VOAL

VOAL

“Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve”- Meta flet për axhenda të nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë

Me rastin e Ditës së Demokracisë, Presidentit Ilir Meta thotë se vendi ynë është përfshirë nga  fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, duke shtuar se axhendat e nëndshehme kanë kapur për fyti Shqipërinë, që sipas kreut të shtetit nuk janë gjë tjetër vetëm se komplot kundër demokracisë.

 

Presidenti nënvizon se mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t’i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu.

Gjithashtu, Meta thotë se Shqipëria është e fundit në rajon dhe pavarësisht kësaj, askush nuk mban përgjegjësi, duke thelluar më tej paligjshmërinë.

Gjithashtu, Meta thotë se Shqipëria është e fundit në rajon dhe pavarësisht kësaj, askush nuk mban përgjegjësi, duke thelluar më tej paligjshmërinë.

Postimi i plotë i Metës:

Të dashur miq, sot është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.

Në themel të demokracisë qëndron vota, e drejta e çdo qytetari për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, pluralizmi politik.

Demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Që çdo qytetar të ketë besim te roli i vet në demokraci. Që çdo qytetar të ketë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Për ta detyruar atë të jetë transparente, nëpërmjet llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe kombëtar.

Demokraci do të thotë që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit.

Fatkeqësisht shumë nga këto parime e vlera që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë.

Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.

Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!

Koha nuk pret!

Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!

Për një Shqipëri demokratike, si gjithë Europa!

Sepse liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshme!

Mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t’i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu dhe kjo kërkon kontributin e secilit për ndryshim.

Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi!

Largimi u intereson atyre që duan të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët, ndaj prej kohësh kanë planifikuar vrasjen e ngadaltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe!

Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t’u përmbysur!

Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë!

O SOT O KURRË!🇦🇱

Zëri i Amerikës: Nderimi i dëshmorëve nacionalistë në Gjirokastër (video)

Në varrezat e dëshmorëve nacionalistë në Grehot të Gjirokastrës u kryen të shtunën nderime për 37 luftëtarë të Ballit Kombëtar, që ranë 76 vjet më parë në luftime me pushtuesit italianë. Organizata e Ballit Kombëtar në Shqipëri e shënon 14 shtatorin si “Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë”. Familjarët e viktimave kërkuan sot që historia shqiptare për këtë ngjarje të rishkruhet pasi është manipuluar gjatë viteve të regjimit komunist. Ndërsa një grupim reagoi ashpër në ceremoni ndaj pranisë në parlamentin e sotëm shqiptar të përfaqësueve të Ballit Kombëtar.


Familjarë të dëshmorëve nacionalistë nderuan në varrezat e Grehotit 37 luftëtarë të Ballit Kombëtar, që ranë 76 vjet më parë në përpjekje me pushtuesit italianë. Mes familjarëve në ceremoni ishin edhe perfaqësues politikë te Partisë Demokratike, Ballit Kombëtar dhe ish të persektuarve politikë. Pas vendosjes se kurorave, oratorët nderuan kontributin e komandatëve të çetave të Ballit Kombëtar dhe Komandatit të Përgjithshëm Hysni Lepenica të cilët u vranë në përpjekjen me forcat fashiste italiane në 14 shtator të vitit 1943. Ish deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se historia shqiptare për ketë ngjarje duhej të fliste për të vertetën e cila u manipulua gjatë viteve të regjimit komunist.

“Në qoftë se ka një tension dhe ka një ndrydhje të shoqërisë shqiptare është pikërisht fakti i munegsës së të vërtetës e cila për 50 vite, por edhe për tridhjetë vite pas rënies së sistemit, kjo shoqëri dhe ndoshta edhe institucionet nuk ia arritën të hidhnin dritë mbi të vërtetën”, tha zoti Alibeaj.

Ndërsa Kryetari i Organizatës së te Përndjekurve Politikë Antikomunistë Nebil Çika tha se 14 shtatori ishte një ditë e shënuar, jo vetëm për nacionalistët, por për kombin shqiptar.

“Është një ditë e shënur, por është edhe një ditë që duhet të reflektojë në rishikimin e historisë sonë. Janë këta dëshmorë nacionalistë të shpallur nga shteti shqiptar që na vendosin ne në anën e drejtë të historisë. Kemi dëgjuar 100 herë që përmendet nga politikanët se kush është ana e drejtë e historisë. Ata kishin ideal perëndimin, Shtete e Bashkuara të Amerikës, Europën,pra një Shqipëri perëndimore, demokratike, të lirë”, tha zoti Çika.

Gjatë ceremonisë, një grupim pjesëmarrës reagoi me tone të ashpra ndaj politikanëve të partive të sotme të Ballit Kombëtar të cilën janë pjesë e parlamentit shqiptar. Sipas reagimeve, prania e tyre në parlament ishte një shenjë tradhëtie ndaj vlerave të të parëve të tyre. Masakra e Grehotit vlerësohet nga burimet historike se u shkaktua nga një sulm i beftë i ushtarëve italianë që përgatiteshin të braktisnin kazermat e Grehotit pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri.

Nacionalistët e mbledhur nga disa krahina që kishin negociuar për një dorëzim pa kushte u qëlluan në pabesi dhe 37 luftëtarë, mes të cilëve edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica humbën jetën.

FOTOT – U kap me gati 1 ton marijuanë në Janinë, ky është i riu shqiptar (Emri)

“BalkanWeb” zbulon emrin e shqiptarit të arrestuarit dje në Janinë me rreth 1 ton marijuanë. Burime konfidenciale nga policia greke bënë me dije se ai është 30-vjeçari Mirjan Gjini, lindur në Gjirokastër.

Sasia gjigande e drogës, hashash i papërpunuar, me peshë 951.65 kg, u gjet mëngjesin e djeshëm nga Prokuroria e Drogës në Janinë në kryqëzimin Eleousa ku u arrestua dhe 30-vjeçari shqiptar.

I arrestuari dyshohet se transportoi kanabisin brenda një furgoni të mbyllur, të cilin policia e ndaloi për kontroll. Hetimi paraprak është duke vazhduar nga Departamenti i Janinës i Divizionit të Prokurorisë së Drogës në Sigurinë e Brendshme.

 

Tiranë: BE fton partitë politike për dialog

Ilirian Agolli

Në Tiranë, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ftoi partitë politike të nisin dialogun për tema të rëndësishme të vendit. Ai tha se një temë konkrete dialogu mund të ishte reforma zgjedhore.

Drejtuesi i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, tha sot se kontaktet mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë duhet të vazhdojnë në 5 javët në vijim përpara takimit të Brukselit.

Shqipëria dhe BE nënshkruan sot një marrëveshje IPA për një shumë prej 94 milionë euro, që i akordohen Shqipërisë për fusha si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reforma në drejtësi. Kjo tregon edhe një herë, sipas ambasadorit Soreca, angazhimin e BE-së me Shqipërinë, duke dhënë fonde të rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë reformat e saj.

“BE – tha zoti Soreca – u ka kërkuar shumë shpesh partive politike shqiptare të përfshihen në dialog dhe të marrin pjesë në dialog, i cili duhet të nisë nga diçka specifike. Ndoshta kjo gjë specifike mund të jetë reforma zgedhore. Reforma zgjedhore është e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, duke folur për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Kjo do të bëhet në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me të gjitha standartet ndërkombëtare.Çelja e negociatave do të ndihmonte edhe sa i përket dialogut. Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë dëshirojnë që shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Këta 90 për qind i përkasin gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare. Ndaj edhe gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog” – tha zoti Sroreca.

Por opozita komentoi për “Zërin e Amerikës”, se qeveria është e papërgjegjshme me krizën dhe zhvillon vetëm dialog të pasinqertë për interesa të ditës. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të opozitës, Gazmend Bardhi, tha për “Zërin e Amerikës” pas komenteve të ambasadorit të BE-së se thirrja për dialog nga partnerët është e kuptueshme, e përsëritur dhe shprehje e shqetësimit të tyre mbi situatën në vend.

“Për Partinë Demokratike ka qenë dhe mbetet i papranueshëm një dialog i pasinqertë, që zgjidh situatën momentale, por që nuk ka në fokus interesin afatgjatë të qytetarëve dhe vendosmërinë e tyre për zbatimin në Shqipëri të standardeve euro-atlantike të nevojshme. Deri tani kundërshtarët tanë politikë dhe kryeministri Edi Rama kanë shprehur mungesë përgjegjshmërie për të kuptuar situatën që kanë krijuar në vend dhe shkaqet reale të krizës politike, që janë keqqeverisja dhe bashkëpunimi i politikës me krimin në zgjedhje, që kanë cënuar shtyllën themelore të demokracisë: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dialogu i sinqertë mund të nisë vetëm atëherë kur shkaqet e krizës të evidentohen qartë dhe qeveria të pranojë përgjegjësinë për situatën që ka krijuar në vend. Problemet në Shqipëri dhe kriza e thellë institucionale, politike dhe kushtetuese, nuk zgjidhen me reformën zgjedhore, edhe pse kjo e fundit është e nevojshme dhe duhet të realizohet” – tha zoti Bardhi.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka shprehur shpesh vullnetin e saj për dialog me opozitën, edhe pasi ajo u largua në shkurt nga parlamenti.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, thotë për “Zërin e Amerikës” se shumica dëshiron të komunikojë me opozitën jashtë parlamentare, dhe dora për dialog mbetet përherë e shtrirë drejt saj.

“Shembulli më i mirë i gadishmërisë tonë për dialog me opozitën është fakti se në Komisionin e Reformës i është lënë një karrige bosh edhe Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj, për të bërë propozime. vitin e ardhshëm Shqipëria vitin e ardhshëm merr presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ndaj reforma zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë detyrime” – u shpreh zoti Balla. Ai theksoi se pa depolitizuar komisionet e zgjedhjeve, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore në Shqipëri. Pa hequr partitë politike nga numërimi i votave, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore”. Zoti Balla tha se, krahas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, e vetmja kërkesë e Partisë Socialiste për reformën zgjedhore është mundësimi i votimit për emigrantët shqiptarë.

Megjithë ftesat dhe deklaratat e vazhdueshme, shenjat për dialog mes forcave politike shqiptare ende nuk shihen, dhe opozita ka paralajmëruar një rifillim të protestave në kërkim të zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri tranzitore.

Ish-komando shqiptarë të NATO u përdorën si ekzekutorë nga bandat?!

Një nga gazetarët që prononcohet shpesh mbi grupet kriminale ka ngritur një pretendim të rëndë duke folur këtë të enjte rreth krijimit të strukturës së re policore, FAST.

Artan Hoxha e ka cilësuar përfshirjen e ish-komandove në këtë njësi si diçka pozitive, pasi, sipas tij, një pjesë e tyre mbeten të papunë kur kthehen nga misionet e NATO-s.

Teksa fliste në një emision TV ai shtoi se ka pasur raste kur komandot janë përdorur edhe si ekzekutorë për grupet e strukturuara kriminale.

“Është mirë që një pjesë e trupave tona paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak, që kanë qenë përballë një armiku real, po shfrytëzohen sepse janë harxhuar miliona lekë, ata janë makineri e luftës kundër krimit dhe po përdoren për rendin dhe sigurinë. Ndërkohë, kolegë të tyre vitet e fundit i kemi parë t’i përdorin grupet e strukturara kriminale. Pra ne kemi komando të FA-së tashmë të lënë pa punë që janë kthyer në ekzekturorët e grupeve kriminale. Janë të ftohtë, të pamëshirshëm dhe të vështirë për t’u kapur”.

EUROSTAT: Shqipëria, më e varfra në Evropë

Shqipëria me të treja rajonet e saj  (veri, qendër, jug) renditet më e varfra në Europë sipas një krahasimi që bëri Eurostat për të ardhurat për frymë sipas Paritetit të Fuqisë Blerëse në vitin 2017. Të dhënat bëhen të ditur në Librin Vjetor të Eurostat, të publikuar së fundmi.



Por nga të gjitha rajonet e Europës Shqipëria renditet e fundit, pasi konsumi i saj për frymë nuk është as sa një e treta e mesatares së BE-së. Ndërsa Rajoni i veriut në Shqipëri renditet si rajoni më i varfër në Europë. Veriu ka të ardhura sa 22.7% e mesatares europiane. Kjo do të thotë që qytetarët e veriut duhet të jetojnë me një të pestën e të ardhurave në raport me një europian mesatar. Për çdo 100 euro që fiton një europian, ata marrin vetëm 22.7 euro.

Jugu i Shqipërisa ka të ardhura sa 28.25 e mesatares europiane. Më mirë paraqitet situata në qendër, ku ky tregues ngjitet në gati 32.8% të mesatares europiane. Mali i Zi ka të ardhura sa 38.7% e mesatares europiane, maqedonia sa 34.7%.

Diferenca të mëdha ka dhe Serbia. Në zonën e Beogradit, të ardhurat janë sa 62.5% e mesatares europiane, ndërsa në Jug ka zona ku ky tregues është rreth 24%.

Krahasimi i Eurostat me bazë rajonet pohon se edhe brenda një vendi të zhvilluar si Gjermania ka rajone që shpenzojnë më pak se mesatarja e BE për frymë sikur ka edhe të tjera që shpenzojnë shumë me tepër se mesatarja.

Shembulli tipik për pasurinë  e krijuar është Londra, ku në një rajon të saj të ardhurat për frymë ishin 5.8 herë më të larta se ato të mesatares së BE-së., ndërsa në të pesë Rajonet e Londrës PBB-ja për frymë ishte mbi 2 herë më e madhe se mesatarja e BE-së.

Luksemburgu (një rajon i vetëm në këtë nivel detajesh) që ka një industri bankare dhe financiare të  konsiderueshme kishte PBB për banorë 2.45 herë më e lartë se mesatarja e BE-28. Kjo është e lidhur dhe me numrin e ulët të popullsisë.

Gjithashtu ndër më të pasurit në Europë renditet një rajon i Irlandës ku shpenzimet për frymë ishin 2.6 herë më të larta se, mesatarja e BE-së për shkak të zhvillimit të farmaceutikës dhe teknologjisë së informacionit.

Ndërsa në Çeki vihet re pabarazia me e lartë ndërmjet qyteteve. Teksa Praga renditet e shtata në Europë për nivelin e lartë të ardhurave për frymë, qytete të tjera të Zapadne Slovensko kishin të ardhurat për frymë sa 68.6% e mesatares se BE-së.

Në krahun tjetër, Gjermania ka rajone më të pasura se kryeqyteti. Së paku 19 rajone në Gjermani kanë të ardhura më të larta për frymë se banorët e Berlinit.

Rajonet ‘më të varfra’ të BE-së janë të shtrira kryesisht në Lindje dhe në Mesdhe. Këto vende ndahen në dy grupe të dallueshme: Me popullsi të rrallë, rurale dhe rajone që karakterizohen nga popullata në plakje dhe emigracioni neto; ose rajone post-industriale, që kanë mbetur të braktisura.

Në hartën më poshtë ku bën pjesë edhe Shqipëria rajonet më të varfra në BE janë treguar me ngjyrë të purpurt. Këto rajone shtrihen nga Letonia në në Veri, përmes pjesëve lindore të BE-së, poshtë në Greqia dhe Italia e Jugut dhe shtrihet në të gjithë zonën mesdhetare./MONITOR

“Me sa përqind përzierje e do?” – Skandal me vajin e ullirit, kamera e fshehtë zbulon skemën

Siguria ushqimore është një nga problemet që ende nuk ka gjetur zgjidhje në vendin tonë. Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka zbuluar një rast skandaloz, atë të falsifikimit të vajit të ullirit.

