Edi Rama ka pasur pak data të errëta në karierën e tij politike, po me siguri njëra prej tyre, ajo që mund ta nxirrte përfundimisht nga arena, ku po përdorte çdo mjet për të ngecur, është ajo e 27 shtatorit 2002. Vetë i interesuari, gjendej atë ditë, mijëra kilometra larg nga qyteti që e drejtonte prej dy vitesh si kryebashkiak. Dhe atje në Pekin, me një diferencë kohore prej shtatë orësh me Tiranën, ai do të njoftohej për tragjedinë që po ndodhte. Në Tiranë çelsat e Bashkisë i kishte lënë në duart e zëvendësit të tij të parë, Blendi Gonxhes, njeriut që sot e ka rikthyer si ministër, në plan të parë të skenës politike.
Ky i fundit pavarësisht përpjekjeve, nuk po i jepte dot dum, shpërthimit të digës së liqenit e cila po përmbyste shtëpi, pallate, biznese dhe rrugë të tëra në Tiranën e re.
Për më tepër, në nxitim e sipër, ndoshta nga dëshira për manipulim, ndoshta nga mospasja në kontroll e situatës, Gonxhe kishte gënjyer publikisht në një intervistë radiofonike, duke thënë se shpërthimi i ujrave qe një test, që po e bënin për të provuar kolektorin që shkarkonte derdhjet e liqenit në Lanë. “Situata është nën kontroll”, pati siguruar ai. Më vonë Bashkia do të pranonte versionin se një punonjës i saj, i dehur kishte hapur portën e digës së liqenit.
Orët kalonin dhe as trupat e ushtrisë, as specialistët e digave, as bashkia nuk gjenin dot zgjidhje. Bilanci përfundimtar do të qe i frikshëm: mbi 150 shtëpi, mbi 120 biznese, makina personale dhe bodrume pallatesh të përmbytura gjatë katastrofës.
Për të rrokur përmasat faktike të tragjedisë, Lapsi.al e ka vendosur në kontekstin e saj politik. Që prej verës, 2002, Fatos Nano kishte mundur Ilir Metën dhe ishte rikthyer kryeministër. Ai kishte nisur një periudhë paqeje rozë me shefin e opozitës Sali Berishën. Të dy kishin rënë së bashku dakord për të zgjedhur një president konsensual, Alfred Moisiun (foto poshte). Të dy kishin tërhequr pas akuzat e rënda për njëri-tjetrin dhe ashtu siç ndodh rëndom kur urrejtjet e mëdha transformohen në dashuri, kjo valë e re po shoqërohej me prerje kokash.
I pari që e pagoi çmimin ishte shefi i shërbimit sekret Fatos Klosi. I dyti që përmbushte kushtet për të qenë viktima e radhës qe Edi Rama.
Fatos Nano nuk ia falte kurrë rreshtimin pro Metës dhe kundër tij, aq më pak përshkrimin e njeriut dallaveraxhi e dembel të realizmit socialist, “Robert Çamçakëzi, që vërsillej në kantier me duar në xhepa”.
Sali Berishës, përpos urrejtjes patologjike për Ramën, që buronte që prej dhjetorit “90, goditja e tij i duhej edhe për të mbajtur pak gjallë, atë që në fakt është ADN e tij, flakën e opozitarizmit që qe fashitur së tepërmi nga muaji i zgjatur i mjaltit me Nanon.
Pra, hapja e digës së liqenit dhe dëmet e shkaktuara prej saj qenë rasti më i mirë për të përmbytur karierën politike të Ramës, një vit përpara se ai të imagjinonte rikandidimin për një mandat të dytë në Tiranë. Këtë herë vetë Bashkia që mburrej me lyerjen e fasadave dhe shkuljen e kjoskave, u kishte dhënë mundësinë e artë për ta demaskuar për inefikasitetin dhe amatorizmin e saj. Berisha duke shkuar në zonat e përmbytura, të nësërmen e asaj të shtune fatale të 27 shtatorit, kërkoi spastrimin e Ramës nga kryeministri, të cilit i tregoi edhe nenin 115 të kushtetutës që i mundësonte atij shkakrkimin e kryebashkiakëve për shkelje të rënda. As Nano nuk ishte treguar i mëshirshëm. I ndodhur atë fundjavë në një nga darkat e tij të gjata në restorantet e kryeqytetit, që vazhdonin deri në orët e para të mëngjesit, kur i kishin raportuar për katastrofën, ai i ishte drejtuar personalisht digës së liqenit (foto poshte per inspektim 28 shtator tek diga). Njeriu që i kishte dalë përpara ishte zv/kryetari i Bashkisë, Blendi Gonxhe, i cili me pafuqinë e njeriut që nuk e ndal dot dëmin e shkaktuar (rreth orës 3 të mëngjesit uji në qytet kishte arritur në 70 cm) orvatej ti raportonte kryeministrit. “Unë nuk kam ardhur të të pyes, por të të arrestoj ty”, ia kishte prerë shkurt kryeministri.
