VOAL

VOAL

Basha tregon vendimin e Kryesisë: Protesta në të gjithë vendin, do ngrihen shtabe

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se protestat do të vazhdojnë nga opozita deri në rrëzimin e qeverisë Rama.

Ai e bëri të qartë se vendimi i parë i i kryesisë së PD ishte hartimi i një kalendari për vazhdimin e protestave në të gjithë vendin. Ndërsa shtoi më tej se një tjetër vendim i dalë nga kjo mbledhje është edhe ngritja e shtabeve politike.

 

Do hartojmë një kalendar protestash popullore në të gjithë vendin dhe protestave kombëtare në Tiranë. Vendimi i dytë ka të bëjë me ngritjen e shtabeve politike dhe organizative në nivel qendror dhe lokal, të cilët në bashkëpunim me opozitën e bashkuar do bëjnë të mundur përparimin me këtë kalendar pune. Morëm vendimin për shpalosjen e programit të PD. Ne do t’i japim Shqipërisë vizionin tonë me besimin se Shqipëria do të ketë një të ardhme.

Bashkë me qytetarët shqiptarë do të marrim vendime se si do të shkojë kjo e ardhme. Politikat tona për pensionet, për biznesin, sipërmarrjen që të hapë vende pune, politikat tona për zhvillimin ekonomik dhe një vendi në krah të njerëzve.  Morëm vendimin për ndërthurjen e këtij turi protestash me një tur programi për Shqipërinë”, tha Basha pas mbledhjes së kryesisë për mediat.

Ylli Manjani: Zgjedhjet më 2017 u humbën për shkak të marrëveshjes antikushtetuse PD-PS dhe tani vuajmë pasojat

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani foli sot gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar, ku deklaroi se, sipas tij ajo që i duhet vendit dhe LSI-është kthimi i balancës dhe se duhet që LSI të fillojë përgatitjet për fushatën zgjedhore.

Jemi kundër establishmentit politik që Rama ka vendosur sepse këto gjërat janë pasoj e vitit 2017. Janë blerë vota e vërtetë por zgjedhjet nuk janë humbur nga kjo  po për shkak të marrëveshjes antikushtetuese PD PS dhe tani vuajmë pasojat. Kush flet sot për kushtetueshmëri. Nuk ka kushtetutë më. Sistemi politik në Shqipëri i dis-balancuar. Një njeri me 48% të votave në kulmin e vet politik, çfarë bëri? 48 % mori po si ka mundësi që ka 55% në parlament? Ja pra ku është vjedhja. Edhe ne kemi gabimet tona. Duhet ta kthejmë LSI në balancën politike.  Duhet kthyer balanca politike edhe në vend. Prandaj nuk kan kuptim as mandatet e opozitës sepse nuk ka balancë. Ky është qëllimi ynë, të kthejmë balancën nuk është çështja e edi Ramës, ai do iki e do vijë një tjetër. Ne duhet të kthejmë balancën ky është qëllimi. Unë nuk e di kur do jenë zgjedhjet, nuk e gjen dot në këtë situatë”, tha Manjani.

 

Ai ka komentuar edhe dorëheqjen e mandateve, duke e cilësuar si të vetmin veprim që mund t’i jepte përgjigje, sipas tij opozitës.

Jemi në fushatë elektorale dhe duhet të punojmë në dy plane. Ne nuk mund ti themi njerëzve që na ka ardhur radha e duhet të jemi në pushtet. Ne kemi një program, programi i LSI është shtet jo politikë, ekonomi me taksa të ulëta. Arsim sipas nevojave për studentët. Kemi një program fantastik për rininë, por pse nuk e di askush këtë? Vetëm me një gjest ekstrem mund ti japësh një përgjigje kësaj force politike. Ai ka dalë edhe pa brekë, ne e dimë këtë, po nuk përbën më lajm.  Thirrja ime është të fokusohemi te përgatitja për zgjedhje. Erjoni dhe Edvini dhe të gjithë erjonat dhe edvinat janë andej nuk kanë më punë me ne. Ajo që na bashkon në këtë moment është që të konvceptojmë se ka filluar fushata elektorale”, u shpreh Manjani.

Ngjela i thotë ministrit të Ramës, çfarë i ka thënë Rama për të në biseda konfidenciale

Mbrëmë gjatë një debati në emisionin televiziv “Open” kanë shpërthyer akuzat e drejtpërdrejta midis avokat Spartak Ngjelës dhe ministrit Eduart Shalsi.

Ngjela i është drejtuar Shalsit, duke i thënë se nuk ka ardhur për miting, por për debat.

“Unë largohem pasi nuk kam ardhur këtu për miting. Ty të ka dërguar Rama për të na dëbuar neve. Rama ma ka thënë vetë që ty të përdor për zhurmues nëpër studio televizive”, – është shprehur Spartak Ngjela.

Shqipja në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare – Nga Prof. dr. Rami Memushaj

21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, që kremtohet në të gjitha vendet e botës. Qëllimi i caktimit nga UNESCO-ja të kësaj dite si dita e gjuhës amtare ka qenë vlerësimi i gjuhës si mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen dhe trashëgimin e kulturës së çdo populli dhe i nevojës për të nxitur lëvrimin e gjuhëve amtare të popujve dhe të etnive dhe të popujve të botës, të cilat janë pjesë e thesarit kulturor të njerëzimit.

Duke u ndalur këtë ditë te gjuha shqipe, si gjuha amtare e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, vërejmë me kënaqësi se statusi i saj këta 100 vjetët e fundit ka ardhur duke u rritur. Nga gjuhë e ndaluar nën pushtimin otoman, me shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, ajo u bë gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar, ndonëse mbeti gjuhë e ndaluar për pjesën tjetër të kombit që u bënë me dhunë pjesë e shtetit grek dhe e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Kjo gjendje u përmirësua pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi fituan të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe hapën shkolla të të gjitha niveleve deri te Universiteti i Prishtinës dhe katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Shkupit. Me kushtetutën jugosllave të vitit 1974, shqipja në këto troje u ngjit në shkallën e gjuhës zyrtare rajonale në Kosovë dhe të gjuhës zyrtare paralele në Maqedoni. Këtë fillim shekulli, me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, shqipja u bë gjuhë zyrtare kryesore, ndërsa në Maqedoni që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e deri një vit më parë, shqipja ra në statusin e gjuhës rajonale të papërkrahur nga shteti. Po vitin e kaluar, me miratimin nga parlamenti maqedonas i ligjit për gjuhën shqipe, kjo u njoh si gjuhë zyrtare rajonale, pra fitoi status zyrtar, po jo me të njëjtin status me maqedonishten, sikundër ia kishte njohur kushtetuta jugosllave. Përtej këtyre trevave, në Mal të Zi shqipja ruan statusin që ka pasur, si gjuhë rajonale e përkrahur nga shteti; në Greqi për popullsinë e trevave shqiptare brenda kufijve të këtij shteti dhe për arbërorët shqipja është gjuhë e papërkrahur nga shteti, por jo e ndaluar të mësohet nga fëmijët e emigrantëve; në  Itali shqipja është gjuhë e përkrahur e pakicës arbëreshe dhe e lejuar të mësohet nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë, ashtu si në gjithë Europën; kurse në Turqi shqipja nuk mësohet nga fëmijët e emigrantëve.

Gjuha shqipe ka përparuar shumë këta njëqind vjet edhe për sa i përket shkallës së përpunimit të saj. Nga gjuhë me disa variante letrare e dy gjuhë zyrtare (toskërishtja në Shqipëri, gegërishtja në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi), prej vitit 1972 ajo është ngritur në shkallën e gjuhës letrare kombëtare, të pranuar nga të gjitha pjesët e kombit. Ishte Konsulta e Prishtinës e prillit 1968 ajo që hodhi hapin e madh të bashkimit gjuhësor, kur intelektualët shqiptarë të atjeshëm, të udhëhequr nga motoja “një komb – një gjuhë letrare”, shpallën se shqiptarët në Jugosllavi pranonin “si gjuhë të vetën  letrare gjuhën letrare të vendit ëmë”. Kongresi i Drejtshkrimit e sanksionoi këtë vendim të tyrin, duke shënuar në këtë mënyrë fundin e periudhës kur shqipja shkruhej në disa variante dhe fillimin e jetës kombëtare shqipes letrare. Periudha nga Kongresi i Drejtshkrimit e deri më 1990 vlerësohet nga të gjithë si periudha e përpjekjeve për zotërimin dhe përdorimin e normave të gjuhës letrare në të gjithë veprimtarinë ligjëruese të shkruar e të folur. Në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë Konsulta u vuri detyrë shkollës enteve botuese, redaksive e gazetave dhe administratës zbatimin e normën letrare; kurse në Shqipëri, zbatimi i normave të gjuhës letrare nga shkolla, entet botuese dhe administrata shtetërore u bë i detyrueshëm me një vendim të vitit 1978 të Këshillit të Ministrave.

Pas viteve ’90, me përmbysjen e sistemeve politike njëpartiake dhe kalimin në pluralizëm, u vu re një rënie e theksuar e kujdesit për gjuhën nga të gjithë, nga shteti e shoqëria, që u pasua edhe me kontestime të gjuhës letrare e me përpjekje për krijimin e gjuhëve të reja letrare. Në praktikën e ligjërimit të shkruar e të folur, për fat të keq, kjo gjendje vijon edhe në ditët tona, kur vijon mungesa e pafalshme e kujdesit të shtetit për gjuhën, ndonëse kushtetutat e të dy shteteve shqiptare e shpallin mbrojtjen e gjuhës si detyrim shtetëror. Sa pak e mbrojmë gjuhën shqipe, kjo duket po ta krahasojmë gjendjen në këtë pikë me vendet fqinje. Maqedonia e Veriut ka një ligj për gjuhën i cili parashikon sanksione të rrepta për shkelësit e tij – institucione, redaksi apo ente botuese. Kurse as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë ende një ligj për gjuhën, ndonëse projektligji përkatës është depozituar prej kohësh në të dy kuvendet.

Si pasojë e mungesës së kujdesit shtetëror për gjuhën, në botimet, në gazetat e revistat, në televizionet dhe në dokumentacionin zyrtar vërehen shkelje të pafalshme të normave të gjuhës letrare. Më e dukshme kjo dukuri e shëmtuar është në fushën e fjalorit, ku vërehet një vërshim i fjalëve të huaja të panevojshme, madje i fjalëve “kopile”, si realizoj, akses e aksesoj, tentoj, mesazh etj., të cilat po e drunjëzojnë e po e venitin gjuhën, duke u zënë vendin dhjetëra fjalëve të bukura shqipe që përdoren në kontekste të ndryshme sintaksore; edhe në fushën e drejtshkrimit mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç është tregues i injorancës kompjuterike, po edhe mungesë e respektit për alfabetin tonë, për shkronjat e të cilit është derdhur gjak. Në televizione po sundojnë modele akcentologjike të huaja, duke i theksuar fjalët e thjeshta e kompozitat në rrokjen e parë si në anglishte, kur modeli theksor i shqipes kërkon theksimin fundor të fjalës, veçanërisht të fjalëve të përbëra, në të cilat pa asnjë përjashtim theksohet përbërësi i dytë. Ky model i huaj theksimi ka prishur edhe melodinë dhe metrikën e frazës, që nuk tingëllon më si shqip, po si një surrogat shqip-anglisht-italisht.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, është rasti t’u drejtohemi shkollës, shtypit dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në ligjërimin publik, me thirrjen që të tregojnë respekt për gjuhën tonë, e cila është tipari i vetëm që na dallon prej të tjerëve dhe na bashkon ne shqiptarët në një komb. Thirrja jonë i drejtohet edhe shtetit që të kujdeset për gjuhën, në radhë të parë, duke miratuar ligjin përkatës, i cili do t’u jepte zgjidhje shumë problemeve, duke krijuar një mjedis të pastër nga ndotjet gjuhësore e shkeljet e normave të gjuhës letrare. Dhe deri në miratimin e këtij ligji jemi të mendimit që shteti të kthejë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 1978.

Basha kthehet nga Vjena, mbledh Kryesinë e PD

Lulzim Basha, kreu i PD-së që prej mbrëmes së djeshme u nis drejt Vjenës, ku ka zhvilluar takime me disa zyrtarët, por duket se qëndrimi atje ka zgjatur vetëm pak orë. Burime për Gazeta Shqiptare kanë bërë të ditur se Basha ka thirrur në një mbledhje në orën 18:00 Kryesinë e PD.


Kjo për hapat që do të ndërmarrin demokratët për vazhdimin e protestës.

Pas takimeve me drejtuesit e disa institucioneve ndërkombëtare, me disa senatorë dhe anëtarë të Kongresit amerikan, me përfaqësues të grupit të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të OSBE, Lulzim Basha, nuk ka humbur kohë, por ka marrë rrugën e kthimit për në Tiranë.

Kujtojmë këtu se ditën e djeshme pas protestës para parlamentit, deputetët e opozitës dorëzuan zyrtarisht dorëheqjen nga mandati, me qëllim krijimin e një krize institucionale që do të detyrojë kryeministrin Rama të japë dorëheqjen dhe pranimin e krijimit të një qeverie tranzitore.

