KORÇE/ DHORJELA ÇULE/ Festa e “Birra Korça” nis sot, si evenimenti më i madh veror, që organizohet në Shqipëri gjatë stinës së verës.
Mbi 120 artistë vendës dhe të huaj do të performojnë gjatë pesë netëve të festës (14- 18 gusht) për të kënaqur mijëra vizitorë, që pritet të vizitojnë qytetin e serenatave këto net të gushtit, për të shijuar birrën e freskët dhe gatimet tradicionale. Do të jenë 5 netët më të bukura të verës, falë festës dhe “Birrës Korça”.
Ajo që nisi 13 vite më parë si një festë lokale për të gjallëruar qytetin, u kthye në një traditë të bukur festive, ku të gjithë shijojnë “Birra Korça” dhe argëtohen nën shoqërinë e njëri-tjetrit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtë vit, “Birra Korça” sfidon vapën e gushtit dhe mban zgjuar qytetin e Korçës deri në mëngjes.
Mijëra vizitorë e turistë nga vende të ndryshme të botës do të udhëtojnë në drejtim të Korçës për festën e birrës, e cila shtrihet në çdo cep të qytetit, nga stadiumi “Skënderbeu”, te Zona Këmbësore, Pazari i Vjetër e deri te fabrika e restorantit të “Birra Korça”, aty ku në fakt nisi gjithçka.
Birra e qytetit të Korçës, liderja e tregut shqiptar të birrave, e cila përgjatë viteve të fundit është duke pushtuar edhe tregun ndërkombëtar pas kërkesave të konsumatorëve, ia del ta kthejë Korçën në një qytet që feston për 5 ditë dhe net pa u ndalur. E ndërsa nga sot, mbrëmjet do të ndizen nga festa dhe “Birra Korça”, hotelet e Korçës, Voskopojës, Dardhës, Boboshticës e Pogradecit thuajse janë plot. Rezervimet kanë nisur herët, ndërsa të gjithë me padurim presin që të nisë muzika dhe të mbushin gotat me “Birrën Korça”, që i jep shijen e vërtetë kësaj feste, duke sfiduar edhe të nxehtin e verës.
Në qytetin e Korçës, atmosfera ka nisur të ndihet prej ditësh. Simbolika e gotës së birrës është shtrirë në bulevardet dhe sheshet kryesore të qytetit, shoqëruar me një ndriçim të ngrohtë, që e bën edhe më të veçantë mbrëmjen. Pak orë para se festa të nisë, organizatorët janë duke kuruar detajet e fundit, ndërsa vetë “Birra Korça” është kujdesur që të ofrojë kënaqësinë maksimale.
Në fabrikën e “Birra Korça”, gjigandit teknologjik, prej ditësh përgatitjet kanë nisur për festën, e cila mban zgjuar qytetin deri në orët e para të mëngjesit dhe që dihet nuk do të ishte e tillë pa “Birra Korça”.
Sakaq, “Birra Korça”, serenatat dhe gatimet tradicionale të Korçës nuk do të ndalen edhe te restoranti i “Birra Korça”, ku të gjithë mund të festojnë dhe argëtohen. Ndërsa gjatë ditës, një vizitë në fabrikën e “Birra Korça” mund të jetë një eksperiencë e veçantë. Në ndërtesën që ruan origjinalitetin e saj prej vitit 1928 dhe që ka harmonizuar teknologjinë më moderne, duke sjellë edhe birrën më cilësore, një vizitë do të ishte eksperiencë e veçantë. Të gjithë ata që shijojnë “Birrën Korça” mund të vizitojnë edhe fabrikën ku ajo prodhohet, një gjigant teknologjik, modern dhe me standardet më të larta të fabrikimit. Festa, e cila fton shqiptarë e të huaj të bëhen pjesë e saj, do të ofrojë “Birrën Korça”, birrën më të mirë në vend, më të mirët e muzikës dhe më të mirat e gatimeve tradicionale.
Sot festa do të nisë rreth orës 21:00, ndërkohë që thuajse gjithë përgatitjet janë finalizuar. Stendat ku do të ofrohet “Birra Korça” janë ngritur, do të jenë plot 13 të tilla për shijuesit e saj, të cilët vitet e kaluara kanë qëndruar në radhë për të marrë gotat e birrës.
Organizatorët, nën ethet finale të përgatitjeve, janë duke u kujdesur për detajet më të vogla, që gjithçka të shkojë në mënyrë të përsosur për këtë vit. Surprizë për këtë vit do të jetë koncepti ndryshe i festës, e cila do të pushtojë çdo cep të qytetit për orë të tëra.
Festa çdo mbrëmje do të zhvillohet te sheshi para stadiumit e paralelisht edhe te Pazari i Vjetër i Korçës, ndërsa nuk do të mungojnë ofertat dhe menytë me rastin e festës në zonën këmbësore.
Me një program të zgjedhur muzikor për të kënaqur preferencat e të gjithëve, festës nuk do t’i mungojnë as emrat më në zë të muzikës vendëse dhe të huaj.
Elvana Gjata, Eugent Bushpepa, Marsela Cibukaj, Olsa Papandili, Orgesa Zaimi, Kejsi Tola, Mateus Frroku etj.. Për kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq filo, kjo festë mbetet një ndër më të bukurat e qytetit dhe jo vetëm.
