VOAL

VOAL

Vuçiq flet për herë të parë pasi del nga spitali: Unë jam i sëmurë kronik

Në një konferencë për shtyp, Presidenti i Serbisë iu përgjigj komenteve që gazetari N1 ishte fajtor për shtrimin e tij të papritur në spital.

I pyetur për të komentuar pretendimet se gazetari i këtij televizioni, Miodrag Sovilj ishte “fajtor” që Vuçiq, u pranua në spital të premten pasdite dhe se a kishte të drejtë të fajësonte shtypin, Aleksandar Vuçiq u përgjigj se shëndeti i tij nuk kishte asnjë lidhje me këtë çështje.

“Gazetari i televizionit tuaj nuk ka lidhje me shëndetin tim. Unë jam i sëmurë kronik”, shtoi Vuçiq. Ai gjithashtu sqaroi se në erdhi në konferencë nën terapi gjatë gjithë ditës dhe se ky nuk është sekret.

“Shëndeti im nuk ka asnjë lidhje me televizionin N1. Këto janë problemet e mia. Për momentin nuk jam në formën më të mirë, por për sa kohë që kam energji do të luftoj”, u shpreh Vuçiq.

Shkallon Rama: Publikon një foto me hartën ku Kosova është pjesë e Serbisë

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, sapo ka publikuar një hartë në të cilën Republika e Kosovës figuron brenda territorit të Serbisë.

Duke iu uruar mirëmëngjesi ndjekësve të tij në Facebook me një fytyrë të zgërdhirë, Rama ka treguar hartën e “investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë në zonat rurale të vendit nga veriu në jug” të Shqipërisë në kuadër të një videoje që e ka shpërndarë disa orë më parë.

Por ajo që shqetëson, siç mund ta vini re, është se territori i Republikës së Kosovës është lënë brenda Serbisë.

Kreu i opozitës pas takimit me Presidentin: Asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale

Kreu i opozitës, Lulzim Basha foli pas takimit me Presidentin Meta.

Basha ndër të tjera u shpreh se një prej çështjeve që u diskutua në takimin me Metën, ku të pranishëm ishin edhe aleatët e Partisë Demokratike, ishte zgjidhja e krizës politike.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka refuzuar në paktën katër raste ofertën e institucioneve ndërkombëtare për ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

“Nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale kushtetuese.

Do të marrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitë për zgjedhjet e parakohshme dhe do i bëjmë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë për të marrë pastaj të gjitha hapat e nevojshme”, tha Basha.

Ishte e para që tregoi përdhunimet gjatë luftës në Kosovës, gruaja “vdiq në dëshpërim”. I biri rrëfim tronditës

Haxhi Balaj mban mend që 5 maji 1999 ishte një ditë me diell dhe se nëna e tij Shehrija po mundohej të gjente diçka për drekë për familjen. Atyre u kishte mbaruar mielli, ndër shumë gjëra të tjera që mungonin në ato ditë të vështira gjatë luftës në Kosovë.

Nëna e tij, një grua rome, ishte në shtëpinë e tyre në fshatin Bllagaje, në komunën perëndimore të Pejës, kur u dëgjuan të shtëna me armë. Ajo u tha fëmijëve të saj të qëndronin në shtëpi dhe të mos dilnin jashtë.

Pak më vonë, një makinë policie serbe hyri në oborrin e tyre dhe katër policë me uniformë e morën atë dhe e çuan në një vend të panjohur. Në mbrëmje, ajo u kthye, e gjakosur dhe me të nxira në të gjithë trupin.

Në vitin 2013, Shehrije Balaj u bë dëshmitarja e parë femër nga Kosova që dëshmoi se si u përdhunua, duke dhënë prova në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç dhe 10 të tjerëve në Beograd për krime lufte të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan , Zahaq dhe Lubeniq afër qytetit të Pejës, ku të paktën 100 civilë u vranë në prill dhe maj 1999.

Autorët e krimit ishin anëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave të njohur si “Çakallët”, të komanduar nga Nebosoja Miniç, i njohur ndryshe edhe si “Mrtvi”. “Çakallët” nuk u krijuan gjatë luftës në Kosovë. Ata kishin kryer tashmë masakra në Bosnje dhe Kroaci.

Shehrija identifikoi tre prej tyre në gjykatë – Srecko Popoviç, Boban Bogiceviç dhe Dejan Bulatoviç. Një grup luftëtarësh të njësisë “Çakallët” u dënuan në Beograd në 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata serbe e apelit më pas e rrëzoi vendimin dhe çështja tani po rigjykohet.

Ndërkohë, Shehrije Balaj vdiq në varfëri në shtator 2018, pasi vuajti për shumë vite nga sëmundje të ndryshme.

Gjykata e Beogradit nuk u ofroi masa mbrojtëse viktimave dhe dëshmitarëve në gjyqin e njësisë “Çakallët, si edhe nuk u ofroi atyre këshillim apo mbështetje, tha djali i saj.

Në Kosovë, nënës së tij nuk iu dha as ndihmë dhe as përkrahje ekonomike. Dëshmia e saj për përdhunimin e saj nuk tërhoqi ndonjë vëmendje në vendlindjen e saj dhe ajo kurrë nuk u shtua në listat e ndonjë prej OJQ-ve të Kosovës që ofrojnë ndihmë për viktimat e përdhunimit gjatë luftës.

Ajo gjithashtu nuk arriti të fitonte statusin e viktimës së dhunës seksuale, një skemë e qeverisë së Kosovës që i jep mundësinë të mbijetuarave të kërkojnë pension mujor prej 230 eurosh pasi të kalojnë një proces verifikimi.

Ajo paraqiti një kërkesë, por Komisioni i qeverisë për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Kosovës nuk pranoi t’i konfirmonte BIRN nëse kjo kërkesë ishte rishikuar apo jo.

Ligji i Kosovës ofron statusin e të mbijetuarve për ata që u sulmuan seksualisht në luftën midis 27 shkurtit 1998, kur filloi konflikti i armatosur, dhe 20 qershorit 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova pas bombardimeve të NATO-s.

Por ligji nuk përfshin pensione për familjet e viktimave që vdiqën gjatë procesit të verifikimit ose për të afërmit e atyre që vdiqën si rezultat i sulmit.

“Me vdekjen e viktimës, merr fund edhe e drejta e saj për të përfituar statusin”, tha për BIRN Mirlinda Sada, drejtoresha e Medica Gjakova, një OJQ që ofron mbështetje shëndetësore dhe ekonomike për viktimat e dhunës seksuale në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Sada tha se ligji mund të ndryshohet në mënyrë që të përfshihen ata që kanë vdekur tashmë, por edhe të zgjasë afatin pesë vjeçar për aplikim.

Ajo ngriti çështjen e njerëzve që u bënë viktima të dhunës seksuale dy herë – shqiptarët e Kosovës dhe romët që u përdhunuan nga serbët gjatë luftës dhe nga shqiptarët menjëherë pas luftës.

“Kemi raste viktimash të përdhunuara nga të dyja palët – nga forcat e armatosura serbe dhe nga shqiptarët. Kemi gjithashtu raste në të cilat viktimat thonë se janë përdhunuar nga serbët, por kanë frikë të thonë se pësuan të njëjtën gjë edhe nga shqiptarët”, tha ajo.

“Trauma e luftës e përndiqte”

 

Ardiana Shala, një studiuese në psikologjinë sociale me fokus në traumën e luftës dhe përdhunimit, tha se aplikantët për statusin e verifikuar duhet të durojnë periudha të gjata pritjeje derisa aplikimi i tyre të rishikohet dhe të vendoset për të.

Ajo gjithashtu tha se duke njohur vetëm ata që iu nënshtruan dhunës seksuale para 20 qershorit 1999, autoritetet po shpërfillin vuajtjet e disa viktimave.

“Supozohet se shumica e viktimave të përdhunimit të luftës, të cilat u përdhunuan pas 20 qershorit mund t’i përkisnin grupeve etnike të pakicave (jo shqiptarë) dhe ata duhet të ndryshojnë afatin kohor”, argumentoi ajo.

Salih Nikci, i cili ishte dëshmitar në të njëjtin gjykim të “Çakallët” si Shehrije Balaj dhe dëshmoi dy herë në gjykatën e Beogradit për vrasjen e prindërve të tij dhe dhjetëra civilëve të tjerë në fshatrat Pavlan, Qyshk, Zahaq dhe Lubeniq, mendon se dëshmia e tij nuk ishte e plotë sepse ai nuk foli për përdhunimet që ishin kryer.

“Pjesa më e vështirë për burrat ishte të flisnin për përdhunimin e grave. Të gjithë ne që dëshmuam ishim në dijeni të këtyre rasteve, por nuk mund t’i tregonim të gjitha, edhe pse e patëm mundësinë për të folur për të gjitha”, tha Nikci.

Megjithatë, dy gra shqiptare etnike që dëshmuan në gjyq e kanë fituar statusin e viktimës seksuale të kohës së luftës.

Halit Gashi, një tjetër dëshmitar në çështjen kundër “Çakallët”, të afërmit e të cilit u vranë në Pavlan, tha se gratë rome që u bënë viktima të përdhunimit gjatë luftës, si Shehrije Haxhi, nuk morën vëmendjen e duhur “për shkak të prejardhjes së tyre etnike”.

“Unë jam në dijeni të rastit të saj. Është për të ardhur keq ajo që i ndodhi asaj gjatë dhe pas luftës”, tha tha Gashi.

Haxhi tha ndërkohë që gjykata e Beogradit nuk dha asnjë masë mbrojtëse për viktimat dhe dëshmitarët, apo t’u ofronte atyre ndonjë këshillim apo mbështetje.

Pas dëshmisë së saj në Beograd, ai kujtoi se si shëndeti i nënës së tij u përkeqësua më tej.

“Ajo kishte shumë probleme shëndetësore. Trauma e luftës e përndiqte akoma. Dëshmoi dy herë në gjykatë dhe kjo ishte shumë e vështirë për të”, shpjegoi Haxhi.

“Ajo shkoi dy herë në Beograd për të dëshmuar dhe kjo ishte shumë e lodhshme për të. Një herë humbi ndjenjat në gjykatë dhe e çuan në spital. Ballafaqimi me ata që e përdhunuan dhe risjellja në kujtesë e asaj ndodhie në sallën e gjyqit ishte tepër e padurueshme për të”, shtoi ai.

Ai shtoi se familja e ka shumë të vështirë të kujtojë vuajtjen e nënës së tij.

“Ajo vdiq në dëshpërim sepse askush nuk e njohu apo mbështeti atë, edhe pse ajo dëshmoi në gjykatë për përdhunimin”, tha ai.

Burimi: BIRN

DOKUMENTI- Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE: Vuri në diskutim dekretin për 30 qershorin dhe u tregoi gishtin shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE Bernd Borchardt.

Në dokumentin që disponon “Panorama”, kreu i shtetit është drejtuar me një letër Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se “Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.

LETRA E PLOTE

“Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t’i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë’, shkuhet në shkresën që presidenca i dërgon Zyrës së OSBE-së.

“17 nëntori” fyerje për tironasit, si pushkatuan komunistët civilë të pafajshëm kur hynë në qytet – Nga Armando MAHO

Pashe kalimthi kremtimet e asaj që komunistët e quajnë “çlirimi i Tiranës”. Data korrespondon me hyrjen e bandave komuniste, që morën në dorë kryeqytetin pas largimit pa shumë e rrokopujë të ushtrisë gjermane, së cilës “heroizmi” i bandave komuniste, me ç’duket, nga njëri vesh i hynte dhe nga tjetri i dilte.

Në planin global Shqipëria ishte, as më shumë e as më pak, një vrimë në mes të detit dhe Gjermania, që kishte nisur të merrte rrokullimën, e kishte mendjen gjetkë, në gjëra shumë më të rëndësishme sesa të merrej me një vend që ia la Italia peshqesh. Por krerëve jugosllavë, të ndjekur nga banditët komunistë shqiptarë, u duhej një luftë, qoftë dhe e stisur, për të justifikuar krimet që do të vinin më pas. Nga ana tjetër, komunistët shqiptarë, të trembur se mund t’u ikte shansi i fundit për të marrë pushtetin, e mbështetën me afsh idenë serbomadhe për zhdukjen e nacionalizmit, madje kishin detajuar një listë emrash, të cilët do të bëheshin kurbani i parë i komunistëve në Tiranë. E gjithë loja, më shumë se çlirimi i kryeqytetit, ishte të shtrohej tapeti për ardhjen e Enver Hoxhës.