UNICEF: Vitin e shkuar 1550 minorenë shqiptarë emigruan vetëm në Itali pa familjet e tyre

Shqipëria është vendi kryesor i prejardhjes së emigrantëve minorenë të pashoqëruar që kanë mbërritur në Itali në vitin 2018.

Janë 1550 emigrantë minorenë shqiptarë që udhëtuan në Itali pa familjet e tyre gjatë vitit të shkuar e përbëjnë numrin më të lartë me 14.4 % të numrit të tyre të përgjithshëm.

UNICEF Italia ka prezantuar sot raportin vjetor mbi situatën e emigrantëve minorenë të pashoqëruar në Itali përgjatë vitit 2018 duke u bazuar në të dhënat e Ministrisë italiane të Punës dhe Politikave Sociale.

Ky vit ka shënuar një reduktim të dukshëm të numrit të emigrantëve minorenë që kanë mbërritur pa familjen e tyre në Itali, por sipas Unicef Italia ka pësuar ndryshime harta e prejardhjes së origjinës së tyre.

Nëse gjatë vitit 2017 numri i tyre më i madh vinte nga vendet e Afrikës Subsahariane perëndimor e Shqipërisa renditej në vendin e katër, në vitin 2018 Shqipëria e Egjipti janë vendet kryesore të minorenëve të pashoqëruar që kanë mbërritur në Itali përgjatë këtij viti.

Sipas raportit të bërë publik sot nga Organizata Botërore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Itali, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 10.787 minorenë të pashoqëruar në Itali e vetëm 3.536 kanë mbërritur përmes rrugës detare të Mesdheut. 85% e tyre kanë moshën 16-17 vjec.

Minorenët shqiptarë janë të parët në numër.

Janë 1550 minorenë shqiptarë të mbërritur apo familjen e tyre në Itali e pas tyre renditen në vendin e dytë ata me origjinë nga Egjipti që janë 930.

Pas shqiptarëve dhe egjiptianëve renditen minorenët me prejardhje nga Gambia, Guinea, Eritreea, Bregu i Fildishtë etj.

Në vendin e 14 të kësaj renditen dhe 315 minorenët me origjinë nga Kosova.

Verifikohet një reduktim i dukshëm nga viti 2017 kur numri i tyre ishte 18.303 .

Por gjatë vitit 2018 regjistrohet dhe një numër i lartë , 5.229. minorenë të larguar nga qendra sociale pa ditur se ku ndodhen.

Sipas statistikave të Ministrisë italiane rezultojnë 37 minorenë shqiptarë të larguar nga qendrat e mbrojtjes sociale./ora news

Mbyllet gara, 27 kandidatë për SPAK-un

Në Shqipëri, shtyrja me dy javë e afatit për paraqitjen e aplikimeve për anëtarët e Prokurorisë speciale antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, duket se ka rezultuar e suksesshme. Janë 12 kandidatë që ju shtuan 15 të tjerëve që ishin ofruar përgjatë thirrjes së parë, duke e çuar në 27 numrin e përgjithshëm të atyre që do të konkurrojnë për 15 vendet në këtë prokurori.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e kishte motivuar shtyrjen me faktin që “numri i kandidatëve të cilët kanë aplikuar nuk është ende i tillë që të mundësojë konkurrencën dhe përzgjedhjen e më të mirëve”.

SPAK-u së bashku me Gjykatën speciale, konsiderohen si dy organet kyçe për të shënuar një kthesë në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Përveç nënshtrimit ndaj procesit të rivlerësimit, anëtarët e Prokurorisë speciale do të duhet të plotësojnë dhe një sërë kriteresh të tjera të rrepta, përfshirë detyrimin që të gjitha komunikimet telefonike dhe elektronike, apo dhe llogaritë bankare të tyre dhe familjarëve të ngushtë, të mund të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.

Përveç procedurave të vlerësimit që vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duhet të ndjekë për të parë plotësimin formal të kritereve, kandidatët do t’i nështrohen dhe procesit të rivlerësimit, dhe vetëm në përfundim të tyre do të bëhet e mundur ngritja e këtij institucioni. Me formimin e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale, hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane. aa

“Do udhëheqim një betejë civile”, Basha për “Associated Press”: Ja si do të rivendoset demokracia

Kryetari PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për prestigjiozen “Associated Press” pak para se të niste protesta, u shpreh se opozita e bashkuar do të udhëheqë një betejë civile, për të rivendosur, sipas tij, legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri.

“Opozita parlamentare ka vendosur unanimisht të djegë mandatet parlamentare dhe sot është dita që do të depozitojmë këtë akt të paprecedent me qëllim ndarjen nga një parlament që nuk është produkt i votës së popullit, por është produkt, siç është ekspozuar nga biseda të përgjuara të publikuara nga media ndërkombëtare, i krimit të organizuar në bashkëpunim të hapur me qeverinë aktuale. Ne tani do të udhëheqim një betejë civile, paqësore e demokratike për të rivendosur legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri”, tha Basha.

Berishës i hiqet mbrojtja nga Garda e Republikës, ish kryeministri: Një gjest frikacakësh!

Pas protestës së fundit të 16 shkurtit, ish-kryeministrit Sali Berisha i janë hequr bodiguardët të cilët e shoqërojnë prej vitesh.

Burime të “Panorama” pranë ish-kryeministrit bënë të ditur se shoqëruesve të Berishës i është komunikuar fill pas protestës që të rikthehen në detyrën në Gardën e Republikës, ku do të ushtronin shërbim në ruajtjen e institucioneve.

Mësohet se bodigurardët e ish-kryeministrit kanë paraqitur dorëheqjen pas këtij urdhërim dhe kanë dorëzuar armët e shërbimit.

Ndërkohë që sot e kanë shoqëruar privatisht, Sali Berishën në protestën para Parlamentit.

Berisha është paraqitur në protestë me shoqëruesit e zakonshëm, të cilët ndryshe nga herët e tjera në këtë protestë ata janë të pa armatosur.

Vetë Berisha në një prononcim për Ora Neës e ka cilësuar si akt frikacak vendimin për ti hequr shërbimin e ruajtjes fizike.

Berisha: Ndihem më i fortë dhe më i motivuar se kurrë. Një gjest frikacak dhe hakmarrës i Edi Ramës por unë jam mes qytetarëve më i fortë se kudo tjetër. Do të vazhdoj çdo minutë, çdo orë, çdo javë, çdo muaj betejën deri në çmontimin e narkoshtetit në Shqipëri derisa shqiptarët të votojnë të lirë siç u takojnë.

“Nesër Shqipëria para parlamentit”, Berisha: Këshilli Kombëtar vendosi rrëzimin e Kakistokracisë

Pasi Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi sot pro kërkesës për djegien e mandateve, ish-kryemninistri Sali Berisha shkruan në facebook se ky veprim vendosi përfundimisht “rrezimin e Kakistokracise, dorezimin e mandateve dhe mosnjohjen e paralamentit te ngritur mbi drogen, krimin, korrupsionin!”

Ai ka postuar disa foto ku shfaqet mes simpatizantëve të shumtë që ishin mbledhur sot përpara selisë blu, ndërkohë që pritej vendimi, duke pohuar se ditën e nesërme do të jetë në protestën e opozitës. “Ne mes te demokrateve para mbledhjes se Keshillit Kombetar qe vendosi rrezimin e Kakistokracise, dorezimin e mandateve dhe mosnjohjen e paralamentit te ngritur mbi drogen, krimin, korrupsionin! Neser Shqiperia para parlamentit! Sb”, shkruan Berisha.

Tiranë: Nisin Ditët e Kujtesës kundër komunizmit

Ilirian Agolli

Sot në përvjetorin e 28 të rrëzimit statujës së diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës nga lëvizja studentore antikomuniste e dhe banorët e kryeqytetit, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë nisi konferencën Ditët e Kujtesës.

Krahas shumë studiuesve, autorëve të librave me kujtime dhe protagonist të atyre ngjarjeve, drejtuesja e Institutit Dr. Jonila Godole tha se rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991 shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri.

Studimi kryesor erdhi nga historiani i njohur Bernd J. Fischer me temë “Shqipëria dhe Rënia e Komunizmit në Europën Lindore”.

Ai tha se e fundit në radhën e vendeve ish-komuniste që rrëzuan atë regjim ishte Shqipëria, sipas tij, vendi më i dhunuar nga diktatura dhe më i izoluar nga të gjithë të tjerët, dhe për shumë arsye ishte unike në ndryshim nga të tjerët.

Zoti Fisher tha se brutaliteti i regjimit ishte aq i lartë sa ky brutalitet vështirëson edhe sot rrjedhën e tranzicionit shqiptar. Brutaliteti ishte një nga arsyet dhe e vet bllokimit të diktaturës, tha ai.

“Kishte shumë faktorë në këto zhvillime dhe një prej tyre por një prej këtyre ishte fakti që vendi kishte pak ose pothuajse asnjë disident. Si ka thënë Fatos Lubonja, Shqipëria nuk kishte disident politikë dhe ka ndryshim të madh midis disidentit dhe viktimave të regjimit, citoi ai. Në shqipëri kishte vetëm viktima të regjimit, që nuk frymëzonin të tjerët, por përkundrazi me gjendjen e tyre i frikësonin të tjerët” – tha zoti Fischer. – Pa individë dhe pa institucione disidence të brendshme, Shqipëria kishte si shembull vetëm modelet dhe ngjarjet që ndodhën në vendet e tjera ish komuniste të lindjes. Dhe qytetarët shqiptarë këtë bënë për t’i dhë fund regjimit komunist; ndoqën shembujt e lindjes dhe dëgjuan këshillat nga faktorët e jashtëm”.

Në Ditët e Kujtesës u publikua edhe libri “Mes apatisë dhe nostalgjisë” me kujtime nga protagonistë dhe viktima të atyre ngjarjeve, ndërsa ISKK publikoi 11 botime me dokumenta dhe studime mbi ato ngjarje të dhunshme.

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës erdhi pas një greve të gjatë urie të studentëve të UT, që kërkonin heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti i tyre.

Protesta e opozitës, Ruçi thotë se e anulon seancën e parlamentit

Në Shqipëri, kryetari i parlamentit Gramoz Ruci, tha se ka vendosur të anulojë zhvillimin e seancës së parlamentit të enjten, për t’i lënë kohë opozitës që të reflektojë për vendimin e saj për dorëzimin e mandateve, por edhe pas sinjalizimeve nga policia për mundësinë e akteve të reja të dhunës gjatë protestës që opozita ka njoftuar përpara selisë së parlamentit. Policia njoftoi të mërkurën se ka të dhëna se synohet hyrja me forcë në sallën e parlamentit.

​“Eshtë detyra jonë t’i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e arësyes. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës, duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, deklaroi sot pasdite kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi.

Opozita paralajmëroi që të shtunën e kaluar organizmin e një proteste nesër përpara parlamentit. Sot policia përmes një deklarate u shpreh se “ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”. Policia theksoi gjithashtu se “forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune”.

Protesta e nesërme e opozitë duket se ka qenë në qendër dhe të takimit që ambasadori i Delegacionit europian në Tiranë, Luigi Soreca pati sot me kryetarin demokrat Lulzim Basha.”Nesër është një ditë e rëndësishme dhe ne presim të mos ketë dhunë dhe që proceset demokratike të vijojnë”, tha zoti Soreca, duke shtuar se i kishte shpjeguar zotit Basha “qëndrimin e Bashkimit europian dhe se ky qëndrim është shumë i qartë”. Dje në një intervistë për Top Channel, zoti Soreca e quajti kundërproduktiv vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve duke theksuar nevojën që partitë politike të përqëndrohen te reformat e në veçanti te ajo në drejtësi.

Një ditë më parë, ambasada amerikane reagoi me tone të forta ndaj opozitës duke “i bërë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë”. Në deklaratën e saj, ambasada nënvizonte se “kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”.

Nga deputetët te kandidatët, si do të dorëzohen mandatet e PD-së

JUXHIN MUSTAFARAJ – Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur të mbështesë vendimin politik të Grupit Parlamentar Demokrat për djegie të mandateve.

Duke e cilësuar si akt ekstrem, por të domosdoshëm për situatën, në të cilën ndodhet vendi, kryesia e PD-së vendosi që t’ia kalojë vendimmarrjen përfundimtare Këshillit Kombëtar të PD-së në lidhje me djegien e mandateve.

Në mbledhjen e kryesisë së PD-së u diskutua edhe lidhur me modalitetet se si ligjvënësit e opozitës do të heqin dorë nga mandatet parlamentare të marra në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Një grup pune i përbërë nga juristët Gazment Bardhi, Çlirim Gjata, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Arben Ristani dhe Ivi Kaso, janë duke punuar për një dokument që të ketë gjithë vlerën juridike për ta përkthyer vendimin politik të PD-së dhe opozitës së bashkuar në një akt të rregullt ligjor.

