Basir ÇOLLAKU
Bledar Naçi është ish-oficer i Antidrogës, dikur i dekoruar nga Saimir Tahiri dhe i përgëzuar nga Edi Rama për “heroizëm” dhe sot, i detyruar të strehohet nga përndjekja e shtetit që i shërbeu për shumë vite. Njësoj si Dritan Zagani dhe Antonio Nazeraj, jeta e Bledar Naçit mori tatëpjetën kur u përplas me grupin e Habilajve që udhëtonin me makinën e ish-ministrit të Brendshëm, në fund të vitit 2013.
Dje, në pjesën e parë të intervistës për “Gazetën Shqiptare”, ish-efektivi i Antidrogës së Fierit rrëfeu detajet e shoqërimit të vëllezërve Habilaj dhe lirimin e tyre me urdhrin e drejtorit të policisë. Pas këtij incidenti, njësoj si shokët e tij Naçi u akuzua se i kishte marrë 10 mijë lekë të reja një personi që sot rezulton i dënuar për disa vepra penale.
“Gazeta Shqiptare” ju sjell sot pjesën e dytë të intervistës me ish-efektivin e policisë, Bledar Naçi (sot ndodhet në një vend të BE) ku ai flet për trafikun e heroinës dhe kokainës. Naçi tregon dy incidente: i pari, kur sekuestruan 3.5 kg heroinë dhe “i zoti i mallit” i kërcënoi duke thënë se “Përgjimet që ju i dëgjoni në zyrë, mua mi sjellin nga Tirana dhe i kam në shtëpi”.
Dhe incidenti tjetër, kur ai dhe Zagani ndaluan një skaf të dyshuar për trafik dhe policia e Vlorës u përplas me ta me armë, pasi nuk lejonte sekuestrimin e skafit.
(vijon nga numri i djeshëm)
Pastaj erdhi arrestimi, burgosja dhe dënimi?
Jam arrestuar me datë 2 maj 2014, dhe jam liruar nga burgu me datë 14 janar të vitit 2015
Jeni pyetur ndonjëherë gjatë qëndrimit në burg?
Jo, gjatë qëndrimit në burg nuk jam pyetur asnjëherë. Pas disa muajsh më ka ardhur në qeli shefi i SHKB Fierit, duke më paraqitur një shkresë ku më kërkohej të firmosja mbylljen e hetimeve, se nuk ishin gjetur prova për të vazhduar hetimet më tej. Ishte ky person që më ka ardhur dhe në mjediset e burgut të Vlorës. Nuk jam pyetur asnjëherë nga prokuroria
Jeni dënuar pastaj?
Jam dënuar dy vjet me shërbim prove. Pas daljes nga burgu jam larguar nga Shqipëria pas disa muajsh.
Përse, ishit i pasigurt, kishit kërcënime?
Kërcënimet ndaj meje jashtë burgut kanë rrjedhojë dhe ato që janë bërë gjatë qëndrimit në burg. Kjo ka ndodhur dhe në burg
Si?
Mund ta verifikoni. Në burgun e Vlorës kam ndenjur në qeli me persona që ishin të dënuar me 25 vjet për vrasje,
Në qeli të dënuar ka..?
Po e di këtë, kam qenë në dhomë me persona që kanë qenë të dënuar për vrasje, për grabitje me armë dhe për pengmarrje, jam kërcënuar dhe nga të dënuar të tjerë.
Keni denoncuar?
Jam goditur brenda në burg.
Si goditur?
Po më kanë qëlluar të burgosur, duke më thënë se ti u ke bërë shumë keq miqve dhe shokëve tanë, gjatë kohës që ke punuar në polici, sidomos kohët e fundit. Jam masakruar, sepse një moment kam qenë vetëm dhe jam qëlluar, më kanë thyer dhëmbët e nofullës së sipërme, në burgun e Vlorës.
Ju nuk e keni denoncuar?
Ku ta denoncoj. Jam këshilluar dhe jam mbyllur në qeli, sepse këto gjëra mund të nisnin si sherre banale dhe mund të ishte fort mirë një tentativë ekzekutimi ndaj meje dhe kam shpëtuar për fat të ndërhyrjes së disa punonjësve të burgut që u ndodhën dhe hynë me shpejtësi. Kanosja ka vijuar edhe pas daljes nga burgu, kanë ardhur mesazhe direkt dhe indirekt, në lagjen time dhe në banesën time
Ju i keni denoncuar?
