çështjen e Bursës së Bujqësisë në Shqipëri, që sipas tij, do të jetë pjesë e marrëveshjes e cila parashikon planin dy vjeçar të veprimit.

Evropa nuk është e sinqertë dhe përdor standarde të dyfishta

“Terrori nuk ka përcaktim perëndim, jug, apo lindje. Terroristi është terrorist. Miqtë tanë çfarë bëjnë? Bëjnë dallime mes terroristëve. DAESH është terroriste. Por sipas kujt? Sipas SHBA-së, sipas BE-së, sipas gjithë botës. Po dje PKK nuk është terroriste që ka vrarë mijëra ushtarë të Turqisë? Ajo është një organizatë terroriste që ka objektiva ndaj Turqisë. Evropa thotë se ajo nuk më dëmton mua dhe si rrjedhojë nuk është terroriste. Atëherë edhe Turqia duhet të thotë që nuk është terrorist ajo organizatë që ju dëmton juve dhe nuk na dëmton neve? Ne nuk themi ashtu, por themi që terrori është terror dhe duhet të jemi të gjithë bashkë kundër terrorit. Ka një ndotje mediatike shumë të madhe ku kamuflohen dhe manipulohen terroristët e vërtetë. Turqia ka nxjerrë dhe dëbuar nga shumë vende të Sirisë DEASH-in. Evropa nuk është e sinqertë dhe përdor standarde të dyfishta. BE-ja duhet të jetë një fuqi globale sepse vlerat që mbrojnë janë globale. Por ajo që shohim është se kanë hequr dorë nga veprat globale dhe kjo do të sjellë copëtim”, theksoi ndër të tjera ministri Çelik.

Ish i burgosuri politik: Jo vetëm Nishanin, kam parë edhe Ridvan Boden me foton e Enverit

Ish-i përndjekuri politik, Lekë Frroku thotë në një intervistë me poetin Agron Tufa se ai ka parë edhe deputetin demokrat, Ridvan Bode me fotografinë e Enver Hoxhës. Për më shumë, lexoni pjesë nga intervista të risjellë nga GSH.al.

– Çfarë interesi mund të ketë z. Nishani kur përbalt figurën e vuajtur të Visar Zhitit?
Frroku: Në vitin 1991 unë e kam parë disa herë në televizor, jo vetëm Nishanin, por edhe Ridvan Boden, me fotografi të Enver Hoxhës. Është, ndoshta e kaluara e tyre si ish-enveristë, që nuk i lë të qetë dhe kanë një xhelozi ndaj figurave qëndrestare të burgjeve komuniste. Ata duan të përlyejnë gjithçka.

– Me që ra fjala, si jeni ndjerë ju më 11 prill, kur vdiq diktatori Enver Hoxha?
Frroku: 11 prilli i vitit 1985 ka qenë dita më e lumtur e jetës sime. Popullit shqiptar iu hoq qafe diktatori më gjakatar e më i urryer që ka parë njerëzimi. Nga gëzimi i madh e i papërmbajtshëm që kisha, nuk u kujdesa që ta fshihja, sa rashë në sy të policisë duke festuar. Policia më arrestoi dhe nga 11 prilli deri më 11 maj më mbajti të izoluar në birucë.

Agron Tufa publikon një tjetër sms kërcënuese: O bastardo…

Shkrimtari Agron Tufa, njëkohësisht drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, pavarësisht reagimeve të forta dhe kritikave të shumta duket i vendosur t’i shkojë deri në fund nismës së tij për ndalimin e filmave të kohës së komunizmit.

I ftuar në emisionin “Njerez ne Fokus” me gazetaren Ola Bruko, Tufa u shpreh i bindur për ta çuar këtë nismë në Parlament, pavarësisht se pranon që për këtë, e kanë kërcënuar bashkë me familjen. Në emision ai zbuloi edhe tekstin e një mesazhi të ri që i kanë dërguar në celularin e tij.

“O bastardo ti akoma me lluftën e klasave merresh? Nëse e vuajtëm ne të moshuarit pse ta vuajnë dhe fëmijët tanë? Filmat janë pasqyrë e vuajtjeve të baballarëve tanë që luftuan gjatë luftës së dytë për çlirimin e Atdheut”. Ishte ky teksti i mesazhit tjetër kërcënues, që siç tha vetë Tufa, nuk e frikëson aspak.

Kryeministri Rama viziton Zvicrën

VOAL – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vjen në Zvicër për  një vizitë zyrtare, e para e këtij niveli që kur midis Zvicrës dhe Shqipërisë janë vendosur marrëdhëniet diplomatike.

Kryeministrin e Shqipërisë do ta presë Presidentja e Konfederatës Helvetike zonja Doris Leuthard, që ndërkohë është edhe Këshilltarja Federale e Departamentit të Ambientit,Transportit, Energjisë dhe Komunikacionit. Kryeministri i Shqipërisë do të ketë po ashtu edhe një takim në Parlementin e Zvicrës, me kryetarin e Parlamentit z.Jürg Stahl.

Janë mbushur 47 vjet të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Helvetike, të cilat u thelluan pas rrëzimit të regjimit komunist, por natyrisht prania e kryeministrit të Shqipërisë përbën një zhvillim shumë pozitiv.

Si dy vende të vogla, Shqipëria dhe Zvicra, kanë një bashkëpunim të frytshëm në disa sektorë të rëndësishëm, veçanërisht në sektorin e energjisë, të cilin e mbulon pikërisht Departamenti i Presidentes Doris Leuthard.

Konfederata e Zvicrës ka njohur zyrtarisht Shqipërinë në vitin 1922. Shtatë vjet më vonë të dy palët kanë nënshkruar Konventën e Vendosjes së Marrëdhënieve Tregtare.

Konfederata e Zvicrës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me palën shqiptare vetëm në vitin 1970. Në vitin 1992, pas rënies së regjimit komunist, Zvicra hapi ambasadën e saj në Tiranë.

Që nga ky moment marrëdhëniet dypalëshe morën një vrull të ri. Marrëdhëniet politike mes Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane vlerësohen nga të dy palët si mjaft të mira.

Qeveria shqiptare e konsideron shumë të rëndësishëm zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Konfederatën Zvicerane.

Duke qenë se Zvicra është një vend neutral (është bërë vend anëtar i OKB-së vetëm në vitin 2002), marrëdhëniet politike ndërmjet vendeve janë zhvilluar kryesisht në planin dypalësh.

Marrëdhëniet diplomatike mes Zvicrës dhe Shqipërisë janë vendosur përpara 47 vjetësh, por bashkëpunini ekonomik filloi në fillim të viteve ’90.

SDC dhe SECO kanë dhënë pothuajse 130 milionë franga zvicerane dhe shpërndarja e fondeve mes dy departamenteve ka qenë pothuajse e barabartë.

Shqipëria u bë vendi prioritar për SDC-në në vitin 1995.

SDC ka punuar në disa fusha:  punësimin dhe stimulimin e të ardhurave;  progresin në drejtësinë sociale;  parandalimin dhe menaxhimin e konflikteve me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin social si dhe në zhvillimin e ekonomisë së tregut.

Programi i SECO-s përqëndrohet në një përfshirje më të madhe dhe në një ndarje më të barabartë të burimeve bazë në sektorët e energjisë dhe ujërave.

Qëllimi është të hidhen themelet për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe uljen e varfërisë.

Zvicra është donatori i katërt për Shqipërinë

Këto donacione synojnë kryesisht zhvillimin e bizneseve dhe investimeve, stimulimin e zhvillimit e të sipërmarrjes dhe SME-ve nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe investimeve, reduktimit të barrierave administrative dhe kostos se biznesit etj.,  zhvillimin e sektorit industrial dhe minerar – hapjen e Shqipërisë drejt tregjeve rajonale, evropiane dhe globale dhe lider në fushën e IHD në EJL.

Në Zvicër jetojnë rreth 1300 shtetas të Shqipërisë, pothuaj të gjithë të natyralizuar.

Kryeministri i Shqipërisë do të pritet në Bernë më 31 mars.

 

 

Opozita këmbëngul: Nuk rregjistrohemi në zgjedhje

Në Shqipëri partitë opozitare rikonfirmuan sot përmes një deklarate “vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë”. Këtë vendim partitë e opozitës e paralajmëuan që më 10 mars kur qëndrimin e tyre e bënë publik përmes një letre që i drejtuan Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Afati për rregjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e 18 Qershorit skadon më 9 prill.

Përmes deklaratës së sotme partitë e opozitës, ripërsëritën dhe një herë se sipas tyre “zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Sipas opozitës “duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare”. Kryeministri nga ana e tij ka mbajtur një qëndrim të prerë duke deklaruar se partia e tij do të respektojë datën e zgjedhjeve, edhe nëse Partia demokratike dhe partitë e tjera të opozitës nuk do të marrin pjesë.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha edhe sot në fjalën e tij nga tenda e ngritur në sheshin përpara godinës së qeverisë deklaroi se “kjo që po zhvillojmë është jo më pak se një luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë demokratike, për Shqipërinë euroatlantike”. Zoti Basha u shpreh sërish sot se “për këtë betejë, për këtë kauzë, kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e largimit të krimit nga politika, kauzën e luftës pa kompromis kundër drogës, ky shesh, kjo agorë, Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, PO, kanë marrë mbështetje totale në Uashington!”. Një deklaratë e cila duket se vjen si një përgjigje ndaj reagimit të një dite më parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. E pyetur nga Top Channel, lidhur me deklaratat e zotit Basha sipas së cilave administrata e presidentit Donald Trump mbështet protestën e opozitës, ambasada përmes një zëdhënësi u përgjigj ““Jo. Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”, nënvizon deklarata e cituar nga Top Channel.

