VOAL

VOAL

Akuza e Kokëdhimës: Kanabisin e bënë zyrtarët e lartë

Themeluesi i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu është shprehur se situata e mbjelljes së kanabisit është një realitet që dihet nga të gjithë.

 “Nuk kam qenë unë që kam bërë Shqipërinë si vend të kanabisit. Kanabisin e bënë zyrtarët e lartë të shtetit, e bënë drejtorët e policisë, që kanë bashkëpunuar me krimin. Nëse dikur kishim një Lazarat, tashmë e gjithë Shqipëria është mbjellë. Është e rëndë që punonjës të Policisë së Shtetit të bashkëpunojnë me kanabistët dhe gjithashtu edhe me fshatarët. Nuk ka qenë ndonjëherë situata kaq e rëndë e mbjelljes së kanabisit në vend”, tha Koço Kokëdhima.

Kokëdhima u shpreh se ka kontribuar gjithmonë për bashkimin e të majtës në Shqipëri.

“Unë kam qenë gjithmonë i majtë. Mendoj se e majta në vend përbën shumicën. Populli shqiptar është i majtë në bindje. Kjo e majtë që është shumicë dërrmuese për fat të keq është tradhtuar. Pushteti vetëm ka manipuluar popullin shqiptar. Aktualisht, jam i zhgënjyer nga klasa politike sepse ajo është duke tradhtuar interesat e bazës. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë që e majta të mund të bashkohet fuqishëm dhe kështu do të ishte e fortë. Por mendoj se e majta shqiptare përfaqësuese ka tradhtuar idealet e popullit”, tha Kokëdhima.

Ai theksoi se vendi drejtohet nga një kastë politike.

“Ne drejtohemi nga një kastë politike. Kjo kastë ka pushtuar popullin shqiptar. Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm ku deputeti i Lezhës shkon në Korçë dhe ai i Korçës shkon në Lezhë. Gjithashtu jemi ndër të vetmit vend ku kryetari i partisë vendos për gjithçka dhe ai i vendos se kush do të jetë deputet dhe kush nuk do të jetë. Kjo është e rëndë. Unë kam qenë një njeri që kam qenë në opozitë me kryeministrat shqiptarë me radhë. Unë jam një biznesmen i suksesshëm, që jam goditur nga ana e shumë pushteteve. Unë jam një njeri antikastë. Ne jemi i vetmi vend në botë ku vidhen votat”, tha Koço Kokëdhima.

Arrestohet gazetari Kastriot Myftaraj, bëri thirrje për vrasje të Vlahutin

Arrestohet gazetari Kastriot Myftaraj. Prangosja e tij është bërë mbrëmjen e djeshme pas një shkrimi të publikuar me dt 7 maj në facebook, ku kërcënon dhe fyen ambasadoren e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Ndalimi i tij është bërë nga njësia antiterror, pasi në shkrimin e tij Myftaraj bënte thirrje që çdo shqiptar që do atdheun e tij mund të vrasë Romana Vlahutin dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist.

Në shkrimin e tij Myftaraj e akuzon ambasadoren e BE në Tiranë se punon kundër interesave të Shqipërisë si pjesë e tezës për Jugosllavinë e Re.

Vec nxitjeve për dhunë Kastriot Myftaraj përdor fyerje dhe ofendime ndaj ambasadores Valhutin.

Voal la botuar edhe shkrimin e Kastriot Myftarajt.

‘Ku punon tezja jote, megafon i mjerë?’, kështu ish-zv/kryeministri i përgjigjet padisë së Nishanit

Ish-zv.kryeministri Bashkim Kopliku, i është përgjigjur Bujar Nishanit me një shkrim të botuar 11 vite më parë, pas padisë së këtij të fundit për një shkrim të disa muajve më parë:

“Po ju dërgoj bashkëngjitur një shkrim të para 11 vjetëve, “Nuk futet minarja në thes”, botuar tek Gazeta Shqiptare, më datë 08.05.2006.  Mendoj se është shumë aktual, ditën e gjykimit tim për padi të po këtij zotërie, Bujar Nishani.

 

Unë nuk e kam pasur paditur Nishanin, para 11 vjetësh, por i jam përgjigjur publikisht.  Ai, edhe atëherë nuk pati kurajën të përgjigjet publikisht, si dhe sot …”

Nuk futet minarja në thes

Nga Bashkim Kopliku *

Po përsëris një titull të përdorur vite më parë në një shkrim ku përgjigjesha për disa shpifje banale të kohës, që përsëriten sot prapë nga deputeti Bujar Nishani. Më datën 7.5.2006, në GSH, z. Nishani, replikon ndaj shkrimit tim me titull “Komisioni Sollaku—konflikt interesash”, të datës 6.5.2006. Por deputeti veçse i bishtnon kryesores, dhe pastaj edhe shpif. Faktet janë aq të mëdha, saqë nuk futen dot në thes!

Deputeti i bishton kryesores

Tema e shkrimit të replikuar është që z. Bujar Nishani ka tezen prokurore, prandaj ai ka konflikt interesash. Ai nuk i përgjigjet kësaj, gjë që në paburrërinë e tij përkthehet: “po, tezja ime është prokurore vartëse e z.Sollaku”.

Shkrimi ynë merret pikërisht me tezen, e pothuaj nuk merret me vëllanë e tij: vëllanë e përmendim shkarazi vetëm në paragrafin e pestë të shkrimit, meqë siç shkruajmë, “dëgjojmë fjalët më të mira” për të. (Tezja po, ajo përmendet 7 herë në shkrim, e që në paragrafin e parë). Mbase z. Nishani po tallet me lexuesit, duke bërë sofizma me emërtimin zytar të postit të të vëllait në Prokurori?! Emërtimi zyrtar i postit të tij është, “oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë” e një rrethi—post që në shqipen e përditshme gjithkush shkurt e quan prokuror: “Ali hoxha, hoxhë Alia”.

Nuk duam të hedhim në shtyp emra njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje direkt me çështjen, prandaj nuk po i përmendim me emër tezen dhe vëllanë e z Nishani, por po i desh qejfi, mund të paraqitet në redaksinë e Gazetës Shqiptare, dhe të marrë të emrat e personave në fjalë, nëse blofet e tij të paturpshme shkojnë kaq larg.

Ky deputet, sado sofizma të bëjë, nuk e nxjerr dot veten nga konflikti i interesave, nuk e shpëtojnë dot as “dallimi në mes oficerit dhe prokurorit”, as premtimet se ai “do të shohë ligjin ”ndaj “çdo individi me pushtet që dhunon ligjet e vendit, për çdo vëlla, …., teze…”, prandaj amani mo, lëreni në komision. Jo, edhe për ushtarin e bindur Nishani, ligji është njësoj, dhe e detyron të lërë komisionin, me gjithë vajtimin e tij për “devotshmërinë”: ai ka konflikte interesi, dhe pikë.

Shpifjet

Nuk duhet që politikanët të merren me biografitë e analistëve të shtypit, pra as me timen, që tani jam thjeshtë një analist! Kjo marrje me biografitë, është një formë shantazhi ndaj lirisë së shtypit, aq shumë të propaganduar nga kryeministri aktual: “me të thënë e me të bërë na ndan një mal i tërë”! Detyrohem t’i përgjigjem, në respekt të votuesve të mi të dikurshëm, aq më tepër që z. Nishani është thjesht një megafon i mjerë i kryeministrit aktual.

Kanë vite që mblidhen tufë të gjithë ata që ndërsejnë z. Nishani, e jo vetëm që nuk kanë gjetur dot, por as kanë sajuar dot më asnjë shpifje që tua besojë njeri, asnjë veprim apo mosveprim të vetëm të tillë nga unë: asnjë “aferë korruptive”, asnjë “vjedhje, kontrabandë apo mbështetje të grupeve a individëve kriminal” [mungesa e shkronjës /ë/ në fund të numrit shumës të fjalës “kriminal” është e vetë z. Nishani]—i bajatën njerëzit me to! Ky vazhdim i shpifjeve thjeshtë e bën të pabesueshme çdo akuzë të tyre publike edhe kundër të tjerëve, edhe kur mund të jetë e drejtë.

Një person quhet i padënuar, për një faj të kryer 14 vjet më parë, për të cilin është dënuar atëherë me 2 muaj burg dhe që e ka kryer atë të plotë. Nuk ka se si të jetë në një komision hetimor një njeri që pranon të ndërsehet sa mos të respektojë normat elementare juridike, si z. Nishani, saqë përmend publikisht një njeri që zyrtarisht tashmë është “i padënuar”, djali im. Sidoqoftë, kjo është Shqipëria e të ndërsyerve si z. Nishani, e më duhet të jap përgjigje. Po, djali im është dënuar kur ka qenë adoleshent me dy muaj burg, e kur unë kam qenë zëvendëskryeministër i vendit! Por, karriera ime nuk është ndërprerë nga ky fakt. Në vijim, po jap disa hollësi që nuk është hera e parë që publikohen:

Ngjarja që ai përflet i përket tetorit të vitit 1992. Me të mësuar ngjarjen kam njoftuar menjëherë ish presidentin, kryeministrin aktual, dhe kam vajtur e i kam paraqitur dorëheqjen. Ka këmbëngulur e më ka bindur të vazhdoj të qëndroj në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të rendit publik, duke më vënë në sedër për të mos u shmangur nga detyra e vështirë e ministrit të rendit publik, duke e konsideruar ngjarjen “punë kalamajsh” e “grackë e ngritur nga opozita”. Unë vetë kisha urdhëruar të kryheshin veprimet në zbatim të ligjit, kundër fëmijës sime.

Fakti është se edhe pas kësaj ngjarje, kam vazhduar të mbaj postin e zëvendëskryeministrit edhe dy vjet e tre muaj të tjera!

Po argumentoj më tej, megjithëse edhe sa thashë, normalisht do të ishin të mjaftueshme:

1-Pas asaj ngjarje, jam dekoruar në mars të vitit 1993 me Urdhërin e Lirisë të Klasit të Parë, me firmën dhe këmbënguljen e presidentit sot kryeministër. (Kjo ishte dekorata më e lartë që ka dhënë ish-presidenti për politikanë).

2-Pas asaj, në mars të 1993 jam riemëruar zëvendëskryeministër i vetëm i qeverisë.

3-Pas asaj, në fillim të vitit 1995, me “kalimin tim nga zëvendëskryeministër në një detyrë tjetër të rëndësishme” jam përcjellë publikisht nga ish-presidenti me lëvdata të tipit “Zoti Kopliku ka qenë padyshim një nga promotorët e reformës, ka dhënë një kontribut të çmueshëm në….”.

4-Pas asaj, jam emëruar në krye të reformës ekonomike, duke lënë postin e Kryetarit të komisionit të ekonomisë dhe financave të Kuvendit të Shqipërisë, vetëm në mesin e vitit 1997.

5-Pas asaj, për pesë vjet me radhë jam zgjedhur anëtar i Kryesisë së PD.

6-Pas asaj, në vitin 1996 jam zgjedhur deputet në zonën elektorale që përfshin Vuçidolin, fshatin e lindjes së ish-presidentit, me këmbënguljen e tij!

Po të isha i korruptuar e po të bëhesha ortak me të në djegien e Shqipërisë e në instalimin e diktaturës në PD, ai, kryeministri aktual, do të më mbante në krahë, e z. Nishani do të ishte sot duke m’u lëpirë në mënyrën e tij të pështirë.

Theksoj, se kam përmendur vetëm fakte të njohura publikisht, dhe kam heshtur për çdo lloj fakti konfidencial që kam mësuar gjatë detyrave të mia shtetërore, qoftë për z. Nishani, qoftë për rrethin e tij të afërt e qoftë për të gjithë tufën rreth kryeministrit. Konfidencialitetin do ta ruaj në vazhdimësi, sido që t’i vijë puna, edhe po të më leverdisë ndryshe, sepse është detyrim ligjor imi!

* Gazeta Shqiptare, 8.05.2006, ky tekst ka ndryshime të vogla redaksionale me atë të botuarin. 

Gsh.al

Dekriminalizimi zbulon: Emri i parë i Skënder Gjinushit ishte emër sllav, ja si quhej

Formularët e deklarimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë zbuluar disa gjëra të panjohura nga e shkuara e kandidatëve të regjistruar për garën parlamentare të qershorit.

Politikanë që ne i njohim me tjetër emër, me të cilin janë bërë edhe njerëz publikë, kanë në dokumentet e lindjes të tjerë emra.

Ky është edhe rasti i Skënder Gjinushit, kreu i Partisë Social Demokrate të Shqipërisë.

Ai në gjendjen civile ka qenë i regjistruar me emrin Sasha.

sasha

Në formular, në pjesën e sqarimeve për ndryshimin e të dhënave të gjeneraliteteve, apo kanë përdorur tjetër gjeneralite Gjinushi shënon si emër Sasha, e krah emrit, sqarimin “emri i regjistrimit, i papërdorur”.

ODIHR hapi misionin në Shqipëri: “Do të bëjmë transparencën e zgjedhjeve”

Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-së (ODIHR) hapi sot zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit në Shqipëri.

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it dhanë sot një konferencë shtypi në mesditë. Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, ambasadori Peter Tejler, deklaroi se do të raportojë pas ditës së zgjedhjeve për ecurinë e procesit.

“E dimë që ky proces do të kundërshtohet nga disa parti, por detyra jonë është transparenca. Ne do t’i referohemi tërësisht procesit dhe jo garës mes partive politike. Vendimi për të garuar është vendim politik, por ne këtu jemi për të monitoruar zgjedhjet. Ne nuk mund të flasim nëse qëndrimi i opozitës është i drejtë ose jo. Misioni ynë është për të vëzhguar dhe jo për të bërë vlerësime” – tha zoti Tejler.

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it pritet të ketë rreth 300 vëzhgues afatshkurtër në të gjithë Shqipërinë ditën e zgjedhjeve.

Ky mision do të bashkëpunojë me një delegacion nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri veprojnë në mënyrë të ndarë dhe të pavarur sipas mandateve të tyre, theksohet në njoftimet e tyre.

Ilir Konushevci dhe Hazir Mala përkujtohen në Tiranë

Me rastin e 18 vjetorin të rënies së dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Mala sot do të organizohet akademi përkujtimore si dhe do të bëhen homazhe pranë varrit të Ilir Konushevcit.

Akademia do të mbahet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

Akademia në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, ndërsa homazhet bëhen te varri i heroit Ilir Konushevci në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Ilir Konushevci dhe Hazir Mala janë vrarë më 9 maj të vitit 1998 në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm konfirmon: Kishte sinjale për shënjestrimin e Bashës nga ISIS

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj pranoi në “Top-Story” se ndaj kreut të opozitës ka patur një indicje për kërcënim.

Duke folur në emision, ai tha se kishin informacione për kërcënime të mundshme të politikanëve shqiptarë dhe në të përfshiu edhe kreun e PD-së.

“Është një situatë shumë i vështirë në rajon. Ka patur deklarata kërcënuese edhe nga eksponentë të ISIS për rajonin dhe nuk duhen neglizhuar. Gjithë ai përforcim për Pashkët, para dhe pas tyre lidhet me këto informacione. Duhen parë të gjitha, kërcënimet dhe përpjekjet për destabilitet në rajon”, u shpreh ai.

Ministri u pyet nëse ato përfshinin edhe kreun e opozitës dhe ai u përgjigj: “Kishim sinjalizim konkret për kërcënim edhe për zotin Basha. Ne morëm masat menjëherë dhe përforcuam sigurinë e tij”, u shpreh Xhafaj.

Xhafaj tregon arsyet e shtyrjes së zgjedhjeve në Kavajë: Kishte plan për të krijuar përplasje

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka folur sot në një intervistë për “Top Story” në TCH ka treguar arsyet se përse u shtynë zgjedhjet e Kavajës.

Ai tha se ka pasur disa struktura brenda dhe jashtë PD-së që do të shfrytëzonin protestën paqësore të opozitës për të krijuar trazira dhe përplasje mes militantëve

“Kemi pasur të dhëna për disa struktura brenda dhe jashtë partisë demokratike që do të krijonin trazira në Kavajë. Ata ishin pjesë e strukturave partiake, por edhe elementë jashtë saj. Kemi pasur të dhëna nga burime tona dhe nga jashtë nesh dhe se do kishte përplasje gjatë votimeve”, tha Xhafaj.

PJESE NGA INTERVISTA

Sot është 8 Maji dhe duhet të kishim folur për zgjedhjet e Kavajës. Që nuk u mbajtën pas tërheqjes së kandidatit Socialist. Pas konferencës së KM Rama u shtuna zërat për një skenar destabiliteti. A do vihe në dyshim zgjedhjet e 18 Qershorit? Dilemat janë shtuar dhe nga pikëpamja e sigurisë e destabilitetit.

Vendimi lidhur me zgjedhjet në Kavajë nuk ka qenë i lidhur me Policinë e Shtetit. Përkundrazi, ajo ka qenë në krye të detyrës dhe në asnjë rast nuk ka shprehur pamundësinë e saj për të siguruar zhvilimin normal të zgjedhjeve. Në zbatim të ligjit ajo kish marrë të gjitha masat për të kryer ato detyra në mbështetje të procesit zgjedhor (pasi ligjërisht administrimi i zgjedhjeve është proces politik dhe Policia deh MPB kanë rol mbështetsë, jo në organizim).

Roli i PSH eshte garantimi i sigurisë për të drejtën kushtetuese. Shteti (Policia që e kap për detyrë) i garantonte zgjedhjet. Vendimi për të anulluar zgjedhjet në Kavajë nuk ka ardhur nga Policia. Sa i përket funksionit, detyrave të PSH sipas ligjit, kam qenë ibindur që ajo i kishte kapacitetet për të garantuar zgjedhjet, jo vetëm në Kavajë por në gjithë territorin. Vendimi është politik, marrë nga Kryeministri, në varësi të situatës së momentit.

Fundjava e kaluar intensive e dialogut, KM e pa të arsyeshme ndërmarrjen e një instrument ilegal si anullimi i zgjedhjeve. Për t’i dhënë PD-së një mundësi reflektimi vullnetmirë të këtij procesi negocimi. Gjë që u keqpërdor nga PD.

KM përdori dhe këtë argument lidhur me arsyetimin me nevojën për të mos i zhvilluar zgjedhjet në Kavajë. Kemi pasur një ligjërim të dhunshëm të PD, që synonin të transformoheshin në organizime konkrete me grupe jashtë strukturave oartiake të PD por nën udhëheqjen, nxitjen e e tyre, që do krijonin rrëmujë, intimidim në ushtrimin e votës, si alibi për dështimin e negociatave.

Komisariati 3 flet për bomba molotov në dyqane.

Jam në dijeni të burimeve nga Policia për identifikimin dhe procedimin e elementeve të tillë.

Nuk do ishte nga ana e protestuesve. Por më shumë do përdorej protesta paqësore e militantëve të PD pë të krijuar tensione dhe përplasje, të cilat ishin në dijeninë time dhe të Policisë tërësisht e aftë për t’i përballuar. Por situata të tilla mund të dalin dhe jashtë kontrolli, dhe mund të krijonin një alibi për dështimin e kompromisit për Zgjedhjet e 18 qershorit, për pamundshmërinë që kisht e negociata.

Nuk jemi në të njëjtën pikë sot. E enjtja, e premtja, e shtuna, kanë qenë ditë negociatash edhe me Presidentin dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje. Zgjedhjet në Kavajë nuk kanë as rolin as peshën e zgjedhjeve të përgjithshme. Për ne nuk kishte nevojë për test. Para një Finaleje nuk luhet kalceto.

KM nuk e dogji, por përdori mundësinë t’i jepte kundërshtarit politik heqjen e një alibie për mungesën e kompromisit.