Me anë të provave, “Stop” denoncon përzierjen që i bëhet vajit të ullirit me atë të lulediellit. Përmes kamerës së fshehtë, një person i infiltruar i emisionit ka bërë porosi në firmën “Qeparoi”, duke kërkuar vaj me përzierje.

Pronari i firmës thotë se çdo gjë mund të bëhet sipas dëshirës. Agjenti i infiltruar porositi përzierje 25% vaj ulliri me 75% vaj luledielli apo misri. Pasi bën llogaritë, pronari thotë se kërkon 3 mijë Lekë për litër dhe të dy bien dakord.

Pronari i Fabrikës- Si je? Si dukesh?

Pronari i Fabrikës- Hajde!

Qytetari- Masakrohet biznesi i madh dhe biznesin e vogël.

Qytetari- Unë jam nga fshati, unë jam nga një fshat aty. Maliq rri më shumë unë.

Pronari i Fabrikës- Ty XXX, të ka sjellë?

Qytetari- Po!

Qytetari- Tashi, dëgjo mua! Unë desha ca vaj, e ke parasysh, se Qeparoi është i shtrenjtë!

Pronari i Fabrikës- E do të hapur ti?

Qytetari- Unë dua të hapur si me leverdi, si me ashtu, me kosto për shëmbull!

Pronari i Fabrikës– Me sa përqind përzierje e do?

Qytetari- Me.., me kosto, me kosto!

Pronari i Fabrikës- Me sa përqind përzierje e do ti?

Qytetari- Po me sa, e kupton ti, që ti hedhësh ti, t’i bësh përzierje, ça do ti bësh, po puna është, që t’i bësh të ketë edhe atë aromën.

Pronari i Fabrikës– Po pra, po! Me sa përqind përzierje e do?

Qytetari- Po hë, me sa mund ta bësh ti?

Pronari i Fabrikës- O, Bona!

Qytetari- Të fundit mua, që mban, të fundit!

Pronari i Fabrikës- Hajd këtu njëherë! (Flet me Bonën) Ma jep içik atë makinën llogaritëse!

Pronari i Fabrikës– Me XXX po flas, e njeh XXX? XXX të ka dërguar, hë?

Qytetari- Mua më ka thënë një shoku i atij.

Pronari i Fabrikës- Kush shoku i tij?

Qytetari- Që e njef XXX.

Pronari i Fabrikës- Që e njef XXX?

Qytetari- Mua më ka dërguar një XXX,XXX.

Pronari i Fabrikës- (flet në tel) XXX e ka dërguar, oooh ai i biznesit, eh…

Pronari i Fabrikës- Ah, XXX mo, XXX.

Pronari i Fabrikës- (flet në tel) Eh mirë, hajt! Mirë hajt!

Pronari i Fabrikës– Hajde këtu!

Pronari i Fabrikës- Me sa përqind e do? E do me 50 përqind? Me 60 përqind?

Qytetari- Po me 50 është shumë ajo, un po them si, sa, që të mbaj, të ketë atë, që edhe të jetë…

Pronari i Fabrikës- 20 përqind! 20 përqind e do?

Qytetari- Vëre me 25 përqind!

Pronari i Fabrikës- 25 mirë! 0.25 shumëzim për 5800, që është kostoja, unë e shes me 6 mijë, po 5800 sa është kostoja. 145

Pronari i Fabrikës- Mua më bie 3 mijë Lekë litri!

Qytetari- 3 mijë Lekë litri?

Pronari i Fabrikës- T…. lekë pa asnjë presje, pa asnjë kshu.

Qytetari- Për sa mund të m’i bësh mua këtë cilësi?

Pronari i Fabrikës– Po qysh nesër, re!

Qytetari- Ok, ok!

Pronari i Fabrikës- Ok!

Qytetari- Në rregull! Gjithsesi do flasim në telefon!

Pronari i Fabrikës- Ok!

Qytetari– Hajt mirupafshim!

Pas disa ditësh, personi i infiltruar i “Stop” shkon sërish në fabrikën në fjalë dhe takohet me pronarin për ta pyetur për porosinë. Ky i fundit i thotë të ulet në kafe dhe të presë deri sa të jetë gati.

Qytetari- Nipçe, do rrish këtu ti, apo do vish brenda?

Bashkëpunëtori- Hajde, se është vapë!

Qytetari- Hajde, se është vapë!

Qytetari- Uh, njatjeta! C’kemi?

Pronari i Fabrikës- Ç’kemi?

Qytetari- Si dukesh?

Pronari i Fabrikës- Si dukesh? Qysh je?

Qytetari- Si ia kalon? Nipçja ky!

Qytetari- Ç’kemi, o?

Pronari i Fabrikës– Mirë!

Qytetari- Si dukesh?

Pronari i Fabrikës– Mirë!

Qytetari- Si ia kalon? Ç’thotë puna?

Pronari i Fabrikës– Mirë!

Qytetari- Më mban mend, që erdha atëherë, biseduam?

Pronari i Fabrikës– Po!

Qytetari- Tashi, si t’ia bëjmë për atë? Të marr unë noi 20 litra? O ta marr të hapur, o ma mbush me bidona edhe pastaj të flasim prapë!

Pronari i Fabrikës- Me ç’a përqindje e do pra?

Qytetari– Po të thashë unë, e bëmë muhabetin me 25 përqind.

Pronari i Fabrikës– 25 përqind!

Qytetari- Eh, po të kesh të gatshme, që të kam thënë, mirë! Po s’ke, dalim pimë një kafe, sa ta bësh gati.

Pronari i Fabrikës– Dil pi kafe! Sa litra do?

Qytetari- Sa bidona kemi?

Pronari i Fabrikës– Të hapur e do?

Qytetari – 20 bëje të hapur!

Pronari i Fabrikës- Çmimin ta thashë!

Qytetari- Me 3 mijë the?

Qytetari- Ok! Po dalim, të pimë një kafe ne.

Pronari i Fabrikës- Do faturë?

Qytetari- Jo! C’e duam faturën? Po tashi, dëgjo mua, që të ashtu, se unë do marr këtë, do ta provoj atje, do shikoj, si do më eci.

Tani është momenti i provës. Pronari i fabrikës e provon personalisht për të dhënë “garancinë” se produkti ka dalë sipas pritshmërive. Madje, duke e shijuar direkt nga bidoni, ai arrin të “përcaktojë” ekzaktësisht edhe përqindjen e vajit të përzier. Edhe pse porosia u dha për 25% vaj ulliri, pronari thotë se e ka bërë me 20% vaj ulliri, duke shkelur marrëveshjen verbale mes “blerësit” (të infiltruarit të Stop) dhe shitësit (pronari i fabrikës).

Qytetari- E kanë bërë mirë?

Pronari i Fabrikës– E ke 20 përqind, domethënë e ke 22-23 përqind brenda, se i hodha më tepër.

Gazetari- Megjithatë unë të thashë me 25, ok ti i ke hedhur.

Pronari i Fabrikës- Me 20 përqind thashë.

Gazetari- Ti the 20 un thashë bëmë 25 që të kisha.

Pronari i Fabrikës- 20!

Qytetari- Ky, me sa përqind është ky?

Pronari i Fabrikës- 20 e ke!

Qytetari- 20 ok!

Qytetari- Edhe për të mbushur edhe me bidona ca bidona, 1 kilësh.

Pronari i Fabrikës- 1 kilësh i do?

Qytetari- Eh, pak do marr.

Pronari i Fabrikës- Me etiketë?

Qytetari- Pak do marr me etiketë eh, po mund të marr më shumë, do marr rifuxho.

Pronari i Fabrikës- Nuk të jap dot. Vetëm nga ai i sallatës të jap me etiketë, e kam me 35 përqind etiketën, vaj sallate 4 litërshe 35 përqind.

Qytetari- Gjithsesi, un do të marr në telefon, po ke të gatshëm, un do të them bëj kaq kshu, kaq kshu ta lë porosinë.

Pronari i Fabrikës- Vaj kam unë, mo burrë, i kam çisternat plot.

Qytetari- Në treg, po lëviz. Vij këtej, vij  këtej nga Tirana.

Qytetari- Po sa the, 70?

Pronari i Fabrikës- S’ke një 200 lekësh ti?

Qytetari- S’kam!

Pronari i Fabrikës- Një 2 mijë lekësh!

Qytetari- S’kam!

Bashkëpunëtori- Një sekondë, të shikoj unë!

Qytetari- Ke një 2 mijë lekësh ti?

Pronari i Fabrikës- Hajt për hajër, ishalla! Po nuk të eci, bjema mbrapsht, të të jap lekët!

Emisioni “Stop” e bleu vajin që kishte porositur me përzierje. Më pas, shishen me vajin që përmban vetëm 20% vaj ulliri, e dërgoi për analiza në një laborator të specializuar këtu në Tiranë. Rezultatet e analizave i lexoi dhe interpretoi profesori i Shkencave të Natyrës, Dritan Topi. Ai thotë se këto analiza tregojnë që përqindja më e madhe e këtij vaji është vaj luledielli ose vaj misri. Sipas tij, ekziston mundësia që të jetë vaj luledielli për shkak se është më i lirë.

Ai shtoi se sasia e vajit të lulediellit është prezente në masën 90%, sipas analizave që “Stop” i vendosi në dispozicion. Pra vetëm 10 % mund të jetë vaj ulliri ose esencë kimike që e imiton atë. Rastin konkret të përzierjes së vajit, Profesor Topi e konsideron një falsifikim banal.

Profesor Doktor Dritan Topi: “Duhet të kemi parasysh se vajrat bimorë në bazë të origjinës së tyre kanë profile të acideve yndyrore shumë të ndryshme. Pra vetëm profilet e acideve yndyrore e kategorizojnë atë vaj ulliri dhe nuk lenë vend për dyshime. Konstatohet që në të gjitha kategoritë, pra në 8 kategoritë e vaj ulliri pavarësisht cilësia ekstra apo cilësia më e ulët, gjithmonë acidi miristik duhet të jetë nën 0.03. Ne e kemi 0.09. Që këtu nuk klasifikohet vaj ulliri. Në vijim, vlerat e referuara për praninë e acidi oleik në vajin e ullirit duhet të jenë nga 55% në 83% për t’u klasifikuar vaj ulliri. Konstatojmë që vlera këtu nga fletë-analiza është 36.399. Kjo vlerë nuk bie në këtë interval Do të thotë që ka dyshim për origjinën e produktit. Kjo vlerë përputhet me vajra bimorë të ndryshme, vaj luledielli, vaj misri etj. Konstatojmë se bie në kategorinë vaj luledielli ose vaj misri.

Në qoftë se mund të falsifikohet një produkt i cili ka një çmim të lartë siç është vaji i ullirit, me çfarë do ta falsifikoje? Me një produkt me çmim të ulët apo me një produkt me çmim mesatar? Vaji i lulediellit është vaji me çmimin më të ulët në treg. Vaji i misrit është me çmim më të lartë. Kështu që logjika na çon që kjo duhet të jetë një përzierje me vajin e lulediellit. Megjithatë, kështu si po shikojmë rezultatet, na del që këtu janë nga ato falsifikimet banale sepse përzihet vaj luledielli me vaj ulliri“. /tvklan.al

Bushati kritika qeverisë nga parlamenti: Më shqetëson përqendrimi i të ardhurave tek një grusht njerëzish

“Krizë vlerash, grykësi, pafytyrësi dhe përqendrim i të ardhurave për një grusht njerëzish”, këto ishin shqetësimet e ish- ministrit Ditmir Bushati të thëna sot nga seanca plenare.

Ai u shpreh se jemi në vendet e fundit në Evropë, ku diaspora nuk ka të drejtën për të votuar.

“Ata kërkojnë njohje të kontributeve, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të dedikuar për ta ekskluzivisht.

Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revolucionizuar shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atdhut, duhet të mbështesim financiarisht edhe këtë si prioritet. 30 vjet nga rënia e komunizmit jemi në një dilemë si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut dhe si t’ja bëjmë jetën më të lehtë atyre që jetojnë këtu.

30 vite më pas mund të themi se jemi në gjendje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë. Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje.

Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për çfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera. Nuk dua tu tregoj fëmijëve të mij për një tjetër dështim.

Nuk është çështje e majte e djathtë.. më shqetëson përqendrimi i të ardhurave tek një grusht njerëzish”, tha ai.

Plani sekret për djegien e Kuvendit – Presidenca: Të gatshëm për të vendosur në dispozicion provat

Deklarata e Presidentit Meta se dispononte informacione sekrete nga shërbimet informative për një plan për të djegur Parlamentin e Shqipërisë, ka ngjallur jo pak debate.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka sqaruar sot se kreu i shtetit ka kërkuar që raporti t’i dorëzohet Kuvendit nga Institucioni i lartë i sigurisë.

Ndërkohë që Presidenca konfirmon se është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha Institucionet për t’u vënë në dispozicion materialet që disponon nga provat shkresore, pamjet filmike etj.

“Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozicion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019.

Po dje, Institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.

Po kështu, ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, z.Bahri Shaqiri është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, të ndajë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha informacionet, faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon”,t hekson Blushi.

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi

 

Me përgjegjësi maksimale, dua të rikonfirmoj vendosmërinë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, të shprehur shumë qartë dje për të gjitha mediat dhe për mbarë opinionin publik, për të ushtruar të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, si një PRESIDENT I SHTETIT TË SË DREJTËS.

Me keqardhje, por pa çudi, portale dhe gazeta të SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve, me kokëfortësi të shpjegueshme, vazhdojnë ende të dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Presidenti Meta po mban sekret raportin e prodhuar nga institucioni i lartë i sigurisë kombëtare, që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019.

Sikundër Kreu i Shtetit e sqaroi edhe dje shumë qartë, jam i detyruar të rikonfirmoj se:

Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019.

Po dje, Institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.

Po kështu, ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, z.Bahri Shaqiri është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, të ndajë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha informacionet, faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon.

Uroj që ky sqarim publik të lexohet drejt dhe të mos shtrembërohet sërish në “përkthimin” shqip-shqip që bëjnë në të tilla raste portalet dhe gazetat e SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve.

Përkujtohet 21 vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, mesazhi i Metës te memoriali

Perkujtohet sot 21 vjetori i vrasjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Ne Varrezat e Deshmoreve, perfaqesues te grupeve parlamentare te Kuvendit te Shqiperise, dhe kreu i Kuvendit, kane bere homazhe dhe kane vendosur kurora me lule prane varrit te heroit te demokracise.

 

Presidenti i Republikës, në nderim të jetës dhe veprës së udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90-të, ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari, i cili u nda nga jeta tragjikisht 21 vite më parë pranë ish-selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, vendosi sot një kurorë me lule dhe bëri homazhe në Memorialin kushtuar “Heroit të Demokracisë”.

“Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, që solli pluralizmin politik në Shqipëri. Sepse 12 dhjetori 1990 është dita më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që ndan dy epoka dhe e rivendosi vendin tonë në rrugën e duhur të demokracisë, të lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe kuptohet, të pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë kolona vertebrore e çdo sistemi demokratik dhe që duhen mbrojtur nga të gjithë dhe me çdo çmim.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

 

 

Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998 së bashku me shoqëruesin e tij Besim Çerja.