Ja letra origjinale – Franz Jozef Jung bën për dush të ftohtë Lulzim Bashën: Jemi shumë të pakënaqur se PD po bojkoton Parlamentin

Ambasada gjermane në Tiranë ka shpërndarë letrën që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë nga zëvendëskryetari i grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung, i cili është njëkohësisht edhe shefi i politikës së jashtme në CDU, si dhe ish ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë.

Gjermanët e kanë përkthyer vetë letrën për të evituar çdo spekulim me përkthimet. Letra është një dush i ftohtë për Lulzim Bashën.

Ju ftojmë la lexoni dhe të gjykoni vetë:

Rama: Çadra i ka zënë rrugën popullit

Për kryeministrin Edi Rama, me protestën e saj dhe çadrën e ngritur prej disa javësh në bulevard, opozita synon të mbajë peng reformën në drejtësi dhe vetting-un.

“Si ajo pikë karburanti në “Lungomare” më e rëndësishme se interesi publik në bulevardin e ri të Bregut të Vlorës është dhe çadra në mes të bulevardit atje në Tiranë, që i ka zënë rrugën popullit për të parë më në fund gjyqtarët dhe prokurorët që i kanë pirë gjakun popullit për 25 vjet, që të shkojnë prapa hekurave dhe jo të rrinë para popullit me çekiç në dorë dhe të vrasin drejtësinë sa herë u vjen mundësia që të bëjnë padrejtësi në këmbim të parave. Fakti që reforma në drejtësi nuk është një çështje politike dhe vetting-u nuk është një çështje partiake, por mishërimi i një aspirate 25-vjeçare që përputhet sot me interesin kombëtar dhe publik, ashtu nuk ka pikë karburanti dhe çadër që e ndal”, deklaroi Rama.

Nga Vlora, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 20-vjetorit të tragjedisë së Otrantos, Rama tha se ende sot familjarët e viktimave vuajnë mungesën e drejtësisë, ndaj përpjekja për të penguar këtë reformë është antikombëtare.

“Asgjë nuk ka vlerën e merituar nëse nuk ka drejtësi. Të afërmit e viktimave të kësaj tragjedie kanë në shpirt revoltën për mungesën e drejtësisë. Është antikombëtare përpjekja për ta penguar zbatimin e reformës, duke ngritur një bunker në mes të bulevardit”, u shpreh kryeministri.

Nga Vlora, kryeministri kishte një mesazh edhe për zgjedhjet e 18 qershorit: “18 qershori nuk do të vendosë se kush do ta qeverisë vendin, por se si do të jetë Shqipëria pas 10 viteve. Edhe ne si njerëz jemi të gabueshëm, kemi bërë gabime, por nëse ka vullnet të përbashkët mes nesh dhe qytetarëve, mund të vendosim pikën mbi “i” në këtë fazë të parë të procesit të të bërit shtet, duke nisur nga zbatimi i reformës në drejtësi”.

Kush janë 42 sponsorët “VIP” që dhanë 260 milionë lekë për LSI

Në raportet financiare të dorëzuara në KQZ për burimet e parave gjatë vitit 2016, e vetmja parti parlamentare që ka dorëzuar listën e donatorëve në shumën mbi një milionë lekë të vjetra, është Lëvizja Socialiste për Integrim.

 

Ajo numëron plot 42 donatorë me dhurime mbi 100 mijë lekë të rinj, dhe shuma e grumbulluar plot 25,829,790 lekë. Lista sipas tabelës vijuese tregon se si vetë Meta dhe bashkëshortja e tij, Kryemadhi kanë paguar kuota për partinë nga rroga e tyre, teksa bie në sy fakti se edhe vëllai i Monikës, Drini Kryemadhi kryen donacione për partinë.

Jo më larg se dje, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama mori pjesë në Forumin “Integriteti i Partive politike” në Sarajevë. Ky forumi organizohej nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI), ndërsa Rama ka mbajtur një fjalë në panelin për financimin e partive.

Nënkryetari i LSI-së tha se transparenca e financimit të partive është dëshmi e integritetit të tyre dhe se transparenca rrit integritetin, ndërsa integriteti ushqen transparencën. Gjithashtu, Luan Rama theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është modeli i transparencës së financimit të partisë në vendin tonë.

“Transparenca e financimit të partive është një dëshmi e integritetit të tyre. Transparenca rrit integritetin, integriteti ushqen transparencë. Lëvizja Socialiste për Integrim është modeli i transparencës së financimit të partisë në Shqipëri”, – tha Luan Rama, duke shtuar se korrupsioni nuk është vetëm në strukturat shtetërore, por edhe në ato partiake.

“Korrupsioni nuk është vetëm në strukturat shtetërore, por edhe në ato partiake. Zbatimi i ligjit, integritetit dhe transparenca kusht për të rritur besimin tek partitë”, – deklaroi Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama.

Qysh prej vitit të kaluar, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshe nga partitë e tjera, me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar, ka vendosur një model të ri duke krijuar një hapësirë të posaçme në faqen online të saj për buxhetin.

Në fillim të çdo viti aty është botuar projektbuxheti si dhe një pasqyrë financiare për çdo aktivitet të kësaj partie. Edhe pse herë pas here të dhënat financiare janë të pjesshme, dhe shumica e shërbimeve deklarohen si dhurime apo marrje në përdorim pa specifikuar se kush i bën këto shërbime, LSI ngelet e vetmja parti që hap të dhënat e saj për publikun.

Sipas raporteve që Shqiptarja.com disponon, asnjë nga partitë e tjera parlamentare, PS, PD, PDIU dhe PBDNJ nuk kanë bërë transparencë emrash mbi dhuruesit e mundshëm apo financuesve të partive të tyre. Viti 2016 nuk ishte një vit elektoral, dhe këtë vit, partitë do të kenë një raport financiar për vitit 2017, dhe do të auditohen në mënyrë të veçantë për shpenzimet gjatë fushatës zgjedhore të 18 qershorit për parlamentin e ri.

Financimet
Vetë Meta dhe bashkëshortja e tij, Kryemadhi kanë paguar kuota për partinë nga rroga e tyre, teksa bie në sy fakti se edhe vëllai i Monikës, Drini Kryemadhi kryen donacione për partinë.

Luan Rama

“Korrupsioni nuk është vetëm në strukturat shtetërore, por edhe në ato partiake. Zbatimi i ligjit, integritetit dhe transparenca kusht për të rritur besimin tek partitë”.

Donacione për LSI DERDHJE MBI  100  000   LEKË

EMËR MBIEMËR         Shuma
1    Agim Laze           969,500
2    Ema  Coku           969,500
3    Ilir Shatku         969,500
4    Ali  Dyrmishi       969,500
5    Xhili Mestani        969,500
6    Muharrem   Kushe     1,000,000
7    Drita Bregu           500,000
8    Ilir Meta           100,000
9    Monika     Kryemadhi  100,000
10   Helidon    Rrugija    1,000,000
11   Violeta    Lleshi     1,000,000
12   Vladimir   Metani     969,500
13   Abaz Dino            969,500
14   Drini Kryemadhi      969,500
15   Gabriela   Dino     552,000
16   Nikolin    Lleshi     120,000
17   Xhast shpk           1,000,000
18   Altin Kumara         900,000
19   Artin Kurti           900,000
20   Shezai     Rrokaj     100,000
21   Artan Borici         200,000
22   Aferdita   Rrokaj     100,000
23   Rezart     Dedej     500,000
24   Marsel     Aliaj     500,000
25   Llazar     Kolvani    685,000
26   Edmir Truka           206,250
27   Bali Ymeri           130,000
28   Artan Cina           341,250
29   Theofan    Cina     341,250
30   Aurora     Merko     136,500
31   Elona Talushllari     682,500
32   Leonard    Topuzi     955,500
33   Elis Muraj           469,560
34   Yllka      Metani     746,900
35   Ira  Vejsiu         135,800
36   Qemal Harizaj        950,600
37   Harmito    Kertalli   816,000
38   Parid Peka           136,000
39   Drivald    Kapxhiu    952,000
40   David Laci           952,000
41   Vera Spahiu         714,680
42   Adhurim    Brahimllari     150,000

Shqiptarja.com

Izraeliti me pajisjen misterioze, zbulohet deputeti shqiptar që e punësoi dhe sa ishte pagesa

Ardhja e izraelitit Yoram Frig në Shqipëri ka ngritur shumë dyshime për autoritetet shqiptare të cilat e ndaluan në aeroport. Shkak u bë pajisja e dyshimtë që ai mbante.

Mësohet se Frig tha për autoritet se ishte i punësuar nga një biznesmen shqiptar dhe se me pajisjen që zbulon çimkat, ka kontrolluar zyrën dhe makinën e biznesmenit. “Panorama” mëson se ai eshte Tom Doshi. Ish-­deputeti i PS­-së ka qenë personi i fundit që i ka paguar vetëm 2 mijë euro për shërbimet e tij izraelitit.

Prokuroria e Tiranës ka ngritur 2 akuza ndaj Frig megjithëse ai është lënë i lirë pas mesnate dhe do të ndiqet në gjendje të lirë.