Zoti Basha gjithë këto ditë flet gjëra që jam shumë i bindur nuk i beson as vetë. Ne (dhe agjenci të pavarura nga qeveria) nuk kemi pasur asnjë të dhënë për konflikt të brendshëm mes qytetarëve. Madje dhe mes militantëve të PS dhe PD ka pasur marrëdhënie korrekte. Qytetarët nuk kanë dashur trazira në qytetin e tyre, të nxitura nga PD. PD ka 1. Shkelur lirinë e votës mes presionit; 2 po shkelte Kodin Zgjedhor pasi një ditë para zgjedhjeve nuk lejohet asnjë tubim nga subjekte politike (s’ka rëndësi i regjistruar apo jo); 3. Ishte tubim i paligjshëm pasi Policia nuk kishte dhënë leje.

PD synonte të sillte militantë në një territor të vogël si Kavaja, duke i penguar qytetarët në të drejtën e tyre të ligjshme për të ushtruar të drejtën e botës.

Ndërsa flet nga Çadra, PD cënon të drejtën e votës. Ajo mund të mos dojë të marrë pjesë në zgjedhje, por shkel Kushtetutënm dhe ligjin kur shkel të drejtën e votës.

Jo, ne nuk mund të akuzohemi se po bëjmë shkelje. Në Kavajë kishte Polici për t’i garantuar zgjedhjet.

Ndalime kemi bërë për atë që prezupozohej se mund të ndodhë. Por jo arrestime, sepse nuk ndodhi diçka.

Ka pasur një shkresë të SHISH për trazira dhe a i ka shkuar ai MPB apo institucioneve të tjera?

Me SHISH kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë për organizimin e Pashkëve, periudhë e njëjtë me kërcënimet ndaj z.Basha por raste pa lidhje me njëra-tjetrën. Ishte gjykuar nga shërbimet e inteligjencës shqiptare dhe ndërkombëtarë se kishte persona që mund të organizonin aktivitete terroriste në territorin shqiptar. Këto janë procese që survejohen, janë më shumë se një moment i caktuar.

Kryemadhi apel demokratëve: Nëse nuk e doni Ramën, votoni LSI-në

Deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”, duke folur për situatën politike është shprehur se shkaktarët e krizës politike janë 2 partitë e vjetra.

Më tej ajo është shprehur se Rama është kryeministër legjitim, por nëse PD nuk e do të votojë LSI-në.

 

“Nëse demokratët nuk duan Ramën kryeministër, të votojnë LSI. PD ka frikë nga ndryshimet dhe humbja. Propozimi i Metës për qeveri besimi me konsultim partnerësh.

Reforma në drejtësi të mos përdoret si ‘kamxhik’ nga palët. LSI sot synon të jetë forcë e parë”-tha Kryemadhi.

Kopliku: “Hap dosjen tënde, ke familje komuniste”, Nishani e dërgon në gjyq ish zëvendëskryeministrin

Një shkrim i shkruar nga ish-zv.kryeministri Bashkim Kopliku, në të cilin fliste me nota negative për Presidenti Bujar Nishani, duket se është kthyer një telash për të.

Shkrimi është botuar në disa media. Mësohet se ka qenë vetë Presidenti Bujar Nishani që e ka paditur në gjykatë ish-zv.kryeministrin Bashkim Kopliku. Nishani ka vendosur që të padisë autorin e shkrimit dhe jo mediat në të cilat është botuar.

“Pasnesër, më 10.05.2017, ora 10:30, në Gjykatën e Rrethit Durrës, me gjykatëse znj. Besjana Garxenaj, zhvillohet procesi gjyqësor me paditës presidentin Bujar Nishani, dhe të paditur opinionistin Bashkim Kopliku (ish-zëvendës kryeministër në periudhën 1992-1994), pra unë.

Presidenti i Republikës synon të më dënojë me 100 000 lekë gjobë, për shkrimin tim me titull “Zoti president, heshtja është faj, kur ushqen gënjeshtrën”.

Shkrimi është botuar nga gazeta Bulevard Durrës, që më 21.02.2017.

Sa po ngjet, është një cenim i lirisë së shtypit në Shqipëri, por edhe një goditje indirekt për secilin nga ju, si botues të Shkrimit.

Nuk di ta ketë bërë një padi kaq absurde ndonjë president a politikan, që nga viti 1991 e deri sot”, shprehet Kopliku.

SHKRIMI I PLOTE QE ÇOI NE GJYQ BASHKIM KOPLIKUN

Zonja Edith Haxhi, ish-zëvëndësministrja e jashtme e Sali Berishes, ajo që u pat bërë e njohur si qeveritarja shqiptare që kishte bërë “studime” ku shante e denigronte rëndë miqtë e shqiptarëve, amerikanët, sapo tha në televizionin ABC, datë 20.02.2017, rreth orës 18:45, pasaktësinë tjetër të radhës: Presidenti aktual Nishani, pavarësisht se ai personalisht mund dhe të ketë qenë enverist i thekur, por ai qenkësh bir i një familje tejet antikomuniste, të persekutuar e të shpronësuar skajshëm nga regjimi komunist…

Është detyrë patriotike, qytetare, demokratike e morale, që po qe se ajo zonja vertetë gënjeu, mos ta lënë pa përgjigje shqiptarët, sidomos durrsakët që e kanë njohur këtë presidentin aktual që kur lindi dhe që kur ishte adoleshent, si dhe familjen e tij që në vitet e para pas luftës së dytë botërore?! Nuk duhet të bëhen shqiptarët e ndershëm, bashkëfajtorë me falsifikimet e historisë, duke heshtur, kur hidhet në publik gënjeshtra kaq të paskrupullta?!

Nuk ka rëndësi të madhe se përse pati guximin, apo mbase injorancën e mendjelehtësinë, zonja që foli; ka shumë rëndësi që të demaskohen po publikisht ato që tha ajo, duke thënë të vërtetat. Vetë Nishani, ky që sot mban postin e presidentit, do të duhej të hapte publikisht dosjen e familjes së tij, para se të kërkojë hapjen e dosjeve të të tjerëve.

Nuk duhet të lejohet që ai, presidenti aktual, të dalë me familje të persekutuar nga komunizmi, ndërkohë që faktet janë të kundërta, e të njohura gjerësisht: tregohen, që prej dhjetra vitesh (unë personalisht i kam dëgjuar nga ju lexues, që nga viti 1970) bëmat në mbështetje të shtypjes komuniste të popullit, të kryera nga etërit e kësaj familjeje superkomuniste. Apo i keni shpifur kësaj “familjeje të gjorë”! Shkruani si është e vërteta.

Debati i plotë në PD – Bregu: Jam e bindur se më 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mblodhi kryesinë dhe Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike 30 minuta pasi Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se koha për të pritur demokratët kishte skaduar dhe ai do të niste fushatën zgjedhore, shkruan “Panorama”.

 

Vendimi i kreut të qeverisë nuk e shfaqi të shqetësuar Bashën përpara deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë, kur deklaroi se zgjedhje pa opozitën më 18 qershor nuk ka për të pasur. Për këtë, Basha kujtoi rastin e zgjedhjeve për Bashkinë e Kavajës, për të cilat, sipas tij, Rama ishte zotuar se do të hynte edhe i vetëm dhe më pas u tërhoq, shkruan “Panorama”.

Në fokus të mbledhjes së Bashës me kryesinë dhe Grupin Parlamentar ishte organizimi për protestën e ditës së shtunë më datën 13 maj. Por ndonëse ishte menduar si një mbledhje që do të diskutonte vetëm mënyrën e organizimit të protestës së 13 majit, gjatë saj nuk kanë munguar debatet.

Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, i ka kërkuar Bashës që PD të mos bojkotojë procesin zgjedhor dhe të mos i cilësojë mospjesëmarrjet në zgjedhje si fitore duke iu referuar rastit të zgjedhjeve në Kavajë, shkruan “Panorama”. 

DEBATI 

Lulzim Basha: Kjo mbledhje njëkohësisht e Grupit Parlamentar dhe kryesisë së partisë është në funksion të organizimit të protestës së 13 majit që Partia Demokratike do të organizojë. Kjo duhet të jetë një protestë masive, e cila në vazhdim të asaj që realizuam më 18 shkurt, të tregojë vendosmërinë e kësaj beteje që kemi nisur. Puna për organizimin e një proteste shumë të madhe kishte nisur prej kohësh, e kam fjalën për atë që do të realizonim në Kavajë. Pavarësisht anulimit të saj, besoj se ajo që ndodhi me atë protestë duhet të jetë një rrugë e vlefshme për ne për atë që duhet të bëjmë në vijim. Kam pasur një takim me kryetarët e degëve dhe kam dhënë udhëzimet përkatëse për çdo strukturë. Kjo duhet të jetë protesta më e madhe që është organizuar në vend. Për këtë fakt, dua që të nisë menjëherë puna në terren nga secili prej jush për të mundësuar një tubim madhështor, i cili, dua të theksoj, duhet të jetë tërësisht paqësor.

Majlinda Bregu: Në fakt, unë nuk e shoh me vend mospjesëmarrjen në zgjedhje. Kam bindjen se kauza kryesore e Partisë Demokratike është dhe duhet të jenë zgjedhjet e lira e të ndershme, por druhem se përmes kësaj kauze po i japim një alibi Edi Ramës që të bëhet mret dhe të mretërojë në qetësi në parlamentin tjetër. Kjo është një çështje shumë delikate që po na vë në vështirësi edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët duhet ta themi se nuk e kanë lënë PD-në vetëm as në vitin 1997. E kam thënë edhe në mbledhjen e kaluar se personalisht besoj se zgjidhja politike duhet të vijë përmes një dialogu tuajin me Edi Ramën.

Lulzim Basha: E keni gabim. Jeni e bazuar në një premisë të gabuar, premisën e mospjesëmarrjes në zgjedhje. E kam thënë dhe e kemi thënë se nuk ka bojkot të zgjedhjeve, nuk ka mospjesëmarrje në zgjedhje nga ana e opozitës. Ne kemi vendosur për luftë totale, paqë- sore, për të mos lejuar marrjen peng të zgjedhjeve nga krimi dhe nga droga. Kaq e thjeshtë është. Por unë nuk mund të negocioj asgjë me një njeri që në një kohë që partnerët tanë ndërkombëtarë pranojnë përmasat e çështjes së drogës dhe përfshirjen e individëve me rekorde kriminale në poste të larta shtetërore, thotë se ato nuk ekzistojnë.

Majlinda Bregu: Unë kam qenë pjesë e atyre negociatave dhe kam qenë në dijeni të ofertës që do t’i bëhej Partisë Demokratike. Vendimi për ta refuzuar atë ofertë ka qenë i juaji, sepse Grupi Parlamentar nuk është mbledhur për t’u konsultuar ky vendim. Në gjykimin tim, refuzimi i paketës së zv.presidentit të PPEve, McAllister, është një gafë politike që do të mbahet mend shumë gjatë. Mua personalisht janë një sërë çështjesh që më bëjnë të ndihem keq. Ju thatë se fitorja e Kavajës të na shërbejë për të ardhmen, qofsha gabim, por nuk besoj se zgjedhjet, të cilat nuk zhvillohen, duhet të konsiderohen fitore.

Lulzim Basha: Edhe një herë po e përsëris se nuk kemi marrë asnjë vendim për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare. Por zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe droga nuk do të lejojmë jo më 18 qershor, por në as në një datë tjetër. Jemin Gjana: Nëse ka një vendim për bojkot të zgjedhjeve parlamentare, ky vendim duhet të kalojë përmes kryesisë së partisë. Sepse këto janë vendime aq madhore sa mund t’i marrë vetëm kryesia dhe jo një individ i vetëm.

Majlinda Bregu: Unë nuk flas vetëm për 18 qershorin, sepse nëse flasim për atë datë, jam e bindur që më 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Por pas kësaj situate që po përballemi, besoj se është detyrë e çdo demokrati të kontribuojë për rindërtimin e Partisë Demokratike. Vazhdimi i luftës politike jashtë institucioneve nuk e bën Partinë Demokratike më të madhe.

Ilir Meta nis turin falënderues, ja ndalesa e parë

Ashtu siç kishte premtuar tashmë që është një anëtar i thjeshtë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-kryetari Meta, i zgjedhur President i republikës, ka nisur turin falenderues ndaj të gjithë personave që e mbështetën ndër vite si kryetar të kësaj force politike.

Ndalimi i parë ishte në qytetin e Beratit. Meta ka falënderuar përzemërsisht të gjithë anëtarët dhe simpatizantët për mirënjohjen dhe respektin që kanë treguar ndaj tij personalisht dhe ndaj LSI-së, duke e rritur si forcë politike ndër vite.

Ish-kreu i LSI-së Meta më 24 korrik betohet si president i Shqipërisë, pas mbarimit të mandatit 5-vjecar të Bujar Nishanit.

Ylli Manjani: Vendi po shkon në përplasje, Rama të dorëhiqet

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka paralajmëruar tensione per shkak te konfliktualitetit politik qe eshte ne kulm.

I ftuar në studion e Ora News, Manjani tha se vendi po shkon drejt përplasjes për shkak të polarizimit politik. Sipas tij, për herë të parë që nga viti 1991, po hyhet me leva në zgjedhje duke sajuar opozita.

“Vendi tashmë në kuptimin e polarizimit politik po shkon drejt përplasjes dhe kjo është një gjë e pa dëshiruar dhe është një gjë që ata që po e kurdisin po bëjnë gabim shumë të rëndë. Besoj kriza ka dy anë. Për fat po pranohet që jemi në krizë politike pasi sot ishim në fazën e mohimit. Edhe farsa e regjistrimit të partive dhe listave të kandidatëve në mënyrë të paligjshme. Merreni dhe lexojeni si të doni ligjin.

Në orën 12 të natës më 28 prill ka përfunduar afati ligjor. Afate politike ka sa të duash. Nuk na kishte ndodhur deri më sot që pas 91-t të hyjmë në zgjedhje me levat e partisë, të sajojmë parti të krijojmë opozitën. Kjo nuk është normale. Përplasja është e padëshiruar. Unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhi më shumë për të kuptuar se vendi po shkon në përplasje.

Kur i fiton zgjedhjet pse duhet të jesh arrogant? Këtë nuk e kam kuptuar asnjëherë. Sa më shpejt të ulesh në tryezë me opozitën aq më shpejt do të shkohet në zgjedhje. Sa më gjatë, opozita do të radikalizohet. U pa çadra me përçmim, jo kriminelë, jo vettingu. Janë shqiptarë edhe ata nuk janë serbë dhe kjo është e patolerueshme.

Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Unë nuk mund të them kush ka të drejtë, por jam i bindur dhe mbetem i bindur se arroganca është arsyeja e kësaj krize. Jam i bindur se sistemi politik në Shqipëri është në krizë të thellë prej vitesh. Pa diskutim dashuriçkat e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në kurriz të Kushtetutës së vendit kanë këtë pasojë. E gjithë kjo situatë kërkon zgjidhje.

Bota demokratike kërkon zgjedhje dhe pjesëmarrje të të gjitha partive. Pavarësisht nga ndonjë ambasadori/reje, e cila sillet vërdallë këtu për agjenda të tyre. Është detyrë e shtetit shqiptar të realizojë këto zgjedhje.

Kryeministri duhet të paguaj koston e arrogancës që ka sjellë krizën politike në këtë vend, qoftë edhe me dorëheqje. Zgjedhjet i ka të fituara, çfarë problemi ka? Përballë përplasjes së shqiptarëve, do ketë zgjidhje edhe më të buta. Edhe më të përgjegjshme”, tha ai.

Skënder Minxhozi: “Po hyjmë në një 40 ditësh të nxehtë, Basha do bëjë që të dështojë edhe 18 qershori”

Analistet parashikojne dite te veshtira ne vijim. Ne nje shkrim per “javanews”, Skender Minxhozi mendon se kreu i PD Lulzim Basha, pasi nuk ia doli me zgjedhjet ne Kavaje se PS terhoqi kandidatin e saj, do beje qe te deshtojne edhe zgjedhjet e pergjithshme ne 18 qershor.

“Po hyjmë në një 40 ditësh të nxehtë fushate elektorale, ku do të kryqëzohen rrezikshëm dëshirat dhe trysnitë diametralisht të kundërta të dy kampeve, të cilët do të kërkojnë me çdo kusht që ta çojnë kudërshtarin në disfatë.

Edi Rama duke kryer procesin formal të rinovimit me votë të mandatit më 18 qershor, kurse Lulzim Basha duke bërë që të dështojë edhe dita e zgjedhjeve të përgjithshme.

Ashtu siç dështoi Kavaja. Dy ushtri të rreshtuara përballë, por që në mes do të kenë edhe një herë, si përherë, arbitrat e huaj. Ata që historikisht na kanë thënë nëse kemi bërë mirë a keq, nëse e kalojmë klasën apo mbetemi për vjeshtë, nëse votuam siç duhet apo duhet të votojmë nga e para.

Por me një ndryshim: kësaj rradhe ata kanë folur ende pa u hedhur asnjë fletë votimi në kutitë e 18 qershorit. Zgjedhjet janë legjitime, ky është verdikti i tyre!”, shkruan Minxhozi.

Strategjia e PD për të bllokuar zgjedhjet – Anëtarët opozitarë braktisin mbledhjen kur do miratohej lista e PS

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi  mbledhjen e radhës ku në rend te ditës ishte shqyrtimi i listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare i 8 subjekteve politike, mes tyre PS, FRD dhe Partisë Komuniste.

Tre anëtarët e opozitës braktisën sot mbledhjen e KQZ, ku po shqyrtoheshin listat të kandidatëve për deputetë. Largimi nga mbledhja erdhi pas rrëzimit me votë nga katër anëtarët e mazhorancës të propozimit të nënkryetarit të KQZ, Hysen Osmanaj, për shtyrjen me 24 orë të shqyrtimit të listave të 5 partive.

“Unë them që 5 parti: Aleanca Demokratike, Aleanca Demokristiane, Aleanca Arbnore Kombëtare, Fryma e Re Demokratike dhe  Partia Komuniste e Shqipërisë, të merren në shqyrtim nesër, ka afat dhe të shtyhet 24 orë.

Osmanaj tha gjatë mbledhjes se “materialet na kanë ardhur në orën 16:00 dje ose më vonë, më rezultojnë se kanë parregullsi të mëdha. Propozoj që 5 parti të mos i kalojmë sot. Të kalojmë partitë që nuk kanë lista mbështetëse, Partinë Socialiste, Partinë Kristian Demokrate, Aleancën Popullore për Drejtësi dhe Partinë Socialdemokrate. Kemi 48 orë afat, pra kemi afat edhe nesër për ti verifikuar”.

Rendi i dites

1-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Aleanca Demokratike, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 2-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Socialdemokrate, për zgjedhjet      për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 3-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 4-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Aleanca Demokristiane, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 5-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 6-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Aleanca Popullore për Drejtësi, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 7-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Fryma e Re Demokratike, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 8-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Komuniste të Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

 9-    Për miratimin e listave shumemёrore të Partisë Kristian Demokrate, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.

Qytetari: “Shpjego çfarë do vrasësi i 21 Janarit te listat e Rilindjes?”, reagon Rama

Një ditë më parë me anë të një statusi në “Facebook”, kryeministri Edi Rama postoi një foto ku ironizonte kreun e PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Beridha dhe kreun e Partisë Demokristiane Nard Ndoka.

Por sikundër është bërë traditë pas çdo komenti nga ana e qytetareve, kryeministri Rama në shumicën e rasteve nuk heziton pa iu kthyer përgjigje.

Në këtë posti një qytetarë i ka shkruar që të lërë këto ironia por të shpjegojë se çfarë do vrasësi i 21 Janarit tek listat e rilindjes.

Lidhur me këtë koment vetë Rama ka reaguar duke i thënë qytetarit se nuk di çfarë flet.

