Disa nga viktimat për “bombën” në Ambasadën Sovjetike
Nga Juxhin Mustafaraj
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë ka dorëzuar një kallëzim penal për hetimin dhe zbulimin e autorëve të masakrës së ndodhur për ngjarjen e “Bombës së ambasadës sovjetike”, për të cilën më 26 shkurt 1951 u ekzekutuan 22 intelektualë, mes të cilëve edhe shkencëtarja Sabihan Kasimati.
Qëllimi i kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sipas përfaqësuesve të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve, është dënimi me vendim gjykate i anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, trupit gjykues dhe pjesëtarëve të grupit të pushkatimit.
Ndonëse bëhet fjalë për një çështje të vitit 1951, duke iu referuar nenit 67 të Kodit Penal për mosparashkrim të ndjekjes penale për krimet kundër njerëzimit, përfaqësuesit e shoqatës dhe familjarët e 22 viktimave të asaj ngjarjeje kërkojnë përgjegjësi ligjore për secilin urdhërues dhe zbatues të asaj ngjarjeje.
“Kërkojmë regjistrimin e procedimit penal dhe fillimin e hetimit për këtë ngjarje, e cila është nga më të rëndat. Hetimi i kësaj çështjeje nga ana e institucionit që ju drejtoni, do të zbulonte dhe do të hidhte dritë mbi një nga masakrat më të mëdha të kryera ndaj shoqërisë dhe posaçërisht ndaj shtresës intelektuale dhe të pasur të saj në kohë paqe. Provat që shoqërojnë kallëzimin, por edhe të tjera që do të dalin gjatë hetimit, krijojnë bindjen për ekzistencën e elementëve të figurave të veprave penale të lartpërmendura. Familjarët e të pushkatuarve në këtë masakër, por edhe gjithë shoqëria shqiptare, presin zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë atyre që janë gjallë dhe kanë marrë pjesë në këtë krim”, thuhet në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
KALLËZIMI
Vendimi për të ekzekutuar, më datë 26 shkurt 1951, pranë urës së Beshirit, në breg të lumit Erzen, 22 intelektualë, dy ditë para marrjes së të ashtuquajturit vendim gjyqësor ndaj tyre për familjarët dhe përfaqësuesit e shoqatës, është krim kundër njerë- zimit. Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë në Shqipëri, Nebil Çika, sqaron për “Panorama”, qëllimin e kallëzimit penal dhe zbardhjen e ngjarjes së njohur si “bomba në ambasadën sovjetike”.
Sipas Çikës, edhe nëse asnjë prej personave që kanë marrë pjesë në atë krim nuk do të vuajë asnjë ditë burg, me rëndësi është që Gjykata t’i dënojë ata dhe ta njohë ngjarjen si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit.
“Synimi është që të rihapet çështja dhe të dënohet fillimisht si krim ajo që ka ndodhur. Të njihet si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit, pasi e tillë është si ngjarje. Është një krim që është bërë jashtë çdo lloj logjike të një procesi gjyqësor. Nuk ka pasur akuzë, gjyq, prokurori. Të vetmit që kanë firmosur janë dy gjyqtarë, që kanë firmosur dy ditë më vonë pasi ishin kryer ekzekutimet. Ajo që kërkojmë ne, lidhet me njohjen e të dyja veprave penale, gjenocidit që është planifikimi i pushkatimeve, të cilin e ka bërë Byroja Politike, si dhe krimin kundër njerëzimit nga ata që zbatuan një vendim të paligjshëm, që janë njerëzit që i arrestuan dhe deri te skuadra e pushkatimit. Kjo është një nga ngjarjet më të rënda në ish-Europën komuniste. Qoftë edhe një nga anëtarët e ishByrosë Politike të jetë gjallë, çështja duhet rihapur. Në dijeni time janë disa nga ish-anëtarët e Byrosë gjallë. Gjykata mund t’i dënojë me burgim të përjetshëm dhe ata mund të mos kryejnë asnjë ditë burg për shkak të moshës së tyre, por ne duam një vendim që kjo ngjarje të njihet si krim kundër njerëzimit”, deklaron Çika.
NGJARJA
Në 19 shkurt të vitit 1951, një shpërthim në Ambasadën Sovjetike vuri në lëvizje të gjithë regjimin komunist dhe solli si rrjedhojë masakrën e natës së 26 shkurtit 1951. Sipas dokumenteve, vendimi për të realizuar këtë masakër u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike të PPSH-së, në mbledhjen e datës 20.02.1951.
Me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”, ku të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe ish-diktatorin Enver Hoxha, shprehën dakordësi me kërkesën e Mehmet Shehut. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Listat i kemi gati”, tha ai. “Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”.
Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.
Listat e personave që do të ekzekutoheshin u zgjodhën nga krerët e Ministrisë së Brendshme, drejtues të Sigurimit të Shtetit dhe vetë ish-diktatori Enver Hoxha. Vendimi për vrasjen e të vetmes grua që u ekzekutua mes 22 intelektualëve, Sabiha Kasimatit, është dhënë nga vetë ish-diktatori Enver Hoxha.
LISTA E PERSONAVE TE EKZEKUTUAR PER “BOMBEN NE AMBASADEN SOVJETIKE”
1.Tefik Shehu,i dtl. 1912, i biri i Hysenit, lindur në Gjakovë dhe banues në Tiranë
2.Hekuran Troka, i dtl. 1918, i biri i Idrizit, lindur në Kuçovë dhe banues në Tiranë
3.Haki Kodra i dtl. 1918,i biri i Rexhepit, lindur në Dibër e Madhe dhe banues në Tiranë
4.Qemal Kasaruho i dtl. 1902, i biri i Nuriut, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë
5.Lluka Rashkoviç, i dtl. 1892, i biri i Kristos, lindur në Mal të Zi dhe banues në Tiranë
6.Fadil Dizdari,i dtl. 1916, i biri i Shyqyriut, lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë
7.Pandeli Nova i dtl. 1892, i biri i Kostas, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë
8.Jonuz Kaceli i dtl. 1908, i biri i Osmanit, lindur dhe banues në Tiranë
9.Thoma Katundi, i dtl. 1886, i biri i Theodhorit, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë
10.Ali Qorallia, i dtl. 1890, i biri i Masarit, lindur dhe banues në Tiranë
11.Gafur Jegeni, i dtl. 1907, i biri i Tefikut, lindur në Dibër të Madhe dhe banues në Tiranë
12.Petro Ekonomi, i dtl. 1921, i biri i Stefanit, lindur në Kajro(Egjipt) dhe banues në Tiranë
13.Zyhdi Herri, i dtl. 1920, i biri i Xhemalit, lindur dhe banues në Tiranë
14.Niko Lezo, i dtl. 1891, i biri i Vangjelit, lindur në Delvinë dhe banues në Tiranë
15.Myftar Jegeni, lindur në Dibër të Madhe e banues në Tiranë
16.Manush Peshkëpia, i biri i Tasimit, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë
17.Andon Delhysa, i dtl. 1904, i biri i Stefanit, lindur në Prizren(Kosovë) dhe banues në Tiranë
18.Reis Selfo, i dtl. 1896, i biri i Xhevdetit, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë
19.Gjon Temali, i dtl. 1904, i biri i Markut, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë
20.Pjerin Guraziu, i dtl. 1903, i biri i Filipit, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë
21.Mehmet Shkupi, i dtl. 1893, i biri i Aliut, lindur në Shkup dhe banues në Tiranë
22.Sabihan Kasimati, i dtl. 1916, e bija e Abdurramanit, lindur në Turqi dhe banuese në Tiranë
PANORAMA