PROCEDURA

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD-së është rënë dakord që 43 mandatet e Partisë Demokratike të dorëzohen përmes deklarimeve individuale nga çdo deputet. Deklarata, e cila pritet të jetë gati ditën e sotme pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, do të jetë e të njëjtit format për të gjithë deputetët. Sipas burimeve nga grupi i punës, deklarata do të jetë e formatuar me një tekst politik që shpreh edhe motivet politike, për të cilat ligjvënësi heq dorë nga mandati i marrë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

“Akti formal i dorëzimit do të jetë një deklaratë me motivacion politik përse deputetët heqin dorë nga mandati dhe përse ata që janë në listat shumemërore për deputetë heqin dorë nga e drejta për t’u konsideruar si kandidatë për deputetë”, sqaruan për “Panorama” burime nga selia blu.

Pra, do të jenë 43 deklarime të deputetëve të PD-së dhe aleatëve që dolën nga listat e demokratëve në zgjedhjet e 25 qershorit, aktet që do të finalizojnë djegien e mandateve. Fillimisht do të jenë deputetët ata që do të firmosin aktet e dorëheqjes dhe më pas do t’i kërkohet edhe të gjithë kandidatëve në listat e PD-së të kryejnë të njëjtën procedurë. Deklarimet e dorëheqjes deputetët do t’i dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të jetë ky institucion, i cili do t’ia kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta njoftuar edhe mbi vakancat e krijuara.

Ndërkohë që të gjithë kandidatët në listën shumemërore të PD-së për deputetë aktet e dorëheqjes do t’i dorëzojnë në KQZ. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, deputetët demokratë mbështetën vendimin politik të propozuar nga Basha për djegie të mandateve. Ky vendim është mbështetur edhe nga të gjithë aleatët opozitarë, përfshirë edhe LSI, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të djegur mandatet parlamentare.

PANORAMA

Një mijë policë për protestën e nesërme, gazetarët këshillohen të marrin maska kundragaz

Ashtu si të shtunën e protestës së 16 shkurtit edhe për ditën e nesërme policia e shtetit ka marrë një plan masash për mbarëvajtjen e protestës që do të zhvillohet përballë parlamentit në orën 10:00.

Mbi një mijë forca të policisë, gardës së Republikës e forcave të ndërhyrjes së shpejtë do të stacionohen pranë kuvendit për protestën. Madje policia i ka bërë dhe një thirrje gazetarëve që të pajisen me maska anti-gaz pasi mund të ketë përshkallëzim të situatës dhe policia mesa duket do të përdorë sërish gaz lotsjellës nëse në protestë do të ketë elementë të dhunës.

Kujtojmë se këtë të mërkurë në zyrën e Bashës shkuan ambasadorja e Gjermanisë Schutz si dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca. Ky i fundit foli shkurtimisht për median dhe deklaroi se pret që protesta e nesërme përballë parlamentit të mos ketë dhunë./Express

A ka Rama një skenar për braktisjen e kuvendit të nesërmen e protestës?!

Të nesërmen ashtu si çdo të enjte parlamenti mblidhet në seancë, por ndryshe nga të gjitha rastet e tjera, Kuvendi ende se ka bërë të ditur orarin e mbledhjes.

Opozita ka lajmëruar protestë në orën 10:00 po të nesërmen përballë parlamentit, duke patur parasysh se ora zyrtare e fillimit të seancës mbetet kurdoherë pikërisht paraditja.

Në faqen zyrtare të kuvendit tashmë është publikuar rendi i ditës për seancën e të nesërmes, por ende nuk ka një orë zyrtare, ç’ka lë mundësin për spekulim.

Frikë nga protesta, apo një plan i mirfilltë për të spostuar seancën plenare në një orë tjetër, kur tubimi i opozitës të përmbyllet?!

Skenari i një largimi të deputetëve nga vatrat e zjarrit nuk do të ishte i habitshëm nëse kemi parasysh që të njëjtën gjë bëri dhe kryeministri Edi Rama më 16 shkurt/ Teksa poshtë zyrës së tij në kryeministri mijëra shqiptarë protestonin, Rama ndodhej në Vlorë duke folur në një anti-miting ‘klasik’./Express

Basha i përgjigjet ambasadës amerikane me një shprehje të Abraham Lincolnit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha foli për mediat në përfundim të mbledhjes së kryesisë.

I pyetur nëse kishte një qëndrim lidhur me deklaratën e ambasadës së SHBA për djegien mandateve, Basha u përgjigj me një shprehje të ish- Presidenti, Abraham Lincoln për demokracinë.

Përgjigja e Bashës

Unë nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’jua them fare qartë: për PD dhe për mua, personalisht, nuk ka frymëzim më të madh sesa SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti, mes galerisë së personaliteteve që kanë dhënë kaq shumë në altarin e demokracisë amerikane, veçoj presidentin Lincoln. Dhe dua ta citoj, ndjesë se citimi duhet bërë fjalë për fjalë, po aq sa më kujtohet nga fjalimi i tij në Gettysburg.

“That we we here highly resolve that these dead shall not have died in vain – that this nation, under God, shall have a new birth of freedom – and that government of the people, by the people, for the people, shall not perish from the earth”.

Tani, për të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe bashkëkombasit kudo që na ndjekin.

Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetëvete. Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Për këtë, ne nuk po kërkojmë të marrim diçka.

Nuk po kërkojmë të marrim mandate me ndihmën e krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama dhe siç është vërtetuar edhe nga provat gjyqësore të publikuara nga Zëri i Amerikës. Ne po japim. Dhe për ta përkthyer tani thënien e Presidentit Lincoln, shpresoj që kjo sakrificë nuk do të shkojë dëm. Se ky komb nën Zot, do të ketë një lindje të re të Lirisë dhe Demokracisë dhe se qeverisja e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut, nuk do të zhduket nga faqja e Shqipërisë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë Amerikën!

“E bëra për fëmijët e mi”, Florenc Hoxha sot në gjykatë: Nder të jap kontributin tim që të rrëzohet kjo qeveri

Ish drejtori i INUK, Florenc Hoxha deklaroi gjatë seancës gjyqësore ku ai ishte i pandehur i akuzuar për dhunë gjatë protestës së 16 shkurtit se do të vazhdojë të protestojë deri sa kjo qeveri krimi të bjerë.

Ai hodhi poshtë akuzën për dhunë, ndërsa u ankua për veprimet jo njerëzore të policisë ndaj familje së tij.

(Pjesë nga deklaratat e sotme në gjykatë)

Dua të theksoj se kam marrë pjesë në të gjitha protestat e opozitës dhe këtë e kam bërë për fëmijët e mi dhe jo të më arrestojnë, por edhe masa më të rënda të aplikojnë ndaj personit tim, unë do të vazhdoj të protestoj deri sa kjo qeveri e krimit, kjo qeveria e bandave të largohet nga pushteti.

Dua të theksoj dhe një aspekt tjetër: momentin që jam shoqëruar, kam parë që banesa ime po rrethohej nga disa persona me kapuçë, mund t’u them kapuçonë të zinj se punonjës policie apo forca speciale nuk mund t’i quaj, të cilët kanë dhunuar banesën time. Kanë terrorizuar një kushëri timin që po qëndronte brenda banesës, duke kërcënuar me armë. Në atë moment kam komunikuar me shefin e Komisariatit 4, duke kërkuar të di se çfarë po ndodh me banesën time dhe zotëria në fjalë më ka thënë: janë urdhra të drejtorit dhe unë nuk kam çfarë të bëj, nuk janë kompetenca të miat. Në këtë moment i kam kërkuar vetëm disa minuta kohë sa të vishem. Në katin e parë qëndronte e gjithë familja ime, gruaja ime djali im 8 vjeç, vajza ime 12 vjeçe dhe halla ime, të gjitha femra. Në momentin që po vishesha kam dëgjuar një zhurmë të fortë dhe mbi 20 persona, e kam të pasqyryar me kamera, në momentin që do të kem mundësi t’i kem ato kamera, t’Ia vë në dispozicion mediave, kam parë disa punonjës policie që i kanë drejtuar vajzës time armën në kokë duke I kërkuar se ku është babai?! Në ato momente kam ndjerë, jo lotë, por një dhimbje shpirtërore se çfarë po ndodh me këtë shtet. Ku ka degjeneruar kjo bandë kriminale e drejtuar nga Edi Rama? Dhe djalit tim 8 vjeçar, i cili mundohej të largonte armën e këtij banditit me maskë, duke I thënë mos ma dhuno motrën. Në këtë moment, mbi dhjetë punonjës policie nëpër shtëpi, në sy të familjes time, në sy të fëmijëve të mi dhe më kanë tërhequr zvarrë. Më kanë tërhequr zvarrë vetëm me arsyen se kam marrë pjesë në protestë. Pasi jam futur në furgon, po ta sqaroj dhe po e theksoj, njëri prej këtyre banditëve, më ka goditur në vazhdimësi gjatë rrugës dhe më ka nxjerrë pistoletën dhe ma ka vënë në gojë. Ma ka vënë për së dyti, sepse e kam ndjerë fishekun që ka dalë nga arma dhe më ka thënë: Këlysh I Bashës, guxo të dalësh edhe njëherë në protestë. Këto i keni të monitoruar dhe me kamera, jua vë në dispozicion. Nuk duket për të qeshur, është për të qarë në fakt.

 Gjyqtarja: Për cilat kamera e keni fjalën?

Florenc Hoxha: Për kamerat e sigurisë së banesës sime.

Përpos kësaj, në aspektin policor, gjatë protestës, thuhet në fjalën e prokurores se unë paskam dhunuar një vepër arti. Me thënë të drejtën vetëm vepër arti nuk më duket në në syrin tim se nuk jam piktor si Rama, vepër arti nuk më është dukur. Kam thënë se ajo jo që nuk është vepër arti, por është dhuratë e Eskobarit të Ballkanit, gjethe e hashashit dhuruar Edi Ramës si formë e bashkëpunimit të tij dhe falenderimi për bashkëpunimin e vitit 2016-2017-të. Me të dëgjuar e kam, nuk e kam të provuar, se do të paraqisja provat.

Gjithashtu, dua të theksoj edhe diçka tjetër, jo vetëm si person në hetim, por edhe si ish punonjës policie: në momentin e protestës jam etiketuar si person që kam dhunuar punonjësit e policisë. Dua t’i ritheksoj prokurores: ka një emër konkret punonjësi policie që më ka akuzuar mua që e kam dhunuar?! Apo janë thjesht thënie apriori, thënë prej këtyre militantëve të partisë në pushtet që janë nëpër komisariatet e policisë?

Unë e quaj për nder që të jap kontributin tim, që të rrëzohet kjo qeveri. Dhe nuk i trembem as vdekjes, jo burgut. E quaj për nder, sepse kam kundërshtuar banditi zimin dhe bandat e Shqipërisë, për jetën e fëmijeve të mi, por njëkohësisht edhe për jetën e fëmijëve tuaj zoti prokuror. Për të ardhmen e tyre. Nuk kam mundësi t’i largoj jashtë shtetit, siç bën një pjesë e ministrave të qeverisë, apo siç mund të bëni juve. Unë e kam ndërtuar jetën time në Republikën e Shqipërisë, në këtë vend që e dashuroj, ku jam rritur dhe dua të vdes po në këtë vend. Fëmijët e mi dua t’i rris pa drogë dhe pa shtet kriminel.

i urrej fjalimet, por pas atyre skenave makabre që kanë parë fëmijët e mi, si mund ta them tani, se s’dua të intimidoj trupin gjykues, por çdonjëri nga juve, po të shikojë ato skena, sesi fëmija i mitur kërcënohet dhe kanoset me armë, si mund të veprojë një qytetar, i cili paguan taksat dhe është i rregullt. Nëse të do isha unë bandë e armatosur, ju siguroj i nderuar prokuror, se Edi Rama nuk do të ekzistonte më. Me aftësitë e mia policore, nëse do e kisha rrethuar me paramendim, ju siguroj se kryeministria sot nuk do të ekzistonte.

Po ju garantoj sërish se nuk kam bërë asnjë veprim të dhunshëm , as unë e as këta personat e tjerë. Nëse jam afruar për një moment, tek shkallët e kryeministrisë, kam vendosur shallin. Shalli ka qenë për mbrojtjen nga gazi CC, sepse e pashë se çfarë gazi po hidhej. A është e vërtetë se ky është gaz CC apo gaz CM? Në momentin që kam parë gazin CC, i kam provuar një ish-kolegut tim, që sot nuk mund ta kujtoj për momentin, që po, është gaz CC, dhe duhen kujdes për këta persona, sepse mund të vdesin, nëqoftëse thithen nga rrugët e frymëmarrjes.

Po e sqaroj edhe njëherë. Nuk e mohoj faktin se kam qenë në shkallët e kryeministrisë dhe kam identifikuar bombolat me gaz CC dhe CM. Ju mund të rilexoni manualet policore se çfarë efektesh anësore kanë gazi CC apo CM.

Kaq kam për të thënë zoti prokuror e zotërinj të trupit gjykues. Dhe nëse do të më jepet mundësia të jem në protestën e së enjtes, prapë do ta quaj për nder të jem në krah të liderit të opozitës.

Pa Republikën e re, do të vërtitemi si minj në çark! – Nga ARTAN FUGA

Katër gjëra megjithatë rrekem t’i kuptoj por nuk arrij ende t’a kap fillin:

E para, si është e mundur që krerët e partisë në pushtet merren me ushtruesit e dhunës para kryeministrisë ose me opozitarët në Kuvend, dhe nuk shohin mijra njerëzit që vijnë të shprehin pakënaqësinë e tyre nga ana e anës në kryeqytet! Po me këta si i bëhet hallit? Si studentët paskëshin halle të drejta kurse familjarët e tyre jo?