“Partia të bëhet gati për zgjedhje”, Rama kritika deputetëve: Po vazhduam kështu, humbim pushtetin

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama u tha dje deputetëve se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë dhe në muajin mars, duke kërkuar përgatitjen e partisë në të gjithë strukturën e saj.

 

Kreu i qeverisë ishte dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa i vetmi që ka folur në këtë takim, që ka zgjatur rreth 30 minuta, ka qenë kryesocialisti.

Mbledhja nisi në orën 9:30 në kryesinë e Kuvendit dhe pak pasi Presidenti i Republikës kishte shkuar në Komisionin Hetimor Parlamentar, deputetët socialistë janë parë të lënë ambientet e kryesisë së Kuvendit. Rama është ngjitur më pas në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku ka konsumuar dhe një kafe të gjatë me të.

ZGJEDHJET

Kryesocialisti, i cili ka nisur të flasë në parim dhe në përgjithësi, nuk ka përmendur emra të përveçëm, por fokusi i fjalës së tij ishte zhvillimi i një procesi real zgjedhor në PS, që nga organizata socialiste e deri te kongresi i saj. Shqetësimi i Kryeministrit duket se kanë qenë zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të zhvillohen edhe në muajin mars, para përfundimit të mandatit katërvjeçar të kësaj maxhorance.

“Partia duhet të jetë gati në janar, kur do të mbledhim dhe kongresin, sepse zgjedhjet mund të jenë edhe në mars”, ka qenë deklarata e kreut të PS, e cila tërhoqi më shumë vëmendjen e deputetëve, të cilët deri në ato momente po dëgjonin konsiderata të përgjithshme se si duhen bërë më mirë punët.

KRITIKA

Kreu i qeverisë i ka kërkuar deputetëve që të jenë më aktivë në zonat e tyre elektorale, të ndjekin nga afër se si i ofrohen shërbimet qytetarëve, duke i akuzuar ata se në përgjithësi interesohen vetëm për emërimet e drejtorëve.

“Sa herë keni vajtur në një zyrë shteti për të parë si funksionon, çfarë heqin njerëzit?! S’keni ngritur asnjëherë asnjë shqetësim se si funksionojnë zyrat e shtetit. Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush ikën dhe kush vjen!”, mësohet t’u jetë drejtuar në përgjithësi Rama deputetëve të tij.

Sipas tij, PS-ja duhet të rinovohet, figura të reja, dinjitoze dhe përfaqësuese në komunitete duhet të bëhen pjesë e Partisë Socialiste.

“Ky proces zgjedhor duhet të jetë ndryshe nga të tjerët. Me maksimumin e përkushtimit dhe cilësisë. Kush nuk e bën, ta konsiderojë si kërkesë për dorëheqje nga Grupi Parlamentar dhe karriera në Grupin Parlamentar. Deputetë që s’kanë dijeni ku kanë zonën, çfarë duan njerëzit, çfarë kërkesash kanë… Kjo është e patolerueshme. Një pjesë e mirë janë në rregull, por një pjese të vogël s’dimë se çfarë t’u themi më. T’i kthejnë PS-së atë që i kanë marrë. Secili duhet të bëjë detyrën, asgjë më tepër. Takime reale në çdo organizatë, takime të vërteta, inventarë të burimeve njerëzore që kemi dhe jo të dhëna fiktive, me organizata ku anëtarë është gjithë familja. Na duhen njerëz për faqësues dhe me reputacion të mirë në komunitet”, mësohet të jetë shprehur Rama.

PUSHTETI

Për Ramën, tani që Partia Socialiste kontrollon pushtetin qendror dhe atë vendor, vëmendja e gjithsecilit duhet të jetë në funksionimin e mirë të tyre.

“PS-ja s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vet. S’mund të shkojmë në zgjedhje dhe të përsërisim të njëjtat gjëra, sepse do shkojmë të humbim. Ka një mënyrë për ta kaluar këtë gjë, të transformojmë PS-në. Ato takime me të njëjtat fytyra, me të njëjtat pazare, me të njëjtat dallavere duhet të marrin fund. As PS-ja dhe as unë se mbajmë dot me këtë maskaradë, këto zullume që bëhen nëpër zyrat e shtetit. Merruni seriozisht me këtë punë. Nuk mban më… Mbajeni mend që humbim pushtetin, nëse vazhdojmë kështu. Ju mund të vazhdoni kështu, por unë s’do pres fundin, duke ju parë juve”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri Rama në përfundim të mbledhjes, pas së cilës nuk ka pasur diskutime nga asnjë deputet.

Kritikat e Bushatit në Kryesinë e PS

Anëtari i Kryesisë së PS-së, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kritiku i fundit në PS, kërkoi trajtimin në mënyrë agresive të përfshirjes në politikë të personave që kanë pasur probleme me drejtësinë. Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PS-së, Bushati ka drejtuar një letër, përmes së cilës i informonte anëtarët e saj me përgjegjësitë e secilit në penetrimin e personave me të kaluar kriminale në politikë, administratë apo drejtues të pushtetit vendor. Në mënyrë të përsëritur në letrën e tij, ish-drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, citon se PS-ja duhet të jetë një parti progresiste dhe e intelektit, duke lënë të kuptohet se kandidimi i shumë njerëzve në të gjitha nivelet që kanë pasur probleme me drejtësinë, e kanë larguar këtë parti nga kjo traditë. Sipas Bushatit, rasti i Shkodrës tregon se është mbushur kupa për një fenomen të përsëritur siç është ai i futjes në politikë të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe se këtë fenomen, PS-ja duhet ta luftojë në mënyrë agresive. Bushati ishte kritik edhe me shkarkimet masive të drejtorëve në Shkodër, duke thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me rastin Pjetri.

Dëshmia e policit: Saimir Tahiri më telefonoi, i ishte prishur skafi

Në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila kërkoi sot 12 vite burg për ish-ministrin, tregohet një episod për skafin e prishur që kishte në përdorim Tahiri.

Sipas organit të akuzës, punonjësi i policisë Naim Brahimaj ka pranuar njohjen me ish-ministrin dhe që është takuar me të në gusht të vitit 2014.

Në dosje thuhet se Brahimaj, u telefonua nga Greqia nga Tahirit një mbrëmje, periudhë në të cilën ish-ministri ka qenë me pushime në shtetin fqinj, dhe kishte shkuar në Korfuz me skaf, ku dhe i ishte prishur.

DËSHMIA

Nga deklarimet e shtetasit Naim Brahimaj, punonjës policie, ai ka deklaruar për angazhimin e tij, mbi kërkesën e të pandehurit Saimir Tahiri, në funksion të ministrit të Brendshëm, për rregullimin e skafit, të përdorur nga ky i fundit në pushimet e tij në Greqi, në gusht 2014 si dhe për angazhimin më pas, në dërgimin e skafit në Itali për servis dhe kthimin e këtij të fundit përsëri në Shqipëri. Sipas deklaruesit, gjatë karrierës së tij, ka punuar në Vlorë me detyrën e ndihmës specialist të forcave speciale, shofer dhe komandat skafi, pranë Repartit “Delta Forcë”. Në gusht 2014, në mbrëmje vonë, në numrin e tij telefonik; 06941….., u telefonua nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, i cili i tregoi se i ishte prishur motori i skafit, ndodhej larg dhe i kërkoi mendim se si duhej të vepronte. E udhëzoi të mundohej të ankoronte diku. Komunikoi disa herë me të atë natë dhe u njoftua se ishte mundësuar ankorimi. Saimiri i kërkoi që të nesërmen të shkonte në Greqi, ku ai ndodhej me pushime, ndërsa do ta merrte dikush me makinë dhe do të shoqërohej edhe nga një tjetër teknik. Të nesërmen, rreth pasdites, u telefonua nga Artan Habilaj, të cilin e njihte më parë. Me të, së bashku dhe me një shtetas tjetër, të quajtur Aurel Konakçiu, udhëtuan me automjetin ‘Audi’, i cili i ishte blerë Saimirit, në drejtim të Greqisë, duke kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar ‘Qafë Botë”.

Mbërritën kur ishte ende natë, në vendin e ankorimit të skafit. Artani si drejtues mjeti orientohej shumë mirë. Duke filluar që në mëngjes, ai dhe Aureli u morën me rregullimin e skafit, me mbishkrimin ‘Solemar’, me fuqi 234 KE, me dy motor, ‘Nanni’, me gjatësi rreth 12 metra, ndërsa Artani lëvizi pa ditur se për ku. Më vonë aty mbërrin edhe Saimiri. Gjatë kohës së qëndrimit atje, u takua me babain e Saimirit, Bashkimin dhe shtetasen Elona Gjebrea, që ndodhej së bashku me bashkëshortin e saj. Rregullim i skafit zgjati disa orë. Drekuan dhe darkuan së bashku me të gjithë personat e tjerë, ndërsa bënë edhe një xhiro me skaf. Ai dhe Aureli fjetën në skaf, ndërsa të tjerët u larguan për në vendin ku kishin qëndruar. Për Artanin nuk mësoi se ku fjeti. Të nesërmen paradite, ai Aureli dhe Artani u kthyen në Shqipëri me skaf dhe automjetin ‘Audi’ e lanë atje për ta përdorur familja ‘Tahiri’. Në kthim, mbërritën në Sarandë. Për të kryer procedurat e hyrjes në port u paraqit Aurepi si kapiten i Skafit. Vulosën pasaportat dhe më pas udhëtuan po me skaf në drejtim të Vlorës. Rreth orës 23:00 mbërritën në ‘Triport’ ku ankoruan skafin. Pas rreth një muaji Aureli e mori në telefon dhe i kërkoi që ta shoqëronte për në Itali, ku do të dërgonin skafin në servis./dita

Mimi Kodheli i përgjigjet Tahirit për shkresën për fikjen e radarëve: Si qëndron e vërteta

Pas deklaratave të ish-ministrit Saimir Tahiri se i kishte dërguar shkresë ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli në lidhje me fikjen e radarëve, kjo e fundit mohon që radarët të mos kenë punuar ndonjëherë.

 

E ftuar në studion e “News 24”, Kodheli thotë se se nuk ka pasur nevojë për asnjë letër, pasi radarët kanë qenë pjesë e akuzave që socialistët atëherë në opozitë drejtonin ndaj qeverisë Berisha dhe e dinin që ishin të fikur.

Kodheli theksoi se ajo si ministre ka përgatitur një draft projekt për rifillimin e punës së radarëve që është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe nga dhjetori i 2013 ata kanë qenë në punë pa u fikur asnjëherë. Ish-ministrja sqaroi se radarët e ushtrisë janë ndryshe nga ata të policisë. Kodheli foli edhe për gjuajtje nën brez.

Si është puna e radarëve në këndvështrimin tuaj?

Nuk është në këndvështrimin tim, do të jem pothuajse 100% afër realitetit. Sigurisht që është marrë vetëm një moment për sa jam informuar sepse zoti Tahiri ka folur gjatë për korrespodencën. Nuk më është dashur as letra e zotit Tahiri që daton tetor i vitit 2013, pra ne kishim vetëm një muaj që ishim futur në zyrë për të kuptuar që radarët nuk punonin sepse çështja e trafikimit të paligjshëm apo të mosfunksionimit të vrojtimit të bregdetit shqiptar ishte një nga shtyllat e luftës sonë politike kur ne ishim në opozitë me qeverinë e Sali Berishës.

Nuk ishte e nevojshme të vinte një letër pas një muaji sepse ne e dinim. Ne gjetëm shumë çka më keq se ato që ne mendonim se do të gjenim. Për të qetësuar të gjithë, mund të them që në muajin nëntor të po atij viti, duke përcaktuar ruajtjen e kufijve tanë detar si një prioritet absolut, unë kam përgatitur me urgjencë një draft projekt që i është prezantuar Këshillit të Ministrave, pra dy muaj pasi kishim hyrë në zyrë dhe është miratuar. Janë nxjerrë para nga fonde të veçanta për të mundësuar fillimin e rikthimit në punë të radarëve. Dhe pavarësisht se kjo u ngrit në një legjendë, jam e qetë sepse ministrat e vënë dorën mbi Kushtetutë dhe përgjigjen për respektimin e Kushtetutës dhe legjislacionit në vend.

Për sa i përket problematikës tjetër gatishmëria i takon FA-ve, Shtabit të Përgjithshëm dhe janë ata që merren. Radarët nuk kanë punuar dhe kanë qenë të gjithë në tokë në tetor 2013 kur ne sapo kishim hyrë në zyrë për t’i rikthyer në punë dhe kanë filluar të punojnë nga dhjetori, sigurisht është dashur punë e madhe dhe kanë vazhduar të punojnë 100%. Nuk fiken dot. Pastaj është një strukturë që e menaxhon këtë gjë. Radarët janë të ushtrisë, policia ka radarë të tjerë për të cilët ushtria nuk përgjigjet.

Radarët ushtarakë janë të programuar të shikojnë 1000 milje e përtej jo bregdetin e afërt, janë të programuar me programe të drejta të qeverive të mëparshme që të shikojnë ata që vijnë nga jashtë dhe jo e kundërta por për shkak të mjeteve që ushtria e FA-të disponojnë kanë një bashkëpunim të ngushtë me policinë dhe forcat kufitare madje në strukturën që drejtohet nga Këshilli i Ministrave dhe që menaxhon radarët, drejtohet nga Këshilli i Ministrave, ka në përbërje forca të armatosura, forca policore, forca të doganës, forca të rojës kufitare apo struktura policore ndërkombëtare, pra një grup të madh njerëzish që në monitorë gjigandë monitorojnë ujërat detare shqiptare dhe ato ndërkombëtare, duke vepruar si një vend i NATO-s. Kështu që këto gjuajtjet nën brez, e ka njoftuar, ndërkohë që Mimi nuk e dinte apo korrespodenca nuk…duhet të jenë jashtë çdo diskutimi që është diskutuar sot në seancë me Saimir Tahirin. Besoj se këtu kam ezauruar edhe pyetjen tuaj.

“Të hetohet Edi Rama” Tahiri shpjegon deklaratën e bërë para gjyqtarëve

Në përfundim të seancës maratonë ku akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, Saimir Tahiri ka shpjeguar një deklaratë të tij në gjyq, ku fliste për hetimin e të gjithëve.

Fjala është për një përgjim të Habilajve, ku ata flasin për mënyrën sesi Tahiri shpenzonte mbi 5 mln euro për fushatën elektorale. Në lidhje me këtë përgjim të kapur nga prokuroria italiane, Tahiri ka argumentuar se këto deklarime të Habilajve janë bërë në kohën kur ai kishte rreth një muaj që kishte marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Ja si e shpjegon ish- Ministri i Brendshëm:

“Nëse ka një pretendim që harxhoja 20 mln euro në fushatë, që në atë kohë unë kisha një muaj në detyrë dhe dy trafikantë bisedonin ai merr 5 milionë euro në muaj, atëherë nëse e merr seriozisht ketë përgjim, thash që nuk duhet të kursente njeri pa hetuar… Ç’është kjo parti dhe këta njerëz që harxhojnë kaq para?

Por ata (prokuroria) e dinë që është një përgjim thashethem dhe ordiner… e përsëris, prokuroria ka pasur 2 vjet kohë ta hetonte për mua”, tha Tahiri.