E ç’kuptim do të kishte në rast se ata do të hynin në qytetin e braktisur? Gjërat ishin kalkuluar mirë. Luftën ata s’e kishin me ushtrinë gjermane, sepse çobanët dhe argatët tanë, pavarësisht injorancës së tyre, e dinin sa e kishin hapin. Ata e dinin fare mirë se mund të shiteshin si trima me popullsinë civile, të pambrojtur dhe të pangatërruar me luftën, por një ushtri të mirorganizuar dhe që kishte pushtuar gjysmën e botës as në sy nuk ishin në gjendje ta shikonin dhe jo më të luftonin me të.Banditët në fillim u organizuan në rrethinat e Tiranës dhe vëzhguan mirë lëvizjen e trupave gjermane.

Pasi ishte tërhequr më shumë se ¾ e divizionit gjerman që mbronte Tiranën, së bashku me pjesën tjetër të ushtrisë, pas urdhrave të krerëve të lartë të Vermahtit për të mbledhur trupat në Berlin, mësynë trimat me opinga. Shënjestra ishte e qartë: nën fushatën e terrorit që kishin ndjekur dhe në rrethe të tjera të vendit, gjëja e parë që bënë ishte bastisja dhe vrasja e nacionalistëve dhe njerëzve që kishin sadopak ndikim në popull. Vjedhja dhe plaçkitja ishin gjëra normale për kohën. Shumë familjeve tiranase u ishte dashur të linin qytetin jo për shkak të luftës, as nga frika e ushtrisë gjermane, por pikërisht nga frika e terrorit komunist. Vrasjet dhe përdhunimet që kishin bërë bandillët e Enver Hoxhës kishin marrë dhenë dhe në shtëpi kishin mbetur vetëm pleqtë, me mendimin se komunistët do t’i kursenin.

Në një bisedë që kam bërë me Dashamir Shehun më ka treguar se gjyshi i tij, një njeri fetar dhe me njëfarë ndikimi te njerëzit, u vra pikërisht nga bandat komuniste teksa merrnin Tiranën, madje i kishin vjedhur dhe ato pak para që i kishin gjetur në shtëpi. Familja kishte dalë në male dhe komunistët nuk ia kishin kursyer plumbin plakut, që kishte qëndruar për të ruajtur shtëpinë. “Më pas të afërmit e mi u detyruan ta varrosnin shpejt e shpejt dhe të thoshin se u vra nga bombardimet”, – më tregonte Dashamir Shehi. E njëjta gjë ndodhi dhe me pushkatimet te hoteli “Bristol” të shumë intelektualëve dhe nacionalistëve, të cilët u morën shtëpi më shtëpi më 16 nëntor dhe u pushkatuan të gjithë. Më tej historia dihet: vrasjet, plaçkitjet dhe në jo në pak raste dhe përdhunimet vazhduan, duke e shndërruar pushtimin komunist në një ankth të pafund.

Tiranasit në pjesën dërrmuese të tyre nuk i kanë dashur komunistët. Madje dhe ndonjë që i bashkohej qoftë dhe nga halli ideologjisë së kuqe, nuk fitonte ndonjë respekt të madh në sytë e pjesës tjetër të fisit, për të mos thënë se shihej shtrembër, aq sa thënia “s’ka mo keq se tironci komunist” e tiranasit të vjetër Sefer Daja (një tiranas i hershëm, të cilit komunistët i morën dhe atë pak pasuri që kishte dhe e punësuan si pastrues të WC-të publike te monumenti “Ushtari i panjohur”, ku sot vihen kurorat e çlirimit të Tiranës) u kthye në profeci për kohën. Por antipatia, madje mund të thuhet dhe urrejtja e tiranasve për komunistët, ishte edhe më e hershme se pas çlirimit. Dhe kjo për bëmat që përjetonte kryeqyteti nga ata që i thoshin vetes ilegalë.

Vjedhje të tregtarëve, vrasje pas shpine nga antetatorët e tipit Kajo Karafili, pa asnjë shkak e të tjera si këto. Por një tjetër arsye se pse Tirana i mbante larg ata ishte dhe se temat mbi imoralitetin e tyre në shtëpitë që u merrnin me qira tiranasve kishin marrë dhenë. “Shoqet” që mblidheshin në këto baza shërbenin më shumë si femra haremi për krerët e lartë të partisë. Në shumë raste të zotët e shtëpive zgjidhnin në mënyrë të njëanshme qiratë me ilegalët, duke i kërcënuar se për veprimet e tyre do t’i raportonin dhe në milici, por pa e ditur se më pas do të futeshin në listat e zeza të tradhtarëve dhe armiqve të luftës. Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse nga Tirana ka pasur pak ose aspak femra që do t’u bashkoheshin çetave komuniste.Festimi i 17 nëntorit për tiranasit është ofendim.

Atyre u kujton marrjen e pronës dhe katrahurën që solli pushtimi komunist. Mund të quhet “dita e largimit të gjermaneve nga Tirana”, por kurrsesi çlirimi i saj. Tiranasit e vjetër janë ata që e vuajtën më së shumti këtë paçavure që na i vënë një emër të madh, që simbolizon lirinë. Si pasojë e atyre që dje i vranë e i vodhën, sot ata duhet të enden nëpër dyert e gjykatave me vite të tëra për të njohur pronën e tyre. Përfaqësuesit e PS-së u mblodhën sërish duke vendosur kurora. dhe jo vetëm se me këtë veprim duan të kënaqin interesat e shumicës së votuesve të tyre, që janë ish-komunistët dhe pinjollët e tyre, por sepse në shumë raste ata e mendojnë si çlirim ose data simbol e lirisë. Kjo është e tepërt për këtë qytet.

Mirush Kabashi: Adela Gjoka, 23 vjeçe i dha fund jetës për shkak të varfërisë ekstreme e pamundësisë për të gjetur një vend pune

Aktori i shquar Mirush Kabashi reagon në Facebook pas vetvrasjes të Adela Gjokës, vajzës 23 vjeçare, që posa ishte diplomuar në inxhinieri por nuk gjente dot vend pune. Ja si shkruan Kabashi:

“Adela Gjoka, një vajzë vetëm 23 vjeçe nga Rrësheni i dha fund jetës në kushtet e një depresioni të rëndë për shkak të varfërisë ekstreme të familjes së saj dhe pamundësisë për të gjetur një vend pune.

E diplomuar për inxhinieri, ajo u end më kot dyerve shtetërore pasi nuk mori kurrë një përgjigje pozitive.

Çdo përplasje dere ishte një thyerje zemre për të. I vranë shpresën teksa i duhej me patjetër një punë që të shlyente borxhet e familjes. Prindërit e saj të papunë, ishin zhytur në halle vetëm e vetëm që të shkollonin Adelën. Kishin qenë entuziastë se së paku hallet do tu mbaronin kur e bija të diplomohej.

Diploma në perceptimin e tyre përkthehej me punësim. Punësimi, në para. E paratë në shlyerje borxhesh. Se dinin ende të gjorët se për një vend pune duhet të kesh zyrtar partie, 5 mijë euro, ose të jesh dashnorja e ndonjë drejtori idjot që vjen era kërmë e që paguhet për të bërë kurvarin, sekserin, spiunin e servilin.

Adela u hodh mbrëmë rreth orës 23:00 nga kati i shtatë i pallatit ku jetonte në Rrëshen.

Britmat e Adelës në “fluturimin” drejt fatalitetit tmerruan një qytet të tërë.

Sot në Rrëshen të gjithë ulën kokat para trupit të së ndjerës.

Askush nuk pati guximin për ti hedhur sytë këtij engjëlli që me vetëvrasjen e saj deshi të vriste një shoqëri të tërë.

Deshi të vriste ata që e nëpërkëmbën. Ata që përqafojnë antivlerat dhe injorantët.

Ata që nuk i dhanë një dorë që të ngjitej si shoqet e saja që kanë prindër nëpunësa apo me poste politike.

Për Adelën askush se gjeti dot një vend pune. Aq shumë e donte punën sa së fundmi ajo po kërkonte të ikte nga vendi. Të gjente një punë edhe si babysitter diku në Europë, mjafton që të largohej…

Por fati se deshi dhe gjërat nuk shkuan në vijën e duhur. Ajo mbrëmë nuk e përballoi më gjendjen që e kishte kapluar. I

Iku duke na dhënë një shuplakë të mirë të gjithëve dhe për të pushuar e vetme në paqe!”😥😥

Ngushellime familjes për këtë humbje te madhe.🙏

Presidenca: Brenda javës nxjerrim videon. Prova përvëluese jo vetëm për Dvoranin, por edhe zyrtarë të tjerë

Presidenti Ilir Meta ka rikonfirmuar përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, se ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Adrian Dvorani.



Përmes një mesazhi në “Facebook”, Blushi thekson se po administrohen prova të reja përvëluese për Dvoranin, por që sipas tij, “shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë”.

Më tej, zëdhënësi i Metës paralajmëron se “brenda javës Presidenca do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Reagimi i plotë:

Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.

Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë.

Letra e Presidentit për partitë e opozitës – çfarë kërkon Meta

Pas deklaratave për shpërndarjen e Parlamentit me një dekret dhe përplasjes me maxhorancën për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë lëvizjen e radhës.

Ilir Meta i ka dërguar një letër 9 partive që u larguan nga Parlamenti, të cilave u kërkon takim urgjent për “situatën dramatike” që është krijuar në vend.

Letra e Metës i është drejtuar kreu të PD-së, Lulzim Basha, kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, Kreu të PR-së, Fatmir Mediu, kryetari të PAA-së, Agron Duka, kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, Kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, po ashtu dhe Shpëtim Idrizit të PDIU-së dhe Shpëtim Axhamit të Legalitetit.

Në letër theksohet se: “ I nderuar zoti Basha, nisur nga situata dramatike në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme ju ftoj juve dhe të gjitha kryetarëve të Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejtë, mundësisht përpara ditës së mërkurë, datë 20.11.2019”, thuhet në letrën e kreut të shtetit.

EMRAT- KLP publikon listën e prokurorëve për shortin e KED

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar listën e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Nga kjo liste jane perjashtuar Arqilea Koça, Ferdinand Elezi, Alfred Agolli, Artan Bajrami,  Irma Balli dhe Elvin Gokaj, te cilet nuk kane permbushur kriteret per te qene pjese e ketij shorti.

Emrat qe jane ne liste:

I) Prokuroria e Përgjithshme

1. Arta Marku

2. Adnan Xholi,

3. Adnand Kosova,

4. Alfred Progonati,

5. Alma Muça,

6. Anila Leka,

7. Arben Kraja,

8. Bilbil Mete,

9. Kujtim Luli,

10. Sokol Stojani,

11. Thoma Jano

II) Prokuroritë e Apeleve

1. Dritan Peka,

2. Altin Dumani,

3. Arben Qosja,

4. Edmond Hyka,

5. Fatjona Memcaj,

6. Genti Xholi,

7. Nezir Gjoka,

8. Moisi Duda,

9. Ludovik Dodaj,

10. Altin Binaj,

11. Henrik Haxhiraj,

12. Pelivan Malaj,

13. Kleanthi Zeka,

14. Brahim Dragjoshi,

15. Rozeta Qirjaqi.

16. Gjon Fusha.

Lista me kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe lista me kandidatet që nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore, i dërgohet Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Kushtetuesja publikon listën: Ja gjyqtarët që plotësojnë kushtet e parashikuara (Mungon Arta Vorpsi)

Në mbështetje të nenit 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin nr.47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot, më 15.11.2019, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;

  1. Z. Besnik Muçi, gjyqtar;
  2. Znj. Elsa Toska, gjyqtare;
  3. Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;
  4. Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.

Hetime federale ndaj Rudy Giulianit, avokatit të Presidentit Trump

Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, duke folur në aktivitetin e MEK-ëve në Shqipëri, 13 korrik 2019.

Prokurorët federalë kanë hapur një hetim ndaj Rudy Giulianit, avokatit personal të Presidentit Donald Trump, njoftoi rrjeti televiziv Bloomberg.

Prokurorët po hetojnë për shkelje të mundshme të ligjit për financimin e fushatave elektorale, si dhe faktin që zoti Giuliani nuk u regjistrua si një agjent i huaj, thuhet në artikullin e rrjetit Bloomberg-ut.

Zoti Giuliani, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, është shfaqur si një personazh kryesor në hetimet për shkarkimin e Presidentit Trump. Ligjvënësit po shqyrtojnë ndër të tjera se çfarë roli luajti zoti Giuliani në presionin ushtruar Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që të hetonte rivalët e Presidentit Trump.

Mimi Rocah, ish-prokurore federale me Prokurorinë e Distriktit Jugor të Nju Jorkut i tha rrjetit Bloomberg, se ajo “nuk do të befasohej” nëse ndaj zotit Giuliani ngrihen akuza si rezultat i këtij hetimi federal.