E dyta, si arritën krerët e opozitës ta lexojnë mesazhin e popullit protestues, oh sa legjitim! që ky mesazh ishte : “digjni mandatet!” Mund të jetë veprim i drejtë ose i gabuar, nuk më takon ta shpreh duke bërë parashikime në erë, por më mbetet misterioz fakti se me çfarë e lexuan mesazhin e elektoratit të tyre? Si e lexuan?

E treta, nëse një qeveri teknike do të jetë zgjidhja për zgjedhje të drejta, dhe mundet që ajo të jetë rruga, nuk i hy atij debati, si do të lihet një qeveri teknike me një kuvend ku të mos ketë deputetë nga të gjitha krahët. Do të ishte e frikshme një Shqipëri me qeveri teknike nëse pas nuk do të kishte një Kuvend mbështetës!

Qeveri teknike pa kuvend funksional???

Unë i druhem!!!

E katërta, po këshilltarët nëpër bashki a do t’i djegin mandatet, apo ata do të qendrojnë? Cfarë kuptimi ka që ata të qendrojnë nëse deputetët i lenë pendët Kuvendit!

Sa për mua unë i qendroj mendimit njësoj si para dy vitesh: Duhet REPUBLIKË E RE!

Pa lëvizur asnjë presje. Prej 15 vitesh argumentuar te libri im Shoqëria Periferike që shtëpia botuese PAPIRUS, po e riboton së shpejti!

Pa atë, pra pa një reformim rrënjësor të shtetit dhe vendosjen e një shteti të së drejtës, politika në gjendjen sikurse është nuk e nxjerr dot gomarin nga balta!

Përtej dështimit të një politike të caktuar, kemi edhe dështimin e të gjithë modelit të qeverisjes, të drejtësisë, të shkollës, të pronësimit, të të drejtave të njeriut, të shpërndarjes të pasurisë, të modelit ekonomik, etj., të të trija këtyre dekadave.

Nuk jemi budallenj të mos e shohim realitetin në sy!

Pa Republikë të re, do të vazhdojmë të rrotullohemi si minj të zënë në çark!

Romeo Gurakuqi: Qeveri tranzitore eshte para se gjithash nje qeveri e njerezve patriote, te ditun dhe te ndershem

Te mos mendoje ndonje nga zedhenesit e perkushtuar te Ortakerise, qe kriza do te zgjidhet duke zevendesuar djalin aventurier te anetarit te Presidiumit te Kuvendit Popullor, me djalin “patriot” te anetarit te Komitetit Qendror!

Eshte veçse nje manover qesharake e papranueshme, nje levizje foshnjerake e aktoreve te lidhjeve te vjetra.

“Dirigjenti” dhe “violina e pare” e “orkestres” se grabitjes se mandateve ne zgjedhjet e 25 qershorit 2017, jane njelloj pergjegjes per ndertimin e piramides ilegjitime te pushtetit socialist.

Madje, askush nga pergjegjesit e drejtperdrejte te krimit elektoral, te grabitjes se parase publike, te ndertimit te ndermarrjeve dhe bankave fantazme, nuk do te jete i pranueshem si trampoline e zgjidhjes se krizes.

Qeveri tranzitore eshte para se gjithash nje qeveri e njerezve patriote, te ditun dhe te ndershem; nje ekip teknicienesh te paanshem dhe racionale, qe do te kene si mision te vendosin ne balance Shtetin dhe nensistemet perberes te tij, te deformuara ne menyren me te pangjashme, nga veprimi irracional dhe i kompromentuar, i njeriut qe drejtoi per 6 vite qeverine.

Asnje kompromis i ketij lloji nuk e shpeton kete legjislature nga asgjesimi. Vetem nje zgjidhje e vertete dhe thelbesore, qe perjashton nga vendimarrja politikanet delinkuente te kapur ne vjedhje dhe pergjime me bandat, mund te jete e pranueshme.

Problemi themelor mbetet pikasja e nje Kryeministër te duhur, atij te paanshmit dhe te pakapurit prej Ortakerise se kompromiseve te paprincipta.

Koha e numerimit mbrapsht per Grupimin Socialist tashme ka filluar!

Opozita Demokrate e tha fjalen e vet.

Te enjten populli do te thote kumtin e tij, pavaresisht nese KM do ta mbaje ose jo, telefonin ne veshin e tij te majte.

Avokati i Popullit nis hetimet për gazin lotsjellës dhe ushtrim dhune në protestën e 16 shkurtit

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimet për sjelljen e policisë gjatë protestës së opozitës të zhvilluar më 16 shkurt për përdorimin e shpërpjesëtuar të gazit lotsjellës dhe për ushtrim dhunë gjatë arrestimit të protestueseve.

 

Ky institucion njoftoi se ka monitoruar në mënyrë të kujdesshme tubimin e qytetarëve më datë 16.02.2019 si dhe sjelljen e autoriteteve ligjzbatuese gjatë dhe pas zhvillimit të këtij tubimi.

Ish drejtori i INUK Florenc Hoxha ka bërë ankesë për dhunë nga ana e policisë.

Njoftimi

Një ekip i zgjeruar ekspertësh të Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar në ndjekjen nga afër të zhvillimeve duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme në përputhje me mandatin e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për institucionin e Avokatit të Popullit.

Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.

Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.

Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik janë te papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe demtojne jo thjesht pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.

Gjithsesi, roli i Avokatit të Popullit ka të bëjë me garantimin e sjelljes së autoriteteve shtetërore në respekt të ligjit dhe të drejtave civile të qytetarëve.

Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues.

Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.

Avokati i Popullit, në datë 17/2/2019 u ka drejtuar kërkesa zyrtare autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen, dhe prejardhjen e këtyre lëndëve.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre kushtetuese për tubim.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë orëve të mbrëmjes në vijim.

Përfaqësuesit e Institucionit kanë marrë informacione pranë autoriteteve drejtuese të Policisë së Shtetit dhe u janë vënë në dispozicion dokumentet shoqërues me anë të të cilave janë kryer këto arrestime.

Avokati i Popullit ka kërkuar dhe i është lejuar të zhvillojë takime me të 16 qytetarët e ndaluar nga Policia e Shtetit pas përfundimit të tubimit.

Të pyetur individualisht nga Avokati i Popullit, 15 prej qytetarëve nuk kanë shprehur pretendime për ushtrim dhune apo për shkelje të procedurave standarde të ndjekura nga Policia e Shtetit në ndalimin e tyre.

Në një rast, dhe posaçërisht qytetari F.H. ka raportuar një seri shkeljesh nga ana e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për ndalimin e tij, pamje filmike të të cilit janë publikuar edhe në disa media.

Sipas deklarimeve të qytetarit por edhe pamjeve filmike të publikuara në media, një numër i madh forcash policore janë angazhuar për të kryer ndalimin në orët e mbrëmjes në banesën e tij. Sipas Avokatit të Popullit, ky raport kaq i shpërpjesëtuar angazhimi i një numri kaq të lartë anëtarësh të organeve ligjzbatuese për thjesht arrestimin e një qytetari të vetëm, mund të përbëjë një formë demonstrimi të panevojshëm represiviteti.

F.H. ka denoncuar edhe se hyrja e forcave të rendit në mënyrë të dhunshme pa kërkuar më parë as akses normal në mjediset familjare është në shkelje të procedurave standarde. Në mënyrë të veçantë ekspozimi i armëve në brendësi të banesës dhe në prani të fëmijëve të tij të mitur si dhe përdorimi i fjalëve fyese dhe degraduese ndaj tij përbëjnë shkelje të ligjit nga ana e efektivëve që kanë ekzekutuar urdhërin e arrestit. Sipas deklarimeve, bashkëshortja e qytetarit si dhe të dy fëmijët e mitur 12 dhe 5 vjeç kanë pësuar shok psikologjik nga ky manifestim i panevojshëm brutaliteti.

Si nga pyetja e shtetasit F.H. ashtu edhe nga pamjet filmike të bëra publike në media, rezulton se sjellja e efektivëve që kanë ekzekutuar mandatin e arrestit është në kundërshtim me procedurat e ndalimit dhe shoqërimit dhe jo vetem kaq, por gjithashtu rezulton se nga ana e tyre ka edhe pasur ushtrim dhune verbale e fizike.

Pasi është dërguar në ambientin e shoqërimit të DVP Tiranë, qytetari është vizituar nga mjeku i këtij institucioni i cili ka rekomanduar që të dërgohet në Spitalin Ushtarak të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, sepse sipas atij goditjet në pjesën e kafkës prapa veshit ishin të rrezikshme për jetën. Pas rekomandimit të mjekut ai është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ka bërë ekzaminimet përkatëse ndërmjet të cilave skaner, si dhe ka marrë serum. Mbasi ka përfunduar ekzaminimet është shoqëruar në DVP Tiranë ku Oficeri i Policisë Gjyqësore në pranë të avokatit të tij i ka komunikuar arrestimin në flagrancë.

Ndërkohë u konstatua se nga mjeku i institucionit të policisë ishte bërë shënimi në regjistrin e vizitave të personave të arrestuar/ndaluar duke pasqyruar pretendimet e tij për ushtrim dhune fizike, si dhe konstatimin e hematomave në pjesën e kokës prapa veshit të djathtë.

Gjithashtu, sipas deklarimeve të avokatit të qytetarit F.H dhe familjarëve të tij, në banesën e tyre është kryer edhe një kontroll (i pasuar edhe nga një i dytë në orët e natës), gjë për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion justifikues.

Nga ana e Avokatit të Popullit do të vazhdojë kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore administrative duke pyetur efektivët që kanë bërë shoqërimin e shtetasit F.H., si dhe të dëshmitarëve të mundshëm që kanë dijeni rreth pretendimeve të tij, si dhe të dokumentacionit të administruar lidhur me atë dhe personat e tjerë nga organet e Policisë dhe Prokurorisë Tiranë.

Përtej dhunës verbale dhe fizike të evidentuar në pamjet filmike, raportet mjekësore dhe kontaktin fizik vizual me shtetasin F.H., verifikimi i pretendimeve për shkelje të procedurave në ndalimin e këtij shtetasi si dhe i kryerjes së kontrolleve në kundërshtim me procedurën ligjore të parashikuar nga ligji, cenon rëndë të drejtat e tij kushtetuese.

Lubonja: Rama e keqja më e madhe, të rrethohet prokuroria

Vendimi i opozitës së bashkuar për të djegur mandatet, për Fatos Lubonjën nuk është e vetmja mënyrë që të çon tek rrëzimi i kryeministrit Rama.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Lubonja tha se duhet të rrethohet Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë.

“E keqja kryesore e këtij vendi është Rama, ai i poshtëron çdo ditë, ju thotë deputetëve të opozitës se janë qenë që lehin, pra për të je i vrarë, i papërfillur. Në këtë situatë jemi përballë të panjohurave, ndaj unë shkoj në prokurori dhe ju rrethoj zyrat, se i kanë provat për vjedhjen e votave në zgjedhje. çfarë ndodh në botë? Në një rast të tillë kryeministrit i hapet një proces për vjedhje votash dhe le të thotë ky pastaj Dako do zgjidhet prapë se këto të përgjimeve janë veç llafe. Unë rrethoj Prokurorinë dhe nuk e lë këtë të dalë pa e marrë një vendim. S’ka nevojë fare të reflektojë Rama, shkoj atje e rrethoj Prokurorinë”,- u shpreh ai.

Salianji: Kundër protestuesve u përdor gaz helmues luftarak

Pas përfundimit të protestës deputeti i PD-së Ervin Salianji është ndalur te gazi lotsjellës i përdorur sot nga policia për të larguar demonstruesit. Përmes një postimi në faqen  e tij të ‘Facebook” Salianji ngre pikëpyetjen për prejardhjen e gazit të përdorur ndërsa shton se shumë protestues u paralizuan. Deputeti demokrat shprehet se gazi ka një lëndë shtesë ‘additiv’  që dha efekt aq të fortë.

Postimi i Ervin Salianjit

E vetmja dhunë sot ishte dhuna e qeverisë!

Përdorimi i Gazit Lotesjelles i cili sipas ekspertëve klasifikohet ne lendet kimike luftarake te lehta, por me pasoja.
Fakti paralizues i momentit, tregon per nje additiv, prandaj duhet kerkuar burimi nga ka ardhur ky gaz. Ne vende si Shqiperia perdoren arme kimike eksperimentale antidemonstrate. Qytetarët sot janë rrezikuar, sot qeveria i ka hapur luftë qytetarëve!
Prokuroria duhet të hetojë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë shpërdoruesit e pushtetit!

Një protestë e sakrifikuar në altarin e “17 majit” – Nga ERL MURATI

U duk si një lajthitje post-Shën Valentini deklarata e 15 shkurtit e Elisa Spiropalit në emisionin “Provokacija”. Ajo tha se PS-ja është e gatshme të lëshojë pushtet ndaj opozitës sipas modelit “ca bashki t’i drejtojmë ne, ca ata”. Por Spiropali vetëm e lajthitur nuk është, prej pak javësh ajo u emërua ministre dhe mban postin e zëdhënëses së qeverisë, pra është zëri direkt i Edi Ramës.



