1.
Këto ditë, në “Dajti Tower Belvedere Hotel” në Parkun Kombëtar të Dajtit në Tiranë, Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) e nderoi atdhetarin e humanistin e shquar, dr. Muhamet Malo, me Çmimin e madh “Konica”, në 60 vjetorin e lindjes së tij, në prani të të pranishmëve edhe nga bota diplomatike, akademike, e biznesit, kulti fetar i bektashinjëve, shoqëria civile, letrat shqipe.
Ky Çmim është i madh, me vlera të veçanta, përfaqësues e nderues, sepse Faik Konica (1875-1942) i derës së hershme të bejlerëve të Konicës, i shkolluar në vendlindje e në shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe Liceun Perandorak Francez në Stamboll, me studime të larta për gjuhësi romane e filozofi në Dizhon e Paris të Francës e me gradën “Master” në letërsi me medalje ari në Universitetin e Harvardit në SHBA (1912); poligiot (fliste anglisht, frengjisht, greqisht, turqisht, arabisht, etj.), ishte Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Washington (1914) dhe ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Washington, 1926-1939); Sekretar i Përgjithshëm (1912) e Kryetar (1921) i Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë; një ndër përfaqësuesit e Shqiptarëve të Amerikës në Koferencën e Ambasadorëve në Londër (1913); kryetar i Kongresit Shqiptar në Triste (1913); ndërmori disa udhëtime diplomatike e politike për çështjen kombëtare shqiptare në Amerikë, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Austri, Belgjikë, Francë, Zvicër, Itali e gjetkë; botoi revistën “Albania” në shqip e frengjisht e pjesërisht në turqisht (Bruksel-1897, Londër 1903-‘09) dhe i gazetës “Dielli” e “Trumbeta e Krujës” në Amerikë; pianist i shkëlqyer, shkrimtar gjenial (autor i disa librave brilant), krijuesi i prozës moderne shqipe, publicist, përkthyes, etj.
Ky Çmimi i madh “Konica” iu është dhënë ndër vite personaliteteve të larta shqiptare e botërore si presidentit amerikan Bill Klinton, kryeministrit britanik Tony Blair, presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova e të tjerë, ndër të cilët hyn dhe Njeriu i Mirë, shqiptari i shquar, bamirësi i madh, i mirënjohuri e i paharruari, dr. Muhamet Malo.
2.
Motivacioni i dekoratës, i Çmimit (ndër)kombëtar “Konica”, i stilizuar në studio grafike e i kornizuar në galeri arti, duket paksa i gjatë nga teksti i shkruar, por është tërësisht i saktë nga realiteti përshkrues e përgjithësues, pasi na e paraqet të plotë e meritor Presidentin e Nderit të Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, atdhetarin e humanistin e shquar, dr. Muhamet Malo.
Aty thuhet tekstualisht, mirësisht e lartësisht: “Për kontribute, arritje e imazhin e tij të lartë në promovimin e forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane-britanike në fushën e arsimit, kulturës, historisë, masmediave e letërsisë; për rolin e tij si President Nderi dhe Senator i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike; për arritjet vetjake gjatë jetës së tij; për veprimtaritë e tij të shumta atdhetare dhe humanitare si Njeri i Mirë, biznesmen i suksesshëm, shqiptar i shquar, misionar i kohës, duke kontribuar në sporte, art e kulturë, turizëm, botime, për institucionet e kultit, tek njerëzit në nevoja jetike e shoqërore, me ngritjen e Telesport e Teleferikun e Dajtit, etj., duke dhënë gjithçka mundi, arriti e diti në jetën e vet, duke e lënë emrin e modelin e tij të mirë”.
Çmimi i madh “Konica” shoqërohej edhe me një portret medaljor të Konicës së madh, i realizuar në Argjendari “Pirro” në Tiranë, i përshtatur me vendmbajtje në një kuti ceremoniali për këso rastesh nderuese.
