Si gjykoni situatën zgjedhore në vend?
Nëse e keni fjalën për fushatën zgjedhore, ajo as nuk ka nisur dhe as nuk duket se ka për të nisur, të paktën për momentin.
Nëse e keni fjalën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ateherë do thoja se jemi në një pikë kritike. Kur rrëzuam diktaturën në fillim të viteve 1990 menduam se po ndërtonim një demokraci përfaqësuese. Pra një republikë ku ne do zgjidhnim përfaqësuesit tanë dhe ata, në emrin tonë, do na qeverisnin. Që kjo gjë të ndodhë duhet që ne të kemi mundësi të zgjedhim lirisht, por edhe që partitë të konkurojnë lirisht me njëra tjetrën, në mënyrë që ne të bëjmë zgjedhjen më të mirë të mundshme.
Por, siç ju mund ta dini më mirë se unë, situata është e tillë ku as ne nuk zgjedhim lirisht, dhe as partitë nuk garojnë si të barabarta, pasi fusha e lojës nuk është e sheshtë për të gjithë.
Aleatët kanë dalë me një platformë për zgjidhjen e krizës, për mes të cilës kërkojnë ndërtimin e një dialogu me maxhorancën. A mendoni, se aleatët po devijojnë nga koalicioni me PD-në?
Nuk e di, dhe të jem i sinqertë, as që më intereson. Personalisht jam shumë pak i interesuar për intrigën politike apo për dilemat “kush ja hodhi kujt?”. Mendoj se kemi 30 vite që gdhihemi e ngrysemi me hallet e një grushti njerëzish që merren me politikë. Procesi më i rëndësishëm në vend, menaxhimi i pasurisë së përbashkët, është reduktuar në një telenovelë bajate që siç duket nuk shërben më as për të kaluar kohën.
Them se ka ardhur koha të fokusohemi tek politikat dhe jo më tek politikanët. Duhet të shqetësohemi më shumë se çfarë programi kanë partitë për të nxjerrë vendin nga kriza, se sa çfarë krize emocionale po kalojnë kryetarët e partive.
Basha është shprehur kundra dialogut me PS. A mendoni, se kjo do sjellë krizë brenda opozitës?
Sërish këtu më shqetëson më shumë pasoja që sjellja e Bashës ka për vendin se sa për koalicionin opozitar. Unë jam i shqetësuar se sido që të vejë kjo punë vendi po shkon drejt një krize institucionale. Nëse Basha dialogon me Ramën dhe e zgjidhin ngërçin aktual, zgjidhja domosdoshmërisht do jetë ekstra ligjore dhe ekstra institucionale. Pasi aktualisht afatet janë kaluar dhe procedurat nuk janë respektuar.
Pra, ashtu si edhe në krizat e mëparshme, do bëhen bashkë dy lidera dhe do shkelin me të dyja këmbët Kushtetutën, ligjet zgjedhore, normat e tjera institucionale e kështu me radhë. Ama ne do lumturohemi që këta më në fund e zgjidhën krizën që prodhuan vetë.
Ndërsa, n ë rast se nuk dialogojnë, dhe PD-ja shkon drejt radikalizimit të qëndrimit të vet, gjasat janë që Rama të fuqizohet edhe më tepër, duke kontrolluar edhe qoshet e fundit të pushtetit, dhe duke futur nën sqetull të gjitha institucionet kushtetuese të vendit.
Mos harrojmë se institucionet janë e vetmja mundësi që një njeri me tendenca diktatoriale të mbëhet në kontroll. Ne e dimë mirë, se kur institucionet janë të dobëta, ai që është në krye bën çfarë t’i dojë qejfi. Më shumë se 40 vite nën thundrën e tekave të Enver Hoxhës nuk i lë shumë vend imagjinatës se si mund të shkojë kjo punë.
Në Parlamentin e Shqipërisë është krijuar një grup i ri parlamentar. Çfarë do të thotë kjo për opozitën shqiptare?
PD-ja apo LSI-ja nuk e kanë hipotekuar opozitën. Formalisht çdo deputet apo grupin që është në Parlament, por nuk formon maxhorancë mund të luajë rolin e opozitës. Problemi është se “opozita e re” (nëse mund ta quajmë kështu) është si ajo bima pa rrënjë që mund ta shkulësh kollaj. Pra, ata deputetë nuk kanë as elektorat dhe as struktura partiake që t’i mbështesë. Për pasojë ata janë shumë të dobët, pasi nuk kanë fare peshë në publik. Momentalisht një pjesë e mirë e publikut i shikon si zgjatim i Ramës, gjë që bën që ata të mos e gëzojnë legjitimitetin e nevojshëm për t’i bërë oponencën qeverisë.
Por, nëse ndonjë nga ata deputetë do të zgjedhë të artikulojë interesat reale të qytetarëve dhe të përdorë pushtetin që i jep Kushtetuta për të marrë nisma ligjore në mbrojtje të interesit publik, atëherë po që mund të themi se mes tyre ekziston potenciali që të lind një opozitë e re, me mendim alternativ dhe mbase shumë më e shëndetshme se kjo që kishim.
Por, se sa gjasë ka që një gjë e tillë të ndodhë vërtet, mbetet për tu parë.
Besoni vërtetë së Partia Demokratike dhe LSI nuk do të futen në zgjedhjet lokale? A është bindëse PD dhe LSI me argumentet e sajë për të bojkotuar zgjedhjet?