Kjo “ofertë” e Ramës 24 orë para protestës, mund të ketë qenë diversion ndaj opozitës. Por, në dritën e zhvillimeve të sotme ajo shëmbëllen më shumë me një këmbanë alarmi. Dhe “alarmi” është, mos është marrë peng opozita në këtë vend?

Lulzim Basha ka disa javë që mobilizon popullin për “protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria”, siç thotë ai, apo për protestën ku “populli merr në dorë fatet e tij” apo ca më keq, ku “shqiptarët do të rrethojnë kryeministrinë”. Ai përsëriti se opozita nuk do të tërhiqet derisa të arrijë qëllimin: qeveri tranzitore, pa Edi Ramën, që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme.

E pra në orën e pestë të protestës, me bilancin e xhamave të thyer, kërpudhës së prishur, skelës së shembur dhe syve të lotuar nga gazi lotsjellës, ajo që u paralajmërua si demonstratë pa kthim, mori fund.

“Herën tjetër…”, kërcënuan krerët e opozitës para kamerave.

Po herën tjetër, sepse këtë herë opozita vendosi të zbatojë lejen e policisë, protestuesit u rreshtuan para kryeministrisë dhe jo në krah të saj, siç ishte paralajmëruar në rrethimin e famshëm.

E pra unë nuk besoj se opozita s’ka fuqi të rrethojë kryeministrinë apo se krerët e protestës u bënë papritmas “burra shteti” që zbatojnë rregulloret e Sandër Lleshajt.

S’dua të keqkuptohem: ky shkrim nuk është zhgënjim për “dhunën e pamjaftueshme”, përkundrazi. Dhuna është krim dhe ajo nuk duhet relativizuar apo glorifikuar në asnjë rast.

Por populli thotë: o fol e mba, o…

Nëse ke paralajmëruar qëndresë, qëndresë duhet të bësh. Studentët u thanë në të ftohtin e dhjetorit dhe pavarësisht se ca thonë “protesta dështoi”, qëllimin e arritën. Kërkuan anulim tarifash, fituan përgjysmim tarifash. Pra, sakrifikuan, por nuk dolën duarbosh.

Pse kujtoni se bërtisnin sot “Berisha – Berisha” militantët e PD? Mos i mori malli pas 6 vitesh për Doktorin? Aspak, por ata refuzojnë mënyrën “tërhiq e mos e këput” të të bërit opozitë nga Lulzim Basha.

Ka gjasë që kumti i Spiropalit “ca bashki ne, ca ata” të mos ketë qenë diversion, por një konfirmim i hijes së zezë të mesnatës së 17 majit 2017, ku Edi Rama dhe Lulzim Basha u mbyllën për orë të tëra, kokë më kokë, për të vendosur fatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Dihet përfundimi i marrëveshjes: bashkëqeverisje, pra ndarje pushteti në tavolinë.

Andaj unë e shoh si kulminacion të filozofisë së 17 majit, emërimin e Bodes në BSH, emërimin e Bregut në RCC, emërimin e gardistëve të 21 janarit në PS, rikthimin e drejtorëve të kohës së Berishës në krye të policisë së Shtetit, promovimin e negociatorëve të paktit famëkeq detar nga kjo qeveri, ruajtjen e bizneseve të përbashkëta nëpërmjet oligarkëve të përbashkët, etj.

Kohë pas kohe, njerëz të ndryshëm politikanë ose jo, kanë hedhur dyshime se ky pakt famëkeq vazhdon, se Rama dhe Basha pavarësisht teatrit me vezë dhe bojë ditëve të enjte, ruajnë komunikimin mes tyre. Këtë e pohoi edhe kryeministri Rama 3 javë më parë. Ditën kur i tha Berishës “a e kalon dot Atlantikun”, midis rreshtave ai iu drejtua Bashës “se ne komunikojmë…”

E pra, nëse Rama dhe Basha komunikojnë, ata nuk e bëjnë se janë shokë fëmijërie, klase e lagjeje, nuk e bëjnë se i lidh profesioni e pasioni. Ky komunikim është një thikë në shpinën e demokracisë, ku popullit i serviret një teatër kinse pluralist dhe në fakt, pluralizmi sakrifikohet në altarin e një duopoli politik, ku rotacioni ndodh në tavolinë e ku pushteti i rradhës kujdeset për shëndetin, pasurinë dhe mosprekjen nga drejtësia të opozitës së rradhës.

Teatri vazhdon, të gjithë flasin në emër të popullit dhe i vetmi që e ha në fund, është populli.

Mbyllet protesta e opozitës, të enjten tubimi i radhës para parlamentit

Pas pothuajse 5 orësh u mbyll protesta e sotme e thirrur nga opozita përballë kryeministrisë.

Në fjalën e tij mbyllëse, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, falenderoi pjesëmarrësit në protestë dhe i la takim ditën e enjte për një protestë tjetër, kësaj radhe përpara Parlamentit.

“Dua sot në emër të opozitës t’u shpreh mirënjohjen më të thellë qindra mijëra shqiptarëve që i dhanë zë revoltës dhe kryengritjes qytetare. Le të zotohemi sot se kjo kryengritje qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen totale të këtij sistemi të kalbur dhe t’ju ftoj të enjten në orën 10:00 në protestën tjetër më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë.

Ne do të vazhdojmë të jemi të vendosur kundër qeverisë hajdute. Ditën e enjte, populli do t’i japë një përgjigje tjetër narkoshtetit duke marrë fatin në duart e tij. Ndaj ju ftoj të gjithëve, duke u falenderuar nga zemra për këtë qëndresë të jashtëzakonshme të jemi edhe më shumë edhe më të vendosur edhe më të bashkuar të enjten e javës së ardhshme”, tha Basha.

Protesta – Dhjetëra mijë drejt Tiranës, ja sa qytetarë janë nisur sipas qarqeve

Burime nga PD-ja bejne me dije se mengjesin e sotem raportohet se drejt Tiranës janë nisur më shumë se 50 mijë qytetarë drejt Tiranës.

Ja pjesemarrja sipas qarqeve:

Qarku Shkodër – 8000 qytetarë

Qarku Lezhë – 6800 qytetarë

Qarku Kukës – 4000 qytetarë

Qarku Dibër – 3500 qytetarë

Qarku Durrës – 9100 qytetarë

Qarku Elbasan – 7500 qytetarë

Qarku Berat – 3000 qytetarë

Qarku Fier – 4800 qytetarë

Qarku Vlorë – 4500 qytetarë

Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë

Qarku Korçë – 4200 qytetarë

Sulltan Rama rá: Sovrani merr në dorë fatet e Atdheut – Nga Azgan HAKLAJ

Rama e shpura e tij kriminale ia mbathi për në Vlorë.
Një shprehje e urtë arabe thotë: “kur nuk shkon Muhameti tek mali shkon mali tek Muhameti”. Por mali i Muhameti është mali i vyrtytit, i moralit, i besimit, i kuvendit me Zotin, ndërsa Rama dhe Rilindja e tij janë sinonim i një mali me krim, hajni, korrupsion e mëkate të panumërta.
Uzurpimi i shtetit nëpërmjet pushtetit, shkatërrimi i institucioneve ligjvenëse e kushtetuese, shitja e interesave kombëtare, dhënia e pasurive të vendit me konçesion, është “feja” në të cilën beson ai dhe oligarkët e krimit, të cilët sponsorizuan ardhjen e tij në pushtet, me dhunë e kërcënime, me vota të blera nga narko-trafikantët, kapot e krimit.
Rama shkoi në Vlorë për t’u dhanë llogari padrinove të tij mafiozë se ai tani e ka tashmë të pamundur të qeverisë, në një kohë kur skandalet shpërthejnë çdo ditë dhe kur shqiptarët dhe aleatët e tyre perëndimorë po ia shtërngojnë përditë litarin rreth qafës.
Ndërkaq në Tiranë qindra e mijëra shqiptarë, burra e gra, djemë e vajza, studentë, profesorë, sindikalistë, mjekë, mësues, përfaqësues të shoqërisë civile, pensionistë e të papunë, patriotë nga të gjitha trojet arbërore do marrin në dorë fatet e Atdheut për të shpëtuar demokracinë dhe gjymtyrët e lisit kombëtar nga copëtimi.
Edi Rama ashtu si të gjithë neodiktatorët që atdheun e tyre e konsiderojnë Sulltanat e dhunën e kartonit një Shpatë Demokleu në qafën e Opozitës do të marrë çmimin që meriton.
2.000 vjet më parë në trojet dardane komandanti i legjioneve romake, i joshur nga bukuria e një vajze dardane, bija e Princit të Dukagjinit, i urdhëroi ushtarët e tij:
“Këtë vajzë e dua të gjallë”. Kur shqipja dardane u hodh nga shkëmbinjtë duke u flijuar për Atdhe ushtarët e tmerruar i thanë komandantit: “Ra vetë”. Populli e përjetësoi duke e pagëzuar vendlindjen e saj me emrin e sotëm Rahovec, në Kosovë.
Rama iku në Vlorën e Ismail Qemalit e ban mirë të hidhet nga shkëmbinjtë e bregdetit në det që të martirizohet, të thonë se ra vetë për shkak se nuk po ban dot bashkimin kombëtar me folklorizmat e tij.
Edhe pse nuk do të përjetësohet në histori si dishepull apo Ati i Kombit të Bashkuar, të paktën të fshehë identifikimin si Esat Pasha i Dytë dhe të mbetet ikonë e Elisa Spiropalit.
Në fakt Rama ka rá, por nuk do të mbetet në histori as sa Vajza e Rahovecit me aktin e saj heroik.
Nuk ka rënë vetëm Qeverisja, që identifikon një mazhorancë. Ka rënë krejt Shteti.
Pasi erdhi në pushtet me votat e vjedhura e të blera, me dhunë e terror ndaj administratës dhe Opozitës, pasi e mbushi Parlamentin me vrasës e kriminelë ordinierë, Kryeministri Rama mandatoi në pushtetin vendor, në oazet e tij të krimit e trafiqeve, monstra të tipit Dako, Roshi, Sejdini, kumbarë të kriminelëve e trafikantëve.
Mazhorancat absolute të ardhura në pushtet me ortakëri e sponsorizim të Mafies janë djepi i neodiktaturave dhe faktori determinant në shkatërrimin e Demokracisë, Shtetit e institucioneve kushtetuese, mekanizmave të vetme të cilat janë garante të Lirisë dhe Demokracisë.
Kryeministri e ka shkatërruar tashmë të gjithë infrastrukturën dhe bazën mbi të cilën funksionon një shtet dhe institucionet e tij në një shoqëri të lirë dhe demokratike.
– Gjyqësori ka rënë.
– Gjykata Kushtetuese, garante e Lirisë dhe e të Drejtave të Njeriut nuk funksionon.
– Gjykata e Lartë, hallka e fundit që garanton drejtësinë është shuar.
Organi qendror i akuzës është rrëmbyer në mënyrë antikushtetuese nga shërbëtorët e verbër dhe të bindur të Kryeministrit.
Vetingu në Drejtësi është kthyer në një instrument politik në dorë të Qeverisë dhe në një gjueti shtrigash kundër atyre që nuk pranojnë të rekrutohen si jeniçerë të qeverisë.
Premtimi e “projekti” i Ramës e i Rilindjes për një Shqipëri Europiane është në fakt projekti më antieuropian e antikombëtar, i realizuar nga një qeveri në tërë historinë e Shtetit Shqiptar.
Rama e ktheu Shqipërinë në një Kolumbi të Europës, në një parajsë të trafikantëve.
Një gjë të tillë nuk ka guxuar ta bante as diktatori Hoxha, i cili atëkohë kishte autoritet, forcë e mjete logjistike shumë herë më të mëdha e të fuqishme se piktori e publicisti i dështuar.
Rama nuk është vetëm arkitekt i shkatërrimit të Shtetit të Shqipërisë Londineze.
Rama, përmes përfshirjes së tij në skenarin ruso-turko-serb për destabilizimin e Ballkanit dhe ndarjen e Trojeve Shqiptare, plotëson trekëndëshin me Haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin, si trekëndëshi i Zi i Bermundës, për fatet e Kombit tonë.
Është i vetmi Kryeministër në histori që këmbëngul në ndarjen e Kosovës, pjesës më vitale të nacionalizmit e të patriotizmit shqiptar, djepi i kuvendeve, besëlidhjeve, kryengritjeve që farkëtuan e finalizuan Pavarësinë e Shqipërisë.
Skenarët e hershëm ruso-turko-serbë për përmbysjen e qeverive demokratike e proeuropiane në Maqedoni e në Mal të Zi kanë dështuar sëbashku me përpjekjen për ta mbajtur në burg Kryeministrin e Kosovës, simbolin e Luftës për çlirimim e saj, betejës për çertifikimin e kësaj Kauze, e sot për mbrojtjen nga ndarja të Trojeve Tona, z. Ramush Haradinaj, si dhe tentativën për eleminimin fizik të udhëheqësit të Opozitës, z Lulzim Basha e për të jetësuar në Shqipëri Luftën Civile.
Marrveshja Rama-Basha ishte një precedent në historinë e politikës shqiptare.
Unë e kam quajtur një Rambuje të Dytë në një shkrim atëkohë. Lideri i Opozitës me një vizion largpamës e të guximshëm, edhe pse ishte i bindur për koston politike, e nënshkroi këtë Marrveshje duke vënë në plan të parë interesat më të larta të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Koha i dha të drejtë.
Mali i Zi dhe Maqedonia në NATO dhe drejt BE-së. Kosova aspirante për në BE dhe në Aleancën e Atlantikut janë arritje madhore, për të cilat Rugova, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, Lulzim Basha kanë kontribut të shquar në historinë e re të Kombit Shqiptar.
Sot Opozita dhe Populli Shqiptar nga Apet e Bregdeti, nga Lindja dhe Perëndimi, do të zbarkojnë në Tiranë dhe ashtu si dikur aleatët në Normandi për të fituar me çdo çmim e për të marrë bunkierin e fundit që e mbron me dhunë, mashtrim, intriga e pabesi neodiktatori, despoti dhe aventurieri i fundit politik në historinë e Kombit tonë, Sulltan Rama.
Largimi i Ramës e bandës së tij është imperativ i ngutshëm i Kohës dhe njëherësh Urdhër Suprem i Sovranit dhe i Atdheut për të shpëtuar Demokracinë në Shqipëri dhe për të ndaluar copëtimin e Trojeve Amtare.
Sejmeni i bandave të krimit dhe i mafies politike, sherbëtori i bindur i carëve ruso-otoman të Kremlinit dhe Ankarasë, Kryeministri që guxon të nxjerrë në pazare e të shesë interesat më të larta e të shenjta të Atdheut dhe të Kombit, do të marrin sot Ultimatumin e Fundit në emër të Atdheut e të Lirisë nga burrat dhe gratë e djepit të shqiponjave, tokës së Gjergj Kastriotit e të Nanë Terezës, të Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës, të Isa Boletinit, të Ibrahim Rugovës, nga deti i njerëzve që do të përmbytin sheshet “Skenderbej”, “Nanë Tereza” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Rama ik!
Largohu!
Është Ultimatum i pakthyeshëm i Sovranit.
Referendumi Kombëtar sot vendos: Koha jote ka mbaruar…