Është e qartë se Giuliani është i zhytur thellë në gjëra të errëta“, tha ajo. zëri i amerikës

“Parlamenti me një dekret shpërndahet”, paralajmërimi i fundit i Metës

Kreu i shtetit Ilir Meta tha se ka një paralajmërim të fundit për atë që e quajti bandë uzurpatore që ka dy vjet që ka përdhosur Kushtetutën e vendit. I pyetur nëse po paralajmëron shpërndarjen e Parlamentit me shprehjen se “parlamenti me një dekret shpërndahet’, Meta tha se në momentin e duhur do i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë.

FJALA E KREUT TE SHTETIT

Pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë në pabesi ndaj vullnetit të popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve kam një paralajmërim të fundit për gjithë ata që mendojne se betimi i Ilir Metës me doren mbi Kushtetute ka qenë një proces formal apo ceremonial.

Nuk ka institucion më të rëndësishëm në republiken e Shqiperise se sa Kushtetuta e Rebublikes se Shqiperise e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm e pacënueshëm në integritetin e vet, qe është Gjykata Kushtetuese.

Përpjekjet për të dhunaur Kushtetuten në përpjekje për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e GJK janë të dështuara, jane të vdekura.

Askush të mos guxojë të përdhosë GJK, është institucioni më i rëndësishëm.

Parlamenti me një dekret shpërndahet, qeveria me një mocion rrezohet, presidenti përsëri shkarkohet por jo GJK.

Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale duhet ti bëj të qartë se në fund fare kjo është kuhtetutë që mbron popullin dhe do jetë detyra e presidentit që ti tregojë vendin kësaj bande uzurpatore”.

PYETJE: Po paralajmëroni për shpërndarjen e parlamentit?

Presidenti: Jam i qartë, secili të shikojë detyren e vet detyra do jetë e presidentit
dhe në momentin e duhur presidenti do i drejtohet popullit dhe gjithe botës per të mbrojtur demokracinë që është dhunuar në mënyrë barbare sidomos në këto dy vite që u la pa GJK vendi.

Zëri i Amerikës: Prokurori i Përgjithshëm, Çela i pari në listë

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi renditjen përfundimtare të kandidatëve për Prokurorin e Përgjithshëm, ku në krye të listës që do i propozohet parlamentit është renditur prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela.

Ai është në garë me drejtuesen aktuale të Prokurorisë Arta Marku, e cila u rendit e dyta dhe Prokuroren e Apelit në Tiranë Fatjona Memçaj, e treta në listë. Vendimi i Këshillit erdhi pasi dje dëgjoi platformat që të tre kandidatët shpalosën për detyrën që synojnë të marrin, dhe ku zoti Çela ra në sy për prezantimin e një platforme tejet të detajuar, e cila përmbante nga plani veprimit, te objektivat e synuar dhe mekanizmat për realizimin e këtyre objektivave.

Pavarësisht renditjes, parlamenti i cili duhet të thotë fjalen e fundit, mund të zgjedhë një nga tre kandidatët. Por zoti Çela është i favorizuar, pasi ai kalon automatikisht nëse nuk arrihet kuota e 84 votave të nevojshme. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha se besonte që “në frymën e Reformës e cila i mëshon fort meritokracisë, depolitizimit në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve dhe drejtuesve të organeve të sistemit të Drejtësisë, edhe parlamenti shpresoj se do të marrë parasysh pozicionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe do të votojë atë që ne e renditëm të parin”.

Revista e njohur „Stav“ e Sarajevës boton shkrim për librin „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ të diplomatit shqiptar Shaban Murati (fotot)

Revista e njohur „Stav“ e Sarajevës boton shkrim për librin „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ të autorit Shaban Murati, shkruar nga Dr. Admir Lisica, studjues i njohur në „Qendrën Ballkanike për analiza dhe studime“ të Sarajevës, që po ua sjell të përkthyer në gjuhën shqipe nga diplomati dhe përkthyesi i mirënjohur Xhelal Fejza.


Boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më mirë.
Dr.Admir Lisica
Libri „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ i autorit Shaban Murati, diplomat shqiptar me eksperiencë pesëdhjetëvjeçare, ka lindur gjatë pesëmbëdhjetë viteve, nëpërmjet artikujve të Muratit, të cilat i ka publikuar vazhdimisht në mediat shqiptare dhe rajonale. Bëhet fjalë për pikëpamje të autorit në lidhje me problemet shoqërore-politike në rajon, me theks të veçantë në pozitën e Bosnjë-Hercegovinës dhe të popullit boshnjak. Mbi bazën e eksperiencës shumëdekadëshe diplomatike, që e ka fituar në Suedi, Finlandë, Islandë dhe Maqedoninë Veriore, autori analizon raportin e Europës ndaj Bosnjë-Hercegovinës, e cila në pesëmbëdhjetë vitet e kaluara ka qenë shpesh temë e zyrtarëve të lartë europianë. Murati në këtë libër e vë theksin në mënyrë të veçantë në padrejtësinë, që i është bërë shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe popullit të saj më të madh në numër, nëpërmjet krijimit të Republikës Srpska, e cila lindi si pasojë e genocidit, gjë të cilën autori në artikujt e tij e nënvizon. Një nga temat thelbësore të këtij libri ka të bëjë edhe me raportin mes dy popujve miq, boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilët në të shkuarën, për fat të keq nuk e kanë ndihmuar njëri tjetrin
„Dy popujt tanë, boshnjakët dhe shqiptarët, kanë shumë gjëra të përbashkëta, që i lidh nga e kaluara, dhe për këtë duhet të bashkëpunojnë më mirë. Sarajeva dhe Tirana janë shumë të ngjashëm për nga njerëzit që jetojnë në to, xhamitë e tyre janë të ngjashme, e përbashkët është e kaluara e tyre osmane dhe shumë gjëra të tjera. Ky është një libër për mirëkuptimin e çështjes së Bosnjë-Hercegovinës nga një shqiptar. Gjatë pesëmbëshjetë viteve të kaluara, nga 2003 deri në 2018, në mënyrë të vazhdueshme kam publikuar analiza politike me theks çështjen boshnjake. Librin tim e publikoi qendra kërkimore „Alsar“ nga Tirana dhe më bëhet qejfi për këtë, sepse vetë fakti i përkthimit në gjuhën boshnjake dhe shqiptare flet për atë se kemi një dëshirë të dyanshme për afrimin e dy popujve tanë“, tha Murati në promovimin e librit të tij në Sarajevë.
Duke lexuar artikujt e Muratit mund të konkludohet se autori e njeh jashtëzakonisht mirë situatën politike në rajon, në mënyrë të veçantë në Bosnjë-Hercegovinë, gjë për të cilën disa herë kritikon pushtetin në Shqipëri, i cili në disa raste nuk ka treguar mirëkuptim për Bosnjë-Hercegovinën dhe popullin boshnjak. Një prej artikujve të tij mban titullin „Linçimi serb i Izetbegoviçit dhe heshtja shqiptare“. Në këtë tekst Murati problematizon heshtjen e pushtetit dhe të mediave në Shqipëri, të cilat nuk u rreshtuan menjëherë përkrah antarit të atëhershëm të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, i cili në një intervistë për „Dojçe Vele-n“ shprehu bindjen se Bosnjë-Hercegovina një ditë do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Murati nënvizon se ky qëndrim i antarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës flet shumë, dhe se nëpërmjet tij mund të shihet përse zyrtarët e Kosovës duhet të kenë një qëndrim më miqësor ndaj boshnjakëve dhe shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Murati thekson se në kohën e kaluar shqiptarët dhe boshnjakët kanë qenë deri diku të distancuar me njëri-tjetrin.
„Kam shkruar për Bosnjën dhe boshnjakët në mënyrë të vazhdueshme, duke u përpjekur që opinionit publik shqiptar t’i dëshmoj se çfarë po ngjet në skenën politike të atjeshme. Kam folur për të ashtuquajturën pjesë separatiste të Bosnjë-Hercegovinë, që quhet Republika Srpska. Ajo që më duhet të nënvizoj është se unë jam ndoshta i vetmi, që është marrë në mënyrë të detajuar me këtë çështje, se ky është libri i parë që merret me çështjet e politikës së jashtme shqiptare dhe boshnjake, me theks të veçantë: të ashtuquajturën entitet Republika Srpska, Sanxhakun, Kosovën dhe natyrisht Bosnjë-Hercegovinën. Dhe për këtë nënvizoj se ka shumë rëndësi që është publikuar ky libër“.
Një prej promotorëve, Anes Xhunuzoviç, nënvizoi se në librin „Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana“ autori ka theksuar se çdo shpërthim konflikti ndëretnik në Bosnjë-Hercegovinë do të kishte pasoja direkte edhe në shtetet fqinjë, por edhe në mbarë rajonin. Ka vlerësuar se për këtë, procesi i konsolidimit dhe forcimit të funksionimit të shtetit, duhet të ketë mbështetje të të gjithë shteteve në Ballkan.
POZICIONIMI PËR TË VËRTETËN NË BOSNJË-HERCEGOVINË
Interesant ishte edhe fjala e një promotori tjetër, Edhem Biçakçiçit, i cili nënvizoi mirënjohjen për organizatorin, „Qendrën Ballkanike për analiza dhe studime“, e cila është përpjekur të realizojë promovimin e kësaj vepre, e cila është publikuar në gjuhën shqipe dhe boshnjake. Biçakçiçi shfrytëzoi rastin që të falenderojë autorin e librit Shaban Muratin për pozicionimin e tij direkt në lidhje me të vërtetën në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është e dukshme në faqet e këtij libri.
„Vepra analizon marrëdhëniet në rajon nga perspektiva e një diplomati, i cili mbi bazën e eksperiencës së pasur, i flet opinionit publik në vendin e tij mbi ngjarjet në vendin mik Bosnjë-Hercegovinë. Boshnjakët dhe shqiptarët, të cilët në shtetin e përbashkët osman kanë garuar se kush e kush do t’i japë më shumë ministra cilësorë të oborrit (të Sulltanit. Shën. im), pashallarë, artistë, mësues, gjë që flet për ngjashmërinë mes nesh. Ne jemi dy popuj miq, që i lidh historia dhe përkatësia fetare e përbashkët. Ajo që është interesante sot, Bosnjë-Hercegovina është një vend me më shumë se 50% popullsi muslimane, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje shkon deri në 70%. Autori, në 30 tekste, analizon tema jashtëzakonisht thelbësore edhe për këtë unë e falenderoj. Ajo që konsideroj urgjente është se në në të ardhmen duhet të zhvillojmë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për lidhjet mes të rinjve, të cilët në të ardhmen do të forcojnë lidhjet mes vendeve tona. Kur bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Kosovës shumica e qytetarëve tanë dëshiron njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, por procedura e marrjes së vendimit në Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës kërkon konsensusin. Kjo për momentin është e parealizueshme, por besoj se së shpejti do të krijohen kushtet. Megjithatë, mendoj se mund të përparojmë marrëdhëniet mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës në kuptimin e njohjes së dokumenteve, siguracioneve, gjë e cila do të na siguronte lidhje më të mira mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Ne e konsiderojmë Kosovën si shtet të pavarur. Ajo që janë Austria dhe Gjermania, janë Kosova dhe Shqipëria“, nënvizoi Biçakçiçi.
Konkluzioni i përbashkët i promotorëve, botuesve dhe organizatorëve të promovimit për veprën „Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana“ : E përbashkët është se boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më intensivisht, sepse mes dy popujve nuk ka asnjë çështje të hapur, e cila mund të ishte pengesë në këtë rrugë.

Donika Prela: Edhe pse brenda burgjeve, kriminelët vazhdojnë të rrezikojnë seriozisht sigurinë e vendit

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, u shpreh sot se “elementë shumë të rrezikshëm eshte konstatuar që edhe pse ndodhen brenda burgjeve ose si të dënuar apo paraburgosur kanë vazhduar me intensitet të ruajnë lidhjet e tyre kriminale si brenda dhe jashtë burgut duke u bërë rrezik serioz për rendin dhe sigurinë në burgje por jo vetëm.”

Madje sic tha ajo, “kanë guxuar  megjithëse kanë qenë të izoluar në burg të bëhen rrezik serioz edhe për punën e punonjësve të drejtësisë”.

Donika Prela kujtoi se në fillim vit kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore, ndërkohë që regjimi i posacem ne burgje eshte deleguar edhe per Prokurorin e Krimeve te Renda.

Prokurori italian: Mafia shqiptare e lidhur ngushtë me Ndrangheta, ç’duhet të bëni me kriminelët në burgje

Federico Cafiero De Raho, prokurori italian i Antimafies tha sot se regjimi i posacem i burgosjes se personave anetare te bandave te krimit te organizuar eshte nje mjet i fuqishem per te nderprere lidhjet e ketyre krimineleve me boten jashte burgut dhe goditja e krimit te organizuar.