Prokuroria e regjistroi dje një procedim penal kryesisht në lidhje me rastin. Një ditë më parë, “BalkanWeb” raportoi se procedimi penal është bazuar në informacione të publikuara në media ditën e djeshme.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, hetimi nisi për dy vepra penale, konkretisht atë të “përgjimit të jashtëligjshëm i të dhënave kompjuterike”, si edhe për “shpërdorim të detyrës”.

Hetimi i mëtejshëm do të provojë nëse elementë të këtyre dy veprave penale janë konsumuar nga izraeliti Frig apo punonjësit e Policisë të Rinasit, që kanë lejuar hyrjen në Shqipëri të një pajisjeje të tillë.

Sakaq, pajisja elektronike që iu gjet dhe sekuestrua shtetasit izraelit do t’i nënshtrohet një ekzaminimi teknik të specializuar, i cili do të zbulojë shërbimet që mund të realizojë pajisja.

Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, 51-vjeçari Yoram Frig, ka pranuar se valixhja që ngjalli dyshime te policia e Rinasit ishte një pajisje kompjuterike, por sipas tij ajo është një kontrolluese dhe jo përgjuese, e cila zbulon çipat e përgjimit në ambiente të ndryshme.

Kush është izraeliti i pajisjeve të përgjimit, ja 4 ‘vizitat’ në Shqipëri

Pajisja elektronike e sekuestruar shtetasit izraelit Yoram Frig, është e mbështjellë me mister, për shkak se policë dhe prokurorë nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë se çfarë funksioni real ka kjo pajisje.

Pavarësisht kësaj grupi i hetimit është munduar të mësojë më tepër rreth poseduesit të kësaj pajisje, shtetasit Yoram Frig.

Ky i fundit nuk është hera e parë që viziton Shqipërinë dhe ka njohje për këtë vend. Nga verifikimet në sistemin Tims, të këtij personi, ka rezultuar se Frik për herë të parë ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2011, raporton Shqiptarja.com. Nuk dihet me saktësi se cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite, por pas kësaj Frig ka mbërritur në Shqipëri dhe katër herë të tjera. Sipas të dhënave të sistemit Tims, ky shtetas ka hyrë në vitin 2014, 2015, dhe së fundi 2017.

Madje gjatë një vizite në Tiranë në vitin 2014,51-vjeçari Yoram Frig, ka postuar dhe një foto në profilin e tij në “Facebook”, ku sipas fotos mendohet se është në zonën e “Ali Demit” ose “Freskut” në kryeqytet. Kjo pasi mali i Dajtit ndodhet shumë pranë.

51-vjeçari me origjinë nga Izraeli rezulton dhe posedues i dy kompanive investiguese në Izrael ç’ka shton dyshimet se ai ka njohur nga përgjimet apo nga survejimet në teren.

Emri i Yoram Fring është bërë publik dhe gjatë skandalit të “Panama Papers” si person që dispononte kompani të regjistruara në ishujt offshore. Kompanitë e tij quhen “Faturenet Holding corp” Oracle FLEXCUBE Know-How e regjistruar në ishullin e Qipros.

Ndërkohë në Izrael ky shtetas disponon dhe një kompani tjetër të quajtur “Investigation and Security”, ku duket se nëpërmjet kësaj kompanie ky shtetas jepte asistencën e tij, kundrejt personave të interesuar.

Me sa duket qëllimi i vizitës së tij në Shqipëri ka qenë pikërisht dhe përgjimi i paautorizuar i personave të ndryshëm. Ka shumë gjasa që Frig, mund të jetë paguar nga ndonjë biznesmen Shqiptar, i cili i ka ofruar më pas asistencë në fushën e përgjimeve dhe deduktimin e pajisjeve përgjuese të instaluara brenda në godina.

Madje sipas Frig paisja elektronike këtë rol ka, që të gjurmojë dhe evidentojë pajisjet përgjuese që mund të instalohen në godina dhe jo vetëm. Por të gjitha këto pretendime të Frig, nuk janë besuar nga prokuroria dhe policia, të cilat kanë vendosur të njohin më nga afër pajisjen elektronike të dyshimtë.

Izraeliti lihet i lirë, por i mbahet ‘peng’ pasaporta

Pas hetimeve të para izraeliti Yoram Frig u la i lirë. Për të u vendos të hetohet në gjendje të lirë. Burime bëjnë me dije se atij nuk i është kthyer pasaporta.

Izraeliti i cili po largohej nga Shqipëria me një pajisje që dyshohet se mund të përdoret për përgjime u ndalua pasditen e së enjtes në Aeroportin e Rinasit.

 

Pajisja e dyshimtë është zbuluar gjatë kontrolleve të bagazheve të udhëtarëve. Në këtë moment është konstatuar se valixhja e zezë ishte në pronësi të një shtetësi të huaj, shkruan “Panorama”.

Pronari i objektit të dyshimtë është 51-vjeçari Yoram Frig, banues të Telaviv, i cili ka dy kompani investigimi, një në Qipro dhe një në Izrael. Policia e Tiranës reagoi mbrëmë zyrtarisht në lidhje me këtë rast, duke deklaruar se pajisja e dyshimtë dhe një telefon i shtetasit të huaj janë sekuestruar aktualisht nga prokuroria.

“Nga informacione të marra për hyrjen e shtetasit të huaj nga Izraeli, F.Y., 51 vjeç, në pikën e kalimit kufitar Rinas, me një pajisje elektronike, sektori për Krimin Ekonomiko- Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë filloi veprimet verifikuese dhe procedurale në bashkëpunim me njësinë e prokurorisë Task- Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm”, tha dje policia.

Ndërsa sqaroi se ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në momentin që ishte duke dalë nga territori i Shqipërisë dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë, Rinas.

Pas mbajtjes së personit në ambientet e Komisariatit Rinas, në drejtimin e prokurorit u bë këqyrja e kësaj aparature elektronike dhe pritet akt-ekspertimi për të përcaktuar çfarë funksioni kryen.

IZRAELITI

Shtetasi Yoram Frig ka deklaruar në Policinë e Tiranës se nuk kishte me vete një përgjues, por një pajisje që detekton përgjuesit dhe që nuk lejon që në një ambient të caktuar të përgjohet.

Frig ndodhej në Tiranë prej dy ditësh, ndërsa të enjten mbrëma do të largohej nga Aeroporti i Rinasit. Ky shtetas ka dy kompani investigimi, në Qipro dhe Izrael dhe në këtë formë e ka justifikuar edhe pajisjen që mbante me vete.

Emri i këtij personi ka dalë edhe në skandalin e “Panama Papers”, pasi rezultoi të kishte llogari në parajsat fiskale. Prej mbrëmjes së të enjtes ai është mbajtur i shoqëruar në Komisariatin e Rinasit, ndërsa mbrëmë u transportua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u mor në pyetje nga prokurori Ndini Tavani.

Do të jetë ekspertiza që do të përcaktojë me saktësi funksionin e pajisjes, që në pamje të parë duket si një laptop me skaner.

Pajisja e përgjimit që iu kap izraelitit, akuzat që ngre Prokuroria

Disa orë pas ndalimit të shtetasit izraelit Yoram Frig, për shkak të zotërimit prej tij të një pajisjeje elektronike të dyshimtë, Prokuroria e Tiranës regjistroi dje një procedim penal kryesisht në lidhje me rastin, raporton “Panorama”.

Burime të gazetës pranë kësaj prokurorie konfirmuan se procedimi penal është bazuar në informacione të publikuara në media ditën e djeshme.

Sipas burimeve, hetimi nisi për dy vepra penale, konkretisht atë të “përgjimit të jashtëligjshëm i të dhënave kompjuterike”, si edhe për “shpërdorim të detyrës”.

Hetimi i mëtejshëm do të provojë nëse elementë të këtyre dy veprave penale janë konsumuar nga izraeliti Frig apo punonjësit e Policisë të Rinasit, që kanë lejuar hyrjen në Shqipëri të një pajisjeje të tillë.

Bëhet e ditur se pajisja elektronike që iu gjet dhe sekuestrua shtetasit izraelit do t’i nënshtrohet një ekzaminimi teknik të specializuar, i cili do të zbulojë shërbimet që mund të realizojë pajisja.

Denoncimi i Nokës

Pas ndalimit të shtetasit izraelit në Aeroportin e Rinasit me një pajisje të dyshuar si përgjuese ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

“Skandal! Sot siguria kombëtare në këtë vend është term inekzistent. Skandali që provokoi futja e IMSI CATCHER sot mori përmasa të frikshme. Kapet në Rinas një shtetas i huaj në tentativë për të nxjerrë jashtë vendit një pajisje të mundshme përgjimi IMSI CATCHER. Policia e mban të fshehur që nga dita e djeshme dhe pajisjen e kanë dërguar kundër çdo procedure në zyrën e Çipës. Nuk dihet se sa kohë ka operuar kjo pajisje, por një gjë është e sigurt, që sapo iku Saje Qorri u ngutën ta largojnë nga Shqipëria këtë pajisje tjetër. Gjithashtu i bëj thirrje Prokurorisë të ndërhyjë urgjentisht në sekuestrimin e pajisjes sa nuk është vonë dhe të zbardhë përdorimin e saj dhe krimin e dyshuar të përgjimeve të bëra”, u shpreh Noka në “Facebook”

Zgjedhjet në Kavajë më 7 Maj

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani dekretoi sot 7 Majin si ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës

Zgjedhjet e parakohshme në Kavajë mbahen pasi ish kryebashkiakut Elvis Rroshi ju hoq mandati në kuadër të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin. Prokuroria ofroi të dhëna se ai kishte fshehur një të kaluar problematike. Pavarësisht ankimimit në Gjykatës kushtetuese, vendimi për heqjen e mandatot mbeti në fuqi.