Komentuesi: Leri mor keto ti po shpjego cdo vrasesi i 21 janarit ke listat e rilindjes??? Apo e shperblyet per planin qe jau coi deri ne fund (( i dhate urdher te vrase qe ta kthenit ne ceshtje kombetare dhe te akuzonit ishkryeministrin si vrases))) spaska pas me plera e intrrigante se ju rilindasit tere jeten me eliminime personash per pushtet jeni marre e keta dele idiote qe ju ndjekin nga prapa si servila 24 karatesh. Jepi pergjigje pyetjes pse eshte ke listat vrasesi??? Po ske nje pergjigje ti je ai qe duhet denuar per kospiracion dhe organizim per eliminim personi per perfitim pushteti.

Rama: O Ervin, o gjynahqar qe s’di cfare flet po shkruan e shan si te jesh dehur ne Cader?🙄Cili vrases i 21 janarit o i dehur nga genjeshtrat e rrugeve, qe u thua dele idiote njerezve, nderkohe qe je shqepur me bar Cadre e pellet ketu si te kishe kater kembe e veshe me te gjate se kembet!🙉 Jo or jo, eshte genjeshter nga ato me bishtin e gjate si ajo qenia me te cilen ngjan ti kur shan njerezit dhe je ti qe duhesh denuar si ata nxenesit e keqinj qe i vinte mesuesja te rrinin me nje kembe para klases ne tetevjecare😂

ERTR

“Fitoren e parë e mori PD…”, reagon Rama: Ja pse me 7 Maj s’kishte ndeshje

Pas terheqjes së Ramës nga gara për zgjedhjet e Kavajës, të shumta kanë qenë komentet dhe reagimet nga ana e qytetarëve të cilit i shkruajnë në postimet e tij në “Facebook”, se kjo është vetëm fitorja e parë për PD-në.

rama-per-komentet1-300x254

Një prej komentuesve i shkruaj se për rastin e Kavajës, kjo është vetëm fitorja e parë për PD­-në.

“Fitoren e parë e mori PD ja i pa fuqishem shteti para Lulit kjo do me thënë se s’ka shtet nuk ka forcën, për të garantu zgjedhje të lira prandaj ik sa më shpejt e leje populli të qetë”, shkruan qytetari.

E fill pas kësaj i është përgjigjur kryeministri Rama, i cili i tha se “Arben, fitore pa ndeshje pastë gjithmonë Luli se vetëm ato ka pasur që kur e ka marrë Doktori për dore dhe e ka futur në politikë, sa për shtetin rri i qetë se shteti nuk është për të marrë pjesë në stervitjet e Lulit”.

ram

Kokëdhima sfidon Ramën: Dua të bëhem kryeministër

Gjatë një takimi me socialistët dhe mbështetësit e partisë ZGJIDHJA në Pogradec, drejtuesi i saj, Koço Kokëdhima deklaroi se partia e tij nuk do të futet në zgjedhje parlamentare me sistemin aktual zgjedhor. “ZGJIDHJA nuk do futet kurrë në zgjedhje jogjithëpërfshirëse.

“Zgjidhja” nuk do futet kurrë në zgjedhje pa opozitën. “Zgjidhja” nuk do të legjitimojë kurrë zgjedhje që përçajnë popullin tonë. “Zgjidhja” do udhëheqë luftën për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ne nuk do të futemi në zgjedhje që i administrojnë partitë e mëdha. Ne nuk do të pranojmë kurrë të futemi në zgjedhje me këtë sistem. Ne nuk do t’ia besojmë kurrë numërimin dhe administrimin e votave tona Rilindjes dhe PD-së!”- u shpreh Kokëdhima përpara të pranishmëve.

Duke komentuar anulimin e zgjedhjeve të parashikuar në Kavajë të dielën, Kokëdhima tha se ai e kishte  paralajmëruar këtë. “Disa herë kam deklaruar se zgjedhjet e 7 majit, dhe bashkë me to edhe zgjedhjet e 18 qershorit, janë hedhur në erë. Nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të imagjinoheshin pa opozitën, qeveritarët e Tiranës duhet ta dinë se vendi do të destabilizohet dhe do kthehet në kohën kur bandat do dilnin rrugëve.

Të gjitha projeksionet ekonomike për 2017 dhe për vitet që vinë do të përmbysen. Nga një situatë e tillë do të përfitonin ata që duan destabilizimin e Shqipërisë, armiqtë e saj dhe bota e krimit dhe kriminelëve të të gjitha llojeve”-u shpreh drejtuesi i partisë “Zgjidhja”.

Kokëdhima akuzoi Ramën se është përpjekur të fshehë e të mohojë të vërtetën e krizës së thellë dhe të shumëfishtë që ka përfshirë vendin tonë. “Ai u përpoq të manipulojë opinionin e brendshëm dhe t’u hedhë hi syve partnerëve ndërkombëtarë vetëm e vetëm për të mos bërë reformën zgjedhore, liberalizimin e tregut elektoral dhe pastrimin perfundimtar të zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të mbajtur në këmbë zgjedhjet e manipuluara dhe pa standarde”.

Kokëdhima u shpreh se për ta bërë Shqipërinë që duan të gjithë shqiptarët ai do të synojë të jetë së afërmi kryeministër: “Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të arthmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken ëndrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi”

Fjala e plotë e Kokëdhimës në Pogradec

Të dashur miq!

Ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen dhe për mbështetjen. Kudo në Shqipëri, njerëzit na kanë pritur  në mënyrën më të shkëlqyer. Sallat e takimeve tona janë rrafsh dhe duken të vogla. Njerëzit e presin Zgjidhjen me entusiazëm dhe besim. Tezat, idetë, propozimet dhe qëndrimet e “Zgjidhjes” kanë përkrahje të gjerë në rradhët e popullit, por sidomos në rradhët e rinisë universitare dhe shkollore, në rradhët e rinisë dhe të gruas në fshat e në qytet. Rinia dhe gratë janë mbështetja më e madhe e “Zgjidhjes”.

Me sa duket nga rinia dhe gratë do vijë energjia më e madhe transformuese e “Zgjidhjes”. Rinia dhe gruaja është pjesa më e ndershme e shoqërisë shqiptare, pjesa më e pastër dhe më e painfektuar nga degradimi moral i shoqërisë, nga mëkatet e mëdha që u bënë në këto vite kundër natyrës, mjedisit, shtetit dhe ligjit, kundër jetës, shëndetit dhe sigurisë së njerëzve, kundër ekonomisë, mirëqenies dhe pasurisë publike e kombëtare, kundër meritës, edukimit të shëndoshë, vlerave, parimeve të demokracisë dhe zakoneve të mira të vendit.

Rinia dhe gruaja do të bëjnë ndryshimin. Ato do të jenë burimi kryesor i energjisë që do të mobilizojë “Zgjidhja” për të bërë katharsisin që i duhet shoqërisë shqiptare për t’u çliruar nga këto mëkate dhe nga kjo elitë e degjeneruar politike, nga kasta sunduese e korruptuar, nga ky sistem i kalbur politik dhe nga ky regjim antidemokratik, nga tirania e skamjes dhe e korrupsionit, nga tirania e krimit dhe e hashashit. Rinia dhe gruaja janë zgjidhja.

Me këtë nuk dua të them se burrat nuk janë të rëndësishëm për Zgjidhjen. Ne vlerësojmë çdo qytetar të Shqipërisë. Çdo individ ka rëndësi të madhe. Ne do u japim vëmendje e mbështetje, dëgjim e respekt të gjithë njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Të gjithë njerëzit e haruar, të shkelur, të varfër e të përbuzur kanë një rol të madh për të kryer, kanë një punë të madhe për të bërë me zgjidhjen: Krah për krah me rininë dhe gratë të përmbysim këtë konjukturë dhe këtë regjim antidemokratik e mizor që sundon prej 25 vitesh në Shqipëri.

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju prezantoj Kryetaren e rinisë së “Zgjidhjes” së Shqipërisë dhe Kryetaren e Gruas së “Zgjidhjes” së Shqipërisë, respektivisht Ermela Demollaj, shkurtimisht Mela Demollaj dhe Anelita Lila, shkurtimisht Ana Lila. Ermela Demollaj është 30 vjeçe. Ajo ka studiuar kontabilitet. Është një vajzë me cilësi të jashtëzakonshme, shumë punëtore dhe e zonja, me shpirt sipërmarrës dhe guximtare, me iniciativë dhe trimëreshë. Ajo do ta udhëheqë rininë e “Zgjidhjes” me kompetencë e përgjegjësi të madhe. E ftoj këtu përpara jush.

Kryetare e gruas së “Zgjidhjes” në Shqipëri është Anelita Lila. Ajo ka studiuar psikologji. Është 35 vjeçe. Ka përvojë të gjërë pune në media, biznes, marketing e menaxhim. Ka njohje të gjera. Është nënë dhe ka një bashkëshort të shkëlqyer që e mbështet me përkushtim të rrallë në karrierën e saj. Ana ka cilësi të larta. Është e vëmendshme dhe një luftëtare e vendosur për të drejtat e grave, për lumturinë e tyre dhe të popullit tonë. Ajo do jetë një politikane e rëndësishme e “Zgjidhjes” dhe e Shqipërisë. Ejani këtu, ju lutem,  zonja Anelita.

Ju uroj shumë suksese në detyrat tuaja shumë të larta. Ju siguroj se rinia dhe gratë e Shqipërisë do ju japin një mbështetje të jashtëzakonshme. Ftoj të gjithë të pranishmit në sallë, t’i përcjellim Ermelën dhe Anelitën me shumë duartrokitje.

Pogradeci është një qytet i dashur jo vetëm për ju por për gjithë shqiptarët. Unë kam pasur rastin e lumtur në jetë të njoh djem e vajza dhe burra e gra plot talente si piktori i shquar Anastas Kostandini që i bën nder Pogradecit dhe Shqipërisë dhe këngëtaren e dashur Ermira Babaliu. Ardi Fejzullari është një artist i fotografisë që punon e jeton këtu që ashtu si Taso duan të provojnë se ky vend nuk do shuhet kurrë dhe do vazhdojë të nxjerrë e të ketë artistë të mëdhenj dhe njerëz të mirë. Jam shumë krenar për miqtë e mi dhe bashkëpuntorët e shquar e të dashur që kam bërë në jetë nga kjo trevë si Sajmir Aliçkollin, Erjon Gjergon, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, Rudi Bregun, Vilma Lamçen, Enkelejda dhe Arlinda Purën, Irida Hamzallarin, Denisa Petrën, Laerta Xhanin, Marsela Kollçaku e shumë të tjerë që të më falin se nuk mund t’i përmend dot të gjithë.

Situata në Shqipëri është shumë e ndërlikuar. Vendi po përgatitet për zgjedhjet e 18 qershorit. Këto zgjedhje nuk do jenë as të lira, as të ndershme, as gjithëpërfshirëse dhe as paqësore. Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare ku populli ynë shkon i përçarë. Kriza që ka përfshirë vendin është e thellë, e plotë, e gjithanshme dhe e shumëfishtë. Qeveria dhe elita politike përpiqen të fshehin përmasat dhe rrënjët e vërteta të kësaj krize. Edhe Partia Demokratike nuk i thotë të gjitha të vërtetat e kësaj krize, i fsheh një pjesë ta madhe të tyre. Partia Demokratike e provokoi me çadrën dhe protestën e saj të pandërprerë këtë krizë që në të vërtetë është krijuar nga abuzimet dhe keqqeverisja e elitave politike të të dy krahëve në vite.

Shqipëria është sot vendi më i varfër, më i korruptuar dhe më i pashpresë në kontinent. Papunësia është shumë e lartë, pagat shumë të vogla, niveli i lirive është më i ulët se kurrë. Popullit i janë grabitur dhe nëpërkëmbur të gjitha të drejtat esenciale dhe elementare, përfshi të drejtën për të jetuar në tokën e vet. Në vend të demokracisë kushtetuese këtu sundon regjimi i partitokracisë, një konjukturë dhe oligopol i kryetarëve të partive të mëdha që ka kriminalizuar deri në palcë çdo qelizë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Ky rregjim ka përjashtuar popullin nga e drejta e pjesëmarrjes në qeverisje dhe e  ka përqëndruar këtë në 4-5 duar.

Regjimi i partitokracisë, i përdor të gjitha burimet financiare, natyrore, materiale dhe njerëzore të shtetit dhe të pushtetit për të bërë para dhe pushtet për kryetarët e partive dhe klikat e tyre. Paratë këta i përdorin për të shtuar e kontrolluar pushtetin dhe për të bërë vota. Votat i përkthejnë në pushtet. Dhe pushtetin e përdorin për të bërë para me tendera, koncensione, shitje vendesh pune, shërbimesh e të drejtash publike dhe përmes trafikimit dhe tradhëtimit të interesave shtetërore.

Ka shumë ngjashmëri në veprimtarinë politike të kryetarëve dhe partive politike shqiptare të këtyre 25 viteve. Të gjithë kryetarët e partive dhe klikat e tyre kanë ndjekur të njëjtin parim: Qëllimi i vetëm i kryetarëve dhe klikave të tyre në ushtrimin e pushtetit është rritja e pushtetit dhe parave të tyre. Ndërkohë qëllimi i vetëm i rritjes së parave dhe pushtetit të kryetarëve të partive dhe klikave të tyre në pushtet, është rritja e mëtejshme e pushtetit dhe pasurisë së tyre! Me fjalë të tjera: Qëllimi i rritjes është vetëm rritja në fjalë. Kjo është ideologjia e qelizave të kancerit! Ato shtohen vetëm për t’u shumëfishuar me shpejtësi marramendëse. Nuk kanë asnjë funksion tjetër jetësor. Përkundrazi, shkatërojnë çdo funksion jetësor të trupit ku mbijnë dhe rriten!

Ja pse partitokracia që sundon në Shqipëri po i varros aspiratat e shqiptarëve që rrëzuan komunizmin me shpresë se këtu do të sundonin liritë politike, të mendimit, opinioneve e të shprehjes, liritë ekonomike, njerëzore e qytetare, liria e konkurencës dhe shteti ligjor, shpresa dhe besimi, e drejta për të punuar dhe për të jetuar me dinjitet, për t’u shërbyer me kompetencë dhe mirësjellje nga administrata dhe pushteti, e drejta për të zgjedhur, e për të refuzuar, e drejta për t’u dëgjuar me respekt dhe për t’u zgjedhur lirisht.

PD dhe PS janë bashkëpërgjegjëse për këtë krizë të rëndë që po përjeton Shqipëria. Kjo krizë e shumëfishtë, ekonomike, besimi, vlerash, morale dhe politike, ka në themel shkatërrimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, shkatërrimin e të drejtës së popullit për të zgjedhur përfaqësuesit e tij, për të ushtruar sovranitetin përmes votës dhe për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit. Ka në themel uzurpimin dhe shkatërrimin e partive politike nga oligarkët e dalë nga elita e korruptuar politike që po i pinë gjakun popullit shqiptar.

Këta politikanë dhe qeverisjet e tyre janë cinikë, të pashpirt e mizorë. Ata jo vetëm që nuk mendojnë për popullin tonë të shumëvuajtur dhe për nevojat e qytetarëve të thjeshtë, për njerëzit që e nxjerrin bukën dhe jetën e tyre me djersën e ballit, por mendojnë se sa më i mjerë e i këputur të jetë ky popull, sa më i shkelur e i varfër, sa më i përbuzur e i nëpërkëmbur; sa më i harruar e i nënvleftësuar të jetë qytetari shqiptar, aq më i sigurtë dhe më i gjatë është sundimi i tyre.

Kriza që ka filluar të shfaqet është vetëm maja e ajsbergut. Nën terrin mediatik dhe propagandistik që përhap qeveria, situata po zjen. Populli e di shumë mirë se kjo kastë politike ka 25 vite që e mashtron dhe e vjedh, nuk u zë më besë këtyre politikanëve. Shqiptarët e shtypur e të vjedhur po zgjohen e po lëvizin, po ndërgjegjësohen e po gatiten për luftë.

Kjo luftë nuk do të bëhet për kauzat e PD-së. Sistemi politik dhe elektoral që kemi sot është ai që ndërtoi Berisha dhe Rama dhe që e la në fuqi Berisha përpara katër vitesh. Nga ky sistem dhe nga të dy palët në fjalë kanë vuajtur dhe po vuajnë të gjithë në Shqipëri. Ky sistem është ngritur në kundërshtim me nenin 2 të kushtetutës që thotë se: “1. Sovraniteti në Shqipëri i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”.

Kjo luftë do të bëhet për kauzat e lirisë e të sovranitetit të popullit. “Zgjidhja” do qëndrojë në krye të kësaj lufte. Është moment historik. Momenti për të vendosur zgjedhjet e lira, demokracinë kushtetuese dhe sovranitetin e popullit shqiptar. Kjo do të bëhet vetëm me angazhimin e drejtpërdrejtë të popullit siç përcaktohet në nenin 2 të kushtetutës.

Po fillon rrëzimi, rrënimi, përmbysja dhe shkatërrimi i kastës së korruptuar dhe i regjimit kriminal të partitokracisë që ka sunduar në Shqipëri këto 25 vite, regjimi i kryetarëve të partive, tirania e korrupsionit dhe e hashashit, rregjimi që i ndan institucionet e shtetit në feude për servilët dhe shërbëtorët e pushtetit të kryetarit, rregjimi i pashallarëve të zinj!

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë ndërtuar regjimin famëkeq të partitokracisë. Ato kanë monopolizuar dhe shkatërruar zgjedhjet. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Vetëm 4 parti numërojnë e rindajnë sipas qejfit votat e gjithë partive të tjera. Militantët e tyre të urdhëruar vjedhin e shqyejnë votat në çdo palë zgjedhje. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vjedhin dhe deformojnë çdo palë zgjedhje edhe kur janë në pushtet edhe kur janë në opozitë. Kuptohet se kush është në pushtet vjedh, blen e deformon më shumë vota.

Misionet e huaja të monitorimit dhe çertifikimit, kanë dështuar plotësisht të ndihmojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Diplomatët e huaj kanë në Tiranë ndikimin më të madh që kanë shërbimet e ngjashme dhe kolegët e tyre në vendet e tjera. Kjo ndodh jo vetëm për faktin se qeveritarët e politikanët e Tiranës, sa janë brutalë e arrogantë me qytetarët dhe popullin e Shqipërisë, aq edhe më shumë janë servilë e të përunjur ndaj diplomatëve të huaj, por ciç e dimë të gjithë, këta qeveritarët tanë janë të korruptuar e të kapur dhe lehtësisht të shtërnguar nga presioni ndërkombëtar.

Me të drejtë opinioni publik shqiptar ngre dyshime për këta diplomatë të huaj që çertifikojnë zgjedhjet shqiptare si të pranueshme pavarësisht problemeve për 23 vite me rradhë. Ata e dinë shumë mirë se zgjedhjet shqiptare janë të papranueshme në botën e sotme demokratike. Unë dua t’i pyes publikisht këta ambasadorë të huaj: pse ja bëni Shqipërisë këtë gjë që nuk do e pranonit kurrë për vendet tuaja?

Unë nuk dua t’i bashkohem opinionit që ndeshet gjthnjë e më shpesh se disa diplomatë të huaj mbyllin sytë ndaj keqqeverisjes dhe zgjedhjeve pa standarde në Shqipëri sepse ata përfshihen në interesa specifike me qeverinë. Zullumi me zgjedhjet është trashur në ekstrem, nuk mban më dhe do të këputet.

Në se këto zgjedhje do bëheshin në një vend nga vijnë zotërinjtë diplomatë në fjalë, vendet e tyre do përfshiheshin në zjarr, në flakë e në përleshje. Këta diplomatë e dinë shumë mirë se pa zgjedhje të lira e të ndershme sistemi nuk funksionon, elitat politike nuk përtërihen, demokracia kushtetuese shndërrohet në një farsë dhe asnjë reformë tjetër nuk jep rezultate. Si mund të pretendojnë këta diplomatë për reformë drejtësie në Shqipëri kur ky vend nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme? Kjo nuk qëndron, nuk bën sens.