Sipas tij, kete mjet e disponon Italia prej vitesh dhe ka rezultuar shume efikas. De Raho u shpreh se mafia shqiptare i ka te ngushta lidhjet me disa nga bandat dhe organizatat e medha italiane mafioze, si Ndrangheta.

“Me kriminalitetin e Ndragetës krimi shqiptar ka lidhur marrëveshje punojnë shpesh të dyja palët dhe organizata zhvillohet mbi një territor të tërë evropan, mbi portet e Evropës, organizatat marrin sasi të mëdha kokaine të eksportuara që kthehen në pasuri që shtrihen jo vetëm në Everopë, organizata italiane Ndrageta e ka shtritrë edhe në Kanada, Amerikë veprimtarine e saj, ka baza të fuqishme dhe kjo e bën të mundur të jetë shumë e përhapur e të vërë mënjanë një pasuri shumë të madhe.

Me angazhimin që Italia ka treguar në luftën kundër krimit mafioz në vitet 80-90 por edhe kundër grupeve të tjera kriminale Italia ka fituar një legjislacion shumë të fuqishëm, aty ku u mendua që të gjendeshin mënyra specifike për luftën ndaj mafies.

Italia po përpiqet ta përhapë si konfiskimi parandalues që është mjet shumë i duhur për të goditur pasuritë mafioze, ai politikan qe e hartoi legjislacionin u vra nga mafia dhe parlamenti priti deri sa u vra dhe prefekti i Plermos dhe më pas parlamenti miratoi një ligj themelor që përmirësoi mjetet, por duhet të ndodhte edhe ngjarja e rëndë ku u vra gjyqtari Falcone me eskortën e tij që të miratoheshin dispozitat ligjore, që ka të bëjë me regjimin në burg të posacëm për ata që kanë kryer vepra penale mafioze.

Drejtësia shqiptare është duke përshkuar një rrugë të ngjashme me atë të Italisë, duhet ndaluar mafia që të vazhdojë të qeverisë e të mbajë lidhjet me jashtë. Të burgosurit duhet të kenë një ndërprerje totale me të gjithë lidhjet jashtë, të ndërpriten bisedat dhe të ndiqen bisedat moment pas momenti

Ky mjet i fuqishëm, burgimi me regjim të posacëm, do flasim sot edhe në lidhje me menaxhimin e pasurive të sekuestruara që ka rëndësi të madhe për të luftuar mafien”.

“Janë kërcënim i vërtetë, kriminelët vazhdojnë dhe nga burgjet drejtojnë bandat”, thirrja e ambasadorit britanik

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman kërkoi nga drejtoria e Burgjeve shqiptare të bëjë më shumë që të bllokojë komunikimet me telefon të të dënuarve brenda qelive, kriminelë që drejtojnë ende bandat e tyre mafioze jashtë dhe krimet vazhdojnë.

“Burgjet kanë kriminelë të nivelit të lartë dhe janë kërcënim i vërtëtë për shoqerinë.

Ne e dimë që kanë vazhduar të drejtojnë grupet e tyre mafioze edhe brenda mureve të burgut.

Një punë e mëtejshme që duhet të bëjë drejtoria e burgjeve për të bllokuar komunikimin e tyre me telefon.

Lufta kundër krimit vetëm në këtë mënyrë mund të ndalohet dhe këtë luftë duhet ta bëjmë jo vetëm në rrugët e Britanisë apo Shqipërisë”, tha ai.

Ceremonia e betimit, Presidenti fton tre anëtarët e Kushtetueses, përfshin Xhaferrllarin, përjashton Vorpsin

Kreu i shtetit, Ilir Meta e ka përjashtuar Arta Vorpsin nga ceremonia e betimit të gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, e cila është emri që u votua nga Parlamenti, edhe pse ishte kompetencë e Presidentit.

Vorpsi u betua ditën e sotme përpara një notereje dje dokumentin e betimit ia ka nisur edhe Presidencës. Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca, Ilir Meta ka thirrur në ceremoninë e betimit anëtaren e Gjykatës Kushtetuese që dekretoi dje, Marsida Xhaferrllarin dhe dy kandidaturat e votuara nga Parlamenti ne fillim te kesaj jave, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

Njoftim mbi organizimin e ceremonisë së betimit të gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
INSTITUCIONI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Nr. 4312/1 Prot. Tiranë, më 14.11.2019

NJOFTIM

MBI ORGANIZIMIN E CEREMONISË SË BETIMIT TË GJYQTARËVE TË RINJ TË GJYKATËS KUSHTETUESE.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ka vendosur të thërrasë sot për betim, përpara Presidentit të Republikës, anëtarët e rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese.

Zonja Elsa Toska e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 133/2019 datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:00.

Zonja Marsida Xhaferllari, e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:30.

Zonja Fiona Papajorgji e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 134/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot më datë 14.11.2019, ora 20:00.

Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Thellohet kaosi te Kushtetuesja, Vorpsi zgjedh të betohet para një noteri

Thellohet kaosi me emërimet në Gjykatën kushtetuese, e kthyer në një mollë sherri, mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe shumicës së majtë qeverisëse. Arta Vorpsi, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka bërë një lëvizje të papritur, duke u betuar te një notere.

Përpara noteres Miranda Xhemalçe, ajo ka lexuar formulën e betimit: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia, do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Por me vetë aktin e betimit përpara një notereje, zonja Vorpsi, duket se ka bërë një shkelje të hapur, pikërisht të Kushtetutës e cila përcakton në mënyrë fare të qartë në nenin 129 se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Një kopje të betimit të saj, ajo ja ka dërguar dhe Presidenti Meta, ashtu dhe vetë Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se nuk është e qartë se çfarë vlere juridike mund të ketë një akt i tillë.

Presidenti Meta deklaroi mbrëmë se botimi në Fletoren zyrtare sipas tij nuk ka vlerë. “Çdo botim kontrabandë në Fletoren zyrtare padyshim që nuk sjell asnjë detyrim për presidentin e Republikës”, u shpreh zoti Meta, i cili më parë, për të njejtën vakancë emëroi Marsida Xhaferllarin në tejkalim të afatit 30 ditor që i përcakton atij Ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Përmes zëdhënësit të tij, zotit Meta reagoi me ironi pas lajmit të betimit të zonjës Vorpsi, duke deklaruar se “nuk pengoj askënd të betohet as te noterja, as te parukierja”.

Kur do ta shpërndajë Parlamentin? Ja si përgjigjet Meta

Gjatë konferencës për shtyp ku në fokus ishte emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u pyet se kur do të shpërndante Parlamentin.

Meta nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por se “Kjo është një kërkesë e përgjithshme dhe e vazhdueshme por Presidenti do të sillet me përgjegjshmëri”.

Zëri i Amerikës: Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, nis pyetja e kandidatëve

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) nisi sot seancat dëgjimore me tre kandidatët e mbetur në garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, e cila hyn kështu në fazën përmbyllëse. Pas seancave të sotme, KLP, mbetet që të bëjë vlerësimin përfundimtar dhe renditjen e kandidatëve sipas një sistemi pikëzimi. Në garë janë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, Prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela.

Zonja Marku kërkon të marrë një mandat të plotë, pasi u emërua nga parlamenti me një mandat provizor në dhjetor të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe ajo ka qenë në shënjestër të kritikave, sidomos të opozitës, për zvarritje sipas saj të hetimeve në çështje ku rezuton të implikuar eksponentë socialist, ndërkohë që dhe disa emërime apo lëvizje prokurorësh nga ana e saj janë shoqëruar, shpesh me polemika. Zonja Marku ishte e para që sot doli para anëtarëve të KLP-së.

Kandidatja e dytë Memçaj, ishte ndër të parat që kaloi testin e rivlerësimit. Ndërsa ka zhvilluar studime edhe jashtë vendit, ajo ka mbuluar detyrën e Prokurores së Apelit që prej viti 2013, ndërsa më parë ka mbuluar detyra administrative në Presidencë, apo për disa muaj dhe si drejtore kabineti e Prokurorit të Përgjithshëm në periudhën janar-shtator 2013. Ajo dallohet në veanti për formimin e saj akademik.

Prokurori Çela shihet si një kandidat i fortë në garë. Ai është ndër të paktët që kaloi pa asnjë problem dhe pa ju ngritur asnjë dyshim, procesin e rivlerësimit, në të 3 kriteret e tij, atë formimit profesional, të pastërtisë së figurisë si dhe të pasurisë, kriter i cili ka qenë shkak që ka çuar në shkarkimin e pjesës dërmmuese të gjykatësve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar rivlerësimit. Ai vjen në garën për Prokurorin e Përgjithshëm, pas një karriere të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të cilën e ka drejtuar dhe për disa vite.

Procesi për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, ishte ndër çështjet e para me të cilat u mor KLP-ja, menjëherë sapo nisi funksionin në fillim të këtij viti. Pas përmbylljes së seancave dëgjimore, një moment me rëndësi është renditja e kandidatëve, pasi ajo mund të rezultojë dhe përcaktuese për emrin që do të drejtojë në vitet e ardhshme organin e akuzës, ndonëse fjala e fundit i takon parlamentit. Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon një shumicë të cilësuar me 3 të pestat e parlamentit. Në rast se ku quorum nuk arrihet, atëherë automatikisht, posti i kalon kandidatit të renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Plas dhuna tek Astiri- Ambasada e Holandës reagon për rrahjen e Anxhelës: Jemi të shokuar

Ambasada holandeze në Tiranë ka dënuar ashpër dhunimin e transgjinores Anxhela H. sot përpara Parlamentit nga një grup personash.

“Të shokuar nga ky akt dhune kunder nje anetare të komunitetit transgjinor ne Shqiperi, Ambasada Hollandeze mbeshtet deklaraten e Komisionerit per Mbrojtjen nga Diskriminimi qe denon sulmin dhe I ben thirrje autoriteteve ligj zbatuese të marrin masat e duhura. Gjithsecili duhet të jete i lire të jete vetvetja dhe të dashuroje kedo qe deshiron!”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ndërkohë, dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka dënuar sulmin ndaj pjestares së komunitetit transgjinor në Shqipëri, si dhe i bënë thirrje autoriteteve të vënë përpara përgjegjësisë autorët.

Deklaratë për Shtyp:

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënon me ashpërsi sulmin fizik e psikologjik ushtruar ndaj Anxhela H., pjesë e komunitetit transgjinor në Shqipëri.

Nga raportimet e para mësohet se pjesëtarja e komunitetit transgjinor është përndjekur dhe sulmuar, duke u targetuar për marrjen pjesë në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë.

Komisioneri Dr. Gajda nxit Policinë e Shtetit dhe prokurorinë e Tiranës të marrin masa për të identifikuar personat që kryen aktin e pashembullt të dhunimit, diskriminimit dhe përndjekjes së Anxhelës.

Aktet e dhunës, diskrimiminimit dhe krimet e urrejtjes ndaj komunitetit transgjinor, çdo komuniteti tjetër apo grupi vulnerabël është e papranueshme në një shoqëri demokratike që aspiron standarte të larta të respektimit të të drejtave Njerëzore.

Dega e Vetëvendosjes në Shqipëri ia kthen Erion Veliajt: Pse Rama bën marrëveshje me Vuçiçin në emër të Kosovës

Kryetari i Bordit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Enis Sulstarova, ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkisë së Tiranës të udhëhequr nga Erion Velijaj. Sulstarova ka pyetur se a i takon Edi Ramës të merret vesh me Vuçiqin për “marrëveshje rajonale” në emër të Kosovës. Kjo pasi në një reagim të Bashkisë së Tiranës thuhet se “Vetëvendosja është e votuar të qeverisë Kosovën dhe jo të bëjë djalin e Fahriut (Balliu) apo suflerin e Orjolës (Pampuri, ish-deputete e PD) në Tiranë”.

“Ne mendojmë se jemi në të drejtën tonë kur shprehemi për çështjet e Tiranës, siç është kushdo që ia do të mirën kryeqytetit. Por duhet shtruar seriozisht pyetja se a është në të drejtën e vet kryetari i partisë që drejton bashkinë e Tiranës, kur merret vesh me Vuçiçin për “marrëveshje rajonale”, në emër edhe të Kosovës?”, ka thënë Sulstarova.

Tutje, ai tha nuk është në rregull që këta të thonë se shqiptari nuk paska të drejtë të flasë për Tiranën, derisa të njëjtit ftojnë serbët të flasin për Kosovën pa prezencën e saj.

“Nuk shkon kështu, këta na thonë se shqiptari s’paska të drejtë të flasë për Tiranën, kur po të njëjtët ftojnë serbët të flasin për Kosovën, pa Kosovën”, ka shkruar Sulstarova.