Gara në Kavajë do të jenë edhe testi i parë për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit, jo aq për rezultatin se sa për qëndrimin e opozitës, e cila prej 5 javësh po kërkon një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në qershor. Sot kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka përsëriti se sipas tij “zgjedhje me kryeministrin Edi Rama, me bandat e parave të pista të drogës nuk do të ketë, në Kavajë apo në cdo zonë tjetër”, tha ai.

Në një reagim në Facebook, kryeministri Rama shprehu “keqardhje për PD-n, po kriza e saj s’është e s’do bëhet kriza e vendit! Zgjedhjet do të bëhen, Drejtësia do të bëhet”, shkruan kryeministri.

Pajisje e dyshimtë përgjuese në Rinas, Prokuroria nis hetim për dy vepra penale!

Një pajisje e dyshimtë e gjetur në valixhen e një shtetasi izraelit që largohej nga Shqipëria përmes aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës e cila ka nisur hetimet me dyshimin se mund të bëhet fjalë për një pajisje përgjuese.

Pajisja elektronike në formën e një laptopi u zbulua pasditen e së enjtes, gjatë kontrollit rutinë të efektivëve kufitarë në aeroportin e Rinasit për udhëtarët që hyjnë dhe lënë vendin. Në valixhen e shtetasit izraelit, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur nga autoritetet, në skaner u dallua pajisja e dyshimtë.

Pas bërjes mediatike të këtij rasti, shoqërimit dhe verifikimeve të kryera nga policia për izraelitin, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet kryesisht. Express mëson se shtetasi i huaj është shoqëruar si dhe ka nisur ekspertimi i pajisjes për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me shkelje të ligjit apo jo.

Burime nga organi i akuzës thanë për Express se “Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal kryesisht në bazë të informacionit mediatik”.

Veprat penale për të cilat kanë nisur hetime janë dy: Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, akuzë që rëndon ndaj izraelitit. Të njëjtat burime thanë se pas ekspertimit, gjithmonë nëse do të faktohet se kemi të bëjmë me pajisje përgjuese, do të kryhen hetime edhe për “Shpërdorim të detyrës”, vepër penale që mund të rëndojë ndaj efektivëve kufitarë, për mënyrën se si ka hyrë kjo pajisje në vendin tonë.

“Po kryhen të gjitha veprimet hetimore”, – thanë për Express burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës.

Gjatë marrjes në pyetje në aeroportin e Rinasit, izraeliti, rreth të 50-ve, ka deklaruar se ndodhej prej një jave në Tiranë dhe se do të largohej për në Izrael.

Për rastin në fjalë pati edhe një reagim të ish-ministrit të brendshëm Flamur Noka, i cili përmes një statusi në Facebook, ngriti dyshimet e tij nëse izraeliti po nxirrte nga Shqipëria pajisjen përgjuese IMSI Catcher. Sipas opozitës, kjo pajisje është përdorur në mënyrë të paligjshme nga Saimir Tahiri gjatë detyrës së tij si Ministër i Punëve të Brendshme.

Skandali që provokoi futja e IMSI CATCHER sot mori përmasa të frikshme. Kapet në Rinas një shtetas i huaj në tentative për të nxjerr jashtë vendit një pajisje përgjimi IMSI CATCHER. Policia e mban të fshehur që nga dita e djeshme pasdite. Nuk dihet se sa kohë ka operuar kjo pajisje, por një gjë është e sigurt që sapo iku Saje Qorri u nguten ta largojnë nga Shqipëria këtë pajisje tjetër”, shkruan Noka.

INSTAT: Shqipëria shënon rekord, ka ushqimet e shërbimet më të shtrenjta se Evropa

INSTAT publikoi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt, i cili ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare dhe të huajve në tregjet e pakicës.

Ky indeks rezultoi 3.7 për Shqipërinë, niveli më i lartë në Europë sipas INSTAT.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije alkoolike” me 8,1%, pasuar nga grupet “Transport” me 3,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 2,9%, etj.

Në muajin shkurt 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,0%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të frutave dhe zarzavateve.

Edhe në muajin shkurt, Shqipëria rezultoi me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë me 3.7%, teksa mesatarja europiane ishte 1.9%.  Ritmet më të larta të rritjes i pati Shqipëria, Estonia, Belgjika, Letonia dhe Lituania. Ndërsa ritmet më të ulëta të rritjes së çmimeve i patën Islanda, Irlanda, Rumania dhe Zvicra.

INSTAT shpjegon se në IÇK mbulohen vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.

Ndërsa IHÇK mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private dhe institucionale, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë

IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet europiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Europës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Europiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Unionin Ekonomik dhe Monetar. /Monitor/

Pas Fullanit dëmshpërblim edhe ish-nënkryetares së KQZ – Subashi merr 37 rroga

Pas Ardian Fullanit ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që u dëmshpërblye me 56 paga mujore nga gjykata administrative e Apelit, kjo gjykatë ka vendosur të dëmshpërblejë me pagesa financiare dhe Dëshira Subashin.

Ish-nën/kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Dëshira Subashi, ka arritur të fitojë procesin gjyqësor me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke fituar 37 pagesa mujore, raporton Shqiptarja.com.

Vendimi për dëmshpërblimin e ish-qjyqtares Subashi është marrë nga gjyqtari Bari Shyti, i cila ka pranuar pjesërisht kërkesën e Subashit, duke dëmshpërblyer atë me 37 paga mujore.

Sipas vendimit të gjykatës Subashi do paguhet nga buxheti financiar i KLD, për periudhën kur ajo duhet të ishte anëtare e KQZ. Dhe më konkretisht pagesat mujore duhet të fillojnë nga 1 janari 2013 deri në 30 janar 2016, kohë kjo kur Dëshira Subashit i përfundonte mandati si anëtare e KQZ.

37 pagesa të kryhen për 6 muaj

Tre vite më parë Subashi i është drejtuar me një padi gjykatës administrative të Tiranës, duke kërkuar nga KLD që ta rikthente në vendin e punës ku ka qënë, si gjyqtare e Apelit Tiranë. Në objekt padinë e ngritur kërkohej: .”..konstatimi i diskriminimit ndreqje e shkeljes se ligjit shpërblim dëmi material dhe moral. Të detyrohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të vendosë emërimin e paditëses në detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit Tiranë…”. Nga ana tjetër gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e saj për dëmshpërblim të dëmit material dhe moral, por ka pranuar të dëmshpërblejë Subashin vetëm me kohën kur ajo duhet të ishte në detyrë.Në vednimin e gjykatës thuhet:“…Detyrimin e palës së paditur, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të dëmshpërblejë paditësen Deshira Subashi,për dëmin pasuror të shkaktuar,duke i kompesuar pagën mbi pagën e përfituar në zbatim të nenit 7 të ligjit nr 8097 dt 23.03.1996 , deri në nivelin e pagës referuese të funksionit si nënkryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për periudhën 01.01.2013 deri 30.01.2016. Rrëzimin e padisë në kërkimet e tjera. Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga përmbaruesi gjyqësor në rast mospërmbushje vullnetare të detyrimit nga pala e paditur. Afati i përmbushjes së detyrimit është 6 muaj…”.

KLD ka refuzuar emërimin si gjyqtare

Më 18 tetor 2012 në Kuvendin e Shqipërisë u betuan Kryetarja dhe anëtarët e rinj të KQZ-së. Kjo do të thoshte se që nga kjo datë, ish-anëtarët e KQZ-së, si edhe ish-Kryetari i saj, duhet të ishin sistemuar në punë të reja.Sipas kodit zgjedhur të vitit 2012, anëtarit të KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të. Ish-kryetari i KQZ-së, Arben Ristani është emëruar zv/ministër i Brendshëm, ndërsa ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, është emëruar nga KLD-së, jo në vendin e mëparshëm, gjyqtar në Gjirokastër, por në vendin ekuivalent me të, gjyqtar në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë.

E vetmja, që deri tani nuk është emëruar, është ish-anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Para se të fillonte punën në KQZ, Dëshira Subashi ka punuar si  gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në momentin e kërkesës kanë ekzistuar dy vende vakante në këtë gjykatë, që prej disa muajsh  KLD-ja i kishte publikuar si vende vakante. Në atë mbledhje të KLD-së, ku u emërua Artan Lazaj, KLD-ja bëri dhe riorganizimin e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit dhe emri i Dëshira Subashit nuk u diskutua fare.