Tiranë, 16 shkurt 2018
0ra 6.54

Anti-mitingu i Ramës, administrata e jugut të vendit thërritet me lista për të ardhur në Vlorë

Mësues e punonjës të administratës në thuajse të gjithë jugun e vendit janë thërritur me detyrim që t’i hipin furgonave dhe autobusëve ditën e nesërme për të qenë të pranishëm në Vlorë, atje ku kryeministri Edi Rama do të mbajë një anti-miting kundrejt protestës së organizuar nga opozita në Tiranë.

Rama e ka “mbuluar” anti- mitingun e tij nën petkun e ciklit të takimeve “Bashkia që duam”, të cilën e zhvillon prej disa ditësh tashmë dhe nga ku bën batuta e monologje përpara qytetarëve.

Express mëson se dhjetëra autobusë nga Lushnja, Fieri, Patosi e deri nga Saranda do të nisen në drejtim të Vlorës ditën e nesërme, që Rama të mbajë një monolog në Sheshin e Flamurit në qytetin bregdetar. Punonjësit e administratës dhe mësuesit mësohet se janë thirrur me lista për të qenë të pranishëm në anti- miting.

Rama i ka dhënë porosi kryebashkiakëve dhe deputetëve të zonave respektive që të sjellin sa më shumë njerëz, në një orvatje për të bërë “luftë” numrash nëpër sheshe, pasi kujtojmë se ditën e nesërme opozita do të zhvillojë protestën e saj, e munguar prej thuajse 10 muajsh. Takimi do të tentohet të transmetohet në sa më shumë media për të “mbytur” protestën e opozitës./Express

Pezullohet greva në Aeroportin e Prishtinës, pritet të vazhdojë javën e ardhshme

Kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, kanë thënë se nuk do të mbajnë grevën e paraparë për të shtunën dhe të hënën e javës së ardhshme.

Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, Artan Hasani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se greva do të vazhdojë përsëri javën e ardhshme, përkatësisht në ditët e vikendit.

“Ne do ta mbajmë grevën e paraparë për sot (e premtë) deri në orën 16:00 por nuk do të mbajmë grevë të shtunën dhe të dielën. Greva do të vazhdojë javën e ardhshme, ditën e premte, të shtunën dhe të dielën me nga 12 orë”, ka thënë Hasani.

Kontrollorët ajrorë sot kanë hyrë në ditën e tretë të grevës, me kërkesën e vetme të mospërfshirjes së tyre në Ligjin për paga, për shkak të, siç thonë, cenimit të pavarësisë së këtij institucioni.

Ligji i ri parasheh ulje të pagave për kontrollorët ajrorë.

Menaxheri i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Driton Hyseni, ka njoftuar përmes një komunikate në rrjetin social, Facebook se janë anuluar tetë fluturime për shkak të grevës.

“Gjithsej të planifikuara kemi pasur 19 arritje e 19 shkuarje, por për shkak të grevës janë anuluar 8 arritje dhe 8 shkuarje. Aktualisht mbeten 11 arritje dhe 11 shkuarje në plan të realizohen. Kuptohet se disa nga fluturimet janë riprogramuar duke evituar kornizën kohore të grevës së paralajmëruar për sot”, ka shtuar Hyseni.

Të enjten, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror.

“Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror, nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha”, është thënë në komunikatën për media të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndërkohë Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, iu ka bërë thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të ndërprejnë grevën duke pasur parasysh pasojat e mëdha për publikun që udhëton dhe humbjet tjera direkte e indirekte që mund të shkaktohen.

“Përderisa bashkë ndjejmë shqetësimin e udhëtarëve të prekur nga greva, informojmë opinionin se kompanitë ajrore janë njoftuar me kohë mbi grevën dhe orarin në mënyrë që ato të kenë mundësinë e organizimit të tyre pa e cenuar sigurinë në asnjë mënyrë” është thënë ndër të tjera në komunikatë.

Çështja Dajti, euro e municione në banesën e gjyqtarit

Në Shqipëri forcat speciale të policisë ushtruan sot kontroll në banesat e tre nga pesë anëtarët e trupës gjykuese të Apelit të Krimeve të Rënda, të cilët javën e shkuar ulën në 25 vjet burg, dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen 10 vjet më parë të 4 policëve. Kontrollet u realizuan në bazë të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë hapi procedim penal ndaj tre gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla.

Sipas njoftimeve të para, në banesën e gjykatësit Damini, janë gjetur të pajtën 17 mijë euro si dhe “një sasi municioni”, bëri të ditur në një deklaratë të saj policia pa dhënë detaje, duke shpjegur se “operacioni policor është në vazhdim”. Gjykatësi Damini është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë shpjegime.

Dritan Dajti i ishte drejtuar Apelit të Krimeve të Rënda duke kërkuar gjykim të shkurtuar. Për të marrë një vendim, u përzgjodhën 5 anëtarë të gjykatave të Apelit të rretheve, nga të cilët dy prej tyre, votuan kundër uljes së dënimit për Dajtin.

Vendimi shkaktoi polemika të shumta. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj foli për një “një skandal të papranueshëm nё pёrmasa tё patolerueshme. Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar për uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me kodin e procedurës penale”.

Ministrja Gjonaj i është drejtuar ndërkohë Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar “hetim disiplinor të veprimtarisë së anëtarëve të trupës gjyqësore, që kanë gjykuar çështjen kundër të dënuarit Dritan Dajti, për shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës”. Zonja Gjonaj ka kërkuar gjithashtu dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve.

Hedhja e bojës kundër Ramës, ish-ministri i Jashtëm: Paloka zgjodhi metodë argëtuese

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i pranishëm në rubrikën “Opinion” në News 24 foli për zhvillimet e fundit të politikës shqiptare, retorikën si dhe protestën e opozitës të parashikuar me 16 shkurt.

 

Duke u ndalur tek përplasjet e sotme në Kuvend dhe hedhjen e bojës nga Paloka në drejtim të Ramës, Mustafaj tha se metoda e zgjedhur nga deputeti i PD-së ishte simbolike dhe shumë argëtuese.

“Në vendet demokratike, protesta, pakënaqësitë janë bërë edhe spektakël, për pos përmbajtjes që kanë brenda. Në këtë kuptim mua nuk më shqetëson për sa kohë që është një bojë që nuk i bën gjë zotit Rama. Imitimi i Ramës ndaj Edi Palokës është i gabuar. Mund të themi se ia ktheu me të njëjtën monedhë. Paloka kishte zgjedh një metodë simbolike dhe argëtuese.

Unë do të kisha parapëlqyer që  ceremonia në Kuvend të ishte solemne, serioze për aq minuta sa kërkonte ratifikimi e protokollit të  Maqedonisë së Veriut në NATO. Të mos ndodhte kjo për aq kohë sa ishte aty Talat Xhaferi, sepse ai ishte një mik i nderuar në Parlament.  Ne kemi një situatë që kreu i opozitës po sjell fakte të reja, që tregojnë një qeveri  të delegjitimuar. Akuzat janë politike dhe reagimet duhet të jenë politike”, tha ai.

Mes tjerash në komenti e tij, ish-shefi i diplomacisë së shtetit shqiptar komentoi edhe rolin e Policisë së Shtetit, që sipas tij, për fat të keq, ky institucion është i përdorur nga politika kur në vend ka protesta dhe pakënaqësi popullore.

“Ka një përdorim të policisë nga Kryeministri, sepse Policia  ka njoftuar disa ditë më parë praninë eventuale të elementëve të dhunshëm brenda në protestë.  Policia e Shtetit në Shqipëri, ka vazhduar të jetë në një mënyrë apo në një tjetër e përdorur nga politika.

rama boje kuvend4

Kjo nuk është e dinjitetshme për Policinë. Ne që e kemi njohur para viti ’90 e dimë se Rama nuk është trim. Duke shkuar në Vlorë kryeministri Rama kërkon t’i shmange protestës. Kjo është edhe për të qenë në vëmendje të medias dhe larg sheshi të betejës, e thënë natyrisht në formë figurative. Në produktin më të mirë do të ishte realizimi i kërkesës së opozitës dhe krijimin e një qeveria kalimtare. Kjo mbetet për t’u parë dhe nuk besoj se do të realizohet në një ditë të caktuar. Ne presim nga kreu i maxhorancës, nga kryemistri që të lexojë pakënaqësitë dhe të shfaqet në publik me përfundimet e tij”, shto ai.

Analisti u ndal edhe tek reagimi i ambasadës amerikane në Tiranës, e cila përmes një reagimi publik bëri thirrje që protesta të jetë paqësore dhe demokratike.

“Tek deklarata e ambasadës ka një nuancë që ka munguar në reagimet e mëparshme. Në deklaratën e ambasadës nuk kemi thirrje për qytetarët amerikanë, që të shmangin rrugën.  ShBA nuk ka informacione se do të këtë dhunë. Këshilla për të ruajtur stabilitetin është rutinore dhe e domosdoshme. Se ka një padurim të popullit opozitar shqiptar për të patur rezultat nga protesta, ka.

rama boje kuvend

Unë shpresoj se Basha me ekipin e tij e lexojnë mirë këtë gjë dhe do të ndërtojnë strategji të mirë për t’iu përgjigjur reagimeve që vijnë poshtë.  Një lëvizje antisistem do të nxirrte jashtë lojë edhe opozitën edhe maxhorancën, siç ka ndodhur edhe në vendet evropiane. Jemi brenda mundësive të udhëhiqet politikisht pakënaqësia. Konkluzioni i Majkos është i vetmi realist që vjen nga mazhoranca.

Opozita shqiptare duhet të ketë një ndryshim programor për t’iu përgjigjur pakënaqësisë, sidomos të rinjve. Pjesëmarrje tregon përmasat e pakënaqësisë. Përmasat e opozitës kanë shumë rëndësi për të matur pakënaqësitë. Unë nuk jam optimist se Rama do ta lexojë. Rama nuk pranon asnjë kritikë dhe asnjë  sugjerim”,  përfundoi Besnik Mustafaj.

BalkanWeb

LDK: Dialogu për kufijtë është i ndaluar

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur sërish kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, duke thënë se hapja e dialogut për kufijtë, është “vetagresion ndaj shtetit dhe territorit të vendit”.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe se dialogu për kufijtë është i ndaluar.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi muajt e fundit disa herë ka deklaruar se në marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe një korrigjim i kufijve mes dy vendeve.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.” ka thënë presidenti Thaçi gjatë javës së kaluar në një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në New York.

Kjo ide po kundërshtohet nga partia në pushtet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

Vrasja e 49- vjeçares në Tiranë, në kërkim kunati si autor i dyshuar

Trupi i pajetë i një gruaje është gjetur i pajetë në liqenin e Sharrës në Tiranë.

Paraprakisht mësohet se viktima është 49 vjeçe dhe është identifikuar si Lirie Xhepa.

Trupi i gruas është gjetur nga banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar edhe policinë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për Ora se gruaja mund të jetë vrarë, pasi në trupin e saj janë konstatuar shenja dhune.

