Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja”, deklaron se i qëndron deri në vdekje audio-përgjimit me vëllain e ministrit të Brendshëm, duke thënë se është tërësisht i vërtetë. Pak ditë më parë, analizat e një laboratori britanik sugjeruan se audio-përgjimi i Albert Veliut me Agron Xhafajn është i montuar, duke bërë që Prokuroria të lëshojë urdhër -arreste, përfshi edhe për “Babalen”. Megjithatë, ai thotë se gjithçka është e vërtetë dhe i qëndron deri në fund. Albert Veliu, në rrëfimin e tij për emisionin “Open” të Eni Vasilit, këmbëngul se në audio-përgjim është zëri i tij dhe ai i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm. “Babalja” shton gjithashtu se i janë bërë shumë oferta, por edhe presione që të dalë e të thotë se audio-regjistrimi ishte i manipuluar, por se i ka refuzuar. Madje, përmend një rast kur një deputet i ka dërguar një njeriun e tij, bashkë me shefin e Krimeve të Laçit, në një hotel në Tiranë, duke i ofruar 150 mijë dollarë për të thënë që gjithçka është e sajuar. Për Fredi Alizotin, personazhin e përfshirë së fundi në historinë e audio-përgjuimit të Agron Xhafajt, i cili ndodhet në burg, “Babalja” thotë se gënjen. Madje, shprehet se ai është një njeri i droguar, me probleme ekonomike në familje, që në rast se i jepni një birrë, mund të thotë shumë gjëra. Në një përgjim Alizoti thotë se zëri në audio-përgjim është i tij dhe jo i Agron Xhafajt, por “Babalja” e mohon plotësisht këtë. Ai tregon se si e ka njohur Fredi Alizotin, ndërsa këmbëngul se në audio-përgjim është zëri i Agron Xhafajt, me të cilin ka pasur një qejfmbetje të vjetër.
Ju i qëndroni versionit tuaj për zërin. Problemi është që në Shqipëri ka dalë një personazh që quhet Fredi Alizoti, mbi të cilin ka disa përgjime, audio-përgjime, video-përgjime dhe disa versione të historisë. A e njeh Fredi Alizotin, a ke lidhje familjare?
Fredi Alizotin e njoh. Nuk kam lidhje familjare me të. Thjesht e kam ndihmuar se ka qenë njeri hallexhi, i dalë nga burgu, i droguar, si mund të themi. E kam kthyer në jetë. Ai e ka ditur historinë time, ka ditur ngjarjen time, se ia kam treguar unë.
Po si e ka ditur?
Që jam në pozicion të vështirë dhe që duan të më vrasin. Dhe e mbaja nga pas për të më ruajtur se kush më vinte nga pas. Ai nuk ka fare lidhje me këtë ngjarje.
Pra, ju ia keni treguar vetë?
Po, të gjithë historinë.
E keni njeri të afërt përderisa ia keni treguar?
Nuk e kam njeri të afërt, po i kam treguar. E kam pasur shok. Kisha besim se më mbronte krahët. Jo se ai ka lidhje me këtë ngjarje.
Kur jeni takuar për herë të fundit me të?
Në Tiranë, kur unë kisha probleme që më vinin këta nga pas. Më vinin këta të Drejtorisë së Përgjithshme. E mbaja nga pas që të më ruante, se kisha merak se më fusnin ndonjë plumb. Se tani çfarë nuk pret nga ata
Fredi Alizoti pretendon se zëri i publikuar në audio-përgjim është zëri i tij. Pra, i Fredi Alizotit.
Nuk është e vërtetë. Merreni dhe futeni në… Merreni zërin tim, zërin e Fredi Alizotit, zërin e x-it dhe del se cili është. Është shumë e thjeshtë.
A i keni premtuar para Fredi Alizotit që ai të luajë rolin e Agron Xhafajt?
As që bëhet fjalë. Janë të gjitha gënjeshtra. Janë manipulime të gjitha.
Ka përgjime Prokuroria.