Vetëvendosje e Tiranës ka ftuar Bashkinë e Tiranës që kritikat të mos i marrë personale por institucionale, kjo për shkak se Vetëvendosje në Shqipëri është e regjistruar si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë e fton Bashkinë e Tiranës të mos i marrë kritikat si personale, por si institucionale. Në Republikën e Shqipërisë ne jemi të regjistruar si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, dhe është shenjë katastrofale kur një forcë politike e cila tashmë qeveris pa opozitë institucionale në nivel qendror e lokal, shënjestron dhe përpiqet t’ia mbyllë gojën edhe organizatave joqeveritare që nuk ia ndjekin avazin”, thuhet në reagimin e VV’së.

Krejt në fund Vetëvendosje tha se dega e saj në Shqipëri do të merret me çështje kombëtare, do të denoncojë politikat e gabuara, nuk do të rreshtohet pas ndonjë partia, por pas ideve për zhvillim.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri për çështjet kombëtare do të kërkojë vazhdimisht bashkëpunimin me faktorët politikë, qofshin ata në qeveri apo opozitë. Njëherazi, do të denoncojmë politikat që i shohim si të gabuara. Ne do të jemi të rreshtuar jo pas ndonjë partie, por pas ideve për zhvillim ekonomik, demokraci qytetare e të drejta njerëzore”, ka shkruar Sulstarova.

Sot në mëngjes, Bashkia e Tiranës zhvilloi aksionin “Astriti”, për të rrënuar disa banesa nga autoritetet shqiptare. E kjo solli përplasje mes policisë dhe banorëve të cilët e kundërshtuan këtë aksion.

Për pasojë, pati të plagosur si nga radhët e policisë ashtu edhe në mesin e banorëve duke bërë që të reagojë edhe presidenti shqiptar Ilir Meta, si dhe shumë të tjerë, e në mesin e tyre edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë.

Mirëpo, Bashkia e Tiranës ka reaguar pas komunikatës së VV-së duke e sulmuar e duke thënë se është e keqardhur për degradimin e rëndë në të cilin ka përfunduar dega e Tiranës së Albin Kurtit.

Vetëvendosja në Tiranë, Rama sulmon Albin Kurtin: Lajthitje, duhet kohë të bëhesh kryeministër!

Kryeministri Edi Rama ka komentuar faktin që Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit ka hapur një degë edhe në Tiranë, dhe  e ka cilësuar këtë lëvizje të politikanit kosovar një lajthitje në një proçes tranzicioni.


Në një intervistë për “Top Channel”, kreu i qeverisë shqiptare, duke reaguar për këtë lëvizje të Albin Kurtit, ku pati dhe zëra se do të drejtohej nga ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se duhet njëfarë kohe për t’u bërë kryeministër.

“Mendoni për një moment sikur një degë e PS, natyrisht me miratim nga Kryesia dhe nga unë, të bëjë protestë në ditën e pavarësisë së Kosovës dhe të thotë nuk është koha për të festuar, por për të reflektuar, dhe të bëjë një fletërrufe, që duket sikur është nxjerrë nga printerat e opozitës me qeverinë e Kosovës, çfarë do të mendonin njerëzit?

Unë e konsideroj një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje, në një vakum, ku kam qenë edhe vetë dhe duhet njëfarë kohe për të bërë kryeministrin. Sepse kryeministër zgjidhesh ditën kur fillon, por bëhesh me kalimin e kohës”, tha Rama.

Përfundon aksioni i IKMT-së, shemben 33 objekte në “Astir”, shoqërohen 20 banorë

Ka përfunduar aksioni i IKMT-së në zonën e “Astirit”. Raportohet se 33 objekte janë shembur, ndërsa menjëherë ka nisur puna për largimin e materialeve inerte të këtyre banesave. Përplasja e banorëve me policinë ka nisur që në orët e para të kësaj të marte.

7 banorë dhe 5 policë mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar 20 banorë, të cilët dyshohen si përgjegjës të dhunës së ushtruar ndaj policisë.

Situata politike- Katër ambasadorë, takim me Bashën

Katër ambasadorë, të vendeve më me peshë kanë zbarkuar rreth orës 15:20 të ditës së sotme në zyrën e Lulzim Bashës.

E ngarkuara me punë e SHBA-së në vendin tonë, Leyla Moses-Ones, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, i Britanisë Duncan Norman dhe i Gjermanisë Peter Zingraf zhvillua një takim me kryedemokratin në selinë blu.

Tema e diskutimit nuk dihet, por referuar aktualitetit dhe ngjarjeve të fundit, në qendër të bisedës pritej që të jetë reforma zgjedhore, por edhe çështje të tjera.

Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë: Çdo marrëveshje pa Kosovën, jo në përputhje me interesat kombëtare

Në një deklaratë për mediat Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë flet për iniciativën e Shengenit ballkanik.

Sipas tyre takimet në Novi Sad të Serbisë, datë 10 tetor dhe në qytetin e Ohrit në MV, datë 10 nëntor, me pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Kryeministrave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, si dhe të zyrtarëve të lartë të BiH dhe Malit të Zi, pa pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës nuk shkojnë në unisom me interesat kombëtare të shqiptarëve.

Ata shprehen se mbështesin çdo iniciativë rajonale në filozofinë e parakushteve integruese të rajonit në BE dhe qëllimin e mirë për përmirësimin e jetës, sigurisë dhe ekonomisë së Shqiptareve dhe të gjithë rajonit.

Por nisma të tilla duhet të gëzojnë një konsensus të gjerë politik e social, nëpërmjet një transparence dhe analize të plotë të avantazheve dhe disavantazheve për Shqipërinë, shqiptarët dhe rajonin.

“Analiza duhet të jetë edhe më e kujdesshme, kur propozime të tilla vijnë nga shtete që janë kundër anëtarsimit në NATO, nuk zbatojnë plotësisht politikën e BE dhe janë pjesë e unionit Euro-Aziatik. Vendimmarrja politike për këto iniciativa dhe zbatimi i tyre nuk janë e nuk mund të jenë ekskluzivitet i një qeverie të caktuar.Projekti strategjik i shqiptarëve për t’u integruar në familjen Euro-Atlantike, si dhe qëndrimet e partnerëve tanë BE dhe SHBA, duhen kuptuar vetëm në perputhje me një qasje gjithëpërfshirëse dhe në respekt të plotë të integritetit dhe sovranitetit të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë e konsideron çdo marrëveshje që nuk përfshin Republikën e Kosovës si shtet i pavarur jo në përputhje me interesat kombëtare dhe politikën tonë të jashtme.

“Zbatimi në praktikë i kësaj marrëveshje nuk do të ishte i mundur në një kohë kur Serbia vazhdon t’a ketë në kushtetutë Kosovën si pjesë të saj. Në këto kushte, kjo marrëveshje nuk i shërben procesit të pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal. Ajo mund të dëmtojë interesat e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e lëvizjes pa viza të qytetarëve të Kosovës në hapësirën e Bashkimit Evropian”.

KASH thekson se Integrimet Rajonale janë shumë të rëndësishme, por ato nuk mund të zëvendësojnë ato Euro-Atlantike. Shqipëria, Shqiptarët dhe Ballkani Perëndimor nuk kanë alternativë tjetër veç anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE.

Simon Mirakaj pyet se ku e vendosni Preng Calin, Musine Kokalarin e qindra te tjere që luftuan për Liri dhe Demokraci!

Simon Mirakaj mendon se ka ardhur koha që të krijohet nje komision per te rishqyrtuar tituj Hero i Popullit të dhënë nga Partia Komuniste sipas dokumenteve arkivore.

Simon Mirakaj anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në një status të tij sot në rrjetin social shkruan:

“Te renet kundra pushtuesit nderohen ne te gjithe boten.

Ata qe rane ne lufte u quajten deshmore.

Titulli Hero i Popullit eshte nje titull i dhene nga Partia Komuniste.

Mendoj se duhet krijuar nje komision per te rishqyrtuar keto tituj sipas dokumenteve arkivore.

Historikisht luftohet per te fituar, ndersa ne Shqiperi u fitua per te humbur.

Fitorja solli diktaturen me te eger ne Europë,burgosi dhe internoi qindra mijra familje per te vetmin faj se ishin kundra instalimit te diktatures komuniste.

Lind pyetja po ata qe rane, zotërinj të nderuar, duke luftuar kundra kesaj diktature, qe rane per Liri e Demokraci,

qe jane dhe pa varre, çfarë jane sipas jush?

Ku e vendosni Preng Calin, Musine Kokalarin e qindra te tjere?

Eshte kauza e tyre ajo qe fitoi e ju dha mundesinë te jeni deputet,t e beheni Ministra, Kryeministra e Presidentë.

Dje kishit nje rroge modeste e nje apartament me 60 apo 70 meter katrore e sot jeni me vila apo apartamente me nga 100-150 meter katrore.

Ju sigurisht qe demokracinë e doni por jo ata qe dhane jeten per Liri e Demokraci.

Me vjen keq qe mbase 30 vite ne demokraci duke qene dhe perfiteusit me te medhenj te saje keni mbete nostalgjikë te komunizmit(jo te gjithe sigurisht).

Ne edhe pse vuajtem shume, shume nga diktatura komuniste,arsyen nuk e humbem kurre.” Këtu e përfundon statusin e tij në rrjetin social Simon Mirakaj.

 

Simon Mirakaj, i lindur në 1 qershor 1944 është një ish i internuar që foshnje nga regjimit komunist në Shqipëri. Simoni jetoi në internim për 44 vite të jetës. Ai i ka mbijetuar fëmijë edhe Kampit famëkeq të Tepelenës. I ati i tij u arratis nga regjimi ndërsa familjarë të tjerë u pushkatuan për shkak të rezistencës ndaj komunizmit.Shuma e përgjithshme e dënimeve për gjithë familjen MIrakaj dhe të afërmit e tjerë të këtij fisi arrin mbi 900 vjet.

 

 

Prokuroria lëshon urdhër arrest për Agim Kajmakun, policia në kërkim të ish kryebashkiakut të Vorës

Prokuroria ka firmosur urdhër arrest për ish kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmakun. Lajmin e konfirmuan për Panorama burime të besueshme pranë organit të akuzës.

Policia ka nisur kontrollet për ta arrestuar, por deri tani ish kryebashkiaku nuk gjendet.

Disa ditë më parë, KQZ i hoqi mandatin ish kryebashkiakut të Vorës, pasi Prokuroria e Përgjithshme i kishte dërguar një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilës kërkonte heqjen e mandatit për Kajmakun.

Pavarësisht se Kajmaku iu drejtua me një letër kryeprokurores Arta Marku, ku thoshte se ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Janinës për falsifikim kartëmonedhash nën emrin e Jorgo Totos, fshehja e kësaj çështjeje në formularin e vetëdeklarimit, përbën shkelje.

“Nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajamaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një process gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datë 30.3.2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në “Agim Kajmaku”, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e Vetëdeklarimit”, thuhet në shkresën e prokurorit Arben Kraja.

Kreu i III-të, pika 3, gërma “ç”, e vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, thuhet se pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të, passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.

Sali Berisha: Minishengeni synon defaktorizimin e Kosovës, gjithë shqiptarët ta kundërshtojnë

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se projekti i nisur nga Edi Rama dhe Alesksander Vucic ka për qëllim të izolojë edhe më shumë Kosovën, ta defaktorizojë ekonomikisht dhe ta dobësojë në marrëveshjen finale me Serbinë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Sali Berisha ka thënë se ide të tilla të faktorizimit të Serbisë karshi Kosovës datojnë nga pushteti i Enver Hoxhës, i cili kishte nisur bashkëpunimin me diktatorin jugosllav Tito.

“Udhëheqja e Kosovës përcakton vet qëndrimin e saj por në bindjen time dhe informacionin që una kam Minishengeni ballkanik është një nismë serbomadhe kryekëput kundër Kosovës dhe synon rrethimin e saj nga Serbia por tashmë njëlloj si në vitin 1946 edhe nga Shqipëria”, ka thënë Berisha, për Express.

Ish-Presidenti i Shqipërisë thotë se gjithë kjo nismë synon ta bëjë Kosovën satelit të Serbisë.

“Kjo nismë që mori jetë me paktin Vucic-Rama në nIsh i njëjti në thelb me paktin Tito-Enver të bashkimit doganor dhe defakto shndërrimit të Shqipërisë në republikë të shtatë të Jugosllavisë synon përsëri nëpërmjet Shqipërisë të defaktorizojë dhe shndërrojë Kosovën de fakto në një hapësirë ekonomike të Serbisë një satelite të saj”, ka shtuar Berisha.

Por, ku pse doli kjo ide tash?

Sali Berisha e lidh minishengenin me dështimin e idesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës në favor të Serbisë që e kishin nisur Rama e Vucic të ndihmuar nga ish-gazetari Baton Haxhiu.