Fillimisht mendohet se është goditur me gurë pas koke dhe më pas është qëlluar me armë zjarri, pasi janë konstatuar edhe 3 plagë nga plumbat.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim kunatin e viktimës, shtetasin Dashamir Xhepa.

Vendi ku është gjetur viktima nuk ka rrugë makine dhe akoma nuk është faktuar nëse është vrarë aty apo trupi është transportuar aty.

Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e trupit të pajetë.

Njoftimi i Policisë

Identifikohet trupi i pajetë, i gjetur pranë liqenit të Sharrës mëngjesin e sotëm. Trupi i përket shtetases L. Xh., 49 vjeçe. Nga kqyrjet në trup rezulton se shtetasia L. Xh., është qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

PD sqaron arsyet pse Edi Paloka gjuajti me bojë Edi Ramën

Partia Demokratike ka sqaruar arsyet pse Edi Paloka gjuajti me bojë Kryeministrin Edi Rama.

Sipas PD-së, qëndrimi i Nënkryetarit të Parlamentit erdhi për shkak të talljes së vazhdueshme që Rama i bëri në seancat e kaluara.

“Edi Paloka e gjuajti me boje Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit.

Gjuatja me boje është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik”, thuhet në reagimin e PD.

Emrat – Miratohet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, dy deputetët minoritarë grekë që nuk e votuan

Pas incidentit në Parlament, ku Edi Paloka gjuajti me bojë Kryeministrin Edi Rama dhe vendimin për ta përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, maxhoranca dhe opozita bashkuan sot votat për të miratuar marrëveshjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Në këtë votim mori pjesë edhe vetë Edi Paloka, i cili refuzoi të dalë nga salla e Parlamentit edhe pse në disa raste iu kërkua nga Gramoz Ruçi të largohet pas përjashtimit nga Byroja.

Por për shkak se në Kuvend ishte i ftuar Talat Xhaferri, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Ruçi nuk ka këmbëngulur dhe ka lejuar që të vijojë seanca me votimin e ratifikimit të marrëveshjes.

Sipas gazetarit të “Panorama”, Ervin Koçi, marrëveshja mori votat e të gjithë deputetëve të pranishëm, por ra në sy mungesa e dy votave të deputetëve që përfaqësojnë minoritetin grek.

Kjo marrëveshje nuk u miratua nga Vangjel Tavo i LSI-së, dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së.

Vangjel Dule ishte në fillim te seancës, por pas ndërprerjen se saj nuk u kthye ne salle për e votuar. Ndërsa Vangjel Tavo  nuk ishte qe ne fillim në parlament.

 

Një kokë për një pëllëmbë tokë – Nga Azgan HAKLAJ

 

Koalicioni, apo më qartë kuarteti Putin-Erdogan-Rama-Thaçi, një aleancë antiperëndimore e antishqiptare, njëherësh kanë herë në dimrin e vetmisë së madhe.
Dy të parët, lider autokrat dhe diktator kanë zgjuar endërrat dhe po përpiqen të jetësojnë ish perandoritë ruso-otomane, njëherësh të ndajnë zonat e influencës në Ballkan permes satelitëve të tyre Rama-Thaçi.
Pak ditë na ndajnë nga 11 vjetori i pavarsisë së Kosovës.
Pak ditë na ndajnë nga 20 vjetori i Rambujesë.
Ky vit është 20 vjetori i çlirimit të Kosovës.
Edhe pak janë na ndajnë nga 20 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATOS, Koalicionit të lirisë mbi Serbinë gjakatare të Millosheviçit.
Në 78 ditë makineria luftarake serbe u shkermoq si një kështjellë rëre e kasapi Millosheviç sëbashku me gjeneralët e tij kanibal u detyrua të kapitullonte pa kushte.
Atë kohë Rusia e Boris Jelcinit megjithë presionin diplomatik e veton në OKB nuk mundi tu vijë në ndihmë vëllezërve serbë.
Presidenti Klinton, Sekretarja e Shtetit Ollbrahit, Gjeneral Klark, Londra-Parisi-Roma i treguan mbarë botës së NATO dhe përendimi nuk do lejonin kurrë që në zemër të Europës të ushtrohej dhunë, genocid e spastrim etnik.
Makineria ushtarake kolosale e fitimtare e NATOS mbështeti djemt e vajzat e Kosovës e shumë të tjerëve nga mbarë hapsira etnike shqiptare që ishin rreshtuar në UÇK dhe me kurajo,vetmohim e trimëri të pashoqe rrokën armët e u hodhën si shqiponja në zjarrin e betejave për liri.
Kosova e mbretërve dardanë e Lek Dukagjinit, Zhuj Selmanit , Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit, Mic Sokolit, Sef Koshares – Haxhi Zekës e Ali Ibres.
Kosova e Lidhjes së Prizrenit, e Lidhjes së Pejës.
Kosova e Kuvendit të Verrave të Llukës.
Kosova e Kryengritjeve të mëdha 1908-1909-1910.
Kosova e Kuvendit të Junikut e trinomit të lirisë Hasan Prishtinës- Isa Boletinit-Bajram Currit me 21-25 maj 1912 hartoi platëformën e Kryengritjes së Përgjithshme e u finalizua me shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë nga Plaku i Vlorës Ismail Qemali.
Kosova ky djep i kuvendeve, besëlidhjeve e kryengritjeve të mëdha për liri e pavarsi u mbyt nga gjaku i dragojve të ri të saj Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Adem Jashari, Luan Haradini, Shkelzen Haradini, Agim Ramadani, Sali Çekajt, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Adrian Krasniqit, Bedri Shalës, Bekim Berishës Iliaz Kodrës e mijra djemve dhe vajzave që dhanë jetën për liri e çlirim komëbtar.
Numri i të vrarëve është aq i madh sa çdo pëllëmbë toke është e larë me gjak.
20 vjet më parë bota e lirë u ba dëshmitare e masakrës barbare e çnjerëzore të Reçakut, ku dhjetra shqiptarë të pafajshëm u ekzekutuan nga falangat gjakatare të Millosheviçit dhe Arkanit.
Kjo ngjarje shenoi një pikë kthese për Diplomacinë Euro-Atlantike e permes saj për vetë të ardhmen e Kosovës e të Kombit Shqiptar.
Sot kohët kanë ndryshuar në disfavorr të armiqve tanë historik serbo-sllav-roso-otoman.
Shqiptarët në Ballkan janë një armatë 10 miljonëshe e rreshtuar në krah të Aleancës më të madhe e më të fuqishme që ka njohur bota NATOS-SHBA e BE.
Shqipëria shënon 10 vjetorin e antarësimit në NATO.
Ketë vit Kosova shënon 20 vjetorin e Çlirimit dhe 11 vjetorin e pavarsisë.
Shqiptarët e Malit të Zi me votën e tyre përcaktuan antarësimin e Malit të Zi në NATO dhe vazhdimin e qeverisjes propërendimore.
Shqiptarët e Maqedonisë u banë përcaktues të rrugës së Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe ndryshimin e emrit Republika e Maqedonisë së Veriut dhe zyrtarizuan gjuhën shqipe, gjuhën e Aleksandrit të Madh, Pirros, Gjergj Kastriotit (Skenderbeut), Shenjtores Nanë Terezës.
Identiteti historik e kulturor i shqiptarëve, e drejta e tyre zakonore, vyrtytet e kodi i tyre i nderit solidariteti e humanizmi i trashëguar në shekuj, në genin e tyre, janë jo vetëm pashaportë e Identitetit Europian por dhe themel i vlerave të Europës së civilizuar.
Beteja për Kosovën e lirinë e saj nuk ishte vetëm betejë ushtarake.
Ajo ishte për një kohë të gjatë betejë diplomatike e morale, një gurë prove për vlerat e civilizimit përendimor e kancelaritë e tyre.
Sot imperativ i kohës për Kombin Shqiptar është mbrojtja e Kosovës nga coptimi dhe mbrojtja e çdo pëllëmbë tokë e saj.
Kombi Shqiptar ka patur fatin të kishin nga gjaku i tij avokaten hyjnore Nanë Terezen, Gjeniun e politikës Ibrahim Rugovën, mendimtarin e filozofin, mendjendriturin, illuministin, Volterin Shqiptar Ukshin Hotin, të cilin sherbimet sekrete serbo-sllave e vranë 20 vite më parë në shkurt 1999.
Megjithëse trungu i saj ka provuar traktate, konferenca e protokolle, edhe pse ka kaluar një sagë të gjatë sakrificash e kasandrash, humbje të mëdha jetësh njerëzore, genocid të pashembullt, shfarosje masive të popullsisë, spastrim etnik, me elaborate e operacione që nga doktrina e Gjergjoviçit, pyka shqiptare e Çubriolloviçit, elaborati i Qosiçit deri tek operacioni Patkoi i Millosheviçit, Kosova sot në 11 vjetorin e shpalljes së Pavarsisë, në 20 vjetorin e çlirimit është më afër së kurrë për tu bërë pjesë e strukturave Euro-Atlantike dhe Familjes Europiane.
Garante e Mbrojtjes së arritjeve të saj janë Ushtria e Kosovës dhe SHBA.
Kjo do të thotë së në trojet etnike shqiptare krahas flamurit krenar të Gjergj Kastriotit do të valvitet edhe ai ngadhnjimtar i NATOS, i SHBA dhe BE.
Përendimi e vlerat e lirisë, demokracisë e civilizimit kanë qenë ylli polar i shqiptarëve, të tilla janë sot e përgjithmonë.
Burrështetasit e shquar, themeluesit e shtetit të Arbërit, Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Mbreti Zog.
Rugova, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, korifejt e Rilindjes Kombtare e të mendimit Frashëllinjtë, Pashko Vasa, Konica, Fishta, Arbër Xhaferi e Ismail Kadareja ju kanë treguar bashkëkombasve të tyre së për shqiptarët dielli lind nga përendon.
Shqiptarët sot janë faktor madhor i pamohueshëm e fuqiplotë në trojet e tyre etnike në Ballkan.
Koha e pazarlleqeve dhe e traktateve të fshehta siç është ky i ndryshimit të kufijve, pra shkëmbim territoresh në kembim të njohjes, një teater sharlatan politik, me skenarist Binomin Putin-Erdogan e aktor Trinjaket Vuçiç-Thaçi-Rama ka përenduar përgjithmonë.
Shqiptarët në shekulln e kaluar edhe pse në kushte shumë herë më të rënda e të pafavorrshme se sot kanë ditur tu tregojnë vendin Haxhi Qamilëve dhe Esadistëve të tyre.
Edi Rama siç shkruante me të drejtë këto ditë një analist nga Kosova e ka shitur praktikisht Shqipërinë të Turqia,
portet, aeroportet, minierat e hidrocentralet, ajken e pasurisë kombëtare të cilat janë mushkëritë e ekonomisë tonë, ua ka varur në qafë barbarëve të Azisë.
Rama ka pushkatuar Kauzën Çame duke ua folur grekëve sëbashku me detit.
Teza e ndryshimit të kufijve, kjo dosje e zezë e kulisave politike ruso-turke e filluar qysh me çlirimin e Kosovës para dy dekadash, është hapur nga sivllau i Putinit, krushku i Erdoganit Vuçiçi dhe po mbështetet nga dyshja kuislinge Thaçi-Rama, për interesat e tyre utilitare.
Vendosmëria e Kryeministrit Haradinaj dhe e Qeverisë së Tij, e Liderit të opozitës së bashkuar të Shqipërisë, e opinionit publik në Kosovë e Shqipëri dhe nga patriotët e Kombit Shqiptar, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare qoftë dhe me jetë njerëzore është vija e kuqe që nuk mund ta kalojnë despotët e Kremlinit e Ankarasë dhe sherbëtorët e tyre në Beograd e në të dy anët e kufirit etnik shqiptar.
Në epilogun e çlirimit të Kosovës, ditës së madhe të triumfit kombëtar sikur ta parandjente skenarin ogurzi për të cilin apostrofova më sipër e madhe Shkurte Fejza këndonte në kor me piskamen e shpirtit të një Kombi;
“Pa u farue djem e çka
Jo nuk ndahet Mitrovica
Nuk i leshojmë trojet tona
Krejt Kosova është e Jona”
Në rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Mitrovicë Ish Presidenti Nishani u shpreh me këto fjalë.
“Varri i Juaj Baca Ise do të jetë piramidë e kufirit me Serbinë dhe ju do të jeni gardiani i mbrojtjes së trojeve tona.”
E Drejta Ndërkombëtare ka në themel të saj sovranitetin e popujve dhe kjo është thembra e Akilit e projektit antishqiptar të ndryshimit të kufijve përmes shkembimit të territoreve për të cilin punojnë prej kohësh armiqtë tanë shekullor.
Kancelaritë ruso-turke dhe ajo e Beogradit janë mëse të bindura se nuk mund ta ndalojnë zgjerimin e NATOS e as të BE në Ballkan.
E provuan me skenarin malazez dhe maqedonas dhe deshtuan me turp.
Në të dy rastet ishin shqiptarët që i dogjën skenarët e tyre dhe i rreshtuan këto shtete në anën e NATOS e të përendimit.
Me frontin e dytë antiperendimor e antishqiptar me aktor kalifët Rama e Thaçi është përpjekja e fundit e carëve të rinj ruso-turk Putin-Erdogan për ta mbajtur Ballkanin peng të politikës së tyre.
Shqipëria sot është e uzurpuar nga Edi Rama e Qeveria e Tij kriminale.
Është kjo arsyeja madhorë që i bashkon opozitën dhe popullin në një flamur të vetëm, atë Kuqezi.
Me 16 shkurt është marrshimi i pandalshëm i lirisë.
Sovrani zbret si tajfun në sheshet Skenderbej e Nanë Tereza dhe në Bulevardin Deshmorët e Kombit për të shpetuar demokracinë e shtetin e së drejtës të marrë peng nga Sulltan Rama i cili po shet edhe trojet amtare për pushtetin e tij.
Japonezët kanë një postulat;
“Më fal tokë që të shkel”
Thaçi dhe Rama trojet shqiptare të mbytur nga gjaku i derdhur nga martirët e rënë për mbrojtjen e tyre duan të ia bajnë bonos Vuçiçit.
Mitrovica dhe çdo pëllëmbë tokë shqiptare është e jona
Ato do ta mbrojmë me jetën tonë me moton
“Një kokë për çdo pëllëmbë tokë”.