Të nesërmen pa u gdhirë ai kishte mbledhur shefin e ri të SHISH-it dhe Kryeprokurorin Theodhori Sollaku për ti këkruar ndëshkimin e rreptë të fajtorëve. Edi Rama i tmerruar u kthye urgjent nga Pekini pasi ndjeu se po i rëshqiste toka nën këmbë. Hipoteza se ato ishin orë të vështira për të, do të përforcohej ditë më pas, kur në 10 tetor, në një takim në presidencë mes Moisiut, Berishës dhe Nanos, mediat konfirmuan se të tre kishin folur kundër tij. Po si fillim, Berisha si opozitë, kishte kërkuar një mocion për shkarkim në Këshillin Bashkiak, dhe frika qe se mos Nano i bashkëngjitej atij, si një shpagim për hakmarrjet e vjetra.
Berisha: Blendi Gonxhe, hajduti më i madh, pas Ramës dhe Veliajt!
Në këto kushte Rama ishte më në rrezik se kurrë. Obsionet e djegjes së tij, apo ato të një kandidtimi për Tiranën, jo më për ngjyrat e PS-së ishin të hapura. Madje u fol edhe për dorëheqje. Por përpara saj Edi Rama vendosi të bëjë një provë të fundit. Ta fillojë me sakrifikimin e atij që sot e ka rikthyer në skenë si ministër, Blendi Gonxhes. Boshllëku që po krijonte nuk qe i vogël. Ish studenti i tij në akademinë e arteve ishte një nga themelet e sistemit të ngritur në Bashki. Sipas aleatëve të Ramës, ai qe njeriu i domosdoshëm që i jepte drejtim çdo pune. Sipas PD, ai qe Mon Kukaleshi, njeriu që mblidhte paratë e korrupsionit të lejeve të ndërtimit, në favor të shefit. Si në të mirë edhe në të keq, ai dukej i pa zëvendësueshëm. Por koka e tij ishte haraçi i domosdoshëm për të mos rënë ajo e Ramës. Tre ditë më pas, nga e shtuna e 27 shtatorit, deri pasditen e së martës, ndërsa vërshimi i ujrave tashmë ishte ndalur, ndërsa punëtorët e komunales të veshur me uniforma qenë duke pastruar pellgjet e fundit në rrugët e Tiranës së re, Blendi Gonxhe, së bashku me një të rikthyer tjetër në administratën e lartë, ish drejtorin e Punëve Publike, Dritan Agolli, shpallën dorëheqjen. Arsyeja e tekstit të Gonxhes ishte “përgjegjësia morale për mos kordinimin dhe mosqarimin e menjëhershëm të situatës”.
Pak ditë më pas kur Këshilli bashkiak u mblodh për mocionin e opozitës (foto lart), socialistët e Nanos votuan kundër. Kurbani Gonxhe me sa duket ia kishte vlejtur. Por ama jo sakrifica personale e nën kryetarit të Bashkisë. Ashtu sikurse ndodh rëndom me Ramën, që pasi i bëhesh i panevojshëm, mund të të shkelë me këmbë, Blendi Gonxhes iu veshën edhe mëkatet për të cilat nuk kishte dhënë dorëheqjen. Njerëzit e afërt të Ramës, ata të cilët kundërshtonin ashpër akuzat e opozitës, tani u bënë të parët që mëkatet e parave të errëta të lejeve të ndërtimit, ti’a mvishnin atij që u përmbyt bashkë me digën. Versioni i djeshëm i shprehjes së sotme që hanë kumblla dhe dardha pas shpinës sime ishte: “Gonxhja kishte dorë, por shefi s’dinte gjë”.
Rama i fitoi zgjedhjet e një viti më pas për Bashkinë, ndërsa Nano e humbi pushtetin në 2005, në favor të Berishës. I braktisur nga të gjithë, me frikën se akuzat e qeverisë së re që premtonte “duar të pastra”, mund të shndëroheshin në ndëshkim, njësoj si pas revolucionit të ’90, Gonxhja u detyrua të merte sërish rugën e mërgimit.
Kur u rikthye tre vite më pas, me shpresën se Rama që ishte pranë fitores së pushtetit në zgjedhjet e radhës, nuk do ta kishte harruar, ai dha një intervistë për Gazetën Shqiptare në 30 shtator 2008, ku lavdëronte ish shefin dhe shpjegonte një skenar të mundshëm nëse ai mund ta drejtonte Bashkinë duke qenë vetë violinë e parë.
Por, Rama as nuk fitoi dhe as u kujtua për bashkëpuntorin e dikurshëm. Gonxhja mbeti i deziluzionuar, e shprehte frustrimin në rrethe të ngushta me “zhgënjimin më të madh të jetës së vet”, ndërsa Rama me sa duket mendonte se nuk kishte kaluar aq shumë kohë që ish studenti i tij i dikurshëm të rehabilitohej në publik.
Ky moment mbërriti në 2015, kur sa për të testuar oponionin, Erion Veliaj, vendosi ta rikthejë në Bashki si një drejtor të vogël të parqeve dhe gjelbërimit. A e dinte kryebashkiaku aktual, se në 2008 Gonxhja kishte shprehur ambicien për ta drejtuar i vetëm institucionin nga i cili pati dhënë dorëheqjen për shkak të përmbytjes? Me siguri që jo. Por ama Rama e dinte se 2027 është mandati i fundit i Veliajt të cilit duhet ti gjejë një pasardhës. Askush nuk mund të hedhë fall më tepër sesa kaq. Por një gjë qështë e sigurtë. Edi Rama ia ktheu borxhin Blendi Gonxhes duke e emëruar ministër. Ai e reabititoi, aq më tepër që tashmë ka shpallur tigra të tjerë, që kanë bërë namin pas shpinës së tij.