Reforma zgjedhore dhe pastrimi përfundimtar i zgjedhjeve në Shqipëri është reforma e të gjitha reformave, është mëma e të gjitha reformave. Fakti se këta diplomatë të huaj me influencë të madhe në qeverisjen e vendit tonë për kaq kohë injorojnë plotësisht situatën reale të zgjedhjeve, e vë në dyshim gjithë sinqeritetin e tyre në investimin për reformën në drejtësi. Drejtësinë e Shqipërisë nuk do e regullojnë as këta diplomatë dhe as elita e korruptuar politike e Tiranës. Qeveria e ka bërë, e bën dhe do e bëjë korrupsionin edhe në të ardhmen.

Qeveritarët e majtë e të djathtë dhe elita politike shqiptare janë burimi më i madh i korrupsionit edhe në drejtësi. Drejtësia dhe çdo pushtet tjetër në Shqipëri do të fillojnë të regullohen vetëm kur sovrani të vendoset në rolin e vet në demokraci, në rolin e sovranit. Vetëm kur populli të zgjedhë vetë përfaqësuesit në të gjitha pushtetet përmes primareve dhe përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme me standarte dhe gjithëpërfshirëse si në të gjitha vendet e tjera demokratike të botës.

Si mund t’i besojmë këta diplomatë që thonë se mund të bëhet reforma në drejtësi edhe pa zgjedhje të lira e të ndershme, me zgjedhje pa standarde dhe jo gjithëpërfshirëse? Me këto zgjedhjet pa opozitën i bie që lidershipi i Rilindjes do të jetë edhe qeveria edhe opozita e ardhëshme. Kështu reformën në drejtësi do e bëjë Rilindja me kukullat e saj. Po kush shqiptar mund të besojë se Rilindja do bëjë reformën në drejtësi? As Rilindja vetë nuk beson te drejtësia e saj.

Rama është një kryeministër me një qeveri që ndërhyn tek njerëzit e drejtësisë, bën shantazhe e presion mbi çdo gjykatës dhe te çdo trup gjykues, kap prokurorët dhe ndërhyn te policët gjyqësorë, porosit procese e dënime penale për emra e persona të veçantë, urdhëron vetë dënime e ndëshkime të çdo lloji, pushon njerëz të thjeshtë nga puna për shkak të dallimeve të pikëpamjeve politike e filozofike, largon nga forumet e partisë pa asnjë rregull, forcërisht e me dhunë, çdo person që mendon ndryshe nga ai.

Të besojmë se këta ambasadorët në fjalë janë naivë dhe mendojnë se zoti Rama si “sulltani i vogël” i parlamentit të ardhshëm jopluralist do t’u japë shqiptarëve drejtësinë e ëndërruar dhe të bëjë drejtësinë të aftë për të kapur dhe ndëshkuar korrupsionin e qeverisë dhe zyrtarët e tij të lartë që merren me narkotrafikun. Ky duket si vetëmashtrim. Të gjithë thonë gjërat që duan të dëgjojnë veshët e shqiptarëve të thjeshtë e të lodhur, por nuk janë duke bërë në fakt çfarë duan shqiptarët. Të gjithë janë duke bërë punët e tyre.

Reforma në drejtësi ka dështuar bashkë me dështimin e reformës zgjedhore. Këto janë dy dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Shqipëria nuk mund të ngrejë kokë nëse nuk bën reformën zgjedhore, votimin elektronik në qendrat e votimit, numërimin elektronik, zëvendësimin e administratës zgjedhore partiake me një administratë zgjedhore shtetërore, futjen në fuqi të një pakete të plotë me masa të rrepta ligjore që do të garantonin pastrimin e zgjedhjeve nga çdo fenomen i deformimit, cenimit dhe tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve. Duhet gjithashtu të ndërhyhet në kodin elektoral dhe në kushtetutë për t’i dhënë zgjidhje problemeve që kanë ngritur partitë e vogla, nevojës për hapjen e tregut politik, për respektimin e konkurrencës dhe diversitetit të përfaqësimit të votës së popullit në parlament.

Dua t’i pyes publikisht edhe një herë diplomatët e huaj në Tiranë: Kur e mendoni ju se është momenti që Shqipëria dhe shqiptarët të meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme me të njëjtat standarde si për të gjithë popujt e tjerë të demokracive perëndimore? Shqiptarët janë populli më proamerikan dhe më proeuropian në botën europiane. Ata kanë zgjedhur me besim të thellë dhe me koshiencë të plotë kombëtare, politike dhe kulturore të integrohen plotësisht në NATO dhe në BE. Megjithatë, shqiptarëve prej 23 viteve ju mohohet e drejta që të mbajnë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Zgjidhja” as nuk pret dhe as nuk dëshiron që diplomacia euroatlantike të bëhet palë me Partinë Demokratike, por nuk pret dhe nuk dëshiron që të bëhet palë as me qeverinë dhe me mëkatet e saj në kurriz të popullit tonë. Koha për zgjedhje të lira e të ndershme është sot. Situata nuk mban dhe nuk duron më. Zgjedhjet e sivjetme duhet të bëhen me standardet më të mira. Nuk është asnjë humbje nëse shtyhen zgjedhjet në vjeshtë. Humbje e rëndë është në se bëhen zgjedhje si ato që janë bërë deri sot.

Populli ynë ka një besim të madh te Presidenti Trump. Ai është një njeri i drejtë dhe me zemër të madhe, e ka provuar në garën e vetë për president se sa të gabuar dhe të padrejtë janë kryeministri ynë dhe qeverisja e tij. Shpreh besimin se administrata e presidentit Trump do të ushtrojë gjithë ndikimin e vetë për të ndihmuar popullin tonë ta kapërcejë këtë moment të vështirë.

Shqipëria është në një moment kyç të historisë së saj. Ajo duhet të instalojë sot dhe përfundimisht zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme, të paqta dhe gjithëpërfshirëse. Shqipëria duhet të shkatërrojë sot sistemin e oligopoleve dhe monopoleve që sundojnë në politikën dhe në ekonominë e vendit. Sistemi i falimentuar politik në Shqipëri, po e zgjat agoninë e vet vetëm, sepse ambasadorët e vendeve partnere i shkelin syrin dhe vazhdojnë t’i injektojnë shiringa me mbështetje qeveritarëve të korruptuar të Tiranës.

Ky sistem i kalbur e i korruptuar do të shembet. “Zgjidhja” i fton të gjitha partitë shqiptare që e kuptojnë se kolapsi ka ardhur që të tërhiqen nga zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen dhe nuk duhet të bëhen. Zgjedhjet pa opozitën e eleminojnë edhe të vetmen arritje të sistemit politik të këtyre 25 viteve që shkuan, pluralizmin politik dhe nuk mund të prodhojnë institucione legjitime dhe stabilitet. Përçarja e popullit në zgjedhje është e barabartë me tradhëtinë kombëtare.

Teoritë konspirative që qarkullojnë në qarqet gazetareske në Tiranë, thonë se kokëfortësia e Ramës për të përçarë popullin shqiptar më 18 qershor buron nga plani I diplomatëve të huaj për të bërë zgjedhje pa opozitën dhe me parlamentin e Ramës të marrin kontrollin nbi organet e reja të drejtësisë. Pastaj, për 5-6 muaj të çojnë vendin sërish në zgjedhje. Ky është një plan ogurzi, është një puç kushtetues. Kushtetuta e vendit e ndryshuar më 22 korrik 2016 parashikon që reforma në drejtësi të bëhet me përfshirjen e opozitës. Nëse rolin e opozitës reale do ta luajë opozita farsë dhe e emëruar e Ramës, vetëm do të humbet kohë. Kjo reformë në drejtësi do të diskreditohet dhe nuk do të njihet dhe pranohet nga shqiptarët, vendi do të humbasë edhe zgjedhjet edhe paqen dhe stabilitetin si dhe reformën në drejtësi.

Thirrjet e Edi Ramës se opozita ka frikë nga reforma në drejtësi nuk e fshehin dot makthin që ai ka nga reforma zgjedhore. Çjerrjet e Ramës janë veçse një ekran tymi për të fshehur prapaskenat ku po luhet një tragjedi e vërtetë shekspiriane me metodat nga më të shëmtuara për ta detyruar popullin shqiptar të shkojë në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Kryeministri, si hajduti, thërret: “kapeni hajdutin”. “Zgjidhja” i kërkon publikisht edhe një herë lidershipit të opozitës, të rikthehet pa humbur më kohë në Parlament dhe të votojë ato ligje që kanë mbetur nga Reforma në Drejtësi. Vetëm kështu i hiqet çengeli i fundit dhe alibia ku janë kapur Edi Rama dhe klika e tij, të cilët, pasi kanë uzurpuar Partinë Socialiste dhe të majtën shqiptare, po synojnë që të kapin edhe të ardhmen e Shqipërisë.

Dua të ritheksoj edhe një herë shqetësimin tim dhe ftesën për Lulzim Bashën të distancohet nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në vite. Ai kërkon që të braktiset Republika e Vjetër dhe të vendoset republika e Re. Por Basha duhet ta dijë se Republika e Vjetër që ai anatemon në ligjërimet e tij, është pikërisht republika që u ndërtua me konsensus nga Partia Demokratike dhe nga Partia Socialiste, nga Berisha dhe nga Rama.

Basha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve si lider i opozitës për rolin e PD-së në ndërtimin e republikës së vjetër, e cila s’është gjë tjetër, por ajo që zgjidhja e ka përkufizuar si regjimi famëkeq i partitokracisë. Basha gjithashtu duhet të deklarohet hapur për departizimin e administratës zgjedhore. Këtë nuk e ka bërë asnjë herë deri më sot. Mund të na thotë Basha, a ka ndonjë vend në Europë që administrimi i zgjedhjeve bëhet nga dy partitë e mëdha?! Nuk ka asnjë vend në botë. Dy partitë e vetme në botën që administrojnë zgjedhje janë PD-ja dhe PS-ja.

Dje ranë zgjedhjet në Kavajë. Unë e kisha paralajmëruar këtë gjë. Disa herë kam deklaruar se zgjedhjet e 7 majit, dhe bashkë me to edhe zgjedhjet e 18 qershorit, janë hedhur në erë. Nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të imagjinoheshin pa opozitën, qeveritarët e Tiranës duhet ta dinë se vendi do të destabilizohet dhe do kthehet në kohën kur bandat do dilnin rrugëve. Të gjitha projeksionet ekonomike për 2017 dhe për vitet që vinë do të përmbysen. Nga një situatë e tillë do të përfitonin ata që duan destabilizimin e Shqipërisë, armiqtë e saj dhe bota e krimit dhe kriminelëve të të gjitha llojeve.

Ne e kishim thënë me kohë se zgjedhjet në 7 maj ashtu si ato të 18 qershorit nuk mund të bëhen. Lidershipi i qeverisë deklaronte me kokëfortësi se zgjedhjet do të bëhen në 7 Maj.  Rama është përpjekur të fshehë e të mohojë të vërtetën e krizës së thellë dhe të shumëfishtë që ka përfshirë vendin tonë. Ai u përpoq të manipulojë opinionin e brendshëm dhe t’u hedhë hi syve partnerëve ndërkombëtarë vetëm e vetëm për të mos bërë reformën zgjedhore, liberalizimin e tregut elektoral dhe pastrimin perfundimtar të zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të mbajtur në këmbë zgjedhjet e manipuluara dhe pa standarde.

Qeveria e di të vërtetën e zgjedhjeve në Shqipëri dhe duhet të bënte reformë zgjedhore edhe pa protestat e opozitës. Për 4 muaj mund të ndërtohet dhe implementohet plotësisht sistemi i votimit dhe numërimit elektronik. Për 4 ditë u shpërndanë dhe instaluan makinat e një sistemi të tillë në Filipine në vitin 2016 për 55 milionë votues. Votimet elektronike kanë filluar qysh në vitin 1964 në SHBA. Sot teknologjia e votimeve elektronike është plotësisht e maturuar dhe e sigurtë. Me votim dhe numërim elektronik bëhen zgjedhjet e SHBA, Anglisë, Francës, Gjermanisë, BE-së etj.

“Zgjidhja” nuk do futet kurrë në zgjedhje jogjithëpërfshirëse. “Zgjidhja” nuk do futet kurrë në zgjedhje pa opozitën. “Zgjidhja” nuk do legjitimojë kurrë zgjedhje që përçajnë popullin tonë. “Zgjidhja” do udhëheqë luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Ne nuk do të futemi në zgjedhje që i administrojnë partitë e mëdha. Ne nuk do të pranojmë kurrë të futemi në zgjedhje me këtë sistem. Ne nuk do t’ia besojmë kurrë numërimin dhe administrimin e votave tona Rilindjes dhe PD-së!

Të dashur pjesëmarrës,

Të nderuar miq,

“Zgjidhja” do qëndrojë në krye të luftës për t’i çelur një përspektivë të re popullit tonë që të mund të ngrejë jetën dhe ekonominë në vend. Ne duam që të ndalet largimi popullsisë së aftë nga Shqipëria për shkak të shkatërimit të çdo shprese tek e ardhmja e bujqësisë, ekonomisë, punës, paqes e mirëqënies në këtë vend. Çdo ditë mësojmë lajme të trishtueshme edhe për braktisjen e shkollave 9-vjeçare nga fëmijët sepse edhe ata emigrojnë bashkë me prindërit për të mos u kthyer më mbrapa, lindjet po bien nga viti në vit dhe mësuesit po pushohen nga puna.

Kryemësuesi i shkollës 9- vjeçare të Ajasëm në Shkodër, Agron Kastrati thotë se “Vjet kishin 50 nxënës ndërsa sivjet vetëm 41 nxënës. Në një shkollë tjetër ku kam qenë mësues përpara 5 vitesh ishin 350 nxënës, tani janë vetëm 200 të tillë. Fëmijët që largohen nuk kthehen më në shkollë dhe këto shkolla po shkojnë gradualisht drejt mbylljes”.

Dje tregu i punës në Shqipëri mori një goditje dramatike me marrëveshjen e qeverisë italiane me operatorët kryesorë të call center-ave, 80 deri 90 për qind e këtyre vendeve të punës do mbyllen në Shqipëri. Mbi 20 mijë të rinj e të reja do të mbeten pa punë. Këto djem e vajza do të detyrohen që të ikin nga Shqipëria si dhjetëra mijëra të tjetë që largohen çdo vit.

Asnjë reagim serioz nuk bëri qeveria. Përkundrazi në dhjetorin e kaluar qeveria gënjeu dhe u përpoq të thoshte se është e ekzagjeruar frika dhe se nuk do ndodhë largimi i call center-ave. Ajo është inefiçente dhe e paaftë të gjejë dhe negociojë zgjidhje. Po ta drejtoja unë këtë qeveri, kurrë nuk do të kisha lejuar një situatë dhe hemoragji të tillë të detyruar që e than dhe boshatis vendin nga rinia e aftë për punë.

Shqipëria është në duar të të paaftëve, të kusarëve, të servilave dhe injorantëve. Këta nuk dinë të bëjnë asnjë punë. Këta nuk dinë të bëjnë asnjë kanal, as vaditjen dhe kullimin e tokave që janë bërë me shekuj. Nuk dinë të bëjnë ekonomi. Dinë vetëm të vjedhin, të bëjnë tendera e konçensione turpëruese për interesat e vendit, nuk dinë të nxjerrin përfitime për vendin nga integrimi i tij dhe nga bashkëpunimi me tregjet e tjera. Vetëm “Zgjidhja” do t’i heqë tutkunët e të korruptuarit dhe do vendosë në krye të punëve të shtetit e të popullit njerëzit më të zotë të këtij vendi.

Në se demokratizojmë qeverisjen, në se pastrojmë zgjedhjet, në se vendosim demokracinë dhe lirinë e konkurencës, në se vendosim sovranin në vendin e tij duke ua marrë pushtetin e grabitur kryetarëve dhe duke ia kthyer popullit që ky i fundit të zgjedhë përfaqësuesit e vet, në se zbatojmë programin e “Zgjidhjes”, vetëm atëhere në këtë vend do të fillojë shpresa dhe kthesa e dëshiruar. Vetëm me “Zgjidhjen” do mund të ndryshojmë fatin tonë. Ne dimë të punojmë. Ne kemi vullnet të madh. Në dimë që të drejtojmë punët dhe ekonominë e popullit. Ne dimë të bëjmë pasuri për vendin. Ne jemi në politikë për të bërë pasuri për popullin, jo për vete dhe për një grusht mbështetësish. Ne e duam me zemër këtë vend dhe këtë popull.

“Zgjidhja” e mbështet programin e saj dhe e sheh zgjidhjen e problemeve te ushtria e madhe e njerëzve të thjeshtë, të heshtur e të varfër të këtij vendi, gratë dhe burrat e harruar e të braktisur në gjithë këto vite. Rinia është zgjidhja e Shqipërisë. Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e “Zgjidhjes”, t’i bashkoheni dhe të bëheni anëtarë të saj. “Zgjidhja” do ju ndihmojë të kuptoni rrugën e drejtë, nuk do lejojë më askënd që t’ju mashtrojë e manipulojë.

Të  dashur vëllezër dhe motra pogradecarë!

Është një kënaqësi e madhe për mua të jem sot me ju në tokën e dy monumenteve te letrave shqipe Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, i cili thoshte për të parin se qe “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”. Edhe sot, kaq kohë më pas nga jeta dhe vepra e dy shkrimtarëve, ky qytet vazhdon të rrezatojë paqe, dashuri e poezi siç qenë vargjet e këtyre dy burrave të mëdhenj. Vij këtu në Pogradec, larg zhurmës së politikës të Tiranës për të rigjetur vlerat e vërteta të popullit tonë dhe aspiratat e tij më të thella. Vij këtu për të dëgjuar sensin e jetës dhe të arsyes. “Bëni dashuri mos bëni luftë”, do të thoshte Lasgush Poradeci në vazhdën e pacifistëve amerikanë kundër luftës në Vietnam. Në këto momente dramatike që po përjetojmë, kombi ynë i vogël për nga popullata, por me zemër të madhe, ka nevojë më shumë se kurrë për këtë forcë dashurie dhe vëllazërie ndaj njëri- tjetrit. Ne shqiptarët jemi të bekuar nga Zoti për nga pozita gjeografike, për nga bukuritë e mahnitshme të peizazheve si këtu në Pogradec, për nga pasuritë natyrore, për nga burimet vitale njerëzore , për nga kultura dhe gjuha që na japin një identitet dhe homogjenitet kombëtar thuajse unikal. Ajo që na ka munguar dhe vazhdon të na mungojë, është një klasë drejtuese e denjë për këtë popull i cili meriton shumë më tepër.

Një klasë politike e cila gjate nje çerek shekulli , nuk ka arritur të kryejë as misionin më elementar pas rënies së diktaturës, mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta pa hile dhe pa ankesa.  Populli ynë është më superior se klasa e tij politike pasi edhe në kohët më të thella të mesjetës, pa politikanë, por vetëm me forcën e arsyes dhe kulturën e besa-besës arrinte të vetëqeverisej paqësisht, falë respektit të kodeve të epokes si Kanuni apo kuvendet e të urtëve. Të parët tanë kishin një botëkuptim shumë më të qartë për vlerën e kompromisit në emër të interesit të përgjithshëm. Është e vajtueshme të konstatosh sot, në kohën e librave dhe të internetit, sesa e paaftë është kjo klasë politike për zgjedhje dhe zgjidhje të qëndrueshme. Them qëllimtazi kjo klasë politike. Pasi është e njëjta familje politikanësh që zotëron në duart e saj periodikisht frytet e pushtetit që prej 27 vjetësh, një herë njëra dhe një herë tjetra. Kjo farsë ka zgjatur shumë.