“Kështu, pas dështimit të Vucic me trojkën fazeze të albanofobëve Zografi Bis, Miladini shqipfolës dhe Baton Stanishiq për të ndarë Kosovën midis Serbisë dhe Shqipërisë në emër të Serbisë së Madhe, serbomadhi Vucic nxori nga sirtarët projektin e Jugosllavisë së Re de fakto të Serbisë së Madhe. Fillimisht së paku në rrafshin ekonomik por e sigurt dhe në atë politike. Ky është një projekt i rrethimit të Kosovës me një kuadër ligjor rajonal nënshtruaes dhe paralizimit të potencialeve të saja gjatë dialogut për marrëveshjen me Serbinë”, ka shtuar ai.

Berisha i ka quajtur gangsterë Ramën e Vucicin duke thënë se po krijojnë hapësirë edhe për ndikimin rus në Ballkan. Prandaj, ai ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve të kundërshtojnë këtë ide.

Përveç këtyre djallëzia Vucic-Rama për të paraqitur Kosovën si delen e zezë të mosbashkëpunimit në rajon është një synim tjetër i mirëfilltë antishqiptar i paktit të Nishit. Së fundi, ajo që këta gangster ballkanas përpiqen ta shesin si imitim të Shengenit të BE’së është thjeshtë shtrirje e hapësirës ekonomike të stepave të vëllait të Madh të Serbisë tashme jo vetëm ne Rusinë e vogël por edhe në shtetet vasale të saja. Duke përfunduar, shpreh bindjen se ky projekt që synon rrethimin e Kosovës me Serbomadhi do të dështojë dhe ju bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë të kundërshtojnë projektin antishqiptar, anti Kosovë Vucic-Rama të Jugosllavisë së Re si një mjet destabilizues për rajonin”, ka deklaruar Sali Berisha.

Tirana e Nones se Fevziut dhe Porto Palermo e gjysherve te himarioteve! Nga Nikollaq Neranxi

Pak dite me pare, Blendi Fevziu kishte ftuar ne emision, Artan Lamen, Drejtor i Pergjithshem i Kadastres, ai qe per vite me rradhe si drejtor i ALUIZNI-t, i rezervoi Rames nje “One men Show “ te neveritshem, teksa ndante para kamerave, certifikata pronesie edhe tek ata qe kishin ndertuar ne toka te zaptuara. Por kur vinte puna per te folur per grabitjet e pronave te trasheguara ne bregdet, Lame nuk kishte asgje per te thene! Flisnin vetem mediat pro qeveritare duke thene qe ca gardhe dhe ca lavazhe po prishen, se ne fakt keta rilindasit jane fenomenale, vetem kur nxjerrim armet dhe vrasin njeri tjetrin per prona, pranojne qe ka nje problem.

Pra nga Lamja nuk prisja asgje as kete here! Por prisja pyetjet qe te gozhdonin Lamen. Dhe ato duhej ti bente Fevziu! Por si per cudi, para nje harte te Porto Palermos, Fevziu vendosi te komentoje, jo te pyese! Si fillim, drejtuesi i Opinion tha qe eshte e pamundur te kete prona private ne ate zone, sepse ajo ka qene zone ushtarake. Me pas tregoi shqetesimin e tij se si pronaret do benin aty vilat e tyre ne ato toka, nderkohe qe duheshin bere resorte! Prandaj e shoh te udhes qe te shpjegoj nja dy gjera, si banor autokton i Himares!

Si fillim duhet thene se historia e Himares nuk fillon me vendosjen e regjimit te Hoxhes, pra meqe Porto Palermo ka qene zone ushtarake, atehere na qenka shteterore! Kjo nuk eshte e vertete! Ne ate zone nuk ka prona shteterore, as ne shkemb dhe as ne fushe. Ne shekuj banoret qe kane jetuar aty, kane patur kullotat e tyre, vreshtat e tyre dhe diheshin te kujt jane dhe askush nuk futej tek prona e tjetrit! Nuk e di se kush ka marre prona aty, por di qe pyetja duhej shtruar, se kush jane ata pronare?

Nese jane te zones. patjeter qe ju takon, madje i duhej kerkuar llogari Lames pse nuk iu kane dhene akoma certifikatat e pronesise per ato toka nderkohe qe kane legalizuar shtepi edhe ne Bathore! Por nese ne ato toka, figuron pronar dikush qe ka ardhur nga Laci apo Burreli psh, dhe ka grabitur ose ka dhene ndonje lek tek ndonje pushtetar, ai duhet larguar qe aty sepse nuk i takon.

Asnje himariot nuk shkon ne Lac ose ne Burrel te grabise toka. Dhe pasi te behet ky pastrim, le te vije investitori dhe tja bleje pronareve token! Pra qe te jene te gjithe te qarte, nuk ka toka shteterore ne ate zone! Ose e thene ndryshe, sic e ka Fevziu, Tiranen e Nones (titulli i librit) dhe kur kemi ardhur ne Tirane per te jetuar, token e kemi blere, edhe ne himariotet, e kemi token e Himares, te trasheguar nga te paret tane, pra eshte e jona! U kuptuam besoj!

KJO SHTEPIÇKA ME QERPIÇKA (Me rastin e 8 Nentorit) Nga Meti Fidani

 

#

Në shtëpiçkën, me qerpiçka
8 Nëntor, lindi partiçka
Dhe u rrit ne ball’ t’furtunës
Sokoleshe, Parti e Punës
Sokoleshe, por mbet’ beqare
Thone, s’u martua fare

#

Thone, s’u martua kurrë
Veçse shkoi, burre me burrë
Ku me Titon, ku me Stalinin
Ku me Mosken, ku me Pekinin
Rrugn’ e mutit , kishte marrë
Domosdo, mbeti me barrë

#

Mbirrë. fara komuniste
Rritur barku sa ti pelciste
Here qante, e here villte
Mbetur mbarse, por nuk po pillte
Dhe u beme, pik e vrer
C’ka Partia, qe s’po e nxjerr
Pritem pritem , 50 vjet
Prit te pjelle, partia shtet

#

Kur aty, nga 90 -ta
Tu shtri Partia, or tungjatjeta
Dhe rrenkonte, si nje dreq
I plasen ujrat, i plasen keq

#

Hajde mor të pjellë hajde
E zbrazi barkun si gajde
Dhe nuk polli pak e pakë
Ku binjake e ku trinjakë
Pill parti, e pill partiçka
Ku te bëmshme, e ku kerthiçka
Mëngjërashka e djathtaniçka
Parti blu, roz e kaleshka
Pill e pill, e s’ju lodh pjeshka
O ta lumsha moj partia nënë
Edhe bushter te kishe qënë

#
Moj parti moj ta lumsha synin
Kyçe moj pjeshken, e i ver’ drynin
30 vjet, vec nxjerr partiçka
Nga shtëpiçka, me qerpiçka

Meti Fidani..

Rritet çmimi i ujit në disa qytete të Shqipërisë

Enti Rregullator i Ujit ka vendosur rritjen e tarifave të ujit të pijshëm dhe kanalizmieve në 4 qytete të vendit.

Vlora dhe Kruja do të paguajnë më shtrenjtë duke filluar nga muaji dhjetor, ndërkohë që për Beratin dhe Kuçovën rritja ka nisur të aplikohet që prej datës 1 nëntor.

Rritja më e ndjeshme i takon qytetit të Vlorës, duke qenë se tashmë konsumatorët do të paguajnë për ujin e pijshëm 45 lekë/m3 nga 30 lekë/m3, apo 50% më shtrenjtë se sa paguanin aktualisht.

Rritje për këtë qytet kanë pësuar dhe tarifat për konsumatorët publikë, duke shkuar nga 60 në 100 lekë/m3, si dhe për bizneset që do të paguajnë 100 lekë/m3 nga 80 lekë/m3 që paguanin deri më tani. Po kështu, ERRU ka shtrenjtuar për Vlorën edhe tarifat për largimin e ujërave të ndotur për të 3 kategoritë e mësipërme si dhe tarifën fikse që paguhet çdo muaj. Ndërkaq, rritja e çmimit është më e ulët në qytetet e tjerë.

Kështu, në Berat-Kuçovë aktualisht, banorët paguajnë 48 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 13 lekë/ m³ për largimin e ujërave të ndotur. Ndërkohë që, me tarifat e reja do të paguhet 50 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 14 lekë/m³ për ujërat e ndotur.

Në Krujë, rritja më e ndjeshme është bërë për kategorinë e bizneseve, të cilët do të paguajnë 25% më shumë për ujin e pijshëm. Për këtë qytet është 2-fishuar edhe tarifa fikse , duke shkuar 100 lekë për konsumatorët familjarë dhe 200 lekë për klientët publikë dhe bizneset.

Ndërkaq, për herë të parë ERRU ka miratuar tarifa zyrtare edhe për ujësjellësin e Himarës, duke vendosur tarifimin e 55 lekë/m3 për familjarët dhe 100 lekë/m3 për klientët publikë dhe bizneset.

ÇMIMI I UJIT NË VLORË

TARIFAT E FURNIZIMIT ME UJË

KONSUMATORË FAMILJARË

ISHTE 30 lekë/m³ BËHET 45 lekë/m³

KONSUMATORË PUBLIK

ISHTE 60 lekë/m³ BËHET 100 lekë/m³

KONSUMATORË PRIVAT

ISHTE 80 lekë/m³ BËHET 100 lekë/m³

TARIFA PËR UJËRAT E NDOTUR

KONSUMATORË FAMILJARË

ISHTE 11 lekë/m³ BËHET 15 lekë/m³

KONSUMATORË PUBLIK

ISHTE 13 lekë/m³ BËHET 25 lekë/m³

KONSUMATORË PRIVAT

ISHTE 13 lekë/m³ BËHET 25 lekë/m³

TARIFA FIKSE

KONSUMATORË FAMILJARË

ISHTE 80 lekë/m³ BËHET 100 lekë/m³

KONSUMATORË PUBLIK

ISHTE 80 lekë/m³ BËHET 150 lekë/m³

KONSUMATORË PRIVAT

ISHTE 80 lekë/m³ BËHET 150 lekë/m³/scan

Lobimi në SHBA – Prokuroria: Të merret i pandehur Lulzim Basha (dokumente)

Kryetari i PD Lulzim Basha merret si i pandehur për lobimin 675.000 usd në SHBA.

Prokuroria e Tiranës ka dërguar një shkresë në selinë e PD, shkresë të cilën e ka siguruar edhe Panorama, ku njoftohet lideri i demokratëve se ndaj tij kanë përfunduar hetimet për lobimin në SHBA përmes kompanisë offshore Biniata Trade.

Dosja hetimore është dorëzuar dje në gjykatë dhe i është komunikuar kreut të PD.

Ndërkohë që prokuroria e akuzon kryedemokratin Basha vetëm për “falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, ka rënë akuza për “pastrim parash”.

Nderkohe qe te pandehur ne gjykate me po te njejten akuze shkojne edhe Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Gjendja u përkeqësua papritur, si ndërroi jetë në spital shoferi i prokurorit. Fjalët e fundit të Andi Malokut

Ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, 24-vjeçari Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arian Ndoja, i cili mbeti i plagosur në atentatin e një jave më parë te Mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Kur të gjithë menduan se ishte më mirë, madje kishte një lloj shprese që t’i shpëtonte edhe paralizës, papritur gjendja e tij është përkeqësuar.



Mbrëmjen e së mërkurës, ai kishte dalë nga reanimacioni dhe ishte shtruar në pavijon. Miqtë dhe familjarët e tij po diskutonin me mjekët se sa mundësi kishte që të ecte sërish, pasi një plumb i kishte prekur shtyllën kurrizore.

Ndërsa dje gjendja e Andi Malokut është përkeqësuar. Burime nga Spitali i Traumës thanë se 24-vjeçari ka shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe menjëherë është dërguar në reanimacion, ku është mbajtur për dy orë në terapi intensive.

Mjekët dyshuan për një tromboemboli. Plumbat i kishin dëmtuar të dyja anët e mushkërive dhe dyshohet se për këtë arsye kanë nisur edhe komplikacionet pasditen e djeshme. “Nuk i ndjej më këmbët, ç’më bënë maskarenjtë!”, këto kanë qenë fjalët e fundit në spital të 24-vjeçarit, teksa po e dërgonin për të kryer një skaner.

SHOFERI I PROKURORIT

Në atentatin e javës së kaluar, më i pafajshmi në të gjithë historinë ishte pikërisht personi që drejtonte makinën, Andi Maloku. Me një devijim të timonit, ai duket se i shpëtoi jetën shefit të tij, prokurorit Arian Ndoja, por edhe personit që ndodhej në sediljen e pasme, Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi”.

Ndërsa vetë u plagos më rëndë e për pasojë ndërroi jetë dje në Spitalin e Traumës, ku ishte transportuar ditën e ngjarjes. Në njoftimin zyrtar për ngjarjen, Policia tha se Andi Maloku është 30 vjeç, kur, në fakt, ai ende nuk i kishte mbushur 24 vjeç. Më 30 nëntor kishte ditëlindjen, që nuk e arriti dot.