E VERTETA MBI BESIM NDREGJONIN – Nga Namir Lapardhaja

Ka një problem me të vërtetën në Shqipëri. Sa herë që dikush hedh një akuzë, të vërtetë ose jo, del dikush tjetër që bën një kundërakuzë dhe, duke u krijuar një tymnajë, askush nuk e merr vesh se si qëndron e vërteta.
Në këtë realitet, njerëzit e painformuar në përgjithësi, ndjekësi i thjeshtë  i portaleve, lexuesi i gazetave dhe dëgjuesi i lajmeve e ka të vështirë ta filtrojë të vërtetën, duke qenë se ai bombardohet nga mëngjesi në mbrëmje vetëm me informacione, shpeshherë të paverifikuara.
Një gjë e tillë bën që palët të qëndrojnë në llogoret respektive, hendeku të thellohet, ndërsa e drejta dhe e vërteta të mos merren vesh asnjëherë.
Në ditët e sotme, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga rënia e komunizmit, një ndër akuzat më të përhapura është ajo e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit të shtetit. Duke qenë se dosjet nuk u hapën kurrë, partitë poltike nuk ndërmorën asnjëherë një nismë serioze që ta sqaronte këtë problem përfundimisht, çdokush ka “të drejtë” të akuzojë tjetrin për spiun dhe bashkëpunëtor të ish-sigurimit famëkeq të shtetit.
Një gjë e tillë ndodh rëndom me shtresën e ish-të përndjekurve dhe ish-të persekutuarve, qoftë ndërmjet njëri-tjetrit, qoftë kur bëhen vegla të pushtetit, për të sulmuar bashkëvuajtësit e tyre të djeshëm.
Duke mos mbajtur të njëjtin qëndrim për xhelatët e djeshëm, viktimë të propogandës qeveritare të majtë më së shpeshti bëhen viktimat e sistemit diktatorial.
Një problemi të tillë i vjen në ndihmë edhe një opinion i gjerë publik, i cili, duke qenë në një krizë të thellë morale, nuk interesohet për të verifikuar dhe për t’i vajtur të drejtës dhe të vërtetës deri në fund.
Si shembull të këtij spekulimi me të vërtetën do të marrë rastin e Besim Ndregjonit, i cili shpeshherë ka qenë në qendër të këtyre akuzave.
Vala e kësaj propagande u ndez sërish pak ditë më parë, ku zoti Ndregjoni u gjend në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në një aktivitet në çadrën e Partisë Demokratike, e cila prej një muaji vazhdon protestën në bulevardin përpara kryeministrisë për zgjedhje të lira e të ndershme.
Portale të majtë nxituan ta akuzojnë dhe iu turrën Ndregjonit me një valë akuzash, të paqënda dhe të pavërtetuara, vetëm e vetëm për të bërë pis e për të hedhur baltë mbi të, por edhe mbi kauzën e Partisë Demokratike.
Besim Ndregjoni është aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe ish-të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.
Gjatë kohës së regjimi komunistë atij iu privuan e drejtat e arsimimit dhe e punësimit, duke u caktuar të punojë në punë të rënda dhe hapje tunelesh, ndërsa i ati i tij, Imeri, bëri 17 vite burg.
Sot ai duhet të përballet me akuza të paqena dhe të sqaruara më parë.
Filtrin e parë Ndregjoni e ka kaluar në vitin 1996, ku kandidoi për herë të parë nën siglën e partisë së Lëvizjes së Legalitetit.
Kështu, vendimi nr. 8, Tiranë, më 20.04.1996, i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personavë të Tjerë nën kryesimin e Hajri Mezinit, thotë se “duke vepruar në zbatim të ligjit numër 8043, dt. 30.11.1995, në mbledhjen e tij të datës 20.04.1996, mbasi shqyrtoi dokumentet zyrtare që ju vunë në dispozicion vendosi që z. Besim Imer Ndregjoni NUK rezulton të ketë bërë pjesë në funksione të përfshira në Nenin 2 të ligjit.” (Shih vendimin bashkëlidhur shkrimit).

Neni 2 i ligjit Nr. 8043, dt. 30.11.1995, veç të tjerave, parashikon: “c) Të mos ketë punuar si oficer në Sigurimin e Shtetit (legal a ilegal), në repartet e ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve; ç) të mos ketë qenë i regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor (informator, agjent, rezitent a strehues) ose të mos ketë bashkëpunuar në mënyrë të ndërgjegjshme me Sigurimin e Shtetit (të mos ketë qenë zotërues i një apartamenti të vënë në —dispozicion të Sigurimit të Shtetit); d) të mos ketë qenë denoncues, dëshmitar i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve; dh) të mos ketë punuar si oficer në strukturën e kampeve dhe burgjeve me të dënuar politikë.”
Në këtë kuptim, ajo që del qartë është fakti se strategjia e së majtës ka qenë kostante: të vendosim ekulibër në raportin me të keqen midis atyre që u persekutuan dhe persekutorëve. Nëse nuk ke qenë komunist, ke qenë bashkëpunëtor me pushtuesin, nëse nuk ke qenë sigurims, patjetër që ke qenë spiun. Kështu plotësohej mozaiku shqiptar me bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. Fajtorët asnjëherë nuk i ndanë privilegjet e tyre me viktimat, pëkundrazi i burgosën, i torturuan, i vranë, i lanë pa familje, pa shkollë, pa të ardhme. Kur komunizmi ra, u predikua që barra e fajit të ndahej me të gjithë popullin dhe kështu ndodhi. Fajtorët u fshehën, nuk u ndëshkuan, faji u shpërnda. Pas ca kohësh fajtorët u bënë biznesmenë, deputetë , madje edhe ministra. Viktimat u mjaftuan vetëm me kënaqësinë se për herë të parë në jetën e tyre nuk u diskriminuan, por u bashkuan dhe u bënë solidarë në ndarjen e fajeve e krimeve të diktaturës: ne kemi plagët ju keni armët, ndaj jemi një edhe bashkëfajtorë edhe bashkëvuajtës.

Masakër në Fierzë, 20 tonë peshk i ngordhur në bregun e liqenit

Rreth 20 tonë peshk i llojit Gjuc është gjetur i ngordhur në brigjet e Liqenit të Fierzës në 24 orët e fundit. Peshqit e ngordhur janë gjetur të përhapur në një gjatësi prej 10 km vijë panoramike në brigjet e liqenit, nga ura e Drinit te Zi deri tek ura e Drinit të Bardhë.

Specialistët bëjnë me dije se bëhet fjalë për rreth 20 ton peshk Gjuc të ngordhur, sasia më e madhe e dëmtuar ndonjëherë në në këtë zonë.

Sipas tyre, ngordhja është shkaktuar si pasojë e gjuetisë së paligjshme me lëndë plasëse.

Ende nuk ka një hetim lidhur me këtë çështje, e cila për biologët është katastrofa më e madhe ekologjike në Liqenin e Fierzës.

Dy të plagosur nga shpërthimi në një bazë ushtarake në Shqipëri

Policia e Shqipërisë – foto arkivi

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha se dy persona janë plagosur lehtë nga shpërthimi në një bazë ushtarake, në perëndim të vendit.

Në deklaratën e lëshuar sot, ministria tha se shpërthimi i një dite më parë ka plagosur një rreshter të ushtrisë dhe një civil nga agjencia e trafikut ajror.

Shpërthimi ka ndodhur gjatë pastrimit të bazës në Porto Romano, rreth 40 kilometra në perëndim të Tiranës.

Ministria nuk dha detaje për shkaqet e shpërthimit.

Artur Zheji: Si e binda Edi Ramën të dilte me sëpatë në dorë mes Tiranës (Fotot)

Analisti Artur Zheji në një shkrim të publikuar në portalin e tij “360grade.al” analizon ambicien për pushtet të kryeministrit, Edi Rama duke rrëfyer mes të tjerash edhe si e nxiti të dilte me sëpatë mes Tiranës për të prerë shtyllat e OSHE-së kur ishte kryebashkiak.

Nga ARTUR ZHEJI
Kryeministri është sot më i dobët se kurrë. Por kjo nuk e pengon që të “luajë të fortin” në ekran dhe të krekoset publikisht në gëzim të pushtetit. Sepse dukshëm, kundërshtarët e tij politikë, janë sot, akoma dhe më të dobët se ai vetë.

Dhe po shkohet vetëtimithi drejt 18 Qershorit, me një kryeministër që ka rreshtuar fort bukur, resurset njerëzore, resurset kriminale, resurset financiare, resurset e bythecëve në shërbim të llokmës, resurset e atyre, që nuhasin 4 vjeçarin e tij të ardhshëm në pushtet.

Fodullëku i kryeministrit të katundit tonë, është i denjë, për nga mungesa e modestisë, dhe e krahasueshme me tangërllëkun e një pijaneci barkderr te birraria e pisët e lagjes. Duket se kemi të gjithë stomak të fortë dhe përsëri e dëgjojmë se çfarë thotë!

Pyetjes se është pesëfishuar mbjellja dhe trafikimi i drogës, ai i përgjigjet se është, pesëfishuar lufta kundër drogës.
Pyetjes se Shqipëria është politikisht në krizë, ai i përgjigjet se Opozita dhe Partia Demokratike, është në krizë dhe jo Shqipëria apo Partia Socialiste, e kjo sigurisht nuk është një çështje e tij.

Pyetjes se përse Kokëdhima apo Blushi bëjnë ndaj tij akuza kaq të forta dhe direkte, ai i përgjigjet, se ata, Kokëdhima apo Blushi, janë individë dhe se ai nuk e di se kush i dëgjon dhe kush i ndjek politikisht ata.

Pyetjes se si ndjehet sot, që vetëm dje, Donald Trumpin e bëri “copë” dhe Trumpi u bë President i SHBA, ai përgjigjet se dje Trumpi, ishte vetëm kandidat për President, kurse sot që është President, ay, përkundrazi ushqen respekt për të…

Pyetjes se përse e shkarkoi Ministrin e vet të Brendshëm, Saimir Tahiri, ai përgjigjet se: “Jo! Nuk e shkarkova, por e ngarkova! E ngarkova me detyra të tjera, si shefin e madh të partisë socialiste të Tiranës…”

Dhe kështu mund të vazhdohet deri nesër me qyfyret verbale ose me “qyfyrizimin” dhe “rrumpallizimin” e të folurës së tij me gazetarët dhe përmes gazetarëve me popullin.