Unë dhe partia Zgjidhja duam ta ndryshojmë një herë e përgjithmonë kursin tragjik të ngjarjeve në vendin tonë. Por Zgjidhja nuk jam vetëm unë. Zgjidhja është secili nga ju. Ju që ju trajtojnë si sklleverit e kohëve moderne, pre e mafias dhe e korrupsionit në tokën tuaj,  pre e diskriminimeve dhe e poshtërimeve kur merrni në masë rrugën e kurbetit ne dhe të huaj. Zgjidhja, vëllezër dhe motra, është partia e atyre që nuk kanë asgjë të humbasin, por vetëm të fitojnë. Dhe gjëja e parë që do te të fitojmë është dinjiteti. Jashtë njëherë e përgjithmone kjo klasë politike e paaftë dhe e diskredituar deri në palcë!

Pushteti t’u kalojë atyre që nuk kane patur kurrë poste të larta shtetërore. Pushteti t’u kalojë atyre që nuk janë infektuar nga veset e politikanëve zanatçinj, të cilët i kane kthyer postet në karrierë të perjetshme. Pushteti t’i kalojë shoqërisë civile. Të rinjve dhe të rejave, mjekëve, bujqve, profesorëve, sipërmarrësve , artistëve dhe punëtorëve. Pushteti do t’i kalojë popullit. Pushteti do t’i kalojë Zgjidhjes. Kjo është rruga jonë e vetme nëse duam ta nxjerrim këtë vend nga prapambetja dhe ta rreshtojmë krah kombeve më moderne të kontinentit. Ky është vizioni im që dua ta ndaj me ju dhe ta sjell në pushtet për realizim bashkë me ju. Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të arthmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken endrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi. Vlera që i kemi si këtu në Pogradec dhe në mbarë Shqipërinë.

Deri në marrjen e pushtetit, sfida të mprehta na presin. Pushtetin s’do na e falë kush. Atë do ta marrim me votën e lirë të shqiptarëve. Dhe kjo është sfida jonë e parë. Të sigurohemi që ajo vote do të jetë vërtetë e lirë dhe e ndershme. Me sistemin aktual bastard të zgjedhjeve , Zgjidhja nuk hyn në zgjedhje. Kete sistem zgjedhjesh, Partia Socialiste e denoncoi tetë vjet rresht kur ishte në opozitë. Këtë sistem zgjedhjesh e denoncojnë tani me forcë dhe ata që e konceptuan në fillim , eksponentët e Partise Demokratike. Kur dy partitë ulkonja të politikës shqiptare e kanë kritikuar me fjalorin më të ashpër këtë sistem zgjedhjesh, atëherë Zgjidhja i vë ato para përgjegjësive që ta ndryshojnë para se të mbahen zgjedhjet e reja. Nuk mund të ndryshohet një sistem një çerek shekullor zgjedhjes në një çerek muaji. Prandaj Zgjidhja nuk heq dorë nga kërkesa e saj legjitime, që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë.

“Zgjidhja” do ju ndihmojë të merrni fatin në duart tuaja dhe të mos shpresoni më te ata që ju vodhën dhe ju shkelën gjithë kohën tek ata që ju joshin me përfitime pragmatiste dhe premtime të rreme në çdo palë zgjedhje. I vetmi zot i fuqishëm që do ndryshojë për mirë fatin tuaj është populli i thjeshtë e i varfër i Shqipërisë me programin e Zgjidhjes! Mos besoni te të fortët e politikës. Ata janë tigra prej letre edhe pse kanë grumbulluar në rrugë kriminale shumë pasuri dhe një lukuni me mbështetës të shpërblyer e paguar me paratë, bukën dhe gjakun tuaj. Ne jemi zgjidhja! Ju jeni zgjidhja! Unë jam Zgjidhja! Ti je Zgjidhja!

Rroftë Zgjidhja! Rroftë Shqipëria!

Rroftë populli i Pogradecit! Flm.

Meta ftesë kryeparlamentarit të Maqedonisë për vizitë në Shqipëri

Ftesa për kryeparlamenrin e Maqedonisë, Talat Xhaferi, është konfirmuar nga një njoftim i zyrës së shtypit të Kuvendit të Shqipërisë

TIRANË – Kryetari I Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka ftuar për vizitë zyrtare në Tiranë, kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili u zgjodh në këtë post disa ditë më parë.

Ftesa për kryeparlamenrin e Maqedonisë është konfirmuar nga një njoftim i zyrës së shtypit të Kuvendit të Shqipërisë.

“Maqedonia, fqinj i rëndësishëm edhe falë faktorit shqiptar shtetformues. Të forcojmë më tej marrëdhëniet ndërparlamentare. Dëshirojmë paqe, stabilitet e prosperitet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Bashkëpunimi ynë të avancojë perspektivën evropiane të Maqedonisë”, ka theksuar Meta, në ftesën drejtuar homologut të Maqedonisë.

Emri+fotot: Atentat boksierit të Vllaznisë, i bënë pritë dy persona me motor

Plagoset me arme zjarri boksieri i Vllaznise, Nelson Hysa. Sipas te dhenave te para mesohet se ngjarja ka ndodhur tek ura Dervishbeg, ne qytetin e Shkodres.

shkoder

Gazetari i “Panorama”, Senad Nikshiqi raporton se boksieri Hysa ka marre dy plumba.shkoder shkoder1

Ai u transportua me urgjence ne spitalin rajonal te qytetit te Shkodres.

Sipas hetimeve mësohet se ishin dy persona me motor ata që e kishin pritur dhe e kanë qëlluar.

“Kane qene dy persona me motor, e kane pritur dhe e kanë qelluar sapo ai ka dale nga berberi”- raporton gazetari i “Panorama”.

Burime nga spitali bëjnë me dije se boksieri eshte jashtë rrezikut per jeten. Mjeket thone se ai ka marre dy plumba ne pjesen e siperme te legenit.

Nderkohe policia ka nisur hetimet per zbardhjen e plote te ngjarjes. Nuk ka ende detaje lidhur me autoret apo te dyshuarit si autore.

Shpërthen valixhja pranë teatrit Skampa në Elbasan

Forcat xheniere kanë bërë shpërthimin e kontrolluar në valixhen e dyshimtë që u gjet pranë teatrit Skampa në rrugën “Qemal Stafa”.

Alarmi shkaktoi panik tek qytetarët, të cilët u larguan menjëherë nga forcat e policisë, të cilët rrethuan zonën, pas një telefonate se në atë zonë kishte një pako të dyshimtë.

Policia ka nisur hetimet për të zbuluar nëse në valixhe kishe lëndë plasëse C4, që mendohet se do të shpërthente në mënyrë të telekomanduar nga personat që e kanë lënë pranë teatrit.

Bejtja: “Dëshira e pazakontë e Ramës, që opozita të mos marrë pjesë në zgjedhje”

Gazetari dhe analisti Andi Bejtja duket komentuar deklaratat e Edi Ramës për negociatat me liderin e opozitës Lulzim Basha, tha se ka zbuluar dëshirën që ka për zgjedhje pa opozitën.

 

Postimi i Andi Bejtes në Facebook:

Nuk e kishim parë ndonjëherë këtë …

Pa i hyrë fare historisë kush ka palë ka të drejtë në këtë histori: A ka të drejtë Kryeministri apo ka të drejtë Kryeopozitari, a ka faj njeri apo kanë faj të dy, sot pamë diçka që nuk e kemi parë ndonjëherë në politikë, apo në të ashtëquajturën diplomaci e negociatave:

Kryeministri thotë një jave pas negociatave të para serioze, se palës tjetër që kemi në negocim, nuk mund t’i bëjmë aq shumë lëshime, sa i bëmë një javë më parë.

Kjo nuk ka ndodhur kurrë, thyen çdo shkolle politike Europiane, Amerikane apo dhe Ruse. Me kalimin e orëve, kohës, çdo palë lëshon gjithmonë e më shumë, e jo të rrudhet duke hequr ç’ka dhënë në negociata disa kohë më parë.

Kjo është e pazakonte, ç’ka mund të fshehë dhe një dëshirë të pazakonte, ç’ka mund të jetë që me të vërtetë për një dy apo njëmijë arsye të palexuara mirë Kryeministri nuk është dhe aq i interesuar që opozita të marrë pjesë në zgjedhje.

E paça gabim!

Pas dështimit të negociatave me Bashën, Rama takon ambasadorët

Pas dështimit të negociatave më kryedemokratin Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takimin me ambasadorët në Kryeministri.

Ndersa pak me pare kryeministri Rama ishte i pranishem ne nje takim me kandidatet per deputete ne PS per zgjedhjet e 18 Qershorit. Në prezantimin e kandidatëve, Rama tha: S’negociohet 18 qershori.

Takimi i Rames me kandidatet

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me kandidatë dhe deputetë. Ky takim erdhi menjehere pas takimit qe kryeministri pati me kryedemokratin Basha dhe Presidentin Nishani. Ai mësohet se ndodhet në restorant “Xibraku” ku do të prezantoje zyrtarisht kandidatët.

Nga ana tjetër behët e ditur se në takim janë edhe deputetet që janë lënë jashtë listës se PS-së, per zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit.

“Pjesëmarrje masive, nuk na duhen vota që nuk janë tonat. Pjesëmarrje masive për një proces të pastër zgjedhor. PS nuk do të lejojë asnjë abuzim. Duhen zgjedhur komisionarë perfekt, duhen standarde të larta. Vjen apo nuk vjen PD ne duhet te jemi njolloj te motivuar. ” tha Rama.

Pas mbledhjes urgjente me aleatët për ofertën e Ramës, ja ku shkoi Basha

Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka zhvilluar sot një mbledhje urgjente me aleatët e PD-së, pak pasi doli nga takimi me Ramën dhe presidentin Nishani. Takimi perfundoi pas 90 minutash, rreth ores 15:55 dhe ‘Panorama’ mesoi se Basha me pas ka takuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

 

Ne takimin me aleatet thuhet se u diskutua oferta qe ka shtruar ne tryezen e negociatave kreu i qeverise. Burimet thane se pritet nje takim i dyte mes dy lidereve politikë.

Teksa presidenca njoftoi se Nishani “vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi”.

Manjani – Bashës: Hiq alibinë që përdoret si njollë mbi PD-në

Ish Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i ka dhënë një këshillë kreut të PD-së, Lulzim Basha pas takimit që ai pati me kryeministrin Edi Rama.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Manjani shkruan se Basha duhet të votojë Vettingun, sepse sipas tij shpëton dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

“Një këshillë për z. Basha: votoje vetting-un të shpëtojnë zgjedhjet e lira! Hiqe këtë alibi që përdoret padrejtësisht si njollë mbi PD!”, – shkruan Manjani.

Doshi pretendonte se Meta pagoi njerëz për ta vrarë, Prokuroria kërkon dëshminë e Metës, Berishës dhe Ramës (dokument)

Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi

Gjykata e Larte çeli sot procesin gjyqësor në ngarkim të Tom Doshit, Durim Bamit dhe Mark Frrokut, sa i takon skenarit të Doshit që pretendonte se Ilir Meta kishte paguar njerëz për ta vrarë.

Prokuroria kerkoi pyetjen si deshmitarë te Ilir Metes, Sali Berishes, Edi Rames, Saimir Tahirit, Spartak Brahos etj.

Ndersa mbrojtja kerkoi dhe pyetjen e Kryeprokurorit Adriatik Llalla si deshmitar.

Gjykata per keto kerkesa do te shprehet me 17 maj.

Prokuroria kerkoi edhe zbardhjen e tabulateve te Monika Kryemadhit me Fation Skenderin dhe Spartak Brahos me kete te fundit.

Majko poston foto me kallashnikov: Më mirë marrëveshje pa nder se…

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko uron sot për një “marrëveshje “pa nder” se sa në një konflikt të “moralshëm”!.

Me anë të një postimi në rrjetin social FB, teksa ka postuar një foto me kallashnikov, e njerez mbi plumba që tentojnë marrëveshje, shkruan se ‘Kriza politike që po ndodh aktualisht duket të jetë ndër më të ultat që ka ndodhur në Shqipëri”.

Sipas tij, “Ajo po shoqërohet nga shfaqje groteske të trimërisë si frikë dhe frikës si trimëri…”

Bregu në mbledhjen e PD: Ky është gjenocid

Mbledhja e PD-së ditën e sotme është shoqëruar me debate. Pas kritikave të Bregut, Topallit dhe Selamit, kreu i PD-së e mblodhi grupin parlamentar me urgjencë.

“Panorama” mëson se çfarë ndodhi brenda në mbledhje. Fillimisht ka qenë Berisha që ka shkëmbyer batuta me Topallin.

“Antikonformiste ke qenë dhe antikonformiste mbete”, mësohet t’i ketë thënë Berisha Topallit për kritikat e saj ndaj lidershipit të PD-së.

Më pas, Patozi ka dalë kundër bojkotit të zgjedhjeve. “Nuk mundemi që ne që jemi 10 veta këtu të vendosim nëse do të votojnë ose jo 600 mijë shqiptarë”, ka thënë Patozi.

Pak më e ashpër ka qenë Bregu: “T’u mohosh të drejtën e votës 600 mijë shqiptarëve është gjenocid”, ka thënë ajo.

Bogdani: Ja sa deputetë marrim, nëse futemi në zgjedhje

Partia Demokratike ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e grupit parlamentar, ku pjesë e diskutimeve përmes një videokonference u bënë edhe ndërkombëtarët.

Gjatës kësaj mbledhje mësohet se ka folur edhe deputeti Gert Bogdani, ku ka lexuar një mesazh që i kishte dërguar një qytetar.

“Nëpërmjet sms-së një qytetar më thoshte se nëse PD do të hyjë në zgjedhje do të marrin pesëdhjetë vende, por do të humbnin qytetarët”, ka thënë Bogdani.

Mbledhja në PD – Berisha- Topallit: E deklasuar ishe, e deklasuar mbete

E ndërsa Grupi Parlamentarë i Partisë Demokratike po zhvillon një mbledhje mjaft të rëndësishme ku po flitet lidhur me situatën politike në vend, mësohet se nga atje nuk kanë munguar batutat mes ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetes Jozefina Topalli.

Berisha i është drejtuar me një gjuhë ironike Topallit duke i thëne se ‘e deklasuar ishe, e deklasuar mbete”. Kujtojmë që thumbimet e Berishës në drejtim të Topallit vijnë në një moment kur kjo e fundit një ditë më parë ka kritikuar lidershipin e PD-së.

Dje e kontaktuar nga “Panorama Online”, Topalli u shpreh se kishte bërë disa herë kërkesë që të mblidhej grupi parlamentarë i kësaj force politike, me qëllim që të diskutohej situatë në të cilën ajo ndodhej dhe te flitej per zgjedhjet e 18 Qershorit.

Ja si i vërsulen gratë e PD-së Majlinda Bregut

Pavarësisht se ka qenë vetë Lulzim Basha që u ka kërkuar demokratëve të mos sulmojnë Majlinda Bregun, Jozefina Topallin dhe Eduard Selamin, për shkak të kritikave të tyre, një e tillë duket se nuk ka ndodhur.

Disa orë më parë deputetja e PD-së Bregu shkroi në një postim në rrjetin social, një falënderim për të gjithë ata që e mbështetën në pozicionin e saj se PD do duhej të hynte në zgjedhje. Bregu shkruante se ndjente keqardhje për këdo nga ata që nuk kishin lënë llaf pathënë e fyerje pa bërë për personin e saj.

Pikërisht për këtë, deputetja Arbjola Halimi, ka bërë një status të shkurtër, ku i shpjegon Bregut sesi të shkruajë (atë që është një shprehje) në gjuhën letrare.

“Për korrigjim. Ne gjuhe letrare nuk citohet ‘llaf pa thënë’ por ‘fjalë pa thënë’ ku fjala fjale është në shumës”, shkruan Halimi.

Disa minuta më pas edhe një tjetër figurë e PD-së, koordinatorja Silvi Bardhi ka kritikuar Bregun, duke thënë se Partia Demokratike nuk ka nnevojë për këshilltarë part- time.

Sulmet ndaj Majlinda Bregut nisën ditën e djeshme, kohë kur ajo përmes një statusi në rrjetin e saj social tha hapur se është kundër vendimit të PD-së për të mos hyrë në zgjedhje. Bregu ngrinte shqetësimin se vendimi ishte marrë pa miratimin e mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, madje se Basha me politikën e tij e ka futur PD-në një kurs të hapur përplasje me ndërkombëtarët./Gazeta Express

Gjykata urdhëron bllokimin e Hidrocentralit mbi Vjosë

Gjykata Administrative vendosi sot ndalimin e punimeve për hidrocentralin e Poçemit mbi Lumin Vjosë pas kërkesës së një komuniteti banorësh të zonës së Mallkastrës, në Jug të Shqipërisë dhe aktivizimit të disa organizatave mjedisore vendase dhe të huaja.

Sipas gjykatës ndërtimi i Hidrocentralit të Poçemit ndikon negativisht në mjedisin dhe jetën e banorëve të fshatit Kutë dhe zonës përreth dhe zbatimi i projektit nuk duhet të bëhet.

Gjatë hetimit gjyqësor është vërejtur se nuk është respektuar praktika ligjore mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të projektit dhe përjashtimi i publikut nga proceset e detyrueshme ligjore të këshillimit dhe diskutimit të projektit. Qeveria mori Korrikun e vitit 2015 një vendim mbi Hidrocentralin e Poçemit për të pranuar një koncesion 35-vjeçar të pakërkuar nga një kompani turke duke i akorduar asaj 8 pikë bonus në tenderin që u zhvillua më vonë.

Hidrocentrali i Poçemit është pjesë e një programi teknik që synonte të shfrytëzonte kaskadën e lumit Vjosa për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Kaskada e Vjosës sipas projektit të hartuar para viteve nëntëdhjetë lejonte ndërtimin e nëntë hidrocentraleve nga kufiri 350 metra mbi nivelin e detit ku Vjosa hyn në territorin e Shqipërisë deri në kuotën 9 metra mbi det pranë Selenicës në rajonin e Vlorës.

Projekti fillestar i Hidrocentralit të Poçem parashikonte fuqi të instaluar prej 50 MW dhe prodhim vjetor prej 200 milionë kWh. Një tjetër Hidrocentral mbi Lumin Vjosë, ai i Kalivacit në rrethin e Tepelenës është braktisur nga punimet ndërtuese pas problemeve të Kompanisë që kishte fituar koncesionin.

Dhjetëra koncesione Hidrocentralesh, burim konflikti me komunitetet vendore

Pak kohë më parë Grupimi joqeveritar i disa organizatave mjedisore në Shqipëri “Të mbrojmë lumenjtë” kërkoi miratimin e një Moratoriumi 3 vjeçar të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të Hidrocentraleve në të gjithë territorin e vendit. Grupimi vëren se “përgjatë viteve 2002-2016 janë identifikuar 183 marrëveshje koncesionare të firmosura nga qeveritë shqiptare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve.

Sipas Grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” rreth 117 Hidrocentrale janë në punë të licencuar nga ERE,43 të tjera janë në ndërtim dhe 364 Hidrocentrale janë të planifikuara nga Ministria e Energjisë, por nuk kanë filluar akoma të ndërtohen.

Krahas rrezikut për të dëmtuar mjedisin në mënyrë të pakthyeshme duke shkaktuar prishjen e peizazhit, habitateve dhe biodiversitetit, ndryshimin e regjimit të rrjedhës ujore dhe përmbytje, hidrocentralet në shumicën e tyre ndodhen në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe sociale, në zona të mbrojtura natyrore dhe në toka të banuara. Ndërtimi i Hidrocentralev ka shkaktuar debate, kundërshtime, konflikte, protesta dhe padi në lidhje me dëmet.

Reagime të forta kohëte fundit ka pasur për ndërtimin e Hidrocentralit të Poçemit në Lumin e Vjosës ku banorët e kanë dërguar cështjen në gjykatë. Disa HEC-e në Parkun Kombëtar të Lumit të Valbonës dhe Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë po ashtu janë kundërshtuar fuqishëm nga komunitetet e banorëve. Në një studim mbi “Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri” të kryer nga disa organizata aktive mjedisore, janë evidentuar të paktën 18 raste konfliktesh të lidhura me hidrocentralet gjatë periudhës 2012-2016.