Le të ketë përgjime. Janë të gjitha gënjeshtra. Veçse unë i kam thënë, për mbrojtjen time t’i do marrësh 1 mijë euro, për të ndihmuar familjen se e kishte familjen pa bukë. Ka 2 pleq në shtëpi që i ka të sëmurë. Po të doni, verifikojeni. Këto janë të gjitha manipulime nga dikush tjetër që e ka futur në valle.
Përse do gënjente Fredi Alizoti dhe do shfaqej krejt papritur në një moment të caktuar dhe të thotë që ai zë është i imi, nuk është i Agron Xhafajt?
Fredi Alizoti, që ju të bindeni, merreni dhe jepini 1 shishe birrë dhe do dëgjoni shumë gjëra. Është njeri i droguar, është alkoolist.
Ai thotë që ju i kishit premtuar 100 mijë euro nga 200 mijë euro që secili do ndante.
As që bëhet llaf. Unë në jetën time me lekë nuk më ka blerë njeri. Vajta 51 vjeç dhe s’më ka blerë burrë nëne me lekë. Unë kisha historinë me x-in, më kishte detyrime për burgun që bëra. Më ktheu kurrizin, më la fëmijët rrugëve dhe e ktheva monedhën. Këtu nuk ka asnjë lloj politike, çfarë dëgjoj. As Olldashi, as Salianji, as Rama, as me Xhafajn nuk kam gjë. Unë e kam të gjithë me atë se më ktheu kurrizin. Më la të vuaja burgjeve dhe më la fëmijët rrugëve. Dhe vetë ngrinte pallate, u bë kapobandë.
Tani, edhe një herë. Qëndrojmë te 100 mijë eurot. Ju thoni që nuk ka asnjë, as 100, as 200? A ju ka paguar njeri?
Nuk është e vërtetë, janë gënjeshtra.
A ju ka paguar njeri për këtë regjistrim?
As edhe një 10 lekësh. Unë kam ardhur në Kosovë që të më besoni, me 300 euro. I keni të regjistruara në Polici. Dhe ha bukë në azil. Ha bukën e azilit dhe tani që jemi bashkë po të nxjerr xhepin, jam me 4 euro në xhep. Asistenca e azilit.
Në fakt, Prokuroria disponon një sasi të madhe përgjimesh, shumë prej tyre kanë dalë në media. Dalin disa të dhëna komprometuese, për shembull, 6 qershor, ora 9:30, Prokuroria thotë se juve ju ka marrë në telefon Fredi Alizoti dhe mes jush është zhvilluar kjo bisedë. Ai thotë e takova, jo këtej jo andej, jam keq po dridhem. Ti i thua: Ore, thuaj bëj likuidimin që kemi lënë, thuaj kaq.
Nuk është likuidim, por kam familjen pa bukë. Dhe u thashë të të ndihmojë filani, të japë 200 euro për bukë.
Kush është ky filani, kë takoi Alizoti?
Është njeriu im. Është njeriu i shtëpisë sime.
Po pse po dridhej ky njeriu?
Po është i droguar ai.
Jo, jo. Alizoti thotë e takova këtë njeriun që ju thoni se është i yti dhe ai po dridhej. Jam keq, jo këtej jo andej.
Dëgjo, të them një gjë. Këto janë montazhe që bëhen të gjitha. Bëjini analizat e gjakut atij zotërisë dhe pastaj flisni me mua. Interesohuni një herë se në çfarë gjendjeje është ai.
Për çfarë bëhet fjalë në këtë bisedë?
Këtu bëhet fjalë që t’i jepja unë 200 euro, për të ndihmuar të shtëpisë. Se ishin pa bukë në shtëpi se janë copë-copë. Interesohuni një herë çfarë të them unë.
Pra, ju thoni nuk është ai momenti që dikush duhet të paguante atë 200 mijë euroshin?