“Martirë të Lirisë- Kundër Tiranisë”. ”Beteja e Qerbelasë si Lufta e Termopileve” – Nga Azgan HAKLAJ

Spektakël tematiko- artistik me dt -10 shtator- ora 10 në Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit

Qindra artistë nga të gjitha trojet etnike të kombit shqiptar zbarkuan me dt 10 shtator në kryegjyshatën botërore të bektashizmit në manifestimin madhështor tematiko- artistik organizuar nga unioni artistik i kombit shqiptar “kalorës i urdhrit të skënderbeut” nderuar me medalijen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Mijëra besimtarë bektashinjë do ta “pushtojnë” këtë tempull të shenjtë në ditën e ashures, pas 10 ditëve të matemit kushtuar 72 fajkonjëve të luftës së qerbelasë rënë për liri, në dyluftimet më të tmerrshme të historisë së njerëzimit me falangat e kalifit jezidit në muajn gusht të vitit 680 pas krishtit.
kjo betejë është një kasphanë çnjerëzore, e pamëshirshme e kalifit zollumqar e barbar ndaj 72 martirëve të lirisë ashtu si beteja e termopileve e 300 spartanëve të leonidhës kundër ushtrisë së kserksit me dt 19-21 gusht të vitit 480 para krishtit.

Matemi dhe dita e ashures përbëjnë një rit tradicional bektashian, rit përkujtimor
për deshmorët e qerbelasë, të cilët dhanë jetën për të vertetën, të drejtën hyjnore, barazinë, emancipimin shoqëror, për dashuri, paqe, mirësi.

Lufta e Qerbelasë është tragjedia më mizore, më rrënqethëse në historinë e besimit islam,
prandaj kujtimi i saj mbetet gjithmonë i gjallë në mendjet e miliona bektashinjëve.
shumë prej tyre e kujtojnë me ceremoni zie e lotësh.

Ky përkujtim bëhet 10 ditë e quhet matem (zi).

Në kujtim të Deshmorëve të Qerbelasë besimtarët nuk pinë ujë gjatë 10 ditëve, ashtu siç nuk kanë pirë ujë ata, për shkak se ua ndalen dhe helmuan ujin e lumit Eufrat.

Besimtarët bektashinjë shkojnë në teqetë dhe kujtojnë ngjarjet e paharruara të Qerbelasë me fjalët: “ja imam- ja imam”

Gjatë këtyre 10 ditëve kujtohen mundimet e sakrificat e të gjithë profetëve për kryerjen e misionit të tyre të shenjtë.

Kujtohen vuajtjet që hoqi profeti adam, ngjarjet e nuhut, vuajtjet e ibrahimit, i cili u hodh në zjarr prej nemrodit sepse predikonte rrugën e drejtë të perendisë, përkujtohen vuajtjet e jusufit, i cili u hodh në pus nga vëllezërit e tij sepse ishte i pastër e kishte fituar respektin e prindërve, vuajtjet që hoqi musai prej fareonit të mallkuar sepse ky donte të sundonte popullin me shtypje dhe të ishte perendia i tij.

Përkujtohen vuajtjet e Isait “Krishtit” të madh për të vetmin faj se u bë misionar në sherbim të njerëzimit, duke predikuar rrugën e të vertetës, paqes, drejtësisë, vallazërimit dhe përsosmërisë njerëzore.

Përkujtohen vuajtjet e profetit Muhamet, i cili hoqi shumë mundime për të nxjerrë popullin nga ërrësira e skllavërisë e urrejtjes në dritën e mirësisë drejtësisë e paqes.

Kujtohet i madhi Ali që ra deshmorë për të udhëhequr botën në rrugën e mbarë. Imam Hasani, i cili u helmua nga njerëzit e pabesë sepse predikonte paqen e rrugën e vertetë.

Natën e pestë kujtohet gjithë jeta e imam Hysejnit.

Natën e gjashtë emigrimi i tij.

Natën e 7 -të përkujtohet ibn Akili, i cili ra deshmorë me dy djemtë e tij.

Natën e 8- kujtohet imam Hysejni, i cili shkoi i ftuar nga populli për ta drejtuar në rrugën e mbarë.

Natën e 9-të kujtohet arritja e imam Hysejnit në Qerbela.

Nata e 10-të është nata e fundit, lufta e Qerbalase ku imam Hysejni ra deshmorë së bashku me shokët e tij.

Ne i kujtojmë me lutje fetare, me heshtje të madhe zie, pastaj populli han ashuren duke përkujtuar me adhurim imam Hysejnin dhe duke mallkuar jezidin dhe pasuesit e tij.

Veprën e imam Hysejnit e shokëve të tij dhe Luftën e Qerbelasë e ka përshkruar me madhështi pena brilante e ideologut të Bektashizmit dhe rilindjes kombëtare Naim Frashëri:

“Hysejni desh njerëzinë

dhe për të u vra.

për të shpetuar njerinë

ra në Qerbela

imamët dymbëdhjetë

nga der’ e Aliut

hoqën e vuanë ndër jetë

për nder të njeriut

kush do Muhamet Alinë

edhe e beson Perendinë
do Hasanë e Fatimenë
dhe qan imam Hysenë
nuk luan jezitërinë
djallëzinë e ligësinë
se ata që janë vrarë
e ranë deshmitarë
ranë për një të vertetë
q’ajo na nderon në jetë
lule moj e vertetë
të qofshim falë për jetë
me të lanë këtë jetë
imam zot i vertetë
shpirt i madh vate tek Zoti
tek kish qenë edhe që moti
Hysejn mir e nder për jetë
jeziti nëmën e shkretë
Hysejni kish Perendinë
e jeziti djallëzinë.
Abaz Aliu zu Tomorr’
erdhi afër nesh
Shqipëria s’mbet e gjorë
se zoti e desh
o moj Fushë e Qerbelasë
që më rri ndër sy
plot me gjak t’Ali- Abazë
vallë çështë ay
ç’është ai që shkon kaluar
ikën si veriu
me dy-tre foshnje në duar
është Abaz Aliu”.

PD i përgjigjet kryebashkiakut të PS: Ndoshta s’ke asnjë gjobë në jetën tënde, por ne të akuzojmë për krime penale

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se qëndrimi i Mark Babanit, kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, i cili refuzon akuzat e PD, po vepron njëlloj si me kandidatët e tjerë socialistë të akuzuar nga opozita.

“Mund të garantoj opinionin publik se është e vërtetë që ndoshta nuk ka asnjë gjobë në jetën e tij. Akuza jonë nuk ka të bëjë me bizneset e tij, por me probleme të rënda në të kaluarën e tij me ligjin penal, të paktën në dy shtete, në Itali dhe Maqedoninë e Veriut. Në ditët në vijim do të bëjmë transparencë të plotë edhe për këtë rast”, tha Bardhi, i ftuar në edicionin informativ të orës 13:00 në A2. “Me të njëjtën bindje kanë folur edhe Valdrin Pjetri, apo Agim Kajmaku i Vorës, por kjo nuk ka interes për opinionin publik. Ajo që ka interes është zbatimi korrekt i ligjit, detyrë që deri në këto momente po e kryen opozita dhe PD”, shtoi ai.

Deri tani, PD ka denoncuar 3 emra nga radhët e kandidatëve socialistë për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore. Bardhi thotë se ka edhe të tjerë, por ishte e pamundur që këto evidentime të kryheshin para 30 qershorit.

“PD nuk është as Prokurori as Polici, kjo nënkupton një kohë më të gjatë të nevojshme për të vërtetuar rastet konkrete, që kërkojnë një proces të gjatë dhe të lodhshëm. Në momentin kur kemi vërtetuar që një kandidat apo funksionar është subjekt i ligjit të dekriminalizimit, i bëjmë publike. Informacionet nuk i kemi siguruar nga kanale ilegjitime. Ne kemi pranuar që informacionet i kemi marrë në rrugë jo zyrtare, por nga burime zyrtare. Pasi në rrugë zyrtare i merr vetëm Kryeministri, siç edhe i ka marrë, por nuk ka bërë asgjë”, u shpreh Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, tha se Babani nuk është i fundit, por emrat e tjerë po verifikohen. “Detyra jonë është që t’i shërbejmë interesit publik. Kemi mbledhur informacione dhe vazhdojmë të mbledhim informacione për kandidatët e tjerë të PS. Ka disa indicie të forta për disa kandidatë të tjerë, jemi në pritje të mbledhjes se dokumentacionit që e bëjnë këtë informacion të pakundërshtueshëm. Do të bëhet publike, ne e dimë, por do ta bëjmë në ditët në vijim. Presim që Prokuroria të nisë procesin e verifikimit dhe menjëherë më pas bashkëpunojmë me Prokurorinë për të dhënat që disponojmë, pasi kemi bërë publik informacionin. Pasi opozita nuk ka besimin e plotë te Prokuroria, sepse rolin që po luan opozita duhet ta bënte Prokuroria”.

Sipas tij, këto veprime që po kryen PD, mund t’i kishte bërë edhe Partia Socialiste. “Ka qenë një kandidim me ndërgjegje të plotë, edhe pse ia ndalon ligji. Sipas ligjit, një kryetar partie ka të drejtën t’i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme për verifikimin. Prandaj nuk është problemi i ligjit, por i individit”, tha Bardhi.

“Dreka me ‘shefin e madh”, “30 mijë euro për Saimirin”, Tahiri përgjigjet në gjyq

Ne seancen maratonë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila po ndiqet dhe nga përfaqësues të ambasadës së SHBA në Tiranë, Tahiri ka rrezuar shume nga pretendimet e akuzes, madje edhe ka repikuar ashper me prokuroret.

 

Gazetarja Klodiana Lala ka thene se Saimir Tahiri ka marrë një nga një provat e Prokurorisë, duke tentuar t’i rrëzojë ato.

Nga përgjimet e Prokurorisë, Moisi Habilaj flet me trafikantët, madje në një moment del në pah dhe “shefi i madh”, madje thuhet se ishin dhe në drekë me “shefin”.

Në fakt në ditën që bëhet biseda, unë ndodhesha në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon, dhe kam dalë në konferencë me komisionerin për Zgjerim. Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë. Prokuroria më akuzon se kam pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës”, ka thënë Tahiri.

Sipas gazetares Lala, ish-ministri Tahiri ka hedhur akuza të forta ndaj prokurorëve, duke thënë se ata kanë dështuar për të provuar akuzat ndaj tij. Gjithashtu, gazetarja tha se Saimir Tahiri ka qenë shumë i ashpër ndaj prokurorëve, duke i akuzuar për mosveprim ndaj grupit kriminal “Habilaj”.

“Doja të dëgjoja sot provat konkrete. Në kohën që Prokuroria më lidh me Laerd Çelajn, ky i fundit nuk ishte më drejtor i Policisë së Vlorës. Ajo çfarë unë duhet të dëgjoja sot janë veprimet dhe provat konkrete kundër meje dhe jo aludime për fakte që nuk i kam kryer. Prokuroria aludon se jam unë personi që kam favorizuar Habilajt. Prokuroria të më thotë se nga njëra anë veproja si pjesë e grupit kriminal dhe nga ana tjetër bashkëpunoja për ta goditur atë”, mësohet të ketë thënë ish-ministri Tahiri në seancë.

Ndërkohë, Saimir Tahiri ka mohuar të ketë qenë personi që merrte 30 mijë euro, siç rezulton në përgjimet e Prokurorisë, teksa flitet për një person me emrin Saimir”, duke thënë se bëhej fjalë për një shofer kamioni.

BW

Dëshmia në seancë- Tahiri zbuloi shkresën sekrete për ministren Kodheli

“Në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar aso kohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punon radarët”.

Kështu deklaroi sot nga salla e gjyqit, ish-ministri Saimir Tahiri, për të cilin prokuroria kërkoi 12 vite burg (8 vite me gjykim të shkurtuar).

 

Gazetarja Klodiana Lala në një raportim për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ ka treguar detaje nga seanca e stome gjyqësore që u mbajt tek Krimet e Rënda. Lala teksa ka siguruar dëshminë e Tahirit, që sipas saj ka qenë më e ashpër se kurrë, pohoi se në kohën kur ai ishte ministër kishte vënë në dijeni ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodhelin se radarët nuk punon.

“Prokuroria më akuzon mua për 4 episode trafikimi droge. Por sipas tij, akuzat nuk kanë logjikë.

Ai tha: “Prokuroria më akuzon për raste të trafikimit në 2013, 2014, 2015.”. Ndërkohë që hetimet, dy hetimet kronkrete, ndaj Taulant Haxhirajt dhe Moisi Habiljat kanë nisur në 2016. Tahiri pyeti se si ka mundësi që prokuroria mund të akuzojë atë për sasi droge të kultivuara para se ai të merrte detyrën e ministrit.

Sipas Tahirit, prokuroria duhet t’i publikuar faktet qartë dhe mos të thoshte gënjeshtra. Lidhur me akuzën që Tahiri ka favorizuar Habilajt, duke u garantuar atyre mbrojtje, Tahiri e kundërshtoi ashpër këtë fakt.

Tahiri tha se Policia e Shtetit në 2/ 10/2013, fill pas episodit të parë kur akuzohet të jetë përfshirë se ka favorizuar Habilajt, kishte dërguar procedim penal ndaj shtetasve Moisi dhe Florian Habilaj për akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë.

“Si mundet që unë t’i dërgoja ata në procedim për sa kohë i favorizoja në trafikun e drogës?!”, ka thënë Tahiri. Sipas prokurorisë, trafikimi është kryer me një peshkarexhë me emrin Fatima. “Prokuroria”- tha Tahiri, e lë të mjegullt faktin se asokohe janë fikur radarët. Por unë në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar as kohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punon radarët. Të njëjtën gjë bëri dhe për episodin e radhës Tahiri kur tha se Policia e Shtetit ka proceduar vëllezërit Habilaj. Ata u dërguan sipas sistemit TMS, tha Tahiri, për kontroll.

Tahiri, së bashku me Jaeld Celën, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Boden, ish-oficer policie, dhe Gjergj Kohilën, ish-oficer policie, akuzohen për “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.
BW

Del dëshmia e polices që udhëtoi me Habilajt: Kishte një marrëdhënie speciale me …

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është njohur sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda me pretencën e Prokurorisë, e cila ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për të, dhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

 

Nga Gjykata e Krimeve të Rënda, gazetarja Klodiana Lala zbardhi për “BalkanWeb” detaje të reja nga gjyqi ndaj Tahirit, duke thënë se ky i fundit nuk ka pranuar se ka lidhje me Habilajt, por ka pranuar se iu ka shitur makinën.

Nga ana tjetër, gazetarja Lala deklaroi se është zbardhur edhe dëshmia e një oficereje policie, me inicialet B. A., e cila ka pranuar se ka udhëtuar të paktën 10 herë me Habilajt drejt Italisë, dhe që ka thënë se ka një marrëdhënie speciale mes tyre dhe ish-ministrit Tahiri.

“Rezulton se Tahiri ka gënjyer, pasi ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me Habilajt, por ka pranuar se iu ka shitur makinën. Janë edhe disa detaje të tjera. Është dëshmia e një oficereje policie, me inicialet B.A., e cila ka udhëtuar të paktën 10 herë me Moisi Habilajn drejt Italisë. ajo thotë se flitet për një marrëdhënie speciale mes ish-ministrit dhe Moisi Habilajt.

Ajo thotë se shtetasi Moisi Habilaj e ka informuar atë se kishte mbështetje të fortë në kryeqytet, dhe se sa herë i përmendej emri i Saimir Tahirit, ai acarohej dhe krijonte problematika. Këto janë argumentet kyçe të Prokurorisë, por pasi shpalli pretencën pati një debat të fortë mes palëve. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ardit Mustafai, i kërkoi Prokurorisë të specifikonte se cilat janë episodet e trafikut, ku rezulton të jetë i përfshirë ish-ministri i Brendshëm.