Çmimin e madh “Konica” (pas vdekjes) për personalitetin shqiptar lartnor shumëdimensional dr. Muhamet Malo, e ndau ambasador Islam Lauka, doktor i shkencave politike, President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), autor i disa monografive në shqip e gjuhë të huaja (anglisht, rusisht, arabisht, persisht, serbisht) me interes e vlerësime ndërkombëtare.
Z. Enklajd Malo duke e marrë këtë dekoratë, Çmimin e madh “Konica”, shprehu falenderime për këtë nderim e mirënjohje ndaj babait të tij të nderuar Muhamet Malo dhe premtoi se do të ecin në rrugët e tij të traditës së mirë të biznesit, bamirësisë e atdhetarisë.
3.
Dr. Islam Lauka, president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), ish-ambasador i parë i Shqipërisë në Kosovë, ish-drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në fjalën e tij përcjellëse foli për jetën e veprimtaritë e atdhetarit e humanistit të shquar dr. Muhamet Malo, duke e cilësuar si një personalitetet i veçantë i kohës shqiptare, ambasador i paqes, një burrë i lartë e i rrallë në bamirësitë e tij të shumta e të mëdha, të vazhdueshme, misionar me zemër të madhe, kontributor i madh në sporte e kulturë, në institucionet e kultit, në turizëm, letërsi e arte, shëndetësi, etj.
Ambasador Islam Lauka, ndër të tjera, theksoi se dr. Muhamet Malo ka qënë prej vitit 2002 President Nderi i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) dhe kemi marrë vendim se do të jetë edhe në vitet e ardhshme, edhe pas vdekjes së tij, pasi miku ynë i çmuar i bën nder Qëndres e kohës tonë me emrin, veprimtaritë e trashëgiminë e tij. Dr. Lauka pohoi se Muhamet Malo ishte dhe mbeti një institucion i bamirësisë njerëzore, qytetare e atdhetare; një kult, simbol, ikonë e Njeriut të Mirë, humanistit të madh, biznesmenit të shquar, të cilit i ndrittë jeta edhe pasjeta, fjala edhe vepra, është Nderi i Kombit tonë.
4.
Dr. Muhamet Malo, vitin e kaluar (2016), u nderua nga Presidenti Amerikan Barack Obama me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës” me motivacionin: “Për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në ndërtimin e një kombi më të fortë nëpermjet shërbimit vullnetar…”. Ky, një vlerësim i madh për një njeri të rrallë si filantropisti Muhamet Malo e në një vend të vogël në planetin tokësor si Shqipëria.
Kohë ma herët, Muhamet Malo, u nderua me titullin “Doktor Honoris Causa” nga OKB në vitin 2004, me Çmim për Paqe, Prosperitet dhe Sporte. Njëherash, Misioni i OKB në Shqipëri e ka vlerësuar me çertifikimin nderues “Lidershipi më i mirë në biznes”. Misioni Diplomatik për Shqipërinë i ka akorduar titullin “Ambasador i Paqes”. Iu ka dhënë nga Presidenti i Shqipërisë Medalja “Për Merita të Veçanta Civile” dhe e meriton ta ketë edhe titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai është vlerësuar me Çmimin “Pjetër Bogdani” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me Çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Mshqiptare, etj. Ai ka marrë edhe disa medalje si Medalja “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”; Medalja “Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër”; Medalja “Mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë”, etj.
Atdhetari Muhamet Malo është i origjinës nga një familje atdhetare nga Skorovoti i Kolonjës, kurse nana e tij vjen nga Aliçkajt, të origjinës atdhetare nga Frashëri në Përmet. Ai e ka ngritur në Tiranë me mjaft sakrifica “perandorinë” e tij të biznesit të suksesshëm, si: Teleferiku ‘Dajti Ekspres” me kullën “Dajti Tower Belvedere Hotel” dhe restorantin “Ballkoni i Dajtit”; kompanitë “Euro-Lloto”, Televizionin e vetëm sportiv “TeleSport”, etj.