“Birra Korça”, një arsye më shumë pse të gjithë e duan festën dhe qytetin
Nëse doni të shijoni magjinë e vërtetë të birrës së freskët, atëherë nuk duhet ta humbisni mundësinë për ta provuar shijen e saj në Festën e Birrës, në datat 14-18 gusht në qytetin e Korçës. Birra aq e dashur e korçarëve për gati një shekull është një arsye më shumë për ta vizituar qytetin e serenatave. Në këtë qytet, përveç çdo atraksioni, ka edhe një “Shtëpi Birre”. Atje të mikpret një staf që punon me shumë dashuri, të pret si mik të vërtetë sepse je te “shtëpia e Birrës Korça”. Në krah të fabrikës qëndron një restorant i arreduar me shumë shije dhe që pret e përcjellë miqtë që zgjedhin “Birra Korça”. Mbrëmjet me birrë, gatime tradicionale dhe serenata i dëshiron çdokush që zgjedh të vizitojë qytetin. Përveç fabrikës, për të gjithë ofrohet mundësia që të shijojnë birrën e freskët të sapoprodhuar dhe atmosferën e veçantë që nis në mëngjes e mbaron në mbrëmjet e vona. Sigurisht që në këto ditë, kur e gjithë Korça është në festë, edhe te restoranti i “Birra Korça” përgatitjet kanë filluar për të pritur vizitorët, për t’u ofruar atyre shijen e vërtetë të Korçës.
“Për Festën e Birrës, restoranti ka shtuar kapacitetin për të pritur sa më shumë turistë dhe vizitorë. Mbrëmjet do të kalohen me serenata, birrë dhe gatime tradicionale. Çdo gjë do të jetë në dispozicion për të kënaqur çdo vizitor”, shprehet Arsenida Gjiriti, menaxhere e “Shtëpia e Birra Korça”. “Birra Korça” daton që në vitin 1928, por ajo nisi të konsolidohet dhe të kthehet në një histori suksesi prej vitit 2005, kur fabrika u bë pjesë e “Hysenbelliu Group”.
Me përkushtim dhe pasion, presidenti i saj, Irfan Hysenbelliu, ia doli që këtë fabrikë ta kthejë në një model të suksesshëm biznesi dhe “Birrën Korça” ta transformojë në brandin më të preferuar të shqiptarëve dhe jo vetëm. Fabrika ku prodhohet kjo birrë është modeli i vetëm i asaj se si një produkt duhet të prodhohet e kontrollohet për t’i ofruar konsumatorit cilësi dhe garanci. E ndër vite, kjo fabrikë ka mirëpritur ambasadorë, kryeministra, artistë botërorë e turistë pafund nga çdo vend i botës. Lëndët e para të prodhimit të “Birrës Korça” janë bio, të certifikuara. Birra e prodhuar në sajë të sistemit të detoksionit e bën atë të ndryshme nga birrat e tjera. Vetëm kush e ka parë nga brenda fabrikën, makineritë dhe teknologjinë, e kupton se përse “Birra Korça” ka një cilësi kaq të veçantë. Specialistët më të kualifikuar europianë janë kontraktuar për të asistuar prodhimin e “Birrës Korça”, për të sjellë risitë e teknologjisë dhe për ta mbajtur këtë fabrikë në krye të listës së prodhuesve të birrës.
Filo: Presim mijëra vizitorë për edicionin e 13 të festës
Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, gjatë një deklarate për mediat në prag të nisjes së Festës së Birrës, u shpreh se në pesë net do të presin mijëra vizitorë vendës dhe të huaj.
Filo theksoi se Festa e Birrës, që shënon këtë vit edicionin e 13-të, është kthyer në një nga evenimentet më të mëdha që organizohen në vendin tonë gjatë verës. Kryebashkiaku tha se këtë herë do të ketë tri pika, ku vizitorët mund të kalojnë momente të paharruara. “Fillojmë edicionin e 13-të të Festës së Birrës, është festa që ka nisur 13 vite më parë, e organizuar nga Bashkia e Korçës dhe është rritur nga viti në vit, duke u shndërruar sot në eventin më të madh veror në Shqipëri. Këtë vit, edicioni i Festës së Birrës do të zhvillohet përsëri në pesë net, në tri vendndodhje.
Njëra do të jetë ‘skena e madhe’, e vendosur pranë stadiumit “Skënderbeu”, te “Pazari i Vjetër”, por dhe te pedonalja që do të vendoset për herë të parë. Këtë vit do të kemi rreth 120 artisë vendës dhe të huaj, të cilët do të performojnë gjatë pesë netëve të festës. Besoj dhe jam shumë i bindur që në këto net të festës do të kemi jo vetëm atmosferë në qytet, por do të presim mijëra e mijëra vizitorë vendës dhe të huaj, të cilët ashtu si dhe vitet e tjera do të zgjedhin Korçën këto ditë dhe net të Festës së Birrës si destinacionin e tyre për të kaluar momente të këndshme, për të shijuar gatimet tradicionale, muzikë dhe pa dyshim birrat e shumta, që janë kryefjala e kësaj feste”, u shpreh Filo.