Jo, jo, jo. S’ka pagesa fare. Janë të gjitha sajesa. Janë të gjitha filma. Dhe i lutem shumë Prokurorisë të çojë çështjen deri në fund. Mos të merren me lajme hovi në televizione, Babale 1, Babale 2. Se unë jam njeri që ta dijë dhe ai zotëria i madh, unë nuk kam rënë nga qielli. Unë jam thjesht një qytetar i thjeshtë.
Ju thoni gjithashtu, në këtë paragraf që lexova, unë flas me atë tjetrin, me kosovarin. Me atë? Çfarë keni dashur të thoni?
Shiko, kosovari, ne kemi pseudonimin e një shokut tim që kam unë poshtë. Nuk ka lidhje kosovari fare, është pseudonimi, siç më thonë mua “Babale”, tjetrit i thonë kosovar, tjetrit korçar, tjetrit i thërrasin kuqo. Pseudonime ka çdo njeri në ambientin tonë. S’ka lidhje fare.
Pra, ju po thoni që nëpërmjet një njeriu tjetër, me njeriun që duhet t’i jepte këto 200 euro këtij personi.
Po, sepse kishte ngelur në mes të rrugës dhe kishte plakën sëmurë atë dite.
Fredi Alizoti, del një tjetër përgjim i datës 12 qershor, ku flet sërish për paratë. Ai flet me një numër që mbaron me 974 dhe i thotë: Muhabet nuk ke dëgjuar në televizion ti? Po fola unë gjëra, ai muhabeti jam unë, e kape filmin ti? Unë bëra sikur isha vëllai i tij. E ke parasysh, dëgjon? Bëra sikur isha vëllai i tij. E kupton, do merrnin nga 100- she, a e kupton ti?
Nuk është e vërtetë fare, këto janë të gjitha broçkulla. Motra, janë të gjitha gënjeshtra. Janë të gjitha të improvizuara, siç i thoni ju në gjuhën tuaj. Janë të montuara nga dikush. Ai nuk ka fare lidhje. Atë të vërtetë e di vetëm unë dhe ai x. Kemi 2 kampione zërash, merrini.
Alizoti thotë se ai x jam unë.
Jo, është x tjetër. Ka dalë edhe një Agron Hyseni që unë nuk e kam parë kurrë në jetën time dhe unë nuk e di kush është.
A ju kishte thënë Alizoti qe do i tregonte të gjitha nëse ju nuk do e paguanit?
Nuk është e vërtetë fare, pasi nuk i ka diskutuar me mua këto muhabete, se nuk ka shanse t’i diskutojë me mua këto muhabete. Nuk ka shanse të bisedojë këto lloj muhabetesh sepse nuk është fare i lidhur në këtë lloj historie.
A ju kishte thënë ai se më datën 1 qershor do telefononte në Polici për të treguar të vërtetën e tij, se e ka bërë ai rolin e Agron Xhafajt?
Nuk është e vërtetë.
Zoti Veliu, a ju kanë premtuar para nga Partia Demokratike?
As nuk kam fare lidhje me Partinë Demokratike, as me Partinë Socialiste. Kam lidhje me partine çame. Unë jam çam.
A ju ka premtuar para PD për përgjimin?
As nuk kam fare lidhje me këto lloj gjërash dhe as nuk i njoh.
A jeni takuar me eksponentë apo deputetë të Partisë Demokratike?
Unë jam takuar atë natë që kam dhënë intervistë me sekretarin e tij andej matanë.
Më përpara, jeni takuar me eksponentë të PD, ndërkohë që përgatiteshit për përgjimin?
Vetëm një herë kanë ardhur aty te kafeneja 2, 3 veta. Unë nuk e di se çfarë kanë qenë, se nuk i njoh as me emra se nuk merrem me politikë.
Te cila kafene?
Te kafeneja e PD. Se aty u bazova që çova materialin.
Si je njohur me Salianjin, në çfarë rrethanash je njohur me deputetin?
Unë me Salianjin nuk kam fare lidhje. Këto janë të gjitha gënjeshtra. Unë vetëm sa i kam dorëzuar diçka Olldashit, Olldashi atë natë më ka prezantuar me Salianjin që dhashë intervistën, kaq kam unë, nuk kam gjë me Salianjin.