Prokuroria tha se bëhej fjalë për katër episode 2013, 2014 dhe 2015, dy prej të cilave janë më 2014.

Në momentin kur është sekuestruar droga në Babicë, Prokuroria kishte kërkuar leje nga Kuvendi për arrestimin e Tahirit, por ky i fundit ishte duke luftuar që të mos shkonte prapa hekurave, ndaj dhe kërkoi sqarime nga Prokuroria. Pati një debat të ashpër në atë kohë. Ishte vetë Tahiri, si asnjëherë më parë, që u ngrit në këmbë, duke sjellë një tabelë me data të konfirmuar saktë, për të bërë mbrojtjen e tij”, tha gazetarja Lala./BW

Prokuroria kërkon 12 vjet burg për ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri si bashkëpunëtor në trafikim narkotikësh

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot 12 vite burg për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri, për bashkëpunim me nje grup kriminal në trafim të lëndëve narkotike drejt Italisë në të paktën 4 ngjarje gjatë viteve 2013 dhe 2015.

Ish-ministri Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, si grup i strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave si grup i strukturuar.

Organi i akuzës paraqiti sot përfundimet e hetimeve, sipas të cilave, ish-ministri Tahiri akuzohet për katër episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë më 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe 8 maj 2015.

Sipas hetuesve, Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti, u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.

Në seancën e sotme u lexuan edhedisa përgjime ambientale dhe telefonike në favor të akuzave.

Ish-ministri i brendshëm Tahiri i hodhi poshtë akuzat si të pabazuara në prova, duke thënë se grupi i Habilajve u procedua disa herë gjatë mandatit të tij si ministër. Ai shtoi se për sasinë e parë që më akuzoni sapo ishte emëruar ministër, ndërsa në të dytën ishte ministër vetëm dy muaj, dhe nuk mund të kishte lidhje.

Zoti Tahiri tha se nuk i ka ndihmuar kurrë kushërinjtë e tij të arrestuar tanimë në Itali. Ai tha se ata janë proceduar penalisht pikërisht në tetor 2013, dhe më vonë i ka denoncuar dhe proceduar vëllezërit Habilaj, Artan, Florian dhe Moisi Habilaj, për pengmarrje.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, vendim që e ul automatikisht te një e treta masën e dënimit të mundshëm të tij. Nëse gjykata vendos 12 vjet burg, sa kërkoi prokuroria, Tahiri mund të dënohet me 8 vjet burgim.

Sot pretenca për dënimin e ish-ministrit, Saimir Tahiri te Krimet e Rënda

Ish-ministri i Brendshem, Saimir Tahiri ka mberritur ne orar te Krimet e Renda, ku sot  Prokuroria Për Krime të Rënda pritet të lexoje pretencën dhe kërkojë masën e dënimit për te dhe ish drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

 

Dy te pandehurit akuzohen për 3 vepra penale, atë të “Trafikut të lëndëve narkotike”, “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Tre prokurorët e çështjes, pretendojnë se me provat dhe faktet e sjella në gjykim vërtetohet fajësia e dy ish zyrtarëve të lartë në trafikun e kanabisit.

Nga ana tjetër, ish ministri Tahiri, gjatë periudhës së hetimit dhe gjykimit ka mohuar akuzat, duke ngritur pretendime se gjyqi ndaj tij është i montuar politikisht dhe se Prokuroria, s’ka asnjë provë që e implikon atë.

 

Tahiri dhe Jaeld Çela po gjykohen me procedurën e shkurtuar, cka do të thotë se provat e akuzës nuk do të merren në shqyrtim gjyqësor dhe në rast dënimi, ata do të përfitojnë ulje të tij në 1/3-ën.

Shkarkimi i Metës – Komisioni i Venecias në Tiranë takon opozitën

Delegacioni nga Komisioni i Venecias, si një mision faktmbledhës për shkeljet e pretenduara të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në vendimin për të anuluar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale ka zhvilluar takimin e pare me perfaqesuesit e opozites.

Ne takim kane qene ish deputeti i PD-se, Oerd Bylykbashi dhe ish deputetja e LSI-se, Klajda Gjosha.

Ne nje prononcim per mediat, ata kane thene pas takimit me delegacionin se kjo eshte nje loje e turpshme e shumices dhe e parlamentit.

Parlamenti përpiqet që të tërheqë Komisionin e Venecias në lojën e tij të turpshme për të kapur të gjithë pushtetet përfshi dhe Presidentin e Republikës”- tha Bylykbashi.

 

Më pas, takimet vijojnë me kryetarin e grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla dhe deputetë anëtarë të Grupit, takim i cili nis në orën 09:00.

Më pas, delegacioni do të takojë Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës , znj. Rudina Hajdari, z. Nimet Musai, z. Adriatik Alimadhi dhe deputetë anëtarë të grupeve, për të vijuar me një takim rreth mesditës me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Më herët është thënë se delegacioni do të takojë edhe Presidentin Meta.

Mazhoranca socialiste në pushtet pret një përgjigje nga Komisioni i Venecias para se të vendosë për fatin e Presidentit nëse duhet të qëndrojë në detyrë apo ta shkarkojë. Socialistët pretendojnë se Presidenti ka kryer shkelje të detyrës me vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve.

Zbardhet dëshmia e pronarit të jahtit turk të gjetur në Shëngjin, tregon telefonatën e fundit me kapitenin e humbur

Nedim Akyuz

Policia dhe prokuroria e Lezhës gjatë pasdites së djeshme ka marrë në pyetje pronarin e jahtit Nedim Akyuz, i cili rezulton të jetë një biznesmen në fushën e tekstileve në Turqi.

Ai ka ardhur për të tërhequr jahtin por nuk është lejuar pasi është provë materiale dhe është rrethuar me shirit në portin e Shëngjinit deri në kryerjen e hetimeve.

Sevgin Javu

Nedim Akyuz ka deklaruar se jahti është në pronësi të tij por nuk ka qenë në bordin e jahtit, ndërsa mjeti drejtohej nga kapiteni, shtetasi turk Sevgin Javu me të cilin ka humbur kontaktet me datë 6 shtator.

Sipas tij herën e fundit që është lidhur me të, i ka thënë se ndodhet në ujërat shqiptare por se deti ishte shumë i trazuar.

Më pas ka tentuar të lidhet me të, por e ka pasur te pamundur./ Panorama/ 

Lubonja analizon tre argumentet e Metës: Pse sot Parlamenti duhet të kishte një komision kryesor për djegien e “Rajshtagut”

Analisti Fatos Lubonja ka analizuar tre argumentet kryesore të Presidentit Ilir Meta gjatë pjesëmarrjes në komisionin hetimor parlamentar për shkarkimin e tij nga posti i kreut të Shtetit.

 

Në studion e News 24, Lubonja thekson se deklaratat për djegien e Parlamentit, ose Rajshtagut siç e përdori Meta janë të rënda.

Fatos Lubonja: Ndoqa argumentet e Metës që ishin tre kryesor, por njëri ishte më i rëndësishmi për mua që binte në kontradiksion me dy të tjerat sepse kishte një argument që zgjedhjet me një kandidat janë antikushtetuese. Ishte argumenti i sigurisë kombëtare që ishte djegia e Kuvendit dhe integrimi evropian që pengohet në këtë mënyrë. Ku ishte problemi i këtyre tre argumenteve sipas meje. Tek argumenti i dytë, dmth u përdor aty një fjalë; nuk mund të lejoja djegien e Rajshtagut, që pa dyshim na çon në djegien e Rajshtagut nga Hitleri që u përdor si mjet për të akuzuar opozitën dhe për ta nxjerrë jashtë dhe tjetra një informacion që vinte nga SHIK-u.

Këtu qëndron skandali i politikës tonë edhe i këtij teatri që pamë me Metën atje. Nëse ka një dokument nga SHIK që dikush do të djegë Parlamentin, ky dokument nuk i shkon vetëm Presidentit por edhe kryeministrit. Në qoftë se Presidenti nuk e ka për detyrim ta çojë në organet kompetente për hetim kryeministri e ka edhe për detyrim. Çfarë shteti është ky? Aluzioni që bën Meta është që donte ta digjte kryeministri.

Rajshtagu aty të çon. Nga ana tjetër, nuk është shumë e qartë sepse mund të ishte edhe opozita. Gjithsesi, kjo duhet të kishte shkuar në hetim sepse më falni në qoftë se ti ke një parti në pushtet dhe një kryeministër që është i gatshëm të djegë Parlamentin, dmth Rajshtagun për të eliminuar opozitën këtu nuk bëhet më fjalë për zgjedhje me një kandidat. Ose thellohemi këtu dhe këtu bëjmë skandalin politik dhe e sqarojmë deri në fund. Nuk ka kuptim as për integrim. Në qoftë se ke një opozitë e cila donte ta bënte këtë mund të jetë pak më e lehtësuar.

Nuk mund ta lësh publikun në këtë lojë që më pas ngjan si teatër. Që njëra akuzon palën tjetër. Askush nuk ka bërë detyrën dhe përsëri aty shkojnë dhe paraqiten sikur janë burra shteti. Kjo më tërhoqi sepse këtu nuk ka drejtësi dhe këtu lind problemi. Nëse nuk ka vepruar kryeministri, ka shkuar ky dokument, atëherë mund të jetë fajtor kryeministri. Janë njerëzit e tij që donin ta vinin zjarrin. Nëse kryeministri ka vepruar, përsëri ku e kemi drejtësinë, pse nuk ka vepruar. Apo është e gjitha një shpikje dhe jetojmë këto shpif, shpif se diçka do të ngelet.

Këtu nuk ka shtet të së drejtës, jo se jo. Nuk ka asnjë seriozitet. Qoftë në një shtet autoritar ka një lloj serioziteti pavarësisht se nuk jemi në një shtet të së drejtës. Këtu jemi në një situatë ku as autoritarizmi nuk është i konsoliduar përfundimisht, demokraci nuk ka fare dhe vijmë tek ajo papërgjegjshmëria e bandave që qeverisin këtë vend për interesa.

Ai është argumenti më i rëndësishëm politik i parë që zgjedhje me një parti nuk duhet të lejoheshin dhe mazhoranca duhet të bënte çmos që të respektonte disa gjëra. Siç pamë edhe tek raporti i OSBE-së, dekreti i Presidentit që duhet të botohej në Fletoren zyrtare është anashkaluar në një mënyrë antikushtetuese, që provon në gjithë këtë “peshore” e drejta anon më shumë nga Presidenti.

Ajo që bie në sy për mendimin tim është teatraliteti. Meta fare mirë mund të kishte lënë Presidencën dhe të drejtonte politikën. Nëse ke një të dhënë që kryeministri do të djegë Parlamentin për të eliminuar opozitën, këtu je përpara një alarmi të madh. Kur e mori Hitleri pushtetin, se përdori Rajshtagun ose mos e përdor fjalën e Rajshtagut. Nuk mund ta ndash në fitore apo në humbje. Roli i tij është më pozitivë. Ka tentuar të mbajë një rol që është një fasadë që edhe ai e di se nuk përfillet nga Edi Rama. Duhet të shikojmë se si do të përfundojë ky teatër. Komisioni kryesor parlamentar duhet të ishte kush do ta digjte Parlamentin.

Politikën e kanë marrë si një lojë kush ia futi tjetrit, kush u pasuruar më shumë. Kjo nuk është politikë, nuk është shërbim, është infantilizëm për mendimin tim.

Ka një lloj çarje midis dy partive të opozitës lidhur me faktin se sa radikal duhet të jemi në kuptimin a duhet të hyjmë në zgjedhje me Edi Ramën apo jo. PD ka thënë nuk do hyjmë, LSI duket si më e hapur për një kompromis, se në fund përmes zgjedhjeve do fillojë të stabilizohet ky vend. Këtu jemi në një dilemë që nuk mund ta ndash dot se kush ka të drejtë. Do gjendet një zgjidhje. Politika është arti i së mundshmes thonë.

Personalisht jam i ndarë mes idesë që duhet bërë një presion nga opozita i madh, minimalisht që duhet të ketë dënim për të gjithë ata për të cilët ka prova se kanë vjedhur votën. Dosja e Dibrës, dosja e Durrësit…Atëherë mundet të kesh garancinë që do shkosh në zgjedhje që të jenë relativisht të lira. Me gjithçka ka kapur Edi Rama, mediat i ka kapur po ai, në këtë situatë është një çikë e vështirë a mund të shkohet dhe nëse shkon shërben si fasadë e këtij regjimi, apo mund të vazhdon të denoncosh, mund të shkohet dhe mund të rrëzohet me zgjedhje. Është një dilemë.

Pordhacët “rilindas” që po qelbin Shqipërinë – Nga ERMAL MULOSMANI

Së pari  kërkoj ndjesë për përdorimin e fjalës “pordhac” pasi për shumë prej jush ndoshta nuk do të duket fjala e duhur. Por, megjithë përpjekjen për ta zëvendësuar me një fjalë më të përshtatshme, e kisha të pamundur që në fjalorin shqip të gjeja një fjalë tjetër që  t’i përafrohej!  Fjala “mburravec” nuk e ka ngarkesën kotësore dhe boshin e fryrë që të krijon fjala “pordhac”.Tani të dal te përmbajtja e këtij shkrimi.

Në fillim të Shtatorit, në mediat tona dolën dy lajme skandaloze, njëri pas tjetrit. I pari njoftonte që Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj ka fjetur në një hotel të Romës dhe fatura tregonte 700 Euro/natë. I dyti njoftonte që Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë Tiranë, ka fjetur dy netë në Hotelin Alma në Barcelonë, për 1816 Euro. Për ta bërë më skandaloz lajmin e dytë, pagesën e hotelit e bën oligarku i njohur si klienti kryesor i Bashkisë së Tiranës, zoti Shkëlqim Fusha.

Këto dy lajme ishin shumë të bujshme pasi populli percepton shumë kollaj se çfarë do të thotë 700 ose 906 Euro një natë hoteli sesa fjala vjen 110 milion Euro që është gjoba ndaj Becchetit. Për shembull, mamaja ime e kupton që një dhomë hoteli në Romë mund të kushtojë 40, 50, 70 ose 100 Euro. Qameti 150 Euro. Por t’i thuash mamasë sime që Ministrja shqiptare ka fjetur me 700 Euro në një natë kjo ia çon nervat në skaj. Edhe djali im i vogël nuk i kupton 104 milion Eurot që Qeveria shqiptare ia fali Bankers Petrolium (Kompanisë Amerikane të Naftës) por kur i thashë që dhoma e Etildës për një natë kushton “një pallaskë” (kështu e quan ai 500 Euroshen) dhe dy jeshilka zgurdulloi sytë. “Ne do kishim shku me pushime për një javë familjarisht”- më tha. “Po mor bab, po ne nuk jemi Ministra”- i them. “Ministrat kanë status, nuk mund të flejnë në çdo lloj hoteli si ne të ngratët”.

Problemi më kompleks është në rastin e nënkryetarit Mazniku. Pagesa prej 1816 Eurosh për dy netë është bërë nga përfituesi kryesor i parave publike të administruara nga z. Mazniku. Nuk e di çfarë do të thoshte mjaftisti Mazniku i viteve 2005, aktivisti vizionar i një Shqipërie të mirëqeverisur, për këtë aferë të pastër korrupsioni!