I thotë përshembull një grua e martuar, që serviloset të marrë tapinë e një legalizimi të një prone, që s’dihet nëse i përket apo nuk i përket, “e kam ëndër të të puth!” dhe kryeministri e miklon duke i thënë: “prandaj se paske marrë burrin me vete!” dhe puthen!

Dhe të thuash që punët e qeverisjes shkojnë kaq mirë, sa kryeministri e gëzon të drejtën të eglendiset ekraneve, kjo sjellje qyfyryzuese me gjithshka dhe me gjithëkënd, edhe mund të ishte e përligjur.

Por gropa e mizeries në këtë “katund”, vetëm sa thellohet dhe kryeministri hedh valle prej të dehuri në buzë të gropës, ku fundoset Shqipëria dhe banorët e saj të hutuar.

Më kujtohet njëherë, tashmë shumë vite më parë, kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, në kohën e qeverisë Nano. Më merr në telefon dhe më thotë planin e tij që të godiste me sopatë një shtyllë që KESH, nuk e hiqte nga mesi i rrugës.
“Do më marrin për të çmendur thua?” më pyeti.

“Bëje!” e nxita miqësisht, “ky vend është edhe më i çmendur akoma, që lejon që të rrijë në këmbë një shtyllë elektriku mu në mes të rrugës!”

Tani situata është e përmbysur, është vetë “sopataxhiu” progresist i asaj kohe, sot kryeministër, që rri si një shtyllë apo si një hu, pikërisht në mes të rrugës dhe që është bërë pengesë për ekuilibra të rinj politikë që duhen rivendosur në këtë vend.

Mirëpo Shqipëria politike është sot më pak e “çmendur” se ai dhe askush nuk kërkon të shkojë me “sopatë në dorë për të shkulur shtyllën e pushtetit të tij”.

Shumica e kundërshtarëve të vetë politikë e kanë sot frikë Ramën, mbasi u lodhen së mbiqujturi si “frikacak” atë. Dhe ky është një paradoks mbi të cilin vetë “frikacaku i ashtuquajtur”, e ka shfrytëzuar mençurisht këtë emërtesë që nuk përputhet me të vërtetën. Rama e luan fort bukur rolin e “frikacakut” dhe fsheh fare mirë “hilacakun”, që dhe është tipari i tij kryesor. Por në politikë, hilcakëria, mbiquhet aftësi dhe jo difekt dhe është një “art” që e ushtrojnë të gjithë. Nëse kundërshtarët e tij politikë, do të vazhdojnë të kenë këtë qasje të derisotme ndaj tij, Rama vetëm do forcohet, pas kalimit të krizës së 18 Shkurtit.

Nëse Ilir Meta, që në 1 Prillin e vitit 2013, prishi koalicionin me Berishën, për: “Një ekuilibër të ri politik në Shqipëri”, është përsëri i mendimit se ky është “Ekuilibri më i mirë politik i vendosur”, kryeministrin Rama e kanë gati edhe për 4 vite të tjera.

Ta mbajnë e ta gëzojnë dhe ta përflasin edhe një katërvjeçar tjetër të gjatë, përderisa Edi, të vetëlodhet nga pushteti dhe të kërkojë argëtim, adrenalinë dhe rrumpallhane, diku në një aventure dhe në një sport tjetër.

Do Zoti, jashtë Shqipërisë, duke përllogaritur resurset kaq të shumta që tani ka!… 360grade.al

Poeti Visar Zhiti denoncon dhunën presidenciale

Ka reaguar nga SHBA menjëherë poeti Visar Zhiti pas sulmit pa precedent që presidenti në largim i Republikës Bujar Nishani adreson kundër personalitetit të shquar të letrave, që ka përjetuar burgjet dhe torturat e regjimit barbar: “Është shpifje, është dhunë presidenciale, ka deklaruar Visar Zhiti. “Të hapen dosjet e të dalë në gjyq me mua. Në dosjen time, ndër të paktat ndoshta, është një dokument me firmë, ku unë guxova të kundershtoj bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, gjë që e tregoj me emra në burgologjinë time “Ferri I çarë””.

Poeti Visar Zhiti një figurë shumë e respektuar e letrave, i burgosur politik gjatë diktaturës ka tre vjet i ngarkuar me punë në Vatikan, pasi Presidenti i Republikës nuk ka pranuar ta akreditojë, pa marrë parasysh se Vatikani e ka mirëpritur zotin Zhiti. Qendrimi i Nishanit kundër Visar Zhitit është vetëm një abuzim, një shpërdorim detyre që ai i bën pushtetit që i jep posti i Presidentit të Republikës, një veprim i dënueshëm nga ligji.

Nga SHBA zoti Lekë Mirakaj, një tjetër ish i përndjekur politik, një zë shumë i respektuar e komunitetit shqiptaro-amerikan në një prononcim të tij në rrjetin social shkruan: “Visar Zhiti ka qene nder djemtë e rinj ma serioz dhe të ndershem në Spaç dhe Qafë Bari”, shkruan zoti Mirakaj. “Që në fillimet e demokracise u hodh qellimisht ne qarkullim e pa verteta nga Neshat Tozaj se te burgosurit politike ishin të gjithë spunë. Te burgosurit politike kane qene ne pjesen dermuese te vendosur dhe te pa komprometuar. Rregjimi diktatorial per te prishur imazhin e qendreses te burgosurve politike e populloi burgun politike me të burgosur ordinerë te cilëve u vishte petkun e armikut. Visari dhe shoket e Visarit jane shembull i qendreses dhe vlere qe nderon tere shqiptaret.”, përfundon zoti Lek Mirakaj në rrjetin social.

 

Traktet antikomuniste gjatë diktaturës

Kastriot Dervishi sjell nga arkivi i ish MInistrisë të brëdnëshme një nga traktet antikomuniste që qarkullonin gjatë diktaturës, si dokument që vërteton se sa urrehej regjimi kriminal.

“Traktet dhe letrat e paidentifikuara të postuara për udhëheqjen, kanë qenë disa nga mjetet që elementi antikomunist përdorte në Shqipëri në vitet 1945-1990 në funksion të luftës kundër komunizmit. Sigurimi i Shtetit për zbulimin dhe identifikimin e këtyre letrave kishte një seksion të posaçëm në degën që merrej me “armiqtë e popullit”. Trakti i mëposhtëm është njëri nga të hedhurit në Shkodër, në fund të vitit 1989 dhe fillim të vitit 1990. Në disa ditë do postoj disa lloje traktesh.”, shkruan Dervishi.

PS-LSI: ‘Ministri jot kundër ministrit tim’, plas sherri për pronën e Balilit

Prona në administrim të vëllait të Klement Balilit ka çuar në përplasje institucionale dy ministritë e PS-së dhe LSI-së. Bëhet fjalë për një godinë dhe një sipërfaqe toke në lagunën e Vivarit në Butrint, që administrohet prej 5 vitesh nga kompania “Balili Security Shpk”, më pronësi të shtetasit Hektor Balili, raporton “Panorama”. 

Me një vendim të Ministrisë së Mjedisit në 2012 dhe autorizim të Ministrisë së Ekonomisë, kjo sipërfaqe i ka kaluar me kontratë qiraje 10-vjeçare kompanisë së Balilit, me qëllim ushtrimin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës. Sipas dokumentacionit, subjekti juridik “Balili Security Shpk”, me numër NIPTI: L17224501 G, ka lidhur kontratë për shfrytëzim deri në vitin 2022.

Mesditën e djeshme, forca të shumta policore të pajisura me skafandra, armë dhe veshje antiplumb zbarkuan në pikën e aktivitetit të peshkimit për të larguar pronarët që kanë aktualisht me kontratë qiraje ushtrimin e aktivitetit.

Në momentin e mbërritjes së tyre, veç peshkatarëve që janë të punësuar, në vend ndodhej edhe Ervin Kajo, drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Ujërave në Ministrinë e Bujqësisë. Bashkë me policinë ishte edhe drejtori i Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Ekonomisë, Fatmir Hoxha.

Pas prezantimit, ky i fundit i kërkoi përfaqësuesit të Ministrisë së Bujqësisë, Ervin Kajo, të dorëzonte objektin, sipas tij pronë e Ministrisë së Ekonomisë. Por ky ka qenë vetëm fillimi i një debati, që ka zgjatur rreth dy orë mes tyre. Të dyja palët pretenduan se ishin pronarë dhe se ishin dërguar në vend nga ministrat e tyre.

Në fund të debatit, vetëm sa u nënshkrua një procesverbal për qëndrimin e të dyja palëve në këtë proces, por që nuk pati një zgjidhjes mes palëve. Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë ka këmbëngulur që prishja e kontratës bëhet vetëm me vendim gjykate dhe ekzekutimi kryhet përmes përmbarimit.

Ervin Kajo, nga Ministria e Bujqësisë: Shiheni pak këtë dokumentin që më ka dhënë sekretari i Përgjithshëm mua.

Fatmir Hoxha, nga Ministria e Ekonomisë: Ore, nuk më intereson mua ajo gjë, more shoku. Unë kam ardhur në zbatim të vendimit të gjykatës, me ty nuk kam punë fare unë. As nuk të njoh fare.

Ervin Kajo: Ti je pala humbëse në gjykatë.