Pra, të ka prezantuar Olldashi me Salianjin. Ti e ke takuar Salianjin apo jo?
Po, atë ditë që mora intervistën. Edhe një herë ishim ulur për kafe, që iu thashë ishin tre deputetë.
Më pas apo më përpara?
Më përpara se të jepja intervistën, të thashë në kafene që ishin tre deputetë. Të mos i ngatërrojmë gjërat.
Çfarë bisedash ke bërë me Salianjin?
Asnjë lloj gjëje, të thashë. Kam këtë lloj gjëje që kam bërë dhe dua të jap edhe intervistën për garancinë e jetës sime, se nuk i dihet. Doli ajo në audio-përgjim, jepej ajo në televizion. Ajo që një tablo që më pengonte mua jetën, si më ndodhi në Kukës
Pra, e ke takuar një here në kafe, pastaj në PD. Pastaj të kujtohej kjo gjë?
Që dhashë intervistën, të thashë. Dhashë intervistën dhe ika. Nuk kam lidhje me asnjë të PD dhe as nuk i njoh. Dhe Salianjin nuk e njoha, çfarë e kam parë në televizion tani.
Salianji thotë e kam takuar vetëm te holli, nuk kam pirë ndonjëherë kafe me të.
Më dha dorën, nuk thashë se kemi pirë kafe. Te kafeneja e PD, nuk thashë që pimë kafe. Ishin 3 deputetë që më dhanë dorën, deputetët a qytetarë nuk e di çfarë ishin.
A ju ka premtuar Salianji 200 mijë euro për materialin?
As që bëhet llaf, të gjitha janë gënjeshtra moj motër. Të gjitha janë gënjeshtra, janë shpifje të gjitha.
Kujt i ke kërkuar ndihmë?
Zyrtarit të PD, rojës poshtë.
Çfarë iu tha?
Kështu, kështu janë gjërat. Dua një njeri që të më garantojë jetën time dhe t’u jap edhe unë provat e mira. Dhe bile nuk janë publikuar të gjitha videot nga SHIK-u, do i marrësh vesh edhe ato.
Kush ishte personi i parë që kontaktuat përpara se ta bënit përgjimin?
Ka qenë një djalë i vogël.
Pra, Olldashin ta ka prezantuar ky djali i Partisë Demokratike duke të thënë që është i…
SHIK-ut. Jo, ai më tha që jam i SHIK-ut, nuk më tha ky i Partisë Demokratike, ai më tha që jam i SHIK-ut.
Do ma thuash emrin e deputetit që të ka ofruar që të tërhiqesh?
E di Prokuroria. Nëse janë tamam shtet që e nxjerrin të vërtetën, e nxjerrin. Edhe ky që ka ardhur këtu ta thashë. Janë zinxhir gjërat.
Ke frikë për vete, për familjen tënde?
Unë kam frikë familjen time, për veten time as nuk ma ndjen. Sikur sot të vijnë të më marrin të më fusin plumbin në kokë, as nuk trembem fare. I kaluam 50 vjeç, por të paktën do jemi faqebardhë, ajo që është e bardhë është e bardhë.
Me Alizotin..
Dhe më ofruan edhe 150 mijë dollarë në Tiranë.
Për?
Te një lokal, te 11-katëshi. E di x, që na hiqet si i ndershëm, flet në televizion. Të thoja që është është false kjo.
Ju kanë ofruar 150 mijë euro për të thënë që është false audio-përgjimi, që gënjeva?
Po.
Kush është 11-katëshi në Tiranë?
Është një lokal i hotelit, i deputetit të… Të mos flas.
Hotelit të kujt partie?
Të këtij që më ndjek mua këmba-këmbës, që i ndjek njerëzit këmba- këmbës ai, gjer në varr.
Ishte deputeti që jua ofroi këtë gjë, vetë?
Kishte sjellë një njeri aty, me shefin e Krimeve të Laçit.