Dy koncesionet e fundit të qeverisë “Rama” përfundojnë në vitet 2046 dhe 2047 (TABELA)

Koncesionet apo partneriteti publik-privat ka qenë një “skemë novatore” e qeverisë që është parë me skepticizëm nga një pjesë e opinionit publik dhe janë shoqëruar me akuza të rënda të opozitës ndaj kabinetit “Rama”.

Në fund të janarit, qeveria u tërhoq në fazën e negocimit për kontratën më të madhe koncesionare të saj, atë për segmentin rrugor Thumanë-Kashar me distancë 21 kilometra dhe me kosto të përgjithshme prej 435 milionë eurosh, pa dhënë shpjegime për shkaqet që sollën anulimin.

Nga ana tjetër, në mënyrë të papritur, u depozitua në Kuvend një projektligj ku vendoset “heqja e mundësisë ligjore për koncesione të pakërkuara nga 1 korriku 2019”, duke anuluar në këtë mënyrë mekanizmin ligjor që qeveria përdori përgjatë viteve të fundit.

Por, ndërkohë që s’do ketë PPP të reja, ato “të vjetrat” funksionojnë normalisht dhe me gjasë do të vazhdojnë edhe pasi Edi Rama të jetë larguar nga posti i kryeministrit.

Sipas tabelës që publikon sot “Gazeta Shqiptare” dy koncesionet më të gjata të qeverisë përfundojnë pas rreth 3 dekadash. Konkretisht: koncesioni i inceneratorit të Tiranës vijon deri në vitin 2046 ndërsa, koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës së Kombit deri në vitin 2047.

Ministria që mban numrin rekord të PPP-ve është ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Institucione të ndryshme, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin e Shtetit të SHBA apo Komisionin Europian kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi format ekstraligjore të ndjekura nga qeveria aktuale për negocimin e kontratave koncesionare në kurriz të taksapaguesve”, shkruan kolegu Gjergj Erebara në Reporter.al.

Kështu, sipas FMN, “kuadri i punës së qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimit, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm,” dhe fondi pati kërkuar në fillim të vitit 2018 ndalimin e dhënies së koncesioneve të reja.

Sipas Departamentit të Shtetit, “përdorimi në rritje i kontratave të partneriteteve publike dhe private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.”

“Në dorë armë do t’i mbajmë…”, studentët bllokojnë policinë: Stop përdhunimit

Nje dite pas ngjarjes flagrante, ku denocnuar nje punonjes policie qe ngacmonte shoqen e tyre ne fakultet, sot studentet e Universitetit te Shkodres te mbledhur bashke kane protestuar para godines se Policise, raporton gazetari i “Panorama”.

Ata thone se jane ne kete proteste kunder ngjarjeve skandaloze te fundit, si rastit te videos se policit me 15 vjecaren, ashtu edhe rastit me te fundit, kur nje polic u shfaq duke ngacmuar studenten ne fakultet.

 

Te ulur ne toke kane bllokuar hyrjen e komisariatit, nderkohe qe kendojne himnin kombetar dhe kenge te tjera.

Ata kane bllkokuar efektivet, bashke me mjetet e tyre ne komisariatin e Shkodres.

Meta flet sërish për Kosovën: E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve

Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për “ALB UK TV”, ka folur edhe një herë në lidhje me  çështjen e Kosovës, ku ka thënë se ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve.

 

Në këtë intervistë Meta ka folur dhe rreth negociatave të Shqipërisë me BE-së, dhe shtoi se do donte që të intensifikohej marrëdhënia e vendit tonë me unionin.

Gazetari Ian Pelham Turner: President, dua ta nis me një thënie të vitit 2010 për ju, që ju cilësonte si “personaliteti më pozitiv në politikën e jashtme””. Si do ta cilësonit këtë vlerësim dhe a e keni ju ndjesinë se të qenit gjithmonë pozitiv në politikë është shumë e rëndësishme?

Presidentit Meta: Padyshim që vullneti pozitiv dhe energjia pozitive janë të domosdoshme për t’i lëvizur ngjarjet dhe zhvillimet në një perspektivë të qëndrueshme dhe të shëndetshme, larg frymës së konfliktualitetit, si në politikën e brendshme, aq më tepër në politikën rajonale dhe në politikën e jashtme.

Dhe unë besoj se fuqia kryesore e Shqipërisë ka qenë pikërisht duke shprehur këtë pozitivitet në politikën e jashtme, sidomos në raport me fqinjët dhe në gjithë bashkëpunimin rajonal, duke qenë gjithmonë një shtyllë e fortë e stabilitetit rajonal dhe e integrimit europian. Unë kam qenë gjithmonë i përkushtuar për afirmimin e këtij vizioni të Shqipërisë dhe për implementimin e tij konkret në të gjitha detyrat dhe funksionet që kam pasur, përfshirë edhe vitin 2010 kur unë kam qenë Ministër i Jashtëm dhe Zv.Kryeministër.

Gazetari: Ju njiheni dhe si një reformator i madh, keni punuar në sistemin makro-ekonomik, keni ndërtuar sistem më të mirë infrastrukturor, keni pasur suksese në strategjinë e privatizimeve në ekonomi. Sipas jush, kush është fusha më e suksesshme në të cilën keni punuar gjatë karrierës suaj?

Presidentit Meta: Ju përmendet disa nga fushat kryesore, ku në veçanti gjatë periudhës që unë kam qenë Kryeministër janë shënuar disa progrese të dukshme, sidomos në raport me të kaluarën, përfshirë këtu edhe rritjen ekonomike mjaft të lartë në atë kohë, gati 8%. Por ka edhe mjaft elementë të tjerë, përveç këtyre që ju përmendët, sikurse është reforma shumë e rëndësishme në administratën publike bazuar në ligjin për statusin e nëpunësit civil. Tepër zhvillime pozitive në fushën e sundimit të ligjit, por më pozitivja për mua ka qenë përgatitja e Shqipërisë për procesin e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian në atë periudhë.

Gazetari: E di që keni dëshira të mëdha dhe unë besoj se filozofia juaj është të krijoni stabilitet me vendet e tjera të rajonit. A mund të na e shpjegoni se si ndiheni në lidhje me këtë filozofi tuajën?

Presidentit Meta: Kjo është filozofia mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Europian, e bashkëpunimit, e bashkëjetesës për të garantuar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pavarësisht nga kombësia, pavarësisht nga përkatësia fetare apo përkatësive të tjera. Dhe unë besoj se për Ballkanin kjo ka qenë dhe mbetet tepër vitale.

Integrimi europian ka qenë dhe mbetet ende fuqia më inkurajuese për transformimin e këtij rajoni gjithmonë bazuar në bashkëjetesë dhe duke i kthyer shpinën nacionalizmit të sëmurë dhe provokativ, i cili ka shkaktuar drama të jashtëzakonshme, jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për kontinentin.

Në këtë drejtim filozofia kryesore është pikërisht kjo, se në Ballkan vetëm bashkëjetesa mund të funksionojë për arsye sepse çdo komb në Ballkan është shumicë në një shtet, është pakicë në një apo në disa shtetet të tjera. Dhe e vetmja zgjidhje është pikërisht, të gjithë vendet të respektojnë sipas standardeve europiane të drejtat e pakicave.

E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por është heqja e kufijve si në vetë Bashkimin Europian. Kjo është filozofia kryesore që më ka motivuar mua të punoj mjaft ngushtë me të gjithë fqinjët dhe me vendet e rajonit tonë, me të cilat në të kaluarën për arsye të ditura kemi qenë në një marrëdhënie jo miqësore.

Gazetari: Të kthehemi te tema e të qenit pozitiv. Çfarë dëshiron të shohësh për vendin tënd në 2019-n dhe çfarë dëshironi të shikoni si të ardhmen e vendit tuaj?

Presidentit Meta: Gjatë këtij viti unë do të doja shumë që ne të çelnim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Do të ishte një arritje pozitive për Shqipërinë dhe këtë ta arrinim bashkë me fqinjën tonë, Maqedoninë, që arriti një sukses të madh duke zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, duke qenë e gatshme tashmë për t’u anëtarësuar edhe në NATO.

Së dyti do të dëshiroja shumë që të kemi edhe një finalizim të suksesshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo do të ishte vendimtare për forcimin e paqes, stabilitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë, por edhe për të garantuar perspektivën europiane të dy vendeve, si të Serbisë edhe të Kosovës njëkohësisht.

Gazetari: Ne mbulojmë gjerësisht Diasporën në Europë dhe në Angli veçanërisht. A mund të jepni një mesazh për shqiptarët që jetojnë në vendin tonë?

Presidentit Meta: Shqiptarët në Britaninë e Madhe janë një komunitet mjaft i rëndësishëm për ne dhe janë të kudogjendur. Unë sa herë kam pasur rastin të vizitoj Britaninë e Madhe, jo vetëm në Londër, por edhe në qytete modeste apo më periferike, gjithnjë kam takuar shumë bashkatdhetarë. Mendoj që ata janë njerëz jashtëzakonisht punëtorë, të cilët kontribuojnë shumë edhe për familjen e tyre këtu dhe për ekonominë tonë kombëtare, ndaj të cilëve duhet të tregojmë edhe më shumë vëmendje dhe kujdes në të ardhmen.

Dhe shpresojmë që një ditë shumë prej tyre të rikthehen në vendin tonë, të investojnë njohuritë dhe gjithçka ata kanë arritur atje për zhvillimin e Shqipërisë. Ashtu sikurse jam i sigurt se duhet të bashkëpunojmë edhe më ngushtë me Britaninë e Madhe për të goditur në mënyrë më të fortë dhe më efikase disa elementë kriminalë, të cilët janë një pakicë e papërfillshme dhe që shpesh për fat të keq zënë faqet e para të mediave britanike, duke cenuar imazhin e shqiptarëve në përgjithësi në Britaninë e Madhe apo edhe në vende të tjera të Europës, i cili është imazhi i njerëzve të cilët bëjnë çdo sakrificë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Por njëkohësisht të cilët kanë një dashuri shumë të fortë për atdheun e tyre.

Gazetari: Në 53 vite karrierë, ju jeni Presidenti i parë që kam intervistuar. Kam intervistuar Kryeministra, por asnjë Presidenti më parë. Si është të jesh President i Shqipërisë?

Presidentit Meta: Për mua është një nder i veçantë që jam President i vendit tim. Në këtë detyrë mund të kishte edhe shumë figura, personalitete të nderuara, të respektuara, të afta që Shqipëria ka, ndaj dhe ndihem i privilegjuar që jam në këtë pozicion, në këtë detyrë dhe duke qenë në këtë detyrë si simbol i unitetit të popullit, si kryetar i shtetit padyshim që përgjegjësia e interesave shtetërore, kombëtare dhe interesi publik prevalon mbi çdo lloj interesi tjetër, që një politikan ka kur është në një politikë më aktive apo kur është pjesë e një partie të caktuar, apo e një shumice a pakice politike.

Kështu që kjo detyrë të jep një lartësi tjetër, jo për t’u shkëputur nga qytetarët dhe nga njerëzit, por përkundrazi për t’i përfaqësuar ata dhe interesat e tyre në një nivel kombëtar dhe po kështu edhe afatgjatë.

Gazetari: Faleminderit për kohën tuaj zoti President!

“I rrezikohet jeta”, Gjykata e Hagës nuk ekstradon Arben Frrokun

Arben Frroku nuk do të ekstradohet në Shqipëri. Është ky vendimi që ka dhënë Gjykata e Apelit në Hagë, duke shtuar se në vendin e tij i rrezikohet jeta. Më tej në vendimin e Hagës thuhet se dënimi në Shqipëri është dhënë mbi motive politike. Më herët Gjykata e Hollandës kishte vendosur për ekstradimin e Arben Frrokut, vendim ky tanimë i refuzuar.


Kujtojmë se Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg përjetë  për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt të 2013. Ishte Gjykata e Krimeve të Rënda, që shpalli vendimin se Frroku ishte i pafajshëm dhe menjëherë pas këtij vendimi ai u largua nga vendi ynë.


Send this to a friend