Ju pyesni a i kam denoncuar? Te cila polici? Te ajo e Fierit, që mua më futi brenda në atë mënyrë, te ata drejtues policie që kishin ato lidhje dhe njohje, ajo polici do më jepte garanci për jetën time..!!!
Ju keni punuar gjatë në polici, sipas informacioneve tuaja, cili është aktiviteti i grupeve kriminale në qarkun e Fierit, Vlorës, po të këtyre zonave?
Aktiviteti i tyre, është shumë i organizuar, jo vetëm në kultivimin e hashashit dhe janë të shtrirë dhe në trafikun e heroinë dhe të kokainës. Janë aq të organizuar sa nuk mund t’u ofrohesh dot. Janë shumë të organizuar sa policia këtyre grupeve, nuk mund t’u ofrohet dot.
Po nëse nuk i ofrohet policia kush mund ta bëjë?
Po ta them edhe një herë, policia këtyre grupeve nuk mund t’u ofrohet dot. Policia u ofrohet atyre, po të ketë drejtues policie që nuk janë të lidhur me to.
Kjo është akuzë, e keni të mbështetur në informacione?
Kjo është e vërtetë nuk është akuzë. Dhe unë mund t’jua shpjegoj konkretisht.
Po.
Gjatë muajit dhjetor 2013, seksioni Antidrogës, ku kam qenë edhe unë pjesë, ka bërë një kapje sasie heroinë, 3.5 kilogramë, e pastër dhe ky person është arrestuar e ka shkuar në burg dhe droga është sekuestruar. Gjatë hetimeve që kemi pasur na kanë dalë në lidhje me të, me numra telefonash persona që kanë biznese shumë të fuqishme në Fier.
Të kesh një numër, nuk e fajëson një person?
Këtë dua të shpjegoj. Nga hetimi këtij personi kanë dalë numra telefonash të këtyre bizneseve të personave që ne kishim në hetim, personave që kanë biznese në Fier, po flas për biznese të mëdha dhe jo për lokale e dyqane lagjesh. Dhe unë jam kërcënuar edhe nga ky person për të cilin po flasim, unë edhe ish-kolegu im Antonio Nazeraj.
Perse?
Sepse ky person ishte në ndjekje dhe në hetim nga ana jonë. Kjo çështje nuk bënte fjalë vetëm për 3.5 kilogramë, ishte akoma edhe më e madhe. Gjatë hetimit kemi marrë shumë informacione për adresa, për numra telefonash, informacione që përcillen tek të gjithë eprorët deri të drejtori, me numra telefonash, me automjetet që kanë dhe lëvizin me to, adresat e banesave dhe numrat e telefonave që këta i ndërronin herë pas here qëllonte gjithnjë që ne na dilnin të fikur. Këto info janë të përcjella në rrugë zyrtare tek eprorët tanë.
Por pastaj si vepruat me këtë hetim?
Gjatë kohës, që ky person dhe shumë persona të tjerë ishin nën hetim, vjen ky person dhe unë isha me kolegun tim Antoni Nazeraj dhe kërkon, na vjen aty ku ishim, kërkon të flasë me ne. Urdhëro i themi, çfarë ke për të thënë?
Dhe çfarë ju tha..?
Atë emrin tim tha mos e përmendni më, sepse ju e keni të kotë, mos shkruani më për mua, sepse ato disqet e përgjimeve të bisedave që dëgjoni ju në zyrë, unë i dëgjoj në shtëpi dhe unë i marr të gatshme nga Tirana. Kështu na tha mos u merrni me mua, merruni me të tjerë, e kjo për ne ishte një kanosje e hapur për shkak të detyrës, se mund t’ia kalojmë mirë bashkë, por edhe mund të mos ia kalojmë mirë. Ky person bashkëpunonte dhe me grupe të tjera.
Sa grupe të tjera kishte..?