Më kujtohet që media e Kosovës i mori shpirtin Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për një vizitë disa minutëshe në jahtin privat të një oligarku të njohur kosovar. Megjithëse asgjë nuk vërtetonte lidhje të tjera mes tyre, asnjë faturë e paguar, asnjë gjurmë korrupsioni! Por, ta lëmë mënjanë korrupsionin (përfitimin e padrejtë të Maznikut nga Fusha), a mundet zoti Mazniku të refuzonte fjetjen në një hotel që kushtonte 1816 Euro për dy netë?! Si mundet një majtist-mjaftist t’ia lejojë vetes këtë luks?! Apo edhe këtu del simptoma e statusit. Pra, edhe ky mund ta bënte por nuk ia lejonte statusi.

Në media dolën servilët e Qeverisë që na shpjegonin që ishim hormonalë, të padalë e të painformuar, se 700 Euro nuk ishin hiçasgjë. Janë të njëjtët servilë që dalin në media për të mbrojtur gjithmonë Qeverinë. Varet kush është dezhurn. Atë ditë qëlloi radha e Dritanit. Ai na njoftoi që e paska bërë edhe Berisha në New York. A thua  kjo është arsye për të mos kritikuar Ministren! Nëse Berisha e ka bërë (shumë keq ka bërë) dhe ne nuk e kemi ditur atëherë, duhet të heshtim edhe sot? Jo zoti servil, arsyeja që “kanë vjedhur më keq ata” është për të sharë edhe ata e jo për të mos sharë këta.

Përveç tyre kishte edhe nga ata që na folën për statusin e Ministrit…

“Statusi i leshit” – më del nga shpirti . Cili shqiptar paska status të paguajë 700 Euro nata?! Ne jemi vendi më i varfër i Evropës dhe krekosemi sikur jemi Britania apo Franca. Për të shpjeguar megallomaninë e të voglit, në këtë rast më vjen në ndihmë një ngjarje reale nga fundi i viteve 90 në kinematografinë shqiptare.

Në një Festival Ndërkombëtar Filmi u shfaq filmi i një prej regjisorëve të rinj shqiptarë të atyre kohëve. Në fund të filmit, në momentet e shfaqjes së titrave, të pranishmit pyesin regjisorin se çfarë shkruhet poshtë emrit të Kadri Roshit. Aty shkruhej Artist i Popullit. Regjisori, i vënë në pozitë përpara kolegëve, sajon një gjë për të dalë nga situata. Se nuk ua shpjegonte dot se pse populli përzihet me artistët, pse populli dikur ka dhënë edhe tituj.

Sapo kthehet në Shqipëri, në një mbledhje të gjerë të Kinostudios së atëhershme, propozon heqjen e titujve të tillë krejt demode e të pakuptimtë dhe futjen e koncepteve moderne si “Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Kadri Roshit”.

Për një moment pati mirëkuptim, mirëpo për fare pak. U ngritën servilët e atëhershëm me fjalime patetike të tipit “Ky është një titull kontributi jetësor që populli shqiptar ua ka dhënë artistëve të vet dhe nuk ka Francë apo Angli që ta vejë në dyshim”etj etj. Njëri pas tjetrit secili servil e linçon regjisorin e talentuar sa ky u pendua që e kishte hapur gojën. “Është status” vërsuleshin kolegët regjisorit anipse ky mendonte veç që ta modernizonte atë status të pakuptimtë.  Dikur, nga fundi i sallës u ngrit një kineast me përvojë e një zë i njohur për batutat e tij dhe tha “Mirë more mirë, po e shkruajmë Artist i këtij farë populli”!

Ky ishte fundi i diskutimit.

Edhe statusi i Ministres apo Nënkryetarit të Bashkisë nderohet duke kursyer. Ish Presidenti i Uruguait, Jose Mujica, jetoi në një barakë dy dhomëshe dhe e dhuroi 90% të pagës së tij për nevojtarët. Sepse “statusi” i Uruguait nuk ishte për pordhacë dhe ai e donte Uruguain.

Ndërsa për pasanikët e rinj (ku futen edhe zonja Gjonaj dhe zoti Mazniku), çështjen e statusit  e shpjegon shumë mirë shkrimtari Hernan Casciari kur thotë:

Pasaniku i ri e di. E di se është rastësia, dhe jo mundi, shkaktarja e hovit të tij ekonomik. E di se jeta mund t’ia marrë gjithçka, po aq shpejtë sa edhe ç’ia dha. Pasaniku i ri ka nevojë të shkëputet nga njerëzit e thjeshtë. Sepse statusi – duket se thonë pasanikët e rinj – është të zgjedhësh, kush mund të të vjedhë dhe kush jo”.

Lezhë, largohen nga një zonë e banuar 74 predha të Luftës së Dytë Botërore

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë larguar nga një zonë e banuar në Qarkun e Lezhës 74 predha, ku sipas vlerësimeve paraprake i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore, transmeton AA.

“Forcat e Armatosura parandaluan një tragjedi në Manati të Lezhës. Xhenierët tanë larguan nga zona e banuar 74 predha të kalibrit 150 mm, secila me peshë rreth 50 kg, sipas vlerësimeve paraprake, të Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar në rrjetet sociale ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Ndërkohë, predhat janë zhvendos për t’u asgjësuar në një poligon të posaçëm.

“Që prej fillimit të vitit, xhenierët e Forcave të Armatosura kanë kryer 75 operacione në të gjithë vendin, duke asgjësuar rreth 16 tonë municione të rrezikshme”, ka theksuar ministrja Xhaçka.

Gjatë viteve të fundit në Shqipëri janë gjetur dhe asgjësuar dhjetëra predha të periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Edhe Kepi i Rodonit, me koncesion

Në kulmin e debateve për efektet e koncesioneve Partneritet Publik Privat në buxhetin e shtetit dhe në borxhin publik, ministria e Infrastrukturës hap një tjetër garë.

Sërish me “propozim të pakërkuar”.

Burime të RTV Ora kanë bërë të ditur se me propozim të pa kërkuar, parashikohet që Kepi i Rodonit të jepet me koncesion për 35 vite.

Sipas kontratës, koncesionari e përfiton kepin e famshëm kundrejt premtimit për ndërtimin e një porti për jahte në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg.

Ajo që të bën edhe më shumë përshtypje është periudha e lënë në dispozicion për të paraqitur dokumentet, mësohet se afati është për 30 ditë, ndërsa dokumentet duhet të jenë vetëm në gjuhën shqipe. Si edhe herë të tjera, gara e ndershme është thuajse e pamundur. Fitues, si edhe herët e tjera do jetë ai që ka bërë “propozimin e pakërkuar”.

Kepi i Rodonit njihet si zonë ku është shumë e fortë influenca e Tom Doshit.

Koncesionet PPP janë kritikuar nl vijimësi nga FMN dhe Banka Botërore si një rrezik për buxhetin.

Për këtë arsye në fillim të vitit u propozua përmes një projektligji në parlament që të mos lejoheshin me forma të tilla duke nisur pas datës 1 korrik.

Por pas një heshtje të gjatë, mazhoranca vendosi të shtyjë afatin për këtë masë deri në 1 tetor, çka solli edhe një përplasje tjetër me presidentin, i cili përmes një dekreti kërkoi lënien në fuqi të vendimit të parë.

Duke e futur në kontekstin e konfliktit politik, me nisjen e punimeve të parlamentit, mazhoranca deklaroi se nuk do të pranojë rekomandimet e kreut të shtetit.

Fillimisht u duk se gjithçka kishte të bënte me projektet që ishin në proces, por tashmë ministria e Infrastrukturës ka hapur garën për Marina Rodon.

E duket se për të mos humbur kohën afati i vënë në dispozicion për paraqitjen e dokumenteve është lënë data 6 shtator, duke lënë kështu mundësinë që gjithçka të mbyllet brenda përcaktimit të bërë prej ligjit të ri.

Artan Fuga: Presidenti i vendit tim për hetim te një komision Kuvendi, kjo është damlla. Edhe popullin nën hetim parlamentar!

Të shohësh Presidentin e vendit tënd në një komision hetimor parlamentar, për akademikun Artan Fuga, është një turp. Në një postim në rrjetet sociale, Fuga shkruan se “Unë mund të mos jem në shumë gjëra dakord me Presidentin, Kryeministrin, a me këdo tjetër në opozitë! Por nuk kam asnjë dëshirë t’i përdhos se përdhosem vetë! Në ka bërë gjëra ta hetojë institucioni që heton, një më një, si çdo qytetar. Por ta hetosh sepse anulloi farsën e 30 qershorit është një turp i madh! Cfarë të hetosh! Aty cdo gjë është e qartë! Partitë ta gjejnë me njera tjetrën!”

 

NGA ARTAN FUGA

Edhe popullin nën hetim parlamentar!
—————–

Unë dua të sillem si qytetar me ndërgjegje të lartë politike.

Se më dhemb vendi im.

Nuk më turpëron fare ngatërrimi i hymnit tim me atë të Andorës apo Armenisë. Mjafton mos bëhet qëllimshëm, që sigurisht nuk është bërë, pastaj të tjerat janë budallalliqe : jo ndërrova diskun jo nuk e pashë!

Pa pikë vlere! Gjëra që rregullohen. Nuk na është kërkuar kaq shumë herë falje për një gabim njerëzor. Indianët e hodhën gabim anijen kozmike dhe kryeministri i tyre atje i pranishëm në sallën e komandimit u tha : Mos u mërzisni, herën tjetër!

Por kur shoh Presidentin e vendit tim që paraqitet për hetim te një komision Kuvendi, që të hetohet, ky është turp! Kjo është damlla.

Luani jo hymnin, bjeri sazeve o Usta!
Bjeri daulles edhe ti o Cirak!
Luani këngë ciganësh!

Cfarë turpi!

Unë mund të mos jem në shumë gjëra dakord me Presidentin, Kryeministrin, a me këdo tjetër në opozitë! Por, nuk kam asnjë dëshirë t’i përdhos se përdhosem vetë!

Në ka bërë gjëra ta hetojë institucioni që heton, një më një, si çdo qytetar. Por ta hetosh sepse anulloi farsën e 30 qershorit është një turp i madh!

Cfarë të hetosh! Aty cdo gjë është e qartë!

Partitë ta gjejnë me njera tjetrën!

Ne qytetarët, socialistë a demokratë a pa parti si puna ime, që votoj herë këtej e herë andej si më duket më mirë, a nuk votoj fare, nuk duam farsa me një parti, me një kandidat!

Ato nuk ishin votime!
Mirë bëri që i anulloi!

Në mos komisioni hetimor të marri në pyetje edhe 90 përqind të shqiptarëve që me mosvajtje ruajtën dinjitetin e tyre!

Dhe nuk vajtën jo sepse ishin me partinë demokratike sikurse gabon ndokush, as sepse donin t’i bënin qejfin opozitës, apo se nuk kuptonin demokracitë perëndimore që janë shpëtim për Shqipërinë dhe sigurinë e saj, apo të përkëdhelnin teke presidenciale.

Nuk vajtën sepse njësoj si Presidenti mendonin, mendojnë, së paku unë mendoj që ata mendojnë që 30 qershori ishte një plagë e rëndë që mori shteti shqiptar dhe demokracia shqiptare që duhet riparuar sa më shpejt!

Do hetojnë deputetët militantë atë që ka dënuar partia e tyre! Pse hetim objektiv, i pavarur, i drejtë është ky?

Kur do të vijë drejtësia e vërtetë në këtë vend!

Mezi po pres SPAK-un në është siç më premtojnë se do të jetë që të ndahet shapi nga sheqeri.

Përndryshe o shqiptarë mirëpafshim në shekullin e 22 – të!

Tiranë: Ndalohet pronari i një firme pas vdekjes së dy punëtorëve

Ilirian Agolli

Në Tiranë, policia ndaloi sot pronarin e një firme si përgjegjës për vdekjen në punë të 2 punëtorëve në mesin e gushtit të kaluar.

Gjatë këtij viti ka shkuar në 25 numri i punëtorëve, që kanë humbur jetën gjatë punës në kantiere ndërtimi dhe firma prodhuese.

Sindikatat ankohen për shkallën e ulët të sigurisë në punë, por sipas tyre, papunësia e lartë është shkaku kryesor, që punëtorët pranojnë të punojnë në këto kushte dhe me paga të ulëta.

Policia e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar pronarin e firmës “Skela Syla”, tre javë pas incidentit tragjik në periferi të Tiranës, ku dy punëtorë ndërtimi humbën jetën gjatë punës.

46 vjeçari Petrit Syla është personi i dytë, që mbahet përgjegjës nga prokuroria për vdekjen e dy punëtorëve, teksa skelat e hekurit u shkëputën u shkëputën nga një pallat gjatë rikonstruksionit.

Prokuroria kërkoi ndalimin e tij dhe të një personi tjetër pas vdekjes në punë të dy punëtorëve 31 dhe 36 vjeç.

Kompania “Xhimi” me përvojë 3 vjeçare, dhe “Skela Syla” me përvojë 11 vjeçare janë në proces hetimi për incidentin.

E para nuk ishte kontrolluar asnjëherë nga inspektoriatet, ndërsa e dyta ishte inspektuar plot 16 herë në një dekadë.

Incidentet e punëtorëve në kantieret e ndërtimit dhe firmat prodhuese janë të shpeshta në Shqipëri.

Nga janari deri sot janë regjistruar në 9 muaj 99 incidente, nga këto 25 punëtorë kanë humbur jetën dhe pothuaj të gjitha (21 raste) i përkasin sektorit të ndërtimit.

Inspektoriati Shtetëror i Punës ka hetuar 114 subjekte private për mënyrën se si trajtojnë punëtorët, dhe ka vendosur 34 gjoba dhe 29 dënime administrative për të ndikuar sigurinë e punëtorëve dhe ruajtjen e shëndetit të tyre në punë.

Sindikatat e pakta dhe të pafuqishme ankohen shpesh në Shqipëri për masat e ulëta mbrojtëse nëpër kantieret e punës dhe prodhimit.

Pjesën dërrmuese të aksidenteve në punë e ka sektori i ndërtimit, minierat, energjia, uji dhe në funs shërbimet publike.

Shqipëria është midis vendeve me nivel të lartë të vdekjeve nga aksidentet në punë.

Mesatarja e BE-së është 1.8 vdekje për 100 mijë punëtorë, ndërsa Shqipëria deri tani e ka praktikisht këtë viti mesataren e vdekjeve në punë së paku 4 herë më të lartë se Bashkimi Europian.

Shqipëria gjendet përgjithësisht në vështirësi të mëdha sa u takon kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta për një pjesë, dhe papunësisë së lartë për pjesën tjetër të banorëve.

Minierat janë sektori më i rrezikshëm me kushte pune minimale dhe ku vazhdojnë të humbin jetën jo pak minatorë.

Në 5 vitet e fundit kanë humbur jetën në vendin e punës 42 minatorë.

Qytetet pranë minierave shqiptare janë tejet të varfëra dhe shumë të mitur shfrytëzohen për punë të ndryshme.

Studiues të ekonomisë pohojnë se përpjekjet e qeverisë për të hapur vende të reja janë të pamjaftueshme.

Sipas tyre, papunësia e vërtetë është së paku 2 deri në 3 herë më e lartë se sa statistikat qeveritare.

Papunësia e lartë është shkaku kryesor pse punëtorët pranojnë të punojnë në kushte të vështira dhe me paga të ulëta, nga frika e zëvendësimit të menjëhershëm.