Burimet thanë pas atentatit se ai kishte qenë dikur efektiv Policie në Krujë, por, në fakt, Andi Maloku nuk kishte punuar asnjë ditë në Polici. Kishte zgjedhur të punonte si shofer i prokurorit Ndoja, me një rrogë modeste 30 mijë lekë të rinj, punë që për të rezultoi fatale.

Panorama

Miqtë përlotin rrjetin, ja ngushëllimet për vdekjen e Andi Malokut (fotot)

Shoferi i prokurorit Ndoja, 24-vjeçari Andi Maloku ndërroi jetë ditën e djeshme në Spitalin e Traumës. Kujtojmë se Maloku mbeti i plagosur me dy plumba në shtyllën kurrizore dhe një në kraharor, gjatë atentatit ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe personazhit të njohur të botës së krimi, me nofkën “Rrumi”. Djaloshi vetëm 24 vjeç prej një jave ndodhej në kujdesin intensiv të mjekëve në gjendje të rëndë. Kur mjekët kanë dhënë lajmin se kishte ndërruar jetë në ambjentet e spitali familjarët dhe miqtë kanë vënë kujën.

Në videot që qarkullojnë onlinë dëgjohen ulërimat dhe të qarat e familjarëve kur marrin lajmin e kobshëm. Ndërkaq edhe në rrjetet sociale miqtë kanë lënë mesazhe ngushëllimi në profilin e tij. “Shpirti në paqe, “Shpirti të shkoftë në xhenet. Ngushëllime familjes”, janë vetëm disa prej komenteve që shihen në adresën e tij personale.

“Martirët e komunizmit po përdoren kundër dëshmorëve”- Paskal Milo: Lajthitjet e Qeverisë te “Partizanët në bulevard”

Historiani i njohur, Paskal Milo, ka komentuar çështjen më të përfolur të ditëve të fundit, që ka të bëjë me ekspozimin e fotove të heronjve të Luftës së Dytë Botërore në bulevardin qendror të Tiranës.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Paskal Milo shprehet se nderimi i heronjve të Luftës Antifashiste në 75-Vjetorin e Çlirimit të vendit është gjëja më e duhur. Sipas Milos, duhet bërë një ndarje e qartë mes atyre që luftuan dhe dhanë jetën dhe asaj që ndodhi pas Luftës. Ai thotë se Lufta e Dytë Botërore është suksesi më i madh i një ushtrie shqiptare në histori, pasi në fundin e saj u shpallëm fitues.

Milo e konsideron si një “lajthitje e historianëve të qeverisë” vendosjen e fotove të disa figurave që kanë prodhuar debat dhe që për më tepër nuk kanë ndërruar jetë gjatë periudhës së Luftës. Ai thotë se nuk ka vend për ndarje edhe në diskutimin se këto foto vendosen në vendin ku para disa vitesh u nderuan martirët e komunizmit, duke theksuar se dëshmorët e vendit sjellin më shumë bashkim te shqiptarët.

Qeveria dhe Kuvendi kanë vendosur që në kuadër të festimeve për 75-Vjetorin e Çlirimit të vendit, të vendosen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” fotot e disa prej heronjve të popullit, të cilët kanë rënë në Luftën e Dytë Botërore. Cili është vlerësimi juaj për këtë veprim?

Akti i vendosjes së fotografive të heronjve të popullit dhe dëshmorëve të rënë në luftën për lirinë e atdheut kundër pushtuesve nazifashistë është plotësisht i drejtë, legjitim dhe i merituar. Përse? E para, se ata dhanë jetën për lirinë, gjënë më të shtrenjtë njerëzore, e dhanë si atdhetarë të devotshëm dhe idealistë, e dhanë pa u menduar dy herë që të rrinin kafeneve e në sallonet mondane të aristokracisë pushtuese fashiste e në dopolavorot e tyre, së bashku me kolaboracionistët zvarranikë e servilë ndaj pushtuesit të radhës. E dhanë jetën në lulen e moshës, për të vendosur veten përjetësisht në altarin e lirisë e në panteonin e dëshmorëve të kombit. E dhanë jetën e tyre të çmuar për ta rreshtuar Shqipërinë në anën e Kombeve të Bashkuara Antifashiste, në anën e së drejtës, në anën e antifashizmit e të moralit të lartë, në anën në të cilën u rreshtua populli amerikan i Franklin Ruzveltit, britanikët e Uinston Curcillit, rusët luftëtarë antinazistë, francezët e lirisë e të De Golit. Ata e dhanë jetën për të rreshtuar Shqipërinë në anën e fitimtarëve dhe që ajo të shkonte me kokën lart e plot dinjitet në gjyqin e madh të historisë, që u zhvillua në Paris në verën e vitit 1946. Për të gjitha këto arsye, bulevardi që mban edhe emrin e tyre për gjithë këtë muaj, duhet të jetë një vend pelegrinazhi në ndër dhe në kujtim të të gjithë këtyre heronjve, për të gjithë shqiptarët pa dallim. Shqiptarët janë në borxh të madh ndaj tyre. Dhe ata nuk kërkojnë asgjë nga mbretëria e tyre e heshtur, veç përulje e respekt e një tufë me lule. Nga ana tjetër, e quaj jo të plotë nderimin që iu bëhet atyre dhe gjithë luftëtarëve të lirisë. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër nazifashizmit ishte dhe mbetet lufta më e organizuar, më e madhe për nga numri dhe më e strukturuar nga ana programore. Ajo e realizoi objektivin e vet themelor, çlirimin e atdheut me forcat e veta, në dallim nga të gjitha luftërat që kanë zhvilluar shqiptarët në historinë e tyre, që megjithë fitoret dhe rezistencën epike, kanë përfunduar me humbjen e lirisë.

A ka provokim në faktin që po në të njëjtin vend, para disa vitesh, kur në Shqipëri erdhi Papa Françesku, u ekspozuan fotot e martirëve të komunizmit?

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është bulevard i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, bindjeje e krahine. Nuk është pronë private e askujt dhe as nuk është dhënë me PPP, të paktën deri tani. Si i tillë, ai u takon edhe të gjithë martirëve, si atyre për lirinë e atdheut, edhe atyre që u bënë viktima të komunizmit. Është e turpshme që për qëllime spekulative politike e morale, të luhet me kujtimin e tyre. Kjo dëshmon se sa larg kulturës dhe tolerancës europiane janë ata, të cilët për përfitime arriviste të ditës, keqpërdorin martirët e komunizmit kundër dëshmorëve të lirisë.

Për disa nga heronjtë e ekspozuar në bulevard, ka pasur akuza se nuk kanë rënë në luftime me nazifashistët, por në përplasjet me kundërshtaret politikë brenda vendit. Cili është qëndrimi juaj për këtë? (Debati është ngritur më së shumti për Nuri Luçin, Fejzi Micollin, Xhemal Kodrën).

Këta janë akuzuar si pjesëtarë të strukturave të sistemit komunist, që luftuan kundër atyre që u shpallën armiq. Jam plotësisht dakord në parim dhe pa iu referuar emrave konkretë, që në këtë rast është bërë një gabim. Nuk jam në gjendje të them se është bërë me qëllim ose jo. Këtë e dinë organizatorët dhe “historianët” kompetentë të qeverisë, që ajo i ka me bollëk. Vendosja e tyre duhet të respektonte kriterin bazë metodologjik, historicizmin, pra, vendosjen e emrave të heronjve e të dëshmorëve brenda viteve që përfshin Lufta në Shqipëri dhe që dihet nga të gjithë shqiptarët me një arsim minimum, që janë vitet 1939-1944. Nuk bashkohem në substancë me profesionistët e antikomunizmit në komentet e tyre, që morën shkas nga kjo “lajthitje” e “historianëve” të qeverisë. Por nuk ka si të jetë gabim i rastit. Gjithsesi, nuk është shkas për të shpallur kryqëzatën e re antikomuniste, që ka shpërthyer nga ish-trashëgimtarët biologjikë e ideologjikë të kolaboracionizmit shqiptar dhe të puthadorëve të fashizmit.

Një veprim i tillë, ku bashkë me heronj të nderuar të Luftës Antifashiste, janë futur edhe këto figura të diskutuara, mendoni se mund të nxisë ndarje në shoqëri edhe pas kaq vitesh?

Është pretendim i madh ky. Një ngjarje e tillë duhet të shërbejë si reflektim në radhë të parë për ata që ende vijojnë kolaboracionizmin në kushtet e paqes. Bota i ka ndarë me kohë vlerat e antifashizmit nga antivlerat e kolaboracionizmit. Për fat të keq, në Shqipëri, si për shumë gjëra të tjera, vlerat dhe standardet europiane në gjykimin e këtyre dy kategorive historike nuk respektohen, por keqinterpretohen qëllimisht. Dhe, për më tepër, nxiten për përfitime politike. Shembullin që frymëzoi këtë përshkallëzim agresiv të antikomunizmit bashkëkohor shqiptar e dha vetë Kryeministri dhe Kryetari i PS-së kur u kërkoi veteranëve të ulin kokën para kujtimit e veprës së Mit’hat Frasherit. Tragjikja dhe komikja bashkëjetojnë shpeshherë në harmoni të plotë në Shqipërinë e sotme. Mos kini frikë, se shoqëria shqiptare mund të përçahet me tej nga sa është përçarë nga vendosja në bulevard e fotografive të heronjve e dëshmorëve. Heronjtë vetëm bashkojnë, puthadorët e servilët e pushteteve përçajnë.

PANORAMA

HERONJTË E POPULLIT NË BULEVARD- Historianët: Evokim e provokim, mes tyre sigurimsa, të rishihen titujt

Fatmira Nikolli – U mbajt dje në Muzeun Historik Kombëtar konferenca shkencore me temë “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Tryeza që vijon këtë të mërkurë dhe të enjte, 6 dhe 7 nëntor ka qëllim diskursin në një rrafsh akademiko-shkencor të pasqyrimit të kësaj periudhe historike dhe organizohet nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Në ditën e parë të saj, fjalën hapëse të këtij takimi e mbajti historiani dhe akademiku Beqir Meta, i cili përshëndeti të pranishmit duke i përgëzuar për këtë iniciativë në zhvillimin e këtij aktiviteti.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr.Dorian Koçi në fjalën e tij u ndal në mënyrë të veçantë në rezultatet e luftës dhe rolin e shqiptarëve në këtë luftë si dhe situatën gjeopolitike të Shqipërisë në atë periudhë. Në vazhdim të konferencës së ditës së parë referuan prof. dr. Sonila Boçi me temën “Tipare të rezistencës shqiptare gjatë viteve 1939-1944”, prof. dr. Teki Kurti me temën “Rezistenca shqiptare kundër ushtrive të boshtit dhe marrëdhëniet e saj me anglo-amerikanët” Dr. Marenglen Kasmi referoi rreth temës “Rezistenca shqiptare gjatë pushtimit gjerman 1943-1944”, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido referoi temën “Mes unitizmit nacionalizmit, luftës e komunizmit. Roli i fuqive pushtuese dhe i klerikëve shqiptare në çështjen e Kishës Ortodokse Autoqefale gjatë Luftës së Dytë Botërore”, si dhe prof. dr. Bernard Zotaj referoi temë “Organizimi ushtarak dhe i prapavijave në zonën operative Vlorë-Gjirokastër”. Historiania Ana Lalaj tha në konferencë lidhur me frontin se ishte slogan propaganditstik e i rëndësishëm i luftës, por në pikëpamje juridike ai nuk ekzistonte, nuk kishte strukturë, kryetar, as këshill. “Fronti krijohet më 26.10.1944. Nëse pati kalim të butë nga fronti i madh me aureolë për bashkim të popullit, në frontin e 1944-ës ku hyjnë edhe përfaqësues të partisë, Sejfulla Malëshova, Koçi Xoxe e Pandi Kristo”. Sipas saj, ky front u deklarua ai një organizatë që bashkonte popullin në luftë. “U bë mbledhja e parë dhe zgjodh këshilli drejtues, kryetari e pati strukturë. Më 1945 fronti bëhet demokratik e u bë kryetar Enver Hoxha që nuk hoqi as më 1953 kur iu kërkua të hiqte dorë nga disa prej 5 posteve, ai këtë mbajti”, tha Lalaj. Sipas saj, nëse pyesim a ishte Balli bashkëpunues, duhet të kemi kujdes në përgjigje.
“Ballin Kombëtar duhet ta trajtojmë më në thellësi, edhe në kohën e vet, edhe me fraksionet e veta. Ka pasur fraksione që kanë bashkëpunuar me pushtuesin e ka pasur që s’kanë bashkëpunuar e që janë vrarë. Tjetër është çfarë është bërë më para me historinë, e tjetër çfarë bëjmë ne tani. Janë bërë retushime e krasitje. Meqë u fol për betejën e Tiranës, Vojo Teodorovic ka luajtur rol në të, ai ishte jugosllav. Në gjithë dokumentet e tjera është hequr emri i tij. Ne duhet të kemi kujdes nga nihilizimi e heroizmi”, tha Lalaj. Ajo shtoi se në vitet 1939-1941, komunistët shqiptarë kohë ishin në pozitë të vështirë se vetë Bashkimi Sovjetik dhe internacionalja komuniste e kishte hedhur në kosh parullën për ngritjen e fronteve popullore. “Pas paktit Ribentrof-Molotov u erdhi urdhër të ndalte propaganda kundër fashizmit”, nënvizoi ajo.