Mund t’ju them se ky grup i fuqishëm kriminal kishte lidhje dhe me grupe në Vlorë dhe ka pasur lidhje të fuqishme edhe në politike, njëkohësisht kishte lidhje të forta edhe me Habilajt, këto informacione ne i kishim zyrtare, ishte grup paralele me Habilajt, por shumë më i fortë se ai.
I keni zyrtare këto informacione?
Sigurisht që i kemi bërë zyrtarisht dhe janë arkivuar, nëse këto i kanë hequr, atëherë kjo është punë tjetër.
Keni pasur bashkëpunim apo përplasje në luftën kundër trafikut?
Ne kemi pasur përplasje edhe me policinë e Vlorës në operacione kundër trafikut dhe për këtë mund t’ju tregoj një rast konkret.
Cili rast?
Kemi qenë në një shërbim në Lushnjë, së bashku me shefin e sektorit Dritan Zagani, se kemi qëndruar disa ditë dhe kemi pasur rezultate në kapjen e narkotikëve. Një ditë, na eshtë dhënë urdhër nga eprorët që kishin një informacion për një skaf në zonën e Levanit dhe kemi shkuar unë dhe Zagani. Gjatë rrugës Zagani komunikonte herë pas herë me shefin dhe informohej për detajet gjatë operacionit, informohej salla nga inspektori, dhe kështu zinxhir na vinte informacioni.
Çfarë mjeti ishte ai që po ndiqnit?
Ishte një Land Rover që po tërhiqte skafin për ta zhvendosur dhe po kalonte territorin e qarkut Fier, kishte mbërritur te ura e Mifolit. Ka qenë një këmbëngulje e Zaganit dhe e shefit që komunikonte dhe na u tha ta ndiqnim deri në destinacion që ta ndalonim, ndonëse kishte hyrë në zonën e Vlorës, duhej të përfundonim operacionin dhe unë dhe Zagani kemi vijuar ndjekjen dhe e kemi ndaluar mjetin
Çfarë bëtë?
Kemi kërkuar dokumentacionin e mjetit, ishte skaf me tre motorë, shefi bënte komunikimin dhe unë isha mbështetës. Eshtë kërkuar dokumentacioni, është kërkuar shpjegim nga poseduesi i mjetit, përse ke dalë në këtë periudhë, për çfarë arsye dhe ne kishim infot e inspektorit. Në këto momente që në po kërkonim shpjegimet ndaj këtij personi, nga na e shefit, në këto çaste mbërrijnë oficerë të policisë së Vlorës, katër persona, dy prej të cilëve i njihja se ishin oficerë policie.
Ata ju mbështetën ju?
Kanë debatuar me Zaganin, ne donim që mjeti të shoqërohej në Fier, gjatë kësaj kohë Zagani ka komunikuar me shefin duke kërkuar forca të tjera të mbështesnin operacionin dhe ishim në pritje të ardhjes së forcave.
Si ndodhi?
Dhe oficerët e Vlorës na thanë se ju nuk keni të drejtë, Zagani bisedoi me to dhe ata na thanë se jemi informuar nga salla operative se në rrugë është një skaf.
Ju s’besoni?
Jo unë besoj se janë lajmëruar nga personi që kishte skafin. Duke pritur forcat ata na thanë se jemi të Triportit dhe vetëm ne kemi të drejtë të bëjmë verifikim
E latë?
Zagani ka debatuar me këta persona, flas me ata që unë i njoh, që nuk kanë pranuar dhe donin me çdo kusht mjeti të shkonte në Vlorë dhe jo në Fier se ne jemi ekspertë. Zagani tha se ne do marrim e shoqërojmë mjetin, shef Zagani si ish-shef i Kufirit dhe njohës i mirë i ligjeve dhe procedurave u bëri të ditur atyre se po respektonin ligjin dhe ky debat u bë i nxehtë
Si?
U arrit deri në fyerje dhe nxjerrje armësh…
Nxjerrje armësh?
Po, në vend të na ndihmonin, ata këmbëngulnin në të tyren për të marrë mjetin dhe ne nuk jemi mbështetur nga policia e Vlorës në këtë operacion për të sekuestruar këtë skaf me tre motorë, polica e Vlorës është bërë pengesë, duke kërkuar me çdo kusht marrjen e mjetit
Si vajti..?