Pjesa dërrmuese e të papunëve po emigrojnë në shtete të tjera për të mbijetuar, dhe jo për një jetë më të mire, duke lënë prapa varfërinë e thellë.

Punëtorët në Shqipërinuk trajtohen me dinjitet, thonë vëzhgues të ekonomisë, mbahenme paga e sigurime të ulëta, me shëndetësi të pagarantuar dhe pa kushte teknike, ndërsa punojnë edhe në ditët e pushimit dhe u shkelen të drejtat të tjera si punëtorë dhe si qytetarë.

Tiranë: Ndryshimet gjuhësore dhe pastërtia e shqipes, flasin ekspertët (video)

Ilirian Agolli

Në Tiranë, studiues dhe qytetarë, të vëmendshëm ndaj çështjeve kulturore, diskutojnë me shqetësim mbi pastërtinë e gjuhës shqipe dhe ndikimit të saj nga gjuhë të tjera.

Autoritetet e kanë kthyer lëndën e shqipes në shkollat e mesme, por sërish problemet janë të dukshme.

Studiuesit shqipes pohojnë se ndikimi prej gjuhëve të tjera, apo hyrja e fjalëve nga gjuhë të tjera janë dukuri që përsëriten në shekuj dhe u ndodhin të gjithë gjuhëve. Por mësimi i Gjuhës shqipe nuk mjafton thjesht të ndalet rregullat e drejtshkrimit. Alarmi i vërtetë sot, sipas studiueses Enkeleida Kapia, është mospërdorimi i dendur i gjuhës shqipe me shkrim e lexim.

“Nxënësit nuk lexojnë më, ata nuk lshkruajnë më. Disa nga rregullat drejtshkrimit, për të cilat ne jemi të shqetësuar sot, vijnë pikërisht nga leximi i theksuar dhe shkrimi i theksuar, praktikave që ne kemi në shkolla. Ato vijnë edhe për shkak se si e konceptojmë mënyrën e mësimit të gjuhës amtare, duke filluar nga programet e formimit të mësuesve” – tha gjuhëtarja Enkeleida Kapia, nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Vitet e fundit është rritur vëmendja shtetërore ndaj gjuhës shqipe dhe po shtohen orët e mësimit në programet shkollave. Kjo vjen për shkak të shqetësimit të përgjithshëm se gjatë tranzicionit shqipja u destabilizua dhe mori ndikime e goditje nga më të ndryshmet, thotë studiuesja Anila Omari.

“Ndryshimet kryesore janë në fushën e leksikut, që është edhe pjesa më e lëvizshme e gjuhës, dhe më të ngadalshme janë në gramatikë e në sintaksë. Edhe atje vihen re ndryshime. Shikojmë forma të çuditshme të emrave në numrin shumës si shall / shaje, link / linqe, truk / truqe” – tha zonja Omari.

Shqipja është vazhdimisht nën presionin e gjuhëve me status ndërkombëtar si anglishtja, por po aq i madh është ballafaqimi i saj me gjuhët e vendeve fqinje si italishtja dhe greqishtja për shkak të emigrimit dhe shkëmbimeve ekonomike.

Kjo është fusha e parë ku duhet bërë kujdes më i madh, thotë Valter Memisha, drejtues i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

“Në radhë të parë është ndikimi në leksik, ku futen shumë fjalë. Ka një konkurrencë të gjerë fjalë shqipe / fjalë e huaj. Njerëzit janë pragmatistë dhe përdorin fjalën që kanë më lehtë. Por institucioni ynë punon t’i japë përparësi fjalës shqipe” – thotë zoti Memisha.

Emigrimi i shpeshtë, tregtia me të huajt, shkollimet jashtë vendit, apo pushtimet shumë-shekullore, janë dukuri të përbotshme, ku gjuhët ndikohen shumë nga njëra tjetra.

Nevoja kryesore për shqipen është se në shkolla duhet të mësohen etapat e zhvillimit historik të saj, në mënyë që ajo të njihet sa më thellë, pohojnë studiuesit, sepse kështu ajo mbrohet më mirë.

“Mendoj se alarmi që është ngritur më tepër me faktin që ne si popull, për shkak të mënyrës se si jemi shkolluar, nuk njohim mirë fazat historike të zhvillimit të shqipes. Nëse do t’i njihnim mirë këto faza, nuk do ta quanim këtë periudhë ku jemi si një rrezik i jashtëzakonshëm. Këto kanë ndodhur në periudha të ndryshme në të gjitha gjuhët, sepse përndryshe ne do të vazhdim të flisnim gjuhën e Budit dhe të Bogdanit” – tha zonja Kapia.

Shkurtimet e fjalëve në komunikImet e rrjeteve soc nuk e prishin gjuhën, thekson nga ana tjetër zonja Omari, por vëmendja e qytetarëve dhe administratës ndaj gjuhës duhet të jetë më e madhe dhe përmirësime po ndjehen si nga futja e redaktorëve gjuhësorë ashtu edhe nga futja e gjuhës shqipe në shkollat e mesme.

“Shkolla është baza për çdo gjë dhe aty duhet mëshuar më shumë. Mësimdhënia dhe trajnimi i mësuesve janë pika ku duhet patur shumë kujdes, sepse edhe aty ka mungesa. Gjithashtu duhet një reformë me tekstet, duhet një rikonceptim i mësimdhënies së gjuhës dhe letërsië shqipe në shkollë. Është gjë e mirë që edhe shteti e ka kthyer vëmendjen ndaj gjuhës dhe ndoshta bëhet diçka në këtë aspekt, pra në mësimdhënie” – tha zonja Omari.

Marrëdhëniet e shqipes me dialektet e saj në krahinat më të larmishme, sepse ende nuk është studiuar plotësisht struktura sintaksose dialektore e saj.

Zoti Memisha thotë se një nga projektet më të rëndësishme të institutit që ai drejton është ai mbi variacionet sintaksore të shqipes.

Ai shton se kujdesi për shqipen është i përditshëm, pavarësisht se sfidat janë të shumta.

“Ne duhet të ruajmë atë që është kryesorja: strukturën gramatikore. Një gjuhë e përcakton struktura gramatikore. Nëse prishet struktura gramatikore, në sintaksë dhe në gramatikë, atëherë prishet fytyra e gjuhës dhe gjuha do të shuhet edhe vdesë dalëngadalë. Shqipja është një nga gjuhët më vitale në botë. Jemi një popull i vogël dhe kemi një gjuhë që nuk është asimililuar, edhe pse pushtuesit tanë kanë qenë këtu me shekuj” – tha zoti Memisha.

Pas botimit të Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe, studiuesit po përgatitin Fjalorin Historik të Shqipes si dhe punojnë me fjalorët e leksikografisë dialektore, për një fjalor të plotë gjuhës shqipe, për një gramatikë të plotë të shqipes, duke bashkërenduar veprimtarinë shkencore me qendrat studimore në Prishtinë dhe universitete të tjera.

Krimi në Librazhd- Dëshmitari: Policia mund të kishte parandaluar vetëvrasjen e burrit

Krimi i dyfishtë tronditi mbrëmë Librazhdin dhe jo vetëm, ku burri vrau gruan dhe më pas u hodh nga pallati. Daut Gjokola theri me thikë Luljeta Gjokolën dhe më pas u hodh nga kati i 4 i apartamentit. Të shumtë kanë qenë dëshmitarët e ngjarjes së rëndë, ndërsa një prej tyre i ka shkruar një mesazh ish-kryeministrit Sali Berisha.



Në mesazhin në fjalë thuhet se policia nuk ndërhyri për parandalimin e vetëvrasjes së 53-vjeçarit, duke bërë që ai të hidhej nga ballkoni.

MESAZHI TEK BERISHA

Akuzon narkopolicine se nuk veproi per te parandaluar vetverasjen e qytetarit para syve te saj!

Lexoni mesazhin shikoni videon e qytetarit dixhital. sb

Pershendetje Zoti Berisha !

Nje ngjarje e rende ka tronditur mbremjen e djeshme qytetin e Librazhdit, nje krim ne familje i cili tmerroi qytetin e Librazhdit ku shume persona ishin deshmitare te hedhjes se burrit nga ballkoni pasi vrau gruan, i cili u hodh nga kati i shtate. Ajo qe me beri pershtypje eshte se si ka mundesi qe policia e shtetit nuk mundi ta parandaloj kete akt kur ajo erdhi menjehere ne vendngjarje pasi burri ekzekutoi gruan me thike, gruaja pasi u shoqerua me ambulance atehere dhe burri u hodh nga ballkoni pasi une e perjetova vete ngjarjen tek hyrja shtepise se ciftit dhe policia ishte prezente dhe nuk veproi ne kohe qe te arrestonte autorin e vepres penale ne moment duke e lejuar te perfundoje ne nje tragjedi me dy te vdekur. Dhe e dyta ambulanca si ne rastin e burrit dhe gruas nuk erdhi ne kohe te jepte ndihmen e pare ndaj viktimave, kete e vertetojne dhe pamjet filmike dhe fotografike me poshte ku burri qe kreu vepren ka mbetur ne toke i shtrire per me shume se 20 minuta dhe asnje mase nuk eshte marre ndaj tyre deri tani. Uroj qe te mos ndodhin me te tilla ngjarjesh ku instuticionet shteterore me instancat e veta nuk arrijne te veproje si duhet .Ju faleminderit!

“Ka guximtarë që ngjiten lart, pa llogaritur rrezikun në kthim”, kë ‘thumbon’ Meta?! (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur që këtë ditë të shtunë ta kalojë në plazh, ndërsa ka gjetur një shoqëri të veçantë. Teksa ka publikuar një video, Meta shihet duke përkëdhelur disa mace, ku një prej tyre (guximtari) tenton të ngjitet në tendë.


“Një mëngjes me një “buqetë” macesh, gjithmonë relaksues! Ato janë të dashura dhe ledhatare. Por ka edhe ndonjë guximtare që ngjitet lart, pa llogaritur rrezikun në kthim. Unë qëllova aty, për t’ia bërë të lehtë zbritjen.
Ju uroj një fundjavë të këndshme dhe të mbarë!”, shkruan Meta, ndërsa vjen me një mesazh me kode, duke marrë shkas kjo edhe nga zhvillimet politike në vend.

Mos vallë Meta e ka me kryeministrin Edi Rama, me të cilin kanë shkëmbyer replika në distancë, duke mos i kursyer as ironitë për njëri-tjetrin. Kujtojmë se pas vendimit të Metës për të zhdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit dhe për të vendosur një datë të re, 13 tetorin, maxhoranca kërkoi shkarkimin e tij. Madje është ngritur dhe Komisioni Hetimor për Metën, ku do të verifikohen të gjitha lëvizjet e tij institucionale të kreut të shtetit.

Edhe pse ishte në kërkim nga shteti, ish- polici Santiago Malko punonte si inspektor pyjesh

Kur kanë kaluar 10 ditë nga vrasja e ish-policit të ekzekutuar në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet, të tjera të dhëna ‘gozhdojnë’ institucionet shtetërore lidhur me përfshirjen e Santiago Malkos në sistem.

Dosja.al ka zbuluar ekskluzivisht se Santiago Malko, 26 vjeç pas tërheqjes nga Policia e Shtetit ishte punësuar në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve.

Pa asnjë kualifikim për fushën, Malko mbante postin e Inspektorit të Mjedisit, ndërkohë që skandali thellohet edhe më tej. Edhe ditën e vrasjes, Santiago Malko ishte në krye të detyrës.

I riu kishte shkuar si zakonisht në punë, ku siç bëjnë me dije burime, kishte mbi një vit që ishte emëruar. Shpallja në kërkim për vrasjen e 4 tetorit 2018, nuk e kishte penguar atë që të vijonte punën.

Pas ekzekutimit në mjetin e tij, tip “BMW”, Santiago Malkos iu gjet një kartë, e cila përfaqësonte postin e tij brenda Inspektoriatit.

Burime jozyrtare konfirmuan se dy ditë pas vrasjes, Inspektoriati i Mjedisit, ka bërë heqjen nga puna të Malkos, por jo për shkak se ai ishte vrarë. Shkarkimi i tij pas vrasjes, është bërë me motivacionin se Malko ishte shpallur në kërkim.

Ky skandal që përfshin Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve, por edhe Policinë e Shtetit, e cila nuk ka bërë verifikimet për Malkon dhe pozicionin e tij të punës në administratë, përkon me largimin nga detyra të kryeinspektorit, Armando Lamaj.

I komanduar si kryeinspektor, Lamaj ka dhënë dorëheqjen një javë më parë, dhe dyshimet lidhen me emërimin e Santiago Malkos si inspektor.

Të njëjtat burime, thanë se Lamaj kishte miqësi me Malkon, dhe brenda institucionit ka patur gjithnjë dyshime se ka ndikuar në emërimin e tij.

Dosja.al tentoi disa herë të kontaktonte me Lamajn, por ai nuk ka pranuar të komentojë rastin.

Santiago Malko u tërhoq nga Policia e Shtetit në vitin 2016, pas një konflikti me vëllezërit Lashi.

Sërish gjeti vend pune në administratë, duke nxjerrë jashtë loje sistemin e dëshmive të penalitetit dhe vërtetimet që gjykata dhe prokuroria lëshojnë për punësimin në shtet.

Gjykata e Vlorës: Burgim të përjetshëm për vrasësin e 8 personave

Gjykata e Vlorës dënoi me “burgim të përjetshëm” Ritvan Zykajn, 24 vjeçarin nga Selenica, i cili vrau me armë zjarri, gati një vit më parë, 8 persona nga dy familje të fisit “Zykaj”. Mes viktimave ishin tre gra dhe dy fëmijë. I akuzuari u braktis nga familjarët pas aktit të vrasjeve.

Zykaj u arrestua një ditë pas vrasjes së ndodhur më 10 gusht të një vitit më parë në fshatin Resulaj, të Selenicës. Sipas rezultateve të hetimeve ai qëlloi në fillim dy të moshuar dhe më pas vrau edhe 4 pjesëtarët e një familjeje , po të fisit të tij.

Dy të afërm të tjerë që shkuan në banesë për të parë se çfarë kishte ndodhur pas vrasjes së dytë u qëlluan për vdekje, duke e çuar bilancin e vrasjeve të kryera nga Zykaj në tetë persona.

Motivet e krimit u lidhën me akuzat që familjarët i bënin Zykajt për vjedhje ndërkohë që ai kishte paralajmwruar për këtë se do të hakmerrej ndaj të afërmve të tij.

“Mezi pres të kthehem”, Presidenca konfirmon: Meta në Kuvend në 09:59

TIRANE

Në një kohë kur vet presidenti Ilir Meta konfirmoi se do të ishte në Kuvend ku do të pyetej nga Komisioni Hetimor në lidhje me qëndrimin për dekretin e tij për rrëzimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore, vjen një tjetër sqarim nga zëdhënësi i tij, Tend Blushi. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Blushi ka sqaruar se kreu i shtetit ditën e hënë (data 9) do të jetë në Kuvend, në një orar të përpiktë, madje 1 minuta para orarit zyrtar kur ai është kërkuar.

“Të dashur kolegë gazetarë që vazhdoni të më pyesni nëse do të shkojë apo jo Presidenti Meta në Parlament.

Ju konfirmoj me përgjegjshmëri maksimale se:
Ditën e hënë, Presidenti Meta në ora 09:59 do të jetë në Parlament.”, shkruan Blushi. Kuvendi vendosi të thërrasë Metën në Komisionin Hetimor më datë 9 shtator, orar ky i dakordësuar dhe nga Meta. Madje ky i fundit tha se mezi po priste që të kthej në Kuvend.