Në 18 rastet e evidentuara janë raportuar 6 viktima të lidhura ngushtë me projektet e hidrocentraleve (tre viktima nga aksidente në punë, një viktimë nga konflikti i lindur nga ndërtimi HEC-it, një i plagosur dhe 1 tentativë vrasje). Studimi i Grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” vlerëson se “në asnjë nga rastet konfliktuale të identifikuara, palët nuk kanë arritur në marrëveshje zyrtare bashkëpunimi për shkak të protestave apo kundërshtive nga banorët vendas”.

“Transformimi apo përvetësimi i territorit dhe ekosistemit nga përdorues të rinj (shoqëritë koncesionare energjetike) i kanë zhvendosur dhe iu kanë hequr të drejtën tradicionale të përdorimit të ujit dhe kanë kërcënuar shtresa të ndryshme të shoqërisë”, thuhet në studimin e sapo publikuar. Sipas studimit “rreth 52% të intervistuarve deklarojnë se komunitetet vendore/fermerët dhe fshatarët janë grupi më i prekur”. “Në 67% të rasteve, reagimi ka nisur pasi makineritë kishin filluar gërmimet në vend”, vlerëson studimi.

Pak kohë më parë me reagimet kundërshtuese të grupeve komuniatre u bashkuan edhe drejtuesit në 5 Bashkitë në Jug të Shqipërisë. Përmes një letre për autoritetet e larta të shtetit ata kundërshtuan planet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e Hidrocentraleve në Luginën e Lumit “Vjosa”. za

Jozefina Topalli: Prej disa javësh kërkoj mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

Disa nga politikanët e Partisë Demokratike po kritikojnë publikisht kryetarin e partisë, Lulzim Basha, për qëndrimet që po mbahen ndaj zgjedhjeve parlamentare të radhës.

Ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, deklaroi se ka kërkuar “prej disa javësh mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar se “çfarë do të bëhet me pjesëmarrjen në zgjedhje si dhe për kostot e bojkotit që PD ka vendosur në raport me zgjedhjet”.

Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, shkroi në rrjetet sociale se kryetari i PD, Lulzim Basha, duhet të heqë dorë nga vendimi për të mos e futur partinë në zgjedhjet e 18 qershorit.

“PD ka lindur si një parti me vokacion perëndimor. Ajo nuk u largua nga zgjedhjet as në 1997, as nuk u pajtua me bojkotin, që dikur bënte Edi Rama as me bllokimin që partia e tij u bënte rrugëve” – tha zonja Bregu.

“Sot nuk mund të hesht më, sepse edhe ata që kurrë nuk na kanë lënë vetëm më parë, nga presidenti Daul dhe deri te i fundit në PPE më thonë prej disa ditësh që nuk na ndihmojnë më, sepse “ju nuk doni të ndihmoni veten. Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje dhe të jetë në parlament, dhe të votojmë për reformën në drejtësi dhe ato që duhen për zgjedhjet” – theksoi ajo.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha më herët në një fjalim pranë tendës së protesës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” se kryeministri Rama kërkon të kapë zgjedhjet me çdo kusht, dhe se zgjedhjet e lira janë e vetmja pengesë para zotit Rama për të ruajtur pozicionin e tij dhe klientëve të tij.

“Kjo betejë për të ndalur me çdo kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, para se të jetë një betejë politike për rilindjen, për Edi Ramën është një betejë ekonomike, për të ruajtur kontrollin mbi të ardhurat, mbi buxhetin, mbi tenderat, mbi koncensionet, mbi pasuritë e shqiptarëve. Ndaj mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar në 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta”, – tha zoti Basha.

Genc Pollo – Eduard Selamit: Gjallë qenke ti, o zombie digjital?

Reagimi i pare nga rradhet e PD, per komentet e Eduard Selamit, i cili ka leshuar akuza dhe kritika te forta ne drejtim te liderit te partise, Lulzim Basha, eshte i forte. Ai vjen nga Genc Pollo, i cili shkruan ne nje status ne rrjetet sociale pas deklaratave te deputetit Selami ne nje interviste per “VOA”, se kishte kohe te gjate pa e degjuar ate.

Statusi:

Po ky gjallë qenka? Kisha kohë të gjatë pa parë e dëgjuar! Apo mos më gënjejnë shqisat? Dhe është vetëm një zombie digjital?

Majlinda Bregu kundër bojkotit: PD duhet të hyjë në zgjedhje

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, ajo shkruan se vendimi për të mos hyrë në zgjedhje është marrë pa u konsultuar me grupin parlamentar dhe strukturat drejtuese si dhe dëmton partinë.

Reagimi i plotë i Bregut:

Dua të ndaj sot shqetësimin tim të thellë me të gjithë miqtë dhe mbështetësit e Partisë Demokratike! Orët e mundësisë për të ndaluar futjen në një rrugë që kurrë s’ka qenë rruga e partisë sonë, po mbarojnë! U bë qëkur s’mbahet mend që grupi parlamentar i PD-së nuk mblidhet për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar nga kryetari i partisë. Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real. Megjithatë e kam përkrahur edhe cadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek ceshtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kam kërkuar disa herë edhe në takimet me kryetarin e Partisë mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.

Vendimmarrjen e një grupimi politik e di institucion po aq të rëndësishëm sa dhe vendimin e gjithkujt për të dëgjuar ndërgjegjen e tij. Po aq, forumet e partisë i di si institucione vendimarrëse e jo vetëm pika të statutit. Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të Partive Popullore Evropiane, u mor pa u konsultuar me askënd.

Ndërkohë maxhoranca vazhdon fare e patrazuar rrugën e saj të kapjes përfundimtare të të gjithë pushteteve dhe duket se nuk e ka hic për gajle ta kapë edhe parlamentin e ta bojatisë të tërin mavi. Shpresa e madhe e disa të fajshmëve se martesa e interesit të Edi Ramës me Ilir Metën do përfundonte me divorc dhe nga divorci do rrëzohej qeveria, u tret si flluskë sapuni.

Kam kërkuar tek miqtë tanë të Partive Popullore ndihmë për të mos lejuar që Edi Rama të shpallet si engjëll e hero i reformës në drejtësi. Por me pranimin e kompromisit të ofruar nga David McAllister dhe Knut Flekenstein ai vrau më shumë se dy zogj me nje gur të vetëm! Edhe PD-në e nxorri refuzuese në sytë e miqve tanë të PPE-së, pasi s’ka lënë gje pa manipuluar për ta nxjerrë fajtore në sytë e gjithë botës; edhe Ilir Metën e hoqi qafe duke i hequr të fajshmëve stolin ku mendonin se do të ngjiteshin për të dalë mbi PS-në.

Dhe ja ku jemi sot. Edi Rama del na jep orë e minuta në dispozicion për një kompromis, në çartje për tu dukur si engjëll që lutet për paqe, ndërkohë që e dinë mirë edhe socialistët se sa i dëshiruar është për zgjedhje me kundërshtar. Unë nuk besoj se Edi Rama që bën sot e gjithë ditën të përvëluarin për dialog e për zgjidhje, ka ndonjë ëndërr tjetër vec asaj që tani të bëhet dhe mbret! Po PD-ja ku ishte dhe ku është në gjithë këtë mjegull?

Pa një debat minimal dhe pa as më të voglën shenjë reflektimi në këtë situatë kaq të rrezikshme për të ardhmen e saj?! Partia Demokratike ka lindur si Parti me vokacion perëndimor. Nuk iu largua zgjedhjeve as në 1997, pasi u largua e dhunuar nga pushteti i bandave të armatosura madje mori pjesë në zgjedhje edhe në zonat ku kandidatët e saj nuk futeshin dot fizikisht! Partia Demokratike nuk u pajtua asnjë sekondë, as me bojkotin antieuropian të Edi Ramës dhe as me bllokimet skandaloze të rrugëve në emër të votës së lirë! Dhe ju siguroj të gjithë ne që e kemi quajtur antieuropian e antikombëtar Edi Ramën e kemi besuar se i tillë vetëm ai mund të ishte.

Një arsye më shumë kjo për të mos rënë dakord sot me veprime e bllokime si ato të Edi Ramës dje. E di që zeri im sot mund të duket një zë në shkretetirë, por shpresoj të mos mbetet kështu. Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!”  Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi! Dhe une jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s’na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi! Nuk dua që asnjë të na kthejë shpinën publikisht nësë ne nuk kthehemi në rrugën e përbashkët të familjes së djathtë evropiane! Po më shumë se për ata, ne sot duhet të mos e pranojmë më tutje në heshtje opsionin e transformimit të PD-së nga një alternativë reale e kësaj maxhorance të frikshme, në justifikimin e saj më fantastik pë cdo paudhësi më të madhe!

Korea e Veriut i dërgon mesazh urimi Ilir Metës

Voal.ch shkruan se Koreja e Veriut, vendi më diktatorial në Botë, me të cilin po përballen sot SHBA dhe Perëndimin i ka dërguar urime Ilir Metës pasi u zgjodh president i Shqipërisë.

Sipas agjensisë zyrtare të lajmeve të Koresë të Veriut (KCNA – Official North Korean News Agency), Kim Yong Nam, nr 2 pas Kim Jong Un-i që është kryetari i Presidiumit të të Asamblesë Supreme të Popullit të djelën që shkoi i dërgoi një mesazh urimi Ilir Rexhep Metës për zgjedhjen e tij si president i Shqipërisë.

Kim Yong Nam në mesazhin që i dërgonte Ilir Metës i dëshironte presidentit të zgjedhur sukses në punën e tij për prosperitetin e vendit, duke shprehur besimin se marrëdhëniet e gjata të
miqësisë mes dy vendeve do të zgjerohen në terma të mirë në interesat e dy popujve.

 

Humbëm pluralizmin politik! Nga Artan Fuga

Fituam Presidentin por humbëm pluralizimin politik!
———————-

Presidenti i Republikës u votua nga mazhoranca, por kriza institucionale vazhdon të thellohet me ritme edhe më galopante.

Kështu e ka politika kur ka mbaruar. Kujton se zgjidh një krizë duke prodhuar edhe farën e një krize edhe më të madhe në të ardhmen.

Për të përballur një krizë në rrugë dhe në votimet e ardhshme, u prodhua edhe fara dhe farsa e një krize institucionale edhe më të fortë, edhe më radikale, edhe më tronditëse e me pasoja të pallogaritshme në të ardhmen që nuk dihet ku do të na çojë poqese nuk shihet drejt e në sy.

Ditë të zeza e presin institucionalisht shtetin shqiptar.

Maqedonia ka konflikt, por ama është konflikt mes grupimeve politike që ekzistojnë dhe rivalizojnë lirisht në hapësirën institucionale.

Turqisë i marrim të keqen ne sepse atje ka opozitë, media të pavarura që luftojnë me autoritarizmin, ka ligj.

Shqipëria është shumë më keq. Ne deri tani kishim pluralizëm politik, ndërkaq nuk kemi pasur kurrë shtet të së drejtës.

Tani nuk kemi më as pluralizëm politik.

Nuk na jepen as mundësia të festojmë sepse morëm presidentin e ri, por humbën tërësisht pluralizimin politik.

Ironia cinike ku u arrit të thuhet që Presidenti i ri përfaqëson edhe opozitën sepse as në PD nuk gjendet një person që ta përfaqësojë atë më mirë, nuk e zgjidh çështjen!!!

Loja e fjalëve zëvëndësoi imagjinatën e shëndoshë politike.
Nuk kemi cfarë t’i bëjmë realitetit, e zëvendësojmë me lojë bajate fjalësh.

Ne jemi tanimë politikisht dhe institucionalisht krejt të papërcaktuar.

Jemi shtet pa model.
Pa emër institucional. As pluralizëm politik, as anarki e plotë, as diktaturë tërësore, as autoritarizëm, aristokraci jo e jo, demokraci është të fyesh emrin e përdorur kur mendon se çfarë pushteti kemi.

Me një fjalë jemi në një model shteti të pathënë, pa emër, të papërcaktuar, në çekuilibër, si rezultat i gjithë historisë sonë të gabuar institucionale në këta njëqind vjet, i një klase politike që nuk pati pjekurinë të mendojë për kombin, përtej interesave të vockla meskine të vetëpasurimit, si pasojë e një qytetari që më mirë merr këmbët në kokë dhe ikën në Gjermani a në Askundland sesa lufton dhe rreziston në atdhe, si pasojë e rivaliteteve gjeopolitike botërore që kalojnë këtu mes përmes Lanës që ende vjen era fekale, si pasojë e mungesës së traditave politike qytetare, dhe e modelit të munguar të biznesmenit që nuk është sipërmarrës, pra nuk është marrës – përsipër.

Shqipëria jetime, përtej një retorike paternaliste dhe nacionaliste që fsheh braktisjen totale të saj.

Kulturën e kanë lënë në dorë të atyre që e rrjepin me tendera dhe ja u lënë në dorë lopëve që mbushin vendet arkeologjike dhe monumentale me bajga që i nxjerrin sa nga poshtë sa nga lart.

Arsimi mos o Zot, nxënës që i kanë lënë në mënyrë kriminale në duart e administratorëve injorantë.

Ekonominë dhe financën e bëjnë të paaftë që falimenntojnë bankat kombëtare, i vjedhin, i kërdisin paratë tona pa krijuar vlerë.

Mbaroi edhe pluralizimi politik.

Jemi në ASKUNDLAND!
Në ajër.
Të trullosur nga kanabisi si bletët që nuk kthehen më në fole. Të errësuar nga sytë si lakuriqtë e natës.
Të budallallepsur nga propaganda bajate e llafazanëve që mbushin xhepat duke boshatisur kokat e shqiptarëve.

Presidentin mazhorrranca! Ta gëzojë!
Kryeministrin mazhorranca! Marrtë nga ditët tona!
Kryetarin e Kuvendit që Kuvend i thënçin si është katandisur, mazhorrranca. E paçim me jetë kur ta kemi!
Gjyqtarët do t’i emërojë mazhorrrranca! Hë më të lumtë jo!
Mediat. Mazhorrranca që i censuron nga Bashkia te Qeveria. Rrofshin sa malet!
Bashkitë. Përsëri mazhorrranca. Na marrtë të keqen armiku na martë!
Po administratën? Militantët e mazhorrrancës mbushur. Mbushur zyrat e shtetit dhe të bashkive me militantë të forumeve rinore partiake.
Cfarë do bëhesh kur të rritesh?
Antar partie mo!
Gëzuar Baftjar!
Avokatin e popullit? Pse populli do ta ketë? Mazhorranca përsëri.

Drejtorin e kopshtit zoologjik?
Mazhorranca!
Rojen e pallatit?
Mazhorranca.
Gjobavënësin e veturave parkuar keq në buzëtrotuare? Mazhorranca mo, pse kush?
Pastruesit e rrugëve?
Sigurisht mazhorranca.
Kush jep tenderat?
Mazhorrranca!
Po shkencën kush e bën?
Mazhorranca!

Ne jemi në askund dhe po shkojmë drejt murit.
Po populli?
Celsat e kashtës! Dashke sovranitet për qytetarin. Populist!
Celsat e kashtës dhe asistencën mujore!

Zëri i Amerikës pyet ministrin Bushati: Pse paguani para për lobim tek Trumpi kur jeni në qeveri?

Gjatë javëve të fundit, Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshje me një zyrë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë në SHBA, është pyetur nga Zëri i Amerikës përse PS paguan për lobim tek administrata e Donald Trump, kur është në qeveri.

Zëri i Amerikës: Ju zoti ministër keni qenë gjatë administratës së re amerikane dy herë në Uashington. Pra keni kontakte dhe akses të konsiderueshëm, tek administrata amerikane. Megjithatë sikurse parti të tjera ajo Demokratike dhe LSI-ja edhe Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshje për të zhvilluar lobizëm në Shtetet e Bashkuara. Pse është e nevojshme kjo kur ju e keni tashmë këtë akses?

Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që kjo është një praktikë që e ndjekin shumë parti në botë për të patur një përfaqësim më të mirë, për t’i kanalizuar pikëpamjet e tyre në Uashington, kur dihet që Uashigtoni është qendra kryesore e politikëbërjes sot për sot në botë. Përsa i përket raporteve të qeverisë shqiptare me atë amerikane mund të them që partneriteti strategjik ndërmjet nesh do të vijojë të thellohet dhe dua t’ju siguroj që në një të ardhme të afërt ne do të kemi zhvillime në këtë drejtim dhe kontakte në nivele më të larta me administratën e re amerikane.

DEMOKRATËT DHE OPOZITA E BASHKUAR DO TË ZBARKOJNË NE KAVAJË SI DIKUR ALEATËT NË NORMANDI ME OPERACIONIN “OVERLOT” – Nga AZGAN HAKLAJ

 

Historia e Luftës së Dytë Botërore po përseritet në Shqipēri. Në Atdheun e perëndive Ilire, të perëndorëve të mëdhenj,Dioklicianit, Konstandinit Justinianit ,të kryezotëve të betejave, të Aleksandrit të Madh apo Lekës siç e thërrasin në gjuhën vllaznore dhe të thjeshtë shqiptarët, të Pirros dhe Gjergj Kastriotit.

Atdheun e engjëllit qē pushtoj qiejt Shenjtorës Nanë Terezës po përplasen dy botë.

Ashtu siç zbarkuan miliona ushtarë në Normandi të Francēs për të çliruar Evropën nga tirania e Hitlerit, sot pas shtatë dekadash nga ajo ngjarje madhështore e historisë, në Shqipërinë e vogël, por fisnike dhe liridashëse qindra- mijra shqiptarë të rreshtuar nën flamurin kombëtar, të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj do të zbarkojnë triumfalisht nëpër rrugët dhe sheshet e Shqipërisë duke filluar me 7 Maj në Kavajë për të çliruar Atdheun e tyre nga karrikatura më e shëmtuar e Hitlerit Edi Rama.

Ky referendum popullor që do të ngadhnjejë më 7 maj në Kavajë në vendin simbol të demokracisë është sinjifikativ për faktin se na ndan vetëm dy ditë nga 9 Maji kur mbarē bota kremton çdo vit fitoren mbi fashizmin.

Aristoteli i madh na ka lanë një maksimë: Do ta them të vërtetën troç edhe sikur të gjithë të jenē kundër sajë sepse shpejt të gjithë do ta përqafojnë këtë të vërtet. E kam mik Platonin, por më shumë tē vërtetën, shprehej filozofi i madh. E vërteta më bën të lire, na thotë Seneka.
U mbushën dy muaj në çadrën e lirisë që Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar e udhëhequr nga korifeu i saj Lulzim Basha po shpalosin një të vërtet të madhe e shumë dimensionale por dhe të dhimbshme tashmē të mbështetur masivisht nga populli shqiptar që e demonstroj me marshimin solemn në sheshin Skënderbej.

Njëzeri, në mënyrë unanime i tha Edi Ramës: Boll më, ik.

Mbi 60 ditë në Shtëpinë e Lirisë po përplasen dy botē, e Ardhmja me të Ahkuaren, Vyrtyti me Vesin, Demokracia me Autokracinë , Republika e Re, që po vjen, me Republikēn e Vjetër – që po jep shpirt.

Qëndrestarët e paepur në Protestën më të gjatë në histori po kërkojnë të vendosur të mbjellin e të konsolidojnë institucionin e votës së lirë, si gurthemel të Republikës së Re.

Kjo kauzë e shtrenjtë dhe e shenjtë e opozitës së mbështetur nga shumica e shqiptarëve do të kurorëzohet me çdo çmim.

Teksa po shkruaj këtë opinion mu kujtua një letërkëmbim i baballarëve të kombit amerikan, Medisonit, Hamiltonit, Xhafersonit, dyqind e kusur vjet më pare: Jemi mbledhur një ansambël perëndishë që po projektojmë të ardhmen e Amerikës.