Fatmir Hoxha: Atë e di unë.

Ervin Kajo: Po s’e di ti, se ti je pala humbëse.

Fatmir Hoxha: Atë e di, jam humbës apo fitues.

Ervin Kajo: Ore, ti je drejtor.

Fatmir Hoxha: Ore, ç’punë kam me ty?

Ervin Kajo: Po unë jam pronari. Unë jam ai që kam dhënë kontratën e qirasë.

Fatmir Hoxha: Absolutisht e ke dhënë gabim!

Ervin Kajo: Ku e ke përmbaruesin?

Fatmir Hoxha: Nuk ka punë përmbaruesi këtu.

Ervin Kajo: Si nuk ka punë përmbaruesi? Njihu ore me ligjet se je drejtor juridik, nuk je analfabet.

Fatmir Hoxha: Ti nuk më mëson dot mua se kam 20 vjet që merrem me këtë punë.

Ervin Kajo: Ti mund të kesh 20 vjet dhe ia ka futur kot 20 vjet.

Fatmir Hoxha: Ti nuk hyn fare këtu. Nuk ke asnjë dokument.

Ervin Kajo: Nuk hyj se ti nuk ke vendim gjykate dhe nuk mund të më marrësh pronën mua.

Fatmir Hoxha: Ti nuk je asnjë gjë në raport me pronën. Ti mund të jesh shumë i rëndësishëm, mund të jesh gjithçka, por në raport me këtë pronë nuk ke punë fare. Nuk të njeh ligji si pronar.

Ervin Kajo: Unë kam autorizimin këtu, ministri jot kundër ministrit tim, shteti shqiptar kundër shtetit shqiptar.

Fatmir Hoxha: Ore ti zotëri, unë nuk e di këtë konflikt midis ministrave. Nuk më ka thënë njeri mua. Unë kam një vendim që Ministria e Ekonomisë e ka lidhur kontratën.

Ervin Kajo: As unë nuk e di. Edhe nëse e ka lidhur kontratën dhe ka mbaruar në 2016.

Fatmir Hoxha: Po ju kush jeni, sepse nuk kuptoj?…

Ervin Kajo: Pse nuk lexon autorizimin?

Fatmir Hoxha: Çfarë lidhje keni ju me pronën, lëre autorizimin.

Ervin Kajo: Si nuk kam lidhje me pronën? Unë jam i dërguari i Ministrisë së Bujqësisë.

Fatmir Hoxha: Cila Ministri e Bujqësisë? Ç’punë ka ministria me këtë pronë, je në vete apo jo?

Ervin Kajo: Si nuk ka punë ministria me këtë pronë? Je mirë nga mendtë e kokës, se je edhe drejtor juridik ore dhe është turp të bëjmë debat, një ministri kundër ministrisë.

Fatmir Hoxha: Po pronar është qeveria, o zotëri… Së pari duhet të ndërpresësh këtë?

Ervin Kajo: Të ndërpresësh këtë?

Fatmir Hoxha: Atë e zgjidh ti që e ke lidhur. Ti e ke lidhur gabim, zgjidhe vetë. Është puna jote.

Ervin Kajo: Unë jam pronar i objektit. Ma ke dhënë në administrim objektin mua.

Fatmir Hoxha: Kujt ia kam dhënë?

Ervin Kajo: Ia ka dhënë Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mjedisit në atë kohë dhe administrimit të ujërave…

Fatmir Hoxha: Ti ke një autorizim që s’dihet se çfarë thotë. Ke dhënë një objekt që s’ta ka thënë njeri.

Ervin Kajo: Drejtori juridik e di shumë mirë se çfarë domethënë kontratë, por nuk do ta marrë vesh.

Fatmir Hoxha: Çfarë është kjo kontratë që rrjedh nga një autorizim i paqenë.

Ervin Kajo: Kjo është firmosur nga dy ministra. Kush je ti që nuk njeh firmat e dy ministrave?

Fatmir Hoxha: Ajo është kontratë që nuk është firmosur para noterit publik. Unë kam ardhur këtu me urdhër të ministrit.

Ervin Kajo: Edhe unë ashtu kam ardhur.

Fatmir Hoxha: Nuk e di unë. Kjo është puna juaj. Ju nuk keni asnjë lidhje me këtë pronë. Pronari do destinacionin e pronës.

Ervin Kajo: Pronari e di destinacionin e pronës. Pronari tani ka humbur gjyqin. Pronari duhet të zgjidhë konfliktin me Ministrinë e Bujqësisë.

Fatmir Hoxha: Nuk ka punë pronari. Pronari i jep nga të dojë vetë destinacion pronës.

Ervin Kajo: Po e ke dhënë një herë. Ministri jot atëherë ia ka dhënë Ministrisë së Mjedisit. Kam vënë në dispozicion dokumentacionin.

Fatmir Hoxha: Nuk e lexoj fare, nuk kam punë.

Ervin Kajo: Po ti nuk je Zoti, more burrë i dheut!

Fatmir Kajo: Mua s’më intereson.

Ervin Kajo: Takohemi në prokurori atëherë.

Fatmir Hoxha: Në prokurori s’kam punë.

Ervin Kajo: Në prokurori pas dhjetë minutash do të shkoj unë të bëj kallëzim për ty.

Fatmir Hoxha: Për mua?…

Ervin Kajo: Po, po, për ty si drejtor juridik i Ministrisë së Ekonomisë. Ti po bën veprime arbitrare. Ligji për përmbarimin privat ty nuk të lejon të vish të marrësh objektin.

Fatmir Hoxha: Më ka urdhëruar ministri.

Ervin Kajo: Ministri nuk është përmbarues. Kjo nuk zgjidhet këtu një dhe e dyta jam fuqiplotë të përfaqësoj ministrinë.

Edi Rama: Nuk e shpëton dot çadra PD-në

“S’ka krizë. Unë nuk kam një ofertë për të dalë PD nga kriza. Kjo nuk është një krizë e Shqipërisë, e ekonomisë, është krizë e lidershipit të PD-së, elitës së PD-së bashkuar me përfaqësuesit e degradimit të mediave sot, bashkuar me ca kryetarë partish pa parti që shkepen me raki gjithë ditën e në darkë nga çadra, dhe me disa të huaj që s’para ja duan të mirën Shqipërisë. Nuk e shpëton dot çadra PD-në, as gjykatësit që japin sponsorizime për ta mbajtur çadrën. Nuk do të shpëtojnë nga vettingu”, u shpreh shefi i mazhorancës i ftuar në “Studio e Hapur” në News 24.

Ai theksoi edhe një herë se nuk ka asnjë lëshim për të plotësuar kërkesën e opozitës për krijimin e një qeverie teknike.

“S’ka asnjë lëshim. Por çfarë t’ju them 1 milion njerëzve që më kanë dhënë këtë detyrë. Ti them se ne bashkë duhet t’u japim rrugë budallait dhe në emër të kësaj të hedhim bazën kushtetuese dhe t’i hapim rrugë një politike që do zhvillohet jo më në parlament. Por opozita në çadër dhe qeveria në parlament. Vjen tjetër, merr çadrën dhe thotë ‘uli ti, të hipi unë”, tha Rama.

Kryeministri bëri edhe një ndryshim të protestës që opozita e majtë kur PS-ja drejtohej nga Rama mbajti pas zgjedhjeve të 2009-ën.

“Ka pasur një çadër, që kemi qenë ne, ishim në grevë urie dhe kërkonim të drejtën një hetim parlamentar për zgjedhjet e kaluara, jo për të përmbysur rezultatin. S’na ka shkuar mendja të themi në do vdesim këtu, ikni ju të vimë ne”, – u shpreh kreu i qeverisë.

Shefi i mazhorancës u shpreh i bindur se Vettingu, procesi që bën rivlerësimin e figurave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, do të bëhet me çdo kusht.

Rama: Për emërimin e Xhafajt jam konsultuar me ambasadën e SHBA

Kryeministri Edi Rama në “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili ka komentuar edhe zgjedhjen e kandidaturës së Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, teksa ka pranuar se është konsultuar me partnerët strategjikë të Shqipërisë siç tha për emrin e tij.

Eni Vasili: A ka pasur ndikim nga ambasada e SHBA për kandidaturën e zotit Xhafaj?

Edi Rama: S’ka pasur asnjë ndikim por në praktikën time, ka qenë që për ministrin e Mbrojtjes dhe të Brendshëm të konsultohem me partnerët tanë strategjikë dhe e kam bërë këtë konsulte. Jo që keta jane emrat dhe zgjidhni, por ky është kandidati, cili është opinioni juaj, dhe opinioni ka qenë shumë pozitiv, jo pozitiv por shumë pozitiv.

Eni Vasili: Po për largimin e Tahirit?

Edi Rama: S’ka nevojë të konsultohesh me askënd për atë që largon kur je kryeministër ata janë tagri i kryeministrit.

Rama: Unë e dëgjoj mirë dhe e kuptoj mirë Metën

Kryeministri Edi Rama eshte pergjigjur sot në “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili se çfare do te beje PS nëse Ilir Meta dhe LSI nuk do pranojë të futet në zgjedhje pa opozitën.

 

“S’flas asnjëherë me nëse sepse nëset s’janë për mua për mua janë faktet dhe mbi bazën e fakteve mund të bëj …”, tha ai.