Plani hetimor që do të ndjekë maxhoranca, i miratuar nga komisioni, në thelb synon hetimin e shkeljeve të mundshme të Kreut të Shteti në lidhje me zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, datë kjo që shkaktoi reagime të forta dhe përplasje mes subjekteve politike. Hapi i parë procedural që do të ndiqet është seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës, në zbatim të nenit 112, pika 3 të Rregullores së Kuvendit.

Përparim Kabo: Moikom Zeqo, ti je Gëtja ynë

VOAL – Profesor Përparim Kabo ia kushton këtë postim plot ndjenja Moikom Zeqo, poet i shquar, i jashtëzakonshëm, i shtruar në spital në Tiranë prej disa javësh:

E hapa librin dixhital të numrave të telefonit të miqve dhe me emrin e tij dolën disa …por si e kam zakon krahas emrit shkruaj dhe i fundit…E gjeta dhe i rash…tingulli u dëgjua…disa zile. disi më shumë se të zakonshmet…Kjo lloj pritje të shqetëson…Mendova se në vend të tij dikush tjetër do përgjigjej. Imagjinoja që personi ka marë telefonin dhe po del jashtë dhomës ku prej disa kohësh njeriu i dashur i tij qendronte i shtruar në spital. Ishte vetëm një çast…Nga ana tjetër dëgjova zërin e tij..Nga kumbues qe shëndrur si një jehonë nga fund shpella…vinte si zëri i një bubullime të mbytur…Ose si të ishte nën ujë…Po kur ishte i ri ai zhytej dhe ka qenë nga pionerët e parë të kërkimeve nënujore…Si je Moikom fola unë i pari dhe e kuptova që si në një antientropi shpirtërore lëshova një zë të vuajtur…Mirë u gjegj ai…ishte një mirë mes dy botëve…e zgjatur e lodhur dhe e trisht…Shkova dhe u ktheva …Një ringjallje…! Ndjeva se diçka mu këput brenda meje!..Jo i thash më një kurajo qe e ndjeja si të pafuqishme…eshte herët…Kemi ende punë…të do dija kultura, poezia, mendimi…je fari ynë…Pas fjalëve të mia faleminderi i tij u coptua, ashtu si ikin rruazat kur humbin prej filli…fa le mi nd er it…Mikom Zeqo…lengon në spital…Kujdesi nuk mungon …por dhimbja për mikun…ah dhimbja…Prej tij kam mësuar shumë…kam mësuar se di të shkruaj…Ishte fillim vitet 90-te…ai lexoi një shkrim timin për filmin e debatuar …me titull “Vrasës të lindur”…unë e kisha shkrujatur me dorë ende skishim kompjuter. Ai po e lexonte te dhoma ku punonte. Dera ishte pakez e hapur…E mbaroi, lëshoi tymin e cigares dhe u ngrit me vrull doli nga zyra dhe pyeti kush e ka sjell kete shkrim…Unë u gjegja…Ti je Përparim KABO? Po i thash. Ti duhet të shkruash …ke mendim dhe stilistik…jam habitur me shkrimin tuaj do e botojmë…Miqesi jonë u shtua dhe ai mbeti i mrekulluar me shkrimin tim para ca vitesh për librin e tij me titull “Shitësit e Kaosit” i cili po përkthehet në Amerikë…duke më thënë: Ky eshte shkrimi më i mirë për veprën time…Moikom…kozmogonit e humbura në eklips i duam vetëm në letërsi…mos u nxito…Të pres të pimë kafen e rradhes dhe të flasim shtruar për poezitë e tua për pikturën…per teatrin dhe filozofinë…Drita jote e lodhur duhet ende mes nesh…Të përqafoj dhe lutem për ty…
Miku yt ai që të tha Ti je Goethe jonë
Përparim Kabo
6 shtator 2019….Amin!

Primo Shllaku: Shqiptarët duan atdhe të gatshëm, lëvizja e teatrit është liri

Fatmira Nikolli – Primo Shllaku, estet, poet e profesor në Universitetin e Arteve ishte mbrëmë në Teatrin Kombëtar në takimin “Ç’është aktori”, temë që merr shkas nga libri i tij i fundit me tri drama “Aktorë pa kujtesë”, që veç dramës me të njëjtin titull, ka edhe “Nji mbret pa mbretni” e “Fqinji i katit sipër”.
Teatri për mbrojtjen e të cilit protestohet prej 20 muajsh, teatri që ruhet natë e ditë prej më se 40 ditësh nga vendimi i qeverisë për ta shembur, tashmë mbledh elitën për të folur mbi individin, lirinë, pushtetin dhe se si individi i lirë kundërshton një pushtet.

BISEDA
Biseda u moderua nga gazetarja Elsa Demo, duke e nisur me dramën “Nji mbret pa mbretni” dhe konotacionet që ndërmerr një titull i tillë në sheshin e teatrit, në kohën e propagandës kur edhe videot “takim me popullin” kanë si popull “aktorë”.
Biseda nisi me kujtime. Primo tha se e mban mend premierën e “Njeriu që pa vdekjen me sy”. Mban mend kordonin e policisë që donin të thyenin derën për të parë shfaqjen. Mban mend që Teatri i Elbasanit pa miratimin e Komitetit të Partisë vendosën të bënin një puthje në skenë. Elbasallinjtë ishin esnafë por e kapërdinë. U puthën aktorët aty. Kur Elsa Demo e pyeti për vitin 1969, kur Lec Shllakut (babait të Primos) i hapen probleme me një dramë, Primo kujtoi se i ati pati thënë se nuk dinte të shkruante drama. Kujtoi se ia kërkuan ta shkruante. “Ai e bëri dramën që i kërkuan e në të bënte parodi të nëpunësve të kohës që predikonin devotshmëri, por fëmijët e tyre në aksione vraponin me pula të pjekura.

Kur iu bë analiza dramës pas shfaqjes së parë, pati çudi. Mbledhja filloi në orën 10 dhe i pari foli Kujtim Spahivogli. Spahivogli tha se nuk e di ç’pret Sigurimi i Shtetit që nuk i vë prangat Lec Shllakut. U krijua një tension. Çohet Ndrekë Luca dhe thotë ‘kadalë se nuk e ke çliru vetëm ti Spahivogli’. Shfaqja nuk u vu më në skenë e babës nuk iu bënë probleme se vetë ia kishin miratuar. Por baba hoqi dorë nga teatri se tha nuk punohet me ta”, kujtoi Primo Shllaku.
Duke krahasuar kohët, para e pas ’90-ës, Shllaku tha se shumica e shfaqjeve kanë qenë propagandistike dhe aktorët s’kishin hapësirë me marr hov. “Pjesët nga autorët shkodranë dilnin shumë në pah. Edhe pse komunizëm kishte ende nevojë për Shkodrën, ndërsa sot nuk ndihet dhe më vjen keq. Me Esat Oktrovën e Serafin Fankon Shkodra bënte ‘gola’ në teatër. Atëherë kishte konkurrim, sot s’ka më konkurrim” , tha ai.
A ka më dramaturgë sot? I pyetur nga Elsa Demo, pyet nëse pavarësisht ideologjisë, dikur dramat kishin formën e duhur, por a ka më sot. Primo tha se sot ka mundësi të shihen se çfarë bëhet në Europë. Ai solli shembullin e artistëve të huaj që luajnë edhe 90-vjeçarë. Sipas tij, ata që merren me teatrin e varrosin çdo natë dhe kur shfaqja nuk është më ajo vdes. Çka nuk ndodh me filmin.
AKTORË PA KUJTESË
Primo në dramën e vet trajton “Aktorin pa kujtesë”.
“Kur e shkrova, e dija se kishte njerëz që besonin te koha zero, duke e quajtur 1944 si vit zero. E ndjeja se shoqëria shqiptare po humbte traditën e të menduarit, të të krijuarit dhe të punuarit. Po humbte kohezionin. Koha na kishte shti njëri kundër tjetrit. Doja t’i thosha shqiptarit se cila ishte kujtesa. Përpunova një grup teatror, tek i cili nis e shfaqet humbja e kujtesës. Ata në shfaqje e sipër nis e shkërmoqet. Flet vetëm sufleri. Derisa aktori më i mirë rrëzohet në skenë dhe vdes, vdes vërtetë. Unë detyrohem të ul siparin për të thënë që humbja e kujtesës bën të vdesë aktori më i mirë. Të nesërmen bëhet një gjyq i madh. Në aktin e tretë vjen drejtori i tretë u thotë aktorëve që janë matufosur dhe mbyll teatrin”, thotë Primo duke shtjelluar dramën e vet. Shton se drejtori që mendonte se ishte i paprekshëm, del se në fakt vuan nga amnezia e madhe. Sepse ai nuk kujton melodinë që luhet aty.
“Aty në atë dramë flitet për shembjen e teatrit e për prishjen e teatrit. 30 vjet më pas ajo që kisha shkruar, pothuajse ka ndodhur”, shton ai. Artist e bir artisti, ai thotë se ka besuar që arti duhet të ketë një lidhje të guximshme e të imtë me shoqërinë pa përshkruar dhe pa qenë nostalgjik.
Më pas flet për dramën “Nji mbret pa mbretni”. “Kur diktatorit i vjen fundi, nuk doja ta ballafaqoja me popullin e revoltuar. Sa bëhet gati me pi helmin se po vjen turma ta sulmojë, mëson se turma ka kthyer dhe ka marrë rrugën për të ikur në kufi”, thotë Primo duke shtuar se nuk e donte fundin të lavdishëm për mbretin e tij. “I kanë ikur ministrat e bashkëpunëtorët të gjithë. I ka ikur populli. Ai mbetet vetëm me gruan dhe thotë se mbretërova 25 vjet dhe po vdes në dyshek e kjo do mbahet mend”.

Shllaku ngulmon të vërë në dukje që nuk donte që mbreti/diktator të vdiste si hero.
Kur pyetet për artistët e mbretit në dramë, ai thotë se artistët janë të parët që blihen nga mbreti diktator.
“Me mbretërit historia tallet, ndërsa popujt i marrin seriozisht”, thekson ai.
Demo pyet për pezullin që ka kapur shoqërinë dhe atë pritjen që diçka të ndodhë. Primo thotë se shqiptarët po ikin. E krahason vendin me një enë qumështi. Po derdhet qumësht dhe ajka. Thotë se këtu do mbeten vetëm pensionistët, oligarkët, mbreti pa mbretni dhe hirra. Publiku që mbron teatrin në shesh nis të qeshë. Metafora është e qartë. Shqiptarët – thotë ai – ikin se kërkojnë atdhena të gatshëm. “Ajo që ka bërë ky grup i bukur njerëzish me vullnet tregon se sythi i patriotizmit ekziston. Ne s’na mbetet tjetër gjë veçse të guxojmë. Ky ka qenë, teatri ka qenë akt i pastër lirie. Ne jemi të ndarë si njerëz. As Tirana s’na hegjemonizoi. Lëvizja për teatrin ka një rol historik, që do të mbahet mend. Nëse do ketë njerëz që e këndojnë kujtesën më shumë se fitoren”, e mbyll ai fjalën e tij.

Dalin emrat – Ja kush janë biznesmenët e arrestuar në Tiranë, skema e mashtrimit

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me hetimin tatimor, ndërmorri mbrëmjen e së mërkurës një operacion të gjerë për ndalimin e disa personave, mes të cilëve edhe biznesmenë, që dyshohet se kishin ngritur skema mashtruese për tvsh.Dyshimet janë se të arrestuarit kishin krijuar firma fiktime, me qëllim shmangien e pagesave të detyrimeve. Megjithëse ende nuk ka një shifër zyrtare, mendohet se dëmi i krijuar është disa milionë euro.


Fillimisht mësohet se janë shoqëruar rreth 50 persona, por rreth 15 prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.Mësohet se abuzimet i përkasin periudhës 2017-2019, ndërsa operacioni është në vazhdën e atyre të ndërmarra më parë për goditjen fenomenit.

Në operacionin e djeshëm janë ndaluar biznesmenë të fushave të ndryshme, përfshi këtu edhe administrator të policive private. Një nga emrat e arrestuar është ai i Besnik Pelivanit, i cili është administrator i kompanisë së ndërtimit A.B.BE.Ilirjan Dimo, është një tjetër emër i arrestuar, ndërkohë që në pranga kanë rënë edhe Haxhi Sala pronar i kompanisë ‘LEKSI SECURITY’ dhe Astrit Lala, i cili po ashtu është ortak i kompanisë ‘LEKSI SECURITY ’.

Referuar të dhënave Leksi Security shtrin aktivitetin nga ruajtja e objekteve dhe institucioneve publike dhe private, te instalim dhe përdorim i sinjalistikës të radioalarmit dhe pajisjeve te pajisjeve te tjera te vëzhgimit, si dhe shoqërimin dhe ruajtjen e vlerave monetare. Gjithashtu në veprimtarinë e saj përfshihet furnizim, instalim dhe mirëmbajtje i pajisjeve te telekomunikacionit dhe radio ndërlidhjes/import eksport me shumicë dhe pakicë i materialeve te teknologjisë 2 elektrike dhe elektronike, pajisje për navigacion. Import eksporte dhe shitje, ndërtim dhe mirëmbajtje e avionëve dhe pjesëve të tyre, detektive dhe investigues private.Po kështu është arrestuar Shpresa Joanidhi, një tjetër administratore biznesi.

Fatmir Firi, administrator i kompanisë ARB & TRANS 2010, është një tjetër emër i arrestuar me urdhër të prokurorisë. Kompania në fjalë është e regjistruar për eksportimin dhe importimin, tregtimi me shumicë e pakicë i mallrave industriale, bujqësore, blegtorale, automjete e pjesë këmbimi, pajisje elektroshtëpiake, elektronike materiale ndërtimi te çdo lloji, lendë drusore, bojrave të ndryshme plastike për mure e fasada, kimikate dhe lënde të para, prodhime druri etj.

Kompania ka aktivitet në fushën e transportit të brendshem e të jashtëm për udhëtarë e për mallra në mënyrë tokësore si dhe servise për të gjitha llojet e automjeteve. Gjithashtu ka aktivitet në fushën e ndërtimit, gërmim dheu dhe prodhim materiale ndërtimi, etj.

Operacioni është ndërmarrë pas një hetimi disa mujor. Mësohet se personat e arrestuar dyshohet se kanë rregjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pa asnjë lloj aktiviteti, me qëllim tërheqjes e blloqeve Tatimore të TVSH-së, duke lëshuar fatura TVSH-je shitje (fiktive) për subjekte të treta.Në këtë mënyrë është krijuar një skemë mashtrimi përmes të cilës kryeshin shitje fictive, por duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së në blerje.

Burimet bëjnë të ditur se përmes kësaj veprimtarie anti-ligjore janë konsumuar veprat penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, “Fshehje të të Ardhurash”, “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve”.

Valë arrestimesh në Tiranë- Në pranga 20 biznesmenë, vijon super-aksioni

Një valë e gjerë arrestimesh është kryer këtë mbrëmje në Tiranë, me urdhër të Prokurorisë së kryeqytetit. Arrestimet janë bërë në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve.

Mësohet se deri tani në pranga kanë rënë të paktën 20 persona, shumica e cilëve janë biznesmenë, pasi akuzohen për shmangie të detyrimeve tatimore. Ndërkohë, bëhet me dije se aksioni vijon edhe në këto momente.


Send this to a friend