Pikërisht kjo Çadër sot ka një mision të shenjtë: të hedhë themelet e Republikës së Re nëpërmjet institucionalizimit një herë e përgjithmonë të votës së lirë.

Dhe kjo arrihet me njē Qeveri Teknike me mandat kushtetues që do të realizojë Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme me Shanse të Barabarta konkurimi para verdiktit të sovranit.

Mirepo në çastet e fundit të agonisë dhe të qëndresës së tij të çmendur Edi Rama zgjodhi të trumbetojë me propogandën e tij shurdhuese avokatinë e ministrit të Jashtëm gjerman me emrin biblik Gabriel dhe znj. Mogerini, përfaqsuesve të dy kombeve që nëpërmjet boshtit Romë-Berlin-Tokio, trekëndeshit të zi i shkaktuan botës 100.000 viktima në Luftën e Dytë Botërore.

Z. Gabriel dhe znj Mogerini, kombi i të cilës Italia bashkëjeton prej dekadash me mafjen më të organizuar, më të tmerrshme, më gjakatare në histori, na thanë dy fraza shkurt të padenja për dy kombe si Gjermania e Frederekut të Madh, Otos së Perendorisë së Shenjtë Romake, Bismarkut, arkitektit të realpolitikës, Italia e Garibaldit e Françesko Krispit me gjak shqiptar që sëbashku me Francën e Shumanit, djepin e revolucionit dhe filozofisë Liri- Barazi- Vllazri jenē trinia dhe lokomativa dhe shpresa e shtëpisë sonë të perbashkët: Bashkimi Evropian.

Ata me një gjuhë të akullt dhe arkaike sikur tē vinte nga epoka skllavopronare i thanë opozitës dhe popullit që i mbështet: Nuk ju kuptojmē çfarë doni! Dilni nga Çadra! Votoni ligjet që ju thotë Rama! Shkoni në zgjedhje se ne ju vëzhgojmē!

Pra shkurt dhe qartë varjani në qafë mëlçitë ujkut.

Zotëria i Berlinit dhe znj. e Romēs po t’i kishin thirrur kujtesës historike të kombeve të tyre nuk do të guxonin për t’u treguar aq arrogant, të njëanshëm dhe të paduruar, pa e dëgjuar akoma udhëheqesin e Opozitēs sē Bashkuar z. Lulzim Basha për të shprehur publikisht, pa asnjë sens diplomatik mirësjelljeje e respekti ndaj qytetarëve shqiptarë përkrahjen për z Rama.

Gabrieli e Mogerini mund të simpatizojnë personalisht z. Rama deri në marrëzi për ekstravagancën e tij, për biseksualitetin e tij politik dhe moral, për lukun e tij alla Versaçe, për ngjyrat e ndezura të këmishave e kostumeve, të kravatave ylberore të blera me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ta simpatizojnë edhe për të gjitha të zezat që i ka sjellur me qeverisjen e tij autokratike, plutokratike duke institucionalizuar krimin në pushtet.

E theksoj deri këtu është çështje simpatie personale.

Por kur ke veshur kostumin e ministrit të Jashtëm Gjerman dhe fundin e Komisioneres për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian. Ështe e papranueshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Gjermaninë dhe Italinë dy kombe mike të sotme, por dhe dy shtete pushtuese të Shqipërisë jo më larg së 70 vjet.

Ata duhet të dinë mirë vuajtjen e popullit shqiptarë nga Hitleri dhe Musolini.

Duhet të mendojnë se shqiptarët kanë përjetuar diktaturën më të egër në Evropë dhe se pjesë e makinerisë shtypëse e pushkatuese ka qenë babai dhe daja i Edi Ramës.

Shqiptarët janë krenarë që në luftën e dytë botërore çliruan Atdheun e tyre nga baballarët e gjyshët e Gabrielit dhe Mogerinit dhe u rreshtuan me fitimtarët.

Ajo ishte një betejë patriotike e një kombi të lashtë e fisnik frytet e të cilës i korrën dhe shijuan me të pabesë diktatori Hoxha dhe kori i korbave, oborrtarë të tij vampirë ku babai dhe daja i Edi Ramës ishin violina të para.

Biri kombit Gjerman dhe bija e kombit Italian që i dhanë botës kaq shumë gjeni por dhe idologjitë e shtetit nazist dhe fashist, koktejn më të hidhur në historinë e njerzimit na thanë troç: Nënshtrohuni!

Braktisni shtëpinë e lirisë, ëndrrën për një Republikë të Re të dalë nga vota e lirë. Ëndrrën për njē Shqipëri pa drogē, për një parlament pa bandit. Braktisni ëndrrën për një drejtësi të pavarur dhe shkoni urtë e butē si delet në vathë se bariu juaj do të jetë prapë Edi Rama.

Benjaminët e Ramës harrojnë se problemi i PD-së e Opozitës së Bashkuar nuk është thjesht Edi Rama, por filozofija e tij sunduese gjenetike.Të ishte vetëm i atij do ja kishte mbathur me kohë pa u menduar dy herë.

Qeveria e tij është një bandē mafjoze dhe Rama është thjesht kryetari i kupolës dhe po të ikë ai në vend të tij kurorëzohet kapoja i ri.

PD dhe Opozita e Bashkuar duan ta shkulin të keqen nga rrënja e kjo bëhet duke largur Ramën bashkë me bandën e tij kriminale në parlamentin e drejtuar nga Ponc Pilati Ilir Meta bashkëfajtorë njësoj me Ramën.

Opozita kërkon çlirimin e shtetit, parlamentit qeverisë,pushtetit vendor, shërbimit diplomatik, medias nga krimi dhe sigurimi i shtetit tentakulat e të cilëve e kanë mbërthyer prej 26 vjetësh shtetin e sē drejtës për tē cilin kemi ëndërruar.

Në Shqipëri thonë çudia më e madhe zgjat tre ditë. Gabrieli dhe Mogerini erdhën bënë detyrën ndaj mikut të tyre që është në grahmat e fundit në reanimacionin e spitalit të politikës i dhanë oksigjenin e fundit.

Tani është radha e shqiptarëve të ja heqin qesen e fundit të këtij oksigjeni që i sollën miqtë e tij të paguar dhe ta varrosin politikisht Ramën por bashkë me tē dhe dhimbjen tonë që na shkaktoj me vaje e kuje sipas traditēs së lashtë.

Shqiptarët e kanë zgjedh rrugën dhe prijësin e tyre z Lulzim Basha, simbol i Shqipërisë Evropiane që u ba barrikada e pakapërcyeshme e Ramës dhe kmerëve të kuq . Basha do të jetē gjenerali i operacionit të Ri “Overlot”.

Qindra- mijra shqiptarë do të vërshojnë në sheshet e Shqipërisë duke filluar nga Kavaja ashtu siç zbarkuan aleatët perëndimorë nē brigjet e Normandisë të udhëhequr nga Ajzenaueri i madh.

Shqiptarët janë tē vendosur të çlirojnë Atdheun e tyre nga njeriu bunkier Edi Rama e banda e tij politike.

Ju shpresoni se do ju mbështesë Evropa dhe se do të arrini një fitore si tē Pirros por ne nuk do ta lejojmë z Rama.

Me 18 qershor nuk do tē ketë zgjedhje me ju kryeministër.

Ky është pakti i shenjtë i besëlidhur mes popullit opozitarë tashmë shumicë dhe z Lulzim Basha të cilët kanë vendosur e janë betuar para familjes, flamurit , e vetë Zotit për ti dalë zot Atdheut lirisë dhe demokracisë.

Evropa që mendon Rama se e ka aleatë dhe do ta shpëtojë nga gremina është Evropë sipas modelit made in Rama ekziston vetëm në fantazinë e tij haluçinante.

Evropa e vërtet e që ne kemi parë është krejt ndryshe; Ministri i Financave të Francës dha dorëheqje sepse nuk justifikon dot një apartament me dy dhoma.

Ministri i brendshëm belg dha dorëheqje sepse një protestuese vdiq në duart e policisë nē demostratë, një minister transporti dha dorëheqje se u shemb një urë.

Kurse ju për një mandat katër vjeçarë keni shkatërruar shtetin e së drejtës, institucionet publike, policinë, arsimin shëndetsinë keni kthyer institucionet e shtetit inkubatorë krimi e laboratorē droge.

Si llupës i pangopur i pushtetit kërkon të blesh edhe fjalën e lirë, mediat e shkruara dhe vizive, portalet, diplomatët e korruptuar madje edhe zgjedhjet.

Por lideri i opozitës nē emër të ansamblit opozitar e të popullit shumicë që e mbështet e ka deklaruar solemnisht kurrrë nuk do të ndodhë.

Përpjekja juaj e dëshpēruar për tē rezistuar me çdo çmim edhe se tashmē edhe ti e ke tē qartë fundin politik na kujton Hitlerin në pranverēn e vitit 1946 kur ai i shpartalluar nga të gjitha frontet shpresonte ta shpëtonte mrekullia e Zotit.

Para disa ditësh ju na thatē Opozita ështē e lirë të vrasë vehten.

Ne po të themi je i lirë si Hitleri të zgjedhësh fundin tënd. Rama ik.

Tani nuk të shpëton as Zoti. Për Gabrielin dhe Mogerinin nuk bëhet fjalë.

Rama: S’ka kompromis për Vettingun

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është përgjigjur po përmes rrjeteve sociale një statusi të mëhershëm të Lulzim Bashës në lidhje me Vettingun.

“Lulëzimi, paska dëgjuar sikur unë paskam ofruar sot në Kuvend kompromis për të shtyrë Vetingun! Në fakt e kundërta është vërtetë. Unë sot kam thënë që Vetingu për mua është kusht për çdo kompromis të mundshëm, për hyrjen jashtë afateve në zgjedhje të PD-së dhe kam shtuar se vetëm nëse të tjerët – nënkupto miqtë e partnerët tanë që e kanë Vetingun kusht për negocimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE – do të kërkonin fleksibilitet në emër të përfshirjes së PD në zgjedhje, atëherë e vetmja mundësi mund të ishte nëse PD do të pranonte ta votonte Vetingun, në seancën e parë të Parlamentit të ri”, shkruan Rama.

“Ne do të vazhdojmë me bukë dhe Çadra e Frikës nga Drejtësia le të vazhdojë me gurë. Durimi ynë do të soset vetëm kur të soset kufiri i fundëm i mundësisë për të hyrë të gjithë në zgjedhje. Domethënë deri ditën dhe orën e paraqitjes së emrave të skuadrave për betejën e 18 qershorit”, shton më tej Kryeministri, shkruan TCH.

“Nëse Lulëzimi dhe Çadra e Frikës nga drejtësia, mund ta vonojnë plotësimin e komisioneve të Vetingut dhe nisjen e punës së tyre, duke mos u paraqitur në punë deri në ditën e fundit të këtij Kuvendi, dita e parë e Kuvendit të Ri do të shënojë edhe fundin e kësaj pengmarrjeje të turpshme të drejtësisë!”, përfundon reagimi i Kryeministrit.

Kokëdhima: “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike

“Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Duke folur përpara anëtarëve të PS-së dhe mbështetësve të lëvizjes ‘Zgjidhja” në Lushnjë, drejtuesi i lëvizjes Koço Kokëdhima, u shpreh se Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të lëvizjes “Zgjidhja”.

“Deri në datën 29 prill ne do marrim vendimet. “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të “Zgjidhjes”.

Kokëdhima investoi gati 20 vjet pasuritë dhe gjithçka kishte për të mirën dhe bashkimin e të majtës, për fuqizimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste. Rama po e përçan përfundimisht PS-në, ndërsa unë lufova deri në fund për ta mbajtur atë të bashkuar. Historia do ta gjykojë Ramën si problemin dhe mua si zgjidhjen për të majtën dhe për Shqipërinë”-u shpreh Kokëdhima, i cili nisi në nëntorin e kaluar lëvizjen brenda PS-së për demokratizimin, shumimin dhe modernizimin e saj.

Kokëdhima u shpreh se lëvizja “Zgjidhja” i ofroi Ramës bashkëpunim për të qëndruar në Partinë Socialiste dhe për të shkuar të bashkuar në zgjedhje, por të gjitha ftesave, ai ju përgjigj me refuzim dhe me gjuhën e tij të drunjtë e të drurit, siç ndodhi me shkarkimin e Sadrit Danajt dhe të dhjetëra mbështetësve të tjerë të lëvizjes “Zgjidhja”.