Në përgjithësi ata që bëjnë fallxhorin politik, kanë vërtetuar që nuk e njohin fare politikën. Kështuqë unë as nuk dua dhe as nuk mund të parashikoj se si do rrjedhin ngjarjet. Megjithatë, një mënyrë për të parashikuar të ardhmen është të shohësh nga e shkuara. E për pasojë, unë kam pak arsye të mendoj që këtë herë do jetë ndryshe nga herët e shkuara, megjithë agravimin që i është bërë situatës.
Në rast të bojkotit, a mundët Edi Rama të gjejë një formulë për të përdorur “opozitën e re”, në Parlament për ta pasur si kundërshtar politik?
Problemi i Ramës është se jeton në shfazim psikologjik. Kam bindjen se ai dëshiron të jetë edhe Luigji i XVI edhe Robespieri. Kërkon të jetë edhe mbret edhe krye revolucionar, aq sa në mënyrë krejt origjinale, kur studentët protestonin poshtë zyrës së tij, hiqej si kryedemonstrues duke mbështetur kërkesat e e tyre, e duke iu shtuar kërkesa të reja.
Kështuqë nuk çuditem fare sikur ai të përpiqet të zëvendësojë edhe opozitën. Në fakt, ndodh shpesh në regjimet hibride, ku opozita ekziston, por roli i saj është t’i bëjë fresk autokratit që kap shtetin për fyti dhe hipën në shpinën e popullit, duke e varfëruar dita ditës.
Kjo është preferenca e tij, por a do të ndodhë vërtet? Unë besoj që populli shqiptar e ka provuar një herë se ç’do të thotë diktaturë, dhe se sa e vështirë është të heqësh një diktator nga pushteti. Prandaj prirem të besoj se shqiptarët nuk do e lejojnë.
A jeni pro ndryshimit të sistemit zgjedhor në vend?
Sigurisht që po. Sistemi aktual i zgjedhjeve i ka falur Ramës maxhorancën. Mos harroni se në zgjedhjet e fundit PS-ja fitoi 48% të votave, që do të thotë 67 deputetë. Pra, me një sistem të drejtë PS-ja do detyrohej të qeveriste në koalicion, ose do ishte në opozitë. Mirëpo ky sistem, me gjithë hiletë e tij, i dhuroi PS-së 7 deputetë plus, duke i dhënë një maxhorancë prej 74 deputetësh. E thënë me fjalë të tjera maxhorancën Ramës nuk ia ka dhënë populli, por sistemi.
Prandaj kjo duhet të ndryshohet një orë e më parë, sepse maxhorancat duhet të përfaqësojnë vullnetin e popullit jo vullnetin e pelivanëve të sistemit zgjedhor.
Prej disa ditësh, Partia Zgjidhja, ka krijuar një pakt kombëtar, në të cilën kërkon që të ketë një administrim jo partiak të zgjedhjeve dhe një votim elektronik. Mendoni se këto kërkesa mund të arrihen deri në 30 qershor?
Nuk besoj
Pak ditë më parë, OSCE/ODHIR, nxori raportin ku në Shqipëri ka rrezikshmëri për blerjen e votave. Mendoni se ky fenomen do të përsëritet përsëri?
Nuk shoh asnjë arsye përse jo. Parlamenti apo Qeveria nuk kanë marrë asnjë masë serioze për ta luftuar fenomenin e shitblerjes së votës. Ato nenet e Kodit Penal janë sa për sy e faqe, sepse deri më sot nuk kanë prodhuar asnjë rezultat. Një raport i Qendrës Info CIP evidenton se pavarësisht qindra rastëve të raportuara vetëm një rast ka shkuar në gjykatë, por edhe në atë rast i akuzuari nuk është dënuar. Pra, spektakël sa për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
Por duhet theksuar se këtu jemi përpara një fenomeni ku vota, ashtu si shumë vlera të tjera në shoqëri, e ka humbur vlerën e saj fillestare dhe është komodifikuar. Pra është kthyer në shërbim që shitet e blihet, dhe për të cilin ka një çmim. Thuhet se kushton 50 Euro.
Ky transformim ka ardhur sëbashku me vafërimin e popullsisë, si edhe me zhgënjimin që kanë pësuar njerëzit nga politika, si pasojë e degjenerimit të vazhdueshëm të partive. Sot që flasim, më shumë se gjysma e popullsisë nuk voton fare, pasi nuk besojnë më tek partitë politike. Këto të fundit nuk kanë më asnjë ideologji dhe po tua heqësh siglat është vështirë të dallosh njërën nga tjetra. Në këto kushte, pjesa më e madhe e atyre që votojnë, dyshojnë (në mos janë të bindur) se nëse partia do vijë në pushtet, përveçse do vjedhë, nuk do bëjë asgjë për ta dhe komunitetin e tyre. Prandaj, një pjesë nuk ngurrojnë t’ia japin votën edhe Dreqit për një vend pune apo përfitim nga pushteti. Ndërsa një pjesë tjetër, aq të varfër sa nuk presin për një punë mot, preferojnë të marrin 50 Euro sot.
Ajo që ne nuk shohim sot është që transformime të tilla nuk zhbëhen kollaj. Do të duhen vite, në mos dekada, për t’i rikthyer votës vlerën e saj morale.
Botuar ne gazeten Shekulli, date 11/05/2019