Nga ato kishte dhe persona të tjerë që po afroheshin dhe ne ndërkohë ne prisnim forcat tona dhe ne ishim në këto momente ne rrezik, kur ka ardhur patrulla e policisë dhe personi që kishte mjetin na kërcënuar mua dhe Zaganin duke na thënë se për këtë që po bëni do t’ju fus plumbin dhe ka shfrytëzuar situatën e debatit për t’u larguar.
Kush e mori mjetin?
Mjeti është marrë me forcë nga ne, janë marrë çelësat e mjetit, ndërkohë që erdhën dhe forcat tona mbështetëse. Personi në ikje e sipër na kërcënoi, Zaganin dhe mua, duke thënë se për këtë do ju fus plumbin, dhe u largua ndërkohë që oficerët e Vlorës e lejuan të ikte dhe nuk bënë asgjë.
E morët skafin dhe e dërguat në Fier?
Po skafi është marrë nga ne dhe është dërguar në drejtorinë Fierit dhe ka qëndruar një orë aty..
Si një orë..?!!
Ka qëndruar rreth një orë, jo më shumë se një orë, para drejtorisë së policisë së Fierit dhe e kanë marrë dhe është larguar.
Hollivood?
Ashtu mund të duket. Por nuk jam vetëm unë dëshmitar në këtë ngjarje. Nuk di si e kanë bërë dokumentacionin dhe kanë urdhëruar nga larg, por skafi menjëherë është larguar, nuk di kush ka urdhëruar nga lart që ka ndodhur kjo, po të them këtë që di.
Është bërë informacion?
Sigurisht është bërë informacion nga inspektori i zonës, është bërë raport shërbimi dhe është kërkuar nga shefat, dhe informacionit të tij i është bashkëngjitur informacioni ynë dhe është përcjellë për në drejtori lart.
Skafin e kanë marrë?
Jo e kanë marrë se nuk është grabitur, skafin është urdhëruar që ta largojnë ta marrë dikush. me gjithë makinë, fuoristrada me gjithë karrel
Trafiku i heroinës e kokainës ka pasur zgjerim këto vite, Habilajt thatë bashkëpunonin me grupe të tjera, kishte grupe më të forta se ky grup thatë?
Ka pasur grup të tjera dhe ka ende grupe në Fier, ekzistojnë janë të lidhur me njëri- tjetrin. Janë të lidhura. Nuk kanë targa grupet, targa Fieri apo Vlora, ka pasur dhe ka ende grupe shumë më të fuqishme se Habilajt, por këta hapnin rrugën. Këto grupe kanë pasur dhe kanë mbështetje politike. Kam info të sigurta. Vitet e fundit është fuqizuar akoma më shumë. Ka grupe në Fier që nuk mund të blesh një kilogramë apo dy kilogramë, ata nuk shesin më pak se 10 kile kokainë, por nuk kanë dashur të hetohen.
Kjo nuk është supermarket..?
Jo nuk është ashtu, por ka grupe që shesin me shumicë, janë dora e parë e trafikut dhe nuk japin me kilogramë, por me 10 kilogramë e lart.
Ku e dërgojnë?
Në Evropë, kryesisht në Itali, heroina vjen nga Afganistani, kokaina nga Amerika Latine por edhe Holanda.
Fieri ka grupe që nuk mund t’u ofrohesh dot edhe sot e kësaj dite që në flasim. Nuk i ofrohesh dot.
Kush i mbron?
Policia nuk u ofrohet se janë drejtuesit që janë të lidhen, një oficer antidroge, një polic i thjeshte është gjithnjë i rrezikuar dhe i shitur dhe në jo pak raste ne kemi qenë të dekonspiruar dhe të shitur. Kjo na ka ndodhur. Informacionet që bëj unë dhe kolegët përcillen më lart te eprorët nga shefat e seksionit dhe sektorit nuk kemi qenë asnjëherë të tradhtuar, sepse ne kemi bërë shumë shpesh info të përbashkëta, ku kemi firmosur bashkërisht në këto dokumentacione shkresa, raporte shërbimi, kur informacioni shkonte lart në drejtoi e drejtorinë e përgjithshme, atëherë ne shpesh ishim të zbuluar…
Vijon…