Fjala e plote e Koço Kokedhima ne Lushnje
Të gjithë e kemi ndjekur shkarkimin e Kryetarit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj. Ajo është një ngjarje e shëmtuar, e paligjëshme dhe plot manipulime. Opinioni publik do t’i mbajë mend sjelljet e Gjiknurit që përdori edhe badigardët për të dhunuar e mposhtur qëndresën e Sadritit ndaj një procesi të falsifikuar zgjedhor. Feruz Bashon e panë të gjithë me zë e me figurë kur e fshehu në kanotieren e tij votën e pavlefshme për ta zëvendësuar më pas me një votë tjetër të vlefshme.
Për ta bërë këtë maskaradë, Rama e emëroi Feruz Bashon drejtor të OSHEE-së. Ky emërim ishte në vazhdën e emërimeve skandaloze të Ramës në administratë. Unë si deputet punova 3 vite me Feruzin. Ai mbante detyrën e kryetarit të PS-së për qytetin e Sarandës. Meqenëse për shkak të reformës ai do ikte nga drejtimi i PS-së, ne e përfshimë në listën e këshilltarëve të bashkisë së Sarandës në zgjedhjet vendore të vitit 2015.
Në kohën e qeverisë “Nano”, Feruz Basho kishte punuar drejtor i Pyjores. Në Sarandë qarkullonin shumë legjenda për bëmat e Feruzit me keca e qengja. Unë i konsiderova këto legjenda dhe nuk lejova që Feruzi të emërohej drejtor. Negociova me një kompani private dhe rregullova një punë të mirëpaguar për Feruzin. Bashkëshortja e Feruzit punon përgjegjëse në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Sarandë, ndërkohë që vajza e tij u punësua në vitin 2015 në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.
Feruzi nuk duhej vendosur në shtet ku punonin edhe dy pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, aq më shumë të vendosej drejtor OSHEE-je kur në gjithë jetën e tij ishtë marrë vetëm me kullota, me pyje, me dhi e me dhen.
Saranda nuk është një vend i humbur, është një vend ku ka specialistë e menaxherë të përgatitur edhe nga fusha e energjitikës. Por Ramës i duhej sjellja kamikaze e Feruzit për të falsifikuar procesin e votimit në Këshillin e Qarkut Vlorë dhe prandaj e vendosi drejtor në shtet. I bëj thirje prokurorisë së Vlorës të marrë të pandehur personat përgjegjës që manipuluan votimin për shkarkimin e Sadrit Danajt.
Sadrit Danaj u soll si shqiponjë. Ai, i vetëm, u përball për mbi 4 orë me një bandë pushtetarësh të skllavëruar dhe agresivë, servilë të kapur, frikacakë e pa personalitet. Sadriti tregoi një shembull frymëzues guximi e qytetarie për të gjithë popullin tonë të nëpërkëmbur. Të tillë janë anëtarët e Zgjidhjes. Ata nuk tremben, e marrin në sy rrezikun, nuk intimidohen, nuk thyhen dhe nuk tërhiqen përpara këtyre burracakëve të turpshëm të tiranisë së skamjes dhe korrupsionit. Zgjidhja është e vendosur për t’u ndeshur dhëmbë për dhëmbë me kundërshtarët dhe armiqtë e lirisë së popullit tonë, për të fituar mbi ata që kanë bërë e bëjnë gjithë këto vepra të rënda në dëm të interesave të popullit dhe të njerëzve tanë.
Unë dua ta siguroj Edi Ramën se nuk do t’i harrojmë asnjëherë dhe për asnjë çast arrogancën, brutalitetin dhe arbitraritetin që ushtroi paturpësisht mbi drejtuesit e “Zgjidhjes”, mbi Nertilën, Jolën, Irenën, Silvanën, Tedin, Arditin, Gjergjin, Brigelsin, Thomain, Klementinën, Marinelën, Eltonin, Sadritin e sa e sa të tjerë, të cilët i kërcënoi, i shantazhoi, i shpalli armiq të partisë, i shkarkoi nga funksionet dhe i pushoi nga puna. Këta janë luftëtarë të demokracisë. Këta kanë respekt për lirinë e tyre dhe për lirinë e popullit. Më kot përpiqen ta izolojnë “Zgjidhjen”. Ajo nuk izolohet. Mbështetësit e “Zgjidhjes” shtohen çdo ditë me qindra e me mijëra. Më kot përpiqen të na trembin. Ata e kanë lepurin në bark! Ata tremben nga idetë e “Zgjidhjes”! Dhe nuk e kanë gabim! Bëjnë mirë që tremben dhe tmerrohen nga platforma dhe shqiponjat e “Zgjidhjes”.
Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Shqipëria nuk është një vend demokratik. Në këto 26 vite këtu është në fuqi partitokracia ose sundimi i kryetarëve. “Zgjidhja” do e shembë regjimin e partitokracisë! Do e shembë pushtetin e kryetarëve. Do të vendosë demokracinë dhe sundimin e popullit. “Zgjidhja” do të luftojë deri në fund për pastrimin e zgjedhjeve. Në këtë vend kryetarët nuk do të munden më të vjedhin, trafikojnë apo blejnë votat tona! Nuk do të jetë më si tani kur populli voton dhe kryetarët numërojnë votat. “Zgjidhja” do t’i reformojë partitë politike. Edhe Partinë Socialiste. Nuk do jetë më si tani që populli voton, kryetari zgjedh! Do t’ia marrim pushtetin abuziv kryetarit dhe do t’ua kthejmë socialistëve të bazës. Zgjidhja do ta rindërtojë të majtën në Shqipëri.
Janë këto motive të ndritura që i bëjnë anëtarët e “Zgjidhjes” që të jenë shqiponja! Shqiponjat e “Zgjidhjes” për lirinë e Shqipërisë. Shkurt, “Shqiponjat e Zgjidhjes”! Në solidaritet të thellë e të plotë me të gjithë shoqet dhe shokët tanë që janë goditur e persekutuar nga kjo qeveri, ju ftoj të bëjmë me duar simbolin e shqiponjës. Nderim e mirënjohje për Shqiponjat e Zgjidhjes! Shëmbulli i tyre na frymëzon, na trimëron dhe është një apel i fuqishëm për të gjithë të majtët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, që të mos frikësohen nga brutaliteti dhe represioni i qeverisë.
Zgjidhja nuk do të ndalet. Bashkohuni me “Zgjidhjen”! I ftoj të gjithë burrat dhe gratë e këtij vendi, të rinjtë e të rejat e universiteteve, shkollave, qyteteve dhe fshatrave që të bashkohen me ‘Zgjidhjen” dhe ta përmbysim rregjimin dhe klasën politike të korruptuar të Shqipërisë, të pastrojmë përçudnimin dhe kalbëzimin e sistemit tonë politik dhe të vendosim një demokraci kushtetuese të denjë për popullin tonë. Këta që drejtojnë prej 25 vitesh, të majtët e të djathtët, janë kusarë dhe rrënjëdalë. Ne nuk trembemi nga askush dhe nga asgjë. Ta ngrejmë popullin në këmbë. Të bashkuar si një trup i vetëm me popullin tonë, me nevojat dhe idealet e tij do ta thyejmë në mes kastën sunduese të këtij tranzicioni!
Është shumë e qartë se lidershipi i PS-së ka likuiduar dhe eleminuar çdo liri mendimi, shprehjeje dhe demokracie të brendshme në parti. Ky lidership, mori nën kontroll dhe drejtim një parti politike të mirëfilltë, të organizuar dhe me hapësira për mendimin ndryshe dhe debatin. Mori partinë më të mirë në vend dhe e ktheu në një bashkësi parapolitike, në një parti ku mendon, flet dhe vendos vetëm kryetari, pa asgjë të përbashkët me partitë e majta europiane, përveç dorës që shtërngon trëndafilin te simboli i PS-së, e ktheu PS-në në një parti antidemokratike. Rama e ktheu partinë në një bandë të inkriminuar. Asnjë armik i të majtës shqiptare nuk do ta bënte më mirë se Rama një plan për shkatërrimin e partisë më të rëndësishme politike në vend, Partisë Socialiste.
Lidershipi i Partisë Socialiste përjashtoi nga funksionet, si të gjithë drejtuesit e tjerë të “Zgjidhjes”, edhe mua, sepse nuk dëshiron që të lejojë asnjë liri për mendimin ndryshe dhe debatin në parti. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në këtë derexhe Partia Socialiste.
Në emrin tuaj dhe të të gjithë anëtarëve të “Zgjidhjes”, në çdo fjalim u kam kujtuar drejtuesve të Partisë Socialiste se dora ime e bashkëpunimit qëndron e shtrirë. Këtë nuk e kemi bërë nga pozitat e të dobëtit. Nuk e kemi bërë as me hipokrizi. E kemi bërë me urtësi dhe sinqeritet për të ndihmuar përmirësimin e qeverisjes dhe Partinë Socialiste që të reformohej dhe të kapërcente situatën e rëndë në të cilën ndodhet.
Lidershipi i PS-së gjithmonë ka bërë të paditurin dhe ka thënë se nuk e di kush është apo ku është “Zgjidhja”. Nuk i ka parë akoma lidershipi i PS-së mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë që mbushin sallat e mitingjet tona. Ai na përjashtoi pa asnjë procedurë, pa asnjë letër, duke na mbyllur dyert e forumeve të partisë brutalisht e forcërisht, me badigardët dhe të fortët e qeverisë.
Ne i ofruam atij bashkëpunim për të qëndruar në Partinë Socialistë dhe për të shkuar të bashkuar në zgjedhje. Në fund të marsit i propozuam një platformë për asamblenë dhe kongresin e jashtëzakonshëm që do t’i hapte rrugën demokratizimit dhe kohezionit të brendshëm të Partisë Socialiste. Edhe gjatë këtij muaji i kërkuam të pranojë “Zgjidhjen” dhe të diskutojmë në një kongres pune një plan të jashtëzakonshëm reagimi mbi situatën e brendshme, krizën politike dhe përmirësimit rrënjësor të qeverisjes së vendit.
Të gjitha ftesave tona, Edi Rama ju përgjigj me refuzim dhe me gjuhën e tij të drunjtë e të drurit, siç e patë edhe në shkarkimin e Sadrit Danajt, me motivacionin se: “ti Sadrit nuk i pëlqen kryetarit të partisë”!
Përgjigjia e fundit refuzuese e Ramës për “Zgjidhjen” vjen me vendimin e tij që kongresi i Partisë Socialiste i 29 prillit nuk do jetë një kongres pune, por një spektakël për sukseset e qeverisë! Ai i shkoi deri në fund planit të tij për të na likuiduar politikisht, për të na larguar nga PS-ja dhe për të mos na llogaritur se jemi gjallë. Por ne jemi këtu! Jemi në këmbë! Jemi të fortë e të vendosur, më të fortë se kurrë! Jemi në krah të socialistëve dhe qytetatëve të thjeshtë të Shqipërisë.
E ftoj për herë të fundit Edi Ramën të mos e përçajë edhe një herë Partinë Socialiste. Ai duhet ta dijë se kjo çarje do të jetë me pasoja për zgjedhjet e ardhshme. Me “Zgjidhjen” po bashkohen çdo ditë të gjithë socialistët e vërtetë, qytetarët e vendit që duan një Shqipëri normale dhe një qeverisje për popullin, ata që duan ministra dhe kryeministra të pjekur, të zotë, të aftë e me kontribute, me integritet, të përgjegjshëm, të ndershëm dhe punëtorë.
Me “Zgjidhjen” do bashkohen ata që duan që në këtë vend të marrë fund manipulimi dhe vjedhja e zgjedhjeve. Ata që duan që kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë, president apo kryeministra t’i zgjedhë populli dhe baza e partive përmes primareve mikse. Ata që duan që në Partinë Socialiste të mos ketë vend vetëm për kryetarin dhe servilët e tij, që në këtë parti përfaqësuesit të mos i emërojë kryetari, por t’i zgjedhë baza. Ata që duan që në këtë vend të respektohen e të jenë të shenjta liria e opinioneve dhe e shprehjes, liria e konkurencës në ekonomi dhe në politikë, liria e mediave, liritë politike e njerëzore.
Duke e përçarë Partinë Socialiste, Edi Rama do të jetë i humburi më i madh. Me “Zgjidhjen” po vjen baza e partisë, po vijnë ata që janë krenarë për trashëgiminë e ndritur të së majtës shqiptare, ata që kanë respekt e nderim për luftën Nacional-Çlirimtare, për heronjtë, dëshmorët, familjet e dëshmorëve dhe veteranët e kësaj lufte, ata që janë krenarë për veteranët e rindërtimit të vendit të dalë nga lufta, për ish-ushtarakët dhe mbrojtësit e atdheut tonë në dekadat e shkuara.
Me Partinë Socialiste të Udhëheqjes do të mbeten vetëm klientët e pushtetit, të paaftët që kanë zënë vende e poste me lekë, me tarafe e pa meritë, të punësuarit e kryeministrit dhe ata që janë katapultuar në PS, por që nuk kanë asnjë lidhje me të majtën, të korruptuarit dhe bosët e hashashit. Ndërkohë është e qartë për të gjithë se “Zgjidhja” bëri gjithçka kishte në dorë për të mos u shkëputur nga PS-ja. Rama nuk na la asnjë shteg tjetër veçse të shkëputemi nga PS-ja. Çdo shqiptar dhe çdo i majtë e di shumë mirë se Edi Rama po e përçan Partinë Socialiste dhe po e detyron “Zgjidhjen” të shkëputet nga Partia Socialiste.
Deri në datën 29 prill ne do marrim vendimet. “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të “Zgjidhjes”. Kokëdhima investoi gati 20 vjet pasuritë dhe gjithçka kishte për të mirën dhe bashkimin e të majtës, për fuqizimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste. Rama po e përçan përfundimisht PS-në, ndërsa unë lufova deri në fund për ta mbajtur atë të bashkuar. Historia do ta gjykojë Ramën si problemin dhe mua si zgjidhjen për të majtën dhe për Shqipërinë. Për shumicën e plagëve të rënda të popullit tonë, të ekonomisë dhe të sistemit politik në Shqipëri. Çdo socialist dhe qytetar në Shqipëri do ja faturojë Ramës këtë përçarje të Partisë Socialiste, jo mua.
Deri sot Zgjidhja ka regjistruar në bazat e saj të të dhënave 15 mijë anëtarë. Në fund të muajit prill presim të kemi 20-25 mijë anëtarë. Në pak javë “Zgjidhja” do të jetë formacioni i katërt politik i vendit. Çdo anëtar I zgjidhjes do punojë për të rekrutuar një anëtar të ri jashtë lidhjeve të tij të gjakut. Ne nuk duam rekrutime formale. Anëtarët e Zgjidhjes janë misjonarë. Ata do zgjidhin situatën e vështirë që ka populli ynë. Ata do të ndryshojnë sistemin politik në Shqipëri, do thyajnë në mes partitokracinë dhe do vendosin Demokracinë kushtetuese, sundimin e ligjit, lirinë e konkurencës në ekonomi, politikë e kudo dhe do begatojnë vendin. Anëtarët e Zgjidhjes do I kthejnë popullit pushtetin e grabitur nga kryetarët!
Një antar i “Zgjidhjes” nuk është një numur, nuk është një vegël që e përdorin kryetarët dhe servilët e kryetarëve për pushtetin e tyre, nuk është as “një përdorimësh”, dhe as “shumë përdorimësh”! Një antar i zgjidhjes është një luftëtar i ndërgjegjshëm për ta shkulur nga rrënjët varfërinë, maskarallëkun dhe korrupsionin e pushtetarëve, arrogancën, paaftësinë dhe tutkunët e qeverisë, nëpërkëmbjen dhe përbuzjen ndaj njerëzve të thjeshtë.
Një anëtar i Zgjidhjes është vetë Zgjidhja. Ja pse ti je Zgjidhja! Unë jam Zgjidhja! Ne jemi Zgjidhja! I ftoj të gjithë anëtarët e Zgjidhjes kudo që janë të zhvillojë një rekrutim cilësor, të rekrutaojë në 10 ditët e ardhëshme një anëtar të ri të Zgjidhjes, një luftëtar të vendosur për kauzat tona të lirisë e përparimit! Kjo është fushata më e rëndësishme e Zgjidhjes për 10 ditët e fundit të prillit. Shtoi shqiponjat e Zgjidhjes me një shqiponjë të re.
Zgjidhja është platform politike më demokratike, është alternativa dhe programi politik që i duhet Shqipërisë për të dalë nga tranzicioni dhe për të përmbysur e përtërirë këtë klasë politike që vetëm na vjedh e na mashtron pa fund. I keni dëgjuar politikanët në këto vite se çfarë thonë? Çdo vit thonë se ekonomia u rit 3 për qind, 4 për qind, dy për qind etj. Këta janë vetëm mashtresa të paskrupullt. Në 10 vitet e fundit, nga viti 2006 e deri në sot në ballkanin përëndimor janë ritur vetëm 300 mijë vende pune. Vetëm dy shtete nuk kanë përfituar asnjë vend pune nga kjo ritje, vetëm Shqipëria dhe Bosnja.
Qeveritë tona na kanë dëndur me mashtrime. Të marrim edhe treguesin tjetër atë të ritjes ekonomike. Në këto vite ekonomia jonë është ritur vetëm në mashtrimet e qeverisë. Në vitin 2006 Shqipëria bëri 4203 dollarë të ardhura për frymë. Në vitin 2016 të ardhurat tona për frymë janë 4200 dollarë amerikanë. Qeveritë tona vetëm na manipulojnë. Këta pseftër janë të pandreqshëm. Populli ynë varfërohet, oligarkët e qeverisë pasurohen. Të fuqizojmë Zgjidhjen që ta përmbysim tiraninë e skamjes dhe korrupsionit. Çdo shqiponjë e Zgjidhjes të rekrutojë një anëtar të ri, të shtojë ushtrinë tonë të shqiponjave me një shqiponjë të re. Kam besim të palëkundur se ju do e plotësoni këtë detyrë të shenjtë që do e bëjë Zgjidhjen në pak kohë ndër forcën politike që do i japë tonin transformimeve të mëdha politike të muajve dhe viteve të ardhëshme në vend. Përpara se të mbushni formularin e anëtarit të ri, shpjegojini me durim 5 kushtet që duhet të plotësojë një anëtar i Zgjidhjes, 5 kushtet se si mund të bëhesh një shqiponjë e re e Zgjidhjes. Ky është vendimi më i rëndësishëm që po marrim sot për të gjithë anëtarët e Zgjidhjes në Shqipëri. Drejtuesit e strukturave tona në çdo nivel të planifikojnë këtë superaksion të këtyre 10 ditëve. Rroftë Zgjidhja! Rrofshin shqiponjat e Zgjidhjes!
Të dashur pjesëmarrës!
Kriza është tani e qartë dhe e plotë. Nuk e di se çdo të thonë drejtuesit e qeverisë tani. Për javë të tëra ata thoshin se Shqipëria s’ka krizë, PD ka krizë, Kriza e PD-së nuk është dhe nuk do kthehet në krizë politike për vendin. Pas kaq javësh këto deklarata është pak të thuhet se duken qesharake. Tani nuk ka dyshim askush se kemi një krizë të rëndësishme, zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë përfundimisht. Rama thoshte se në 18 qershor do bëhen zgjedhjet. Tani vetëm bufi e beson se zgjedhjet mund të bëhen përpara vjeshtës. Siç duken gjasat do të ndodhin të gjitha parashikimet dhe konkluzionet e përcaktimet që ka bërë “Zgjidhja”.
Të gjitha deklaratat e Ramës duket se kanë rënë në ujë dhe nuk rezistuan dot asnjë ditë. Ai e ka lënë në errësirë PS-në, pa vizion, pa strategji, pa plan. E transferoi iniciativën dhe kauzën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në duart e PD-së, duke e vënë në një pozitë shumë të ulët e të pamerituar morale e politike PS-në. Tani do të pranojë me siguri Reformën Zgjedhore, votimin elektronik dhe një paketë tjetër masash ligjore.
Ajo që nuk po e dëgjojmë akoma nga opozita është artikulimi i vullnetit që administrata zgjedhore të mos jetë më partiake. Të jesh komisioner apo numërues i PS-së apo PD-së është diçka me shumë rëndësi për personat në fjalë. Numëruesit dhe komisionerët kanë privilegje të veçanta në punësime dhe në përfitime të tjera nga pushteti përveç faktit se shumë përtej tyre tradicionalisht kanë nxjerrë edhe shumë përfitime të paligjshme duke bërë pazare me votat e pambrojtura të partive të vogla dhe të kandidatëve të pavarur.
Në zgjedhjet e vitit 2013 Feruz Basho kishte përfshirë në listat e komisionerëve të PS-së disa të fortë. Kur e kontrollova listën unë i hoqa këta persona të cilët ishin në fakt militantë socialistë prej vitesh. Pasi unë i zëvendësova, në mbrëmje vonë erdhën në grup dhe, pasi rrëzuan me shkelma derën e jashtme të selisë të PS-së, protestuan gjatë për t’u rivendosur në lista. Sigurisht që unë nuk bëra asnjë tërheqje. Komisionerët dhe numëruesit janë një barrë e rëndë për partitë politike, procesin zgjedhor dhe popullin shqiptar.
Në asnjë vend demokratik në botë nuk ndodh që dy apo 4 partitë e mëdha të numërojnë votat e partive të tjera. Komisionet e votimit duhet të jenë shtetërore dhe të ngrihen me gjykatës, prokurorë, noterë, avokatë, pedagogë të universiteteve, studentë të ekselencës të fakulteteve juridike etj. Votimi dhe numurimi elektronik krijon kushte që departizimi i administratës zgjedhore të bëhet me reformën zgjedhore të këtij viti. Kjo reformë do të kursejë edhe gjithë atë energji të pashembullt njerëzore që harxhohet me ditë e netë të tëra në qendrat e numërimit dhe ato skena të shëmtuara kur numëruesit ja shtrojnë me pula e me raki në tavolinat e numërimit!
Na duhet ta zgjidhim një herë e përgjithmonë çështjen e zgjedhjeve. Shqipëria meriton zgjedhje të lira e të ndershme me standarde si në çdo vend tjetër europian. Nuk duhet të dëgjohet më kënga e OSBE/ODIHR-it se zgjedhjet e radhës ishin me probleme, por të pranueshme. OSBE/ODIHR-i nuk e ka ndihmuar Shqipërinë ta zgjidhë këtë problem madhor të demokracisë që nuk e lë Shqipërinë të ngrejë kokë prej 20 vitesh. Data 18 qershor nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe. Vendimtare është të bëjmë zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme dhe të pakontestuara edhe po qe se na duhet t’i shtyjmë për në vjeshtë.
Dhe së fundi, dëshiroj t’ju drejtohem edhe një herë Lulzim Bashës dhe Edi Ramës që të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite Partia Demoktratike dhe Partia Socialiste, të cilat, të dyja vjedhin, manipulojnë, blejnë dhe trafikojnë vota.
Në qershor të vitin 2013 i thirra në takim drejtuesit e Partisë Socialiste në Sarandë dhe ju kërkova që të përgatiteshin për të mbrojtur çdo votë nga vjedhja, manipulimi apo trafikimi. Feruzi më thotë aty për aty: Shef, mos u shqetëso për votat këtej. Mendoni për andej lart, nga Shqipëria e mesme dhe nga veriu ju se këtej poshtë nuk na i vjedhin dot ata të PD-së, këtej ju a vjedhim ne atyre. I mblodha gjithë drejtuesit, komisionerët dhe numëruesit dhe ju deklarova se po u prek një votë e aleatëve të koalicioni tonë, kjo është tradhëti ndaj koalicionit dhe ndaj Partisë Socialiste. Po u prek një votë e opozitës kjo do të konsiderohet si tradhëti ndaj Atdheut! Ja dolëm me shumë sforco të bënim një proces të ndershëm. Nuk dinim nga të ruheshim më parë.
Kriza aktuale nuk është thjeshtë krizë e Partisë Demokratike, është krizë e shkaktuar nga fakti se në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Prandaj kjo është krizë politike dhe institucionale e mirëfilltë me pasoja të rënda në jetën e vendit. Nga mënyra se si do zgjidhet kjo krizë do të varet paqja dhe stabiliteti afatgjatë e Shqipërisë. Duhet bërë ç’është e mundur që të zgjidhet një herë e përgjithmonë problemi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, me standarde të njëjta si në demokracitë më të zhvilluara.
Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Sot nuk ka asgjë më të rëndësishme në axhendën politike të vendit se sa reforma zgjedhore, pastrimi i zgjedhjeve dhe zgjidhja e krizës. PS-ja është duke e humbur shansin që të udhëhiqte procesin e reformës zgjedhore dhe ta çonte vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.
Asnjë manovër nuk e zgjidh këtë krizë. Asnjë artificë nuk bën punë. Duhet konsensus me opozitën. Të bëhet reforma zgjedhore, të vendoset votimi dhe numërimi elektronik, të departizohet administrata zgjedhore, të përmirësohet legjislacioni për mbrojtjen e pastërtisë dhe integritetit të zgjedhjeve, të caktohet një datë e re e zgjedhjeve për në tetor dhe të vendoset një qeveri e të majtës së bashkuar që i jep besim opozitës. Me këtë kompromis opozita të kthehet në parlament dhe të vazhdojë puna për zgjedhjen e presidentit dhe për reformat e tjera.
Këto nuk duhen bërë për vetëm për dakordësi me Partinë Demokratike, as thjesht për të kapërcyer krizën e rëndësishme. Kjo formulë është artikuluar për herë të parë nga “Zgjidhja” si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund qeverisjes nga rregjimet e urryera hibride antidemokratike, antipopullore dhe antikombëtare që kanë sunduar vendin këto 26 vite dhe për t’i hapur popullit tonë rrugën e demokracisë, lirisë, prosperitetit dhe mirëqenies, për të ndërtuar përfundimisht shtetin modern në shqipëri.
Socialistët dhe qytetarët e thjeshtë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme. Ne e bëjmë këtë luftë për këta socialistë e qytetarë të thjeshtë dhe për faktin se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk do ketë as shtet modern shqiptar dhe as zhvillim. Por unë këtu dua të deklaroj se këtë luftë do e bëjmë me të njëjtën vendosmëri edhe në mbështetje të kërkesave të drejta të vëllezërve dhe motrave tona, anëtarë e simpatizantë të thjeshtë të Partisë Demokratike sepse jemi të sigurtë se ashtu si socialistët e ndershëm të bazës ata as nuk kanë përgjegjësi dhe as nuk kanë përfituar nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në të shkuarën. Kërkesat e anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme janë të drejta dhe gëzojnë mbështetjen e socialistëve dhe të qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë, gëzojnë mbështetjen e anëtarëve të “Zgjidhjes”. “Zgjidhja” qëndron në pararojë të të gjitha formacioneve politike shqiptare që luftojnë për zgjedhje të lira e të ndershme. Mos u shqetësoni. Mos u manipuloni. Mos u turbulloni. Ka ardhur ora e ndryshimeve të mëdha. Po vjen koha e përmbysjeve të mëdha. Pas instalimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do shembim partitokracinë. Do i rrëzojmë dhe shembim pa mëshirë kryetarët që na përdorën, na mashtruan, na vodhën, na përbuzën, na shkelën, na prenë në besë e na rraskapitën në mjerim.


Send this to a friend