Eni Vasili: Meta ka thene se zgjedhjet pa opozitën janë me pasoja

Edi Rama: Varet se si e dëgjon dhe kupton Ilir Metën, unë besoj se e dëgjoj dhe kuptoj Ilir Metën. Ne në zgjedhje nuk shkojmë cifte cifte, apo me krushqi, shkojmë me skuadrën dhe liderin e saj, është përgjegjësi e cdo subjekti politik të shkojë apo jo në zgjedhje.

Nëse ka marrë një përgjigje nga kreu i LSI për koalicionin parazgjedhor, Rama u shpreh: S’kam marrë përgjigje se s’kam bërë një pyetje.

Keni bere ftese publike per kete gje, po e diskutoni kete se jemi dy muaj para zgjedhjeve:

“Kur ju shkoni per nje vizite ne nje familje, a i beni pyetjen a po mendoni te ndaheni? Jo se jane nje familje”, u pergjigj Rama.

Prokuroria: Pse u thirr Saimir Tahiri, ja për çfarë do pyetet

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, këtë javë për të dhënë deklarime në lidhje me çështjen e Emiljano Shullazit. Shkak i thirrjes së Tahirit në cilësinë e deklaruesit, janë bërë dëshmitë e dhëna më herët në prokurori nga rektorët Dhori Kule e Mynir Koni, si dhe nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, raporton “Panorama”.

Dy rektorët, që dyshohet se janë kërcënuar nga Emiljano Shullazi në prill 2016, kur mbahej fushata për zgjedhjet në universitete, në dëshminë e tyre kanë përmendur Tahirin.

Ata kanë thënë se pasi u kanosën nga persona të panjohur para një hoteli në Tiranë, kanë marrë kontakt me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, bashkë me dy rektorët, kanë shkuar atë ditë në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka mësuar ngjarjen dhe u ka premtuar rektorëve se Policia do të bënte gjithçka për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë thënë se saktësimi i këtyre rrethanave është bërë shkak për fletëthirrjen dërguar ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Nga ana tjetër, gazeta “Panorama” ka publikuar dje të dhëna, sipas të cilave, javën e kaluar në prokurori është pyetur drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Përveç deklarimeve të marra në lidhje me procedurën e ndjekur nga Policia në mesin e muajit prill 2016, kur është bërë shoqërimi i Emiljano Shullazit, burimet e Policisë kanë thënë se drejtori i Policisë së kryeqytetit është pyetur edhe për komunikimet e tij me eprorët dhe me vartësit ditën e ngjarjes.

HETIMET PËR SHULLAZIN

Bazuar në kallëzimin e një biznesmeni nga Tirana, Prokuroria kishte nisur hetimet ndaj Emiljano Shullazit për gjobëvënie, në shkurt 2016. Dy muaj më vonë, në mesin e prillit 2016, personazhi i njohur në Tiranë u arrestua bashkë me shtetasit Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani për disa akuza.

Arrestimi i Shullazit u bë ditën e denoncimit publik për kërcënimin e dy rektorëve, Dhori Kule e Mynir Koni, edhe pse këta të fundit nuk dëshmuan asnjëherë nëse kishin arritur ta njihnin autorin e kërcënimit ndaj tyre.

Prokuroria kërkoi në gjykatë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, me akuzën për katër raste gjobëvëniesh, por deri tani vetëm biznesmeni Ylvi Beqja ka pranuar të japë deklarime në statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Biznesmeni që e paditi i pari Shullazin ishte larguar nga Shqipëria para arrestimit të të dyshuarit, ndërsa dy biznesmenë të tjerë nuk kanë pranuar të japin deklarime në prokurori. Ylvi Beqja ka pretenduar se Shullazi e grupi i tij (pesë të arrestuar gjithsej), i kanë marrë rreth 700 mijë euro dhe 30 për qind të aksioneve të ish-hotel “Vollgës” në Durrës.

Pavarësisht dëshmisë së dhënë në hetimet paraprake, seancat për sigurimin e kësaj dëshmie në gjykatë po dështojnë prej më se një muaji e gjysmë, pasi asnjë avokat nuk pranon mbrojtjen e të pandehurve. Nga ana tjetër, avokatët e Emiljano Shullazit dhe të tjerëve nuk i kanë pranuar akuzat, duke hedhur poshtë deklarimet e biznesmenit Ylvi Beqja.

Ky i fundit u akuzua publikisht nga disa tregtarë për marrje shumash të mëdha hua dhe moskthimin e tyre në kohë. Vetë dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, ka pretenduar se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat që i janë bërë publikisht për shkak se ka pranuar të dëshmojë në lidhje me gjobëvënien.

Meta – Ramës: Pluralizmi ka ardhur që më 1990

TIRANË- “Nuk duhen minuar zgjedhjet”. Kështu deklaroi sot kreu i LSI-së, Ilir Meta i cili u distancua nga qëndrimet kategorike, një i tillë ishte ai i kryeministrit Edi Rama dje, në mbledhjen e grupit të PS-së kur tha se do hynte në zgjedhje edhe pa opozitën.

I pyetur se çfarë përgjigje ka për deklaratat e PS, e cila thotë se është e gatshme të hyjë edhe vetëm në zgjedhje, kreu i Kuvendit me ironi kujtoi se pluralizmi ka ardhur që më 12 dhjetor të 1990-ës.

“Më vjen keq për këtë pyetje. Njoftoheni të gjithë se pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të 1990-ës në Shqipëri dhe ne duhet të gjithë të punojmë që këto të jenë zgjedhje të shkëlqyera, larg qëndrimeve kategorike që mund të na sillnin pasoja katastrofike, të padëshiruara për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe sidomos këta fëmijë”.

Meta komentoi edhe deklaratat e kreut të grupit parlamentar të forcës që ai drejton, Luan Ramës për situatën e kanabisit dhe punën që sipas tij, duhet të bënte policia, referuar raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Meta tha se deklaratat e tij janë transformuar.

Rama – aleatëve: Shkojmë edhe vetëm në zgjedhje, marrim 140 deputetë

Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhje edhe e vetme. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, para deputetëve të tij është shprehur se “qeveria teknike dhe shtyrja e zgjedhjeve nuk janë opsione për PS”, raporton “Panorama”.

“Partia Socialiste do të futet në zgjedhje edhe sikur të gjitha partitë e tjera të mos e bëjnë një gjë të tillë. Nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve, nuk do të ketë qeveri teknike. Me Saliun apo pa Saliun, me Lulin apo pa Lulin, në koalicion ose të vetëm, ne do të futemi në zgjedhje më 18 qershor. Zgjedhjet do të mbahen. Në zgjedhje nuk hyjmë as për Saliun dhe as për Lulin, por për 1 milion shqiptarët që na votuan në 2013 e që sot janë shumë e më shumë. Sikur askush të mos dojë të hyjë në zgjedhje, PS do hyjë në zgjedhje dhe do të marrë të 140 deputetët e Kuvendit e me votat e saj do kalojë vetingun dhe çdo ligj tjetër të Reformës në Drejtësi”, mësohet të jetë shprehur Rama dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist.

Protesta e Partisë Demokratike është parë me pozitivitet nga socialistët në aspektin elektoral.

“Partia Demokratike na ka dhënë një dhuratë të madhe me këtë protestë, duke u mbyllur në çadër dhe duke mos u marrë me njerëzit. Kërkoj që secili nga ju të punojë me qytetarët, të flasë me ta, të tregojë punën tonë dhe të sqarojë se çfarë i pret nëse votojnë Partinë Demokratike. Me reformat që ka ndërmarrë qeveria jonë, duhet të kërkojmë rezultat shumë më të mirë se ai i 2013”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri Rama. Duke vijuar me qëndrimet e Partisë Demokratike, kreu i PS-së tha se PD u frikësohet zgjedhjeve njëlloj siç i frikësohet vetingut.

“Reforma zgjedhore është gati që në nëntor, u kemi shtrirë dorën që të vinin e ta votonin, por ata kanë nxjerrë pretekste nga më të çuditshmet. Kjo tregon se Partia Demokratike nuk do as zgjedhjet dhe as vetingun. Asnjë parti nuk besoj se do t’i bojkotojë zgjedhjet dhe se PD po humbet kohë kot, duke djegur edhe afatet për dialog në funksion të përmirësimit të standardeve zgjedhore”, është shprehur kreu i PS-së.

Por deklaratat e ditëve të fundit brenda koalicionit qeverisës nuk kanë munguar pa u komentuar edhe në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar. Kreu i PS-së ka kërkuar të shmangen deklaratat emocionale.

“Mos bëni deklarata emocionale, mos u përfshini në debate koti, sepse në fokus duhet të kemi njerëzit, debatet shterpë i interesojnë Partisë Demokratike. Nëse vazhdojmë me deklarata të tilla, shfokusojmë njerëzit, duke u thënë atyre se më të rëndësishme janë marrëdhëniet mes nesh sesa hallet e njerëzve”, është shprehur Rama në Grup. Kreu socialist ka vlerësuar edhe efektivitetin e lirimit nga posti i ministrit të disa drejtuesve politikë të PS në krye të qarqeve.

“Që javën e parë pas lirimit nga detyra të ministrave dhe marrjes me punët e fushatës, është ndjerë menjëherë efiçensa në organizimin dhe mobilizimin e njerëzve. Unë i përgëzoj të gjithë ata drejtues, të cilët janë vendosur në krye të qarqeve dhe që po ndajnë me njerëzit nga afër çdo problematikë, duke filluar nga Tirana”, është shprehur kreu i Partisë Socialiste.

ARISTIR LUMEZI/PANORAMA


Send this to a friend