Humanisti i shquar Muhamet Malo ka financuar veprimtari të karakterit kombëtar e kulturor. I veçojmë vetëm disa prej tyre, si: Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut; emisionet televizive “Ethet e së premtes mbrëma…”në të gjitha edicionet; filmin e Hollivudit për periudhën e Tranzicionit Shqiptar; telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate”; ekipin kombëtar të peshëngritjes në kampionatin botëror të Polonisë; spektaklet “Miss Shqipëria”; albumet për Tiranën e Bylisin; shtatoren e Sali Butkës; dokumentarin “Shqipëria në vite”, spektaklin “Yjet e Sportit”; filmin dokumentar për dr. Jani Bashon; ansamblet “Dardania” dhe “Jehona shqiptare”; botimet me vlera si “Pavarësia”, “Kosova e lirë”, “Gjuha shqipe-gjuhë kozmike”, “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, “Shqiptarët dhe grekët”, “Kush e vrau Amerikën”, “Ikja e madhe”, “Ditarët”, “Përmeti dhe Pavarësia”, “Rrëmbimi i Europës”, “Arkeologjia shqiptare”, “Dodona”, “Portrete njerëzorë”, etj; për vënien në skenë të dramës “Ali Pashë Tepelena”; albumet e grupit “West Side Family”, të artistit Gëzim Kruja, të këngtares Ema Qazimi, etj.;
Muhamet Malo filloi sportist i klubit “Studenti” e tek “Partizani” dhe arriti të jetë Kampion Kombëtar në Mundje Klasike (1982-1990), të marrin titujt: “Mjeshtër Sporti” dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; arriti të jetë President i Federatës Shqiptare të Mundjes (1992-1996); President i Shoqatës Kombëtare të Mundjes (prej vitit 2005); President Nderi i Federatës Shqiptare të Mundjes (prej vitit 2008), etj. Ai ka dhënë kontribute të mëdha për sportin shqiptar ndër vite, duke shpërblyer në mundje Elis Gurin, në shtangë Arkand Qerimin dhe Ilir Sulin, etj. “Medaljen e Meritës” për 25 sportistët më të mirë e shoqëroi me afërsisht nga 1.000 Euro për secilin prej tyre. E sponsorizoi ardhjen nga SHBA në Atdhe të trupit të Aleksandër Kongos, i arratisur nga Shqipëria më 1987 dhe i vrarë në atje nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Ai ka sponsorizuar veprimtari sportive si të peshëngritësve të rinj në Kampionatin Europian në Francë, për një kampionat kombëtar të bilardos, për zhvillimin e futbollit të femrave, për Federatën Kombëtare të Notit, për volejbollin femra të “Studentit”, etj. etj.
Humanisti Muhamet Malo, edhe pa qënë monarkist apo legalist, i ka përballuar të gjitha shpenzimet e rikthimit të Familjes Mbretërore në Shqipëri, të dërgimit me çartër të Nanës Mbretëreshë Geraldina e Shqiptarëve për mjekim në Francë, etj. Ai ka ndihmuar edhe Arian Bakirin, Kastriot Fejzon, Viktor Babameton, Sotiraq Kulen për operim në Itali, Rexhep Çelikun për një ndërhyrje në mëlçi, e shumë të tjerë.
Dr. Muhamet Malo ka financuar me dhjetra e dhjetra shkrimtarë, këngtarë, aktorë, poetë, kineastë, gazetarë, regjisor, botues, sportistë, studentë në projektet e tyre për librat, filmat, koncertet, etj.
Njeriu i Mirë Muhamet Malo ka ndihmuar institucionet e kultit, veçanërisht për ngritjen e Odeonit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit.
Në letrën përcjellëse të Shtëpisë së Bardhë për humanistin Muhamet Malo, me fjalë e firmë të Presidentit Obama, jepen mirënjohje dhe mesazhe aktuale: “Përgëzime për marrjen e çmimit të Presidentit për shërbime vullnetare. Gjithashtu ju falenderojmë për ndihmesën e dhënë në adresë të komunitetit tuaj për nevojat më të ngutshme…Në adresën time përuruese, deklaroj se ne kemi nevojë për një periudhë të re të përgjegjësisë, …se ne kemi detyrën për veten tonë, kombin tonë dhe për botën”.