HERONJ APO PROVOKIME?
Prej disa ditësh Tirana është përfshirë në qëmtimin e emrave dhe figurave të heronjve të popullit, fotografitë e të cilëve janë varur në bulevard në kuadër të 75-vjetorit të luftës. Mes heronjve të rënë në luftë, mes të rinjve që dhanë jetën në mbrojtje të Shqipërisë nga pushtuesit, studiues e ish-të përndjekur kanë vënë re edhe figura që janë hasur në dosjet e Sigurimit të Shtetit ose që dihet që kanë jetuar edhe pas luftës. Për ç’arsye një debat i madh ka përfshirë historianë e familjarë, shpesh duke keqinterpretuar apo ngatërruar qëllimisht ata që ishin partizanë e vdiqën në mbrojtje të atdheut, me atë që ndodhi pas luftës- siç ishte ardhja e regjimit komunist – apo përfshirja mes heronjve e atyre që sipas studiuesve janë emra që kanë përndjekur shqiptarët si pjesë e Sigurimit famëkeq. Pa hedhur poshtë luftën, rëndësinë e saj, jetët e dhëna për vendin, tre historianë ngulmojnë në nevojën për një kujdes më të madh në përzgjedhjen e emrave që nderohen, duke mos ngatërruar viktimat, me heronjtë e dëshmorët, duke mos vënë në të njëjtin bulevard heronj e idhuj të rremë. Më poshtë reagimet e tre historianëve.

HISTORIANIA ANA LALAJ: U PËRFSHINË FIGURA PA MERITA NË LUFTË

“Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri vlen të evokohet dhe këtë nuk e bëjmë vetëm ne, por e bëjnë edhe popuj të tjerë që kanë marrë pjesë në rezistencën antifashiste ose në teatrot e mëdha të luftës. Ajo që unë do të thosha për rastin konkret që ju pyesni, është se Instituti i Historisë është duke ju përgjigjur kësaj situate dhe kësaj ngjarjeje, e cila po përkujtohet këtë vit, domethënë 75-vjetorit të Çlirimit të vendit. Për sa iu përket fotografive që janë vendosur në bulevard, ky është një evokim i cili ia vlen të bëhet, sepse përkujtohen ato figura që kanë dhënë jetën, janë heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Do të thosha se në të është përfshirë edhe ndonjë figurë që nuk i takon luftës për merita. Nuk i takojnë meritat e luftës një ose dy figurave që janë vënë aty. Ato që kanë dalë edhe në gazeta”, kështu u shpreh dje historiania Ana Lalaj.

Sipas saj, në këtë rast duhet të ketë një kujdes i madh se në këtë mënyrë krijohen provokime, radikalizohet situata dhe një radikalizim i situatës në një krah sjell një përgjigje radikale nga krahu tjetër. U quajt provokim deri tani. “A është provokim? Në një lloj mënyre është provokim. Sepse është fjala për heronj të vërtetë të luftës dhe derisa nuk i përgjigjen asaj periudhe ata nuk duhet të jenë aty. Por nga ata tjetër kemi të bëjmë me evokimin e një ngjarjeje shumë të madhe dhe mendoj se provokimi zë vend shumë të vogël. A duhen parë titujt e tyre? Fjala hero ka konotacion pozitiv dhe heronjtë nderohen. Duhet të kenë shumë kujdes strukturat që ngrihen në këtë rast për të vënë vlerësime. Ata njëherë janë vlerësuar. Tani, rivlerësimi është edhe më i vështirë, sepse bëhet në një kontekst tjetër historik e politik. Nëse themi se historia duhet t’i shërbejë të tashmes e së ardhmes, kujdesi nuk është i tepruar”, tha Lalaj. Pyetjes, a duhen rishikuar, ajo ju përgjigj qartë: “Them që duhen rishikuar figurat dhe në këtë vëmë në peshore e hedhim në diskutim, ku mbizotërojnë anët e mira e heroizmi e ku anët e tjera të cilat gjatë kohës së komunizmit, quheshin heroike, por në ditët e sotme, kanë një konotacion tjetër.
Në historiografi politika duhet të rrijë sa më larg sepse ne kemi shumë pika që janë edhe të diskutueshme edhe të nxehta, si për shembull lufta civile, Mukja, roli i aleatëve. Ne tani ka ardhur koha të bëjmë pyetjen dhe të nxjerrim disa konkluzione. A do bëjmë politikë me këto ngjarje historike apo do bëjmë histori? Nëse do të bëjmë histori politika duhet të rrijë larg. Kam vënë re që ka ngjarje për të cilat në publik dalin politikanët jo historianët. Historianët kanë shumë dokumente, pro e kundra dhe kanë mundësi që t’i trajtojnë, që t’i analizojnë më me hollësi dhe të tërheqin një konkluzion më të bazuar, por historianët janë pikërisht lihen më në fund”. Në fund Lalaj tha se korrigjimet në histori bëhen vazhdimisht dhe historiografia shkruhet vazhdimisht, ndaj sipas saj, duke pasur në dorë shumë regjistrime arkivore ne mund të saktësojmë një kontekst historik më mirë se politikanët.

HISTORIANI MAREGLEN KASMI: DHËNIA E JETËS  AKT SUBLIM, TË SHIHEN ME SY KRITIK

Historiani Mareglen Kasmi në deklaratën e tij para mediave tha se, “që të jem korrekt, nuk i di të gjithë emrat që janë përfshirë në këtë listë, por nëse do të flas në parim duke bërë vlerësimin e këtyre figurave historike do të thosha që nderimi i tyre është diçka e nevojshme”. Por sipas tij, kushdo që jep jetën në luftë kundër pushtuesit të huaj, për më tepër që të gjithë në foto janë në moshë të re, janë figura që duhet vlerësuar. “Dhënia e jetës është akti më sublim, që dikush mund të bëjë për mbrojtjen e atdheut. Këtu nuk dua të përfshij në këtë debat ideologjinë, për të arrit në përfundimin se janë figura që ndoshta u përdorën apo simbolizojnë ideologjinë komuniste të kohës, sepse siç thashë në momentin që dikush bie në llogore për të mbrojtur atdheun nga pushtuesi, meriton të vlerësohet”, vërejti Kasmi. Ai shtoi që nëse brenda tyre ka elementë që mund të kenë jetuar edhe pas vitit 1945, atëherë patjetër që duhet parë aktiviteti i tyre që kanë pas kësaj periudhe. “Qartazi unë e ndaj luftën e nga periudha e pasluftës, duke pasur parasysh, që ende pjesa më e madhe e atyre që dhanë jetën e janë përdorur në këto ditë në mënyrë të demonstruar në bulevard nuk e mendonin atë që do të vinte pas vitit 1944, por thjesht dolën në mal për të luftuar për lirinë e vendit”, theksoi historiani.
I pyetur nëse krahas partizanëve, ka edhe elementë të ish-Sigurimit të Shtetit, ai tha se nuk e di se cilët janë emrat, por “do të thosha që për mendimin tim aty e kanë vendin të gjithë ata njerëz që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Më pas 1945-ës, si për çdo njeri duhet parë kontributi i që kanë pasur. Pastaj njerëz që një periudhë të jetës kanë pasur një qëndrim të mirë dhe nëse në një moment tjetër të jetës kanë mbajtur një tjetër qëndrim, nëse kanë bërë gjëra që nuk duhet t’i bënin, patjetër që duhet riparë në mënyrë kritike”. Sipas tij, është e njëjta si me nacionalistët gjatë luftës, që kanë merita deri në momentin e pushtimit të Shqipërisë, më pas qëndrimi i tyre është pak ndryshe, prandaj për secilën periudhë duhet që të mbajnë përgjegjësi për ato që kanë kryer. I pyetur nëse ka qenë i përfshirë në procesin e përzgjedhjes dhe nëse si pjesë e Autoritetit të Dosjeve ka dijeni për verifikimin e figurave, ai tha se nuk ka qenë i përfshirë dhe mendon që aty janë njerëz që kanë dhënë jetën gjatë luftës dhe nuk mund të kenë vazhduar aktivitetin e tyre gjatë luftës.

HISTORIANIA SONILA BOÇI: MUNGOJNË DISA EMRA, JANË TJETËR VIKTIMAT E TJETËR HERONJTË

“Ato figura varen aty për të mbajtur të gjallë kujtesën. Është në nderin e çdo kombi që të nderojë heronjtë e vet, pavarësisht ideologjisë së tyre. Ajo që pashë unë nga një vështrim i shpejtë në bulevard, sepse nuk i kam studiuar të gjithë, vura re që përveç komunistëve atje ka edhe jokomunistë. Mujo Ulqinaku, Vasil Laçi, Mine Peza, e shumë personazhe të tjera që nuk janë komunistë. Janë njerëz që janë vrarë duke kundërshtuar pushtimin dhe kjo është në nderin tonë si shqiptarë që t’i kujtojmë. Siç duhet t’i kujtojmë gjithë të tjerët”, tha dje Sonila Boçi. A duhej të ishin të gjithë?
Sipas saj, duhej të ishte bërë një kujdes i madh për të përzgjedhur kategorinë e heronjve që do vendoseshin. “Nëse do përkujtoheshin heronjtë e luftës, nuk duhej të ngatërroheshin ata që janë vrarë pas nëntorit të 1944 dhe ka të tillë. Me aq sa pashë unë, vura re Nuri Luçin, që ishte me një foto me uniformën e Sigurimit të Shtetit që mund të ishte shmangur. E dyta që duhej mbajtur në konsideratë edhe pse s’janë heronj të popullit, por janë dëshmorë të atdheut, janë disa që kanë luftuar në formacionet e Ballit Kombëtar. Nuk pashë Jashar Cakranin që është vrarë nga italianët në Vlorë, nuk pashë Hysni Lepenicën dëshmorin e Grehotit, ose disa të tjerë të Ballit Kombëtar që janë njohur si Skënder Muça që është vrarë nga gjermanët. Edhe këta janë dëshmorë të atdheut sa këta të tjerët dhe ne duhet t’i respektojmë edhe ata”, u shpreh Boçi.

Ajo tha se janë vënë viktimat dhe janë cilësuar si dëshmorë. Masakrat shkaktojnë viktima dhe janë tjetër kategori, por ka të tjerë që kanë luftuar me armë e kanë rënë dëshmorë e që mund të ishin të tjerë që mund të ishin vendosur.

E pyetur për figurën e Fejzi Micollit, ajo përmendi Luftën e Tamarës. “Të gjithë ata që nuk janë vrarë në luftë me pushtuesit, pavarësisht se në ç’periudhë historike janë vrarë, nuk duhej të ishin aty. Duhej të ishte bërë kujdes në përzgjedhjen e figurave, pa mohuar kontributin që kanë këto figura që janë vënë. Duhet bërë rishikim i heronjve të popullit. Titujt janë vendosur para viteve 1990 dhe nuk janë bërë më hulumtime për këto figura. Ne e kemi kërkuar gjithnjë, por këtë e vendos politika, jo ne si historianë – sepse ne kemi bërë hulumtimet tona, por kemi parë që ka të tjerë që janë në kategorinë e dëshmorëve. Ka ardhur koha që politikëbërësit duhet të ulen më shumë me historianët që të bëjmë gjëra më të mençura, që i shërbejnë kohezionit social më shumë se përçarjes sociale”, u shpreh historiania.

Ajo tha se nuk ka dijeni se kush ka qenë në komisionin përzgjedhës, por tha se në dijeninë e saj asnjë nga anëtarët e departamentit të Historisë Bashkëkohore nuk është pyetur për këtë (listë me heronj). “Por mund të kenë pasur historianë të tjerë. Nuk e di nëse ka pasur a jo, nuk e di fare se si janë përzgjedhur këta emra. Nëse do kishin qenë të kujdesshëm dhe nëse në bulevard do të kishte figura që vërtetë janë etalone të luftës, të rezistencës kundër pushtimit, do i kishin bërë shërbim të mirë luftës dhe kujtesës. Nuk besoj se ka njeri që thotë pse është aty Vasil Laçi”, – përfundoi ajo.


Send this to a friend